ATV

Blog

  • Dëgjohen sirenat në të gjithë Jerusalemin, Hamasi lëshon sërish raketa

    Dëgjohen sirenat në të gjithë Jerusalemin, Hamasi lëshon sërish raketa

    Krahu i armatosur i Hamasit ka konfirmuar se ka lëshuar raketa drejt Jerusalemit, raporton Reuters.

    Hamasi tha se lëshoi raketa në përgjigje të bombardimeve të ushtrisë izraelite.

    CNN, ashtu si The Guardian raportuan para pak çastesh se “sirenat po dëgjohen tani në të gjithë Jerusalemin”.

    Ekipet e CNN në Jerusalem dëgjuan një seri shpërthimesh menjëherë pasi u aktivizuan sirenat.

    Luftimet po vazhdojnë, ndërkohë që raportohet për të paktën 800 izraelitë të vrarë deri më tani, dhe 2,400 të plagosur.

  • Shqipëri, inflacioni në shtator 4.1 për qind

    Shqipëri, inflacioni në shtator 4.1 për qind

    INSTAT raportoi se në muajin shtator 2023, inflacioni (çmimet e konsumit) shënoi 4.1 për qind ose 0.1 për qind më lart se në gusht.

    Kjo ngritje në Shqipëri, u nxit nga çmimet më të larta të ushqimeve, karburanteve dhe shërbimeve arsimore.

    Krahasuar me muajin shtator 2022, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 7,9%, pasuar nga grupet “Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 5,4%, “Argëtim dhe kulturë” me 4,9%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 4,7%, “Veshje dhe këpucë” me 3,2%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,1%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,0%, “Shërbimi arsimor” me 2,3%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,1%, “Shëndeti” me 1,4% dhe “Komunikimi” me 1,1%. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” shënuan ulje me 7,2%.

    Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 24,1%, pasuar nga nëngrupet “mish” me 9,4%, “qumësht, djathë dhe vezë” me 8,3%, “fruta” me 7,5%, “peshk” me 4,2%, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 3,3%, “bukë dhe drithëra” me 2,1%, etj.

    Krahasuar me muajin gusht 2023, çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” u rritën me 1,7%, pasuar nga çmimet e grupit “Transporti” me 1,3%, “Argëtim dhe kulturë” me 1,2%, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,1%, “Veshje dhe këpucë” me 0,8%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0,4%, “Shëndeti” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,3% secili dhe “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,2%, transmeton ATSh.

    Rritja vjetore e çmimeve në muajin shtator është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +2,80 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,41 pikë përqindje.

  • ​Federata Evropiane e Boksit do të bëjë dokumentar për Donjeta Sadikun

    ​Federata Evropiane e Boksit do të bëjë dokumentar për Donjeta Sadikun

    Donjeta Sadiku është njëra nga boksierët më të suksesshme të Kosovës ndër vite.

    Ajo në karrierën e saj ka tituj të shumë vendor dhe ndërkombëtar, në mesin e të cilave edhe dy herë si kampione ballkanike.

    Për të arriturat e saj, Federata Evropiane e Boksit do të realizojë një dokumentar.

    Lajmin e ka bërë të ditur Federata e Boksit të Kosovës në njoftimin e lëshuar për vizitën që Presidenti i Federatës Evropiane të Boksit,

    “Ju njoftojmë se nesër më 10 tetor 2023 në ora 11:00 në Shtëpinë e Sporteve në Prishtinë, Federata e Boksit do të organizojë konferencë me rastin e arritjes së Presidentit të Federatës Evropiane të boksit EUBC z. Ioannis Filippatos me ekipin e tij, i cili ka ardhë të vizitojë Federatën e Boksit të Kosovës dhe njëherit ekipi i tij do të bëjë një film dokumentar me boksieren Donjeta Sadiku dhe për arritjet e boksit Kosovar.”, thuhet në njoftimin e Federatës së Boksit.

