ATV

Blog

  • Bërnabiq përfaqëson Serbinë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

    Bërnabiq përfaqëson Serbinë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

    Kryeministrja serbe Ana Bërnabiq do të përfaqësojë Serbinë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të hënën.

    Është paralajmëruar se seanca mund të jetë e mbyllur për publikun dhe këtë e ka kërkuar sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, “por ka pak mundësi që kjo të ndodhë”, shkruan gazeta serbe “Politika”.

    Si arsye për mbylljen e seancës për publikun, Guterres ka theksuar se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë ishin të dukshme në seancën e fundit, më 27 prill, dhe se ato u përdorën këtë për të paraqitur narrativa që nxisin jostabilitetin në rajon.

    Në mënyrë që seanca të jetë e mbyllur për publikun, një vendim i tillë do të kërkonte marrëveshjen e të paktën nëntë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe kjo, sipas gazetës serbe, “nuk është e mundur pa kompromis me Rusinë dhe Kinën”.

  • Kurti për kërkesat e Policisë: Na jepni edhe më shumë kohë që mos të bëjmë gabime

    Kurti për kërkesat e Policisë: Na jepni edhe më shumë kohë që mos të bëjmë gabime

    Kryeministri Albin Kurti tha se kërkesat e Policisë janë prioritet i qeverisjes së tij.

    Për këtë kategori ai tha se duhet të ketë kategorizime e klasifikime në mënyrë që mos të krijohet pabarazi.

    Për të adresuar të gjitha kërkesat, ai pohoi se u duhet edhe më shumë kohë, për siç tha të mos bëjnë gabime e të minimizohen defektet.

    Madje nga Shtimja ku morri pjesë në vënien e gurthemelit të një çerdhe, lavdëroi punën e Policisë së Kosovës.

    “Kjo është një çështje që ne e kemi konsideruar me prioritet. Duhet të kemi klasifikim që mos të krijojmë pabarazi. Na duhet edhe pak kohë që të mos bëjmë gabime që të shkaktojmë zhgënjime e pengesa”.

    “Edhe Ligji i Pagave na pati marrë kohë, por koha shtesë i’a ka vlejtur ngase i kemi minimizuar defektet”.

    “Ju sigurojmë që po bëjmë krejt çka mundem e di. Polica është në nivel të detyrë dhe padyshim që e ka mbështetjen e Qeverisë së Kosovës. Na jepni edhe më shumë kohë që mos të bëjmë gabime”.

    Çfarë kërkon Policia?

    5 mijë e 623 policë të Policsë së Kosovës, kanë dhjetë kërkesa specifike për shtetin, dhe paralajmërojnë se është koha e fundit që ato të rezlizohen.

    Kërkesat e tyre janë të renditura më poshtë:

    1. Ligji i pagave;

    2. Shtesa e rrezikshmërisë në punë;

    3. Shtesa për punë të veçantë;

    4. Klasifikimi në koeficient për stafin civil;

    5. Shujta mujore;

    6. Shpërblimi pë fund vit për performancë të mirë;

    7. Tre paga përcjellëse për të pensionuarit;

    8. Zbritja e përvojës së punës nga 0.5 në 0.25 për 15 vitet e para;

    9. Sigurimi shëndetësorë dhe jetësor;

    10. Ligji për pensionim në Policinë e Kosovës

  • Biden paralajmëron Putinin: Nëse sulmon aleatët tanë në NATO, do të kemi trupat amerikane në Rusi

    Biden paralajmëron Putinin: Nëse sulmon aleatët tanë në NATO, do të kemi trupat amerikane në Rusi

    Presidenti amerikan, Joe Biden, ka kërcënuar homologun rus, Vladimir Putin, që të mos prekë as edhe një centimetër të NATO-s, përndyrshe do ta paguajë shtrenjtë.

    “Për 75 vite, NATO ka ruajtur paqen në Europë, ka qenë guri i themelit të sigurisë amerikane. Dhe nëse Putini sulmon një aleat në NATO do të mbrojmë çdo centimetër të NATO-s, siç kërkon traktati. Do të kemi diçka që nuk e duam. E bëjmë të qartë që nuk e duam… nuk kërkojmë të kemi trupat amerikane duke luftuar në Rusi ose duke luftuar kundër Rusisë”, tha Biden gjatë një fjalimi përpara kombit amerikan, pas vizitës së tij në Izrael.

