ATV

Blog

  • Bislimi: Asociacioni nuk është diskutuar në Bruksel, vlerësimin e fundit e jep Kushtetuesja

    Bislimi: Asociacioni nuk është diskutuar në Bruksel, vlerësimin e fundit e jep Kushtetuesja

    Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator për dialogun me Serbinë, ka thënë se shqetësimet e ngritura se po krijohet një autonomi për serbët në veri përmes Asociacionit janë të individëve që po shpërndajnë drafte dhe jo të qeverisë. Bislimi ka shtuar se ekzekutivi nuk punon me shqetësime, por në bazë të analizave, për më tepër, sipas tij draftin e Asociacionit të propozuar nga emisarët euro-amerikanë do ta vërtetojë Gjykata Kushtetuese dhe jo analistët në studio televizive dhe as politikanët.

    Bislimi tha se në takimin e së enjtes në Bruksel me të dërguarin e Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, nuk është diskutuar për draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pasi, siç ka thënë ai, pozicioni i Kosovës është bërë i qartë që më 26 tetor nga kryeministri Albin Kurti, në takim me liderët evropianë.

    “Tek pika e Asociacionit ne nuk kemi diskutuar për arsye se kemi thënë se pozicioni është i qartë dhe është prezantuar nga kryeministri Kurti më 26 tetor. Rrjedhimisht gjithkush që iu thotë që në Bruksel është shkuar për të diskutuar për Asociacionin, vetëm ka bërë dezinformim pasi nuk është diskutuar fare…Shqetësimet për (autonomi) janë të individëve të atyre që shpërndajnë drafte. Ne nuk punojmë me shqetësime dhe ne punojmë me analiza. Për më tepër kushtetutshmërinë e draftit të dërguar nga miqtë tanë ndërkombëtar e vërteton Gjykata Kushtetuese, as analistët në studio dhe as politikanët. Janë njerëz që marrin pagë mujore për me vlerësuar kushtetutshmërinë e dokumenteve që iu rezervohen atyre”, tha Bislimi.

    Duke folur për mundësitë e zgjedhjeve të parakohshme në veri, Bislimi tha se kanë pranuar të shmanget kërkesa që në kuadër të nënshkrimeve për peticion të nevojitet edhe numri i telefonit të nënshkruese, pas shqetësimeve të BE-së.

    “Për zgjedhjet në veri ne vetëm kemi diskutuar komplikimet e mundshme të cilat pala ndërkombëtare ka mundur t’i konstatojë nga hapat që kemi ndërmarrë deri tani. Më konkretisht ata kanë pasur shqetësimin se në formularët ku do të plotësohet peticioni është kërkuar edhe numri i telefonit të nënshkruese dhe kanë menduar se kjo nuk është konfrom rregullave për mbrojtjen e privatësisë. Ne kemi treguar gatishmërinë që ky element i formularit të shmanget…Kërkesa për me gjetur mekanizëm për të shkuar në zgjedhje të parakohshme nuk ka ardhur nga kryeqendra, por nga vet qytetarët serb nga komunat e veriut. Ne pastaj ju kemi treguar instrumentin që ata duhet të përdorin për këtë preferencë që kanë. Ju takon atyre që të vendosin se në cilën ditë apo përmes cilës OJQ apo parti politike do të fillojnë procesin”, theksoi Bislimi.

    Krahas kësaj, Bislimi tha se zbatimi i marrëveshjes për energji është tepër afër.

    “Është tepër afër, faktikisht vetëm duhet të nënshkruhen dokumentet. Po ashtu duhet një vendim i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për propozimin për tarifat që i ka propozua elektroserveri karshi KEDS-it. Në atë moment që ZRRE-ja thotë se këto tarifa janë të pranueshme për arsye se të njëjtat duhet të përkthehen në marrjen e KEDS-it gjatë vitit 2024. Në atë moment që ata marrin këtë dakordim nuk ka arsye për Elektroserverin që të vendos nënshkrimin”, tha ai.

    Këto komente Bislimi i bëri pas pjesëmarrjes në tryezën ndërparlamentare të Komisioneve për Punë të Jashtme të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

  • Kualifikimi i Shqipërisë do të sjellë festë të madhe në Tiranë

    Kualifikimi i Shqipërisë do të sjellë festë të madhe në Tiranë

    Kombëtarja Shqiptare e futbollit do të ballafaqohet sonte me Moldavinë, sfidë nga e cila do t’i mjaftonte vetëm një pikë për ta siguruar kualifikimin në Kampionatin Evropian të futbollit që zhvillohet vitin e ardhshëm në Gjermani.

    Organizimi për këtë ndeshje është jashtëzakonisht i madh, madje ajo do të transmetohet në një ekran gjigant në sheshin “Skënderbeu” në qendër të Tiranës, aty kur pritet të mblidhet një numër i madh i tifozëve kuq e zi.