  • Avokati i Veselit: Një dëshmitar negocioi me Prokurorinë që të përfitojë në këmbim të dëshmisë

    Avokati i Veselit: Një dëshmitar negocioi me Prokurorinë që të përfitojë në këmbim të dëshmisë

    Ben Emmerson, avokat i ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli tha në seancën e sotme gjyqësore në Gjykatën Speciale në Hagë se Prokuroria ka negociuar me një dëshmitar, për ta bindur që të dëshmojë.

    Emmerson tha se në shënimet përgatitore për dëshmitarin e radhës ka vërejtur se ai ka tentuar të përfitojë për të dëshmuar, ndërsa një zyrtar i Prokurorisë ia ka sugjeruar një mundësi.

    “Nuk e di nëse keni pasur mundësi të shihni shënimin përgatitor, por ju lutem të shihni shënimin përgatitor nr 2., Në këtë shënim është një përmbajtje, apo më saktë një përshkrim i një, është bërë një përpjekje nga dëshmitari që të negociojë me prokurorinë, para se të japë dëshminë. Diskutohet diçka në lidhje me atë që është premtuar në të shkuarën dhe çfarë nuk i është premtuar dhe ka një kontradiktë të qartë, mes asaj që është premtuar. Në thelb sipas këtij paragrafi nuk është përfituar asgjë, ama kemi një situatë ku dëshmitari ka shprehur dëshirën të negociojë një përfitim apo paketë të caktuar dhe nuk e di nëse ju jeni të njohur me juridiksionin e ShBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, por këtu vihet në pikëpyetje sa i takon sjelljes së përfaqësuesit të prokurorisë i cili në njëfarë mënyrë sugjeron dëshmitarit diçka në këmbim të të qenit dëshmitar i mundshëm dhe në Mbretërinë apo ShBA kjo është krejt e papranueshme kur avokati i bën një premtim dëshmitarit dhe vetë dëshmitari thotë se ke premtuar diçka, dhe përfaqësuesi i Prokurorisë thotë kam premtuar diçka tjetër”, tha mes tjerash Emmerson.

    Në seancën e sotme në Speciale ka dëshmuar reporteri i mediumit serb, Tanjug, Nebojsha Radosheviq, i cili pretendoi se është arrestuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjatë luftës.

  • Rriten çmimet e naftës pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit

    Rriten çmimet e naftës pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit

    Çmimet e naftës janë rritur për shkak të shqetësimeve se situata në Izrael dhe Gaza mund të prishë prodhimin nga Lindja e Mesme.

    Nafta e papërpunuar Brent, standardi ndërkombëtar, u rrit me 2.25 dollarë për fuçi në 86.83 dollarë, ndërsa çmimet në SHBA u rritën gjithashtu.

    Izraeli dhe territoret palestineze nuk janë prodhues të naftës, por rajoni i Lindjes së Mesme përbën pothuajse një të tretën e furnizimit global.

    Sulmi i Hamasit ndaj Izraelit ishte përshkallëzimi më i madh midis dy palëve për dekada.

    Vendet perëndimore i dënuan sulmet. Një zëdhënës i Hamasit, grupi militant palestinez, i tha BBC-së se grupi kishte mbështetje të drejtpërdrejtë për lëvizjen nga Irani – një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë, raporton BBC, transmeton KlanKosova.tv.

    Irani mohoi përfshirjen në sulm në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork të dielën, raportoi Reuters. Por presidenti Iranian, Ebrahim Raisi ka shprehur mbështetjen për sulmin.

    Analisti i energjisë Saul Kavoniç i tha BBC-së se çmimet globale të naftës janë rritur “për shkak të perspektivës së një zjarri më të gjerë që mund të përhapet në vendet e afërta të mëdha prodhuese të naftës si Irani dhe Arabia Saudite”.

  • Haliti flet nga Asambleja e NATO-s: U dënua vrasja e policit dhe plagosja e ushtarëve të KFOR-it

    Haliti flet nga Asambleja e NATO-s: U dënua vrasja e policit dhe plagosja e ushtarëve të KFOR-it

    Delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, po merr pjesë në sesionin e 69-të të vjetorit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Fokusi kryesor i këtij takimi ka qenë situata në Ukrainë dhe gjendja në Kosovë, duke përfshirë vrasjen e policit dhe plagosjen e ushtarëve të KFOR-it.

    Mesazhi ishte se NATO do të vazhdojë të jetë neutrale, në përputhje me kompetencat që rrjedhin nga Rezoluta 1244, ndërsa ndërmjetësi kryesor do të vazhdojë të jetë BE-ja. Kurse ish-ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, tashmë kryetare e delegacionit shqiptar në AP të NATO-s, zonja Mimi Kodheli, shprehu shqetësimin e Shqipërisë për situatën në veri, me theks të veçantë për vrasjen e policit të Kosovës dhe plagosjen e KFOR-it. ushtarët. Të njëjtën çështje e ka ngritur edhe delegacioni i Kroacisë në AP të NATO-s.

    Shqetësimi u shpreh edhe për aktet terroriste kundër Izraelit dhe u tregua një solidaritet gjithëpërfshirës me popullin izraelit.

    Pas diskutimeve në komisione, në seancën e sotme folës kryesorë ishin: Kryetari i AP-së së NATO-s, Kryetari i Parlamentit të Danimarkës, Kryeministri i Danimarkës, Presidenti Zelenski (ju drejtua të pranishmëve përmes video-konferencës), njëjtë pjesëmarrësve iu drejtua kryetari i parlamentit të Ukrainës, ndërsa folësi i fundit në seancën e mëngjesit ishte zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s.

  • BE-ja kërkon bashkëpunim të pakushtëzuar nga Serbia për sulmin terrorist në Banjskë

    BE-ja kërkon bashkëpunim të pakushtëzuar nga Serbia për sulmin terrorist në Banjskë

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano, ka theksuar nevojën për bashkëpunim të plotë dhe të pakushtëzuar nga Serbia lidhur me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.

    “Nuk është vetëm se presim bashkëpunim të plotë nga Serbia, por gjithashtu edhe bashkëpunim të pakushtëzuar. Nëse ka vullnet, mund të gjenden edhe mënyrat, por nuk mund të fshiheni prapa formaliteteve si ‘njohja’ ose ‘mosnjohja’”, ka deklaruar ai.

    Zyrtari i BE-së ka thënë se ngjarja e 24 shtatorit është diçka shumë serioze dhe duhet të sqarohet plotësisht, pasi do të ketë pasoja të mëdha.

    “Ka mënyra të shumta se si mund t’i ndani gjetjet tuaja, si mund të bashkëpunoni dhe kontribuoni në hetim të plotë, pasi ajo që ndodhi më 24 shtator, ishte diçka shumë serioze dhe që duhet të qartësohet plotësisht, pasi do të ketë pasoja”, ka thënë tutje ai në një konferencë për media.

    Stano gjithashtu ka thënë se BE-ja nuk do të komentojë fazat individuale të hetimeve ose numrin e personave të ndaluar, por pret bashkëpunim të plotë dhe të pakushtëzuar për të zbardhur ngjarjen.

    “Do të ketë pasoja, kështu që do të duhet të hetohet plotësisht dhe nuk do të komentojë fazat individuale të hetimeve, se sa persona janë ndaluar e sa jo. Pozicioni i BE-së, është i qartë tash e disa herë, ne presim bashkëpunim të plotë e të pakushtëzuar nga Serbia dhe kushdo tjetër, që të përfundojnë hetimet sa më shpejt, që të kemi një pasqyrë të qartë se çka ndodhi, pse ndodhi, kush po merrte pjesë, kush po e orkestronte. Dhe duke u bazuar në këtë, Bashkimi Evropian do të vendosë se cili do të jetë hapi i radhës ndaj Serbisë, Kosovës, dialogut dhe rajonit”, ka deklaruar Stano.

    Më 24 shtator, një grup terrorist sulmoi njësinë patrulluese të Policisë së Kosovës në një rrugë në fshatin Banjskë, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

    Më pas, grupi i terroristëve u strehua në manastirin në Banjskë, prej ku vazhdoi përleshjet me zyrtarët policorë.

  • Bahtjari dhe Januzi deklarohen të pafajshëm para Gjykatës Speciale

    Bahtjari dhe Januzi deklarohen të pafajshëm para Gjykatës Speciale

    Ismet Bahtjari dhe Sabit Januzi janë deklaruar të pafajshëm para Dhomave të Specializuara lidhur me veprat penale kundër administrimit të drejtësisë për të cilat e ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar.

    “Deklarohem plotësisht i pafajshëm për çdo lloj aktakuze që është ngritur kundër meje dhe që është lexuar deri tani”, ka deklaruar Januzi.

    Në njoftimin që ka lëshuar ZPS-ja, Bahtjari dhe Januzi u arrestuan në lidhje me krime kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë frikësimin gjatë procedurave penale.

    “Z. Bahtjari dhe z. Januzi u arrestuan në lidhje me krime kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë frikësimin gjatë procedurave penale, sipas nenit 387 të Kodit Penal të Kosovës (KPK) 2019, Kodi nr. 06/L-074, dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare brenda kuptimit të nenit 401(1), (2) dhe (5) të KPK-së, në shkelje të nenit 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, thuhet në komunikatë.

    “Gjykatësi i Procedurës Paraprake ka vendosur se ka dyshime të mirë-bazuara se z. Bahtjari dhe z. Januzi u përpoqën të bindin një dëshmitar që të mos japë dëshmi në procedurat e Dhomave të Specializuara”.

    “Zyra e Prokurorit të Specializuar e merr jashtëzakonisht seriozisht frikësimin e dëshmitarëve, hakmarrjen ndaj dëshmitarëve, dhe pengimin e drejtësisë, dhe do të vazhdojë të hetojë e ndjekë penalisht cilindo dhe të gjithë ata që përfshihen në çdo rast”.

  • Osmani udhëton në Kroaci me ftesë të homologut të saj Zoran Milanoviq

    Osmani udhëton në Kroaci me ftesë të homologut të saj Zoran Milanoviq

    Siç njofton Zyra e Presidentes, në fokus të diskutimeve atje, do të jetë thellimi i mëtejmë i raporteve bilaterale dhe zhvillimet e fundit në vend dhe rajon.

    “Në agjendë të vizitës së Presidentes Osmani në shtetin kroat është edhe takimi me kryeministrin Andrej Plenković, si dhe kryetarin e Parlamentit kroat, Gordan Jandroković” thuhet tutje në komunikatën për media.

    Po ashtu bëhet e ditur se Osmani do të vizitojë edhe komunën e Rijekës, ku ndër të tjera, do të takohet me komunitetin shqiptar në këtë komunë.

  • ​Azemi: Pas shumë protestave në QKUK, pagat e punëtorëve teknik do të jenë 402 euro

    ​Azemi: Pas shumë protestave në QKUK, pagat e punëtorëve teknik do të jenë 402 euro

    Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat ka mirëpritur tenderin për rritjen e pagave të punëtorëve teknik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ku parashihet që ato të jenë 402 euro. Kryetari i Sindikatës, Jusuf Azemi, ka thënë se do të konsultohen me punëtorët për të parë nëse ata do të pranojnë këtë shumë.

    Azemi ka deklaruar se kërkesa e Sindikatës ishte që pagat të jenë 450 euro.

    Sipas tij, nëse do të ishte në fuqi Marrëveshja Kolektive “kjo pagë do te kalonte shumën së paku 470 euro për të cilën ne do të luftojmë me mjete sindikale që edhe kjo të bëhet”.

    “Pas shumë presioneve, protestave, dhe grevave, që bëmë në QKUK, tani e tutje pagat e punëtorëve teknik nuk do të jenë më 275 euro, ato do të jenë 402 me tenderin e ri i cili veç është publikuar, se a do ta pranojnë këtë pagë këta punëtor ne do të konsultohemi me ta, dhe do të dalim me qëndrim të qartë, mund të themi se nuk oshtë ajo që e kemi kërkuar ne, por është për tu çmuar pasi që kërkesa jonë ka qenë 450, dhe na janë ofruar 402”, ka thënë Azemi përmes një komunikate për media./kp