    “Historia na ka mësuar se kur terroristët nuk e paguajnë për terrorin e tyre, kur diktatorët nuk e paguajnë për agresionin e tyre, ata shkaktojnë më shumë kaos dhe vdekje dhe më shumë shkatërrim.

    Ata nuk ndalen dhe kostot dhe kërcënimet ndaj Amerikës dhe botës vetëm sa shtohen”, shtoi presidenti amerikan.

    “Kështu që nëse nuk e ndalojmë oreksin e Putinit për fuqi dhe kontroll në Ukrainë, ai nuk do të kufizohet vetëm te Ukraina. Putini ka kërcënuar duke i kujtuar Polonisë që tokat e saj perëndimore ishin dhuratë nga Rusia. Një prej këshilltarëve të tij kryesorë, një ish-president i Rusisë, ka quajtur Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë, provincat baltike të Rusisë. Këta janë të gjithë aleatë në NATO”.

    Biden deklaroi gjithashtu se suksesi i Izraelit dhe Ukrainës në luftërat e tyre është jetik për sigurinë e Shteteve të Bashkuara. Për këtë arsye, Biden kërkoi një angazhim të administratës amerikane për këto dy konflikte, teksa u zotua se do t’i kërkojë Kongresit paketa ndihme miliarda dollarëshe.

    “Nëse agresioni ndërkombëtar lejohet të vazhdojë, konflikti dhe kaosi mund të përhapen në pjesë të tjera të botës. Hamasi dhe Putini përfaqësojnë kërcënime të ndryshme, por ata kanë një të përbashkët. Ata duan të asgjësojnë plotësisht një demokraci fqinje”, tha Presidenti Biden.

    Kreu i Shtëpisë së Bardhë shpjegoi se kjo ishte arsyeja kryesore pse në ditët në vijim do t’i dërgonte Kongresit një kërkesë urgjente për financim me vlerë 105 miliardë euro.

    Fjalimi i Presidentit Biden vjen një ditë pas udhëtimit në Izrael, ku ai tregoi solidaritet me betejën e këtij vendi kundër Hamasit ndërsa bëri thirrje për më shumë ndihma humanitare për palestinezët në Rripin e Gazës.

  • Konjufca priti në takim ambasadoren e re jorezidente të Kanadasë në Kosovë, Jessica Blitt

    Konjufca priti në takim ambasadoren e re jorezidente të Kanadasë në Kosovë, Jessica Blitt

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga shefi i Kabinetit, Ilir Kërçeli dhe këshilltarët, ka pritur sot në takim ambasadoren e re jorezidente të Kanadasë në Kosovë, Jessica Blitt.

    Gjatë takimit u bisedua për zhvillimet aktuale në vend e rajon, marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore dhe bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Kanadasë, si dhe për planet e përbashkëta në funksion të forcimit të mëtejshëm të raporteve dypalëshe.

    Me këtë rast, Kryetari Konjufca e uroi ambasadoren Blitt për detyrën e re dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e Kanadasë në shtetndërtimin dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, duke kërkuar njëherësh vazhdimin e përkrahjes ndaj shtetit tonë në rrugën e integrimeve euroatlantike.

    Ambasadorja Blitt e falënderoi Kryetarin Konjufca për pritjen dhe ritheksoi gatishmërinë e shtetit të Kanadasë për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme dhe avancimin e marrëdhënieve me Republikën e Kosovës.

  • ​PDK e dërgon në Kushtetuese Ligjin për Këshillin e Pavarur për Shërbimin Civil

    ​PDK e dërgon në Kushtetuese Ligjin për Këshillin e Pavarur për Shërbimin Civil

    Partia Demokratike e Kosovës po kërkon nga Kushtetuesja interpretimin për ligjshmërinë e Ligjit për Këshillin e Pavarur për Shërbimin Civil të Kosovës. Sipas kësaj partie, ndryshimet që janë bërë në këtë ligj, e kanë kapur këtë organ të pavarur. Në konferencë për media, avokati i PDK-së, ka numëruar katër shkeljet, që sipas tij, nuk kalojnë testin e kushtetutshmërisë.

    Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në PDK, Përparim Gruda tha se pushteti po tenton që legjitimojë punësimet politike në këtë këshill.

    “Ne në fillim të këtij mandati e kemi kontestuar shkarkimin e anëtarëve të këtij këshilli në Gjykatë Kushtetuese. Dhe Gjykata Kushtetuese na ka dhënë të drejtë dhe ka përcaktuar disa aspekte shumë të rëndësishme të funksionimit të statusit kushtetues të këtij institucioni. Fatkeqësisht ky ligj i shkel ato përcaktime kushtetuese që ka bërë gjykata në atë vendim paraprak, prandaj ne sot e kemi kontestuar prapë ndryshimet në këtë ligj. Ndryshime të cilat, dua të them në emër të PDK-së, që kanë vetëm një qëllim ta nënshtrojnë dhe ta kapin organin e pavarur kushtetues, Këshillin e Pavarur për Shërbyer Civil. Në mënyrë që ai të kthehet në një mekanizëm që i legjitimon, i përkrah, nuk i ndalon punësimet politike, partiake të militantëve, të familjarëve të qeveritarëve të Kosovës”, tha ai.

    Ai shtoi se PDK nuk do të heq dorë nga respektimi i Kushtetutës, ani pse siç tha ai, po sulmohen nga qeveria.

    “Për më tepër ata duan ta zhveshin këtë organ nga kompetencat e tij kushtetuese, në një rrugë jo kushtetuese. Prandaj, ne si PDK, nuk do ta lejojmë këtë edhe ai premtimi që e kemi dhënë gjithmonë se sa herë kemi dilema për ligjet, do i dërgojmë në Kushtetuese, do të mbahet dhe po mbahet. Po e them në emër të PDK-së, që përkushtimi themelor që duhet të ketë çdo parti politike në Kosovë, është mbrojtja e Kushtetutës së Kosovës”, shtoi ai.

    Gruda u pyet edhe në lidhje me vendimin e presidentes, Vjosa Osmani për mos dekretimin e kryeprokurorit të shtetit

    “A do të shkojë rasti në Gjykatë Kushtetuese, kjo nuk varet vetëm nga PDK. PDK ka vullnet të plot, kjo varet edhe nga fakti i deputetëve të partive të tjera që duhet të ofrojnë nënshkrime, sepse dihet që kërkohen 30 nënshkrime për ta referuar çështjen. Nëse ato nënshkrime mblidhen dhe do të ketë vullnet nga partitë tjera, PDK do të punojë që ky rast të mbërrijë në Gjykatë Kushtetuese”, u përgjigj Gruda.

    Avokati i PDK-së, Faton Fetahu tha se ka marrë nënshkrimet dhe autorizimin e kësaj partie për të ngritur vlerësimin e kushtetutshmërisë të Ligjit të KPMShCK-së.

    “Janë katër shkelje serioze të cilat besoj që i kemi argumentuar dhe besojmë që do ta ndjekim edhe procesin në vijim përmes komunikimeve në gjykatë. Dhe jam i bindur që si të tilla nuk e kalojnë dot testin e kushtetutshmërisë. Cilat janë ato? Së pari mazhoranca apo shumica parlamentare zgjodhi që përmes plotësim-ndryshimit që i bëri Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës në radhë të parë propozoi zhveshjen nga imuniteti për të gjithë anëtarët e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës. Çfarë nënkupton është se imuniteti është një instrument kushtetues të cilën kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese ia ka njohur Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës dhe ky paraqet instrument kushtetues të mbrojtjes të anëtarëve të këshillit që për vendimet dhe veprimet e tyre të mos dalin para përgjegjësisë penale ose civile, siç ju njihet imuniteti funksional edhe deputetëve, anëtarëve të qeverisë edhe presidentit. Tani imuniteti i tillë me këtë ligj u është hequr”, theksoi Fetahu.

    Sipas tij, shumica parlamentare ka propozuar që të përjashtohen nga fushëveprimi i kontrollit të ligjshmërisë nga ana e këshillit, pozitat e nivelit të lartë drejtues.

    “Janë mijëra pozita të nivelit të lartë drejtues që kjo qeveri dhe kjo shumicë parlamentare po i përjashton nga fushëveprimi i kontrollit të ligjshmërisë nga ky institucion, në mënyrë që të mundësojë në procedura të shpejta kapjen dhe nënshtrimin e institucioneve përmes kapjes dhe nënshtrimit të pozitave kyçe në administratë. E treta është rritja absurde e numrit të anëtarëve të këtij institucioni nga 7 në 15, sikur edhe shpërfaq, pa qenë fare juristë, se kjo rritje e numrit vetëm ka për qëllim që të çojë disa militantë partiakë në këshill, në një institucion të pavarur profesional, në mënyrë që të sigurohet që të ketë mbivotim në proceset dhe çështjet që ngrihen përballë vendimmarrjes së qeverisë”, përfundoi ai.

    Partia Demokratike e Kosovës konsideron se shkelja e katërt që është bërë në këtë ligj, është pezullimi i efektit të zbatimit të vendimeve të këshillit, nëse të njëjtit atakohen nga ana e palëve në gjykatë. Avokati Fetahu tha se kjo tregon që kur qeveria është në palë në këshill, ai vendim të mos ekzekutohet. /KP

  • KRU “Prishtina”: Autoboti për shpërndarje të ujit është vendosur në Graçanicë

    KRU “Prishtina”: Autoboti për shpërndarje të ujit është vendosur në Graçanicë

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” njofton se ka vendosur një autobot me ujë në Graçanicë, që nga ora 9:00 e mëngjesit të sotëm (e premte), për të shpërndarë ujë të pijes për qytetarët.

    “Ju njoftojmë se auto boti është i stacionuar në Graçanicë që nga ora 09:00”, thuhet në njoftim.

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u ka bërë thirrje të enjten në orët e vona qytetarëve të cilët furnizohen nga Fabrika e ujit në liqenin e Badovcit që të mos përdoret uji për pije dhe përgatitje të ushqimit, pasi që analizat e mostrave të ujit në rezultatet laboratorike kanë treguar se ka vlera të rritura të manganit.

    IKSHPK ka bërë të ditur se ka ngritur shkallën e gatishmërisë dhe kontrollit të cilësisë së ujit për pije në zonën e mbulueshmërisë dhe se mos përdorimi i ujit për pije dhe përgatitje të ushqimit do të vlejë deri në njoftimin e radhës.

  • Shqiptarët në Amerikë protestojnë para OKB-së, kërkojnë që Serbia të mbahet përgjegjëse

    Shqiptarët në Amerikë protestojnë para OKB-së, kërkojnë që Serbia të mbahet përgjegjëse

    Të hënën, shqiptarët do të mblidhen para selisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York.

    Ata do të protestojnë kundër pjesëmarrjes së presidentit serb në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që është paraparë të mbahet më 23 tetor.

    Përmes kësaj proteste, shqiptarët në Amerikë po kërkojnë që Serbia të mbahet përgjegjëse për krimet e luftës dhe sulmin terrorist në Banjskë. Protestën e ka organizuar Mark Gjonaj, anëtar i Këshillit bashkiak të New Yorkut, me mbështetjen e plot shoqatave të tjera shqiptaro-amerikane.

    Temë kryesore në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që do të mbahet do të jetë sulmi terrorist në Banjskë. Kosovën do ta përfaqësojë presidentja e vendit, Vjosa Osmani, dhe për Serbinë medias serbe patën raportuar se i pranishëm në Këshill do të ishte Aleksandër Vuçiq, megjithatë ditë më vonë kanë raportuar se e përfaqëson kryeministrja Ana Bërnabiq.

  • Shpenzimet e partive politike për tre muajt e fundit, prin VV-ja me 330 mijë euro

    Shpenzimet e partive politike për tre muajt e fundit, prin VV-ja me 330 mijë euro

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i ka publikuar raportet financiare për tremujorin e tretë të vitit për partitë politike në Kosovë.

