ATV

Blog

  • Stoltenberg mbërrin në Kosovë

    Stoltenberg mbërrin në Kosovë

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka mbërritur në Kosovë.

    Sipas reporterit të Kosova Online, Stoltenberg ka hyrë në Kosovë përmes vendkalimit Merdare.

    Komunikacioni në atë drejtim ka qenë i bllokuar për më shumë se një orë, me prezencë të madhe të Policisë së Kosovës.

    Stoltenberg pritet të takohet me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s nesër është planifikuar ta vizitojë Beogradin.

    Derisa sot në mëngjes ishte në Bosnje e Hercegovinë.

  • Komuna e Vushtrrisë nis ndërtimin e urës që ishte rrënuar gjatë vërshimeve

    Komuna e Vushtrrisë nis ndërtimin e urës që ishte rrënuar gjatë vërshimeve

    Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka bërë të ditur se ka nisur ndërtimi i urës në lagjen “Kastrati”, që ishte rrënuar gjatë vërshimeve.

    “Kjo urë do të lehtësojë qarkullimin e banorëve dhe do të evitojë rrezikun e vërshimeve në këtë pjesë të Vushtrrisë”, tha kryetari Idrzi.

  • Haxhiu thotë se s’i ka emrat e kryerësve të veprës në rastin Dehari: S’do ta prisja ftesën e prokurorit

    Haxhiu thotë se s’i ka emrat e kryerësve të veprës në rastin Dehari: S’do ta prisja ftesën e prokurorit

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka dëshmuar para Prokurorisë Speciale në lidhje me rastin e ish-aktivistit Astrit Dehari, raporton Ekonomia Online.

    Ajo pas dhënies së kësaj dëshmie ka mbajtur një konferencë për medie, duke thënë se po ta kishte emrin e kryerësve të veprës penale, s’do ta priste ftesën e prokurorit. Haxhiu tutje u shpreh se prokurori është ai që duhet të bëjë hetime.

    “Po ta kisha emrin e kryesit apo kryersve të veprës penale, unë nuk do ta prisja ftesën e prokurorit për ta thënë emrin e personit që dyshohet, e kjo është puna e tij, për këtë paguhet nga taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, për këtë ai është prokuror, që të bëjë hetime, punën e tij unë nuk mund ta bëjë”.

    Haxhiu ka thënë tutje se për rastin Dehari duhen hetime të mirëfillta duke thënë se prokurori Afrim Shefkiu po e trajton me arrogancë këtë rast.

    “Nuk është bërë asgjë në zbardhje të vërtetës, prokurori Shefkiu përveç që se ka trajtuar, e ka trajtuar me arrogancë, nuk iu përgjigj avokatit të familjes për hetimet e mëtutjeshme. Prokurori Shefkiu asnjëherë nuk e ka marrë mundin që t’u përgjigjet thirrjeve të avokatit të familjes për të informuar më shumë familjen e Astritit lidhur me punën dhe hetimet që po bëhen, me arrogancë reagoi edhe ndaj deklaratës sime të cilës i qëndroj dhe e ripërsëris sa herë të jetë nevoja. Le të më ftojë sërish për të dëshmuar. Do t’i përgjigjem njësoj sa herë të jetë nevoja”.

    “Hetimet e mirëfillta janë domosdoshmëri, dhe prokurori i rastit duhet t’i kryejë hetimet në mënyrë të ndërgjegjshme dhe të përpiktë, dhe nëse kjo kërkesë për të është e pamundur të realizohet, atëherë të mos bëhet personi që e pengon drejtësinë. Le të kalojë kjo lëndë në duart e prokurorëve që e duan drejtësinë, edhe në Kosovë, por edhe drejtësinë për rastin Dehari”.

  • Trajneri i kombëtares U19 me fjalë të mëdha për Igball Jasharin

    Trajneri i kombëtares U19 me fjalë të mëdha për Igball Jasharin

    Adil Maliqi trajner i kombëtares së Kosovës U19, ka qenë i ftuar në emisionin ‘A PLAY’ me Ylber Kelmendin në ATV.

    Maliqi ka treguar që në ekipin e tij ka shumë lojtar me potencial të madh, por e ka lavdëruar jashtëzakonisht shumë Igball Jasharin, lojtarin 17 vjeçar i cili është i familjes legjendare Adem Jashari.

    ‘Se pari është një djalë fantastik, dëgjon shumë dhe ka dëshirë me u permirsu çdo herë. Kundër Sllovakisë ka bërë një paraqitje fantastike. Igaballin qysh e njoh unë ai çdo herë mundohet me kry detyrat në mënyrën më të mirë të mundshme’ tha Maliqi.

    Kujtojmë që Kosova U19, me trajnerin Maliqi pas dy ndeshjeve me Sllovakinë dhe Ukrainën tashmë do ta kalojë rrethin e parë.

  • AAK-ja me kërkesë për Qeverinë që të rritet buxheti për bujqësinë

    AAK-ja me kërkesë për Qeverinë që të rritet buxheti për bujqësinë

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se investimi në bujqësi do ishte i qëlluar pasi konsiderohet si ndër punëdhënësit më të mëdhenj, raporton EO.

    Në tryezën e organizuar nga Grupi Parlamentar i kësaj partie me temë zhvillimin ekonomik përmes bujqësisë, Haradinaj ka kërkuar që prioritet i ekzekutivit të bëjë pjesë zgjerimi i rrjetit të ujitjes.

    “Dihet që bujqësia është burim themelor i ushqimit dhe dihet se sa e rëndësishme është ushqimi për çdo vend, po ashtu i rëndësishëm i punësimit, angazhon shumë njerëz dhe përmes bujqësisë sigurohet lënda e parë dhe ajo që është shumë me rëndësi i ulë pakënaqësitë te shtresat e ulëta. Për këtë arsye diskutimi i sotëm ka rëndësi dhe ne duhet të fokusohemi edhe te veprimet që do ta përmirësonin dhe do ta zhvillonin bujqësinë”, u shpreh Haradinaj.

    “Rritja e buxhetit për bujqësinë deri në dyfishim dhe nuk do të ishte investim i gabuar dhe vetvetiu për të gjitha kategoritë dhe një veprim tjetër i rëndësishëm do të ishte zgjerimi i rrjetit të ujitjes”, u shpreh Haradinaj.

    E kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, e konsideron si të vogël buxhetin e vitit 2024 për bujqësinë. Tha se është dëshmuar se Qeveria Kurti nuk e ka prioritet bujqësinë, raporton EO.

    “Buxheti për vitin e ardhshëm për bujqësi është 89 milionë euro, duke përfshirë paga dhe mëditje, grante dhe subvencione dhe kjo dëshmon se Qeveria Kurti nuk e ka prioritet bujqësinë. 74 milionë euro për grante dhe subvebcione dhe këto mund të rriten dhe duhet të rriten”, u shpreh Latifi.

    Profesori universitar, Imer Rusinovci, tha se është e papranueshme “që bujku blen naftë në Kosovë sikurse një që vozit vetura”.

  • IKShPK: Uji i Badocit mund të përdoret për pije, ka rënë niveli i manganit

    IKShPK: Uji i Badocit mund të përdoret për pije, ka rënë niveli i manganit

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se uji i liqenit të Badocit mund të përdoret për pije.

    Në një njoftim për medie, IKShPK ka bërë me dije se vlerat e manganit në ujin e liqenit dhe në rrjetin shpërndarës në ditët e fundit rezultojnë brenda standardeve të parapara.

    “Vlerat e manganit në ujin e liqenit dhe në rrjetin shpërndarës në ditët e fundit rezultojne brenda standardeve të parapara me Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021 “Cilësia e Ujit për konsum nga njeriu”. Për t’u shpallur UJI HIGJIENIK DHE I SIGURT PËR PIJE në zonën e furnizimit nga fabrika e Badovcit, në laboratoret e IKSHPK-se Laboratori i parametrave bazik ku testohet Mangani si parametër indikues dhe Laboratori analitik-ICPMS ku testohet mangani si metal i rëndë, sipas procedurave standarde janë kryer tri matje të njëpasnjëshme në tri ditët e fundit:

    Më datën 17 nëntor: 0.025-0.050 mg/litër

    Më datën 18 nëntor: 0.010-0.031 mg/ litër

    Më datën 19 nëntor: 0.017-0.037 mg/ litër

    Bazuar në rezultatet laboratorike, uji në zonat e furnizuara nga Liqeni i Badovcit gjegjësisht – Fabrika në Badovc i plotëson kriteret të parapara me Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021 “Cilësia e Ujit për konsum nga njeriu”(vlerat referente të Manganit 50 µg/L (0.05 mg/L).

    Nga sot vazhdon monitorimi i rregullt si aktivitet themelor i Qendrës së ujit brenda IKSHPK-së”, thuhet në njoftim.

  • “Dardanët” bëjnë thirrje për mbështetje të Kosovës në sfidën me Bjellorusinë

    “Dardanët” bëjnë thirrje për mbështetje të Kosovës në sfidën me Bjellorusinë

    Kosova do ta mbyll kampanjën kualifikuese për në Kampionatin Evropian Euro 2024 me sfidën ndaj Bjellorusisë e cila zhvillohet të martën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

    Gjasat për kualifikim tashmë janë shuar pas barazimit 1-1 me Zvicrën, por përmes një mesazhi të lëshuar në rrjetet sociale, grupi i tifozëve “Dardanët” kanë bërë thirrje të mbushen tribunat në “Fadil Vokrri” për ta mbështetur skuadrën.

    Ja mesazhi i plotë i “Dardanëve”:

    “Nesër luajmë ndeshjen e fundit kualifikuese kundër Bjellorusisë. Anipse shpresat për kualifikim në Evropian janë shuar, pas paraqitjes vetmohuese të treguar në Bazel, djemtë meritojnë përkrahjen më të madhe të mundshme, në mënyrë që ta mbarojmë me një fitore këtë cikël. Ftojmë anëtarët tanë që të jenë pjesëmarrës në tribunën e veriut në formë sa më masive. Si gjithmonë, ju ftojmë që të koordinoheni me përgjegjësit nëpër qendrat e ndryshme të vendit, të cilët do të ju orientojnë për organizimin, nisjen drejt Prishtinës dhe detajet tjera. Njëherësh kjo do të jetë edhe ndeshja e fundit që do ta luajë Kosova për këtë vit kalendarik, kështu që mungesa në stadium nuk gjen arsyetim për askẽnd, jo vetëm anëtarët e tifogrupit tonë.

  • Pozita u bën thirrje deputetëve opozitarë që të enjten t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare

    Pozita u bën thirrje deputetëve opozitarë që të enjten t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare

    Deputeti nga mazhoranca, Armend Muja ka thënë se në seancën e Kuvendit që është vendosur të mbahet të enjten shumica e pikave që do të diskutohen janë për marrëveshjet ndërkombëtare, me ç’rast iu ka bërë thirrje gjithë deputetëve, me theks atyre të opozitës t’i votojnë këto marrëveshje, pasi siç tha ai, janë jetike për qytetarët e vendit.

    Muja pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit derisa ka renditur marrëveshjet që do të diskutohen, tha se afërisht vlera e tyre është 400 milionë euro.

  • Caktohen datat për Kampionatin e Kosovës në boks

    Caktohen datat për Kampionatin e Kosovës në boks

    Federata e Boksit e Kosovës (FboxK) do të organizoj Kampionatin Individual në boks për senior dhe të rinj me 25 dhe 26 nëntor në Palestrën e Sporteve të shkollës fillore “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë.

    Siç ka bërë të ditur kjo federatë, të drejtë pjesëmarrje kanë të gjitha klubet e regjistruara në FBOXK për vitin 2023, përcjellë KosovaPress.

    Të drejtë pjesëmarrje kanë boksierët që kanë minimum pesë meçe të zhvilluara.

    Garat zhvillohen sipas orarit të më poshtëm:

    E Shtunë 25 Nëntor ora: 16:00 – Gjysmë finalet

    Peshimi i boksierëve 11:00-12:00

    E Diele 26 Nëntor ora: 12:00 – Finalet

    Peshimi i boksierëve 08:00-09:00.

  • Dëshmitari Hoxha thotë se gjatë luftës nuk i ka njohur Time Kadrijajn dhe Safete Hadergjonajn

    Dëshmitari Hoxha thotë se gjatë luftës nuk i ka njohur Time Kadrijajn dhe Safete Hadergjonajn

    Dëshmitari Zijadin Hoxha ka thënë se në kohën e luftës nuk i ka njohur, tani deputeten e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijajn dhe ish-deputeten e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Safete Hadergjonaj.

    “Jo nuk e njoh. Tani e njoh por në luftë nuk e kam njoftë”, tha Hoxha duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtjes së Pjetër Shalës, përmes avokatit Jean-Louis Gilissen, për Time Kadrijajn.

    Ndërsa, për Safete Hadergjonajn, dëshmitari Hoxha tha se tani e njeh pasi që është fytyrë publike.

    “Sot e njoh, gjatë luftës nuk e kam njoftë. Është fytyrë publike faktikisht”, tha dëshmitari Hoxha.

    I pyetur për një person me mërin Ilir Blakaj, dëshmitari tha se nuk e njeh.

    Veç tjerash, avokati Gilissen pyeti dëshmitarin se a ka pasur ndonjë zyrtar apo komandant nga Shqipëria që ka qëndruar në uzinën e metalit në Kukës.

    “Me duket ka qenë një, por emrin nuk e di”, tha dëshmitari Hoxha duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Pjetër Shalës.

    Ndërsa, për një person me emrin Spiro Butka, dëshmitari tha se nuk e njeh personalisht.

    Tutje, dëshmitari tha se ai vetë ka punuar në brendësi të depos në uzinën e metalit në Kukës, konkretisht në riparim.