ATV

Blog

  • Berisha: S’ka regjistrim të popullsisë më 1 nëntor, shkaktare Ministria e Financave

    Berisha: S’ka regjistrim të popullsisë më 1 nëntor, shkaktare Ministria e Financave

    Drejtues të Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë arsyet përse kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sërish të shtyhet regjistrimi i popullsisë për vitin tjetër. Zëvëndëskryeshefi i ASK-së, Ilir Berisha thekson për KosovaPress se vonesa e procedurave të prokurimit për blerjen e tabletëve, mosrekrutimi i regjistruesve dhe mbikëqyrësve dhe mundësia e bojkotit të regjistrimit nga komuniteti serb në pjesën veriore të vendit, janë disa nga sfidat që Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk mund të fillojë regjistrimin e popullsisë më 1 nëntor siç ishte paraparë.

    Përveç kësaj shqetësuese mbete edhe mungesa e aplikantëve për pozitat e mbikëqyrësve në procesin e regjistrimit të popullsisë. Përkundër që ishte shtyrë ky proces për dy muaj, ky institucion ka bërë kërkesë tek Qeveria e Kosovës që të shtyhet sërish afati.

    Berisha ka fajësuar Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve për vonesën e hapjes së konkursit për regjistrues dhe mbikëqyrës.

    Zëvëndës kryeshefi Berisha në një intervistë për KosovaPress derisa ka renditur faktorët që kanë ndikuar t shtyhet ky proces, thotë se janë në pritje të vendimit nga Qeveria për propozimin e dhënë për shtyrje.

    “Për shkak të procedurave të prokurimit, Agjencia Qendrore e Prokurimit nuk ka arritur të sigurojë me kohë tabletët e nevojshëm. Ajo që ishte kontraktuar në shtator të ishin prezent tabletët dhe që sipas planit të aktiviteteve të zhvillohen të gjitha procedurat, duke filluar nga instalimi i gjitha aplikacioneve në këto tabletë, pastaj të bëhet një test pilot dhe të fillojnë trajnimet para datës 1 nëntor. Ne me fillim të tetorit dërguam kërkesë zyrtare tek kryeministri për një rishikim të datës përsëri për shkak se jemi vonë me këto aktivitete që ndërlidhen me mungesë të tabletëve dhe me mosrekurtimin e 3500 regjistrueseve dhe rreth 900 mbikëqyrëseve, kushtëzojnë patjetër që të shtyhet regjistrimi i popullsisë”, deklaron Berisha.

    Ai tha se kanë propozuar që procesi i regjistrimit të fillojë nga viti tjetër dhe në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare për motin.

    “Ne kemi dhënë propozim në kërkesën tonë, ndërsa vendimi mbetet tek Qeveria kur vendos. Propozimi jonë është për vitin e ardhshëm, për shkak se muaji dhjetor është muaji i dimrit, kushteve të vështira dhe rekomandimet ndërkombëtare, sikurse nuk preferohet muajve të dimrit, gjithashtu edhe për muajin gusht me temperatura të larta nuk preferohet. Andaj, duhet të ju shmangem dhe të jemi në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare…Pra, më 1 nëntor nuk fillon”, tha ai.

    Berisha thotë se ende nuk janë formuar komisionet për rekrutimin e mbikëqyrësve dhe regjistrueseve, kjo për shkak që Ministria e Financave nuk ka bërë vlerësimin e tyre ende.

    Ndërkaq, sa i përket tabletëve, ai tha operatori i dytë pritet t’i liferoj me datën 2 nëntor, porse shton se nevojitet kohe për regjistrimin e programeve.

    “Jemi në pritje të vendimit, qeveria është duke shqyrtuar, operatori i dytë ekonomik që ka fituar tenderin me tabletë sipas kontratës do t’i liferojë me datën 2 nëntor, mirëpo edhe në këtë datë kërkohet që të jetë një periudhë për instalimin e atyre programeve dhe të fillojnë trajnimin. Në anën tjetër ende nuk i kemi siguruar mbikëqyrësit dhe regjistruesit për t’i angazhuar në projektin e regjistrimit të popullsisë. Konkursi është ende i hapur për shkak se nuk është numri i mjaftueshëm i të aplikuarve, nuk janë formuar komisionet për rekrutimin e tyre dhe për intervista, vlerësimin e tyre që ka qenë pjesë e vendimit të Ministrisë së Financave që t’i bëjë këto komisione, përkundër që neve kemi propozuar…02:35 Kështu është e pamundshme të realizohet regjistrimi me 1 nëntor”, shtoi Berisha.

    Në këtë drejtim, sfidë tjetër, Berisha tha se mbetet edhe mundësia e bojkotit të regjistrimit nga komuniteti serb pas zhvillimeve të fundit në pjesën veriore.

    “Qeveria ka qenë tërë kohen e informuar dhe ne për këtë qëllim kemi kërkuar për rishikim të dytë të datës…Përtej këtyre është edhe një sfidë tjetër, mundësia e bojkotit të komunitetit serb në regjistrimin e popullsisë, çfarë nuk do e dëshironim, sepse në bazë të rekomandimeve ndërkombëtare kërkohet që pjesëmarrja të jetë afërisht 100 për qind e popullsisë në territorin e caktuar dhe një bojkot nga komuniteti serb, do e vëntë në pikëpyetje dhe rezultatet nuk do të ishin valide. Për të mos shkuar tek kjo, kemi kërkuar afat shtesë…Katër komisionet komunale janë pjesë për katër komunat veriore, janë themeluar me vonesë, edhe pse ato janë themeluar në shtator, baza ligjore është që ato kërkohen të themelohen gjashtë muaj para datës së regjistrimit. Çështja tjetër është situata që ndodhi në shtator, e ka komplikuar edhe më tepër, dhe po shpresojmë se gjatë kësaj periudhe do të ketë një arritje, kështu për një datë tjetër së paku te jemi në harmoni me dispozitat ligjore dhe të kemi një pjesëmarrje qind për qind të komunitet serb”, vijoi Berisha.

    Ndërkaq, shqetësuese për këtë institucion mbetet edhe mungesa e aplikimeve.

    “Komisionet për rekrutimin, ne i kemi propozuar komisionin për pranimin e mbikëqyrëseve dhe në bazë të vendimit që është hap ky konkurs për angazhim një muaj, në vendim shkruhet se komisionet i krijon Ministri i Financave. Ne i kemi dërguar propozimet dhe jemi në pritje të themelimit të këtyre të komisioneve…Vonesa e hapjes së konkursit që është hap me 27 shtator, shumë afër të regjistrimit të popullsisë, sepse në bazë të planit të aktiviteteve është planifikuar që me datën 12 tetor të fillojnë trajnimet e anketuesve, regjistruesve dhe mbikëqyrësve. Ndërsa, me 12 tetor ne kemi bërë rishpalljen për aplikim, për brenda shtatë dite rreth 70 për qind kanë aplikuar për pozitat e regjistrueseve dhe mbikëqyrësve. Tek këta të fundit është situata pak më ndryshe për shkak se aplikimet janë të mjaftueshme, përjashtim katër komunat veriore që mungojnë edhe për 12 mbikëqyrës nuk ka aplikime, ndërsa për regjistrues është situatë pak më ndryshe, edhe pse e kemi rihap, përsëri numri i interesuarave është shumë i vogël “, përfundoi Berisha.

    Qeveria e Kosovës pritet që sërish të merr vendim për shtyrjen e procesit të regjistrimit të popullsisë në vend.

    Burime të KosovaPress bënë të ditur se pas kërkesës të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ekzekutivi i vendit pritet që gjatë kësaj jave të merr vendim ta shtyjë sërish procesin e regjistrimit të popullsisë.

    Qeveria me vendimin e fundit pati vendosur që procesi i regjistrimit të popullsisë të nisë më 1 nëntor dhe të zgjasë deri më 15 dhjetor.

    Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, ndërsa regjistrimi që është dashur të bëhet në vitin 2021, është shtyrë për shkak të pandemisë COVID-19.

    Sipas regjistrimit të 2011-ës, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë, llogaritet të jetë rreth 1.8 milionë banorë.

  • Senatori Peters: Një marrëdhënie e fortë SHBA-Kosovë, thelbësore për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan

    Senatori Peters: Një marrëdhënie e fortë SHBA-Kosovë, thelbësore për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan

    Senatori amerikan nga Michigani, Gary Peters ka takuar ministren e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla.

    Peters në një postim në X shkruan se një marrëdhënie e fortë ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës është thelbësore për stabilitetin, paqen dhe sigurinë në rajon.

