ATV

Blog

  • Dy të vrarë dhe gjashtë të plagosur nga sulmet raketore ruse në Ukrainë

    Dy të vrarë dhe gjashtë të plagosur nga sulmet raketore ruse në Ukrainë

    Dy njerëz janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve raketore ruse gjatë natës në dy rajonet lindore të Ukrainës, Donjeck dhe Harkiv, thanë të martën zyrtarët ukrainas.

    Cak i sulmeve ishin një spital në qytetin Selidove dhe një minierë thëngjilli, shkroi në Telegram ministri i Brendshëm i Ukrainës, Ihor Klymenko.

    “Dy ndërtesa të spitalit u dëmtuan, gjashtë civilë u plagosën. Mund të ketë viktima nën rrënoja, operacionet e kërkimit po vazhdojnë”, theksoi ai.

    Një punëtor në minierën e thëngjillit u vra gjatë sulmit, tregoi ai.

    “Katër ndërtesa, 19 automjete dhe një linjë e rrymës u dëmtuan. Tridhjetë e nëntë minatorë ngecën nën tokë. Të gjithë minatorët janë nxjerrë në sipërfaqe tani”, tha ministri ukrainas.

    Një person tjetër u vra si pasojë e granatimeve ruse në Harkiv, tha guvernatori i këtij rajoni, Oleh Synehubov.

    Rusia, e cila e nisi pushtimin e plotë dhe të paprovokuar të Ukrainës në shkurt 2022, e ka kapur shumicën e territorit të Donjeckut dhe ka thënë se synimi i saj është ta kapë tërë këtë rajon.

    Forcat ruse i vazhduan sulmet në Ukrainë derisa Kievin e vizitoi të hënën sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin.

    Austin e bëri këtë vizitë të paparalajmëruar si shenjë mbështetje për Ukrainën, pasi janë rritur shqetësimet se aleatët perëndimorë të Kievit, posaçërisht SHBA-ja – e cila është përkrahësja e tij më e madhe ushtarake dhe financiare – janë “lodhur nga lufta”.

    “Jam këtu sot për ta dhënë një mesazh të rëndësishëm – Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë përkrah Ukrainës në luftën e saj për liri kundër agresionit të Rusisë, tani dhe në të ardhmen”, tha Austin.

    Kjo ishte vizita e dytë e Austinit në Ukrainë, i cili udhëtoi me tren drejt Kievit nga Polonia./REL/

  • Parashikimi i motit për ditën e sotme

    Parashikimi i motit për ditën e sotme

    Sot në vendin tonë parashihet të mbajë mot kryesisht me vranësira dhe kthjellime të herëpashershme.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme do ta mbajë Gjakova me 4 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 13 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme do të jetë me kushte të njëjta atmosferike. Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajnë qyteti i Pejës me 4 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale përsëri Prizreni me 11 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot të vranët dhe me kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 6 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Vlorë me 21 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • 28 vjet nga Marrëveshja e Dejtonit

    28 vjet nga Marrëveshja e Dejtonit

    Sot bëhen 28 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Paqes për Bosnjë dhe Hercegovinë, e njohur si Marrëveshja e Dejtonit.

    Marrëveshja u nënshkrua në bazën ushtarake amerikane “Wright Peterson” në Ohajo, më 21 nëntor 1995.

    Një nga parimet kryesore të kësaj marrëveshje, ishte në ndarjen e BeH në 51 për qind në territorin e Federatës së BeH-së dhe 49 për qind në Republikën Serbe.

    Nënshkruesit u zotuan për të rregulluar marrëdhëniet e ndërsjella sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit dhe dokumentet e tjera të OSBE-së, si dhe respekt reciprok për sovranitetin dhe zgjidhjen e kontesteve në mënyrë paqësore.

    Ky dokument mundësoi që t’i jepet fund luftës disa vjeçare, ku kishin humbur jetën më shumë 300 mijë qytetarë të BeH-së, e cila luftë kishte filluar pas shpalljes së pavarësisë së Bosnjës nga Jugosllavia.

    Agresioni u krye nga Ushtria e Jugosllavisë që udhëhiqej nga Serbia, në mbështetje të serbëve të Bosnjës, që synonin ta mbanin nën kontrollin e tyre territorin e BeH-së./KosovaPress/

  • Dita Botërore e Televizionit

    Dita Botërore e Televizionit

    Sot shënohet Dita Botërore e Televizionit.

    Kjo ditë simbolizon komunikim dhe globalizimin në botën bashkëkohore.

