ATV

Blog

  • Edhe Sllovenia do ta rrisë numrin e ushtarëve në KFOR

    Edhe Sllovenia do ta rrisë numrin e ushtarëve në KFOR

    Përgatiti: Armand Hoti

    Nga rreth 95 sa numëron tani, Sllovenia synon ta shtojë numrin e ushtarëve në kuadër të KFOR-it, në të paktën 100, konfirmoi ministri i Mbrojtjes i Sllovenisë.

    Kur kaluan mbi dy javë pas sulmit terrorist në Banjskë, situata në veriun e Kosovës, sipas vlerësimeve të NATO-s, vazhdon të jetë e tensionuar.

    “Ne kemi parë tensione të shtuara atje, prandaj është e rëndësishme që NATO-ja ka rritur praninë e saj në Kosovë”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

    Duke përmendur se KFOR-i po pajiset me armatim të rëndë, Admirali Stuart B. Munsch, i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Itali, theksoi se misioni mund të vendoset në gjendje të lartë gatishmërie, nëse kjo kërkohet nga Brukseli.

    “NATO-ja po mban forca të mëtejshme të pajisura me armatim edhe më të rëndë, të aftë për fuqi luftarake, në gjendje të lartë gatishmërie, që mund të përcaktohet nëse vendet e NATO-s vendosin ta bëjnë këtë”, tha admirali Munsch.

    Por, sipas ekspertit të sigurisë, Nuredin Ibishi, shtimi i trupave dhe armatimit, është parapërgatitje në rast të ndonjë sulmi potencial të radhës.

    “Pas një vlerësimi është marrë vendimi për të rritur numrin e kontingjenteve, por edhe armatimit për kundërvënie, në rast të ndonjë rreziku apo kërcënimi të mundshëm, pas kësaj që ndodhi në Banjskë”, tha Ibishi.

    Pas sulmeve terroriste në Banjskë, Mbretëria e Bashkuar tashmë ka dërguar një kontingjent prej 200 trupash në Kosovë. Shtete si Rumania e Gjermania kanë paralajmëruar këtë.

    Aktualisht pjesë e KFOR-it janë rreth pesë mijë trupa nga 27 vende.

  • Për 9 muaj, Policia ia mori lejen mbi 7 mijë shoferëve

    Për 9 muaj, Policia ia mori lejen mbi 7 mijë shoferëve

    Policia e Kosovës ka njoftuar se nga janari deri në shtator të këtij viti, 7 mijë e 403 shoferëve u është ndaluar vozitja.

    Ndërsa, pikë negative kanë marrë 22 mijë e 434 shoferë.

    “Policia e Kosovës vazhdon me aktivitete që kanë për qëllim ngritjen e sigurisë në trafikun rrugor si dhe uljen e aksidenteve. Gjatë periudhës kohore Janar – Shtator 2023:· 7403 shoferëve, iu është ndaluar drejtimi i mjetit me veprim motorik. · 22434 shoferëve, iu kanë vendosur pikë negative”, thuhet në njoftim.

    Policia u ka bërë thirrje shoferëve që t’i respektojnë rregullat në trafik.

  • Ambasadorja gjermane në Serbi: Të formohet Asociacioni dhe të mbahen zgjedhjet në veri

    Ambasadorja gjermane në Serbi: Të formohet Asociacioni dhe të mbahen zgjedhjet në veri

    Ambasadorja gjermane në Serbi, Anke Konrad ka thënë se situata aktuale për popullin në veri të Kosovës është e paqëndrueshme, duke kërkuar kthim të shpejtë në dialog, themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale në komunat me shumicë serb.

    Konrad ndër të tjerash gjithashtu ka bërë të ditur se duhet të zbatohet edhe plani i de-përshkallëzimit, e cila nënkupton gjuhën e urrejtjes dhe zbardhjen e fakteve të ngjarjes së 24 shtatorit në Banjskë.

    “Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është shumë i rëndësishëm. Është e rëndësishme për ne që në këtë moment të krijojmë parakushtet për të rinovuar atë dialog sa më shpejt që të jetë e mundur dhe për të zbatuar marrëveshjet e arritura në Bruksel në vitin 2013, si dhe marrëveshjet e arritura këtë vit në Bruksel dhe Ohër, që natyrisht përfshin krijimin të Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe. Këtu përfshihet edhe zbatimi i de-përshkallëzimit, që nënkupton gjuhën e urrejtjes dhe ndriçimin e ngjarjeve të 24 shtatorit në Banjskë. Situata aktuale nuk është e qëndrueshme për njerëzit në veri të Kosovës, si dhe për njerëzit në Serbi dhe Kosovë në përgjithësi”, tha ajo për mediumin serb, Blic.

    E pyetur se cilat mund dhe duhet të jenë hapat e parë për të dalë nga situata aktuale, ajo tha:

    “Në këtë moment më e rëndësishmja është de-përshkallëzimi nga të dyja palët, heqja dorë nga provokimet nga të dyja palët dhe ndriçimi i fakteve në Banjskë. Është një çështje e rëndësishme për sigurinë e njerëzve. Duhet të ndërmerren hapa të vendosur sa më shpejt që të zgjidhen të gjitha çështjet jetike të popullit përmes dialogut, i cili përfshin krijimin e një Bashkësie të Komunave me shumicë serbe. Duhet të ketë zgjedhje të reja sa më shpejt dhe kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet e përbashkëta”, tha ajo.

  • Afganistani goditet nga një tjetër tërmet brenda disa ditësh

    Afganistani goditet nga një tjetër tërmet brenda disa ditësh

    Një tjetër tërmet ka goditur Afganistanin perëndimor vetëm disa ditë pasi dy tërmete të mëdha në të njëjtin rajon lanë të vdekur më shumë se 1000 njerëz.

    Tërmeti i ri me magnitudë 6.3 goditi rreth orës 05:10 sipas orës lokale (00:40 GMT) të mërkurën, 28 km në veri të qytetit të Heratit.

    Më shumë se 100 persona u plagosën dhe u dërguan në spital, thanë zyrtarët shëndetësorë. Ndikimi më i gjerë nuk është ende i qartë, por shumë ishin duke fjetur në ambient të hapur pasi shtëpitë e tyre u shkatërruan të shtunën.

    Agjencitë e ndihmës kanë thënë se ka gjithashtu mungesë të batanijeve, ushqimeve dhe furnizimeve të tjera.

    Një dëshmitare okulare në Heratin qendror, ku ende qëndrojnë disa shtëpi, tha se ajo u zgjua duke bërtitur dhe doli me vrap nga shtëpia e saj.

    “Isha në gjumin më të thellë sepse nuk kisha fjetur për disa ditë më parë”, tha ajo për BBC.

    “Nuk jam ndjerë kurrë kaq afër vdekjes”, tha ajo, duke shtuar se vrapoi zbathur në periferi të qytetit, ku shumë prej tyre kanë fjetur në tenda që nga tërmeti i parë.

  • Bugajski: Politika perëndimore që qetëson agresionin serb mund të çojë në një luftë të re ballkanike

    Bugajski: Politika perëndimore që qetëson agresionin serb mund të çojë në një luftë të re ballkanike

    Njohësi i çështjeve të Ballkanit, Janusz Bugajski ka thënë se çdo cenim i sovranitetit të Kosovës do të perceptohet si dështim i strategjisë amerikane. Tërheq vërejtjen se një politikë perëndimore që qetëson agresionin serb mund të çojë në një luftë të re ballkanike në të cilën Kosova do të duhet të mbrohet përsëri nga trupat e NATO-s dhe SHBA-së.

    Në një shkrim autorial, Bugajski ka thënë po ashtu se asnjë qeveri amerikane nuk do të dojë që Moska të festojë një humbje amerikane në Ballkan.

    “Frika e shprehur nga disa politikanë kosovarë se vetëpohimi i Prishtinës do të shkaktojë një përçarje të përhershme me SHBA-në është e ekzagjeruar dhe kundërproduktive. Në realitet, çdo cenim i sovranitetit të Kosovës do të perceptohet si dështim i strategjisë amerikane. Një politikë perëndimore që qetëson agresionin serb mund të çojë në një luftë të re ballkanike në të cilën Kosova do të duhet të mbrohet përsëri nga trupat e NATO-s dhe SHBA-së. Dhe në fund të fundit, asnjë qeveri amerikane nuk do të dojë që Moska të festojë një humbje amerikane në Ballkan. Kosova duhet të mbrojë pavarësinë, integritetin dhe sigurinë e saj, si çdo shtet tjetër evropian, dhe do të respektohet nëse do t’i mbrojë këto parime themelore të sovranitetit”, ka thënë ai në shkrimin autorial.

    Shkrimi i tij i plotë:

    Aleatët më të qëndrueshëm mund të mos pajtohen dhe të shprehin hapur interesat e tyre kombëtare pa dëmtuar thelbin e marrëdhënieve të tyre. Nën qeverinë Kurti-Vjosa, Kosova ka dëshmuar se vendi tashmë është mjaft i pjekur jo vetëm për të mbrojtur interesat e veta, por edhe për t’i bërë ballë presionit të jashtëzakonshëm nga SHBA-ja dhe BE-ja për t’iu përkulur mini-imperializmit serb.

    Në muajt e fundit, Prishtina ka qenë nën presion të madh ndërkombëtar për të lejuar krijimin e një asociacioni të komunave serbe, i cili do të krijonte efektivisht një entitet mono-etnik që do të paralizonte funksionimin e shtetit. Prishtina është kritikuar padrejtësisht edhe nga Brukseli dhe Uashingtoni për zgjedhjen dhe emërimin e kryetarëve në komunat veriore sipas normave demokratike.

    Është e kuptueshme që të gjitha qeveritë e Kosovës që nga ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 i kanë qenë mirënjohëse Shteteve të Bashkuara për lidershipin amerikan në lehtësimin e krijimit të shtetit. Por mirënjohja pa vetëpohim bëhet varësi dhe mund të ngjall pakënaqësi te mirënjohësit dhe arrogancë te mbrojtësi. Prandaj, është e rëndësishme që Prishtina t’i qëndrojë parimeve, kushtetutës dhe mbrojtjes së saj kombëtare dhe të përfaqësojë qytetarët e saj dhe jo ndonjë fuqi të jashtme. Shtetet e Bashkuara dhe Polonia kanë pasur disa mosmarrëveshje në vitet e fundit, por aleanca dypalëshe mbetet e fortë dhe Varshava nuk ka frikë t’i rezistojë Uashingtonit herë pas here.

    Si kryeministri Albin Kurti ashtu edhe presidentja Vjosa Osmani nuk kanë pranuar të dorëzohen para presionit ndërkombëtar. Kurti ka pohuar se SHBA dhe BE po e qetësojnë presidentin serb Aleksandar Vuçiq me shpresën e gabuar se ai do të bëhet më properëndimor dhe anti-Moskë. Vendimi i Uashingtonit për të ndëshkuar Prishtinën në maj pas sulmeve të dhunshme të bandave serbe në të cilat u lënduan disa dhjetëra ushtarë të NATO-s, u kritikua me të drejtë nga Kurti. Qeveria vendosi të njohë rezultatet e zgjedhjeve pavarësisht nga bojkoti i organizuar nga përfaqësuesit e Beogradit për të justifikuar dhunën.

    Përjashtimi i mëvonshëm i Kosovës nga një stërvitje ushtarake e udhëhequr nga SHBA-ja dhe këmbëngulja e Departamentit të Shtetit të SHBA-së që Prishtina të tërheqë forcat e saj policore nga afër ndërtesave komunale e inkurajoi Vuçiqin për provokime të mëtejshme. Qeveria Kurti me të drejtë ka mbajtur një pozicion, ndërkohë që qeveritë e mëparshme mund të jenë tërhequr nga frika e humbjes së patronit amerikan.

    Presidentja Osmani, nga ana e saj, bëri thirrje për sanksione kundër Serbisë në samitin e fundit të Komunitetit Politik Evropian prej 47 anëtarësh të organizuar nga Spanja, një organ i vendosur për të diskutuar çështjet e sigurisë pas pushtimit të Rusisë në Ukrainë. Ajo tha se sanksionet ishin përgjigja e duhur ndaj sulmit vdekjeprurës ndaj policisë së Kosovës në shtator, kur një grup prej 30 personash të armatosur kaloi kufirin nga Serbia dhe vrau një oficer policie. Ajo theksoi se sulmi nuk ishte i drejtuar vetëm kundër Kosovës, por cenoi paqen, stabilitetin dhe sigurinë në mbarë Evropën.

    Osmani shkoi edhe më tej duke sugjeruar se çdo bisedë me Vuçiqin do të ishte e pakuptimtë në rrethanat aktuale. Në fakt, nuk ka “normalizim” mes Kosovës dhe Serbisë, vetëm rrëshqitje në dhunë dhe përpjekje për të nënshtruar dhe përçarë Kosovën. Të dërguarit Miroslav Lajčák dhe Gabriel Escobar i shpërfillin deklaratat e Vuçiqit se ai kurrë nuk do ta njohë Kosovën dhe për rrjedhojë nuk do t’i “normalizojë” marrëdhëniet. Kurti dhe Osmani thjesht theksojnë se nuk ka kuptim në dialog nëse njëra palë refuzon të pranojë ekzistencën dhe barazinë e tjetrës. Ne jemi dëshmitarë të të njëjtit qëndrim të Moskës në politikën e saj ndaj Ukrainës, ku dështimi i Perëndimit për të mbrojtur viktimën dhe për të penguar agresorin ka çuar në luftën aktuale.

    Frika e shprehur nga disa politikanë kosovarë se vetëpohimi i Prishtinës do të shkaktojë një përçarje të përhershme me SHBA-në është e ekzagjeruar dhe kundërproduktive. Në realitet, çdo cenim i sovranitetit të Kosovës do të perceptohet si dështim i strategjisë amerikane. Një politikë perëndimore që qetëson agresionin serb mund të çojë në një luftë të re ballkanike në të cilën Kosova do të duhet të mbrohet përsëri nga trupat e NATO-s dhe SHBA-së. Dhe në fund të fundit, asnjë qeveri amerikane nuk do të dojë që Moska të festojë një humbje amerikane në Ballkan. Kosova duhet të mbrojë pavarësinë, integritetin dhe sigurinë e saj, si çdo shtet tjetër evropian, dhe do të respektohet nëse do t’i mbrojë këto parime themelore të sovranitetit.

  • ​Bullgaria arreston 12 persona, planifikuan të eksportojnë mallra ushtarake në Rusi

    ​Bullgaria arreston 12 persona, planifikuan të eksportojnë mallra ushtarake në Rusi

    Bullgaria ka arrestuar 12 persona të dyshuar për eksport të mallrave ushtarake në Rusi në kundërshtim me sanksionet e Bashkimit Evropian, raportojnë mediat lokale.

    Rrjeti i kontrabandës u përpoq të dorëzonte mallrat, të cilat përfshinin pamjet optike, matësit balistikë dhe radiot e aviacionit, ndër të tjera, te forcat speciale ruse në Ukrainë, raportoi transmetuesi bTV.

    Vlera e mallrave me përdorim të dyfishtë vlerësohet të jetë rreth 4 milionë euro (afërsisht 4.24 milionë dollarë), të cilat i bleu në vend dhe planifikoi t’i transportonte nëpërmjet aeroportit të Sofjes, pohoi media, duke shtuar se të huajt, përfshirë rusë dhe në mesin e të arrestuarve janë shtetas bjellorusë.

    Grupi ishte pjesë e një rrjeti të gjerë evropian që u përpoq të mblidhte mallra me përdorim të dyfishtë për t’i dërguar në Rusi./AA

  • ​Agjencia e Kosovës për Forenzikë pranoi donacion nga Italia dhe Suadia

    ​Agjencia e Kosovës për Forenzikë pranoi donacion nga Italia dhe Suadia

    Në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, u mbajt ceremonia e pranim-dorëzimit të donacionit nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP).

    Me këtë rast, drejtori i Agjencisë së Kosovës për Forenzike, Blerim Olluri, falënderoi qeverinë Suedeze dhe Italiane për këtë donacion me pajisje specialistike për analiza të ADN-së dhe theksoi kjo do të ndihmojë shumë laboratorin e ADN-së, për avancim të mëtejme të të gjitha llojet e analizave të krimeve të ndryshme , sidomos do të ndihmojë në identifikimin e personave të zhdukur.

    Siç njofton kjo agjenci, ai ka thënë se këto pajisje janë të teknologjisë së fundit, të cilat edhe kërkohen në kuadër të standardeve me të cilat është akredituar kjo agjenci.

    “Ky donacion përmban pajisje të specializuara për analiza të ADN-së dhe është në vlerë rreth 15 mijë euro”, thuhet në komunikatë.

    Në këtë ceremoni morën pjesë ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, përfaqësues të ICMP-së, si dhe të ambasadës italiane në Kosovë.

  • Presidentja Osmani në Kroaci, viziton një kompani për prodhimin e armëve

    Presidentja Osmani në Kroaci, viziton një kompani për prodhimin e armëve

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar sot kompaninë për prodhimin e armëve në Karlovac të Kroacisë, HS Product.

    Fotografi nga kjo vizitë ka publikuar vetë Osmani, ku shihet me armë në dorë.

    “HS Product – Kompania për prodhimin e armëve. Karlovac, Kroaci”, ka shkruar Osmani, sipër fotografisë.

  • Kuvendi nesër seancë të jashtëzakonshme, shqyrtohet Propozim-Rezoluta për mbështetjen financiare të Policisë

    Kuvendi nesër seancë të jashtëzakonshme, shqyrtohet Propozim-Rezoluta për mbështetjen financiare të Policisë

    Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mblidhen nesër në seancë të jashtëzakonshme.

    Përmes një komunikate për media, Kuvendi bën me dije se në seancën që pritet të fillojë në orën 11:00, në rend dite është shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.

    Njoftimi i plotë:

    Rendi i ditës

    1. Shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.

    I. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 5 tetor 2023:

    3 Votimi i Projektligjit nr.08/L-251 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”,

    4. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-252 për ratifikimin e Marrëveshjes në mes Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Deutsche Gesellschaft für Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, për projektin mbështetja për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë në zonat rurale përmes diversifikimit të aktiviteteve,

    5. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-180 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës,

    6. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-211 për Verëra,

    7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-250 për ndryshime klimatike,

    8. Emërimi i dy (2) anëtarëve të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës të Republikës së Kosovës,

    9. Emërimi i një (1) anëtari në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit,

    10. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komuniteteve jo shumicë,

    11. Propozimi i grupeve parlamentare për emërimin dhe zëvendësimin e anëtarëve në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës,

    12. Propozimi i GP të LVV për zëvendësimin e anëtares në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.​

  • ​BE paralajmëron Elon Musk për ‘dezinformatat’ që po përhapen në X pas sulmit të Hamasit

    ​BE paralajmëron Elon Musk për ‘dezinformatat’ që po përhapen në X pas sulmit të Hamasit

    BE-ja ka paralajmëruar Elon Musk se rrjeti social X po përdoret për të përhapur “dezinformata” pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit.

    Në një postim në platformën e njohur më parë si Twitter, shefi i industrisë së bllokut tha se “përmbajtja e dhunshme dhe terroriste” nuk ishte fshirë nga platforma, pavarësisht paralajmërimeve – siç kërkohet nga ligji i BE-së.

    Musk tha se kompania e tij kishte ndërmarrë veprime, duke përfshirë heqjen e llogarive të sapokrijuara të lidhura me Hamasin. Ai i kërkoi BE-së të listojë shkeljet e supozuara.

    Thierry Breton, komisionari për Tregun e Brendshëm të Bashkimit Evropian, nuk dha detaje mbi dezinformimin që ai po i referohej në letrën e tij drejtuar zotit Musk. Megjithatë, ai tha se raste të “imazheve dhe fakteve të rreme dhe të manipuluara” u raportuan gjerësisht në platformën e mediave sociale.

    Në përgjigjen e tij në X, Musk tha: “Politika jonë është që gjithçka të jetë e hapur dhe transparente, një qasje që unë e di që BE e mbështet. Ju lutemi renditni shkeljet për të cilat aludoni se janë bërë në X, në mënyrë që publiku t’i shohë ato.”