ATV

Blog

  • Kurti thotë se mund të ketë eskalim sërish në veri: Po inskenohen sulme për ta fajësuar Policinë

    Kurti thotë se mund të ketë eskalim sërish në veri: Po inskenohen sulme për ta fajësuar Policinë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se institucionet e sigurisë dhe inteligjencës kanë identifikuar inskenime për sulme të reja nga Serbia në mënyrë që fajësohet Policia e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Para fillimit të mbledhjes së Qeverisë, Kurti u shpreh se ekziston rreziku për eskalim javët në vijim në veri.

    Lirimi i Milan Radojiçiqit në më pak se 24 orë, sipas Kurtit, është dëshmi dhe sinjal i potencialit për rigrupim dhe hakmarrje, “sepse më 24 shtator Beogradi zyrtar e militar dështoi”.

    “Institucionet e sigurisë së fundmi kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimit të sulmeve të dhunshme nga grupet e strukturave të Serbisë në Kosovë. Qëllimi i tyre kryesor është fajësimi i Policisë së Kosovës dhe paraqitja e saj si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës. Për ta arritur këtë nuk kanë vënë çmim në tavan. Nuk do të zgjedhin mjet. Mbështetja e grupit terrorist që ka marrë nga Serbia në njërën anë duke i trajtuar si heronj, në anën tjetër duke intensifikuar aktivitetet e ushtrisë pranë kufirit me Kosovën vetëm sa i inkurajuar ata”.

    “Deshën ta ndryshojnë realitetin në terren përmes organizimeve paramilitare, nuk ia arritën. Provuan ta keqpërdorën Manastirin e Banjskës, nuk ia arritën. Tani formacionet kriminale të sponsorizuara nga fqinji ynë verior në skenarin e tyre destabilizues, ka shumë të ngjarë që dallimet etnike t’i keqpërdorin për synime politike. Javën që lamë pas u shënua 23-vjetori i rrëzimit të Millosheviqit, 23 vjet pas asnjëherë më parë nuk i ka ngjarë më së shumti Serbisë së Millosheviqit ky pushtet në Serbi, në botëkuptime, në metoda, në sjellje e në veprime”.

    “Shumë çka është ndryshe prej asaj të diele. Gjithçka do të ishte ndryshe nëse grupi terrorist nuk do të neutralizoheshin që në natën e parë. Ata dështuan dhe kjo i ka dëshpëruar. Lirimi i Radojiçiqit më pak se 24 orë pas arrestimit është dëshmi e sinjalit për rigrupim dhe hakmarrje. Institucionet e tona të sigurisë dhe inteligjencës kanë identifikuar inskenimet. Qëllimi i tyre kryesor është fajësimi i Policisë së Kosovës”

    Fjalimi i plotë:

    Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra,

    Të dashur qytetarë,

    Jemi 18 ditë pas sulmit paramilitar, terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit. Shumëçka është ndryshe prej asaj të dielës. Gjithçka do të ishte ndryshe nëse grupi terrorist dhe planet e tyre për aneksim të katër komunave në veri të vendit nuk do të neutralizoheshin që në aktin e parë. Ata dështuan. Dhe kjo i ka bërë shumë të dëshpëruar.

    Dokumentimi para syve të botës i përfshirjes së të paktën katër shtresave të shtetit serb, përkatësisht, Presidencës, Shërbimit të inteligjencës, Ministrisë së Mbrojtës dhe ushtrisë serbe, në frymëzimin, përgatitjen, furnizimin dhe pjesëmarrjen në sulmin terrorist në fshatin Banjskë, janë motiv shtesë për skenarë tjerë destabilizues.

    Lirimi i Millan Radoiçiq-it, më pak se 24 orë pas arrestimit, është dëshmi dhe sinjal i potencialit për ri-grupim dhe hakmarrje, sepse me 24 shtator, Beogradi zyrtar e militar dështoi. Institucionet tona të sigurisë dhe të inteligjencës së fundmi kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimeve të sulmeve të dhunshme nga grupe të strukturave kriminale të Serbisë në Kosovë. Qëllimi i tyre kryesor është fajësimi i Policisë së Kosovës dhe paraqitja e saj si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës. Për të arritur këtë, nuk kanë vënë çmim tavan. Nuk do të zgjedhin mjet.