    Kjo ditë është shpallur nga Kombet e Bashkuara në vitin 1996 dhe i ka bërë bashkë për herë të parë, institucionet kryesore të industrisë mediale, Unionin Evropian të Transmetuesve (EBU), Asociacionin e Televizioneve Komerciale në Evropë (ACT) dhe EGTA Asociacionin e Radio Televizioneve me bazë në Bruksel.

  • Sot protestohet para Komunës së Prishtinës nga punëtorët teknikë të QMF-së dhe disa shkollave

    Sot protestohet para Komunës së Prishtinës nga punëtorët teknikë të QMF-së dhe disa shkollave

    Federata Sindikale e Punëtoreve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës ka bërë të ditur se sot do të mbahet një protestë nga punëtorët teknik të QMF-së në Prishtinë dhe të disa shkollave të kryeqytetit.

    Protesta do të fillojë nga ora 11:00 dhe do të zgjasë për një orë, si dhe do të mbahet para objektit të Komunës së Prishtinës.

    Arsyeja e mbajtjes së protestës është rritja e pagave.

  • Alban Lumi: Përzgjedhësi Gliha në fund u ligë, ia ka prishur punën vetit

    Alban Lumi: Përzgjedhësi Gliha në fund u ligë, ia ka prishur punën vetit

    Gazetari Alban Lumi në emisionin ‘EKIPI A’ në ATV, i ka komentuar deklaratat e trajnerit së Kosovës Primoz Gliha i cili i bëri pas ndeshjes me Zvicrën.

    Lumi ka deklaruar që Gliha bëri gabim që u shpreh ashtu madje sipas tij ai u ligë në fund.

    ‘Gliha u ligë, nuk bëri mirë me ato deklarata. Po besoj që slloveni ia ka prishur punën vetit me këto deklarata. Ja ka luhatur vetës karrigen’ tha Lumi.

    Emisionin mund të shikoni më poshtë

  • Arsim Prepolli: Gliha e mori Kosovën në momente të vështira, rezultatet e tij janë pozitive

    Arsim Prepolli: Gliha e mori Kosovën në momente të vështira, rezultatet e tij janë pozitive

    Analisti i përhershëm i emisionit ‘EKIPI A’ Arsim Prepolli e ka lavdëruar punën e trajnerit slloven Primoz Gliha në këto pesë ndeshje sa ai ka qenë përzgjedhës i kombëtares së Kosovës.

    ‘Primoz Gliha e mori Kosovën në momente të vështira, rezultatet e tij janë pozitive, nëse në vetëm e ndërrojmë trajnerin, besoj na duhet një trajner i cili sjell disiplinë’ tha Prepolli.

    Emisionin mund të shikoni live më poshtë.

  • Stoltenberg pas takimit me Osmanin e Kurtin: NATO do të vazhdojë të bëjë atë që është e nevojshme për një mjedis të sigurt

    Stoltenberg pas takimit me Osmanin e Kurtin: NATO do të vazhdojë të bëjë atë që është e nevojshme për një mjedis të sigurt

    Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani e kryeministrin, Albin Kurti ka thënë se pati biseda të frytshme mbi situatën e sigurisë në vend dhe rajon.

    Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Stoltenberg ka thënë se NATO do të vazhdojë të bëjë atë që është e nevojshme për një mjedis stabil e të sigurt për të gjitha komunitetet.

    Ai ka thënë tutje se ka falënderuar trupat e KFOR-it për ruajtjen e stabilitetit në rajon.

    “Biseda të mira me Vjosa Osmani dhe Albin Kurti mbi situatën e sigurisë në Kosovë dhe në rajon. NATO do të vazhdojë të bëjë atë që është e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjitha komunitetet – falënderova trupat e KFOR-it për rolin e tyre kyç në ruajtjen e stabilitetit rajonal”, ka shkruar Stoltenberg.

    Ndryshe gjatë konferencës për media me presidenten Osmani, Stoltenberg, tha se aleanca po shqyrton nëse duhet të ketë një shtim të përhershëm të pranisë së saj ushtarake në Kosovë, pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

    “Tani ne po shqyrtojmë nëse duhet të kemi shtim të përhershëm për t’u siguruar që kjo të mos dalë jashtë kontrollit dhe të krijojë ndonjë dhunë në Kosovë, apo në rajonin e gjerë. Ne do të bëjmë atë që është e nevojshme. Aktualisht, ne jemi duke shqyrtuar rregullimet rreth pranisë sonë”, tha ai në një konferencë për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Gjatë vizitës në Prishtinë, e cila është në kuadër të një turi ballkanik, Stoltenberg tha se shtimi i pranisë ushtarake në Kosovë me 1 mijë trupa – që përbën vendosjen më të madhe në vitet e fundit të aleancës – tregon se sa seriozisht e merr aleanca dhunën që shpërtheu muajve të fundit në Kosovë.

    “Ne vërtetë po investojmë në sigurinë e këtij rajoni, sepse siguria e njerëzve në këtë rajon, stabiliteti në këtë rajon, ka rëndësi për sigurinë tonë”, tha ai.

    Shefi i NATO-s tha se aleanca është duke kryer një shqyrtim të pranisë ushtarake “që përfshin Bosnje e Hercegovinën dhe po ashtu Kosovën”.

  • Mbetën pa bileta për ndeshjen e sontme, “Plisat”: Nuk ka problem dhe ne do të kthehemi përsëri

    Mbetën pa bileta për ndeshjen e sontme, “Plisat”: Nuk ka problem dhe ne do të kthehemi përsëri

    “Plisat” kanë dalë me komunikatë për shtyp pasi mbetën pa bileta për ndeshjen e sontme Shqipëri – Ishujt Faroe.

    Tifozët prishtinas thonë se e kanë përfunduar misionin e tyre me sukses dhe se do të kthehen përsëri, në festa dhe në ditë të vështira, siç kanë bërë gjithmonë.

    “Kur të gjithë ia kthyen shpinën kombëtares, ne ishim aty! Këta të njejtit, të pandalshmit, të pashantazhueshmit, të vetmit, “kriminelat”, “tradhëtarët”… ne do të jemi gjithmonë aty. Pavarësisht ndërhyrjeve të politikës, e të kujtdo, do të jemi përherë e më të fortë… “, shkruan në njoftimin e “Plisave”.

    Federata Shqiptare e Futbollit i la pa bileta tifozët e zjarrtë të Kombëtares për ndeshjen e sontme, ndonëse nuk e dha asnjë arsyetim për këtë vendim.

    Më poshtë mund ta lexoni komunikatën e tifo-grupit prishtinas.

  • Kuvendi të enjten shqyrton gjetjet e raportit për Kosovën

    Kuvendi të enjten shqyrton gjetjet e raportit për Kosovën

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Dy javë pas publikimit të Raportit të Progresit, deputetët e opozitës kanë kërkuar që të enjten, në seancë plenare të diskutohet për të.

    Pas mbledhjes së kryesisë, shefat e grupeve parlamentare të opozitës, theksuan se edhe ata mund të kontribuojnë në politika që ndihmojnë reformën evropiane.

    “Mendoj që diskutimi është i rëndësishëm dhe të japim kontributin tonë si parti politike, lidhur me reformën evropiane. Ju e dini që ky Raport ka evidentuar një sërë gjetjesh në shumë fusha dhe mendoj që është e rëndësishme që të diskutohen këto gjetje”, tha shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

    “Të enjten do të diskutohet për raportin e progresit. Ne si opozitë kërkuam që të trajtohet raporti për Kosovën nga Bashkimi Evropian, për shkak që ky raport ka adresuar një mori problemesh dhe çështje që Qeveria e Kosovës nuk ka arritur t’i adresojë”, tha shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

    Përveç diskutimit për raportin e Progresit për Kosovën, në rend dite do të jetë edhe votimi i Marrëveshjeve Ndërkombëtare.

    “Ndër pikat e para që do të diskutohet është raporti i progresit dhe gjetjet e Bashkimit Evropian lidhur me gjetjet e progresit të Kosovës si dhe votimi i Marrëveshjeve Ndërkombëtare të cilat janë tash e sa muaj në Kuvend për të cilat nuk po gjendet assesi konsensus i kalimit të tyre. LDK-ja qëndrimin e ka që i voton dhe i ka votuar”, tha shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

    Për Marrëveshjet Ndërkombëtare foli edhe deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja. Ai kërkoi nga opozita që këto marrëveshje të votohen.

    “Të enjten në kuvend do të diskutohet për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, andaj ne shfrytëzojmë rastin si mazhorancë që t’u bëjmë thirrje të gjithë deputetëve, posaçërisht partive opozitare që të njëjtat të votohen, gjithashtu është vendosur të diskutohet për raportin e progresit dhe planin ndërkombëtar të shkencës”, tha deputeti i LV-së, Armend Muja.

    Ndërsa, duke folur për dialogun dhe transparencën e kryeministrit Albin Kurti, deputetët e opozitës thanë se fatkeqësisht Kuvendi është i injoruar dhe në terr informativ. Po ashtu, ata kanë kërkuar nga Kurti të jetë më i kujdesshëm në raport me Veriun dhe të mos ngjallë panik te qytetarët.