ATV

Blog

  • Bayerni vendos për të ardhmen e Boateng

    Bayerni vendos për të ardhmen e Boateng

    Jerome Boateng ishte pjesë e stërvitjes ekipore të Bayern Munichut sot, dhe kampioni gjerman si duket ka vendosur për të ardhmen e mbrojtësit 35-vjeçar.

    Siç bëhet e ditur nga gazetari gjerman Florian Plettenberg, Bayerni nuk do t’i ofrojë Boatengut një kontratë për të qëndruar me skuadrën, raporton KosovaPress.

    Pas bisedimeve krerët e klubit vendosën që mos të nënshkruajnë me Boateng pasi që iu frikësuan kritikave nga tifozët.

    Thomas Tuchelit do t’i nevojitet që të vazhdojë me tre mbrojtës deri në muajin janar.

  • UEFA dënon solidarizimin e tifozëve në Beograd me terroristet serbë dhe brohoritjet raciste “Vritni shqiptarët”

    UEFA dënon solidarizimin e tifozëve në Beograd me terroristet serbë dhe brohoritjet raciste “Vritni shqiptarët”

    Shkruan Nefail Maliqi: 

    Ndeshja e fundit mes ekipit zviceran YB së Bernit dhe “Cervena Zvezdes” në Beograd ku tifozët serbë në stadium u solidarizuan me terroristët serbë të cilët morën pjesë në sulmin e fundit në veri të Kosovës dhe fyerjet raciste ndaj shqiptarëve kanë shokuar opinionin evropian, shkruan nga selia e UEFA-s, gazeta zvicerane në shqip ‘Le Canton27.ch’.

    Zyrtarët e UEFA-s kanë dënuar ashpër sjelljet e huliganëve serbe duke i konsideruar skandaloze banerët dhe brohoritjet e tyre antishqiptare në stadiumin e Beogradit gjatë ndeshjes mes ekipit zviceran YB dhe atij serbe “Cervena Zvezda”.

    “Janë të papranueshme sjelljet e huliganëve serbë në ndeshjen e fundit mes ekipit zviceran dhe atij serbe. Sjelljet e tilla nuk i përkasin sportit dhe janë në kundërshtim me rregullat e UEFA-s dhe normat ndërkombëtare. Prandaj, ne do të dënojmë këtë akt të shëmtuar dhe do marrim masa ndëshkuese ndaj ekipit serbe”, ka thënë sot zëdhënësi i UEFA-s për gazetën zvicerane në shqip Le Canton27.ch.

    Ditëve te ardhshme , pritet reagimi zyrtar nga UEFA e cila do të shpjegojë masat ndëshkuese ndaj Serbisë.

    Brohoritjet “Vritni Shqiptarët” në stadiumin e Beogradit dhe solidarizimi i huliganëve me terroristet serbe ka shkaktuar reagime te mëdha edhe në Kosovë dhe shqiptarët në Ballkan.

    Lidhur me këtë zyrtarët e UEFA-s na njoftuan se kanë marrë nja reagim nga FFK ku kërkohet nga UEFA të sqarojë ngjarjet dhe te sanksionohet Serbia.

  • Ekskluzive: Qendrim Zyba ftohet nga kombëtarja e Kosovës

    Ekskluzive: Qendrim Zyba ftohet nga kombëtarja e Kosovës

    Pas paraqitjeve fantastike me skuadrën e Ballkanit, mesfushori Qendrim Zyba ka marrë ftesë nga kombëtarja e Kosovës për dy ndeshjet e këtij muaji.

    Burimet e redaksisë se sportit në ATV marrin vesh që tashmë ftesa i ka shkuar 22 vjeçarit.

    Kur jemi te mesfushori ai ka qenë pjesë e të gjitha grupmoshave të kombëtares së Kosovës deri me tani.

    Kujtojmë që perveç Zybës nga lojtarët e Ballkanit ftesa i ka shkuar edhe mbrojtësit Lumbardh Dellova.