    Fatkeqësisht, mbështetja që grupi terrorist ka marrë nga Serbia, në njërën anë duke i trajtuar ata si heronj dhe martirë, dhe në anën tjetër duke intensifikuar aktivitetet e ushtrisë përgjatë kufirit me Republikën tonë, vetëm sa e ka inkurajuar. Provuan ta ndryshojnë realitetin në terren përmes veprimeve të organizuara dhe koordinuara paramilitare. Nuk ia arritën. Keqpërdorën Manastirin e Banjskës me synimin që t’i japin ngjyrim fetar ngjarjeve të 24 shtatorit. Sërish nuk ia arritën. Tani, formacione kriminale të sponsorizuara nga fqinji ynë verior, në skenarët e tyre destabilizues ka shumë të ngjarë që dallimet etnike synojnë t’i keqpërdorin për qëllime politike. Për rastësi, javën që e lamë pas shënoi 23-vjetorin e rrëzimit të regjimit të Millosheviqit. E për fat të keq, 23 vjet pas 5 tetorit, regjimi aktual i Serbisë asnjëherë më parë nuk i ka përngjarë më shumë se sot, Serbisë së Millosheviqit.

    Në botëkuptim, e në synime, në sjellje, në metoda e në veprime. Andaj, ju bëj thirrje, veçanërisht juve të nderuar bashkëqytetarë serbë, që ditëve, javëve dhe muajve në vijim të jeni të vëmendshëm dhe të vetëpërmbajtur nga cytjet e aktet e dhunës të inskenuara dhe dashakeqe. Në Kosovë të gjithë jemi qytetarë të barabartë sepse shteti është ligjor dhe shoqëria është demokratike. Nuk ka komunitete të padëshiruara. Shqiptarët, serbët, boshnjakët, turqit, ashkalinjt, romët, egjiptianët, goranët dhe të gjithë të tjerët jetojnë e punojnë bashkë kudo në Kosovën tonë të dashur paqësore e proevropiane.

    Ata që po duan të na rrënojnë nuk do t’ia dalin. Sepse jemi të përgatitur. Sepse jemi bashkë, me motiv të lartë dhe qëllime fisnike, për paqe dhe siguri, për të drejta dhe demokraci. Kosova është shtet i sigurtë. Sipas Indeksit Global të Krimit të Organizuar, Kosova ka shkallën më të ulët të kriminalitetit në mesin e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor. Institucionet e vendit tonë, sidomos ato të sigurisë, janë në krye të detyrës, në shërbim dhe mbrojte të të gjithë qytetarëve, pa diskriminim e favorizim.

    Puna dhe ligji na bashkojnë si shoqëri. Shumëllojshmëria kulturore dhe etnike na pasurojnë si vend. Ju ftoj që të mbështeteni në Policinë e Kosovës. T’i besoni profesionalizmit të saj. Të raportoni sjelljet e dyshimta të individëve në komunitetet tuaja.

    T’i përcjellni me vëmendjen njoftimet e institucioneve nëpër kanalet e tyre zyrtare. Të mos bini pre e raportimeve të pakonfirmuara dhe të dezinformatave. Të ruani qetësinë në çdo situatë. Andaj, bashkëqytetarë të dashur, Me këtë thirrje në të njëjtën kohë shpreh edhe një herë mirënjohjen gjithë juve dhe secilit prej juve, për besimin, bashkëpunimin, maturinë dhe vetëdijen e lartë qytetare.

    Ju faleminderit!

  • Lista e fituesve të BET Hip Hop 2023

    Lista e fituesve të BET Hip Hop 2023

    Çmimet BET Hip Hop 2023 kanë mbërritur! Nata më e madhe e Hip hop-it nderoi këngët dhe videot më të mira të vitit.