    “Më vjen mirë që u takova me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla. Një marrëdhënie e fortë midis dy kombeve tona është thelbësore për stabilitetin, paqen dhe sigurinë në rajon”, shkruan ai.

    Ndryshe, disa javë më parë bashkëkryesuesit e Grupit për Çështje Shqiptare në Senatin e SHBA-ve, senatorja Joni Ernst (republikane nga Iowa) dhe senatori Gary Peters (demokrat nga Michigan) i kanë drejtuar letër Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, Antony Blinken, edhe për Luginën e Preshevës dhe kauzën e drejtë të shqiptarëve etnikë atje.

  • Deputetja britanike: Radoiçiq vazhdon të jetë i lirë në Serbi, asnjë llogari për rolin e Beogradit

    Deputetja britanike: Radoiçiq vazhdon të jetë i lirë në Serbi, asnjë llogari për rolin e Beogradit

    Deputetja britanike, Alicia Kearns ka rikujtuar sot se janë bërë një muaj që kur Milan Radoiçiq ka pranuar fajësinë për sulmin në Banjskë të Zveçanit, ndërkaq ai vazhdon të jetë i lirë në Serbi.

    Kearns në një postim në X shkruan se po ashtu kanë kaluar një muaj dhe asnjë përgjegjësi për rolin e Beogradit.

    “Tashmë ka një muaj që Radoiçiq ka pranuar fajësinë për sulmin paraushtarak në Kosovë me armë të ofruara nga Beogradi. Megjithatë ai mbetet i lirë në Serbi. Pa asnjë llogari për rolin e Beogradit.

    Unë i kam parë armët dhe kam takuar familjen e Afrim Bunjakut, ata meritojnë drejtësi…”, shkruan Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns.

    Ndryshe, më 24 shtator Policia e Kosovës u sulmua në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagos një tjetër.

    Në kundërsulm, Policia e Kosovës vrau tre terroristë dhe arrestoi disa tjerë.

    Përgjegjësinë për sulmin e ka marr Milan Radoiçiq që në atë kohë ishte nënkryetar i Listës serbe dhe person i afërt me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

  • Tetë vjet nga nënshkrimi i MSA-së me Bashkimin Evropian

    Tetë vjet nga nënshkrimi i MSA-së me Bashkimin Evropian

    Kosova ka nënshkruar më 27 tetor 2015 në Strasburg Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian.

    Kjo marrëveshje u cilësua e një rëndësie historike për integrimin politik, ligjor dhe ekonomik të Kosovës në Bashkimin Evropian.

    Marrëveshja për Stabilizim-Asociim kërkon nga një vend që synon anëtarësimin në BE, të sigurojë se mekanizmat e tij të qeverisjes dhe të shoqërisë civile përmbushin standardet e BE-së.

    Nënshkrimi i MSA-së u bë nga ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në Strasburg. /KP

  • Ndalohen 15 migrantë, ishin futur ilegalisht nga Shqipëria

    Ndalohen 15 migrantë, ishin futur ilegalisht nga Shqipëria

    Policia e Kosovës ka njoftuar se në Vërmicë të Prizrenit ka ndaluar 15 migrantë të cilët ishin futur ilegalisht nga Shqipëria në Kosovë.

    Sipas raportit të Policisë, shtatë nga migrantët ishin nga Siria, katër nga Somalia, tre nga Eritrea dhe një nga Egjipti.

    Bëhet e ditur se të njëjtit kanë deklaruar se në Kosovë janë futur nga tre persona të dyshuar me një furgon deri afër kufirit, dhe pastaj kanë vazhduar në këmbë.

    “Lidhur me rastin janë ndërmarrë veprimet e nevojshme për procedura të mëtejme hetimore”, thuhet në raport.

  • ​Osmani takon kryetarin e bashkisë Des Moines në Iowa

    ​Osmani takon kryetarin e bashkisë Des Moines në Iowa

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është pritur në takim nga kryetari i bashkisë Des Moines, T.M Franklin “Frank” Cownie.

    Osmani falënderoi Cownie për mbështetjen e dhënë ndaj Kosovës derisa edhe u njoftua nga afër me ambientet e bashkisë, ku qëndronte edhe një kënd për miqësinë mes Kosovës dhe Iowa-s.

    Bashkë ata vizituan edhe urën e arritjes se grave në Iowa.