    Përndryshe, Kosova me 12 tetor përballët me Andorrën kurse 3 ditë me vonë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ takohet me Izraelin./ATVLIVET.TV 

     

  • Komuna e Prishtinës dhuron dru për 140 familje me asistencë sociale

    Komuna e Prishtinës dhuron dru për 140 familje me asistencë sociale

    Adelinë Sahiti, drejtore e punës dhe mirëqenies sociale në komunën e Prishtinës një lidhje direkte për emisionin “A LIVE “, tha se këtë vit kjo komunë ka vendosur që t’i përzgjedhë disa familje me asistencë sociale, për t’iu dhuruar atyre dru për ngrohje, gjatë sezonit të dimrit.

    Ajo tha se familjet që janë përzgjedhur nga skema sociale, janë ato familje të cilat alternativë për ngrohje e kanë drurin.

    “Komuna e Prishtinës, sa herë afrohemi në stinën e dimrit përkujdesemi që familjet që janë pjesë e skemës sociale ta presin më lehtë dimrin në aspektin e ngrohjes. Kështu që këtë vit vendosur që për dallim nga vite e kaluara kur kemi ndarë mjete financiar, kësaj radhe e kemi vendosur që ato familje të cilat ngrohen me dru t’i ndihmojmë në këtë mënyrë. Janë 140 familje që i kemi përzgjedhur dhe janë gjithsej 420 metra dhe për çdo familje do të ndahen nga 3 metra, ndërsa gjithashtu do të kujdesemi edhe për familjet e tjera që nuk ngrohën me dru, ta marrin një shumë financiare me dedikim për ngrohje. Kemi filluar nga dita e marte dhe po vazhdon akoma dhe po shpresojmë se gjatë ditës së sotme edhe përfundon ky proces”, tha ajo.

    Tutje Sahiti shtoi se ndihmesa të tilla do të synojnë edhe në të ardhmen./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Osmani për “Die Welt” thotë se janë kapur edhe harta të terroristëve- donin ta pushtonin Veriun

    Osmani për “Die Welt” thotë se janë kapur edhe harta të terroristëve- donin ta pushtonin Veriun

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka dhënë një intervistë për mediumin e njohur gjerman Die Welt ka dhënë detaje nga sulmi i 24 shtatorit në Bansjkë të veriut të Mitrovicës.

    Osmani ka treguar në detaje për të gjitha ato organet e rendit në Kosovë gjetën si dëshmi, pas ikjes së terroristëve nga manastiri i Banjskës. Sipas saj, misioni i tyre ishte pushtimi i veriut të Kosovës.

    Ajo thotë se Beogradi përveç me propagandë e operacione hibride, po dëshmohet se ka lejuar trajnimin e grupet terroriste në bazat ushtarake serbe.

    “Serbia ka punuar gjatë për një plan ushtarak për aneksimin e veriut të Kosovës ashtu siç ndodhi me Ukrainën. Sulmuesve iu dha armatim që i takon ushtrisë serbe. Kishin uniforma ushtarake pa asnjë shenjë në të”

    Ajo thotë se nga ato çka lanë ata pas si dëshmi ditën kur ikën nga vendi ky e kryen sulmin terrorist u gjetën shumë gjëra, përfshirë armatim e harta.

    “Ne analizuam hartat, pamjet me dron, armët e sulmuesve dhe telefonat që ata lanë pas largimit. Nga kjo duket qartë se më 24 shtator, sulmuesit kanë dashur të krijojnë fakte në 37 lokacione njëkohësisht në një operacion hibrid për të pushtuar veriun e Kosovës”, ka thënë Osmani.

  • Kërkohet përforcimi i bashkëpunimit mes Gjykatës Kushtetuese, medias dhe shoqërisë civile

    Kërkohet përforcimi i bashkëpunimit mes Gjykatës Kushtetuese, medias dhe shoqërisë civile

    Përforcimi dhe përmirësimi i bashkëpunimit mes Gjykatës Kushtetuese, medias dhe shoqërisë civile është i rëndësishëm, u tha të premten në tryezën e diskutimit të organizuar nga USAID-i dhe Gjykata Kushtetuese. Derisa u potencua se Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës po përpiqet që të japë pavarësi të drejtësisë dhe transparencës.