    E organizuar edhe një herë nga reperi Fat Joe, festimi i sivjetshëm i mbushur me yje shfaqi disa fitore të mëdha, homazhe emocionale dhe performanca të fuqishme. Cardi B dhe 21 Savage kryesuan nominimet me 12 secili, ndërsa fituesi i madh i vitit të kaluar, Drake, pasoi me nëntë nominime.

    Megjithatë, ishte Kendrick Lamar ai që doli të ishte fituesi i madh i natës, duke fituar çdo kategori për të cilën ishte nominuar. Shikoni listën e të nominuarve dhe fituesve të BET Hip Hop 2023:

    BEST HIP HOP VIDEO
    Lil Uzi Vert, “Just Wanna Rock” — FITUES
    Coi Leray, “Players (DJ Smallz 732 – Jersey Club Remix)”
    Latto Feat. Cardi B, “Put It On Da Floor Again”
    Dababy, “Shake Sumn”
    Burna Boy Feat. 21 Savage, “Sittin’ On Top Of The World”
    Drake & 21 Savage, “Spin Bout U”
    Glorilla & Cardi B, “Tomorrow 2”

    BASHKËPUNIMI MË I MIRË
    Lil Durk Feat. J. Cole, “All My Life” — FITUES
    DJ Khaled Feat. Rick Ross, Lil Wayne, JAY-Z, John Legend & Fridayy, “God Did”
    Coi Leray Feat. Busta Rhymes, “Players (DJ Saige Remix)”
    Ice Spice & Nicki Minaj, “Princess Diana”
    Latto Feat. Cardi B, “Put It On Da Floor Again”
    Burna Boy Feat. 21 Savage, “Sittin’ On Top Of The World”
    Glorilla & Cardi B, “Tomorrow 2”

    BEST DUO
    City Girls
    DJ Drama & Jeezy
    Drake & 21 Savage — FITUES
    Earthgang
    Larry June & The Alchemist
    Quavo & Takeoff
    Rae Sremmurd

    PERFORMUESI MË I MIRË LIVE
    Burna Boy
    Busta Rhymes
    Cardi B
    Coi Leray
    Dababy
    Drake
    Kendrick Lamar — FITUES
    Megan Thee Stallion

    TEKSTI I VITIT
    21 Savage
    André 3000
    Burna Boy
    Cardi B
    Conway The Machine
    Drake
    J. Cole
    Kendrick Lamar — FITUES

    KËNGA E VITIT
    Lil Durk Feat. J. Cole, “All My Life”
    DJ Khaled Feat. Rick Ross, Lil Wayne, JAY-Z, John Legend & Fridayy, “God Did”
    Lil Uzi Vert, “Just Wanna Rock” — FITUES
    Coi Leray, “Players”
    Latto Feat. Cardi B, “Put It On Da Floor Again”
    Drake & 21 Savage, “Rich Flex”
    Burna Boy Feat. 21 Savage, “Sittin’ On Top Of The World”
    Glorilla & Cardi B, “Tomorrow 2”

    HIP HOP ALBUMI I VITIT
    Glorilla, Anyways, Life’s Great…
    Coi Leray, Coi
    DJ Khaled, God Did
    Drake & 21 Savage, Her Loss — FITUES
    Metro Boomin, Heroes & Villains
    Jack Harlow, Jackman
    Lil Uzi Vert, Pink Tape
    Megan Thee Stallion, Traumazine

    HIP HOP ARTISTI I VITIT
    21 Savage
    Burna Boy
    Cardi B
    Drake
    Glorilla
    J. Cole
    Kendrick Lamar — FITUES
    Lil Uzi Vert

    PRODUCENTI I VITIT
    ATL Jacob
    DJ Khaled
    Dr. Dre
    Hit-boy
    Hitmaka
    Kaytranada
    London On Da Track
    Metro Boomin — FITUES
    The Alchemist

    DJ I VITIT
    Chase B
    D-NICE
    DJ Cassidy
    DJ Clark Kent
    DJ Drama
    DJ Jazzy Jeff
    DJ Khaled
    Kaytranada
    Metro Boomin — FITUES.