    Në qëndrimin në Iowa, presidentja Osmani mori pjesë edhe në ndarjen e çmimit kryesor të Samitit Botëror të Ushqimit.

    Presidentja Osmani të martën ka nisur një vizitë disaditore në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

  • Krejt çka deklaruan Kurti, Vuçiq dhe Borrell pas përfundimit të takimeve

    Krejt çka deklaruan Kurti, Vuçiq dhe Borrell pas përfundimit të takimeve

    Një ditë më parë krerët evropianë dhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell kanë takuar ndaras kryeministrin e vendit, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në përpjekje për të rënë dakord lidhur me dokumentin e propozuar për zbatimin e marrëveshjes së Bazë e që përmbante edhe një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    Në këtë takim të pranishëm ishin kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Mishel.

    Kryeministri Albin Kurti pas takimit me liderët evropianë në Bruksel, ka thënë se është i gatshëm të nënshkruajë marrëveshjeve me Serbinë, e cila garanton zbatimin e tyre, që përfshinë edhe draftin evropian për Asociacionin.

    Sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore, me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit, si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët më 21 tetor, 2023.

    Kurti theksoi që, pas sulmit të agresionit të 24 shtatorit, në Zveçan, prioritet për të është siguria në Kosovë, në veçanti siguria e kufirit me Serbinë, meqë nga ana tjetër erdhën paramilitarët të cilët kryen sulm terrorist e kriminal duke vrarë e plagosur policë të Kosovës. Që kjo të mos përsëritet kurrë më, nevojiten sanksione dhe ndëshkim për Serbinë.

    “Hetimet për grupin paramilitar e terrorist të sponsorizuar nga Serbia, duhet të përcaktojnë saktë se kush krejt çka bëri dhe si e ekzekutoi këtë akt agresioni, ndërkohë që nuk ka më dilema as te faktorët ndërkombëtarë mbi fajtorin”, shtoi ai.

    Grupi paramilitar terrorist i Millan Radoiçiqit dhe përgjegjësit e tjerë duhet të ekstradohen në Kosovë, ku do të kishte një gjykim të drejtë dhe fer, aq më tepër kur dihet se sistemi i drejtësisë në Kosovë dhe proceset gjyqësore monitorohen nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX.

    Për progresin demokratik dhe ekonomik të saj, Kurti tha që Kosova e meriton statusin e vendit kandidat për BE, pra edhe bashkimin e pesë shteteve të mbetura të Bashkimit Evropian me shumicën prej 22 sosh, në njohjen e pavarësisë së Kosovës.

    Ndërkaq siguria e kufijve për Kosovën, bashkë me sigurinë kolektive në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ngritën cilësisht nëpërmjet Marrëveshjes për Partneritet për Paqe me NATO-n drejt anëtarësimit të Kosovës në aleancën veri-atlantike. Në fund të takimit, Kryeministri Kurti tha se pranimi nënkupton nënshkrim, vetëm nënshkrimi nënkupton pranimin dhe garanton zbatimin.

    Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar para mediave se Serbia nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në OKB.

    Ai tha se megjithatë janë të gatshëm të pranojnë propozimin për Asociacionin.

    Vuçiq tha se propozimi që ka marrë nga të dërguarit perëndimorë, i referohet ekskluzivisht formimit të Asociacionit, por se nuk mund të flasë për detajet, sepse marrëveshja është e tillë që të mos flitet.

    “Ne jemi plotësisht të gatshëm për formimin e Asociacionit në përputhje me propozimet që i kemi marrë”, u tha ai gazetarëve.

    Por, theksoi Vuçiq, Serbia “nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara apo pavarësinë e Kosovës” – hapa që, në njëfarë mënyre, i kërkon Marrëveshja Bazë.

    “Serbia ka thënë qartë se dëshiron që të gjitha marrëveshjet të zbatohen, nga ajo bazë e vitit 2013 e deri te ato më vonë në Bruksel dhe Ohër, dhe ne gjithmonë kemi theksuar vetëm një gjë, e cila dihet – ajo është se Serbia nuk mund të pranojë anëtarësimin në OKB dhe as pavarësinë e Kosovës”, tha Vuçiq.

    “Nuk u bë fjalë për nënshkrim apo mosnënshkrim të ndonjë gjëje”, por “për zbatimin e asaj që është nënshkruar dikur, apo që është rënë dakord ndërkohë”, tha presidenti serb.

    Ai shtoi se askush në takime nuk i ka përmendur “sanksionet kundër Serbisë”, që do të lidheshin me sulmin në Banjskë.

    E pas përfundimit të të gjitha takimeve, Josep Borrell përmes një video-adresim theksoi se Kosova dhe Serbia nuk qenë të gatshme të pajtohen me njëra tjetrën në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre.

    Borrell, tha se janë shumë të shqetësuar për ngërçin në dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se sulmet e fundit terroriste të 24 shtatorit janë dënuar sërish nga Bashkimi Evropian në takimet që kanë pasur me përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë.

    Sipas tij, e vetmja rrugë për të ecur përpara është normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Për këtë normalizim ekziston një pengesë e madhe e ai është Asociacioni i komunave me shumicë serbe”.

    Borrell thotë se për të kaluar këtë pengesë, palëve u është bërë një propozim evropian për themelimin e Asociacionit e cili sipas tij është “shumë serioz dhe i balancuar”.

    “Për t’i nxitur palët që të arrijnë një marrëveshje ne së bashku paraqitëm një propozim evropian serioz e të balancuar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ngulëm këmbë që palët të shfrytëzojnë këtë mundësi, që do të ishte një hap i madh përpara për normalizimin e marrëdhënieve dhe për të shmangur një episode të tjera dhune”.

    “Për fat të keq palët nuk qenë të gatshme të pajtohen për këtë pa parakushte, që ishin të papranueshme për palën tjetër”, tha ai duke nënvizuar se përpjekjet do të vazhdojnë por pa dhënë ndonjë njoftim se kur mund të vazhdojnë bisedimet”, ka deklaruar tutje Borrell.

    Ndryshe, më 21 tetor të dërguarit amerikanë dhe evropianë në Prishtinë e Beograd u dorëzuan palëve një dokument për zbatimin e marrëveshjes, pjesë e së cilës ishte edhe, siç thanë zyrtarët në Bruksel, “një propozim bashkëkohor evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, që është edhe pika më e vështirë e procesit të bisedimeve Kosovë – Serbi.

    Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve në muajin shkurt në Bruksel, ndërsa për Aneksin e Zbatimit të saj janë dakorduar në muajin mars në Ohër.

    Në asnjërin prej dokumenteve, palët nuk i kanë vendosur nënshkrimet. Kurti tha se edhe atëkohë ka qenë i gatshëm të nënshkruajë./Telegrafi

  • ​Mosha kur njerëzit fitojnë më së shumti para

    ​Mosha kur njerëzit fitojnë më së shumti para

    Vitet tuaja kur e arrini kulmin e fitimit të parave mund të jenë më afër se sa mendoni. Sipas kompanisë kërkimore të pagesave PayScale, punëtorët që punojnë me orar të plotë me diplomë të Bachelor priren të fitojnë më shumë para në të 40-at dhe 50-at e tyre.

    PayScale zbuloi gjithashtu se kur fitoni më shumë gjatë karrierës varet nga gjinia juaj: Rritja e pagave për gratë e arsimuara në kolegj ndalon rreth moshës 40 vjeçare. Për burrat e arsimuar në kolegj, pagat vazhdojnë të rriten edhe për një dekadë dhe arrijnë kulmin në fillim të të 50-ave.

    Edhe në Amerikë ekziston dallimi në fitimin e pagave për gjininë mashkullore dhe femërore. Të diplomuarit e gjinisë mashkullore fitojnë më shumë nga fillimi: Ata sjellin në shtëpi një pagë mesatare prej 50,700 dollarë në moshën 22 vjeçare, ndërsa koleget e tyre të gjinisë femërore fitojnë 39,500 dollarë në vit, pra një diferencë prej 11,200 dollarë.

    Nga mosha 22 deri në 33 vjeç, paga e grave në fakt rritet pak më shpejt se e burrave. Megjithatë, një ndryshim ndodh në moshën 34 vjeçare, kur rritja e të ardhurave të grave fillon të ngadalësohet dhe ajo e burrave mbetet e qëndrueshme.

    Deri në moshën 41-vjeçare, gratë e arsimuara në kolegj shohin kulmin e pagave të tyre në rreth 61,000 dollarë. Ndërkohë, meshkujt vazhdojnë të shohin rritje deri në moshën 53 vjeç, në të cilën pikë ata fitojnë rreth 95,000 dollarë.