    Drejtori i Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje në USAID, Noel Bauer tha se fuqia e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese varet nga besimi që i jep qytetari, derisa shtoi se fitimi i këtij besimi kërkon transparencë, dialog, bashkëpunim dhe llogaridhënie.

    “Qeveria e Shteteve të Bashkuara përmes USAID-it, byrosë për narkotikë dhe linjës ligjore ndërkombëtare përpiqet që të japë pavarësi të drejtësisë dhe transparencës dhe jemi shumë të lumtur që po e mbështesim këtë pjesën e Gjykatës Kushtetuese që ta organizojmë këtë tryezë të rrumbullakët. Diskutimet e ditës së sotme kanë të bëjnë me sigurimin që lihet në mes të komunikimit dhe gjykatës dhe qytetarëve, përfaqësuesve dhe shoqërisë civile të mbesin të hapura. Të gjithë e dimë se fuqia dhe permanenca e vendimmarrjes të kushtetueses varet plotësisht prej besimit që i jep qytetari prej gjykatës, dhe fitimi i këtij besimi kërkon transparencë, dialog, bashkëpunim dhe llogaridhënie. Kjo nënkupton që të gjithë në këtë sallë kanë një rol për të luajtur për të siguruar që ka drejtësi, dhe të gjithë kanë perspektivë valide në lidhje me atë se si duhet të administrohet kjo drejtësi”, tha Bauer.

    Ndërkaq, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Gresa Caka potencoi se në kuadër të këtij diskutimi do të lansojnë një video që ka për qëllim përforcimin e bashkëpunimit reciprok si dhe përmirësimin e gjykatës në komunikim me publikun.

    “Të dy këto aktivitete ngërthejnë një qëllim më të madh, qëllimin e përforcimit të bashkëpunimit reciprok mes Gjykatës Kushtetuese dhe medias dhe shoqërisë civile në anën tjetër. Me një qëllim të dyfishtë, qëllimin e Gjykatës që në mënyrë të vazhdueshme të përmirësojë dhe avancojë mekanizmat e saj të komunikimit me publikun dhe së dyti që përmes bashkëpunimit me median dhe shoqërinë civile të kontribuojë rreth rritjes së kuptimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në publik, si pasoj edhe rritjen e besimit të publikut në institucionet publike”, tha Caka.

    Tutje, Caka tha se detyra e gjyqtarit dhe institucionit përkatës përfshinë ushtrimin e diskrecionit të plotë, vetëpërmbajtjes dhe moderimit në komunikim me publikun.

    “Ndërtimi i këtij raporti është delikat jo vetëm për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, por për të gjitha gjykatat kushtetuese tradicionalisht. Kjo sepse balanca delikate e ndërveprimit në mes Gjykatës Kushtetuese dhe medias posaçërisht është rezultat i një parimi jashtëzakonisht të rëndësishëm kushtetues, ligjor dhe etik i cili është parimi i vetëpërmbajtjes gjyqësore… Në parim, përfshirë sipas rekomandimeve të Këshillit konsultativ të gjyqtarëve evropian të Këshillit të Evropës, ky parim përfshinë detyrën e gjyqtarit përfshirë institucionin përkatës për të ushtruar diskrecion të plotë, vetëpërmbajtje dhe moderim në komunikim me publikun. Përfshirë në të përgjigjurit nga sulmet e mundshme nga forcat politike, gjithnjë në mbrojte të parimit të pavarësisë e autonomisë institucionale dhe autoritetit të institucionit”, potencoi Caka.

    Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka shtoi se trendet e fundit kanë lëvizje në favor të bashkëpunimin të institucioneve si rezultat i përdorimit më të madh të teknologjisë.

    Ndërkaq, të pranishëm në këtë tryezë diskutimi ishin edhe përfaqësuesit e medias. /kp

  • Spanja s’e njeh pasaportën e Kosovës, si udhëtoi Vjosa Osmani atje? Çfarë thonë nga Presidenca

    Spanja s’e njeh pasaportën e Kosovës, si udhëtoi Vjosa Osmani atje? Çfarë thonë nga Presidenca

    Disa pyetjeve nëpër rrjete sociale se me çfarë pasaporte ka udhëtuar presidentja Vjosa Osmani në Sapnjë u është përgjigjur Presidenca.

    Spanja nuk e njeh Kosovën dhe nga pesë vendet e BE-së ajo është më kundërshtuesja e pavarësisë. Spanja nuk do të lejojë qytetarët e Kosovës të udhëtojnë në këtë vend as pas liberalizimit të vizave në janar të viti 2024.

    Sidoqoftë, presidentja Osmani në këtë vend ka udhëtuar me pasaportë të Kosovës. Dhe si i është mundësuar kjo, ka shpjeguar në “X” Egnesa Vitia, këshilltare e Presidentes Osmani.

    “Presidentja Osmani ka udhëtu me pasasportë të Republikës sē Kosovës, si dhe nuk posedon asnjë pasaportë tjetër. Me vize te leshuar nga ambasada e Spanjes ne Shkup, kurse udhetimi nepermjet Vjenes. Te gjitha me pasaporte te Republikes se Kosoves. Nuk eshte hera e pare qe kjo procedure ndiqet per qytetare te RKS”, ka shkruar ajo në një prej postimeve në X.

    Osmani në Spanjë është pritur edhe nga kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez edhe nga Mbreti i këtij vendi në kuadër të samitit të Komunitetit Politik Europian, i cili këtë vit po mbahet në Granada të Spanjës.

  • Brucoshët e vitit të ri akademik 2023/24 të Kolegjit AAB mirëpriten me ceremoni solemne

    Brucoshët e vitit të ri akademik 2023/24 të Kolegjit AAB mirëpriten me ceremoni solemne

    Përmes një ceremonie solemne të organizuar nga Kolegji AAB janë mirëpritur brucoshët që do fillojnë vitin e ri akademik 2023/24. Ata tashmë kanë bërë zgjedhjen e tyre në fushat e shumta të studimeve, ndërsa rektori i Kolegjit AAB Lulzim Tafa me anë të disa mesazheve të veçanta iu uroi mirëseardhje.

    “Kjo ditë nuk është e rëndësishme vetëm për ju por për të gjithë ne, sepse po filloni etapën kyçe të jetës studentore dhe këtë po e bëni me ne. Nga sot emri juaj dhe i Kolegjit AAB janë të njësuar. Rruga e suksesit nuk është e lehtë duhet shumë punë, mund dhe sakrificë. Puna jonë është të përgatisim kuadro për tregun e punës jo vetëm në Kosovë, por në tregun rajonal dhe atë global. Përveç mësimeve, studimet edhe përjetohen prandaj mos hezitoni ta shijoni jetën studentore në ambientet relaksuese që ka kolegji”, tha rektori Tafa.

    Për të vulosur dhe treguar qartë ndikimin dhe rolin e studentëve në institucionin tonë, përmes një fjale rasti Gent Anadolli kryetari i Unionit të Studentëve tregoi rrugën që duhet ndjekur.

    “Vendi ku do përjetoni sfida e suksese, do gjeni mentorë që do iu frymëzojnë në gjithë rrugëtimin tuaj të arsimit është pikërisht Kolegji AAB. Eksploroni çdo mundësi e çdo sfidë në jetën akademike, andaj jeni kërkues ndaj stafit akademik, administrativ dhe bashkëpunoni me kolegët tuaj”, u shpreh Genti.

    Se suksesi i studentëve të diplomuar dhe hapësira për ta në Kolegjin AAB edhe pas studimeve është një nga parimet e institucionit, e konfirmoi autorja, producentja dhe moderatorja në televizionin ATV njëherazi edhe asistente në Fakultetin Juridik të Kolegjit AAB Flaka Vitaku.

    Flaka motivoi studentët të luftojnë për ëndrrat e tyre dhe të tregojnë përkushtimin e duhur.

    “Unë ende jam pjesë e familjes së madhe të Kolegjit AAB, pasi një nga parimet e institucionit është të mbaj studentët e zellshëm afër vetes. Kurse juve ju dëshiroj sukses, shumë punë dhe në këtë mënyrë AAB nuk do iu harroj kurrë, do përfundoni çdoherë të shpërblyer”.

    Në këtë ceremoni pati edhe pika artistike nga ish studenti i Kolegjit AAB tashmë këngëtar i njohur Arbër Krasniqi, që argëtoi të pranishmit.

    Pas ceremonisë studentët takuan dekanët e fakulteteve për të parë sallat ku do zhvillojnë ligjëratat, të cilat fillojnë nga data 7 tetor për studentët e së shtunës ndërsa për ata të rregullt nga data 9 tetor 2023.

    Nga sot Kolegji AAB është bashkëudhëtari juaj në rrugën akademike, suksese dhe shëndet studentë tanë të dashur!

  • Haxhiu për refuzimin e Kurtit: Kryemashtruesi po i ikë përgjegjësisë para deputetëve

    Haxhiu për refuzimin e Kurtit: Kryemashtruesi po i ikë përgjegjësisë para deputetëve

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka thënë për Ekonomia Online se refuzimi i kryeministrit Albin Kurti për t’u përgjigjur deputetëve të opozitës, është tendencë për shantazh e kërcënim.

    Haxhiu ka thënë se deputetët nuk i nënshtrohen asnjë mandati, duke shtuar se kjo është “përpjekje e kryemashtruesit Kurti që me i ikë përgjegjësisë para deputetëve”.

    “Është një përpjekje e kryemashtruesit Kurti që me i ikë përgjegjësisë para deputetëve, në veçanti në pyetjet parlamentare ku ne i adresojmë skandale, e në veçanti skandalin me rezervat shtetërore, hajninë me energji por edhe rritjen e konsumit. Duhet ta kuptojë që ky kryeministër dhe çdo kryeministër që në mandatin e tyre, deputetët nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues sipas Kushtetutës së Kosovës e as me kërcënime e me shantazhe të tilla, deputetët nuk mund të nënshtrohen sepse e kanë votën e tyre”, u shpreh Haxhiu.

    “Është përpjekje e pastër e shantazhit ndaj deputetëve. Ju e dini që PDK-ja e opozita që nga fillimi kanë votuar marrëveshjet ndërkombëtare e grante tjera në vlerë 360 milionë euro, por që për shkak të sanksioneve nga BE-ja e SHBA, këto mjete nuk po mu d të shfrytëzohen dhe cila është logjika që të krijohen obligime financiare ndërkombëtare e të qëndrojmë nën sanksione”.

  • Gjykata i ndërpret masën e paraburgimit avokatit Hamdi Jashari

    Gjykata i ndërpret masën e paraburgimit avokatit Hamdi Jashari

    Gjykata Supreme i ka ndërprerë masën e paraburgimit avokatit Hamdi Jashari, i cili dyshohet se mori 8 mijë euro nga pala për t’ia dhënë gjyqtarëve.

    Pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, avokati Jashari do të mbrohet në liri.

    “Me pranimin e kërkesave për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësve të të pandehurit Hamdi Jashari, ndryshon aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, të datës 7.9.2023 dhe aktvendimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës, të datës 15.9.2023, ashtu që të pandehurit i ndërpritet masa e paraburgimit dhe i njëjti lirohet menjëherë për t’u mbrojtur në liri”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Supreme, të siguruar nga ATV.

    Ndërkohë mbrojtja e Jasharit e ka mirëpritur vendimin, pasi sipas avokatit Florim Shefqeti, vendimi paraprak nuk ka pasur bazë ligjore.

    Kujtojmë se hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në koordinim me Prokurorinë e Prishtinës pas zhvillimit të hetimeve preliminare kishin arrestuar avokatin Jashari, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale – ushtrim i ndikimit.

    Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari ka kërkuar dhe pranuar para në shumën prej 8 mijë euro nga një palë në procedurë në Gjykatën e Gjilanit me premtimin që këto para do t’ia japë kolegjit të gjyqtarëve, në mënyrë që të njëjtit të nxjerrin vendim në favor të palës se mbrojtur nga i dyshuari. /atvlive.tv