Recetën e ajvarit që e mësoi nga nëna e gjyshja, zonja Makfire Sadiku e praktikon sot të njëjtën për familjen e saj.
Pikërisht në këtë sezone kur fillojnë përgatitjet për ushqimet dimërore, nënat shqiptare fillojnë me turshi e përgatitjen e ajvarit tradicional ngjashëm si zonja Makfire.
Me një shporet, tepsi dhe speca të njomë fillon pjesa e parë e përgatitjes, thotë ajo.
“Paraprakisht kavanoza sterilizohen, pasi përgatitet ajvari vendoset në këto kavanoz, pas kësaj e bëjmë një mbyllje hermetike në mënyrë që qëndrueshmëria të jetë më e gjatë”, shtoi tutje ajo./ATVLIVE.TV/
Ministri i Brendshëm i Kosovë Xhelal Sveçla ka zbuluar prapaskenat e 24 shtatorit, dita e sulmit terrorist të serbëve në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë polici kosovar Afrim Bunjaku.
Sveçla tregon se trupat serbe ishin të pajisur me uniformat e KFOR-it, gjë e cila paraqiste elemente tepër të rrezikshme për një masakër të madhe të mundshme.
Ai në Syri Tv, Sveçla është shprehur se Aleksandër Vuçiçit nuk i zihet besë dhe ky skenar i Serbisë mund të përsëritet sërish.
“Ai jo vetëm se shpërtoi dhjetra e dhjetra jetë të kolegëve të tij por shpëtoi Kosovën nga një skenar shumë ogurzi. Ne kemi shumë informata që zbardhin skenarin e Serbisë në 24 shtator, kishte diku deri në 90 terrorist të cilët u futën me armatime të rënda në republikën e Kosovës dhe planifikuan të realizojnë një korridor mes republikës së Serbisë dhe dy komunave, Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit.
Sipas Sveçles, këto armatime ishin armatime ushtarake duke qënë se nuk përdoren nga policitë askund në botë dhe që as nuk mund të gjendjen as në treg zyrtar e as në treg të zi. “Po flas për raketathedhës dore, për minahedhës -82mm, 62mm, po flas për mina antitank, mina antipersonel, po flas për eksploziv qoftë tritol, qoftë eksploziv plastik, po flas për top 30mm që do të thotë një arsenal i tërë i armëve të cilat janë marrë kazermat e ushtrisë së Serbisë”.
“Për këtë neve kemi dëshmi edhe të fletëpranimeve, fletëdorëzimeve të këtyre armëve dhe dukeqënëse ky plan përfshinte edhe një element jashtëzakonisht të rrezikshëm ai ishte se disa nga veturat, nga 30 që u futën në Kosovë kishin stikers me shenjën e KFOR-it , kishin edhe uniforma të KFOR-it italian dhe kishin diku rreth 24 armë me silenciator që do të thotë se ata ishin të gatshëm të maskoheshin si pjesëtarë të KFOR-it dhe të ekzekutohin pjesëtarët e policisë, me ç’rast tensioniet do të rriteshin në një pikë ku realisht nuk do të dij se kush në kë po shtie”.
“Në të njëjën kohë këta kishin dhe një numër shumë të madh të uniformave dhe paisjeve të armëve me numër më të madh sesa ishin vetë që japin indikacion se ata ishin përgatitur që një pjesë të këtyre armatimeve e uniformave t’ia jepnin personave që tashmë ishin në Kosovë dhe numri i tyre patjetër që do të dyfishohej apo trefishohej. Po ashtu indikacionet janë se grupet tjera do të futeshin më pas përmes këtij korridori në Kosovë”, tha ai.
“Ky skenar nuk përjashtohet se do të përsëritet. Fatmirësisht ata u ndanë jashtëzakonisht keq pas reagimit jashtëzakonisht profesional të policisë së Kosovës dhe kjo i jep shpresën se ata janë dëmtuar aq sa mos të provojnë sërish, por Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe qeverisë së tij nuk i zihet besë asesi”.