    Gazetar i “Topnews”, Erjon Halili ka thënë për KosovaPress se entuziazmi në Shqipëri është i jashtëzakonshëm para përballjes Moldavi-Shqipëri dhe përgatitjet për festë tashmë janë bërë.

    Halili më tutje ka zbuluar se menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, skuadra do të niset drejt Tiranës, aty ku në rast të kualifikimit, në aeroportin Rinas do të priten nga një numër i madh i tifozëve.

    Sa i përket ndeshjes, Halili thotë se të gjithë lojtarët janë në formën më të mirë, por që trajneri brazilian, Silvinjo u ka kërkuar atyre që të tregojnë profesionalizëm dhe pjekuri gjatë 90 minutave në fushë

    Momentalisht, Shqipëria është lidere e grupit E me 13 pikë, e ndjekur nga Republika e Çekisë me 11 dhe Polonia me 10 sosh.

  • KE-ja propozon liberalizimin edhe për serbët e Kosovës me pasaporta të zyrës koordinuese të Serbisë

    KE-ja propozon liberalizimin edhe për serbët e Kosovës me pasaporta të zyrës koordinuese të Serbisë

    Komisioni Evropian, duke pasur parasysh heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës, ka propozuar që vizat të hiqen edhe për bartësit e pasaportave të Republikës së Serbisë, të cilët banojnë në territorin e Kosovës.

    Për t’u përfshirë edhe bartësit e pasaportave që i lëshon një zyre e veçantë në Beograd (zyra koordinuese), Komisioni ka propozuar ndryshimin e vendimit për liberalizimin e vizave për Serbinë.

    Serbët nga Kosova kanë të drejtën e pasaportës së Serbisë, e cila ka marrë liberalizimin e vizave në vitin 2009. Mirëpo, me kërkesë të BE-së, është dashur të formojë një Administratë Koordinuese për lëshimin e pasaportave për ata që kanë adresë në Kosovë. Në prill të këtij viti, KE-ja kishte theksuar se liberalizimi i vizave i miratuar për Kosovën vlen vetëm për poseduesit e pasaportave të Kosovës dhe jo për ata qytetarë që kanë pasaporta të Administratës Koordinuese, e cila punon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

    Në atë kohë ishte vlerësuar se ekziston rreziku nga migrimi masiv, si dhe disa çështje të sigurisë.

    Në propozimin e vet, Komisioni Evropian argumenton se tashmë nuk ekzistojnë arsyet për shkak të së cilave ishte vendosur që bartësit e pasaportave të Republikës së Serbisë me vendbanim në Kosovë të mos kenë mundësi të udhëtojnë pa viza, për dallim nga shtetasit e Serbisë me vendbanim në Serbi.

    Nga 1 janar i viti 2024 qytetarët e Kosovës pritet të udhëtojnë pa viza në 27 vende të BE-së, të cilat e përbëjnë të ashtuquajturën zonë Schengen.

    Pasi të hyjë në fuqi liberalizimi i vizave për bartësit e pasaportave biometrike të Republikës së Kosovës, bartësit e pasaportave të Serbisë me vendbanim në Kosovë, do të mbeteshin të vetmit pa mundësinë e lëvizjes pa viza.

    Komisioni e ka dhënë këtë propozim ndërsa tash vendimi duhet të merret nga Këshilli në bashkëpunim me Parlamentin Evropian. Komisioni Evropian në propozimin e vet ka theksuar se situata aktuale rreth bartësve të pasaportave të Serbisë që lëshon zyra koordinuese në Beograd, është diskutuar edhe me autoritetet e Serbisë dhe ato të Kosovës.

    “Më 16 nëntor Komisioni Evropian ka miratuar propozimin që të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor të mund të lëvizin pa viza në BE. Kjo propozohet edhe për bartësit e pasaportave që i lëshon Drejtoria koordinuese në Beograd. Tash vendimi është në duar të Këshillit dhe Parlamentit Evropian”, ka thënë zëdhënësi i Komisionit Evropian për çështje të brendshme dhe të drejtat e njeriut Kristijan Viegand.

    Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën do të nisë të zbatohet nga 1 janari i vitit që vjen.

    Ndërsa, vendimi që edhe bartësit e pasaportave të Serbisë me vendbanim në Kosovë të lëvizin pa viza, do të hyjë në fuqi 20 ditë pas botimit në gazetën zyrtare të BE-së. /REL

  • U paralajmërua hapja e Ambasadës në Poloni, Presidentja e emëron shef të misionit Drilon Gashin

    U paralajmërua hapja e Ambasadës në Poloni, Presidentja e emëron shef të misionit Drilon Gashin

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka emëruar Drilon Gashin si shef të misionit të Kosovës në Varshavë.