    Sipas raporteve të publikuara nga KQZ-ja, për shpenzime nga muaji korrik deri në shtator prin Lëvizja Vetëvendosje me 330 mijë e 599.3 euro.

    E dyta për nga shpenzimet është Partia Demokratike e Kosovës me 164 mijë e 358.7 euro, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 142 mijë e 421.05 euro dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 61 mijë e 666.25 euro.

    Shpenzimet më të mëdha, VV-ja i pati për paga dhe mëditje, ku për to shpenzoi mbi 193 mijë e 472 euro, ndërsa për qira të zyrave shpenzoi 54 mijë e 291 euro, teksa për shpenzime komunale, telefon dhe internet shpenzoi 6 mijë e 514 euro, e që në total për kategorinë e “shpenzimeve të përgjithshme” te VV-ja u shpenzuan 254 mijë e 378 euro.

    Për shpenzimet e transportit, VV-ja shpenzoi 13 mijë e 619 euro, ndërsa për blerje të mallrave shpenzoi 44 mijë e 220 euro.

    Partia në pushtet pati edhe shpenzime të përfaqësimit, ku për kategori u shpenzuan 12 mijë e 410 euro, ndërsa për investime dhe logjistikë i shpenzoi vetëm 339 euro, teksa në kategorinë “shpenzime të tjera”, VV-ja i dha 5 mijë e 630 euro.

    Edhe për Partinë Demokratike të Kosovës, shpenzimet më të mëdha gjatë tremujorit të tretë shpenzimet më të mëdha ishin në paga, ku për këtë kategori i shpenzoi 141 mijë e 28 euro

    Për mallra dhe shërbime, PDK-ja pagoi 19 mijë e 508 euro, ndërsa për shpenzime të udhëtimit, partia më e madhe opozitare pagoi 4 mijë e 930 euro.

    Shpenzimet për shërbime, PDK-së i kushtuan 3 mijë e 615 euro, kurse ato për blerje të tjera të mallrave dhe shërbimeve patën koston e 3 mijë e 661 eurove.

    1 mijë e 200 euro, PDK-ja i dha edhe për kategorinë “llogaritë përllogaritëse për avance”, për shërbime të regjistrimit dhe sigurimeve 375 euro, për mirëmbajtje dhe riparime të tjera 1 mijë e 463 euro, ndërsa për qira u dhanë 1 mijë e 453 euro.

    Për dreka zyrtare, PDK-ja shpenzoi 2 mijë e 827 euro, kurse për shpenzime komunale 2 mijë e 983 euro, teksa për shpenzime komunale dhe shpenzime të ndryshme 700 e 39 euro.

    Edhe LDK-ja përgjatë tre muajve më së shumti shpenzoi për paga, ku i dha 88 mijë e 759 euro, ndërsa mallrat dhe shërbimet gjatë muajve korrik, gusht dhe shtator, LDK-së i kushtuan 52 mijë e 954 euro.

    Për shpenzime dhe shërbime, LDK-ja i dha 40 mijë e 298 euro, ndërsa për shërbimet e telekomunikimit 853 euro.

    Lëndet djegëse dhe blerjet e tjera të mallrave dhe shërbime, LDK-së i kushtuan 3 mijë e 647 euro, respektivisht 1 mijë e 634 euro.

    Llogaritë përllogaritëse për avance te LDK-ja patën koston e 1 mijë e 128 eurove, ndërsa shërbimeve e regjistrimit dhe sigurimit 647 euro, ndëras për mirëmbajtje dhe riparime të tjera u dhanë 169 euro.

    Qiraja për zyrat e LDK-së kushtoi 4 mijë e 576 euro, ndërsa shpenzimet komunale 706 euro.

    Më së paku shpenzime për tremujorin e tretë pati AAK-ja, ku më së shumti para u dhanë për paga, 48 mijë e 162 euro.

    Për shpenzime dhe shërbime AAK-ja i dha 1 mijë e 433 euro, ndërsa për blerje të mallrave dhe shërbimeve 2 mijë e 136 euro.

    Shpenzimet pa kategori, AAK-ja pati 8 mijë e 25 euro, ndërsa për shpenzime komunale 1 mijë e 908 euro.

