ATV

Blog

  • ​Musk: Starlink do të garantojë internet për OJQ-të në Gaza

    ​Musk: Starlink do të garantojë internet për OJQ-të në Gaza

    Sistemi satelitor i Starlink SpaceX do të sigurojë lidhje interneti për OJQ-të humanitare që operojnë në Gaza.

    Kjo bëhet e ditur nga Elon Musk në X pas bllokimit të komunikimeve në Rrip, raporton ANSA.

    Ky veprim vjen pas raportimeve për mungesa të rënda të energjisë dhe internetit në rajon, pas një serie sulmesh nga Izraeli.

  • Hamasi thotë se sulmoi bazën ushtarake të Izraelit Zikim

    Hamasi thotë se sulmoi bazën ushtarake të Izraelit Zikim

    Brigadat Al-Qassam, krahu i armatosur i grupit palestinez Hamas, tha të shtunën se kishte shënjestruar me një raketë bazën ushtarake izraelite Zikim.

    Një deklaratë tha se aksioni ishte në përgjigje të “masakrave sioniste kundër civilëve”.

    Gaza ka qenë nën sulme të pamëshirshme ajrore që nga ofensiva e befasishme e Hamasit më 7 tetor.

    Grupi palestinez kishte iniciuar Operacionin “Al-Aksa Flood” – një sulm i befasishëm i shumëfishtë që përfshinte një breshëri lëshimesh raketash dhe infiltrimesh në Izrael nga toka, deti dhe ajri. Hamasi tha se inkursioni ishte në hakmarrje për sulmin ndaj xhamisë “Al-Aksa” dhe dhunës në rritje nga kolonët izraelitë kundër palestinezëve.

    Izraeli u përgjigj me një fushatë të pandërprerë sulmesh ajrore, të cilat u intensifikuan të premten mbrëma së bashku me aktivitetet tokësore mes një ndërprerjeje të plotë të rrjeteve të telekomunikacionit dhe internetit.

    Të paktën 7.703 palestinezë, përfshirë 3.595 fëmijë, janë vrarë në sulmet izraelite, ndërsa numri i të vdekurve në Izrael është më shumë se 1.400.

    2.3 milionë banorët e Gazës po përballen gjithashtu me mungesën e ushqimit, ujit dhe ilaçeve për shkak të bllokadës së enklavës nga Izraeli. Vetëm disa kamionë me ndihma kanë kaluar në Gaza që nga hapja e pikës së kalimit Rafah fundjavën e kaluar.

    Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi të premten vonë një rezolutë që bën thirrje për një armëpushim humanitar, por ministri i Jashtëm i Izraelit Eli Cohen e quajti atë “të neveritshme” dhe e hodhi poshtë atë. /AA

  • Fushë Kosova – Malisheva ndajnë pikët

    Fushë Kosova – Malisheva ndajnë pikët

    Ka përfunduar ndeshja mes Fushë Kosovës dhe Malishevës e vlefshme për javën e 11, në ‘Albi Mall Superligë’.

    Në takimin e zhvilluar në stadiumin ‘Sami Kelmendi’ në Lipjan, ndeshja ka përfunduar me rezultatin më të padëshiruar në futboll 0:0.

    Pas këtij barazimi, Malisheva, pozicionohet në vendin e katër në tabelë me 13 pikë, kurse Fushë Kosova është e fundit në tabelë me vetëm 6 pikë të grumbulluara pas 11 xhirove.

    Vlen të përmendet që në këtë takim lëndim të rëndë ka pësuar mbrojtësi Arbër Prekazi i Malishevës.

  • Zjarri në minierën e qymyrit në Kazakistan vret 28 persona

    Zjarri në minierën e qymyrit në Kazakistan vret 28 persona

    Një zjarr në një minierë qymyri pranë qytetit Karaganda të Kazakistanit vrau 28 persona, njoftoi të shtunën Ministria e Emergjencave të vendit.

    Incidenti ndodhi të premten në mbrëmje kur rreth 252 punëtorë ishin të pranishëm në minierë, tha ministria në një deklaratë, duke shtuar se një operacion kërkimi dhe shpëtimi vazhdon.

    Miniera operohet nga ArcelorMittal, një korporatë shumëkombëshe e prodhimit të çelikut me bazë në Luksemburg.

    Pas incidentit, presidenti i Kazakistanit Kassym-Jomart Tokayev urdhëroi qeverinë të përfundojë bashkëpunimin me grupin.

