ATV

Blog

  • Pjesëtarët e NjSI-së me plisa në kokë publikojnë fotografi për 28 Nëntor

    Pjesëtarët e NjSI-së me plisa në kokë publikojnë fotografi për 28 Nëntor

    Pjesëtarët e Njësitit Special Intervenues (NjSI) e kanë publikuar një fotografi ku shihen me plisa në kokë duke e festuar 28 Nëntorin.

    Si duket kjo fotografi është bërë për nderë të Pavarësisë së Shqipërisë.

    Ndërsa në muajt fundit NjSI ka luajtur një rol kyç për ruajtjen e sigurisë në Kosovë, sidomos në veri të vendit.

    Një ndër sukseset më të madhe të NjSI është neutralizimi i grupit terrorist serb më 24 shtator në Banjskë.

  • S’ka shtretër të lirë në mjekimin intensiv në QKUK

    S’ka shtretër të lirë në mjekimin intensiv në QKUK

    Përgatiti: Sara Shehu

    Asnjë shtrat nuk ka mbetur i lirë në Mjekimin Intensiv Qendror në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pasi që në 21 shtretërit janë të vendosur pacientë me gjendje shëndetësore shumë të rënduar, prej tyre 9 në gjendje kome.

    Shefi i repartit të Mjekimit Intensiv, Shaqir Uka, tha se mungesa e hapësirës po u shkakton telashe në rritjen e numrit të shtretërve, ndërkohë që kërkesat për hospitalizim të pacientëve me dëmtim të sistemit nervor janë të shumta.

    “Është mjaft e rëndë, nuk kemi mjaftueshëm shtretër, të gjithë janë të mbushur me pacientë, pasi që pacientët janë në gjendje të rëndë shëndetësore edhe ky vit na ka shoqëruar me këtë telash të njëjtë, s’ka hapësirë boll, megjithatë duhet cekur edhe sukseset që ka bërë stafi mjekësor gjatë këtij viti për trajtimin e këtyre rasteve…. brenda një muaji kemi trajtuar deri në 66 raste”, tha Shaqir Uka, shef i mjekimit intensiv në QKUK.

    Uka theksoi se kërkesa e tyre e kamotshme për të pasur në dispozicion një qendër të veçantë për trajtimin e këtyre rasteve, nuk është marrë parasysh nga
    institucionet relevante.

    “Ne gjithmonë si staf kemi kërkuar të kemi një qendër të veçantë që do të drejtoheshin pacientët që po i trajtojmë në këtë repart, për këtë janë në dijeni edhe dikasterët kryesorë, por nuk kanë ndërmarrë deri më sot asnjë hap për të cilën do të duhej të kishte një zgjidhje”, tha Uka.

    Se nuk ka mjaftueshëm shtretër e thonë edhe familjarët e pacientëve të hospitalizuar në këtë repart.

    “E kam babain, të shtrirë që një ditë aty, por nuk ka aspak vend aty, s’ka shtretër. Është dashur të bëhet një zgjidhje për këtë nga institucionet”, thotë një familjar.

    “E vërtetë se mungesa e shtretërve po krijon tollovi e telashe, por nuk duhet harruar se shërbimet nga stafi mjekësor janë në nivel”, tha një familjar tjetër.
    Sidoqoftë, reparti nuk po përballet me mungesë të barnave, pasi menaxhmenti thotë se gjendja në këtë drejtim është përmirësuar.

    Ndryshe, nga janari deri në nëntor, 12 specialistë të mjekimit intensiv bashkë me 4 ekipe të infermierëve, kanë trajtuar afro 600 pacientë të patologjive të ndryshme shëndetësore.

  • Salla sportive në Lismir, tash e katër vjet e pashfrytëzuar

    Salla sportive në Lismir, tash e katër vjet e pashfrytëzuar

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Të vetmen hapësirë për të mbajtur orën e edukatës fizike, nxënësit e shkollës fillore “Lismiri”, në fshatin Lismir të komunës së Fushë-Kosovës, e kanë këtë fushë sportive, por edhe atë ua mbuloi bora.

    Kështu në mungesë të një salle sportive, orën e edukatës fizike nxënësit nuk e mbajnë sa herë që bien temperaturat.

    Ndonëse në vitin 2021, komuna e Fushë Kosovës kishte ndarë 70 mijë euro për rinovimin e kësaj salle, punimet nuk nisën asnjëherë.

    Për këtë arsye, opozita po e akuzon udhëheqjen e Komunës për keqpërdorime.

    “Janë duke e keqpërdorë paranë publike, të jeni të bindur që prapë do të hapin tender për çështjen e njëjtë. Më herët kanë intervenuar në një dritare vetëm sa për të thënë se po intervenojnë, por ajo është e pashfrytëzueshme…”, tha Dardane Sogojeva, këshilltare komunale e PDK-së.

    Por këtë akuzë e ka mohuar Drejtoria e kulturës, rinisë dhe sportit në këtë komunë. Ali Topalli drejtor në këtë drejtori tha se kanë kontraktuar operatorin ekonomik dhe se punimet pritet të fillojnë shpejt.

    “Paratë nga e kaluara me vendim të drejtorisë janë bartë për këtë vit. Por tashmë kemi kontraktu një operator ekonomik, i cili pos që do ta rregullojnë sallën e sportit në Lismir do të intervenojë edhe në sallën e sportit në miradi e në “Selman Riza”, krejt ky projekt do të kushtojë 150 mijë euro, dhe punimet do të fillojnë shpejt”, tha drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ali Topalli.

    Ndërkaq, Salla e sportit në shkollën fillore “Selman Riza”, pa kaluar një vit prej kur ishte ndërtuar, ishte demoluar tërësisht nga disa persona, dhe rastin tani po e hetojnë institucionet kompetente.

  • Ndryshime në projektligjin për Këshillin e Sigurisë Kombëtare

    Ndryshime në projektligjin për Këshillin e Sigurisë Kombëtare

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Këshilli i sigurisë kombëtare së shpejti pritet të bëhet me drejtor.

    Qeveria ka bërë gati projektligjin e ri që tashmë ndodhet në konsultime publike, i cili parasheh staf të shtuar.

    Drejtori i këshillit do të mbikëqyrë funksionimin e njësive mbështetëse dhe të vlerësojë çështjet e sigurisë, që më pas ato i raporton te kryeministri apo presidentja.

    Këto ndryshme janë bërë me qëllim të forcimit të këtij institucioni, sipas njërit nga themeluesit e tij.

    “Ky institucion është shumë i rëndësishëm për të reaguar me kohë, në sfidat me të cilat përballet vendi për faktin se në strukturën e saj ka institucione që monitorojnë gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe jo vetëm, dhe në të njëjtën kohë jep raporte të përditësuara, të cilat mundësojnë marrjen e vendimeve me kohë në raport me rreziqet me të cilat përballet Kosova”, tha Bejtush Gashi, profesor/ish-ministër i Punëve të Brendshme.

    Projektligji i ri parasheh edhe komisionet që monitorojnë punën e këshillit, e që përveç atyre të përhershme, mund të themelohen edhe të reja varësisht nga rasti.

    Ani pse këshilli do të ketë drejtor, mbledhjet mund të thirren vetëm nga Kryeministri dhe Presidentja.

    Me projektligjin e ri nga përbërja e këshillit është larguar një nga ministrat e komuniteteve që sipas ish-themeluesit, Bejtush Gashi, paraqiste telashe në vendimmarrje.

    “Ne kemi pasur edhe pse nuk ka qenë e domosdoshme por me presion ndërkombëtar, anëtar i këshillit të jetë edhe një ministër nga komunitetet dhe me projektligjin e ri ky defekt është eliminuar për faktin se nuk ekziston kudo një ligj i tillë, për faktin se ai ka ardhur si rezultat i presionit pastaj ka ndikuar drejtpërdrejt në procesin e vendimmarrjes dhe zhvillimeve të tjera brenda kompetencave të këtij këshilli”, tha Gashi.

    Këshilli mund të mblidhet në takime të rregullta së paku 2 herë brenda vitit, me raste edhe takime të tjera varësisht nga vlerësimi i situatës së sigurisë.

  • Dialogu “pengesë” në rrugën e integrimeve Euro Atlantike

    Dialogu “pengesë” në rrugën e integrimeve Euro Atlantike

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Edhe pse Kosova është nën masa ndëshkuese tash e pesë muaj, Qeveria shpreson që në samitin e radhës të Këshillit Evropian, në Dhjetor, të marrë mbështetje për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    Duke e vlerësuar se Kosova i përmbush të gjitha kriteret, në Qeveri thanë se mos-dhënia e statusit shtet kandidat, edhe gati një vit pas aplikimit, është padrejtësi.

    “Institucionet e Republikës së Kosovës janë në kontakt të vazhdueshëm me BE-në dhe shtetet anëtare, duke kërkuar që të trajtohet aplikimi për anëtarësim i Kosovës, i dhjetorit të vitit të kaluar. Ne mirëpresim hapa tutje nga Bashkimi Evropian në këtë drejtim… Statusi i kandidatit për Kosovën nuk do të thotë njohje dhe nuk kërkon njohje nga të gjitha vendet anëtare, prandaj edhe nuk ka arsye apo pengesë për dhënien e statusit të kandidatit”, thanë nga zyra e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.

    Liderë të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare, kanë përsëritur se procesi i integrimit të Kosovës është i lidhur kryekëput me përparimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

    Krahas vlerësimit se mos-dhënia e statusit vend kandidat është e padrejtë, ish-ministri për Punë të Jashtme, deputeti Enver Hoxhaj, tha përveç BE-së me gjysmën e saj, gjysmën e përgjegjësisë e ka Qeveria, e cila, sipas tij, e ka reduktuar politikën e jashtme në dialogun me Serbinë.

    “Të gjitha hapat e gabuar që i ka ndjekur në dy vjetët e fundit kanë prodhuar një situatë që Kosova është në sanksione dhe askujt në BE nuk i bie ndërmend ta trajtojë aplikimin tonë, para një viti, për ta marrë statusin e kandidatit. Dhe jam i sigurt, sa të jetë Albin Kurti në Qeveri, Kosova nuk lëvizë në agjendën e integrimit euro-atlantik”, tha Hoxhaj.

    Ndryshe nga Këshilli i Evropës, ku Kosova tashmë ka kaluar fazën e parë, nuk ka përparim konkret lidhur me Partneritetin për Paqe, që është mekanizëm i para-anëtarësimit në NATO.

    “Në vitin e ardhshëm do të përgatitemi, natyrisht, që sa më shumë të integrohemi në mekanizma ndërkombëtarë, e një synim të veçantë e kemi partneritetin për paqe”, kishte deklaruar kryeministri Albin Kurti.

    Pavarësisht përmbushjes së kritereve, Hoxhaj vlerëson se vullneti politik i partnerëve ndërkombëtarë është vendimtar për proceset anëtarësuese.

    “Qasja e kryeministrit që t’i thotë po statutit të Asociacionit të komunave, pa e ditur opinioni publik, pa e ditë unë si deputet i Kuvendit të Kosovës, çka përmban ky draft-statut i Asociacionit, pa transparencë. Por, edhe në të njëjtën kohë të mos e zbatojë dhe të njëjtën kohë t’i qetë në lajthitje partnerët tanë, tregon që ata nuk e marrin seriozisht z. Kurti dhe kur partnerët nuk të marrin seriozisht, natyrisht se nuk ke mbështetje”, tha Hoxhaj.

    Në Maj të vitit të kaluar, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës, në Dhjetor për statusin e vendit kandidat për Bashkimin Evropian, ndërkaq ende nuk ka aplikuar për Partneritetin për Paqe.

  • Anulohen disa fluturime, disa të tjera drejtohen për ne Tiranë

    Anulohen disa fluturime, disa të tjera drejtohen për ne Tiranë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Përkundër investimeve 33 milionëshe të vitit 2021 në zgjerimin e pistës dhe mirëmbajtjen së saj, një borë e lehtë dimri anuloi disa aterrime në Aeroportin e Prishtinës.

    Disa avionë që ishin paraparë të ateronin në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’ gjatë fundjavës, u divertuan për në Tiranë.

    Asllan Ishpiraj, mërgimtar nga Belgjika, thotë se sa herë që festat e fundvitit vendos t’i kalojë në vendlindje, përballet me të njëjtin problem.

    “Nuk po përgatiten për stinën e dimrit, mandej po i detyrojnë udhëtarët të marrin rrugë të tjera apo t’i dështojnë fare e t’i shtyjnë. Duhet të pastrohet pista”, tha Ishpiraj.

    Njohësi i çështjeve ekonomike, Zekirja Shabani, thotë se pavarësisht motit, aeroporti duhet t’i ketë standardet që fluturimet të mos anulohen.

    “Sa shumë investime janë bërë në të e prapë të anulohen fluturime e të divertohen, nuk është gjë e mirë…”, tha Shabani.

    Duke shpresuar që të mos ketë anulime të tjera, njohësi i çështjeve të emergjencave, Tahir Ahmeti thotë se kësaj radhe ndryshimet klimatike mund të kenë ardhur befas, andaj pista mbeti e papërgatitur.

    “Ndryshimi i motit mund të ndikojë në shumë aspekte, një ndër ta edhe në transportin ajror që vjen deri te anulimi fluturimeve, e që mund të ndodhë papritur”, tha Ahmeti.

    Për dallim nga ditët e fundjavës, të hënën në Aeroportin e Prishtinës fluksi i qytetarëve ishte më i ulët, së bashku me numrin e fluturimeve të planifikuara.

