ATV

Blog

  • Parlamenti Evropian hedh në votim Rezolutën për Kosovën, kërkohet sanksionimi i Serbisë

    Parlamenti Evropian hedh në votim Rezolutën për Kosovën, kërkohet sanksionimi i Serbisë

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Të enjten, Parlamenti Evropian pritet ta hedhë në votim rezolutën, lidhur me zhvillimet e fundit në veri, pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, që la të vdekur rreshterin Afrim Bunjaku.

    Votimi pritet të fillojë në orën 12:00, ndërkaq, paraprakisht, për ngjarjet e 24 shtatorit, në Parlamentin Evropian janë dërguar pesë draft-rezoluta nga parti evropiane.

    Mbajtja e Serbisë përgjegjëse për sulmin terrorist, si dhe vendosja e sanksioneve ndaj shtetit serb, janë kërkesat e përbashkëta të pesë rezolutave.

    “Të theksohet rëndësia e mbajtjes së Serbisë përgjegjëse, për rolin e saj në sulmin e 24 shtatorit 2023 dhe nevojën për të vendosur masa kundër Serbisë. Të shprehet keqardhje për faktin që gjykata e Beogradit refuzoi thirrjen e Zyrës së Kryeprokurorit Publik të Beogradit për ndalimin e Milan Radojicicit, për shkak të rrezikut të arratisjes së tij, duke pasur parasysh se Radojicici mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit të 24 shtatorit 2023”, thuhet në draft-rezolutën e S&D Group.

    Në rast se vërtetohet përfshirja e shtetit serb, grupi i “Të Gjelbërve/Aleanca e Lirë Evropiane” ka kërkuar që Serbisë t’i ngrihen të gjitha fondet e dhëna sipas programit IPA.

    Kurse, grupi më i madh dhe më i vjetër në Parlamentin Evropian, “PPE”, që është grup i qendrës së djathtë, përmes draft-rezolutës ka dënuar fuqishëm kontrabandën e armëve në veri, e cila po bëhet duke përdorur autoambulancat dhe objektet e Kishës Ortodokse Serbe.

    “Dënojmë strehimin e autorëve të inkursionit të armatosur në veri të Kosovës, si dhe çdo propagandë për ta, glorifikimin e veprimeve të tyre, apo mbështetjen politike për ta. Dënojmë përpjekjet e vazhdueshme ruse për të ushtruar ndikim mbi Ballkanin Perëndimor dhe, veçanërisht, në Serbi dhe në Kosovë, duke shfrytëzuar ndarjet kulturore, etnike dhe fetare dhe duke destabilizuar forcat pro-demokratike; dënojmë, në këtë drejtim, përfshirjen e mundshme ruse në sulmet e Banjskës”, thuhet në draft-rezolutën e PPE-së.

    Mes tjerash, është kërkuar që masat ndaj Kosovës të hiqen dhe Bashkimi Evropian të veprojë si ndërmjetësues i paanshëm në procesin e normalizimit.

    Në anën tjetër, Kosovës i është kërkuar themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në përputhje me Marrëveshjet e Brukselit, Kushtetutën e Kosovës dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

  • Rreth 3 mijë raste të viktimave të trafikimit me njerëz trajtohen brenda vitit në Kosovë

    Rreth 3 mijë raste të viktimave të trafikimit me njerëz trajtohen brenda vitit në Kosovë

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Rreth 3 mijë raste të viktimave të trafikimit me njerëz trajtohen brenda vitit në Kosovë. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, kategoria më e cenueshme në këtë rast janë fëmijët në situatë rruge.

    Derisa në Prishtinë u lansua fushata kundër Trafikimit me Njerëz, Blerim Gashani, i cili është edhe Koordinator Kombëtar Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, tha se Kosova është i vetmi vend në rajon që ka krijuar bazë të të dhënave të kësaj vepre.

    Sipas Kodit Penal të Kosovës, trafikimi cilësohet të jetë njëra prej veprave më komplekse.

    “Ky kompleksitet është rezultat i vetë strukturës të veprës penale të trafikimit, sepse në kuadër të kësaj vepre penale ose të kësaj dukurie, janë përfshirë shumë veprime të cilat po të shikohen si të veçanta, paraqesin elemente të shumë veprave të tjera penale”, tha Besim Kelmendi, U.D. i Kryeprokurorit të Shtetit.

