ATV

Blog

  • Vuçiq me version ndryshe pas takimit me liderët e BE-së: Nuk bëhej fjalë për nënshkrim, por për zbatim

    Vuçiq me version ndryshe pas takimit me liderët e BE-së: Nuk bëhej fjalë për nënshkrim, por për zbatim

    Presidenti i Serbisë, Alaksandar Vuçiq, pas takimit me liderët e BE-së në Bruksel, u tha gazetarëve se në këtë takim, nuk bëhej fjalë për nënshkrim të ndonjë marrëveshjeje, por për zbatim të marrëveshjes së Ohrit, njofton gazetarja e ATV-së, Teuta Arifaj, drejtpërdrejt nga Brukseli.

    “Nuk bëhej fjalë sot për nënshkrim të marrëveshjeve, sepse ato çështje u kryen në Ohër e para Ohrit. Atëherë u nënshkrua nga te gjitha palët. Kjo duhet përmbushur, por nuk është përmbushur asnjë marrëveshje tash e 10 vjet”, u tha Vuçiq gazetarëve.

    Ai shtoi se është i gatshëm të nënshkruajë gjithçka, përpos njohjes së Kosovës.

    “Unë jam i gatshëm të nënshkruaj gjithçka, përpos asaj që De Facto a De Juro çon në njohje të Kosovës. Ketë vazhdimisht po ua them. Nuk behët fjalë për nënshkrim, por zbatim”, tha Vuçiq.
    Ai foli edhe sanksionet, duke thënë se askush nuk i ka përmendura atij sanksione kundër Serbisë. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni në emisionin CONTEXT në ATV, ku do të ketë edhe lidhje direkte nga Brukseli, nga gazetarja Teuta Arifaj.

  • Nis ndërtimi i bulevardit të ri në Vushtrri

    Nis ndërtimi i bulevardit të ri në Vushtrri

    Përgatiti: Sara Shehu

    Në qytetin e Vushtrrisë është vënë gurthemeli për rregullimin e bulevardit.

    Për këtë projekt, i cili konsiderohet një nga investimet më të mëdha në qytet, kryetari i komunës, Ferit Idrizi, tha se kanë ndarë afro tre milionë euro.

    “Është një investim kapital që mbërrin vlerën afër tre milionë euro që është sheshi i qytetit, ku do të jetë me të gjitha komponentët dhe standardet që kërkohen nga qytetarët”, tha Idrizi.

    Tutje, Idrizi ka bërë të ditur se në kuadër të projektit do të investohet edhe në rritjen e numrit të parkingjeve, ngaqë kjo ka qenë një telash i kamotshëm për qytetarët.

    “E kemi vlerësuar si projektin më të rëndësishëm për arsye se sheshi i qytetit do të lidhë edhe pjesë tjera dhe do të lidhet edhe tregu i qytetit, ku do të hapë perspektivë për të gjitha bizneset që janë këtu. Arsyeja pse kemi dashur të kemi edhe parkingun nëntokësor këtu, është pikërisht që këto biznese që janë afër këtu, të kenë qarkullim sa më të madh. Do të lidhë edhe Kalanë e Qytetit”, tha Idrizi.

    Një projekt të tillë po e mirëpresin edhe vushtrriasit.

    “E përgëzojmë komunën për këtë projekt, është i qëlluar, urojmë më të mirat se ky projekt ka qenë i nevojshëm. Ndërkohë, urojmë të bëhet zgjidhje edhe për njerëzit që punojnë këtu në shesh”, tha Enver Pushkolli, qytetar.

    Sipas zyrtarëve komunalë, ndërtimi i bulevardit të qytetit pritet të përfundojë në vitin e ardhshëm.

  • Policia e Kosovës do ta paditë qeverinë për mosekzekutimin e shtesave

    Policia e Kosovës do ta paditë qeverinë për mosekzekutimin e shtesave

    Përgatiti: Kenare Mulliqi

    Që nga muaji shkurt zyrtarët policorë të Kosovës janë duke e pritur Qeverinë ta bëjë ekzekutimin e shtesave të rrezikshmërisë në punë, ashtu siç iu takon me ligj, megjithatë as pas nëntë muajve nuk do t’i marrin ato.