  • ​Klauzola miliardëshe, Reali blindon dy yjet e ekipit

    ​Klauzola miliardëshe, Reali blindon dy yjet e ekipit

    Eduardo Camavinga dhe Federico Valverde thuhet se kanë nënshkruar marrëveshje të reja me Real Madridin, duke përfituar rritje të konsiderueshme të pagave.

    Sipas një raporti të “COPE”, mesfushori francez ka arritur një marrëveshje për të qëndruar në “Santiago Bernabeu” deri në vitin 2028. Camavinga do të ketë një rritje të konsiderueshme të pagës dhe klauzola e tij e lirimit do të rritet në 1 miliardë euro, duke shmangur çdo interesim të mundshëm nga klubet tjera.

    Mesfushori 20-vjeçar është bërë pjesë integrale e planeve të Carlo Ancelottit dhe është paraqitur në 11 ndeshje deri më tani këtë sezon duke grumbulluar 645 minuta lojë, përcjellë KosovaPress.

    Partneri i mesfushës së Camavinga, Valverde, gjithashtu ka nënshkruar një marrëveshje të re deri në vitin 2028, një zgjatje njëvjeçare nga kontrata e tij aktuale e cila do të skadojë në vitin 2027. Uruguaiani do të ketë gjithashtu klauzolë lirimi prej 1 miliardë eurosh, e cila nënvizon statusin e tij si titullar i padiskutueshëm në Real Madrid.

    Ashtu si Camavinga, ai gjithashtu ka bërë 11 paraqitje, por ka luajtur dukshëm më shumë minuta (838) dhe ka dhënë një gol dhe tre asistime këtë sezon.

  • Moti për sot dhe nesër

    Moti për sot dhe nesër

    Dita e sotme në vendin tonë do të jetë kryesisht me mot të kthjellët.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme do ta mbajë Ferizaj me 7 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 26 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme do të jetë me kushte të njëjta atmosferike. Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë qyteti i Ferizajt me 7 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Peja me 27 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell dhe kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 7 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 29 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

     

  • “Zona më e bukur në Gaza u bë rrafsh me tokë”, gazetari palestinez tregon pamjet e shkatërrimit

    “Zona më e bukur në Gaza u bë rrafsh me tokë”, gazetari palestinez tregon pamjet e shkatërrimit

    Në rrjetet sociale janë publikuar pamje nga droni të një lagje të shkatërruar të Gazës, që forcat izraelite e bënë rrafsh me tokë nga sulmet ajrore.

    Një gazetar palestinez derisa ecte në këtë lagje tashmë të shkatërruar tha se ishte ‘zona më e bukur e Gazës, po tani ka mbetur i pafjalë‘.

    “Nuk e di çfarë të them, por më besoni është trishtimi më i madh që ka pasur ndonjëherë Gaza”, u shpreh gazetari.

    Kujtojmë se, Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi ka thënë se numri i viktimave në Gaza nga sulmet ajrore izraelite është rritur në 1 mijë e 100.

    Sipas shifrave të reja, ministria thotë se numri i përgjithshëm i personave të lënduar është mbi 5 mijë e 300, shkruan BBC.

    Nga 1 mijë e 100 të vdekur, ministria e Shëndetësisë në Gaza ka bërë të ditur se në mesin e tyre janë 326 fëmijë, 171 gra dhe 603 burra.

    Kurse, nga 5 mijë e 339 të lënduar, 1 mijë e 217 janë fëmijë, 744 gra dhe 3 mijë e 378 burra.

  • Kastrati i PDK-së: Është çudi si u lanë të ikin terroristët në Banjskë, është dashur të asgjësohen ose dorëzohen

    Kastrati i PDK-së: Është çudi si u lanë të ikin terroristët në Banjskë, është dashur të asgjësohen ose dorëzohen

    Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, është i mendimit se në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, Kosova i ka lënë të lirë terroristët përmes një marrëveshjeje politike.

    Ai në emisionin DPT te Fidani, në ATV, ka thënë se si pasojë e kësaj tash terroristët serbë janë rrezik potencial për çdo natë i trupave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në veri, shkruan Reporteri.net.

    “Kush i lëshoi Radojiçiqin me ata terroristat me ecë? Nuk i ka lëshu policia, është bo negociatë në nivel politik. Ata janë rrezik potencial prapa trupave të KFOR-it dhe policisë tonë çdo natë tash e tutje”.

    “Në situata të tilla kur një shtet të sulmon, një brigadë armatim e ka sjellë, ti duhesh ose me i asgjësu ose me i bo me u dorëzu”.

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, para një jave pati treguar se nuk ka pasur kurrfarë marrëveshje për krijimin e një korridori që do t’ua mundësonte ikjen terroristëve serbë.

    Ai ka thënë se është tentuar që të komunikohet me terroristët, në mënyrë që të dorëzohen, mirëpo se ata nuk u janë bindur kërkesave të policisë dhe janë përgjigjur me armë zjarri.

    Tutje ka shtruar pyetje edhe se si u la të hyjë në Manastirin e Banjskës armatimi që u përdor gjatë sulmit, e që u sekuestrua pas tij.

    “E dyta, si u fut gjithë ai armatim, u leju me ardhë deri te Manastiri i Banjskës prej një depoje? S’jemi t’u folë për katër kallashnikova por për armatim për një brigadë të tanë”.

    “A ka shpjegim dikush prej qeverisë? A ka dikush shpjegim pse janë liru ata? Ata ecshin si fëmija në ekskursion”.

    “Nuk po konstatoj, unë dyshoj që dikush është prapa gjithë aksionit. Policia nuk është në dijeni. Si u lanë ashtu me ikë ata 30 veta është kogja çudi”, ka thënë Kastrati i PDK-së.

  • OKB-ja do të mblidhet të premten për të diskutuar mbi Izraelin dhe Gazën

    OKB-ja do të mblidhet të premten për të diskutuar mbi Izraelin dhe Gazën

    Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet të premten për të diskutuar konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit.

    Brazili, i cili aktualisht mban presidencën e rradhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, thirri takimin “për të adresuar situatën në Rripin e Gazës”, tha ministria e këtij vendi në një deklaratë.

    Ministri brazilian i Punëve të Jashtme Mauro Vieira ka ndërprerë një udhëtim në Azi për të udhëtuar në Nju Jork për të marrë pjesë në takim.

    Anëtarët e KS të OKB-së ishin të ndarë në lidhje me politikën në lidhje me Izraelin dhe palestinezët në një takim të dielën.

    “Fëmijët nuk duhet të mbahen kurrë peng, kudo në botë,” shkroi presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva në X, dikur Twitter, të mërkurën, raporton BBC.

    Ai tha se Hamasi duhet të “lirojë fëmijët që janë rrëmbyer nga familjet e tyre”.

    Presidenti gjithashtu i bëri thirrje Izraelit që “të ndalojë bombardimet në mënyrë që fëmijët palestinezë dhe nënat e tyre” të largohen nga Gaza përmes Egjiptit.

     

  • Gjendet i vdekur regjisori izraelit, Yahav Winner

    Gjendet i vdekur regjisori izraelit, Yahav Winner

    Trupi i regjisorit izraelit, Yahav Winner, u gjet mbrëmjen e djeshme (10 tetor) në kibutin jugor të Izraelit në Kfar Aza.

    Yahav u zhduk të shtunën (7 tetor) pasi terroristët e Hamasit pushtuan shtëpinë e tij.

    Winner po ruante dritaren e banesës së familjes së tij për t’i lënë kohë gruas së tij, regjisores Shaylee Aary dhe vajzës së tyre një muajshe Shaya, që të shpëtonin nga sulmuesit.

    Trupi i Yahav u gjet në Kfar Aza nga ushtria izraelite. Shumë njerëz që jetonin atje, duke përfshirë fëmijë dhe familje të tëra, u vranë gjithashtu në Kfar Aza.

    Filmi i shkurtër i Winner “The Boy” fitoi çmimin për ‘kinematografinë më të mirë’ në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Studentor të Tel Avivit të këtij viti.

    Kompania izraelite e shitjeve dhe shpërndarjes ‘Go2Films’ konfirmoi po ashtu vdekjen e Yahav.

    Në një deklaratë, Go2Films tha: “Me dhimbje të madhe ndajmë lajmin shkatërrues se regjisori ynë i dashur, Yahav Winner, u gjet i vdekur në Kfar Aza mbrëmjen e djeshme, pas tre ditësh në të cilat ai konsiderohej i zhdukur. Humbja e Yahav ka lënë një boshllëk të pashlyeshëm në zemrat tona dhe ne shprehim ngushëllimet tona më të thella për Shaylee Aary, gruan e tij, familjen, miqtë dhe të gjithë ata që u prekën nga arti dhe shpirti i tij”.

    “Pas kësaj tragjedie, gjejmë ngushëllim në mendimin për të festuar jetën dhe veprën e Yahavit. Filmi i shkurtër i Yahav, The Boy, shpalos një rrëfim që hedh dritë mbi jetën në Kfar Aza. Filmi fitoi çmimin për kinematografinë më të mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Studentëve të Filmit në Tel Aviv dhe do të shfaqet si pjesë e konkursit ndërkombëtar në Filmschoolfest Munich. Për të nderuar kujtimin dhe veprën e tij, jemi të përkushtuar që të shfaqim The Boy në sa më shumë vende”, thuhet më tej.

  • Arrestohet shtetasi serbë, postoi foto me armë në dorë në rrjetet sociale

    Arrestohet shtetasi serbë, postoi foto me armë në dorë në rrjetet sociale

    Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme në orët e hershme të mëngjesit ka arrestuar një shtetas serb të komunës së Leposaviqit.

    Shtetasi serb i arrestuar kishte postuar foto me armë në dorë në rrjetet sociale.

    Pas arrestimit është bërë kontrolli i shtëpisë së të dyshuarit por nuk është gjetur diçka e dyshuar.

    Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

  • Përfundon kërkimi për një ilaç që mund të shpëtojë miliona

    Përfundon kërkimi për një ilaç që mund të shpëtojë miliona

    Kompania farmaceutike daneze Novo Nordisk njoftoi se do të ndalojë testimin e Ozempic-ut për trajtimin e dështimit të veshkave te pacientët me diabet para kohës së planifikuar, sepse nga analizat e para është e qartë se trajtimi është i suksesshëm.

    Studimi shqyrtoi nëse një ilaç i përdorur gjerësisht i diabetit që përmban përbërësin aktiv semaglutide mund të vonojë përparimin e sëmundjes kronike të veshkave dhe të zvogëlojë rrezikun e vdekjes nga problemet e veshkave dhe zemrës.

    Novo Nordisk njoftoi se prova do të ndërpritet pothuajse një vit më herët bazuar në rekomandimin e komitetit të pavarur të monitorimit të të dhënave që mbikëqyr studimin.

    Semaglutide është gjithashtu një përbërës aktiv në ilaçin e fuqishëm për humbje peshe Wegovy, i cili prodhohet gjithashtu nga kjo kompani daneze.

    Analistja e Barclays, Emily Field tha në një shënim se vendimi i kompanisë justifikonte pikëpamjen se agonistët e receptorëve GLP-1 si Ozempic kanë “përfitime terapeutike që tejkalojnë përdorimin e tyre fillestar të synuar”.

    Që nga fillimi i vitit, Novo Nordisk është përballur me një valë kërkesash për ilaçet e tij shumë efektive të diabetit me bazë semaglutide dhe humbje peshe që e kanë kthyer prodhuesin e barnave në një gjigand prej 315 miliardë dollarësh.

    Kompania për pak kohë e la markën LVMH të mallrave luksoze si kompaninë më të vlefshme të Evropës në shtator dhe aksionet e saj janë rritur rreth 17 për qind që kur njoftoi në gusht se një studim i madh tregoi se Wegovy kishte përfitime të qarta kardiovaskulare.

    Suksesi i Novo Nordisk mundësoi gjithashtu një bum ekonomik në Danimarkë, sipas ekonomistëve, analistëve danezë dhe drejtuesve të vetë Novo Nordisk. /tesheshi.com/