  • Përpjekje të reja perëndimore për rinisjen e dialogut, Kosova s’i beson më formatit të mëparshëm

    Përpjekje të reja perëndimore për rinisjen e dialogut, Kosova s’i beson më formatit të mëparshëm

    I ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i shoqëruar nga këshilltarët e lartë të udhëheqësve të Gjermanisë, Francës dhe Italisë dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Gabriel Escobar, qëndrojnë të shtunën më 21 tetor në Kosovë e Serbi. Ata takojnë ndaras dy udhëheqësit e dy vendeve, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në përpjekje për të rinisur procesin e dialogut me synim përmirësimin e marrëdhënieve, sidomos pas sulmit të 24 shtatorit kundër policisë së Kosovës në veri.

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se qëllimi i vizitës është përparimi në zbatimin e marrëveshjeve.

    “Qëllimi i kësaj vizite është arritja e një përparimi konkret në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe shtensionimin pas zhvillimeve të fundit”, tha Stano, raporton DW.

    Sipas tij, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë mbështetës të mëdhenj të procesit të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe të ardhmes evropiane të të gjithë rajonit.

    Zëdhënësi Stano, tha se BE-ja ka “pritje të qarta nga palët që të vazhdojnë procesin e normalizimit dhe të përmbushin pa vonesa dhe pa kushte detyrimet e tyre”.

    Kosova nuk i beson më dialogut në formatin e mëparshëm

    Nga ana e Kosovës duket se mungon besimi tek formati i mëparshëm i dialogut. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u shpreh, se procesi i dialogut me Serbinë duhet të “ridizajnohet” pas sulmit të 24 shtatorit, duke ritheksuar thirrjen e Prishtinës zyrtare “për sanksionimin e Serbisë dhe përparësinë që duhet t’i jepet sigurisë në Kosovë’.

    “I gjithë procesi i dialogut duhet të ridizajnohet, nëse mund ta quaj kështu, në atë mënyrë që merret parasysh 24 shtatori. Nëse injorohet 24 shtatori, e injorohet shkelja e nenit 3 të marrëveshjes, që kërkon që asnjëra palë të mos e përdorë dhunën si mjet apo të kryejë akte agresioni kundër tjetrës, atëherë, vërtetë dëmi më i madh i bëhet vetë procesit të dialogut. Dëmi më i madh i bëhet edhe paqes e stabilitetit në rajon”, ka thënë Presidentja Osmani në një intervistë për mediumin lokal KTV.

    Edhe kryeministri Kurti thotë se në lidhje me dialogun, se “ai nuk mund të vazhdojë sikur të mos ketë ndodhur asgjë më 24 shtator”. Pas një takimi që zhvilloi me Kryesuesin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit gjerman, Michael Roth, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që u mbajt Tiranë, Albin Kurti, tha se “Kapitulli i ardhshëm i dialogut për normalizim duhet ta ketë parasysh veprimin agresor të Serbisë përmes sulmit terrorist të 24 shtatorit”.

    “Qasja në proces duhet të jetë e balancuar, të respektohet dhe zbatohet në plotni Marrëveshja Bazike dhe aneksi i saj. Serbia të zmbrapset nga refuzimi publik dhe faktik i pjesëve të Marrëveshjes Bazike, të cilat kanë të bëjnë me njohjen de-facto të Kosovës dhe integritetin tonë territorial”, ka thënë kryeministri Kurti.

    Në lidhje me këtë marrëveshje i dërguari i qeverisë gjermane për Ballkanin, Manuel Sarazin, ka thënë se “marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit janë ligjërisht ende funksionale, mirëpo nevojitet një ripërkushtim politik i Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e tyre”.

    “Ne besojmë fuqishëm se nuk është ide e mirë të fokusohemi vetëm në de-përshkallëzimin, në të njëjtën anë, ne duhet gjithashtu të përpiqemi që Marrëveshja e Ohrit të zbatohet përsëri, dhe të bëjmë një shtytje të mëtejshme për të marrë përsëri rezultatin e përgjithshëm pozitiv atje. Dhe kjo është ajo që mund të prisni nga Gjermania dhe nga Bashkimi Evropian, që edhe tani, dhe veçanërisht tani, do të përpiqemi të bëjmë një shtytje të re për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit në terren nga të dyja palët, dhe ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të jenë konstruktive dhe pozitive në këtë proces”, është shprehur Sarrazin për mediumin lokal KosovaPress.