    Kështu të paktën thonë në Sindikatën e Policisë së Kosovës.

    Për këtë arsye, kjo Sindikatë ka vendosur ta paditë shtetin, për mosekzekutimin e shtesave, të cilat u premtuan se do t’i marrin në formë retroaktive.

    Kryetari Imer Zeqiri thotë se janë në përgatitje e sipër të padisë.

    Televizioni ka pyetur Ministrinë e Financave dhe atë të Punëve të Brendshme, nëse ekzekutimi i shtesave për nëntë muaj punë do të bëhet shpejt dhe nëse kjo do të realizohet në mënyre retroaktive, por këto dy institucione kanë zgjedhur të mos përgjigjen.

    Megjithatë, në emër të tyre foli deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, që është edhe anëtar i Komisionit për Siguri, Mefail Bajqinovci, i cila tha se policët do t’i marrin shtesat për rrezikshmëri brenda këtyre dy muajve.

    Por, as Bajqinovci nuk e di nëse zyrtarët policorë do t’i marrin paratë e shtesave të gjitha përnjëherë.

    Veç policëve, shtesa që nga maji shkurt nuk kanë marrë as punëtorët e sektorit publik, puna e të cilëve llogaritet me rrezikshmëri sipas Ligjit për Paga.

  • S’ka marrëveshje në Bruksel, Vuçiq sërish refuzoi të nënshkruajë

    S’ka marrëveshje në Bruksel, Vuçiq sërish refuzoi të nënshkruajë

    Pas takimit në takimit në Bruksel me krerët e Bashkimit Evropian, Qeveria e Kosovës ka lëshuar një komunikatë për media, përmes të cilës njofton se nuk ka marrëveshje, për shkak së presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka refuzuar të nënshkruajë.

    “Kryeministri Kurti rikujtoi që ai ishte i gatshëm të nënshkruaj edhe në Bruksel më 27 shkurt 2023 edhe në Ohër më 18 mars 2023, edhe sonte, më 26 tetor 2023, duke theksuar që pikërisht Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel është ngjarja e duhur, në vendin e duhur për nënshkrim të Marrëveshjes Bazike, përfshirë edhe draftin e ofruar nga BE-ja dhe ShBA- të për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike. Përkundër kësaj oferte gjeneroze të Kryeministrit Kurti, Presidenti i Serbisë, Vuçiq, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët me 21 tetor 2023”, thuhet në komunikatë.

    Në takimin me krerët e BE-së, kryeministri Kurti përmendi edhe sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku theksoi se pas këtij sulmi, prioritet për të është siguria në Kosovë.

    “Në takimin e sotëm, me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Sholc, me Presidentin e Francës, Emanuel Makron, Kryeministren e Italisë, Xhorxhia Melloni, Presidentin e Këshillit Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë Xhosep Borrell, si dhe emisarin e tij Mirosllav Evropian, Sharl Mishel, zëvendës Presidentin e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesin e Lajçak, Kryeministri Kurti i falënderoi të gjithë ata për rolin, angazhimin dhe kontributin për paqe dhe normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri Kurti theksoi që, pas sulmit të agresionit të 24 shtatorit, në Zveçan, prioritet për të është siguria në Kosovë, në veçanti siguria e kufirit me Serbinë, meqë nga ana tjetër erdhën paramilitarët të cilët kryen sulm terrorist e kriminal duke vrarë e plagosur policë të Kosovës. Që kjo të mos përsëritet kurrë më nevojiten sanksione dhe ndëshkim për Serbinë”, thuhet më tej në komunikatë. /atvlive.tv

  • Modelet e propozuara të asociacionit karshi kushtetutës

    Modelet e propozuara të asociacionit karshi kushtetutës

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Bashkimi Evropian ka konfirmuar se ka një propozim “model modern evropian” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, apo formën e vetëmenaxhimit të komunitetit serb, që është në tavolinën e dialogut Kosovë – Serbi.

    Për diskutim, jo-zyrtarisht, si opsione janë përmendur modeli i komunitetit suedez në Finlandë dhe ai komunave me shumicë gjermane në Belgjikë.

    Kushtetuta e Finlandës njeh suedishten si gjuhë zyrtare në institucione.

    Po ashtu, suedezëve në Finlandë u takon e drejta e marrjes së shërbimeve në gjuhën e tyre – krahas aspekteve të tjera edukative e kulturore.

    “Modelin finlandez, të cilin e përmendët, pozita e suedezëve, më shumë i ofrohet modelit kulturor, sepse garantohen më shumë të drejtat në arsim, në shëndetësi, të drejtat në mbrojtjen e identitetit kulturor”, tha profesori Arsim Bajrami.

    Shumë më i strukturuar dhe i organizuar është modeli i komunave gjermane në Belgjikë, që pos organeve ekzekutive e legjislative, ka një territor kompakt të koncentruar në rajonin lindor dhe buxhet të veçantë.

    “Modeli gjerman në Belgjikën lindore i cili përfshin 11 komuna, është më tepër model territorial, sepse ngërthen në vete një status bukur të avancuar, në një territor që janë 11 komuna. 11 komuna që kufizohen me Luksemburgun, Holandën dhe Gjermaninë dhe të cilat kanë një strukturë të veten. Kanë një qeveri, kanë një parlament, kanë një ministër-president që në fakt është përfaqësues”, tha Bajrami.

    Komuniteti gjermanfolës në Belgjikë ka një ministër president, përgjegjës për autoritetet lokale dhe financat; një zëvendësministër president për shëndetësi, çështje sociale, zhvillim rajonal dhe çështje të banimit; një ministër për kulturë, sport, punësim dhe media; si dhe një ministër për edukim dhe shkencë.

    Parlamenti me 25 anëtarë, ka presidentin, byronë dhe byronë e zgjeruar që kanë funksione organizative dhe përgatitore, si dhe anëtarët me funksion këshillues.

    Ky organizim ka administratën, si dhe ombudspersonin ose avokatin e popullit.

    Krahas vlerësimit se Kushtetuta e Kosovës i tejkalon në këto modele, në raport me të drejtat e pakicave, hartuesi i saj, profesori Arsim Bajrami, theksoi nevojën për këmbëngulje në klauzolën e vlerësimit paraprak nga Gjykata Kushtetuese.

    Krahas çfarëdo modeli që eventualisht mund të pranohet dhe themelohet, profesori Bajrami, po ashtu, theksoi nevojën për adaptimin e legjislacionit shtesë për të siguruar kontroll permanent dhe intervenim, për të mos lejuar Asociacionin të dalë jashtë rendit kushtetues.

  • Protestojnë banorët e “Kalabrisë”, kundërshtojnë vendimin e Gjykatës Komerciale për ndërprerjen e punimeve në “Rrugën A”

    Protestojnë banorët e “Kalabrisë”, kundërshtojnë vendimin e Gjykatës Komerciale për ndërprerjen e punimeve në “Rrugën A”

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Banorët e lagjes “Kalabria” në kryeqytet, me protestë kanë kundërshtuar pezullimin e punimeve në projektin “Rruga A”.

    Ata thonë se me vite të tëra kanë pritur të nisin punimet në këtë rrugë, të cilat nuk zgjatën edhe shumë.

    Pezullimi i punimeve, sipas banorëve, po ndikon drejtpërdrejt në jetën e tyre.

    “Na si banor jemi brengosur shumë për këtë punë se na është cenu një e drejtë e shëndetit së pari. Se ka shumë fekale edhe brejtës”, tha Hilmi Halili, organizator i protestës.

    “Prej 74-ës, jetoj këtu, kemi shpresu që po bëhet më mirë, por tash punimet janë pezulluar, s’po e dimë as pse i kanë ndërpre punët. Është tepër e vështirë, sidomos verës”, tha Ferit Ahmeti, banor.

    “Këtu është katastrofë, kjo i mbledh krejt kanalizimet, ka shumë fekale, era është shumë keq, shumë e randë”, tha Hilmi Krasniqi, banor.

    Kompania e kontraktuar, “Sallahu Shpk”, ditë më parë tha për ATV-në, se do t’i drejtohet gjykatës komerciale, me një ankesë, meqenëse, sipas saj, vendimi për pezullim është i njëanshëm.

    Ndërkaq, projekti ishte cilësuar si projekti më i madh i dekadës së fundit në kryeqytet, e që pjesa e parë e rrugës “Jim Xhema”, është paraparë të kushtojë 8.4 milionë euro.

  • Pushteti sërish nuk qëndron në sallë, në seancën e thirrur nga AAK-ja

    Pushteti sërish nuk qëndron në sallë, në seancën e thirrur nga AAK-ja

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Ishin të parapara dy seanca, fillimisht ajo plenare në të cilën për shqyrtim ishin disa projektligje të mbetura nga e kaluara, por edhe një seancë tjetër e jashtëzakonshme.

    Derisa punimet e seancës së parë nisën të zgjasin më shumë sesa ishte paraparë, AAK-ja kërkoi që ato të ndërpriten dhe të vazhdohej me seancën e jashtëzakonshme.

    Kërkesën e deputetit Tahiri e kundërshtoi grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, por përkrahje i dha kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca.

    Mirëpo, me të filluar seanca e jashtëzakonshme, e thirrur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, për debat parlamentar, në lidhje me nevojën për ngritjen e koeficientit të pagave në sektorin publik, deputetët e pushtetit lëshuan sallën, përveç deputetëve Eman Rrahmani e Visar Korenica.

    Ndërkohë, në seancën plenare u arrit të votohen disa projektligje.

    U miratua në parim projektligji për artin dhe kulturën, ligji për plotësim-ndryshimin e kodit të procedurës penale dhe atij të Kodit Penal.

  • “E përgëzoj”- Rama thotë se Kurti e ka pranuar propozimin e BE-së për Asociacionin

    “E përgëzoj”- Rama thotë se Kurti e ka pranuar propozimin e BE-së për Asociacionin

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se e përgëzon kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për pranimin e propozimit të BE-së për avancim drejt zgjidhjes së çështjes së Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

    Rama këtë e ka deklaruar përmes platformës ‘X’ pas takimeve që kryeministri Kurti pati në kuadër të Samitit të BE-së, shkruan Gazeta Insajderi.

    “E përgëzoj Kryeministrin e Kosovës për pranimin e propozimit të BE-së për të avancuar me vendosmëri drejt zgjidhjes debllokuese të ASM-së (Asociacionit të Komunave me shumicë serbe) përmes instrumenteve të vetë-menaxhimit si kornizë për negociatat e ardhshme”, ka thënë ai.

    “Liderët e Kosovës dhe Serbisë duhet të demonstrojnë lidership dhe të punojnë ngushtë me partnerët tanë perëndimorë për zbatimin e menjëhershëm të Marrëveshjes Themelore për normalizimin e marrëdhënieve, pa vonesa të mëtejshme. Rajoni ynë meriton paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin për një të ardhme të përbashkët, më të mirë, në vend të konflikteve, lojërave të fajësimit dhe pengesave që na dëmtojnë të gjithëve”, ka deklaruar ai.

  • Uji i Badocit ende i papijshëm, IKSHPK: S’ka vend për panik

    Uji i Badocit ende i papijshëm, IKSHPK: S’ka vend për panik

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) njofton qytetarët se është duke vazhduar monitorimi dhe përcjellja në vazhdimësi e cilësisë së ujit në Liqenin akumulues të Badocit, të destinuar për pije dhe se nuk ka vend për panik.

    Sipas njoftimit, analizat e fundit laboratorike tregojnë se akoma nuk janë arritur standardet e përcaktuara në Udhëzimin administrativ – Cilësia e Ujit për konsum nga njeriu.

    “Ekipet e IKSHPK-së janë në terren 24/7 dhe po bëhen çdo ditë analiza fiziko-kimike të ujit të prodhuar në Fabrikën që furnizohet nga Liqeni akumulues i Badocit dhe qytetarët do të njoftohen me kohë për normalizimin e parametrave referent të ujit të pijshëm”, thuhet në njoftim.

    IKSHPK apelon qytetarët të cilët furnizohen nga fabrika e ujit në liqenin e Badocit se: Uji mund të përdoret për pastrim, mirëmbajtje të higjienës dhe ambienteve të banimit si dhe për nevoja të tjera; Uji nuk duhet tē vlohet para pẽrdorimit për shkak të mundësisë së koncentrimit të manganit; Uji në rajonet që furnizohen nga liqenjt akumulues Batllava dhe Ujmani mund tē pēdoren pēr pije pa pẽrkufizim.

    Zonat të cilat mbesin nën përcjellje të vazhdueshme për cilësinë e ujit për pije nga Fabrika e ujit në Badovc janë të njëjtat: Qyteza e Graçanicës, fshatrat e Graçanices qe furnizohen nga ITUP Badovc, përveç fshatrave që furnizohen nga NJOU Lipjan, Hajvalia komplet, lagjet Veterniku, Lagjet 038 dhe të gjitha të tjerat që gravitojnë në brezin Graçanicë – Prishtinë, pastaj Lagjet Qëndresa, Qëndresa Home, Sëiss Village, fsh. Preoc, Çagllavicë, Rruga Behar Begolli, Richard Holbrooke, Qendra Albi Mall, Rruga Shkupi, Holger Petersen, Malush Kosova, objektet individuale nga rruga Malush Kosova, deri te “kisha në Matiçan”, zonat në drejtim të zonës industriale drejtimi për Lipjan, Lagja Qershia, Lagja NIC, zona afër Xhamisë në Veternik, Matiçan drejtimi nga Pallati i Drejtësisë, fshati ndërkombëtar, Mati- rruga Muharrem Fejza me të gjitha rrugicat drejtimi deri te QKUK, rruga Enver Maloku, objektet në lagjen Kodrina, objektet Tregtia, Iliria Building, objektet e Standardit (Sociale) dhe objektet e kyçura direkt në linjat magjistrale Badovc Prishtinë, rruga Ferat Dragaj, Hajrullah Abdullahu, Hilmi Rakovica, Vllezërit Gërvalla, Afrim Zhitija, Armend Daci, Dervish Rozhaja, Thimi Mitko, pjesa e zonës “te Xhambazët”, rruga Sali Nivica, Norbert Jokl, Thimi Mitko, objektet banesore në Bregun e Diellit zonat Qendër dhe zonat e tjera afër Qendrës Tregtare në brezin rrugor Xheladin Rekaliu deri te kryqëzimi i rrugës te konviktet, zonat afër shkollës Ismail Qemali, rrugët Mehmet Gradica, Hyzri Talla, Qamil Bala.

  • ​Niveli i lindjeve në Itali arrin një rekord të ulët

    ​Niveli i lindjeve në Itali arrin një rekord të ulët

    Pak më shumë se 393,000 fëmijë kanë lindur në Itali në vitin 2022, që paraqet një rënie prej 1.7% krahasuar me vitin e kaluar, duke e çuar shkallën e lindjeve në një nivel të ri rekord, tha të enjten Istat.

    Tendenca rënëse duket se do të vazhdojë edhe në vitin 2023: sipas të dhënave provizore, në gjysmën e parë të vitit ka pasur një ulje prej 1.9% të lindshmërisë, e barabartë me 3500 foshnja më pak të lindura, gjatë gjysmës së parë të vitit 2022, tha agjencia kombëtare e statistikave.

    ISTAT shtoi se numri i lindjeve ka rënë pandërprerë prej 15 vitesh. Kontributi në lindshmërinë e popullsisë së huaj në Itali gjithashtu duket se po pakësohet, tha ISTAT.

    Përveç kësaj, agjencia e statistikave tha se 41.5% e fëmijëve të lindur në Itali në vitin 2022, ose 163,317, kanë lindur jashtë martese. Përqindja e fëmijëve të lindur nga prindër të pamartuar është rritur me 33 pikë përqindjeje që nga fillimi i mijëvjeçarit, shtoi ISTAT.

    Kthimi i rënies së natalitetit është një prioritet kryesor i deklaruar për qeverinë e kryeministrit Giorgia Meloni.

    Në projektligjin e buxhetit të vitit 2024, shteti propozon që të mbulohen deri në 3000 euro në vit kontribute të sigurimeve shoqërore për nënat që punojnë me dy fëmijë, ku më i vogli është nën 10 vjeç dhe ato me tre fëmijë e më shumë, me më të voglin deri në 18 vjeç./ANSA/