Gjatë qëndrimit në Bruksel, zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, tha se Kosova në vazhdimësi po dëshmon angazhimin në avancimin e agjendës evropiane.
Këto komente Bislmi i bëri gjatë një diskutimi me përfaqësues nga Komiteti për Politikë e Siguri (PSC), ku ishin prezent ambasadorë e përfaqësues të misioneve diplomatike të shteteve anëtare dhe nga BE-ja, thuhet në komunikatën për media.
Në këtë bashkëbisedim, Bislimi prezantoi perspektivën evropiane të Kosovës, përkushtimin e angazhimin tonë në zbatimin e reformave dhe përmbushjen e kritereve.
Ai ritheksoi se Kosova mirëpret iniciativën e Komisionit të BE-së për planin e ri për zgjerim prezantuar nga presidentja e Komisionit, Von Der Leyen, si dhe pritshmëritë e Këshillit të BE-së, përfaqësuar nga presidenti i Këshillit, Charls Michel, që zgjerimi të arrihet deri më 2030.
“Viti i kaluar ishte vit evropian për vendin ku u arrit liberalizimi i vizave dhe u aplikua për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe për anëtarësim në BE. Ndërthurur me rritjen që njohu vendi në zhvillim ekonomik, e suksesin e faktuar në rankime ndërkombëtare në fusha si sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, liria e mediave, u dëshmua vullneti dhe angazhimi i Republikës së Kosovës në avancimin e agjendës evropiane. Vendi ynë dëshmoi se po performon pozitivisht në indikatorë të ndryshëm përtej barrierave e pengesave me të cilat vendi ynë është përballur”, ka thënë Bislimi.
Sa i përket sulmit të Serbisë ndaj Kosovës të dielën e 24 shtatorit, Bislimi tha se atë ditë Serbia orkestroi akt agresioni ndaj Republikës së Kosovës, ku u vra rreshteri i Policisë, tashmë Heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku.
“Faktet e përfshirjes së institucioneve të Serbisë janë të shumta, nga prezenca e organizimi i agresionit nga Milan Radojçiq, prezenca e truprojës së shefit të BIA, Vulin, e deri tek mjeti i gjetur e konfiskuar në pronësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, vërtetimi i dhënë nga ushtria serbe për pajisje me armatim të rëndë, strehimi i terroristëve në Serbi dhe glorifikimi i tyre”, tha ai.
Zëvendëskryeministri Bislimi i informoi pjesëmarrësit dhe mbi procesin e dialogut e takimin e fundit të nivelit të lartë mbajtur me 14 shtator.
24 delegacione nga vendet anëtare të Procesit të Berlinit do të mblidhen sot (e premte) në Tiranë, në takimin e ministrave të Jashtëm.
Ky takim i paraprin Samitit të Procesit të Berlinit që do mbahet në Tiranë më 16 tetor.
Sipas njoftimit, takimi do të ketë dy sesione të mbyllura. Pas përfundimit të tyre, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ministrja gjermane Annalena Baerbock dhe komisioneri për Zgjerim i KE-së, Oliver Varhelyiu do të mbajnë konferencë për media.
Tema të këtij takimi janë: forcimi i dimensionit rajonal, nënvizimi i rëndësisë së veçantë të këtij procesi në kuadër të integrimit në BE, përforcimi i angazhimit lidhur me Tregun e Përbashkët Rajonal, katër lirive themelore, Agjendës së Gjelbërt dhe atë Digjitale; përfarimi me Tregun Unik të BE-së, ruajtja e momentit rivitalizues të arritur në samitin e vjetshëm në Berlin; zbatimi i marrëveshjeve të lëvizshmërisë, forcimi i marrëdhënieve ndërmjet shteteve të rajonit, si dhe përshpejtimi i integrimit evropian.
Takimi do të ketë dy sesione të cilat do të jenë të mbyllura dhe në fund Ministri Hasani, Ministrja gjermane Baerbock dhe komisioneri Varhelyi do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp.
Sanksione ndaj Serbisë për agresion ndaj Kosovës më 24 Shtator, para gjithçkaje tjetër, kërkoi presidentja Vjosa Osmani në samitin e Komunitetit Politik Evropian, në Granada të Spanjës.
Teksa vlerësoi se sanksionet do ta mbronin paqen dhe stabilitetin, presidentja Osmani theksoi nuk ka asnjë arsye të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vucic, pa sanksionimin paraprak të Serbisë.
“Këto janë kohëra të vështira për tërë kontinentin evropian, veçanërisht për vendin tim, pasi së fundmi u përballëm me një akt agresioni nga Serbia, i cili u krye përmes grupeve terroriste dhe paramilitare. Jam këtu për të kërkuar mbështetjen e aleatëve dhe partnerëve evropianë për ta sanksionuar Serbinë, në mënyrë që ajo të mos inkurajohet dhe të marrë guxim për të kryer akte të tilla agresioni ndaj Kosovës dhe fqinjëve të tjerë sërish e sërish”, tha Osmani.
Krahas kësaj, presidentja kërkoi garanci të sigurisë për Kosovën dhe ndryshim të qasjes së perëndimit ndaj Vucicit, të cilin e bëri përgjegjës për agresion përmes sulmit terrorist në Banjskë, në të cilin u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
“Për çfarë të takohemi? Do të bënte, sikur nuk përballesh me një agresor që ka kryer një akt agresioni, një akt terrorist, vetëm një javë më parë. Besoj që fatkeqësisht bisedimet për normalizim, në vend se për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, janë keqpërdorur nga Vucici për të normalizuar fytyrën e tij para bashkësisë ndërkombëtare – i cili nuk ka kërkuar ende falje për krimet e kryera në vitet e ‘90-ta, kur ishte ministër i Propagandës i Milloshevicit, i cili ende mohon gjenocidin, i cili teksa po flasim ka baza ushtarake përreth kufirit me Kosovën, sepse duan ta marrin territorin e Kosovës. Nuk duhet ta lejojmë atë të ketë një fotografi të mirë nga këtu, që të mund të vazhdojmë njësoj. Ky nuk është biznes i zakonshëm, sepse 25 shtatori ka ndodhur, askush nuk duhet t’i japë atij mundësinë të duket si lider evropian normal, sepse ai është një agresor”, tha Osmani.
Në një adresim në mëngjes, para deklaratës së presidentes Osmani, Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Josep Borrell, tha se shpresoi në diskutime me të dhe presidentin serb.
“Takimet bëhen për t’i lehtësuar tensionet. Presidentja Osmani do të jetë këtu dhe presidenti Vucic, po ashtu. Në Kishinau ne u ulëm së bashku, diskutuam për këtë dhe sot do të bëjmë të njëjtën. Por, situata është shumë më e keqe sot sesa kur ishim në Kishinau”, tha Borrell.
Për Kosovën dhe Serbinë foli shkurt edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili përdori termin konflikt.
“Besoj sinqerisht se kjo platformë e Komunitetit Politik mund dhe do të duhej, të luante një rol të rëndësishëm në zbutjen e konflikteve dhe të ndihmojë në zgjidhjen e tyre, me theks në Kaukazin Jugor dhe ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Sepse konfliktet nuk janë problem vetëm i atyre që janë të përfshirë direkt, por për të gjithë rajonin dhe kontinentin”, tha Michel.
Në adresimin e saj, presidentja Osmani foli edhe për rëndësinë e ndërsjellë të njohjes eventuale nga Spanja.
Ndërkohë, presidenti i Serbisë Aleksandar Vucic nuk u ndal para gazetarëve duke shmangur pyetjet e tyre.
Në fshatin Gjinoc të Suharekës u shënua “Dita e Arrës”.
Ky manifestim u organizua nga Shoqata kultivuese e Arrës dhe Lajthisë, derisa tuboi shumë mysafirë.