    “Dialogu nuk ka kuptim pa qëndrim të qartë nga ana Serbisë”

    Vizita e emisarëve perëndimorë në Kosovë e Serbi vlerësohet pozitivisht në Kosovë. Njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani, tha për DW-në, se shpreson që ‘emisarët perëndimorë, do të vijnë me një propozim të ri që të plotësohet marrëveshja e Ohrit”.

    “Situata dhe rrethanat kërkojnë urgjencë në gjetjen e një zgjidhje përfundimtare në njohjen reciproke. Pas ngjarjes se 24 shtatorit, dialogu nuk ka kuptim pa qëndrim të qartë nga ana Serbisë, njohjen de jure të Kosovës, pra një pako e re për ta plotësuar Marrëveshjes e Ohrit. Nëse asgjë e re nuk ndodh dhe s’ka propozim të qartë dhe final, nuk ka kuptim më. Kosova ka mundur shumë lehtë të rrëshqas në një konflikt të gjerë, pra të hapur me pasoja të mëdha”, thotë Blerim Burjani.

    Nga ane e tyre ShBA përmes ambasadorit në Prishtinë, Jeff Hovenier, thanë se “zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është një nga mënyrat për të rritur sigurinë e Kosovës”, dhe se sulmi i 24 shtatorit tregoi se nuk ka kohë më për të humbur.

    Autoritet e Kosovës e akuzojnë Serbinë për organizimin e sulmit të 24 shtatorit ndaj policisë në fshatin Banjskë në veri, ku u vra një oficer policie dhe tre nga sulmuesit. Autoritetet e Beogradi kanë mohuar çfarëdolloj lidhje me grupin e armatosur që kreu sulmin, përgjegjësinë për të cilin e mori Milan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe.

  • Ballkani Perëndimor, temë në samitin ShBA-BE, a do të përmendet Kosova?

    Ballkani Perëndimor, temë në samitin ShBA-BE, a do të përmendet Kosova?

    Situata në Ballkanin Perëndimor dhe angazhimi i përbashkët në këtë rajon do të jetë një prej temave të samitit mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian që zhvillohet më 20 tetor në Uashington.

    Kështu konfirmuan për Radion Evropa e Lirë burimet në Bruksel, duke thënë se në konsultimet me partnerët amerikanë është përmendur edhe Ballkani Perëndimor si temë e samitit.

    Megjithatë, burimet diplomatike thanë se kësaj teme nuk pritet që liderët e SHBA-së dhe BE-së t’i kushtojnë shumë kohë në samit, pasi aty do të diskutohet për dy krizat më të mëdha në botë aktualisht, përkatësisht për luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe konfliktin mes Izraelit dhe militantëve palestinezë të Hamasit. Po ashtu, vëmendje do të marrin edhe raportet tregtare me Kinën.

    Gjithsesi, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë – që ndërmjetësohet nga BE-ja dhe mbështetet nga SHBA-ja – situata në Bosnje e Hercegovinë dhe situata e përgjithshme në Ballkanin Perëndimor janë tema që kërkojnë kujdesin e përbashkët të Uashingtonit dhe Brukselit.

    Një ditë pas mbajtjes së samitit në Uashington, në Kosovë dhe Serbi do të nisin vizitën i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me kolegët e tij nga Gjermania, Franca dhe Italia. Vizita e përfaqësuesve ndërkombëtarë synon të ringjallë dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Në BE thonë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që SHBA-ja të mbështesë dialogun Kosovë-Serbi, por edhe rolin udhëheqës të BE-së si lehtësues në këtë proces.

    Samiti SHBA-BE është i pari që zhvillohet pas më shumë se dy vjetësh. Nikoqir i takimit të së premtes do të jetë presidenti amerikan, Joe Biden, ndërkaq nga BE-ja në këtë samit do të marrin pjesë presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

    Në këtë takim pritet të shprehet mbështetja e përbashkët për luftën e Ukrainës kundër agresionit rus.