    Osmani tha se ky është një mision historik në marrëdhëniet në mes vendeve, teksa shtoi se kjo nxit lidhje edhe më të forta në mes të Kosovës dhe Polonisë.

    “I lumtur që kemi emëruar z. Drilon Gashi, një kosovaro-amerikan i suksesshëm, si shef i misionit në misionin tonë në Varshavë. Kjo shënon një moment historik të rëndësishëm në marrëdhëniet tona dhe pasqyron angazhimin tonë për të nxitur lidhje edhe më të forta ndërmjet 🇽🇰& 🇵🇱”, ka thënë ajo.

    Ishte kryeministri Albin Kurti ai i cili pati paralajmëruar hapjen e ambasadës së Kosovës në Poloni.

  • Rashiq: Asociacioni prezantohet si diçka e madhe, por s’do t’i zgjidhë problemet tona

    Rashiq: Asociacioni prezantohet si diçka e madhe, por s’do t’i zgjidhë problemet tona

    Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Nenad Rashiq, ka thënë se me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, do të shuhen institucionet e Serbisë, raporton Gazeta Sinjali.

    Në një intervistë për Radio Kim, Rashiqi ka thënë se Asociacioni u paraqitet serbëve si diçka e madhe, por që nuk do të jetë diçka e tillë.

    “Prezantohet sikur do të jetë ndonjë institucion që do t’i zgjidhë të gjitha problemet tona, por për mendimin tim nuk është aspak kështu”.

    “Në momentin që ndodh, të gjitha institucionet, jo vetëm disa, por të gjitha institucionet e financuara nga buxheti i Republikës së Serbisë, thjesht do të mbyllen. Disa thonë se metoda më logjike apo supozimi më logjik në këtë rast është që të gjitha ato institucione që tani financohen nga Republika e Serbisë thjesht të transferohen në atë institucion që më vonë mund të quhet Asociacion i komunave serbe dhe kështu t’u jepet mundësia që ato të mund të veprojnë në rrugë ligjore për institucionet e Kosovës nën kujdesin apo patronazhin, siç është në këtë rast të Asociacionit”, ka deklaruar ai.

    Ai thotë se sipas këtij statuti, i cili ka dalë në publik, parashikohet një program më praktik. “Struktura do të ndryshojë dhe këtë duhet ta kuptojnë qytetarët tanë. Në momentin kur do të miratohet ZSO, këto institucione që ne i dimë tani nën Republikën e Serbisë do të zhduken, do të inkorporohen në këtë institucion tjetër që nuk ka kapacitet të pranojë të gjithë ata punonjës në atë shembullin klasik”.

    Ndryshe, një draft statut i Asociacionit u publikua së fundi nga ish-drejtuesi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Burim Ramadani, sipas të cilit duhet të sigurohet një kornizë vetëqeverisëse për serbët brenda nivelit ekzistues komunal të vetëqeverisjes lokale sipas ligjeve të Kosovës – kryesisht në arsim, shëndetësi, mbrojtje sociale, financim, donacione e të ngjashme.

  • Kundërshtimi i prokurores Fitore Sadikaj ndaj vendimit të kryesuesit të Këshillit – KPK-ja diskuton me dyer të mbyllura

    Kundërshtimi i prokurores Fitore Sadikaj ndaj vendimit të kryesuesit të Këshillit – KPK-ja diskuton me dyer të mbyllura

    Këshilli Prokurorial i Kosovës të premten ka mbajtur takim të jashtëzakonshëm, raporton Ekonomia Online. Ndonëse takimi ishte i hapur për medie, KPK-ja fillimisht kërkoi që në pikën ku diskutohet kundërshtimi i prokurores Fitore Sadikaj ndaj vendimit të kryesuesit të Këshillit për moskonfirmimin e statusit të kandidatit për pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të mbahet me dyer të mbyllura.

    Zëvendëskryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Veton Shabani, tha se për shkak të konfidencialitetit, kjo pikë e rendit të ditës do të mbahet me dyer të mbyllura.

    Krahas kësaj pike, në rend dite janë edhe konfirmimi i listës së kandidatëve të cilët kanë aplikuar për pozitën Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Konfirmimi i listës së kandidatëve të cilët kanë aplikuar për pozitën Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

  • Policia shton kontrollet për verfikimin e shoferëve që nuk i kanë pajisjet dimërore

    Policia shton kontrollet për verfikimin e shoferëve që nuk i kanë pajisjet dimërore

    Policia në Mitrovicën e Jugut ka shtuar aktivitetet për vetëdijesimin e shoferëve që të “Mos e drejtojnë automjetin pa pajisje dimërore”.