    Në raportin e këtij viti të Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut, Kosova ishte kritikuar që nuk i përmbush standardet minimale për eliminimin e trafikimit ndonëse po bën përpjekje. Por, Kelmendi shtoi se Kosova ka shënuar rezultate në parandalimin dhe luftimin e trafikimit.

    “Kosova ka shënuar rezultate të theksuara për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me qenie njerëzore, mirëpo, ende ka nevojë për qasje më profesionale dhe konstruktive të të gjitha institucioneve”, tha Kelmendi.

    Vetëm këtë të mërkurë, Policia e Kosovës njoftoi se ka identifikuar dy viktima dhe ka arrestuar dy persona nën dyshimin për trafikim me njerëz. A. K., shtetas kosovar, dhe R. K., shtetase e Shqipërisë, janë dërguar në mbajtje.

  • “Do të ketë një shtytje të re në dialog, palët të jenë konstruktive”

    “Do të ketë një shtytje të re në dialog, palët të jenë konstruktive”

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Agjendë të qartë për shtensonim të situatës në veri, paralelisht zbatim të marrëveshjes së Brukselit dhe shtojcës së Ohrit, ka kërkuar i dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

    Diplomati gjerman kërkoi konstruktivitet nga Kosova dhe Serbia, teksa premtoi shtytje të re për procesin e dialogut.

    “…Ne besojmë fuqimisht se nuk është ide e mirë të fokusohemi vetëm në shtensionim, ne duhet gjithashtu të përpiqemi që marrëveshja e Ohrit të zbatohet dhe të bëjmë një shtytje të mëtejshme për ta marrë përsëri rezultatin e përgjithshëm pozitiv atje. Dhe kjo është ajo që mund të prisni nga Gjermania dhe nga Bashkimi Evropian, dhe veçanërisht tani, do të përpiqemi të bëjmë një shtytje të re për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit në terren nga dy palët. Andaj ne u bëjmë thirrje dy palëve që të jenë konstruktive dhe pozitive në këtë proces”, tha Sarrazin.

    Pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, që la të vrarë policin Afrim Bunjaku, emisari gjerman, pret që Bashkimi Evropian të bëjë përpjekje më konkrete në shërbim të dialogut.

    “Dua të them ligjërisht ajo [marrëveshja] ende funksionon, por natyrisht politikisht është e qartë se ne kemi nevojë për një ripërkushtim ndaj [marrëveshjes] Ohrit dhe kjo mund të bëhet duke e zbatuar atë, duke dorëzuar një udhërrëfyes zbatimi, dhe duke ardhur hap pas hapi në ekzekutimin e [marrëveshjes] Ohrit, të themi ashtu. Mendoj se është e nevojshme të bëhet një shtysë e re dhe është e nevojshme që Bashkimi Evropian të përpiqet t’i shërbejë edhe dialogut. Sidomos pas asaj që ndodhi në Banjskë”, tha Sarrazin.

    Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i shoqëruar nga këshilltarët e lartë të liderëve të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të udhëtojnë të shtunën, më 21 tetor në Kosovë dhe në Serbi, për t’u takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

  • Vërejtjet publike për “mos mbajtje të fjalës” që presidenti Macron i bëri ndaj Kosovës, s’janë risi

    Vërejtjet publike për “mos mbajtje të fjalës” që presidenti Macron i bëri ndaj Kosovës, s’janë risi

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Vërejtjet publike për “mos-mbajtje të fjalës”, që presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i bëri ndaj Kosovës, nuk përbëjnë risi për presidenten Vjosa Osmani.

    Ajo njoftoi se këto shqetësime janë adresuar në takimin bilateral me homologun francez, më 5 Tetor në Spanjë.

    “I kam diskutuar të gjitha këto me presidentin Macron, gjatë takimit tonë në Granadë, dhe besoj që do të kemi mirëkuptim në tejkalimin e sfidave”, tha Osmani.

    Megjithatë, opinionistë vlerësojnë se vërejtjet publike nga presidenti francez janë paralajmërim për shtim presioni dhe qasje më të rreptë në kërkesat për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe shtojcës së Ohrit. Nuk përjashtohet mundësia që presioni ndaj Kosovës të ndërlidhet edhe me proceset integruese në Këshillin e Evropës, në BE, apo në NATO.

    “Edhe pse Franca, në përgjithësi, është një përkrahëse e Kosovës për anëtarësim në këto organizata, por mund të pritet presion më i madh nga Franca ndaj Kosovës, pikërisht për shkak të përpjekjeve të Serbisë për t’i kultivuar marrëdhëniet me Francën”, tha profesori Seb Bytyçi.

    Krahas raportit vlerësues të ekspertëve të Këshillit të Evropës për Kosovën, ish-ministrja për Integrim Evropian, Mimoza Ahmetaj, theksoi se sjelljet dhe veprimet e institucioneve do të kenë pasoja në qasjen e shteteve dhe të BE-së.

    “Ndërkohë, raportuesja për Kosovën në këtë Asamble, Dora Bakoyannis, politikane greke me influencë, do të jetë në vizitë në ditët në vazhdim në Kosovë. Dhe, sigurisht që do të diskutohet edhe për situatën e sigurisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat serbe në veri, pra, zgjedhjet (vota e lirë) janë një ndër elementet themelore demokratike në një vend. Kjo, sigurisht që ndërlidhet me gjendjen e tanishme politike dhe të sigurisë në vend dhe dialogun me Serbinë, dhe mund të përdoret si argument shtesë në raportin e sipërpërmendur”, tha Ahmetaj.

    Ndikimi i rrethanave aktuale, sipas saj, do të vërehet veçmas në procesin e anëtarësimit në programin e NATO-s, Partneriteti për Paqe.

    “Sa i përket NATO-s, PFP (Partneriteti për Paqe), nuk bën sens të mendohet në këtë kohë për ndonjë avancim në raportet me NATO-n, kur NATO-ja është duke dërguar trupa shtesë në Kosovë, për shkak të rrezikut të eskalimit të situatës së sigurisë. Pra, ne jemi duke u larguar nga ky proces, sepse NATO-ja edhe më tutje është garantues i sigurisë”, tha Ahmetaj.

    Teksa u kërkoi liderëve shtetërorë të Kosovës dhe atyre të Serbisë të nisin zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe shtojcës së Ohrit, presidenti i francez, Emmanuel Macron, tha se pret që të dyja palët të ecin përpara në javën e ardhshme.

    Veprimet në radhë, sipas tij, duhet të jenë: zgjedhjet e reja në katër komunat në veri të Kosovës, pjesëmarrja e komunitetit serb në to dhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

  • Vërejtje e komente për projektigjin për fondin sovran

    Vërejtje e komente për projektigjin për fondin sovran

    Përgatiti: Armand Hoti

    Politikanë, përfaqësues të institucioneve, ekonomistë dhe ekspertë u bënë bashkë për t’i ndarë qëndrimet lidhur me Projektligjin për Fondin Sovran. Në këtë fond synohet t’u barten asetet e rëndësishme publike, shtetit.

    Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala, u shpreh se projektligji përmban paqartësi në nene të caktuara.

    “Neni 19, kapitali themeltar 20 milionë euro. Cilat ndërmarrje mund të rivitalizohen me 20 euro? Por vetëm javën e kaluar 15 milionë euro iu dhanë postës pa e ditur ku po shkojnë”, tha Shala.

    Ndërkohë, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hikmete Bajrami, nuk pret që themelimi i Fondit Sovran të prodhojë rezultate në favor të ekonomisë.

    “Nuk mund të jap komente duke thënë se Ligji mund të përmirësohet përmes përmirësimit të disa neneve në të. Thjesht kjo është një ide në të cilën aspak nuk besojmë”, tha Bajrami.

    Duke iu referuar projektligjit, Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane shprehu shqetësimin e tij lidhur me mënyrën e financimit të Fondit.

    “Do t’i përmend disa prej shqetësimeve tona, që lidhen kryesisht me mënyrën se si do të financohet Fondi Sovran. Kosova ka burime të kufizuara financiare. Nën një: burimet e kufizuar financiare, nën dy: mungesa e ekspertizës financiare janë një dëshmi që një numër i madh i agjencive të pavarura të vendit, sot e kësaj dite, vazhdojnë të kenë ushtrues detyre dhe të mos plotësohen me pozita. Kemi shqetësimin që një gjë e tillë mund ta karakterizojë edhe Fondin”, tha Zeka.

    Megjithatë, kritikave e komenteve iu përgjigj zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, njëherësh anëtar i grupit punues për hartimin e tij.

    “Qëllimi i Fondit Sovran është thjesht që të sjellë një mendësi të re në qeverisje e ndërmarrjeve publike në menaxhimin e aseteve e pasurive të rëndësishme shtetërore, edhe ta kemi një mekanizëm profesionist të papolitizuar që ndodh në zhvillimin e vendit. Fondi Sovran nuk është mekanizëm financues për qeverinë e Kosovës, Fondi Sovran është mekanizëm financues për zhvillimin e vendit. Ka rregulla shumë të qarta të cilat duhet t’i keni parasysh”, tha Mjeku.

    Në korrik të këtij viti, Projektligji për Fondin Sovran kaloi në parim në Kuvend me 61 vota për.

    Mes tjerash, ndërmarrjet publike që pritet t’i barten Fondit Sovran janë KEK-u, Telekomi, Posta e Kosovës, Trepça, Trainkosi dhe Infrakosi.

    Me themelimin e Fondit Sovran do të shuhet Agjencia Kosovare e Privatizimit.

  • Specializantët anulojnë protestën, Vitia u premton zgjidhje

    Specializantët anulojnë protestën, Vitia u premton zgjidhje

    Përgatiti: Sara Shehu

    Specializantët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, të cilët protestuan për 4 ditë para Ministrisë së Shëndetësisë, kanë vendosur ta ndërpresin atë. Deri të ky vendim erdhi pas një takimi që ata mbajtën të martën me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.

    Vitia u ka premtuar zgjidhje për disa nga kërkesat e tyre, përfshirë edhe pagesën e kujdestarive nga nëntori.

    “Pas një takimi me ministrin Vitia, bëmë disa marrëveshje. Për kujdestarinë, mospagesën nga muaji shkurt për specializantët, kjo tha që s’është e mundur të kompensohet nga Ministria e Shëndetësisë, prandaj mbetet që secili specializant në mënyrë vetjake apo përmes ndonjë avokati të ngrejë këtë çështje e t’i fitojë pagesat”, tha përfaqësuesi i Këshillit të Specializantëve, Arianit Zajmi.

    Po ashtu, Zajmi tha se kanë shpresa edhe në zbritjen e pagesës për shkollimin specialistik, që aktualisht për një vit është 500 euro.

    “Sa i përket pagesës për 500 euro për vit, Vitia tha se përmes ndonjë rruge ligjore, nëse gjendet atëherë do të bashkëpunojmë për ndryshimin e këtij vendimi. E ne kemi kuptu që përmes një rruge, Komisioni për Shëndetësi mund ta ndryshojë këtë situatë dhe do të takohemi me ata për një zgjidhje. Dhe pika tjetër që ministri Vitia na premtoi se nga fillimi nëntorit kujdestaritë do të paguhen të gjitha varësisht nga puna që bëjnë përmes aneks-kontratave”, tha Zajmi.

    Për premtimet e ministrit Vitia, optimiste është edhe njëra nga specializantët e klinikës së Neurologjisë, Pranvera Bytyqi.

    “Takimi me ministrin ka qenë i kënaqshëm pasi ai ka qenë i gatshëm me iu përgjigj kërkesave tona. Ne duhet të punojmë 500 euro vitin shkollor, por ministri na dha hapësirë që të gjejmë një rrugë alternative ligjore që thotë se ky çmim mund të zbritet, pasi që është shumë e lartë e papërballueshme 5 vjet 2.500 euro, një shumë e papërballueshme për shumicën prej nesh”, tha Bytyqi.

    Ministria e Shëndetësisë, përmes një përgjigje me shkrim, ka bërë të ditur për ATV-në, se nga java tjetër do të finalizohen aneks kontratat për specializantët.

    “Me qëllim të adresimit të pagesës së kujdestarive, Ministri i Shëndetësisë ka nxjerr vendim për kompensim, ku kjo çështje do të rregullohet me kontratë. Përgatitja e aneks-kontratave pritet të finalizohet gjatë kësaj jave në mënyrë që të adresohet çështja e specializantëve”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

    Kërkesat i shpalosën për ditë me radhë para objektit të të Ministrisë së Shëndetësisë, mbi 50 specializantë të 37 klinikave të QKUK-së.

  • Sllovenia “pezullon Shengenin” dhe rikthen kontrollet kufitare me Kroacinë dhe Hungarinë

    Sllovenia “pezullon Shengenin” dhe rikthen kontrollet kufitare me Kroacinë dhe Hungarinë

    Italia po vendos kontrolle kufitare në kufirin me Slloveninë dhe Sllovenia tani duhet të vendosë të njëjtën masë në kufijtë me Kroacinë dhe Hungarinë.

    Kështu bëjnë të ditur mediat sllovene, duke iu referuar burimeve jozyrtare nga qeveria.

    Sipas informacioneve jozyrtare, qeveria sllovene nesër do të vendosë që Sllovenia të vendosë kontrolle kufitare me Kroacinë dhe Hungarinë dhe për këtë do të informojë Komisionin Evropian.

    Arsyet, siç u tha, janë parandalimi i terrorizmit dhe krimit të organizuar dhe ndryshimi i kushteve të sigurisë në Evropë dhe Lindjen e Mesme.

    Sipas mediave sllovene, masat duhet të zgjasin të paktën dy muaj.

    Siç bëhet e ditur më tej, Italia po prezanton të njëjtat masa për Slloveninë.

    Ministri i Brendshëm italian Matteo Piantedosi ka njoftuar ministrin e Brendshëm slloven Boshtjan Poklukar për pezullimin e përkohshëm të Shengenit dhe vendosjen e kontrolleve kufitare.

    Sipas deklaratave të tyre, ministrat e Sllovenisë dhe Italisë ranë dakord se rruga e Ballkanit Perëndimor, e cila monitorohet nga afër nga shërbimet e sigurisë sllovene dhe italiane, mund të jetë një korridor tërheqës për radikalizimin e mundshëm.

    “Ministri Boshtjan Poklukar theksoi domosdoshmërinë e natyrës së përkohshme dhe proporcionalitetit të kësaj mase. Ai i bëri thirrje kolegut të tij italian Piantedosi që masat të jenë proporcionale dhe miqësore ndaj qytetarëve tanë që të mos prishen lidhjet kulturore, miqësore dhe familjare të njerëzve që jetojnë përgjatë kufirit”, shtoi MPB e Sllovenisë.

    Të dy ministrat kanë rënë dakord që së shpejti të takohen drejtorët e policisë dhe të merren vesh se si do të zbatohet saktësisht masa dhe më pas masa të njëjta apo të ngjashme të zbatohen në kufirin e Sllovenisë dhe Kroacisë.

    Ndërkohë shtojnë mediat rajonale, nga sot edhe Austria ka ndryshuar kontrollin dhe atë në kufirin me Çekinë. Ajo vendosi ta bëjë këtë pasi Gjermania vendosi kontrolle kufitare me Republikën Çeke, Poloninë dhe Zvicrën për shkak të migrimit të paligjshëm.

  • ​Biden: I bëra pyetje të vështira Netanyahut

    ​Biden: I bëra pyetje të vështira Netanyahut

    Presidenti i SHBA-së Joe Biden deklaroi sot se vendi i tij do të bëjë gjithçka për sigurinë e Izraelit, në fjalën përmbyllëse të një vizite në të cilën ai erdhi për të treguar mbështetjen për shtetin hebraik pas një sulmi vdekjeprurës nga Hamasi.

    Biden u bëri thirrje izraelitëve që të mos i nënshtrohen zemërimit, duke thënë se shumica dërmuese e palestinezëve nuk janë të lidhur me Hamasin.

    Populli palestinez po vuan gjithashtu, shtoi ai. Në komentet pas një takimi me udhëheqësit izraelitë, Biden tha se do të punonte me Kongresin për të miratuar një paketë ndihme “të pashembullt”.

