ATV

Blog

  • Orari i subjekteve afariste në Mitrovicë të Veriut

    Orari i subjekteve afariste në Mitrovicë të Veriut

    Përgatiti: Nora Luta

    Të paktën tri rregullore pritet t’i miratojë Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut.

    Për herë të parë, në këtë komunë do të miratohen rregullore sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, përfshirë ajo për rregullimin e orarit të punës së subjekteve afariste. Në draft-rregulloren e siguruar nga ATV-ja është caktuar orari i punës së lokaleve, dhe bizneseve, të cilat të dielën nuk do të punojnë.

    Për Policinë e Kosovës është e domosdoshme, miratimi i një rregulloreje të tillë.

    Në disa raste, policia në këtë pjesë veproi duke u bazuar në rregulloret e komunave të tjera.

    Miratimi i rregullores konsiderohet se do të shtojë sigurinë në këtë pjesë, e banuar me shumicë serbe.

    Përveç kësaj rregullore, Kuvendi Komunal tashmë ka hartuar edhe draft-rregulloren për transportin rrugor, atë për të drejtat e njeriut, dhe për menaxhimin e mbeturinave.

  • Nga sot gomat e dimrit, të obligueshme

    Nga sot gomat e dimrit, të obligueshme

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Nga kjo e mërkurë shoferët duhet t’i kenë zëvendësuar gomat e verës me ato të dimrit. Pajisjet dimërore janë të obligueshme deri në muajin mars.

    Njëkohësisht pjesëmarrësit në trafik u kujdesën që menjëherë ta kryejnë këtë obligim.

    “Unë zakonisht çdo vit e bëj ndërrimin e gomave sipas afatit kohor, jam pajisur me të gjitha pajisjet e tjera dimërore me zinxhirë dhe me të gjitha. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të pajisen me pajisje dimërore, për shkak që nuk duhet ta rrezikojmë jetën tonë dhe të tjerëve, janë gjëra elementare”, tha Rinor Hajdini, qytetar.

    Sipas shitësve të gomave, çmimi këtë vit për një gomë dimërore fillon nga 35 euro, derisa numri i të interesuarve për t’i zëvendësuar gomat është i lartë.

    “Interesimi është jashtëzakonisht i madh, pasi që dihet që sot është data zyrtare e ndërrimit të gomave të verës në ato të dimrit, fluksi zakonisht është ditëve të fundit pra më 14 ose 15 nëntor”, tha Diondrid Reçica, menaxher.

    Derisa, Policia bëri thirrje për kujdes të shtuar në trafik, gomat vlerësohen pjesë qenësore e sigurisë.

    “Për kushtet e dimrit prej 1 milimetër deri në 2 milimetra është gjendja e mjaftueshme për thellësinë e gomës, për arsye se asfalti i thatë është në kushtet e verës, kurse në kushtet e dimrit është asfalti ndryshe për arsye se mund të kemi edhe baltë në rrugë, mirëpo edhe borë”, tha Bekim Ahmeti, ekspert i komunikacionit.

    Përveç ndërrimit të gomave, pjesëmarrësit në trafik duhet t’i posedojnë edhe zinxhirët. Ngasësit që drejtojnë automjete pa pajisje dimërore dënohen për kundërvajtje, duke filluar nga 40 euro e më lart.

  • Gjakovë, rruga e paasfaltuar në gjendje ende më të keqe nga shiu

    Gjakovë, rruga e paasfaltuar në gjendje ende më të keqe nga shiu

    Përgatiti: Sara Shehu

    Për shkak të reshjeve të shiut në Gjakovë, rrugët e qytetit u bënë gati të pakalueshme. Njëra prej tyre, rruga “Marin Barleti”, pak metra larg objektit të komunës ka më shumë se 10 vjet që ka mbetur e paasfaltuar.

    Mustafë Ukshini, i cili banon në këtë pjesë, tha se komuna asnjëherë nuk ka ndërmarrë masa në rregullimin e rrugës.

    “Komuna nuk ka ndërmarrë asnjëherë masa me rregullu këtë gjendje, ka për më shumë 10 vjet që kemi këtë problem, po është vështirë për qarkullim të këmbësorëve, veturave, ka gropa, gjatë reshjeve të shiut si sot, është tmerr gjendja, komuna rregullon vetëm ato rrugë që don vetë”, tha Ukshini.

    “Tash e sa kohë kemi probleme me këtë rrugë, kush nuk ndërmerr asnjë hap, po duhet me ecë nëpër rrugë të tjera, pasi këtu si sot që ra shumë shi oshtë bo e tmerrshme gjendja”, thotë një qytetar.

    Në afërsi të rrugës operojnë edhe disa biznese të vogla, ndërkaq pronarët prapa kamerës thanë se reshjet e shiut u shkaktojnë edhe dëme materiale, për shkak të rrugës.

    Për këtë problem të kamotshëm, Drejtori i Infrastrukturës në Gjakovë, Shkumbin Kastrati, përmes një përgjigje me shkrim i ka thënë ATV-së se asfaltimi i rrugës do të fillojë në momentin kur të zgjidhet çështja e kanalizimit në atë pjesë.

    “Komuna e Gjakovës është në pritje të ndërtimit të kolektorëve të kanalizimit të financuar nga KFV Gjermane. Kolektori do të jetë i dimensioneve të mëdha. Në momentin që do të përfundojë ai, Komuna e Gjakovës do ta rregullojë këtë rrugë”, thuhet në përgjigjen e Kastratit.

    Ndryshe, Instituti Hidrometeorologjik ka paralajmëruar reshje intensive të shiut ditëve në vazhdim, të cilat parashihet të vështirësojnë qarkullimin, të pengojnë sistemet e kanalizimit e të sjellin dëme bujqësore.

  • Buxheti për komunat, i pamjaftueshëm për to

    Buxheti për komunat, i pamjaftueshëm për to

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Mbi 742 milionë euro, Qeveria ka planifikuar t’i ndajë për nivelin lokal, në vitin 2024. Projektbuxheti me t’u miratuar nga ekzekutivi ishte kritikuar nga partitë opozitare.

    Mes tjerash, Qeveria u kritikua se në mesin e 38 komunave në projektbuxhet janë favorizuar katër që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje.

    “Është diskriminues se nuk ka parametra matës mbi çfarë baze është planifikuar që komunat e menaxhuara nga LV-ja kanë shumëfish më shumë buxhet. Komuna e Drenasit ka 0.55% projekte të reja, ndërsa komunat e tjera kanë deri në 3 e 4% investime të reja. Skenderaj ka 0.04% investime të reja, ndërsa Shtimja ka mbi 2% e 3% investime të reja. Por edhe te qytetet e mëdha janë bërë anomali aq të mëdha në raport me pushtetet lokale ku menaxhon saqë është vërtet shqetësuese dhe diskriminuese”, tha deputeti i PDK-së, Ferat Shala.

    Kryetari i komunës e cila aktualisht prin sa i përket shpenzimit të buxhetit, Malishevës, buxhetin e ndarë për të e vlerëson të pamjaftueshëm. Por, shpresë ka te deputetët.

    “Nuk i përmbush kërkesat tona dhe nevojat. Ne kemi bërë edhe kërkesa të veçanta për projekte që janë të domosdoshme që të zhvillohen në komunën e Malishevës, që janë në kompetencë të qeverisë së Kosovës. Është më i lartë, por edhe kërkesat tona dhe nevojat po shtohen. Ende kemi kohë, është propozuar te komisionet parlamentare dhe shpresoj që do t’i kenë parasysh kërkesat tona që vijnë nga komuna e Malishevës”, tha kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati.

    Por, Qemajl Aliu i cili udhëheq komunën e Shtimes, nuk pajtohet që komunat e udhëhequra nga Vetëvendosja kanë fituar më shumë. Sipas tij, Shtimja ka nevojë për më shumë investime, meqë në raport me komunat e tjera është më pak e zhvilluar.

    Ndarja buxhetore për vitin 2024 do të shqyrtohet në lexim të parë, në seancën e së enjtes. Ky diskutim do të jetë pikë e vetme e rendit të ditës.

  • “Dialogu në fazë zbatimi”, ende heshtje për përmbajtjen

    “Dialogu në fazë zbatimi”, ende heshtje për përmbajtjen

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Vizitat në Kosovë dhe Serbi, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajcak, synon t’i kurorëzojë me një takim trepalësh në nivel kryegociatorësh në Bruksel, të enjten.

    Në një përgjigje pa detaje, BE-ja njoftoi se takimi do të fokusohet në “hapat e radhës në procesin e normalizimit dhe zbatimi i zotimeve të dialogut”.
    BE-ja nuk tregoi se cilat janë vërejtjet që kryeministrit Albin Kurti ia ka dërguar emisarit Lajcak për draftin e propozuar, e as nëse i kanë kthyer përgjigje për to.

    “Pyetja juaj e dytë duhet t’i adresohet ekipit të z. Kurti. Nga ana jonë, ne ritheksojmë se një propozim i ri i balancuar evropian për themelimin e Asociacionit të komunave iu paraqit partnerëve përkatës nga Përfaqësuesi Posaçëm i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë, gjatë vizitës së tij në rajon në fund të Tetorit dhe më pas u diskutua nga të dyja palët në takimin e me liderët në margjina të Këshillit Evropian”, tha zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.

    Edhe pse adresë për përgjigje e bëri Zyrën e Kryeministrit, Bashkimi Evropian kërkoi ruajtje të fshehtësisë së bisedimeve.

    “Propozimi i Bashkimit Evropian nuk është bërë publik, sepse përpjekjet diplomatike po vijojnë. Ne kurrë nuk japim dokumente zyrtare që janë në diskutim dhe presim të njëjtën nga partnerët, pasi është praktikë normale në ndërmjetësimin ndërkombëtar që procesi të zhvillohet në konfidencialitet”, tha Stano.

    As Qeveria nuk ka treguar se cilat janë vërejtjet e saj për draft-statutin e propozuar të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Megjithatë, ATV-ja kuptoi se në mesin e çështjeve për të cilat u kërkua qartësim është roli dhe përgjegjësia që Asociacioni, sipas draftit, parashihet të ketë lidhur me procesin e kthimit – në raport me Ministrinë për Komunitete dhe Kthim.

    E po ashtu, komunikimi dhe raportet e asociacionit me autoritetet qendrore; si dhe çështje që lidhen me njohjen dhe integrimin e sistemeve paralele ilegale edukativo-arsimore dhe shëndetësore.

  • Përfundon takimi i NJSI-së me Kurtin, s’dihet nëse ka marrëveshje

    Përfundon takimi i NJSI-së me Kurtin, s’dihet nëse ka marrëveshje

    Ka përfunduar takimi mes kryeministrit Kurti dhe përfaqësuesve të Njësisë Speciale Intervenuese të policisë së Kosovës, por që ende nuk dihet nëse ka pasur marrëveshje mes tyre.

    Ajo që kemi marrë nga ana e Qeverisë, na kanë konfirmuar se pas takimit, nuk do të ketë konferencë për media, por gjithçka që ka ndodhur brenda takimit do na tregojnë përmes një komunikate me shkrim”, tregon gazetari i ATV-së, Driton Sadiku.

  • Arrestohet një person për prezantim të rrejshëm në Kaçanik

    Arrestohet një person për prezantim të rrejshëm në Kaçanik

    Sot, rreth orës 14:20, Policia e Kosovës në Kaçanik, pas një pune intensive hetimore, ka arrestuar personin me inicialet S.R. (44)

    Ai dyshohet se ditë më parë në Doganaj të Kaçanikut ishte prezantuar rrejshëm si zyrtar policor me rroba civile dhe i kishte marrë (mashtruar) 1600 euro personit tjetër, me qëllim se ai do t’i ndihmonte për lirimin e një personi nga burgu.

    I dyshuari është shoqëruar në stacionin e policisë në Kaçanik dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, është ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore, ndërsa rasti është cilësuar “Prezantim i rremë si person zyrtar”.

  • Gjermania ndihmon FSK-në me kamionë për operacione të menaxhimit të materieve të rrezikshme, vlera e tyre 500 mijë euro

    Gjermania ndihmon FSK-në me kamionë për operacione të menaxhimit të materieve të rrezikshme, vlera e tyre 500 mijë euro

    Gjermania i ka dhuruar Forcës së Sigurisë së Kosovës donacion dy kamionë për operacione të menaxhimit të materieve të rrezikshme në vlerë prej rreth 500 mijë euro.

    Kështu ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili ka thënë se donacionin e kanë pranuar nga ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

    Maqedonci tutje është shprehur se Republika Federale e Gjermanisë ka mbështetur në vazhdimësi zhvillimin e FSK-së.