    Sipas shërbimit të shtypit të qeverisë, autoritetet arritën një marrëveshje paraprake me aksionerët e ArcelorMittal Temirtau, përfaqësuesi lokal i kompanisë, dhe kalimi i pronësisë te shteti është duke u finalizuar.

    Incidenti i fundit është i dyti në tre muaj. Më 17 gusht, një rrip transportieri mori flakë në minierën e Kazakistanskaya, e operuar gjithashtu nga ArcelorMittal Temirtau.

    Tokayev, i cili aktualisht ndodhet në Karaganda për të mbikëqyrur personalisht operacionin e shpëtimit, e shpalli të dielën si ditë zie në Kazakistan.

    Në një deklaratë me shkrim, Ministria e Jashtme turke i shprehu ngushëllimet e saj Kazakistanit për zjarrin vdekjeprurës në minierën e qymyrit, duke thënë se është “thellësisht e pikëlluar nga aksidenti në minierë” në vend.

    “Turqia qëndron në solidaritet me qeverinë dhe popullin e mikut dhe vëllait tonë Kazakistan,” shtoi ministria. /AA

  • E parandjeu se do të vdiste, i njoftoj edhe familjarët – pas aksidentit mbeti gjysmë invalide

    E parandjeu se do të vdiste, i njoftoj edhe familjarët – pas aksidentit mbeti gjysmë invalide

    Saranda Ademi e ftuar në emisionin “LIBERO”, foli për karrierën e saj, familjen si dhe rrugëtimin e saj si modele në Kosovë dhe në Zvicër. 

    Anash kësaj, Saranda rrëfeu në këtë emisionin se si për një periudhe e kishte parandjerë vdekjen, derisa përmend vetëaksidentin, për çka ajo mbeti në koma dhe pastaj për disa muaj shkaku i lëndimeve në palcën kurrizore, mbeti edhe në karrocë.

    “Unë e kam ndjerë që mua diçka do të ndodhë, një muaj rresht kisha tim atë, kisha gjyshërit që më vinin në ëndërr më thonin ‘ke kujdes’, ‘ndalu’, sepse përveç që isha nënë vetushqyese në atë kohe, unë punoja, shkollohesha, isha edhe modele, d.m.th. çdo gjë bëja dhe mundohesha ta bëjë më të mirën për fëmiun tim”, dhe një ditë isha për 15 minuta në autostradë, ka qenë një frymë dhe një moment kam qenë 80-km/h dhe bëra vetëaksident shkaku i erës së madhe sepse nuk arrita ta manovroja makinën dhe kam bërë 3 rrotullime. Fat në fatkeqësi autoambulanca ishte prapa meje, duke më ofruar pastaj ndihmën e parë etj., porse, truri im ka qëndruar 3 minuta pa oksigjen dhe për një muaj kam qenë në koma, humba peshë sa isha në koma, peshoja vetëm 48 kg., dhe mbeta në karrocë dhe gjatë gjithë kësaj kohe në Zvicër motra dhe nëna kanë qëndruar, për çka ndihem falënderuese ndaj tyre gjithmonë”, tha ajo./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

     

     

  • Sot luhet derbi mes Prishtinës e Gjilanit

    Sot luhet derbi mes Prishtinës e Gjilanit

    Sonte me fillim nga ora 19:00 stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë nikoqir i derbit mes Prishtinës e Gjilanit, ndeshje kjo e vlefshme për xhiron e 11-të të Superligës së Kosovës.

    Në xhiron e fundit të zhvilluar, Prishtina barazoi 0:0 me Feronikelin ’74, kurse Gjilani e mposhti 1:0 Fushë Kosovën, raporton KosovaPress.

    Prishtina në këtë ndeshje do të jetë me trajnerin e ri Emmanuel Egbo, i cili është pasuesi i Debatik Currit.

    Momentalisht, pas 10 ndeshjeve të zhvilluara, Prishtina zë vendin e pestë me 13 pikë, krahas Gjilanit që renditet i shtati në kuotën e 11 pikëve.

    Takimi i fundit mes Prishtinës e Gjilanit daton në muajin gusht të këtij viti, ku asokohe ndeshja përfundoi pa fitues, me rezultat të barabartë 0:0.

    19:00 Prishtina – Gjilani (Stadiumi Fadil Vokrri)

  • Zyrtare: Tonali suspendohet nga futbolli

    Zyrtare: Tonali suspendohet nga futbolli

    Skuadra e Newcastle United e ka konfirmuar që Sandro Tonali është suspenduar nga të gjitha aktivitetet lidhur me futbollin për 10 muajt e ardhshëm.

    Ky suspendim ka hyrë në fuqi nga dita e premte (27 tetor), pas skandalit me baste i cili u konfirmuar edhe nga Federata e Futbollit Italian (FIGC), raporton KosovaPress.

    “Sanksioni i FIGC përfshin një suspendim 18 muajsh, me tetë muaj në punë pasi lojtari merr pjesë në një plan terapeutik dhe program edukativ në Itali që përbëhet nga 16 angazhime”, shkruante në komunikatën e Newcastle.

    Në mbrëmjen e së premtes së 27 tetorit, Newcastle United ka bërë të ditur se ka pranuar konfirmimin se FIFA ka miratuar sanksionin e FIGC që do të zbatohet në mbarë botën, që do të thotë se Sandro do të ketë të drejtë t’i kthehet futbollit nga e marta e 27 gushtit të vitit 2024.

  • Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së në seanca të mbyllura – Ekspertët: S’ka transparencë, dëshmitë nuk janë kredibile

    Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së në seanca të mbyllura – Ekspertët: S’ka transparencë, dëshmitë nuk janë kredibile

    Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë në shumicën e kohës është zhvilluar në seanca të mbyllura, raporton Ekonomia Online. E kjo sipas ekspertëve paraqet mostransparencë të punës së Speciales.

    Madje sipas tij, dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtur nuk janë kredibile dhe se i gjithë ky proces është dizajnuar për të dëmtuar imazhin e Kosovës.

    Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj, tha për EO se masat restriktive në seanca janë jashtëzakonisht të rënda, në kuptimin që shumë dëshmi nuk mund të dëgjohen fare.

    Ai ka shtuar se Fondi po tenton që t’i monitorojë të gjitha seancat. Por sipas tij, deri më tani nuk mund të konstatohet nëse procesi është fer, për shkak të mosqasjes së duhur.

    “Ne po tentojmë që t’i monitorojmë të gjitha proceset gjyqësore para Dhomave të Specializuar të Kosovës në Hagë. Sigurisht procesi kryesorë, pra procesi më i madh është procesi kryesor kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit. Ende është faza e dëgjimit të dëshmitarëve. Nuk mund ta vlerësojmë në këtë moment fare se sa është duke u zhvilluar në mënyrë të drejt ky gjykimi. Për shkak se ne nuk jem në gjendje të përcjellim secilin seancë gjyqësore deri në fund. Fakti është që shumice dërmuese e dëshmitarëve të Prokurorisë janë me identitet të mbrojtur. Nuk është problem që nuk e dimë identitetin e tyre, problemi është që masat restriktive në seanca janë jashtëzakonisht të themi të rënda në kuptim që shumë nga dëshmitë e tyre nuk mund t’i dëgjojmë fare”.

    “Nuk mund t’i dëgjojmë as dëshmitë e as shumicën e pyetjeve që parashtrohen nga pala e vetëmbrojtjes dhe nuk e dimë se për çka po bëhet fjalë. Pa dyshim te mbrojta, pra avokatet e të akuzuarve dhe të akuzuarit i dëgjojnë këto dëshmi, pra nuk po pretendoj që ka fabrikim e kështu më radhë mirë, por ne si publikë nuk mund t’i dëgjojmë këto dëshmi. Mbete të presim përfundimi e krejt procesit gjyqësor për të parë se sa fer është zhvilluar ky gjykim”, tha ai.

    Profesori universitar Milazim Krasniqi, ka thënë se i gjithë procesi i gjykimit të krerëve në Hagë është proces politik që sipas tij, është dizajnuar që të dëmtoj imazhin e Kosovës, raporton EO. Ai tha se duke u bazuar në mbarëvajtjen ë këtij gjykimi, beson që ky proces do të përfundojë më pafajësinë e të akuzuarave.

    “Përjetimi ynë është që i gjithë procesi është një proces politikë dhe i cili në fakte është i dizajnuar në atë mënyre që të tentoje të dëmtojë imazhin e Kosovës, vet fakti që natyra e këtij procesi është shumë  e mbyllur vet fakti që ma shumë ka dëshmitarë që nuk njihen për publikun tregon që prokuroria nuk ka argumente të mjaftueshme të cilat ajo më qejf do t’i bënte publike dhe do t’ia servonte opinionit. Bindja ime është që gjithë ky proces në fund do të përfundojë më pafajësinë e të akuzuarave për shkak se nga ajo që është pa deri tash ka pasur edhe dëshmitar që në të vërtete e kanë pranuar edhe vet që kanë operuar më burime serbe dhe kjo do të ishte në një fare mënyre si të mbahet një proces gjyqësore, fjala vjen gjykatat serbe jo për ta barazuar gjykatën speciale më gjykatën serbe, por nëse burimet dhe dëshmitarët janë serbë atëherë padyshim që kjo vjen në sprovë serioze legjitimitetin e Gjykatës Speciale”, tha ai.

    Ai duke folur për seancat e mbyllura për publikun tha se ato janë duke u mbajtur të mbyllura pasi dëshmitë nuk janë kredibile.

    “Unë besojë që vet fakti që janë të mbyllura ne nuk kemi informata dhe nuk dimë se si ta vlerësojmë por logjikisht po thamë po të kishte dëshmi kredi bile të forta prokuroria do të insistonte që ato të ishin të hapura dhe jo të mbyllura”, tha ai.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po përballen me akuza për krime lufte gjatë luftës së fundit në Kosovë nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999.

  • Sejdiu: S’duhet t’i ikim dialogut, sanksionet ndaj Serbisë po vonohen

    Sejdiu: S’duhet t’i ikim dialogut, sanksionet ndaj Serbisë po vonohen

    Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu deklaron se Bashkimi Evropian po vonon për të sanksionuar Serbinë. Ai konsideron se për këtë po ndikojnë disa faktorë, megjithatë shton se agresioni serbë i 24 shtatorit, tashmë është i qartë. Sejdiu thekson se Kosova meriton mbështetje të fuqishme dhe se nuk duhet të largohet nga dialogu. Në intervistën për KosovaPress, ish-kryetari i shtetit, deklaron se gjendja në veri është e tensionuar dhe për këtë kanë ndikuar shumë faktorë.

    Në aktin e agresionit serbë, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku, Sejdiu thotë se qëllim ka qenë cenimi i integritetit të Kosovës.

    “Për ne është me rëndësi se kjo letër, apo kjo kartë në të cilën ka luajtur Serbia është absolutisht një deshifrim total i gjithë projekteve që Serbia ka karshi Kosovës. Andaj, është tepër e nevojshme që të bëhet një radhitje e gjithë faktorëve të rëndësishëm edhe politikë dhe të sigurisë për të përballuar sfidat e tjera. Fatkeqësisht, tash është vrarë një efektiv i PK-së, Afrim Bunjaku, dhe qëllimi i atyre që kanë pas qëllim destabilizimin e Kosovës, kanë qenë të që të vriten edhe të tjerë, dhe të ketë viktima të shumta, me qëllim që të proklamojë paralelisht edhe para botës demokratike dhe të gjithë të tjerëve se nuk ka stabilitet, se Kosova nuk ka të ardhme, se është çdo gjë e imagjinuar, por nuk është një veprim real i forcave politike dhe i një shteti në ecje me synimin që një ditë të jetë edhe anëtar i BE-së”, deklaron ai.

    Sejdiu konsideron se nga kjo ngjarje duhet t’i bëhet e qartë Serbisë se Kosova ka kufijë të paprekshëm dhe për mbrojtjen e tyre, garantojnë edhe ndërkombëtarët.

    “Nga ajo që kemi parë, është një lojë që udhëhiqet nga faktori Rusi, sepse qëllimi i saj karshi luftës në Ukrainë, investimeve të saj të shembë një shtet demokratik siç është Ukraina, ka qenë që të zgjerojë konfliktin edhe në regjionet tjera dhe sipas tyre dhe sipas asaj që vazhdimisht është shprehur janë dy apo tre vendet e Ballkanit Perëndimor apo të Evropës Juglindore, siç është Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja Hercegovina. Në fokus të investimeve të mbrapshta që ata i bëjnë me qëllim që të destabilizojnë vendet e lartpërmendura. Për ne është shumë e rëndësishme që nxitohet në kuptimin e kualitetit për të pas një përmbyllje edhe këtij ciklit të bisedimeve që duhet të vijnë, Kosova ka zgjedh që moti rrugën e bisedimeve si rrugën më të drejtpërdrejt për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me relaksimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, assesi dhe në asnjë situatë çështjet e statusit, sepse pretendimi i serbeve është që të ketë trajtim të drejtpërdrejt kornizave themelore të shtetit të Kosovës dhe jo të njohë Kosovën siç janë edhe betimet e presidentit të Serbisë, Vuçiq”, shton ai.

    Pavarësisht se ka kaluar një muaj nga sulmi, Sejdiu nuk përjashton mundësinë se akte të tilla mund të ndodhin përsëri.

    Sipas tij, Serbia ka për qëllim destabilizimin e Kosovës në emër të të drejtave të minoritetit serb, edhe ashtu i diskriminuar pozitivisht me legjislacionin aktual.

    “Ne nuk duhet të mbesim asnjëherë se ka përfunduar me një veprim të tillë sepse ajo synon gjithmonë se në Kosovë dhe në pjesë të saj nuk ka realizim të bollshëm të drejtave, lirive të njeriut në kuptimin e komunitetit serb e që është e kundërta sepse kanë të gjitha favoret në parim të atyre që janë të vendosura edhe në Kushtetutën e Republikës, është pra një diskriminim pozitiv, qëllimi saj është të stërzgjatë gjithmonë dialogun. Pra, një dialog që do të mbështetet sërish nga faktori ndërkombëtar që është nis dhe ndërprerë”, thekson Sejdiu.

    Sejdiu konsideron se Bashkimi Evropian është vonuar në vendosjen e masave ndëshkueshme ndaj Serbisë, pas sulmeve terroriste që ndodhën më 24 shtator, në Banjskë.

    “Ka një vonesë. Janë shumë faktorë që e determinojnë një veprim të tillë. Mendohet gjithmonë se me një analizë të skajshme mund të nxirret përgjigja më e mirë, përgjigjja është sheshazi, ka dalë ditën e 24 shtatorit në sulmin, në pjesën veriore të vendit dhe pas atij destabilizimi që kanë tentuar që ta fusim edhe popullatën serbe në lojë, janë të dijshme. Andaj, ne nuk duhet të shqetësohemi në kuptimin e frikës sikur serbët që kanë këtë ambicie që të trembin popullsinë, por duhet të shqetësohemi nganjëherë për hapat e ngadaltë që kanë shkuar deri tash sepse kemi nga fillimi i këtij cikli të bisedimeve nga 2011, deri tash. Prandaj, duhet të bëhet që pala jonë të jetë koperuese sikur ka qenë, kjo s’do të thotë të hiqet dorë nga parimet themelore që ka, dhe asnjëherë çështja e statusit të Kosovës nuk mund të preket”, thotë Sejdiu.

    Ndërkaq, masat ndëshkuese që BE ka vendosur Kosovës, Sejdiu thotë se duhet të hiqen. Megjithatë, shton se Kosova duhet t’i kryej detyrat e saj.

    Ai thotë se Kosova nuk duhet të largohet nga tryeza e bisedimeve me Serbinë.

    “Ka shumëçka se duhet të shikohet edhe me pjesën e atyre sanksioneve apo masave ndëshkuese. Kosova meriton një mbështetje të fuqishme… Për ne është me rëndësi të bëjmë detyrat tona të shtëpisë, të mbajmë këtë seriozitet që duhet ta ketë Kosova si faktor i pavarur, dhe natyrisht të bëjë punë shumë të madhe në pjesën e ringjalljes ekonomike të vendit… Kosova nuk duhet të ikë prej dialogut të mbështetur si duhet, dialog i drejtë që sjell paqe mes dy vendeve”, përfundon Sejdiu.

    Të enjten, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pati një takim me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin e tij, Miroslav Lajcak. Në të njëjtën format takimi pati edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

    Pas takimit, Kurti tha se ishte i gatshëm të nënshkruante draftin e ofruar nga BE-ja dhe ShBA-të për zbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por Vuçiq ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit, si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët më 21 tetor 2023.

  • Fillon ndërtimi i një stacioni policor në Zubin Potok, Elshani: Vendimi ishte marrë në vitin 2018

    Fillon ndërtimi i një stacioni policor në Zubin Potok, Elshani: Vendimi ishte marrë në vitin 2018

    Makineria e rëndë herët në mëngjes ka filluar spastrimin e terrenit në afërsi të shkollës fillore në Zubin Potok.

    Bëhet fjalë për ndërtimin e një stacioni policor siç konfirmoi Polica, gjë të cilën disa banorë aty po e kundërshtojnë duke paralajmëruar protesta.

    Sipas zëvendës-komandantit të Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani vendimi për ndërtimin e këtij stacioni ekziston që nga viti 2018 dhe u vërtetua në vitin 2022 ndërkaq tani është dhënë leja për nisje të punimeve.

    “Meqë Policia funksiononte në një shtëpi private, vendimi u mor në vitin 2018 dhe tani kemi marrë leje që të vazhdojmë me punime, ndonëse vendimi final për këtë ishte marrë më herët” tha Elshani.