    “Hendeku më i vogël në pagat e papërpunuara ndodh në moshën 25 vjeçare (me burrin që punon që fiton 10,600 dollarë sesa gruaja tipike që punon) dhe është më e madhe në moshën 54 vjeç (kur burri t fiton 32,800 dollarë më shumë se gruaja),” raporton Payscale.

    Arsyeja kryesore që burrat vazhdojnë të kenë rritje të pagave më vonë në karrierën e tyre sesa gratë “është zgjedhja e punës”, thotë kryeekonomistja e PayScale, Katie Bardaro për CNBC Make It. “Punët që janë më të zakonshme për meshkujt priren të kenë rritje më të gjatë të pagave reale”, si pozicionet e zhvilluesve të softuerit dhe inxhinierisë, thotë ajo. “Ndërsa punët që janë më të zakonshme për gratë – mësueset, punonjësit e kujdesit shëndetësor, punonjësit socialë, punonjësit e administratës, etj. priren të kenë rritje më të shkurtër të pagave reale”, shton tutje ajo./AkademiPune

  • Prokuroria: Aktgjykimi dënues kundër Salih Mustafës duhet të mbetet në fuqi

    Prokuroria: Aktgjykimi dënues kundër Salih Mustafës duhet të mbetet në fuqi

    Prokurori Cezary Mihailzcuk është shprehur se aktgjykimi dënues ndaj Salih Mustafës duhet të mbetet në fuqi, dhe ky vendim duhet të merret për bazë me arsyetimin se është i mbështetur në prova të besueshme.

    Në Dhomat e Specializuara në Hagë të enjten është mbajtur seanca e apelit në çështjen e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

    Ish-komandant “Cali” në dhjetor të vitit 2022 u dënua me 26 vjet burgim për tre akuza për krime lufte, përfshirë ndalimin arbitrar dhe torturimin e të paktën gjashtë të burgosurve, dhe vrasjen e një të burgosuri.

    Në fjalën e tij, prokurori Mihailzcuk mes tjerash ka theksuar se Salih Mustafa ka pasur mundësinë të përdorë një gjykim të drejtë dhe t’i kundërshtojë akuzat në fjalë dhe të paraqesë dëshmi.Ai ka deklaruar se aktgjykimi dënues ndaj Mustafës duhet të mbetet në fuqi pasi është mbështetur në prova të besueshme.

    Në lidhje me argumentet e mbrojtjes së Mustafës për objektet në fshatin Zllash, prokurori Mihailzcuk theksoi se krimet janë kryer brenda një kompleksi të Zllashit.

    Aktakuza kundër Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni i fundit u bë publik më 28 shtator 2020.

    Aktakuza e ngarkon Mustafën me përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash, në regjionin e Gollakut.

    Sipas aktakuzës, afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe rreth fundit të prillit 1999, Salih Mustafa dhe disa ushtarë, policë e roja të UÇK-së patën të njëjtin qëllim të përbashkët të marrjes në pyetje dhe keqtrajtimit të të ndaluarve në kompleksin e ndalimit në Zllash.

    Salih Mustafa akuzohet për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje e paligjshme.

    Mustafa u arrestua dhe u transferua në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020.

    Në paraqitjen e tij të mëtejshme, më 28 tetor 2020, Mustafa u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

    Gjykimi filloi më 15 shtator 2021 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësueses së viktimave.

    Aktgjykimi u shpall më 16 dhjetor 2022, kur trupi gjykues e shpalli Mustafën fajtor për krimet e luftës – ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe e dënoi me 26 vjet burgim.

    Në këtë çështje morën pjesë 8 viktima brenda një grupi të vetëm (Grupi 1).

    Shqiptimi i urdhrit për zhdëmtimin e viktimave u bë më 6 prill 2023.

    Trupi gjykues urdhëroi Mustafën të paguajë një shumë prej 207 mijë euro si kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj viktimave të krimeve për të cilat është shpallur fajtor.

  • Zjarri brenda një shtëpie në Gjakovë, vdes një person

    Zjarri brenda një shtëpie në Gjakovë, vdes një person

    Një shtëpi është përfshirë nga zjarri në Gjakovë, ku si pasojë ka vdekur një person.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

    Rasti ka ndodhur gjatë mbrëmjes së enjtes.