    Në një aludim për Holokaustin nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai i tha Izraelit se kishte mbështetjen e miqve të tij.

    “Ne nuk do të qëndrojmë pranë dhe nuk do të bëjmë më asgjë. As sot, as nesër, as kurrë më”, tha ai.

    Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Izraelit të lejojë ndihmën humanitare në Gaza. Izraeli më pas njoftoi se nuk do të lejonte hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza nga Izraeli, por se nuk do të pengonte ndihmën nga Egjipti.

    Më herët, Biden tha se i kërkoi kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, të cilin e takoi në Tel Aviv, pyetje të vështira dhe se ata diskutuan nevojat humanitare, ndihmën e sigurisë dhe informacionin për amerikanët e kërkuar.

    “Si mik i Izraelit, kam bërë pyetje të vështira. Ne do të vazhdojmë të ndjekim një politikë për të penguar çdo aktor që do të kërkonte të zgjeronte konfliktin,” shkroi Biden në një postim në rrjetin social X.

  • ​Dega e OVL-UÇK në Skenderaj organizon pritje madhështore për Gucatin

    ​Dega e OVL-UÇK në Skenderaj organizon pritje madhështore për Gucatin

    Dega e OVL-UÇK në Skenderaj ka organizuar sot pritje madhështore në sheshin e qytetit për të nderuar lirimin e ish-kryetarit të OVL të UÇK-së Hysni Gucati nga Haga.

    Gjatë ditës Gucati së bashku me familjen e tij kanë hapur dyert e shtëpisë për mysafirë dhe bashkëluftëtarë nga të gjitha trevat e Kosovës.

    Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati i liruar nga Haga, së bashku me bashkëluftëtarët e tij kanë bërë sot homazhe te varrezat dëshmorëve të familjes Gucati në Marinë, si dhe te varrezat e familjes së komandantit legjendar Adem Jashari në Prekaz.

    Ndryshe, Dhomat e Specializuara në Hagë kanë modifikuar dënimin ndaj Gucatit, duke i mundësuar atij lirimin nga burgu, nën disa kushte.

    Në maj 2022, Gucati së bashku me ish-nënkryetarin e OVL të UÇK-së Nasim Haradinaj u dënuan me katër vjet e gjysmë burgim për akuzat për pengim të drejtësisë, ndërsa më pas Apeli ua ulin dënimet për tre muaj.

    Që të dy u arrestuan më 5 shtator 2020 dhe që atëherë gjendeshin në mbajtje në Hagë.

    Ish-nënkryetari i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj, nuk është liruar me kusht nga burgu në Hagë si ish-kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati./KP

  • ​SHBA vendosi sanksione ndaj subjekteve të lidhura me Hamasin

    ​SHBA vendosi sanksione ndaj subjekteve të lidhura me Hamasin

    Qeveria e presidentit të SHBA-së Joe Biden prezantoi sot sanksione që synojnë ndërprerjen e financimit për Hamasin, duke synuar, ndër të tjera, “portofoli i investimeve sekrete të Hamasit”, një ndërmjetës financiar i lidhur me Iranin dhe një shkëmbim valutor virtual në Gaza.

    Sanksionet e vendosura sipas urdhrit ekzekutiv kundër terrorizmit synojnë nëntë individë dhe një entitet në Gaza dhe vende që përfshijnë Sudanin, Turqinë, Algjerinë dhe Katarin, njoftoi Departamenti i Thesarit i SHBA-së.

    “SHBA-ja po ndërmerr veprime të shpejta dhe vendimtare për të shënjestruar financuesit dhe ndërmjetësit e Hamasit pas masakrës brutale dhe të paarsyeshme të civilëve izraelitë, përfshirë fëmijët”, tha sekretarja e Thesarit, Janet Yellen.

    “Ne do të vazhdojmë të ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshëm për t’u mohuar terroristëve të Hamasit aftësinë për të mbledhur fonde dhe për t’i përdorur ato për të kryer krime dhe për të terrorizuar popullin e Izraelit,” shtoi ajo.

    Sanksionet e ministrisë vijnë pasi presidenti Biden viziton Izraelin dhe takohet me kryeministrin Benjamin Netanyahu.