    “Sot, nga ambasadori Rohde pranuam si donacion dy kamion për operacione të menaxhimit të materieve të rrezikshme në vlerë prej rreth 500 mijë euro, ndërsa deri në fund të këtij viti pritet që donacioni i pranuar nga shteti gjerman të arrin vlerën prej tre milionë e nëntëqind mijë euro”, ka shkruar ministri në Facebook.

    Ai po ashtu ka shprehur mirënjohje për bashkëpunimin dhe mbështetjen që gjithmonë Republika Federale e Gjermanisë i ka ofruar Kosovës.

  • Marrëveshja Shqipëri-Itali për emigrantët “nuk shkel ligjin e BE-së”

    Marrëveshja Shqipëri-Itali për emigrantët “nuk shkel ligjin e BE-së”

    Marrëveshja që i mundëson Italisë të ndërtojë qendra të pranimit në Shqipëri për mijëra emigrantë të shpëtuar në Mesdhe nuk shkel ligjin e Bashkimit Evropian, i cili nuk zbatohet për këtë çështje, tha zyrtarja kryesore e bllokut për migrimin.

    Marrëveshja, e arritur javën e kaluar, u kritikua nga organizatat për të drejtat e njeriut dhe u krahasua me planin e Qeverisë britanike për dërgimin e azilkërkuesve në Ruandë, plan që u vlerësua i jashtëligjshëm nga Gjykata Supreme britanike.

    “Vlerësimi fillestar i shërbimit tonë ligjor është se [marrëveshja Shqipëri-Itali] nuk shkel ligjin e BE-së, është jashtë ligjit të BE-së”, tha komisionarja për migrim e BE-së, Ylva Johansson, kur u pyet në një konferencë për media në Bruksel lidhur me marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë.

    Deklaratat e saj sugjerojnë se kjo marrëveshje nuk do të dërgohet për shqyrtim para Gjykatës së Drejtësisë të BE-së.

    Amnesty International e quan të paligjshme marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët

    Shqipëria do të presë emigrantë, Italia do të financojë strehimin e tyre

    Më 6 nëntor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe homologia e tij italiane, Giorgia Meloni, nënshkruan marrëveshje, sipas së cilës, Italia do të dërgojë në Shqipëri emigrantët që shpëton në Detin Mesdhe, ndërsa Italia do të financojë ngritjen e qendrave për pritjen e tyre.

    Marrëveshja do të nisë së zbatuari pranverën e vitit të ardhshëm.

    Sipas protokollit të publikuar nga Qeveria shqiptare, Italia do të depozitojë 16.5 milionë euro në një llogari të posaçme të Thesarit të Shqipërisë, si paradhënie për strehimin e emigrantëve.

    Komisionarja e lartë për të drejtat e njeriut në Këshillin e Evropës, Dunja Mijatoviq, ka deklaruar se marrëveshja e arritur mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët rrit shqetësimet për të drejtat e njeriut dhe shton shqetësimet për trendin evropian që përgjegjësitë për azilkërkuesit të dalin jashtë kornizës evropiane.

    Po ashtu, marrëveshja është kritikuar nga organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International, që e ka quajtur atë si “të jashtëligjshme dhe të pazbatueshme”. /REL/

  • A dijnë kosovarët të hyjnë në rreth, eksperti i komunikacionit jep përgjigje epike

    A dijnë kosovarët të hyjnë në rreth, eksperti i komunikacionit jep përgjigje epike

    Njohësi i komunikacionit Beki Ahmeti, i ftuar në emisionin “A LIVE” në ATV, ka folur rreth rrezikut që shkaktohet në komunikacion gjatë dimrit si dhe kujdesin që duhet patur por jo vetëm.

    Ai gjatë bisedës në studio tregoi se shumë nga pjesëmarrësit në trafik nuk i kuptojnë disa nga rregullat e komunikacionit, duke përmendur këtu edhe vozitjen në një rrethrrotullim.

    “Rrethrrotullimi kur nuk ka shenjë si ajo e trekëndëshi me maje poshtë, vlen rregulla e dorës së djathtë, ndërsa kur është ajo personat që janë në rrethrrotullim kanë përparësi kalimi, në raport me mua që hy në rreth, derisa kur dojnë të dy me dalë, vlen rregulla e anës së djathtë ani pse ish dashtë mu më liru dhe jo unë atë”, tha ai.

    Për të kuptuar më shumë ndiqni videon e mëposhtme: