ATV

Pjesëtarë të organizatës ilegale serbe “Mbrojtja Civile”, ka kohë që nuk janë parë rrugëve të veriut

Written by

in

Përgatiti: Arton Hamiti

Në territorin e Kosovës, kryesisht në katër komunat veriore, që nga përfundimi i luftës kanë operuar struktura ilegale, të mbështetura dhe të financuara nga Serbia.

“Mbrojtja Civile” ishte njëra prej këtyre strukturave, e cila ka dalë publikisht në vitin 2011.

Njerëz me uniforma të zeza, me mbishkrimin “Civilna zashtita” ishin parë në rrugët e Mitrovicës së Veriut, kohë më parë.

Por, në kushte anonimiteti, banorët e Lagjes së Boshnjakëve, thanë se pjesëtarë të Mbrojtjes Civile më nuk janë prezentë. Gazetari Branislav Krstic i cili jeton dhe vepron në veri, pretendon se shumica prej tyre janë larguar për në Serbi me rekomandime nga Beogradi.

Megjithatë, në tkurrjen e kësaj organizate vlerësohet të ketë ndikuar prania e njësive speciale në katër komunat veriore.

Kryeministri Albin Kurti, më 3 tetor, deklaroi se shumica e personave të përfshirë në sulmin në Banjskë të Zveçanit, janë ose pjesëtarë të organizatës Mbrojtja Civile ose të Brigadës së Veriut – të dyja të shpallura terroriste në Kosovë.

Sidoqoftë, gjatë këtyre viteve Kosova ka qenë e pafuqishme ta shuajë organizatën Mbrojtja Civile, teksa zhbërja e saj është paraparë me një marrëveshje, që Kosova dhe Serbia kanë arritur në Bruksel në vitin 2015.

Kurse, më 13 qershor të këtij viti, si i dyshuar për sulme ndaj KFOR-it dhe vepra të tjera kriminale, ishte arrestuar serbi Millun Millenkoviq, në Mitrovicë të Veriut, i cili, sipas ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, është udhëheqës i formacionit Mbrojtja Civile.

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *