ATV

Blog

  • Aktakuzë lidhur me incidentin në Kuvendin e Kosovës

    Aktakuzë lidhur me incidentin në Kuvendin e Kosovës

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Prokurori i Shtetit, pas zhvillimit të hetimeve dhe zgjerimit të tyre, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve B.B., H.B., M.L. dhe B.H., (deputetë të Kuvendit të Kosovës), lidhur me përleshjen fizike të dt. 13.07.2023, gjatë mbajtjes së seancës së rregullt plenare në objektin e Kuvendit të Kosovës.

    Sipas aktakuzës, të pandehurit B.B., M.L., H.B., ngarkohen për veprën penale “Sulmi”, nga neni 184 paragrafi 1 të KPRK-së, ndërsa i pandehuri H.B., gjithashtu ngarkohet me veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, nga neni 321 paragrafi 1 të KPRK-së.

    Po ashtu, në këtë çështje penale për të pandehurin B.H., ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”, nga neni 185 paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 të KPRK-së.

    Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë. /atvlive.tv

  • Haxhiu kërkon nga BE-ja ta vlerësojë përparimin në sundimin e ligjit e aplikimin për anëtarësim në union

    Haxhiu kërkon nga BE-ja ta vlerësojë përparimin në sundimin e ligjit e aplikimin për anëtarësim në union

    Programi i Bashkimit Evropian (BE) për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë të hënën e ka mbajtur takimin e dymbëdhjetë të Komitetit Drejtues, raporton Ekonomia Online. Ky projekt është i financuar nga BE-ja dhe synon reformimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë në përputhje me standardet evropiane.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se falë këtij projekti të BE-së zbatimi i ligjeve është në nivelin e duhur dhe se në këtë drejtim kanë ndihmuar edhe trajnimet për prokurorët e gjyqtarët.

    Sipas saj, Kosova ka bërë përparim në sundimin e ligjit dhe se këtë duhet që të vlerësojë BE-ja, madje ka kërkuar që të merret parasysh edhe aplikimi për në union.

    “Tri vjet pas këtij projekti ne kemi zbatim të ligjit dhe kemi zbatim të rregullave më të mira dhe më të sakta. Falë këtij projekti korniza ligjore është tani më e mirë. Trajnimi për gjyqtarët e prokurorët nga ky projekt është një hap i rëndësishëm për neve si shtet dhe për të gjithë sistemin e drejtësisë”.

    “Nga këto trajnime dhe këta ekspertë nga BE-ja kemi mësuar shumë në sektorin e drejtësisë, por edhe në sundim të ligjit. Kemi rritur zbatimin e ligjeve dhe kjo është vërejtur edhe nga Bashkimi Evropian, presim që këto të i shoh unioni dhe ta vlerësojë Kosovën dhe aplikimin e saj për anëtarësim në BE”.

    Ambasadori gjerman Jorn Rohde, tha se fuqizimi i sundimit të ligjit është qenësore për anëtarësim në BE. Madje për këtë garantoni mbështetjen e shtetit të tij, raporton EO.

    “Ky projekt është një projekt i rëndësishëm për të gjithë në. Fuqizimi i sundimit të ligjit është qenësore për demokraci, por edhe në anëtarësim në BE. Gjermania mbetet gjithmonë në përkrahje me shtetin e Kosovës dhe përfundimin e kornizës ligjore”.

    Ky projekt ka ndihmuar institucionet në konsolidimin e kornizës ligjore dhe institucionale për të forcuar pavarësinë, paanshmërinë, llogaridhënien, profesionalizmin, cilësinë, efikasitetin dhe transparencën e gjyqësorit, përmirësimin e qasjes në drejtësi të qytetarëve e sidomos të grave edhe grupeve të margjinalizuara.

  • Kurti takohet me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

    Kurti takohet me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është pritur në takim nga kryeministri Albin Kurti. Mediet janë lejuar të marrin vetëm pamje në fillim të takimit, raporton EO.

    Pas vizitës në Prishtinë, Von der Leyen pasdite do të udhëtojë për në Beograd, ku do të takohet me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren, Ana Brnabiq.

    Ndryshe, vizita në Kosovë është në kuadër të një vizite katërditore në rajon, të cilën von der Leyen e ka nisur të dielën në Maqedoninë e Veriut.

    Ajo gjithashtu do të qëndrojë për vizitë në Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë. Vizita vjen pas takimeve që von der Leyen pati në Shqipëri në fillim të këtij muaji, në datat 15-16 tetor, ku mori pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit.

  • Von der Leyen dënon fuqishëm sulmin terrorist në veri: Kosova ta pranojë Asociacionin e mbetur pezull

    Von der Leyen dënon fuqishëm sulmin terrorist në veri: Kosova ta pranojë Asociacionin e mbetur pezull

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se e dënon fuqishëm sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë. Pas takimit me të parën e shtetit, Vjosa Osmani, Von der Leyen, foli edhe për ndihmën që Bashkimi Evropian e jep për Kosovën.

    Sipas saj, Kosova duhet ta pranojë Asociacionin që ka mbetur pezull dhe Serbia duhet ta njoh Kosovën.

    “Fuqishëm fajësojmë dhe dënojmë sulmet e 24 shtatorit dhe shprehim ngushëllimet për humbjen e jetës së zyrtarit policor”, tha fillimisht ajo.

    “Porosia ime është se Kosova ka bërë një progres në fuqizimin e demokracisë. Më kujtohet vitin e kaluar kur bëmë thirrje për liberalizim të vizave dhe ia dolëm se nga 1 janari do të lëvizni lirshëm. Porosia e dytë është se duhet t’i përafrojmë edhe çështjet ekonomike”.

    “Kemi kaluar në shumë kriza si ajo me energji elektrike dhe kemi ndarë 70 milionë euro. Ekonomitë duhet t’i përafrojmë, dhe nëse i shihmi shifrat, ekonomia kosovare ka shumë punë për të bërë dhe duhet ta rrisim këtë çështje”.

    “Të gjithë e dimë që këto gjëra bëhen nëse Kosova dhe Serbia angazhohen. Kosova duhet ta pranojë Asociacionin që ka mbetur pezull dhe Serbia duhet ta njoh Kosovën”.

  • Osmani thotë se Von der Leyen ia prezantoi planin e ri të zgjerimit: Të hiqen masat, jemi angazhuar për de-eskalim

    Osmani thotë se Von der Leyen ia prezantoi planin e ri të zgjerimit: Të hiqen masat, jemi angazhuar për de-eskalim

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen i’a ka prezantuar planin e ri të rritjes për Ballkanin Evropian, raporton Ekonomia Online.

    Osmani tha në një konferencë të përbashkët për medie planin e quajti “hap të rëndësishëm drejt integrimit tonë në tregun e përbashkët evropian”.

    “Takimi i sotëm u fokusua në rritjen e Ballkanit Perëndimor dhe krahas kësaj e i formova për zhvillimet e fundit në vend. Plani gjithëpërfshirës shënon një hap drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Në takim shpreha mirënjohje ndaj KE-së si mekanizma që i dhanë epilog liberalizimit të vizave, ku qytetarët nga 1 janari do të lëvizin lirshëm në zonën Shengen”.

    “Ngjashëm Kosova vazhdon të jetë kampione në procesin e zgjedhjeve dhe Kosova është gati në procesin e integrimit në BE. Si dëshmi institucionet e Kosovës dorëzuan aplikimin për anëtarësim në dhjetor të vitit të kaluar”.

    Osmani shtoi se Von der Leyen ka folur edhe për heqjen e masave të vendosura nga BE. Ajo tha se institucionet e Kosovës kanë treguar angazhim konkret për de-eskalim të situatës dhe përkushtim të plotë për bashkëpunim dhe koordinim të vazhdueshëm me aleatë dhe partnerë.

    “Në takim potencova edhe rëndësinë dhe nevojën e largimit të masave të vendosura ndaj Kosovës. Institucionet tona përgjatë muajve të kaluar kanë treguar jo vetëm angazhim konkret për deeskalim të situatës, por edhe përkushtim të plotë për bashkëpunim dhe koordinim të vazhdueshëm me aleatët dhe partnerët tanë. Njëkohësisht, institucionet tona kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm për të garantuar zgjedhje të reja e të lira por për fat të keq, adresa e këtyre pengesave vazhdon të mbetet në Beograd. Krahas sfidave kolektive globale, theksova se sfidat komplekse që po kalon Republika e Kosovës janë si rezuxltat i përpjekjeve destabilizuese të Serbisë”.

    “Vetëm në javët e fundit kemi qenë dëshmitarë të këtyre ambicieve të destabilizuese që rezultuan me aktin e agresionit kundër Republikës së Kosovës më 24 shtator që u krye nga grupe terroriste, paramilitare të Serbisë. Siç i shpreha von der Leyen, ne duhet të jemi të bashkuar për të refuzuar dhunën si mjet për arritje të qëllimeve keqdashëse të cilat minojnë edhe vetë vlerat mbi të cilat është ndërtuar BE. Kosova është e përkushtuar për të respektuar Kushtetutën e saj e cila ofron të drejtat më të avancuara për komunitetet joshumicë jo vetëm në rajon por në të gjithë kontinentin tonë.”

    Poashtu, Osmani i ka bërë thirrje Serbisë që t’i ekstradojë të gjithë personat që janë të përfshirë në sulmin terrorist të 24 shtatorit.

    “Grupi terrorit i përfshirë në sulmin e 24 shtatorit duhet të përballet me drejtësinë në Kosovë. Ne do të vazhdojmë të aplikojmë standardet më të larta për gjykim të drejtë dhe i bëjmë thirrje Serbisë që t’i ekstradojë individët dhe zyrtarët që ishin pjesë e planifikimit, financimit dhe organizimit të këtij akti terrorist”.

  • Punëtorët e KRM “Pastërtia” në Ferizaj protestojnë për rritje pagash, paralajmërojnë edhe grevë

    Punëtorët e KRM “Pastërtia” në Ferizaj protestojnë për rritje pagash, paralajmërojnë edhe grevë

    Punëtorët e KRM “Pastërtia” në Ferizaj, gjatë ditës së sotme kanë zhvilluar protesta, në shenjtë të pakënaqësisë së kushteve të punës si dhe pagave të ulëta.

    Në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin A LIVE në ATV, kryetari i sindikatës së punëtorëve në këtë kompani, Mexhid Ramusa, tregoi për kushtet e mjerueshme me të cilat punëtorët përballen çdo ditë.

    Madje, ai thotë se në vendin ku qëndrojnë punëtorët e KRM “Pastërtia”, gjatë natës frekuentojnë qentë endacakë.

    “Në e dimë që ka lëndime të shumta në punë dhe kompania nuk ka qenë në gjendje as shpenzimet e mjekut me ia kry. Kjo është gjendja e tyre në çfarë kushte trajtohen, natën rrinë qentë endacakë, ndërsa ditën, i hanë ushqimet punëtorët, në këtë vend”, tha Ramusa.

    Ai përmendi se një nga kërkesat e punëtorëve është rritja e pagave si dhe kushte më të mira në punë.

    “Kërkesat kanë qenë të vazhdueshme, deri sa kemi ardhë në këtë gjendje dhe e kemi ndërpre punën. Ne u kemi kërkuar rritjen e pagës edhe pagesën e trustit, sigurimin shëndetësorë, këto janë kërkesat primare”, u shpreh Ramusa.

    Ai paralajmëroi komunën e Ferizajt se nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen, do të hynë edhe në grevë. /atvlive.tv

    Për më shumë detaje rreth protestës, shikoni videon më poshtë:

  • Kurti, pas takimit me QUINT-in: Po të ishte në dorën tonë do të kishim marrëveshje, Serbia po e refuzon

    Kurti, pas takimit me QUINT-in: Po të ishte në dorën tonë do të kishim marrëveshje, Serbia po e refuzon

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorët e QUINT-it në objektin e Qeverisë së Kosovës të hënën.

    Kurti me anë të një postimi në platformën ‘X’ njoftoi se i informoi ata rreth zhvillimeve të fundit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

    Ai shprehu mirënjohjen e tij për BE-në dhe SHBA-në në përpjekjet e tyre për të rikthyer dialogun në rrugën e duhur pas sulmit terrorist të 24 shtatorit.

    I pari i Qeverisë Kosovës shtoi se Serbia po vazhdon ta refuzojë Marrëveshjen Themelore.

    “Sot u takova me ambasadorët e akredituar në Kosovë për t’iu ofruar atyre të rejat më të fundit mbi dialogun, siç është praktikë e zakonshme. Fillova duke shprehur mirënjohjen për BE-në dhe SHBA-në për përpjekjet e tyre për të rikthyer dialogun në rrugën e duhur pas sulmit terrorist të 24 shtatorit”, ka deklaruar ai.

    “Theksova gjithashtu se nëse do të ishte vetëm në dorën e Kosovës, ne do të kishim arritur marrëveshje dhe tashmë do të ishim në proces të zbatimit të saj. Kosova vazhdon të jetë e gatshme të nënshkruajë Marrëveshjen Bazë, Aneksin Zbatues dhe draftin e 21 tetorit. Serbia vazhdon ta refuzojë”, përfundon shefi i Qeverisë në njoftimin për takimin me ambasadorët e QUINT-it.

  • Vuçiq: Bota është në prag të një konflikti botëror, Serbia nuk është kurrë aq e fortë sa do të doja të ishte

    Vuçiq: Bota është në prag të një konflikti botëror, Serbia nuk është kurrë aq e fortë sa do të doja të ishte

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në emisionin e mëngjesit në TV Prva tha se mendon se bota është në prag të një konflikti botëror.

    “Kemi një situatë mjaft të vështirë në Ukrainë dhe tani është fare e qartë se Perëndimi do ta ketë të vështirë të mposhtë rusët, ashtu si rusët do ta kenë të vështirë të mposhtin ukrainasit. Kina dhe Amerika mbetën jashtë konfliktit, por Amerika pa mëdyshje ndihmon Ukrainën dhe Izraelin. Fatkeqësisht, ne po i afrohemi kësaj, njerëzit dhe shumë vende duan një rend tjetër në botë” – tha ai.

    Vuçiq ka thënë se e gjithë bota po shkon në drejtim të keq

    “Prandaj na duhet siguria dhe stabiliteti, për të mbrojtur vendin tonë dhe jo për ta sulmuar atë siç bëjnë disa”, tha Vuçiq.

    I pyetur nëse është e mundur të ruhet siguria dhe stabiliteti dhe Serbia të mbetet në këtë pozicion, ai tha se tashmë po ia del.

    Ai shtoi se ende nuk mund ta dijë nëse do të ketë probleme me naftën dhe gazin.

    Formimi i Asociacionit

    Duke komentuar ngjarjet e fundit në Banjskë, ai tha se Serbia nuk është në pozitë të lehtë, por se nuk ka arsye për t’u shqetësuar.

    “Do ta shtyjmë vendin përpara”, tha Vuçiq dhe shtoi se Serbia është e gatshme të përmbushë gjërat që nuk kanë të bëjnë me njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin në OKB.

    “Por dikush duhet të formojë Asociacionin, dhe Prishtina nuk e dëshiron këtë, nuk duan të formojnë”

    Vuçiq tha se ka aktorë politikë nga shumë vende që nuk duan ta shohin Asociacionin e Komunave Serbe. “Nuk kaloi”, tha ai.

    I pyetur nëse i frikësohet përshkallëzimit në Kosovë, Vuçiq tha se ka frikë çdo ditë.

    “Serbia nuk është kurrë aq e fortë sa do të doja të ishte. As ekonomikisht dhe as ushtarakisht. Unë e di çdo mangësi për sa i përket fuqisë punëtore, pajisjeve, teknikës, gjithçka që mungon në ushtrinë tonë”, tha Vuçiq.

  • KMDLNj: Po vazhdon terrorizimi psikik nga gjykata raciste speciale në Kosovë

    KMDLNj: Po vazhdon terrorizimi psikik nga gjykata raciste speciale në Kosovë

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar pas aksionit të sotëm të Gjykatës Speciale, për bastisjen e banesa të dy ish-këshilltarëve të ish-presidenti tHashim Thaçi, Blerim Shala dhe Bashkim Smaka (ky i fundit edhe ish-shef i AKI-së).

    Kjo organizatë, nëpërmes një komunikatë shtypi, thekson se Gjykata Raciste Speciale, sikur e quan, po vazhdon inkursionin e tyre të bastisjeve ndaj shtetasve të Kosovës, në përpjekje që të sigurojë prova inkriminuese ndaj themeluesve të UÇK-së dhe shtetit të Kosovës, që tani po gjykohen në Hagë në një proces të motivuar politikisht dhe etnikisht.

    KMDLNj ka informata se në bastisjen e sotme janë konfiskuar telefona, pajisje tjera elektronike dhe materiale të ndryshme të shkruara apo të filmuara. KMDLNj i informon “ata që në të ardhmen do të bastisen” se nuk kanë asnjë detyrim ligjor të japin fjalëkalimin e telefonave celularë apo pajisjeve të tjera elektronike, përveç nëse këtë e bëjnë vullnetarisht dhe me pëlqimin e tyre.

    “Po shënjestrohen të gjithë ata që në një mënyrë apo tjetër po e kundërshtojnë këtë gjykatë sikur edhe ata që kanë qenë në marëdhënie të punës te udhëheqësit e UÇK-së dhe të institucioneve shtetërore të Kosovës, në çfarëdo cilësie. Gjithashtu, po shënjestrohen edhe ata që falë postit në të kaluarën e tyre kanë qenë në vende ku ka pasur informata të ndjeshme të cilat GJRS-së, nën kërcënim për ndjekje penale po mundohet t’i sigurojë nga këta persona të cilët nuk kanë asnjë detyrim të bashkëpunojnë me ZPS-së”.

    KMDLNj kërkon nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që me urgjencë të trajtojnë këtë dukuri dhe shpërfilljen që ia bën kjo Gjykatë shtetit të Kosovës në përgjithësi dhe Kuvendit të Kosovës, si themelues të kësaj Gjykate, në veçanti. “Kësi rast të injorimit dhe shpërfilljes që ia bën Gjykata themeluesit të saj nuk është regjistruar në asnjë vend të botës dhe paraqet presedan të rrezikshëm të arbitraritetit juridik me qëllim të qartë që të ndërhyjë në probleme dhe procese politike”.

    REAGIMI I PLOTË:

    KMDLNj, që nga orët e hershme të mëngjesit të datës 30 tetor 2023 kishte informata se hetues të Gjykatës Raciste Speciale po vazhdojnë inkursionin e tyre të bastisjeve ndaj shtetasve të Kosovës në përpjekje që të sigurojnë prova inkriminuese ndaj themeluesve të UÇK-së dhe shtetit të Kosovës e që tani po gjykohen në Hagë në një proces të motivuar politikisht dhe etnikisht.

    GJRS-ja, si burim të informatave për të sajuar dëshmi, në masën 80 % mbështetet në burimet serbe, qoftë nga institucionet hetuese, zbuluese, kundërzbuluese apo të prokurorisë serbe sikur edhe medieve nga Serbia, OJQ-ve, gjithashtu nga Serbia ndërkaq 20% i sigurojnë në Kosovë (nga partitë politike, institucionet shtetërore, disa media, analistë të korruptuar sikur edhe nga familjarët që kërkojnë informata për anëtarët e tyre të zhdukur apo vrarë gjatë luftës së fundit dhe pas përfundimit të luftës nga persona të paidentifikuar). Vetëm kërkesat e familjarëve kanë arsye ndërkaq të tjerat janë spekulative dhe përfituese.

    Pas bastisjeve të banesës së Blerim Shalës, ish-këshilltar i presidentit Thaçi dhe anëtar i Grupit aktual Teknik që përgatit propozime për bisedime me Serbinë dhe Bashkim Smakaj, ish shef i AKI-së dhe këshilltar i presidentit Thaçi, hetues inkursorë të GJRS-së konfiskuan telefona, pajisje tjera elektronike dhe materiale të ndryshme të shkruara apo të filmuara. Nga krejt këto bastisje është fakt se sjellja e hetuesve nuk është e dhunshme (fizikisht), nuk ka shkatërrime materiale, bëhen në prani të avokatit që autorizohet nga pala që bastiset dhe, sidomos kohëve të fundit fëmijët e moshës jomadhore largohen nga objekti që bastiset.

    Realisht, mund të flasim për një dhunë psikologjike dhe pasiguri të shkaktuar për shkak të bastisjeve të paparalajmëruara dhe mbajtja nën presion të personave të bastisur për një kohë të gjatë deri në një vendim të gjykatës. Në këtë mënyrë po shënjestrohen të gjithë ata që në një mënyrë apo tjetër po e kundërshtojnë këtë gjykatë sikur edhe ata që kanë qenë në marëdhënie të punës te udhëheqësit e UÇK-së dhe të institucioneve shtetërore të Kosovës, në çfarëdo cilësie. Gjithashtu, po shënjestërohen edhe ata që falë postit në të kaluarën e tyre kanë qenë në vende ku ka pasur informata të ndjeshme të cilat GJRS-së, nën kërcënim për ndjekje penale po mundohet t’i sigurojë nga këta persona të cilët nuk kanë asnjë detyrim të bashkëpunojnë me ZPS-së.

    KMDLNj ka kërkuar dhe kërkon nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që me urgjencë të trajtojnë këtë dukuri dhe shpërfilljen që ia bën kjo Gjykatë shtetit të Kosovës në përgjithësi dhe Kuvendit të Kosovës, si themelues të kësaj Gjykate, në veçanti. Kësi rast të injorimit dhe shpërfilljes që ia bën Gjykata themeluesit të saj nuk është regjistruar në asnjë vend të botës dhe paraqet presedan të rrezikshëm të arbitraritetit juridik me qëllim të qartë që të ndërhyjë në probleme dhe procese politike.

    Për të gjitha këto të bëma të kësaj Gjykate, pasi të largohet mjegulla e dezinformimit, përgjegjësia kryesore do të adresohet te Kuvendi i Kosovës dhe deputetët e tij për shkak të qëndrimit të tyre oportunist një pjesë e të cilëve është shndërruar në lojtarë aktiv kundër atyre që po gjykohen duke e shpërfillur faktin se kjo, në fund të fundit do t’i adresohet shtetit të Kosovës.

    KMDLNj bën me dije ata që në të ardhmën do të bastisen se nuk kanë asnjë detyrim ligjor të japin fjalëkalimin e telefonave celularë apo pajisjeve tjera elektronike, përveç nëse këtë e bëjnë vullnetarisht dhe me pëlqimin e tyre.

    Ndjekja e të dyshuarve vetëm të njërës palë në luftë për krime të supozuara e që si kriter kryesor e kanë parimin etnik është në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut dhe përbënë të gjitha elementet e trajtimit racist, si të viktimave ashtu edhe të dyshuarve.

  • Szunyog për takimet e Ursula von der Leyen me Osmanin e Kurtin: Në pritje të diskutimeve të frytshme

    Szunyog për takimet e Ursula von der Leyen me Osmanin e Kurtin: Në pritje të diskutimeve të frytshme

    Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, e ka mirëpritur presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

    Szunyog theksoi se ajo do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, teksa shtoi se pret diskutime të frytshme.

    “E mirëprita presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila mbërriti sot në Kosovë, në kuadër të vizitës së saj katërditure në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Malin e Zi, Serbi dhe në Bosnje e Hercegovinë”.

    “Ajo do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurtin. Në pritje të diskutimeve të frytshme!”, shkroi Szunyog.