Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mblidhen sot në një seancë të jashtëzakonshme.
Në seancën që pritet të fillojë në orën 11:00 është vetëm një pikë në rendin e ditës, ku do të bëhet shqyrtimi i i Propozim-Rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.
Kjo kërkesë për seancë të jashtëzakonshme është bërë nga shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës , Abelard Tahiri, në emër të deputetëve nënshkrues.
Dokumenti përmban edhe nënshkrimet e 33 deputetëve të: Grupit Parlamentar të PDK-së, të LDK-së dhe AAK-së.
Kjo kërkesë ka ardhur pas situatës së krijuar në Banjskë, si pasojë e të cilës mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.
Gjatë atij aksioni, u shpërfaqën mungesat që kanë policët në punën e tyre, si mospagimi i shtesave të rrezikut, mungesa e Ligjit të Sigurimit Shëndetësor dhe çështje të tjera.
Njohësi i zhvillimeve politike dhe profesori amerikan, Daniel Serwer, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së zëdhënësit të BE-se, Peter Stano, për masat ndaj Kosovës, duke thënë se BE-ja ende s’ka parë veprime nga Kosova që çojnë në de-eskalim të plotë të situatës në veri.
Sipas Serwer, “BE-ja është bërë një kundërshtar de-facto i sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës”.
“Ajo [BE] dëshiron të kufizojë dislokimet e policisë në përgjigje të një kërcënimi të qartë dhe aktual, si dhe të krijojë një strukturë të veçantë qeverisëse për popullatën serbe, të paktën në veri”, ka shkruar Serwer.
Më tej profesori i Universitetit amerikan “John Hopkins”, ka shkruar se “SHBA-të po mbështesin BE-në në të dyja këto synime, ndërsa mohojnë se do të lejojnë arritjen e objektivit të fundit”.
“Por as BE dhe as SHBA nuk kanë treguar ndonjë vullnet për të bllokuar ambiciet e Serbisë, siç tregohet nga dështimi për të reaguar ndaj tentativës së kryengritjes së Beogradit”, ka shkruar Serwer.
Situata në veri e ka ndikuar edhe në mënyrë tjetër ekonominë e Kosovës, pasi Bashkimi Evropian ka ndërmarrë në fund të qershorit disa masa ndëshkuese ndaj vendit.
Kjo, pasi Qeveria e Kosovës nuk u është bindur, sipas bashkësisë ndërkombëtare, kërkesave të saj për ta shtensionuar situatën në veri.
Këto masa kanë përfshirë pezullimin e programimit të fondeve për Kosovën, përfshirë ato nga IPA – Instrumentet e Para-Anëtarësimit në BE – dhe nga Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor.
Nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë kanë deklaruar se këto masa nuk pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë negativ apo të prodhojnë humbje financiare për bizneset, por, megjithatë, “ato kanë pezulluar nënshkrimin e kontratave të reja, që do të kishin krijuar një vlerë potenciale për bizneset në Kosovë”.
Një tjetër tërmet i fuqishëm ka goditur Afganistanin perëndimor, vetëm disa ditë pas një tërmeti në këtë rajon, që shkaktoi vdekjen e më shumë se 1 mijë njerëzve.
Tërmeti i ri me magnitudë 6.3 shkallë të Rihterit, goditi të mërkurën në orën 5 të mëngjesit sipas kohës lokale, 28 kilometra në veri të qytetit Herat.
Më shumë se 100 persona u lënduan dhe u dërguan në spital, sipas zyrtarëve shëndetësorë. Sipas autoriteteve, shumë njerëz ishin duke fjetur në ambient të hapur pasi shtëpitë e tyre u shkatërruan të shtunën.
Agjencitë e ndihmave kanë thënë se gjithashtu ka mungesë të batanijeve, ushqimit dhe furnizimeve të tjera, për të pastrehët. Tërmeti i së shtunës goditi distriktin rural Zindajan, që ndodhet rreth 40 kilometra larg qytetit të Heratit.
Afganistani shpesh goditet nga tërmetet, veçanërisht në vargun malor Hindu Kush, pasi shtrihet afër kryqëzimit të pllakave tektonike euroaziatike dhe indiane.
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Trupat e banorëve izraelitë dhe sulmuesve palestinezë, ndodhen të shtrirë jashtë shtëpive të djegura, në komunitetin izraelit Kfar Aza, disa ditë pasi militantët e Hamas-it nisën sulmet brenda territorit të Izraelit.
Hamasi në orët e hershme të së shtunës, dërgoi dhjetëra luftëtarë të armatosur rëndë nga Rripi i Gazës drejt komuniteteve rurale të Izraelit jugor.
Në komunitetin Kfar Aza, Forcat izraelite të Mbrojtjes po shkonin nga shtëpia në shtëpi, për t’i mbledhur trupat dhe për t’i vendosur ato në kamionë, para se t’i varrosnin.
Shtëpitë në Kfar Aza u plaçkitën dhe më pas u dogjën. Brenda shtëpive kishte trupa të civilëve, përfshirë edhe të fëmijëve dhe foshnjave, të vrarë nga militantët e Hamasit.
Për “CNN”, ushtria izraelite tha se të moshuar, gra, fëmijë dhe foshnja “u vranë në mënyrë brutale, ashtu siç kishte vrarë ISIS-i”. Përveç Kfar Aza-s, cak i sulmeve të militantëve të Hamasit ishte një numër komunitetesh dhe qytezash, si Be’ri, Ofakim, Sderot, Yad Mordechai, Yated, Kissufim dhe Urim.
Në një shkretëtirë në afërsi të komunitetit Be’ri, në një festival muzikor gjithashtu ndodhi masakra e të paktën 260 të rinjve dhe marrja peng e dhjetëra të tjerëve, për fatin e të cilëve nuk dihet.
Ndërkohë, në ditën e pestë të përshkallëzimit të konfliktit, luftimet ndërmjet forcave izraelite dhe forcave të Hamas-it janë intensifikuar.
Ushtria izraelite tha se qindra mijëra trupa janë rreshtuar afër Rripit të Gazës dhe se “ato janë të gatshme ta ekzekutojnë misionin i cili iu është dhënë”.
Më herët këtë javë, Izraeli njoftoi për një rrethim të plotë të Gazës, duke i ndërprerë furnizimet me ujë, energji dhe derivate, duke bërë që civilët në Gaza të përballen me katastrofë humanitare.
Autoriteti Palestinez i Energjisë tha të mërkurën se termocentrali i vetëm në Rripin e Gazas do të mbetet pa derivate, brenda disa orëve.
Qëkur nisën luftimet të shtunën, numri i të vdekurve në Izrael si pasojë e sulmeve të Hamasit ka shkuar në të paktën 1.200, ndërsa më shumë se 1 mijë njerëz janë vrarë në Gaza, si pasojë e sulmeve ajrore izraelite.
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
123 vende anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara kanë votuar pro anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut, nga 1 janari i vitit të ardhshëm.
Mandati i Shqipërisë në këtë këshill do të vlejë deri më 31 dhjetor 2026, njoftoi në një komunikatë kryeministrit shqiptar, Edi Rama.
“Shqipëria ulet në Këshillin e të Drejtave të Njeriut në OKB. Dje, 123 vende anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së votuan PRO SHQIPËRISË, si një prej 15 vendeve që do të ulen në KDNJ nga 1 janari 2024 deri në 31 dhjetor 2026:, tha Rama.
Bashkë me Shqipërinë pjesë e këtij Këshilli do të jetë edhe Bullgaria, duke mbushur kështu dy vendet e rezervuara për shtetet e Evropës lindore.
Anëtarësimi i Shqipërisë dhe i Bullgarisë ndodhi pasi Rusia nuk ia doli të rianëtarësohet në këshill nga ku ishte përjashtuar në prill të vitit të shkuar, pasi pushtoi Ukrainën.
Rusia konkurronte me Bullgarinë dhe Shqipërinë, por mori vetëm 83 vota edhe pse raportohej se kishte udhëhequr fushatë të ashpër për rikthim në këshillë, duke iu premtuar shteteve të vogla grurë dhe armë në këmbim me votë.
Por, në prag të votimit, ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha, kishte thënë se shtetet anëtare të këshillit duhet të dëshmojnë që nuk janë gati për rikthimin e Rusisë.
Këto pamje që dëshmuan pjesëmarrjen e Milan Radojiqiqit në sulmin në Banjskë të Zveçanit, u xhiruan me dronë të Policisë së Kosovës.
Por ai dhe një tjetër që u përdor në aksionin e 24 shtatorit në veri të vendit, u shkatërruan nga grupi terrorist i udhëhequr nga Radojiciq.
Mirëpo, nga kjo e mërkurë institucioni i Policisë së Kosovës do t’i ketë edhe 7 pajisje të tilla fluturuese, të cilat i pranoi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“7 dronë që i dhurojmë Policisë dhe IPK-së, do të ndihmojnë në luftimin e dukurive negative. Ne do të vazhdojmë të punojmë me Policinë e Kosovës për të çuar përpara përkushtimin tonë të përbashkët, për të ofruar shërbime transparente e të përgjegjshme të zbatimit të ligjit, nga të cilat përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Falënderimet për këtë donacion nuk munguan, derisa Drejtori i Përgjithshëm i Policisë tha se dronët do të ndihmojë në ngritjen e kapaciteteve.
Dronët do të ndihmojnë edhe në mbështetje të operacioneve të kërkim-shpëtimit, në menaxhimin e fatkeqësive, si dhe në monitorimin e turmave dhe të trafikut.
Vetëm në pesë vitet e fundit, sipas ambasadorit Hovenier, ShBA-ja ka ofruar mbi 20 milionë dollarë mbështetje në forma të ndryshme për organizatat e policisë.
Në territorin e Kosovës, kryesisht në katër komunat veriore, që nga përfundimi i luftës kanë operuar struktura ilegale, të mbështetura dhe të financuara nga Serbia.
“Mbrojtja Civile” ishte njëra prej këtyre strukturave, e cila ka dalë publikisht në vitin 2011.
Njerëz me uniforma të zeza, me mbishkrimin “Civilna zashtita” ishin parë në rrugët e Mitrovicës së Veriut, kohë më parë.
Por, në kushte anonimiteti, banorët e Lagjes së Boshnjakëve, thanë se pjesëtarë të Mbrojtjes Civile më nuk janë prezentë. Gazetari Branislav Krstic i cili jeton dhe vepron në veri, pretendon se shumica prej tyre janë larguar për në Serbi me rekomandime nga Beogradi.
Megjithatë, në tkurrjen e kësaj organizate vlerësohet të ketë ndikuar prania e njësive speciale në katër komunat veriore.
Kryeministri Albin Kurti, më 3 tetor, deklaroi se shumica e personave të përfshirë në sulmin në Banjskë të Zveçanit, janë ose pjesëtarë të organizatës Mbrojtja Civile ose të Brigadës së Veriut – të dyja të shpallura terroriste në Kosovë.
Sidoqoftë, gjatë këtyre viteve Kosova ka qenë e pafuqishme ta shuajë organizatën Mbrojtja Civile, teksa zhbërja e saj është paraparë me një marrëveshje, që Kosova dhe Serbia kanë arritur në Bruksel në vitin 2015.
Kurse, më 13 qershor të këtij viti, si i dyshuar për sulme ndaj KFOR-it dhe vepra të tjera kriminale, ishte arrestuar serbi Millun Millenkoviq, në Mitrovicë të Veriut, i cili, sipas ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, është udhëheqës i formacionit Mbrojtja Civile.
Me 3 ndërrime dhe me nga 20 minuta orën, po e mbajnë mësimin nxënësit e shkollës fillore “Dardania”, në kryeqytet.
Xhevat Rexhepi thotë se kjo është shqetësuese për të si prind.
“Së pari është shqetësuese që fëmijët po e mbajnë mësimin me orar të shkurtuar, sepse nuk është cilësor, ndërkaq këtu nuk e mbajnë infrastrukturën e shkollimit dhe se punët nuk i përfundojnë me kohë, kur fillon viti shkollor atëherë fillojnë me renovimin e klasave. Nuk kanë vend të mjaftueshëm në shkollë dhe po i shtyjnë punët, kjo është mjaft shqetësuese”, tha Rexhepi.
Ndonëse nuk pranoi të flasë para kamerave, drejtori i shkollës fillore “Dardania”, tha se mësimi në këtë shkollë është duke u mbajtur me orar të shkurtuar dhe me 3 ndërrime.
Njohësit e arsimit thonë se mësimi me orar të shkurtuar është jocilësor.
“Mësimdhënia në kushte të orarit të shkurtuar është e cunguar dhe jocilësore dhe mungon shumë në efektin e vet, mirëpo është përgjegjësi e institucioneve komunale që të riorganizojnë shkollat, në mënyrë që të mos cenohet procesi mësimor. Plan-programet mësimore duhet të arrihen, sepse është përgjegjësi institucionale, mirëpo nëse nuk arrihet plan-programi mësimor, atëherë cenohet mësimdhënia dhe mësimnxënia në këto institucione arsimore”, tha Rinor Qehaja nga Instituti “Ed-Guard”.
Megjithatë, nga Komuna e Prishtinës, thonë se renovimet nuk po e pengojnë procesin mësimor.
“Drejtoria e Arsimit, përkatësisht drejtoresha Besianë Musmurati, ka kërkuar që të bëhet kujdes, të mos pengohet procesi mësimor gjatë renovimeve. Renovimi i shkollës fillore “Dardania” bëhet me mbështetje të BE-së dhe se renovimi pritet të përfundojë në prill të vitit të ardhshëm”, thuhet në përgjijen e Komunës së Prishtinës.
Përveç shkollës fillore “Dardania”, në komunën e Prishtinës, aktualisht 6 shkolla janë në renovim të përgjithshëm, ndërsa 12 të tjera në renovim të pjesshëm.
Në shqyrtimin kryesor në rastin ndaj ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, për akuzën lidhur me aksidentin në të cilin goditi një fëmijë, janë dëgjuar grupi i ekspertëve të Fakultetit Teknik.
Seanca që u mbajt e mbyllur për publikun, zgjati rreth tri orë.
Sipas avokatit të së miturës, Florim Shefqeti, ekspertiza thotë se sikur vetura të ishte në shpejtësi më të vogël, nuk do të vinte deri te aksidenti.
Ai tha se është konstatuar se nuk ka pasur fare gjurmë të frenimit në momentin e aksidentit.
Ndërkohë, avokati i ministres Hajdari, Shemdi Bunjaku, në seancën e kaluar kishte kërkuar që seanca të mbahej e mbyllur për publikun, me arsyetimin se ka të bëjë me rastin e aksidentit të të miturës, kërkesë kjo që u aprovua nga Gjykata.
Sipas tij, ekspertiza thotë ndryshe, ndërsa Hajdari pas seancës nuk ka pranuar të flasë për rastin. Seanca e radhës është caktuar për këtë të premte.
Krahas Ukrainës, që tashmë ishte në krye të listës së prioriteteve, sulmi terrorist që Hamasi kreu ndaj Izraelit, të shtunën, dhe ngjarjet pasuese, morën vëmendjen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.
Derisa në samtin e Granadas, Kosova u përmend vetëm një herë në deklarimet publike të krerëve të institucioneve të BE-së, në samitin jo-formal të ministrave të jashtëm, të martën, të thirrur me urgjencë nga Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, ajo nuk u përmend fare – të paktën jo në adresimet për media.
Përkundër shpërqendrimit momental të vëmendjes, opinionisti Fidan Ukaj theksoi se bashkësia euro-atlantike do ta kthejë fokusin kah Kosova porsa të finalizohet hetimi për sulmin terrorist në Banjskë, që, sipas tij, do të përcillet me ndëshkim ndaj Serbisë dhe kthim në dialog.
“Mendoj se pas këtij epilogu të hetimeve dhe të vendosjes së masave nuk ka një rrugë tjetër dhe do të fillojë një ofensivë diplomatike e Bashkimit Evropian, e po ashtu e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që palët t’i kthejë në proces dialogues dhe të fillojë zbatimi i marrëveshjeve të dakorduara më parë”, tha Fidan Ukaj, opinionist.
Pasi tha se raportet Kosovë – Serbi përbëjnë problem më periferik për bashkësinë euro-atlantike, në raport me zhvillimet në Izrael dhe Ukrainë, profesori Dritëro Arifi vlerësoi se mund të ketë zbehje, por jo humbje të tërësishme të fokusit.
“Rasti i Kosovës është një rast i izoluar, të cilin perëndimi mund ta menaxhojë, mirëpo zgjidhja e problemit mund të marrë kohë. Këtë në e kemi diskutuar me shumë vite, se duhet t’i shfrytëzojmë momentumet, ne nuk i kemi shfrytëzuar momentumet, apo së paku i kemi injoruar dhe vonuar, dhe në këtë rast tash duhet të presim dhe të shpresojmë që perëndimi të mos na harrojë”, tha Arifi.
Rëndësia e normalizimit të raporteve Kosovë – Serbi, sipas tij, e mban aktive diplomacinë perëndimore.
“Mund të tentohet që ndoshta brenda këtij viti mund të bëhet diçka shumë e shpejtë me një presion, sidomos mbi palën serbe, e cila është burimi i të gjitha problemeve në Ballkanin Perëndimor. Të mos harrojmë që konflikti Kosovë-Serbi nuk e atakon vetëm Kosovën, por realisht e atakon Ballkanin Perëndimor dhe më tej, që i bie që i destabilizon edhe vendet e BE-së dhe të NATO-s. Prandaj mendoj se fokusi nuk do të largohet, por krejt varet se si rrjedh konflikti në Lindjen e Mesme dhe në Ukrainë”, tha Arifi.
Dy javë e gjysmë pas sulmit terrorist-paramilitar në Banjskë, të organizuar dhe të udhëhequr nga Milan Radojicic, në të cilin u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Binjaku, Bashkimi Evropian nuk ka ndërmarrë asnjë masë.
Takimi i fundit në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi ishte mbajtur më 14 Shtator.