ATV

Blog

  • Bogujevci: Bashkëpunimi rajonal i kontribuon integrimit më të shpejtë në BE

    Bogujevci: Bashkëpunimi rajonal i kontribuon integrimit më të shpejtë në BE

    Kuvendi i Kosovës po mban një tryezë ndërparlamentare të Komisioneve për Punë të Jashtme të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kjo tryezë u tha se është dëshmi për bashkëpunimin e tri shteteve për demokraci dhe siguri.

    Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, tha se bashkëpunimi rajonal i kontribuon integrimit më të shpejtë në Bashkimin Evropian.

    Pjesë e këtij diskutimi parlamentar ishin edhe përfaqësues nga qeveria e Kosovës.

    Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, nënvizoi nevojën për bashkëpunim rajonal, në kohën kur tha ka tentativa dhe skenar për destabilizim të Kosovës dhe tërë rajonit.

    Në anën tjetër, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla kërkoi mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

  • Katër kandidatë për Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale, veç Zejnullah Gashi për Kryeprokuror të Prishtinës

    Katër kandidatë për Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale, veç Zejnullah Gashi për Kryeprokuror të Prishtinës

    Zejnullah Gashi, është kandidati i vetëm për pozitën e Kryeprokuror të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ndërsa garës për Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale, i kanë mësyrë katër prokurorë, Blerim Isufaj, Valdet Gashi, Atdhe Dema dhe Naim Abazi.

    Kështu u tha në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Zëvendëskryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Veton Shabani, tha se kandidatja Florie Shamolli nuk i ka plotësuar kriteret e përcaktuara me ligj.

    “Në bazë të informatave të siguruara nga Sekretariati rezulton se kandidatja Florie Shamolli nuk i ka plotësuar kriteret e përcaktuara me ligj”, tha ai.

  • MKRS mbështetë financiarisht Komitetin Paralimpik të Kosovës

    MKRS mbështetë financiarisht Komitetin Paralimpik të Kosovës

    MKRS mbështetë financiarisht pjesëmarrjen e parë të paraatletëve të Kosovës në Lojërat Paralimpike Paris 2024.

    Komiteti Paralimpik i Kosovës së fundi është anëtarësuar në Komitetin Paralimpik Evropian dhe Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar, duke i mundësuar kështu paraatletëve kosovarw që në vitin e ardhshëm të garojnë për herë të parë në Lojërat Paralimpike që do të mbahen në Paris, duke gëzuar të drejta të plota.

    Përmes memorandumit të nënshkruar sot ndërmjet ministrit Hajrulla Çeku dhe presidentes së KPK-së, Njomza Emini, MKRS mbështetë financiarisht Komitetin Paralimpik të Kosovës me qëllim të përgatitjes së ekipit paralimpik të Kosovës për pjesëmarrjen në Paris.

    Në Lojërat Verore Paralimpike 2024 pritet që të marrin pjesë mbi 160 shtete me më shumë se 4000 parasportistë, të cilët do të garojnë në 22 sporte të ndryshme. Kosovën në këtë ngjarje pritet ta përfaqësojnë dy parasportistët, Grevist Bytyqi dhe Vjollca Hoxha.

  • Jep dorëheqje anëtari i Bordit të OSHP-së, Agon Ramadani

    Jep dorëheqje anëtari i Bordit të OSHP-së, Agon Ramadani

    Agon Ramadani ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

    “Arsyeja e dorëheqjes ka të bëjë kryesisht me punën time profesionale, angazhimin dhe ambiciet e së ardhmes në këtë drejtim”, thuhet në letrën e tij të dorëheqjes, të cilën e ka siguruar ATV.

    Kuvendi pati zgjedhur në qershor të vitit të kaluar anëtarët e Bordit – Nita Bejta, Kimete Gashi, Vedat Peterqoj dhe Agon Ramadani – dhe kryetaren e tij, Vjosa Gradinaj-Mexhuani.

    Deri atëherë, mbi një vit ishin bllokuar qindra miliona euro në institucionet e ndërmarrjeve publike si pasojë e moszgjedhjes së Bordit të OSHP-së. /atvlive.tv

  • “Dardanët” nisen drejt Zvicrës

    “Dardanët” nisen drejt Zvicrës

    Lojtarë e Kombëtares së Kosovës janë nisur drejt Zvicrës, atje ku të shtunën këto dy kombëtare do të ballafaqohen ne Basel në një sfidë mjaftë të rëndësishme për të dy skuadrat.

    Zvicrës i nevojitet fitorja për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian Euro 2024 pasi barazimi me Izraelin e komplikoi situatën në grupin I për helvetikët, raporton KosovaPress.

    Nga ana tjetër, Kosova vjen e motivuar pas triumfit ndaj Izraelit në Prishtinë me rezultat 1-0 dhe një fitore eventuale të shtunën mund t’i rikthente gjasat për kualifikim, edhe pse ato mbeten minimale.

    Zvicra dhe Kosova ballafaqohen të shtunën ne Basel me fillim nga ora 20:45.

  • Guvernatori Ismaili në takimet e nivelit të lartë në BQE, diskutojnë për valutat digjitale

    Guvernatori Ismaili në takimet e nivelit të lartë në BQE, diskutojnë për valutat digjitale

    Një delegacion i lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), i kryesuar nga Guvernatori Ahmet Ismaili po merr pjesë në takime të nivelit të lartë në Bankën Qendrore Evropiane (BQE) me guvernatorët dhe zëvendësguvernatorët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, lidhur me integrimin në sistemin evropian të bankave qendrore, përkatësisht në skemën e pagesave SEPA dhe sistemin e pagesave të shpejta TIPS.

    Punimet i hapi anëtari i Bordit Ekzekutiv të BQE-së, Piero Cipollone i cili ka zëvendësuar Fabio Panetta që rishtas është emëruar Guvernator i Bankës së Italisë. Nga Cipollone u dhanë mesazhet kryesore mbështetëse për këtë nismë.

    Në komunikatë thuhet se në kuadër të katër sesioneve, ku prezantojnë bankat qendrore nga shtetet e rajonit edhe Banka Qendrore e Republikës së Kosovës përmes Guvernatorit Ismaili, prezantoi punën aktuale dhe planet e BQK-së për zhvillim dhe modernizim të sistemit të pagesave, me qëllim të ndërlidhjes me sistemet rajonale dhe me Bashkimin Evropian.

    “Në margjina të këtyre takimeve nga ekspertët e Bankës Qendrore Evropiane, Bankës së Italisë, Bankës së Francës dhe Bankës Qendrore të Gjermanisë u trajtuan tema mbi infrastrukturën e tregut financiar, zhvillimet dhe risitë për instrumentet e pagesave, teknologjitë e reja, valutat digjitale të bankave qendrore dhe euron digjitale”, thuhet në komunikatë.

    BQE-ja në kuadër të mbështetjes së projektit të BE-së për Modernizimin e Sistemeve të Pagesave të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe objektivave të G20-së, po mbështet me nisma konkrete siç është ajo e ndërlidhjes së sistemeve të pagesave dhe përfshirjes së rajonit tonë në sistemet e Bashkimit Evropian.

    Në këtë kuptim, Republika e Kosovës është pjesë e kësaj agjende, ku BQK-ja ka përfshirë në kuadër të Planit të Strategjik si një objektivë mundësimin e pagesave të shpejta 24/7, me qëllimin përfundimtar pjesëmarrjen në sistemin e pagesave TIPS.

    Avancimi i sistemit kombëtar përmes mundësimit të pagesave “instant” (24/7), si dhe ndërlidhja me sistemin TIPS është objektiv i BQK-së, i cili kur të arrihet do të ketë ndikim të madh në ekonominë e vendit tonë, rajonit, diasporës, si dhe qarkullimin e pagesave për shkëmbimet tregtare me BE-në, si partneri më i madh tregtar i Republikës së Kosovës.

  • Një tërmet i fuqishëm godet Filipinet jugore

    Një tërmet i fuqishëm godet Filipinet jugore

    Një tërmet i fortë goditi Filipinet të premten, tha Shërbimi Gjeologjik i SHBA-ve.

    Shërbimi Gjeologjik i SHBA-ve tha se tërmeti me magnitudë 6.7 ballë të shkallës Rihter goditi ishullin Burias.

    Tërmeti, me një thellësi prej 10 kilometrash (6.2 milje), u raportua rreth orës 08:14 GMT.

    Sipas PHIVOLCS, instituti i vendit për monitorimin dhe zbutjen e shpërthimeve vullkanike, tërmeteve dhe cunamit, magnituda e tërmetit ishte 7.2 ballë. /AA/

  • Octopus” del me pesë rekomandime politike për sigurinë në Ballkanin Perëndimor

    Octopus” del me pesë rekomandime politike për sigurinë në Ballkanin Perëndimor

    Serbia ka vullnet të ripërtërijë dhunën e përdorur në të kaluarën për të formësuar kushtet politike në shtetet fqinje, dhe këtë e dëshmon sulmi paraushtarak nacionalist serb në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë. E për të ndalur politikat serbomëdha dhe për t’u siguruar se nuk do të ketë rekomandim të mëtejmë të dhunës, Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, ka dalë me disa rekomandime.

    Shkencëtari i politikës dhe doktori i filozofisë në Universitetin e Nju Jorkut, Jasmin Mujanoviq ka renditur pesë sosh, derisa ka shtuar se mbetet për t’u parë nëse vendimmarrësit evropianë dhe amerikanë kanë vullnetin politik për të ecur drejt një Ballkani Perëndimor më të qëndrueshëm dhe më të sigurt, shkruan KosovaPress.

    Rekomandimet e nxjerra nga instituti “Octopus” janë si në vijim:

    Rekomandimi 1: Ngrija e dialogut Prishtinë-Beograd në pritje të një raporti të plotë dhe të paanshëm për ngjarjet në Banjskë nga një Task Force e NATO-s

    Përpjekja për të rifilluar dialogun Prishtinë-Beograd aktualisht është e pamatur dhe e paarsyeshme. Së pari, duke marrë parasysh mungesën e sanksioneve formale kundër Serbisë si nga SHBA ashtu edhe nga BE pas ngjarjeve në Banjskë, një përpjekje e tillë dërgon në mënyrë implicite sinjalin se Perëndimi zyrtar është i gatshëm të tolerojë përdorimin e forcës për të formuar dhe drejtuar negociatat politike midis dy palëve. Si një sinjal edhe për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, kjo është thellësisht shkatërruese për interesin e vetë Perëndimit për të promovuar normat ndërkombëtare dhe sundimin e ligjit. As Kosova, si shtet sovran, nuk mund të lejojë që të detyrohet në negociata politike apo diplomatike me një qeveri që nxit dhunën në territorin e saj; është një propozim politikisht vetëvrasës për çdo qeveri demokratike.

    Së dyti, këmbëngulja për rifillimin e dialogut bie ndesh me parimet e politikës perëndimore të shprehura qartë në pika të tjera krizash gjeopolitike të vazhdueshme, mbi të gjitha në Ukrainë dhe Izrael. Si në rastin e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, ashtu edhe në sulmet terroriste të Hamasit kundër Izraelit, SHBA-të dhe kryeqytetet e tjera të Kuintit kanë hedhur poshtë negociatat si një alternativë e besueshme ndaj interesave të sigurisë bazë të shteteve ukrainase dhe izraelite. Edhe pse Kosova nuk është në gjendje lufte aktive, Serbia ka nisur qartë një fushatë hibride kundër vendit dhe qytetarëve të saj, dhe si e tillë Kosova duhet të insistojë në të njëjtat parime themelore të sigurisë si Ukraina dhe Izraeli. Domethënë, ajo duhet të sigurojë kontroll të plotë juridiko-politik mbi çdo pjesë të territorit të saj përpara se të mund të shqyrtojë në mënyrë të besueshme ndonjë reformë administrative-kushtetuese alternative të shtetit.

    Dështimi për ta bërë këtë vetëm do të lehtësojë shfaqjen e një regjimi politik paralel dhe kundërshtar në territorin e Kosovës, edhe nëse i njëjti do të inkorporohet nominalisht në rendin kushtetues të vendit. Mjafton të shikohet entiteti Republika Srpska në BeH dhe autoritetet e saj secesioniste, për të pranuar se dialogu dhe transferimi pa një aparat funksional, racional të sigurisë dhe juridik, që vepron lirshëm në të gjithë territorin e shtetit, do të prodhojë vetëm më shumë kaos. Si i tillë, rivendosja e mundësisë për rifillimin e dialogut kërkon një llogaritje të plotë të ngjarjeve në Banjskë nga një entitet i paanshëm, i palës së tretë si KFOR-i ose një shërbim inteligjent që ka lidhje me aleancën e atlantiko-veriore. Pasi faktet e sulmit të jenë vërtetuar plotësisht dhe autorët të jenë sanksionuar siç duhet (në kuptimin politik dhe penal-juridik), dialogu mund të rifillojë me synimin drejt krijimit të një kornize të barabartë, por edhe funksionale për qeverisjen e ardhshme të Kosovës.

    Rekomandimi 2: Rritje e Asistencës së Sigurisë për Policinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës

    Siç u përmend më lart, Kosova duhet të njihet si palë sovrane në kontekstin e mosmarrëveshjes me Serbinë, pavarësisht nga pozicioni/pozitat e Beogradit dhe pesë vendeve mosnjohëse të BE-së. Prandaj, Kosova duhet t’i gëzojë të drejtat për të gjitha dispozitat e njëjta të shtetësisë si çdo aktor tjetër sovran, aspekti më themelor i të cilit është monopoli i sigurisë mbi të gjithë territorin e shtetit. Prandaj, Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme, por edhe të shtuar për të qenë në gjendje të projektojnë forcën dhe të ruajnë rendin dhe ligjin në të gjitha pjesët e Kosovës, duke përfshirë edhe veriun.

    Gjatë sulmit në Banjskë, policia e Kosovës u tregua si një forcë efikase dhe profesionale, e aftë për të neutralizuar me aftësi një sulm paraushtarak shumë të sofistikuar, të mbështetur nga shteti. Por Serbia pa dyshim vazhdon të gëzojë një avantazh të rëndësishëm ushtarak kundër Kosovës. Prandaj, është me rëndësi të madhe që NATO të ndihmojë agjencitë e zbatimit të ligjit dhe të sigurisë të Kosovës në (ri)krijimin e një kapaciteti të besueshëm parandalues, me synimin drejt vendosjes së një ekuilibri më të gjerë rajonal të fuqisë kundër Beogradit.

    Autoritetet e Kosovës duhet t’i komunikojnë Quint-it dhe NATO-s se çfarë resurse të sakta kërkojnë, por është e qartë se kjo listë do të përfshijë domosdoshmërisht automjete të blinduara të lëvizshmërisë së lartë për policinë e Kosovës, sisteme kundër mjeteve të blinduara dhe sisteme anti-artileri për FSK-në, si dhe Helikopterë për shërbimet e emergjencës së vendit (shih dorëzimin e vitit 2022 të helikopterëve amerikanë Huey II në Forcat e Armatosura të Bosnje-Hercegovinës).

    Rekomandimi 3: Anulimi i masave të SHBA-së dhe BE-së kundër Kosovës

    Në ndërkohë, është e domosdoshme që masat e SHBA-së dhe BE-së kundër Kosovës, të vendosura në fillim të këtij viti pas trazirave nacionaliste serbe në Zveçan, e cila rezultoi në lëndime të më shumë se dy duzinave me ushtarë të KFOR-it, të anulohen. Këto kuazi-sanksione pa dyshim e trimëruan më tej Vuçiqin dhe elementët ekstremistë serbë të lidhur përpara sulmit në Banjskë dhe rritën asimetrinë ekzistuese në qëndrimin e komunitetit ndërkombëtar ndaj të dy palëve.

    Zyrtarët perëndimorë mund të vazhdojnë të jenë të zemëruar nga kundërshtimi i qeverisë Kurti ndaj implantimit të njëanshëm të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, domethënë transferimit të mëtejshëm të autoriteteve të qeverisjes lokale në një pjesë të vogël të komunave me shumicë serbe në veri, pa ndonjë lëvizje politike nga Beogradi. Por qeveria Kurti ka ofruar lëshime të arsyeshme drejt realizimit të së njëjtës, dhe shqetësimet e saj për armatosjen e elementeve kriminale dhe ekstremiste brenda veriut nga ana e Serbisë janë dëshmuar, fatkeqësisht, të matura dhe të sakta. Sidomos në lidhje me krahasimin e shpeshtë të Kryeministrit të modaliteteve ekzistuese të “Asociacionit të Komunave Serbe” të mbështetura nga SHBA dhe BE me modelin e dështuar të Republikës Srpska nga Bosnja dhe Hercegovina.

    Bisedat ndërmjet Prishtinës dhe Kuintit në lidhje me skemat alternative qeverisëse për veriun e Kosovës mund dhe duhet të vazhdojnë; jo më pak sepse Prishtina duket se është e vetmja palë në dialog e gatshme për të diskutuar dhe debatuar këto çështje. Por bisedime të tilla mund të jenë vërtet të frytshme vetëm nëse SHBA-ja dhe BE-ja korrigjojnë gabimin e masave të tyre të mëparshme kundër Kosovës. Për Prishtinën, sigurimi i këtij ndryshimi të politikës është një çështje themelore e llogaridhënies demokratike ndaj qytetarëve të saj, të cilët kanë treguar qartë se nuk do të tolerojnë qeveritë që bëjnë kompromis me sigurinë bazë të vendit dhe interesat politike. Mjerisht, duke pasur parasysh mungesën e proceseve të mirëfillta demokratike në Serbi, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për regjimin në Beograd.

    Rekomandimi 4: Pranimi i menjëhershëm i Kosovës në Partneritetin për Paqe të NATO-s

    Lëvizje të vogla por jashtëzakonisht të rëndësishme duhet të ndërmerren gjithashtu për të përmirësuar pozitën e Kosovës brenda komunitetit ndërkombëtar. Ndoshta, më me ndikim prej tyre – i cili gjithashtu do të përmirësonte pozicionin dhe kapacitetet e sigurisë së vendit – do të ishte pranimi i Prishtinës në programin e Partneritetit për Paqe (PfP) të NATO-s.

    Ky është një vendim që NATO mund ta japë pa pëlqimin apo inputin e Serbisë, Rusisë apo Kinës. Barriera më e rëndësishme është mosnjohja e sovranitetit të Kosovës nga katër shtete anëtare të NATO-s. Megjithatë, pa dyshim, Aleanca ka kapacitetin për të siguruar pranimin e Kosovës në programin e PfP-së edhe nëse jo-njohësit mbajnë zyrtarisht qëndrimet e tyre ekzistuese; ata thjesht nuk do të duhej të kundërshtonin hyrjen e Kosovës në program. Kjo do të thotë, ata nuk duhet të mbështesin aspiratat e PfP-së të Kosovës, ata duhet vetëm të abstenojnë.

    Ky do të ishte një kompromis i arsyeshëm pasi do t’u lejonte katër jo-njohësve të ruanin gjerësisht qëndrimet e tyre aktuale diplomatike, duke përmirësuar njëkohësisht pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe aftësinë e NATO-s për të modernizuar dhe zhvilluar aftësitë mbrojtëse të Prishtinës. Kjo do t’i dërgonte gjithashtu një sinjal të nevojshëm Beogradit se aktivitetet e tij destruktive nuk do të tolerohen pafundësisht nga komuniteti Atlantik. Së fundi, do të ishte gjithashtu një paralajmërim i qartë ndaj Rusisë dhe Kinës, të cilët kanë ardhur gjithnjë e më shumë në mendimin se janë ata – jo NATO – që përcaktojnë kushtet e angazhimit në Ballkanin Perëndimor.

    Rekomandimi 5: Rritja e presionit diplomatik mbi 5 vendet jonjohëse të BE-së për të zhbllokuar perspektivat e Kosovës në BE dhe NATO

    Siç vërehet në këtë tekst, asimetria aktuale në statuset ndërkombëtare të Serbisë dhe Kosovës, përkatësisht, vetëm sa e ka përkeqësuar pazgjidhshmërinë e dukshme të mosmarrëveshjes. Në mënyrë të veçantë, ajo ka forcuar artificialisht qëndrimin pengues të Serbisë, edhe pse SHBA-ja dhe BE-ja kanë shpenzuar kapital të jashtëzakonshëm diplomatik dhe politik për t’i çuar të dy palët drejt normalizimit. Megjithatë, nuk është Serbia në vetvete ajo që ka lejuar që kjo asimetri të vazhdojë; janë qëndrimet kokëfortë të pesë mosnjohësve të BE-së që kanë lejuar që ky problem të metastazohet në një pikë të dobët gjeopolitike të madhe për të gjithë komunitetin euroatlantik.

    Kryeqytetet e Kuintit duhet të ushtrojnë presion shumë më të madh diplomatik mbi homologët e tyre në këtë grup për t’i shtyrë ata, individualisht dhe kolektivisht, drejt njohjes së plotë të sovranitetit të Kosovës. Duhet shpjeguar, në terma të qartë, se kjo nuk është më një çështje e prioriteteve thjesht të brendshme; është çështje e besueshmërisë dhe integritetit të të gjithë projektit euroatlantik, në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë. Aktualisht, për shembull, si shefi i politikës së jashtme të BE-së, ashtu edhe i dërguari i BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd vijnë nga shtetet që nuk e njohin Kosovën. Kjo është absurde dhe natyrisht minon besueshmërinë e BE-së si një ndërmjetës i ndershëm në këtë mosmarrëveshje.

    Një zhvendosje në qëndrim në vetëm një nga pesë kryeqytetet jo-njohëse (ndër të cilët Athina konsiderohet gjerësisht si më e mundshme për të lëvizur) do të ndryshonte ndjeshëm peizazhin strategjik të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe përfundimisht do ta bënte një zgjidhje përfundimtare shumë më të mundshme. Kjo do të minonte ndjeshëm kredibilitetin e establishmentit nacionalist të vijës së ashpër në Beograd dhe do të dërgonte një sinjal të qartë për të gjithë klasën politike serbe se komuniteti euroatlantik do të ecë përpara me integrimin e Kosovës në rendin demokratik – pavarësisht nga protestat e Beogradit apo ato të partnerë të tij në Moskë dhe Pekin.

    Sipas Institutit “Octopus”, këto rekomandime, edhe nëse zbatohen, nuk do të jepnin menjëherë një zgjidhje të përhershme për mosmarrëveshjen Kosovë-Serbi, kryesisht për shkak se thelbi i problemit mbetet, siç ka qenë në pjesën më të madhe të tre dekadave të fundit, në konsensusin politik nacionalist intransigjent në Beograd. Por, tvlerësohet se këto rekomandime ofrojnë një rrugë drejt zvogëlimit të varësisë sonë kolektive nga vullneti i mirë (inekzistent) i regjimit të Vuçiqit.

    “Në vend të kësaj, kjo thekson masat vepruese që mund të ndërmerren sot nga komuniteti euro-atlantik, kryesisht pa shqetësim apo ndërveprim me Beogradin ose partnerët e tij në Kremlin apo Pekin”.

    Ky tekst e bën të qartë se e ardhmja e sigurisë dhe sovranitetit të Kosovës nuk kërkon pëlqimin e kundërshtarëve gjeopolitikë të Perëndimit, të mëdhenj dhe të vegjël. Komuniteti Euro-Atlantik mund të bëjë hapa masivë drejt futjes së kësaj politike të re demokratike në gjirin e saj thjesht me vullnetin e tij, dhe në një kohë kur Perëndimi ka shumë nevojë për fitore strategjike dhe simbolike. Realizimi me sukses i këtij programi do të jepte edhe dividendë për sigurinë dhe stabilitetin e shteteve fqinje, mbi të gjitha Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi, dhe në këtë mënyrë do të përmirësonte sigurinë kolektive të të gjithë rajonit.

    Mbetet për t’u parë nëse vendimmarrësit evropianë dhe amerikanë kanë vullnetin politik për të ecur drejt një Ballkani Perëndimor më të qëndrueshëm dhe më të sigurt.

  • Trupat izraelite gjejnë ‘tunelet e Hamasit’ së bashku me trupat e dy pengjeve

    Trupat izraelite gjejnë ‘tunelet e Hamasit’ së bashku me trupat e dy pengjeve

    Trupat izraelite kanë pretenduar se kanë gjetur një bosht tuneli të përdorur nga terroristët e Hamasit në spitalin Al-Shifa të Gazës, së bashku me trupat e dy pengjeve të mbajtura në një ndërtesë afër.

    IDF publikoi një video që tregonte një hyrje tuneli në një zonë të jashtme të spitalit Al-Shifa, dy ditë pasi trupat izraelite hynë në terrenin e saj për të gjuajtur për një qendër komanduese të Hamasit që ata thonë se është poshtë objektit spitalor.

    Gjatë bastisjes, Izraeli tha se ata gjetën trupat e dy pengjeve – Yehudit Weiss, 64 vjeç dhe ushtares izraelite Noa Marciano, 19 vjeç – në një ndërtesë ngjitur me spitalin.

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pretendoi se kishte ‘indikacione të forta’ se pengjet mbaheshin në spital, por ata nuk ishin më aty kur objekti u bastis.

    “Ne kishim indikacione të forta se ata ishin mbajtur në Spitalin Shifa, që është një nga arsyet që ne hymë në spital”, tha ai për CBS Evening News. “Nëse ata ishin (aty), ata u larguan”.

    Trupat izraelite pretenduan se gjetën një hyrje tuneli dhe armë brenda një kamioni të vendosur në kompleks – por ushtria ende nuk ka nxjerrë prova të një qendre komanduese qendrore të Hamasit që Izraeli ka thënë se është fshehur poshtë kompleksit. Hamasi dhe stafi i spitalit më të madhi të Gazës, i mohojnë akuzat. /Dailymail/

  • AKP miraton kërkesën e MSH-së për qiradhënie të një hapësire në Fushë Kosovë

    AKP miraton kërkesën e MSH-së për qiradhënie të një hapësire në Fushë Kosovë

    Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për qiradhënie direkte për hapësirën në pronësi të NSh “Jedinstvo” në Zonën Industriale në Fushë Kosovë.

    Në komunikatë thuhet se Bordi shqyrtoi 15 raporte të prezantuara nga Divizioni për Shitje Direkte për po aq raste (prona), nga të cilat 5 raporte fillestare u aprovuan për inicim të procedurës për shitje me negocim direkt që do t’i nënshtrohen procedurave të tjera të parapara me legjislacion për tu finalizuar shitja sipas raportit përfundimtar, i cili më pas do t’i paraqitet Bordit për aprovim. Ndërsa 10 raporte për po aq kërkesa të palëve u refuzuan, pasi që nuk i plotësojnë kriteret e përcaktuara për shitje me negocim.

    “Bordi diskutoi edhe për çështje të tjera në kuadër të veprimeve që po ndërmerren në AKP për të përmirësuar proceset që kanë të bëjnë me administrimin dhe menaxhimin sa më të mirë të pasurisë shoqërore”, thuhet në njoftim. /KP