    Sipas njoftimit, Policia nga data 15 nëntor po shpërndajnë fletëpalosjeve për shoferë me këshilla kryesore për përgatitjen dhe ngasjen e automjeteve gjate sezonit dimëror.

    Me fillimin e sezonit dimëror, njësitet policore do të rrisin kontrollin nëpër akset rrugore ku në fokus do të jenë pajisjet dimërore për automjete.

    Për drejtuesit e automjeteve që nuk respektojnë rregullat e parapara sipas ligjit të komunikacionit rrugorë 05/L-088, do të shqiptohen gjoba sipas: Nenit 227.5 për persona fizik gjobë është 40 euro, ndërsa sipas nenit 227.6 për persona juridik gjobë është 100-300 euro, bëhet e ditur në njoftim.

    Policia e Kosovës apelon tek të gjithë shoferët për kujdes të shtuar të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut rrugor si dhe t’iu përshtaten kushteve të rrugës.

  • Hidhet shorti për rrethin e parë të Kupës së Kosovës

    Hidhet shorti për rrethin e parë të Kupës së Kosovës

    Sot në lokalet e Federatës së Futbollit të Kosovës në prani të përfaqësuesve të klubeve, u bë tërheqja e shortit për rrethin e parë të Kupës së Kosovës në futboll.

    Ndeshjet e këtij rrethit zhvillohen të mërkurën më 22 nëntor nga ora 13:00, ndërkohë që sipas shortit takohen:

    Istogu 03 – Behar dhe KEK-u – Dardania.

    Dy skuadrat fituese kalojnë në rrethin e dytë ku i presin skuadrat e Superligës dhe Ligës së Parë.

  • Berberi nga Gjakova vizualizon portrete të personazheve historike

    Berberi nga Gjakova vizualizon portrete të personazheve historike

    Është Fisar Ballata, djali i cili pos që e ka pasion prerjen e flokëve, ai tash e 4 vjet po e shpreh edhe artin me vizualizimin e figurave të ndryshme në flokë.

    Kësaj here, Ismail Qemali, Isa Boletini dhe harta e Shqipërisë janë synimi i tij. Por përgjatë këtij procesi të gjatë, Fisari tregon se sa kanë kërkesa klientët për të vizatuar në flokë dhe si reagojnë të tjerët karshi këtij arti.

    Duke qenë i vetmi në Kosovë, Fisari tregon për përvojën e tij, konkurrencën, por edhe shumë detaje rreth mjeteve të punës./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

     

  • Vrau nënën në formë mizore: Mbyllet seanca ndaj Urim Hysenit

    Vrau nënën në formë mizore: Mbyllet seanca ndaj Urim Hysenit

    Me kërkesë të mbrojtëses së viktimave Zymreta Bashiq, është mbyllur seanca fillestare të premten në Gjykatën Themelore në Pejë, ndaj të akuzuarit për vrasjen e nënës në mënyrë mizore, Urim Hyseni.
    Mbrojtësja e viktimave Bashiq, kërkoi që seanca të mbyllet për publikun për shkak që rasti ka të bëjë me çështje familjare, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Ky propozim u mbështet nga prokurorja Sahide Gashi dhe mbrojtësi i të akuzuarit Hyseni, avokati Asdren Mekaj. Më pas, si i tillë u aprovua nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova.

    Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e ngritur më 9 tetor 2023 nga Prokuroria Themelore në Pejë, i akuzuari Urim Hyseni më 14 prill 2023, në shtëpinë e tij në Pejë, ka privuar nga jeta në mënyrë mizore nënën e tij, vitimën H.H., në rrethanat e përgjegjësisë së zvogëluar mendore në shkallë esenciale. Aktakuza thotë se pas një mosmarrëveshjeje mes të akuzuarit dhe viktimës, për motive ende të panjohura, derisa gjendeshin në paradhomën e katit të parë të shtëpisë, i akuzuari në mënyrë mizore kyen vrasjen e viktimës.

    Me këtë, akuzohet se ka kryer vepën penale “vrasje e rëndë”, nga neni 173, par.1, nënpar 1.3 e 1.4, lidhur me nenin 18, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal, ku dënimi parashihet me burg prej 10 vitesh deri në burgim të përjetshëm. Neni 18, paragrafi 2 dhe paragrafi 1 shpjegojnë se personi që ka paaftësi mendore dhe aftësi të zvogëluar mendore konsiderohet penalisht përgjegjës, por këto rrethana merren parasysh nga gjykata kur vendos për kohëzgjatjen dhe llojin e sanksionit ose masës së trajtimit të detyrueshëm.

    Më 14 prill 2023, Policia e Kosovës kishte konfirmuar se një person dyshohet se e ka vrarë nënën e tij në Pejë. Më 11 maj i ishte vazhduar edhe për dy muaj paraburgimi Hysenit.