ATV

Blog

  • Ministrja Rizvanolli raporton për gjendjen e krijuar në Trepçë

    Ministrja Rizvanolli raporton për gjendjen e krijuar në Trepçë

    Ministrja e ekonomisë, Artane Rizvanolli, do të raportojë sot në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, lidhur me gjendjen e krijuar në ndërmarrjen TREPÇA Sh.A.

    Gjithashtu, në këtë mbledhje do të raportojë bordi i Autoritetit Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare – ARKEP, lidhur me zbatimin e rekomandimeve të Kuvendit për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për komunikime elektronike.

    Raportimi bëhet në Kuvendin e Kosovës, salla N10, duke nis nga ora 11:00.

  • Prepolli: Në shtëpi ne nuk i kemi 8 topa e Messi i fitojë të ARTË

    Prepolli: Në shtëpi ne nuk i kemi 8 topa e Messi i fitojë të ARTË

    Analisti i përhershëm i emisionit ‘EKIPI A’ Arsim Prepolli a e ka komentuar fitoren e çmimit ‘Topi Artë’ nga Leo Messi

    Prepolli ka deklaruar që për Messin ma nuk është interesante ky titull.

    ‘Messit iu kanë bërë si ditëlindje, ne në shtëpi nuk i kemi 8 topa, ai ky i fitoj të Artë, çka me thënë tjetër’ tha Prepolli.

    Komplet emisionin mund të shikoni më poshtë.

  • Dragusha: Duhet të jemi falënderues ndaj Zotit që e kemi Leo Messin

    Dragusha: Duhet të jemi falënderues ndaj Zotit që e kemi Leo Messin

    Ish kapiteni i kombëtarës së Kosovës në futboll, Muhmet Dragusha ka qenë i ftuar në emisionin ‘EKIPI A’ me Doruntina Alshiqin në ATV.

    Dragusha e ka komentuar fitoren e Topit të Artë nga Leo Messi.

    ‘ Duhet të jemi falënderues Zotit që e kemi Messin’ ka thënë ndër tjera Dragusha

    Për më shumë shikojeni emisionin më poshtë.

  • Lionel Messi e fiton “Topin e Artë” për herën e 8 në karrierë

    Lionel Messi e fiton “Topin e Artë” për herën e 8 në karrierë

    Lionel Messi ka vendosur hegjemoninë absolute për fitoren e trofeut të ”Topit të Artë” teksa ka fituar për herë të 8 në karrierë këtë çmim të rëndësishëm individual, dy më shumë se ndjekësi më i afërt, Cristiano Ronaldo.

    Ylli argjentinas mori trofeun në mbrëmjen gala të zhvilluar në Paris, duke mundur Erling Halaand dhe Kilian Mbappe, të cilët ishin rivalët e vetëm që mund të kërcënonin futbollistin i cili u zgjodh si fitues për shkak të triumfit të tij në Kupën e Botës në dhjetorin e kaluar.

  • Mungon stafi në QMF të Gremes, pacientët vaksinohen në Ferizaj

    Mungon stafi në QMF të Gremes, pacientët vaksinohen në Ferizaj

    Përgatiti: Sara Shehu

    Departamenti i vaksinimit në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Greme të Ferizajt, të hënën, për rreth dy orë, ka qenë i zbrazët.

    Për shkak të mosofrimit të shërbimeve, banorët e këtij fshati janë detyruar që vaksinën kundër gripit sezonal, ta marrin në Qendrën kryesore të mjekësisë familjare në Ferizaj.

    “Jam shku me marr vaksinën po asnjeri s’u kanë në vendin e punës, po largohen e po ikin e na me i pritë aty, po duhet s’disa edhe i vjetër s’po muj kështuqë e kom lan me marr këtu n’qendrën kryesore”, tha Musli Murseli, qytetar.

    “Në përgjithësi, nëpër shtëpi të shëndetit po bojnë manipulime, nuk po rrinë nëpër vende të punës. Stafi i vaksinimit del se s’po kanë interesim me nejt. Oshtë gjynah që po na bojnë kësi gjërash, ne të moshuarit duhet të kujdesemi nga ata, ka raste të tilla, jam duke ba plan apet me marr këtë vit vaksinën, me gru amo me gjasa që s’i gjejmë as kësaj here mjekët aty”, tha Ejup Cakolli, qytetar.

    Mirëpo, ankesat e pacientëve po i mohon shefja e Vaksinimit në këtë komunë, Drita Nazifi-Emini. Sipas saj, secila njësi e vaksinimit është në gatishmëri për procesin e vaksinimit.

    “Deri më sot janë vaksinuar më shumë se 3000 qytetarë në qendrat e mjekësisë. Ne kemi mbështetjen e komunës për punëtorë dhe mund të themi se jemi të trajnuar që në secilën qendër të jetë stafi mjekësor për pacientët, të cilët janë gjithmonë aty për ofrimin e vaksinës për të interesuarit. Tani interesimi ditëve në vazhdim pritet të rritet edhe më shumë”, tha Nazifi-Emini.

    Tutje, ajo ka bërë të ditur se në 7 Qendrat e Mjekësisë Familjare punojnë nga 3 infermiere për ofrimin e vaksinës për pacientët.

    Ndryshe, procesi i vaksinimit kundër gripit sezonal ka filluar në fillim të muajit tetor, me ç’rast Ministria e Shëndetësisë ka siguruar mbi 85 mijë vaksina.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • IPK rekomandon suspendimin e tre zyrtarëve policorë

    IPK rekomandon suspendimin e tre zyrtarëve policorë

    Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve sipas detyrës zyrtare ka filluar hetimet ndaj tre zyrtarëve policorë të cilët sipas publikimit të një video në media ku bazuar në këtë video dyshohet janë në shoqërim të personave me të kaluar kriminale (shoqërim me personin e dyshuar për nxitje të vrasjes së ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës Triumf Riza).

    Lidhur me rastin është informuar Prokuroria e Shtetit, ndërkaq në interes të zhvillimit të hetimit IPK ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë. Veprimet e tjera hetimore do të ndërmerren sipas autorizimeve ligjore të IPK-së. /atvlive.tv

  • “Trepça” e humbjeve, e mosmarrëveshjeve, dorëheqjeve dhe shkarkimeve

    “Trepça” e humbjeve, e mosmarrëveshjeve, dorëheqjeve dhe shkarkimeve

    Përgatiti: Armand Hoti

    Greva e minatorëve të minierës së ‘’Trepçës’’ në Stan Tërg, që filloi një javë më parë, i ka kushtuar ndërmarrjes rreth 350 mijë euro.

    Ndërkohë, sot menaxhmenti i ndërmarrjes ‘’Trepça’’ mori vendim për suspendimin e përkohshëm nga puna të kryesindikalistit Ibrahim Januzi, bashkë me katër grevistë të tjerë.

    Sipas vendimit të menaxhmentit të ‘’Trepçës’’, të suspenduarit kanë rrezikuar shëndetin, sigurinë dhe jetën e minatorëve.

    Por pavarësisht penalizimit, Januzi shprehet i vendosur se punëtorët e nëndheshëm të Kosovës do të vazhdojnë të mbajnë grevë deri në realizimin e kërkesave të tyre, teksa suspendimin e grevistëve e vlerëson si hakmarrje.

    “Është një gjendje e rëndë të cilën s’e kemi dëshiru, pasi këta punëtorë po vazhdojnë të bartin pasoja shëndetësore… Na vjen shumë keq, sepse të krijosh humbje në këtë situatë është e rëndë edhe për neve, por nëse do të kishin reflektuar edhe menaxhmenti, edhe Ministria, edhe Qeveria nuk do vinim në këtë situatë”, tha Januzi.

    Si rezultat i mospajtimeve me Bordin e ri Mbikëqyrës të ndërmarrjes, të premten, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Njësisë Biznesore ‘’Trepça’’, Bujar Jashari, dha dorëheqje nga posti që mbante.

    Po atë ditë, Bordi Mbikëqyrës mori vendim që këtë pozitë ta marrë Bahri Karaqa, i cili ka lidhje familjare me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja.

    Por, drejtori Karaqa thotë se emërimi i tij nuk ndërlidhet me afërsinë që ai ka me deputetin.

    “Mua më kanë lutur edhe më herët. Kjo nuk është e vërtetë”, tha Karaqa.

    Sipas tij, greva e filluar shtatë ditë më parë do t’i kushtojë ndërmarrjes, po ashtu punëtorëve.

    “Kjo na kushton vetëm neve punëtorëve… Kur i shikon hyrje-daljet, kur nuk punon nuk ke se çfarë të marrësh”, tha Karaqa.

    Ndërkaq, ai përmend nevojën për investime kapitale serioze që do të mundësonin një operim më efikas dhe fitimprurës të minierës dhe flotacionit, derisa shpresat i mban në 20 milionë eurot e Qeverisë, hua, e cila është miratuar në parim nga Qeveria në shkurt të këtij viti.

    Rreth një muaj më parë, respektivisht më 28 shtator, Qeveria e Kosovës shkarkoi Bordin Mbikëqyrës të ndërmarrjes, duke emëruar një Bord të ri të formuar nga katër anëtarë.

    Në bordin e ri mbikëqyrës, punëtorët, që janë pronarë të 20 për qind të aksioneve të ndërmarrjes, nuk e kanë përfaqësuesin e tyre.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Dogji veturat me targat RKS, dënohet me 7 muaj burgim Milovan Bozoviq

    Dogji veturat me targat RKS, dënohet me 7 muaj burgim Milovan Bozoviq

    Përgatiti: Nora Luta

    E pranoi fajësinë në shqyrtimin fillestar, por në seancën ku do t’i publikohej dënimi, Millovan Bozhoviq nuk ishte prezent.

    Bozhoviqin, Gjykata Themelore e Prishtinës e dënoi me shtatë muaj burgim për djegien e dy veturave të qytetarëve serbë që i kishin konvertuar targat e automjeteve në RKS.

    Ndaj Bozhoviqit Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë në tetor të këtij viti, edhe për veprat penale pjesëmarrje në huliganizëm. Sipas Prokurorisë, Bozhoviq që vjen nga komuna e Zubin Potokut, kishte shkaktuar incidente në këtë pjesë.

    Veturat dy qytetarëve serbë u ishin djegur vetëm një javë pasi i kishin konvertuar targat ilegale, në ato të institucioneve të Republikës.

    Ndërkohë, edhe raste të tjera kur ishin djegur veturat e banorëve të nacionalitetit serb, që kishin pranuar t’i konvertojnë targat në RKS, ishin raportuar gjatë muajit mars të këtij viti në Zveçan e në Mitrovicë të Veriut.

    Vendimi i Qeverisë që automjetet me targa ilegale serbe të riregjistrohen në RKS ishte kundërshtuar nga banorët lokalë të pjesës veriore, edhe me barrikada.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Gjykimi për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, publikohen pamje të ditës kritike

    Gjykimi për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, publikohen pamje të ditës kritike

    Përgatiti: Nora Luta

    Janë lëvizjet e fundit të ish politikanit serb Oliver Ivanoviq teksa largohet nga banesa e tij në Mitrovicë për të shkuar në selinë e partisë që e drejtonte.

    Ato janë kapur nga kamerat e sigurisë të vendosura në qytet, pamje këto që u publikuan për herë të parë nga Gjykata Themelore e Prishtinës gjatë gjykimit që po zhvillohet për vrasjen e tij.

    Aty shihen lëvizjet e Ivanoviqit në mëngjesin e 16 janarit të 2018-s, që sipas Prokurorisë ishin përcjellë disa ditë me radhë nga një grupi kriminal, i cili edhe më pas e vrau atë para objektit të partisë.

    Kamerat e sigurisë i kanë kapur edhe lëvizjet e veturës “Opel Astra”, e cila ishte gjetur e djegur, pak orë pas vrasjes.

    Sipas aktakuzës i akuzuari Marko Roshiq po i ndiqte në vazhdimësi lëvizjet e Ivanovicit.

    Por mbrojtja e tij pretendon se Roshiq nuk shihet në pamjet e transmetuara.

    Gjatë kësaj seance ishte planifikuar që të publikoheshin edhe pamjet nga momenti i vrasjes, por për shkaqe teknike sërish nuk u arrit të transmetoheshin.

    Ndërkohë pothuajse në fund të këtij procesi gjyqësor, e pas përfundimit të fazës së dëgjimit të dëshmitarëve, Rade Besara ka propozuar dëgjimin e ish eprorëve të tij.

    ata që m’i kanë dhënë detyrat. Screcko Banoviq është ai i cili m’i ka nënshkruar pushimet e mija, ka pranuar shkresat nga procedurat hetuese të cilat kanë ndodhur jashtë regjionit të veriut. Si dhe e propozoj për dëshmitar edhe shefin e nënkolonelit Banoviq. Këta e dinë çdo lëvizje timen”, tha Besara.

    Gjykimi për vrasjen e Ivanovicit, ndaj Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq, Rade Besara e Marko Roshiq do të vazhdojë në dhjetor.

    Sipas aktakuzës vrasja u krye nga një grup kriminal që udhëhiqej nga Zvonko Veselinoviq e Milan Radojiçiq.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Specialja bastis banesat e ish-këshilltarit të Thaçit dhe ish-shefit të AKI-së

    Specialja bastis banesat e ish-këshilltarit të Thaçit dhe ish-shefit të AKI-së

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Me dokumente në duar, zyrtarët e zyrës së prokurorit të specializuar dolën nga shtëpia e ish-kryeshefit të AKI-së, Bashkim Smakaj.

    Dokumentet që i morën gjatë aksionit të bastisjes, i cili zgjati për më shumë se 8 orë, zyrtarët i vendosën në veturat e EULEX-it.

    Avokati Artan Çerkini, duke komentuar bastisjen e së hënës, tregoi se ish-kryeshefi i AKI-së nuk është evidentuar si i dyshuar në dokumente.

    Ndonëse, nuk u lejuan nga zyrtarët policorë, që ta vizitojnë familjarin e tyre, xhaxhi i Smakajt nuk i mirëpriti këto aksione.

    “Ne nuk e kemi ditë për këtë bastisje. Për këtë bastisje e kemi marrë vesh nga mediat dhe nuk e kemi pritë. Këto bastisje nuk janë të mira, janë akuza të pavërteta dhe nuk ka asgjë”, tha Hetem Smakaj, xhaxhai i Bashkim Smakajt.

    Ndërkaq, ky aksion i bastisjeve nuk përfundoi me kaq.

    Cak i zyrtarëve të Prokurorisë së Dhomave të Specializuara në Hagë ishte edhe shtëpia e ish-këshilltarit të Hashim Thaçit, Blerim Shala, të cilit i është konfiskuar vetëm telefoni.

    Sipas Artan Behramit, bastisjet si këto të ditës së hënë po bëhen me qëllim ta rrënojnë shtetin e Kosovës.

    “Bastisja në shtëpinë e Bashkim Smakajt dhe konfiskimi i telefonit të Blerim Shalës është e paprecedentë, e papranueshme dhe turp për Gjykatën Speciale, e cila po dëshmon që me aksione të tilla po mundohet ta fshehë paaftësinë e saj për të dëshmuar fajësinë e krerëve të UÇK-së në Hagë dhe përmes aksioneve të tilla po mundohet ta mbulojë atë që nuk mbulohet dhe që kjo Gjykatë e ka për qëllim rrënimin e shtetit të Kosovës, rrënimin e institucioneve të Kosovës mbi të cilat Kosova është ndërtuar”, tha Behrami.

    Për aksionet ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut. Sipas tij, Dhomat e Specializuara të Hagës po shkaktojnë dhunë psikologjike nëpërmjet bastisjeve të paparalajmëruara në Kosovë.

    Në anën tjetër, përveç se operacionet po kryhen në mbështetje të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk dha detaje të tjera për ATV-në, lidhur me aksionin e këtyre bastisjeve.

    Kjo nuk është hera e parë që Zyrtarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar kanë bërë bastisje. Ata kanë bërë bastisje edhe në banesën e dëshmorëve Bahri e Fahri Fazliu, në atë të ish-komandantit të UÇK-së, Rrustem Mustafa, si dhe është kryer bastisje në shtëpinë e ish-luftëtarit Behar Berisha.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë: