ATV

Blog

  • Ëndrra bëhet realitet, Shqipëria do të luajë në Kampionatin Evropian Euro 2024

    Ëndrra bëhet realitet, Shqipëria do të luajë në Kampionatin Evropian Euro 2024

    Kombëtarja e Shqipërisë e ka siguruar kualifikimin në Kampionatin Evropian Euro 2024, që do të mbahet në Gjermani.

    Pas plot 90’ minutave lojë të zhvilluara në stadiumin “Zimbru”, Shqipëria ka barazuar 1:1 si mysafire me Moldavinë, raporton KosovaPress.

    Golin për kuqezinjtë e shënoi Sokol Cikalleshi nga penalltia në minutën e 25’, kurse te Moldavia golashënues ishte Vladislav Baboglo në minutën e 87’.

    Shqipëria ishte e vetëdijshme që i duhej vetëm një pikë për ta siguruar kualifikimin në Evropianin Euro 2024, hera e dytë kjo që “kuqezinjtë” kualifikohen në një turne evropian.

    Me pikët e reja, Shqipëria ngjitet në kuotën e 14 pikëve në vendin e parë, krahas Moldavisë që tani zë vendin e tretë me 10 pikë, aq sa ka edhe Polonia në vendin e katërt.

    Rezultati final, 1:1.

  • Kryesuesi i KGJK-së thotë se vendimet e pushtetit po e cenojnë pavarësinë e gjyqësorit

    Kryesuesi i KGJK-së thotë se vendimet e pushtetit po e cenojnë pavarësinë e gjyqësorit

    Përgatiti: Nora Luta

    Komentet dhe vlerësimet e pushtetit ekzekutiv rreth vendime të gjyqësorit, janë konsideruar shpeshherë si ndërhyrje në drejtësi nga shoqëria civile. Kritik ndaj ekzekutivit rreth komenteve për gjyqësorin, ishte të premten edhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj.

    Në hapje të konferencës “Ditët e Gjyqësorit”, Zogaj bëri thirrje për përmbajtje në komentime ndaj vendimeve të gjyqtarëve. Ndërsa, vendimet e Qeverisë rreth uljes së pagave, sipas Zogajt, e cenojnë rëndë pavarësinë e gjyqësor.

    Ndërkohë, kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, tha se përkundër sfidave e vështirësive në gjyqësor, është arritur që lëndët të përfundojnë në kohë rekorde.

    Konferenca “Ditët e Gjyqësorit” organizohet çdo vit dhe ka për qëllim vlerësimin e gjendjes aktuale të sistemit gjyqësor, përmbushjen e planeve të punës, sfidat dhe objektivat strategjike për avancimin e funksionimit të sistemit gjyqësor.

  • Mbahet seanca fillestare ndaj personit që akuzohet se vrau nënën

    Mbahet seanca fillestare ndaj personit që akuzohet se vrau nënën

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Në këtë shtëpi në Pejë, para 7 muajve u gjet e vrarë kryefamiljarja. Për vrasjen akuzohet i biri i saj, Urim Hyseni, ndaj të cilit këtë të premte u mbajt seanca fillestare.

    Me aprovim të avokatit, prokurores dhe mbrojtëses së viktimave, për shkak të gjendjes psikike të të akuzuarit, seanca u zhvillua e mbyllur.

    Pos prokurores e avokatit, rreth rrjedhës së seancës nuk folën as familjarët.

    Sipas aktakuzës të cilën për shkak të ndjeshmërisë së rastit ATV-ja e publikon vetëm pjesërisht, 30-vjeçari në momentin kritik kishte përgjegjësi të ulët mendore. Në aktakuzë thuhet se 30-vjeçari i shkaktoi nënës së paku 22 plagë me tri thika të ndryshme të kuzhinës.

    “Pas një mosmarrëveshjeje mes të pandehurit dhe viktimës për motive ende të panjohura, derisa gjendeshin në paradhomën e katit të parë të shtëpisë, ai pasi merr thikën e parë në kuzhinë, konkretisht në sirtarin e dytë të komodinës në krahun e majtë, kthehet dhe me të e sulmon duke e goditur në kokë, në pjesën e përparme të gjoksit, e pastaj kthehet e merr thikën tjetër, në po të njëjtin vend, dhe pasi i afrohet viktimës, vazhdon goditjet në pjesë të ndryshme të trupit dhe ekstremiteteve të sipërme, për të vazhduar edhe me thikën e tretë, me të cilën e goditë në shpinë, kraharor e qafë, duke ia shkaktuar gjithsej 22 plagë shpuese.”, thuhet në aktakuzë.

    Sipas aktakuzës, pas sulmit fillestar kishte ndërhyrë dëshmitarja N.H. dhe i akuzuari ishte larguar përkohësisht nga viktima. Derisa, N.H. kishte dalë për të kërkuar ndihmë, 30-vjeçari ishte kthyer edhe një herë dhe ia kishte shkaktuar plagët fatale, duke ia këputur kokën.

    Pas fillimit të hetimeve, ishte urdhëruar ekzaminim psikiatrik, i cili tregon se Urim Hyseni vuan nga një çrregullim i personalitetit kufitar, që hyn në klasifikimin e sëmundjeve mendore.

    Brenda seancës, ATV-ja kupton se i akuzuari pohoi me kokë kur u pyet nëse e pranon fajësinë. Megjithatë, nuk është e qartë nëse trupi gjykues do ta marrë parasysh këtë, duke e konsideruar gjendjen psikike të të akuzuarit.

  • Përfundon fushata informuese për liberalizimin e vizave

    Përfundon fushata informuese për liberalizimin e vizave

    Përgatiti: Benita Zeneli

    “Liberalizimi i vizave mundëson udhëtime pa viza vetëm deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të asaj që njihet si zona Schengen”.

    Kjo është vetëm një prej disa informatave që janë ndarë me qytetarët e Kosovës gjatë një muaji, prejse ka filluar fushata informuese për liberalizimin e vizave.

    Fushata u përmbyll të premten në kryeqytet. Megjithatë, njohësit e proceseve të ndërlidhura me BE-në, thonë se Qeveria nuk bëri mjaftueshëm në aspektin e informimit.

    Duke e konsideruar valën e emigrimit në shtetet evropiane, opinionisti Arbnor Sadiku thotë se fushata duhet vazhduar ende, sepse liberalizimi nuk vlen për punë në Schengen.

    Parlamenti Evropian miratoi në prill të këtij viti vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Nga 1 janari 2024 bartësit e pasaportës së Kosovës do të mund të udhëtojnë drejt zonës Shengen pa viza për qëndrime deri në 90 ditë.

  • Mozzik viziton Kadri Veselin në Hagë

    Mozzik viziton Kadri Veselin në Hagë

    Reperi i njohur, Mozzik ka vizituar ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli në Hagë, ku po qëndron si i paraburgosur nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Gramoz Aliu tha se me Veselin biseduan për gjëra frymëzuese dhe qeshëm shumë së bashku.

    Ai tha se Veseli u ka bërë të fala të gjithëve.

    “Vallai Kadria o burrë amo burrë burrë ata që e njofin e njofin. Disa djem atëherë me disa armë që morën rrugën për me çliru Kosovën , po rrinë në burg. Po e paguajnë shumë shtrenjtë çmimin e lirisë. E dhimbshme , e trishtë se në çfarë horizonte është lakuar lufta e pastërt e UÇk-së .

    Lutem që rinia, brezi i ri të informohet me historinë e shtetit tonë më shumë , me luftën me lirinë dhe me gjithçka që po kalojmë. Biseduam shumë gjëra frymëzuese e besa edhe qeshëm shumë së bashku.

  • Konjufca përmend përpjekjet e Rusisë për konflikte, i kërkon BE-së presion ndaj Serbisë

    Konjufca përmend përpjekjet e Rusisë për konflikte, i kërkon BE-së presion ndaj Serbisë

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, po merr pjesë në punimet e Konferencës së 11-të të Kryetarëve të Parlamenteve të Shteteve të Europës Juglindore, me temë diskutimi “Procesi i integrimit europian të vendeve të Europës Juglindore”.

    Në konferencë, përveç delegacioneve të parlamenteve të rajonit po merr pjesë edhe Komisioneri për Zgjerimin i Bashkimit Europian, Olivèr Várhelyi, për të mbështetur në aspiratat eurointegruese të vendeve të Europës Juglindore që janë në proces integrimi.

    Në fjalën e tij para pjesëmarrësve të kësaj konference, Konjufca njoftoi se ka theksuar rëndësinë e unitetit pan-europian “kundrejt rreziqeve që rajoni ynë dhe Europa në përgjithësi po përballet këto kohë, kur agresioni rus në Ukrainë po vazhdon, sikurse edhe përpjekjet për të përhapur vatra të reja konflikti dhe krize”.

    “Në këtë kontekst, denoncova edhe një herë përfshirjen e Serbisë në sulmin terrorist në Banjskë të Kosovës në shtator të këtij viti dhe njëherit i bëra thirrje Bashkimit Europian të ushtrojë më shumë presion ndaj Serbisë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, thelbi i të cilit normalizim duhet të jetë njohja reciproke si dy subjekte sovrane dhe të pavarura, ashtu edhe siç përcaktohet në Marrëveshjen e Brukselit”, tha Konjufca.

    Po ashtu, Konjufca tha se ka folur edhe për progresin që Republika e Kosovës ka bërë në procesin integrues, përmes një plani kombëtar reformash integruese, ku Kuvendi i Kosovës ka luajtur rol krucial në miratimin, ndryshimin dhe plotësimin e një game të gjerë ligjesh dhe ristrukturimesh të kuadrit institucional në përputhje me kërkesat e Bashkimit Europian.

    “Republika e Kosovës e sheh Bashkimin Europian si një bashkësi politike ku respektohen vlerat demokratike, liritë dhe të drejtat, sovraniteti dhe integriteti territorial i anëtarëve të saj”.

    Në këtë konferencë shtetet aspiruese për integrim kanë mundësi të shkëmbejnë pikëpamje dhe përvoja për procesin integrues, veçanërisht nga këndvështrimi i kontributit të parlamenteve në mbështetjen e agjendës së reformave që shtetet duhet të ndërmarrin në rrugën e tyre drejt BE-së.

  • Investimet më të mëdha për vitin 2022 ishin në ndërtim

    Investimet më të mëdha për vitin 2022 ishin në ndërtim

    Gjatë vitit 2022, vlera e investimeve në nivel vendi, në ndërmarrje ishte 1 miliard e 136 milionë e 988 mijë e 425 euro, sipas të dhënave më të reja nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

    Sipas rezultateve të Anketës së Statistikave të Investimeve në Ndërmarrje për vitin 2022, investimet në ndërtim zënë pjesën kryesore të investimeve me 53,0%.

    Investimet e tjera që zënë një peshë të konsiderueshme janë ato në makineri dhe pajisje me 42,7%, ndërsa investimet e tjera me një peshë më të vogël në kuadrin e totalit të investimeve janë: investimet në asete të prekshme me rreth 3,7%; investimet në produktet e pronësisë intelektuale me 0,4%; si dhe investimet biologjike të kultivuara dhe serrat në bujqësi me rreth 0,1%.

    Investimet sipas kategorive, 2022 në (%)

    Investimet sipas aktivitetit ekonomik

    Aktivitetet me më së shumti investime ishin tregtia me shumicë dhe pakicë (26,8%), ndërtimtaria (25,2%), prodhimi (15,8%).

    Investimet sipas aktivitetit ekonomik, 2022 në (%)

    Investimet sipas madhësisë së ndërmarrjeve

    Në vitin 2022, përqindja më e madhe e investimeve të ndërmarrjeve kosovare ishte te ndërtimi, pajisjet dhe makineritë me mbi 90,0%.

    Ndërsa, përqindja më e madhe e investimeve në vend nga ndërmarrjet e vogla (10 – 49 punëtorë) me 44,4%, ndërmarrjet e mesme (50 – 249 punëtorë) me 24,3%, dhe mini-ndërmarrjet (1-9 punëtorë) me 22,7%.

    Investimet sipas madhësisë së ndërmarrjeve, (%)

    Investimet sipas rajoneve

    Sipas rezultateve në nivel vendi, në vitin 2022, përqindja më e lartë e investimeve të ndërmarrjeve sipas rajoneve ishte në Prishtinë (49,9%), Prizren (11,3%), Mitrovicë (9,9%), Gjilan (8,9%), Pejë (7,4%), Ferizaj (6,7%), dhe Gjakovë (6,0%).

    Investimet sipas regjioneve dhe kategorisë së investimeve, (%)

    Blerjet e reja, të importuara dhe investimet në vijim

    Në kuadrin e blerjeve të reja investive prin ndërtimtaria (28,3%), tregtia me shumicë dhe pakicë (24,2%), prodhimi (16,1%), furnizim me energji elektrike, gaz avull dhe ajër të kondicionuar (10,6%), ndërsa sektorët e tjerë kanë përqindje më të ulët.

    Sektorët që prijnë në blerje të importuara ishin prodhimi (24,7%), tregtia me shumicë dhe pakicë (23,1%), informacioni dhe komunikimi (17,1%), ndërsa sektorët e tjerë kanë përqindje më të ulët.

    Te blerjet investive prin tregtia me shumicë dhe pakicë (46,6%), ndërtimtaria (24,4%), aktivitetet e patundshmërisë (7,9%), aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike (7,8%), ndërsa sektorët e tjerë kanë përqindje më të ulët.

    Burimet e mjeteve për financimin e investimeve

    Sa i përket burimit të investimeve, rreth 50,6% e vlerës së investimeve të ndërmarrjeve ishte realizuar nga fondet e veta dhe 35,1% nga bankat vendore. Ndërkaq, burimet e tjera zënë një peshë më të vogël në kuadrin e burimeve totale për investime.

    Burimet e investimeve, (%)

  • Dhoma e Tregtisë takon ministrin Peci, kërkohet krijimi i produkteve strategjike bujqësore

    Dhoma e Tregtisë takon ministrin Peci, kërkohet krijimi i produkteve strategjike bujqësore

    Krijimi i produkteve strategjike bujqësore sipas zonave, subvencionimi i këtyre produkteve, ulja e qerasë vjetore nga 2000 euro në 200 euro për shfrytëzim të tokave, rritja urgjente e komunikimit në mes sektorit publik dhe privat, ndryshim/plotësimi i Udhëzimeve Administrative të cilat afektojnë në bujqësi, kullota, turizëm dhe në sektorin e minierave e mineraleve, krijimi i një strategjie afatmesme dhe afatgjatë për bujqësinë si dhe parapagimi për mbledhje të produkteve bujqësore, ishin disa nga çështjet e diskutuara në mes Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë me Ministrinë e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

    Me këtë rast Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë shprehu shqetësimin e saj mbi situatën e krijuar të prodhueseve vendor dhe sfidat e vazhueshme të tyre në treg.

    Në komunikatë thuhet se ministri i Ministrisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Faton Peci gjatë këtij takimi të zhvilluar, premtoi se do të bëhet trajtimi më i shpejt i kërkesave që Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka përcjellur tashmë.

    Sipas njoftimit, DHTIK po ashtu kërkoi që të jetë pjesë e Grupeve Punuese në krijimin e Udhëzimeve Administrative të Ligjit për Pyje, Ligj ky i cili është jofunksional pa këto Udhëzime Administrative. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë në këtë takim u përfaqësua nga Kryetari i Bordit Skënder Krasniqi, Anëtari i Bordit Idriz Zejnullahu dhe Drejtoresha e DhTIK Zana Beqiri.

  • “Ata duhet të mësojnë t’i respektojnë më të moshuarit”, Messi akuzon lojtarët e Uruguait

    “Ata duhet të mësojnë t’i respektojnë më të moshuarit”, Messi akuzon lojtarët e Uruguait

    Lionel Messi ka folur për situatën e tensionuar që ai e kishte me lojtarët e Kombëtares së Uruguait.

    Sot në mëngjes, Uruguai e mposhti Argjentinën me rezultat solid 2:0 si mysafirë, raporton KosovaPress.

    Gjatë ndeshjes, superylli argjentinas, Lionel Messi kishte një përplasje jo të mirë me lojtarët e Uruguait.

    Tani, Messi ka sqaruar këtë situatë, ku lojtarët uruguaian i cilësoi të rinj, duke thënë se ata duhet të mësojnë të i respektojnë më të moshuarit.

    “Unë preferoj mos të them atë që e mendoj për disa gjeste. Por këta lojtarë të rinj duhet të mësojnë të respektojnë më të moshuarit”, tha Messi.

    “Kjo ndeshje gjithmonë do të ishte me intensitet të lartë dhe e vështirë por gjithmonë me shumë respekt. Ata duhet të mësojnë paksa”, shtoi më tej Messi.

  • Kurti pret ambasadorin çek, përmend punën pozitive ndaj Kosovës gjatë udhëheqjes së Presidencës së BE-së

    Kurti pret ambasadorin çek, përmend punën pozitive ndaj Kosovës gjatë udhëheqjes së Presidencës së BE-së

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur ditën e sotme në takim ambasadorin e ri të Republikës së Çekisë në Kosovë, Bohumil Mazanek.

    Pasi u takuan zyrtarisht për herë të parë në pritjen e ambasadës çeke me rastin e 105-vjetorit të Festës Kombëtare të 28 tetorit të vitit 1918, takimi i sotëm rastisi në një datë tjetër historike për Çekinë, atë të “Revolucionit të Kadifenjtë” të 17 nëntorit 1989.

    Zyra e Kryeministrit tha se së fundmi, Kosova dhe Republika e Çekisë, ngritën nivelet përkatëse të përfaqësimit në atë më të lartë, të ambasadorëve me të drejta të plota.

    “Ky hap është një dëshmi e marrëdhënieve tona të shkëlqyera, të ndërtuara mbi angazhimin tonë të përbashkët për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit”.

    Kryeministri Kurti dhe ambasadori Mazanek diskutuan mbi marrëdhëniet bilaterale duke theksuar gatishmërinë për rritje të bashkëpunimit në fusha kyçe si ekonomia, shkëmbimet tregtare, siguria dhe mbrojtja, diplomacia parlamentare e kultura.

    Kurti këtu përmendi edhe punën e Republikës Çeke për Kosovën sa ajo ishte në kryet të Presidencës së BE-së.

    “Si një përkrahëse e madhe e rajonit, Presidenca Çeke e Këshillit të BE-së gjatë vitit të kaluar ka qenë ndër më të suksesshmet. Vendet e rajonit avancuan në rrugën e tyre drejt BE-së, përfshirë Kosovën e cila arriti të ketë vendimin politik dhe konsensusin e shteteve anëtare mbi liberalizimin e vizave si dhe zyrtarisht dorëzuam dhjetorin e kaluar në Pragë aplikimin tonë për anëtarësim në BE”, thuhet në njoftim.

    Kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës në objektivat strategjikë të vendit siç janë anëtarësimi në Këshillin e Evropës, në Partneritetin për Paqe të NATO-s dhe marrja e statusit të vendit kandidat për avancim në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

    Ai e falënderoi ambasadorin Mazanek për përkrahjen e vazhdueshme të Çekisë ndaj Kosovës.

    Ambasadori shtoi se Çekia është një mbështetëse e madhe e Kosovës dhe kjo është politikë konstante e vendit.

    Gjithashtu, Kurti i ofroi dhe ngushëllimet e tij popullit çek për humbjen e një personaliteti të rëndësishëm si ish-ministri i Punëve të Jashtme, Karel Schëarzenberg.

    Duke ritheksuar përkushtimin për forcimin e marrëdhënieve mes dy shteteve tona, Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin Mazanek për bisedën dhe angazhimin e tij.