Për t’i nxitur fermerët që të vazhdojnë ta kultivojnë arrën, kryetari i Suharekës premtoi subvencione për fermerët.
Dita e Arrës shënoi zbatimin e një pjese të projektit “Fuqizimi i zinxhirit të vlerës përmes zhvillimit të aftësive”, të financuar nga Qeveria gjermane.
Manifestimi i Ditës së Arrës në komunën e Suharekës organizohet tash e 9 vjet.
Për herë të parë në Kosovë, u hap panairi më i madh ndërkombëtar i patundshmërisë, nikoqir i të cilit ishte kryeqyteti.
Kompanitë më prestigjioze nga vendi e po ashtu edhe nga Evropa e bota, u bënë bashke për t’i promovuar idetë e ndërtimeve të tyre.
Jemi shumë të lumtur, i falënderoj kompanitë, janë kompani model….”, tha Alba Durmishi, organizatore.
Një ngjarje si kjo e sotmja, sipas nënkryetarit të Prishtinës, Alban Zogaj, është padyshim shumë e rëndësishme edhe për kryeqytetin.
“Është shumë e rëndësishme, sepse ndërtuesit i kemi partnerë, me të cilët punojmë në baza ditore. Këta janë ata ndërtues që po e zhvillojnë qytetin”, tha Zogaj.
Kompanitë që u përzgjodhën të jenë pjesëmarrëse, thonë se janë të lumtur që në një event kaq madhor po i promovojnë ndërtimet e tyre.
Panairi ndërkombëtar i patundshmërisë do të jetë i hapur për tri ditë, 5, 6 dhe 7 tetor, nga ora 10 deri në orën 16:00.
Ndonëse sesioni vjeshtor në Kuvend ka filluar gati qe një muaj, deputetët nuk e kanë miratuar asnjë marrëveshje ndërkombëtare.
Në seancën e së mërkurës, kur votimi i disa prej këtyre marrëveshjeve ishte në rend të ditës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës bojkotuan votimin. Një ditë pas iu foli kryeministri Albin Kurti.
Por, të menjëhershme ishin reagimet e opozitës. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e quajti kryeministrin shembull më i keq të opozitarit që ka pasur Kosova.
E LDK-ja u ankua që në kritikat e kryeministrit u përfshi edhe kjo parti, meqë në votimin e së mërkurës mori pjesë.
Përpos debatit, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje provuan edhe mënyra të tjera për t’i bindur opozitarët t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtarë.
Vlera e shtatë marrëveshjeve ndërkombëtare që presin për ratifikim në Kuvend është mbi 360 milionë euro.
Ishte vetëm 13 vjeç kur i mbijetoi masakrës së Izbicës, në mars të vitit 1999.
23 vjet pas, Besmir Doqi përjetimet e ditës kritike ku mbetën të masakruar më shumë se 100 civilë, nisë t’i rrëfejë para një trupi gjykues, që po e gjykon Muhamed Alidemajn për krime lufte e pjesëmarrje në këtë masakër.
Dikush nga forcat paramilitare serbe kishte folur atë ditë shqip, çka e kishte shtyrë Doqin të jetë ende në kërkim të drejtësisë dy dekada pas ngjarjes, në të cilën i humbi katër anëtarë të familjes, përfshirë babanë.
Dëshmitari është shprehur i bindur se i akuzuari Alidemaj ka qenë i uniformuar e pjesëmarrës në masakër. Bindjen atij dhe banorëve të tjerë u kishte shtuar fakti që vetëm disa shtëpi kishin shpëtuar pa u djegur në fshatin Tushilë.
Ndonëse, mbrojtja nuk pati pyetje për dëshmitarin, u aktivizua kur ai i dha Gjykatës një emër anonim, që sipas Doqit, do të mund të dëshmonte për të bëmat e Alidemajt. E kjo nxiti reagimin edhe të Prokurorisë.
Gjykimi ndaj Muhamed Alidemajt do të vazhdojë në nëntor.