  • Kolçaku: Manastri i Deçanit po i zgjeron pronat

    Kolçaku: Manastri i Deçanit po i zgjeron pronat

    Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Fatmire Mulhaxha Kollçaku ka thënë se manastri i Deçanit po i zgjeron pronat.

    Kollçaku ka thënë se nga kontaktet me banorë të fshatrave përreth, ka kuptuar se manastiri i Deçanit është duke po blerë prona.

    “Nga biseda dhe kontaktet me banorë të fshatrave përreth, kam kuptuar se kohëve të fundit Kisha Ortodokse Serbe, përkatësisht manastiri i Deçanit, po blen prona – shtëpi e patundshmëri – të serbëve lokalë në Gorazhdec, me gjasë që të sigurohet që ajo zonë mos të popullohet me shqiptarë”, ka shkruar ajo.

    Kollçaku është shprehur se manastiri i Deçanit në njërën anë insiston që të marrë prona publike, ndërsa në anën tjetër po blen prona private.

    “Pse ky fiksim i Manastirit me tokën? Si institucion fetar, a nuk do të duhej të ketë një mision tjetër?”, ka shkruar tutje ajo.

  • Rama në Këshillin e Atlantikut: Domosdosshmëri njohja e Kosovës

    Rama në Këshillin e Atlantikut: Domosdosshmëri njohja e Kosovës

    Shqipëria dhe rajoni, për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ndodhen në ditët e tyre më të mira, ndaj edhe konflikti në botë nuk duhet të kalojë në kufjtë e rajonit.

    Rama kështu u deklarua në Këshillin e Atlantikut ku u diskutua mbi sfidat e rajonit dhe perspektivën evropiane.

    Në fjalën e tij, kryeministri Rama vuri theksin në domosdoshmërinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Beogradi.

    “Nesër është përvjetori i 111 pavarësisë. Shqipëria nuk ka qenë kurrë më mirë, por edhe rajoni. Edhe Shqipëria edhe rajoni kanë nevojë për më shumë më tepër, kemi sfida dhe jam një person që beson fort te fakti që nuk mund të mendosh të jesh më mirë pa menduar të bësh një rajon më të mirë. Në këtë botë, na duhet të mësojmë e punojmë me bindjen e fortë se ajo çfarë ne duhet të bëjmë është si përmirësimi i vendit, rajonit por edhe i botës. Kur them rajoni s’ka qenë asnjëherë më mirë, nënkuptoj krahasuar me disa vjet më parë. Por sigurisht kemi probleme, kemi ende një elefant të madh në dhomë, njohja reciproke mes Kosovës e Serbisë. Kjo pjesë më e vështira deri më sot, ka treguar se është domosdoshmëri. Kanë ndodhur hapa pas e mangësi që do vijojnë të ndodhin. Në kontekstin më të gjerë, agresioni rus në Ukrainë, lufta mes Izraelit e Hamasit, efektet mund të jenë edhe më negative nëse nuk punojmë natë e ditë për ta mbajtur konfliktin jashtë rajonit tonë”, tha Rama.

    “Ne jemi një rajon që ka kompleksitete shumë të mëdha, jemi një rajon shumë fetar. Shqipëria është një vend fetar ku myslimanë e krishterë jetojnë në harmoni. Ja pse besoj se lufta Izrael Hamas është e rrezikshme. Sepse Hamas, është agjent kaosi dhe ky kaos, që duan ta përhapin kudo jo vetëm në lindjen e mesme, mund të ndikojë edhe rajonin tonë nëse nuk bëjmë të gjitha gjërat e nevojshme, për ta mbajtur kaosin jashtë. Nga ana tjetër, kjo situatë, që është përmirësuar shumë duhet të trajtojë e të zgjidhë këtë çështje mes Kosovës e Serbisë, në njohje të plotë të Kosovës, me paqen përfundimtare”.

    “Ajo ç’ka ndodhi pak muaj më parë, ishte një shenjë shumë e fortë, dhe një këmbanë e mirëfilltë alarmi e potencialit që ka një çështje e tillë e pazgjidhur për t’u bërë vendimtare në rrezikimin e paqes dhe bashkëpunimit rajonal. Përgjegjësia jo vetëm e personave të përfshirë, por edhe e Beogradit që nuk e dënoi, por shpalli ditë zie kombëtare në nder të këtyre kriminelëve. Edhe një herë, duhet të mos biem pre e konfrontimeve, përshkallëzimeve, por të trefishojmë përpjekjet për paqe”.

    “Jam i inkurajuar nga ndryshimi në qasjen e autoriteteve të Kosovës, dhe duke pranuar në parim asociacionin kryeministri i Kosovës, ka dëshmuar vullnet të rëndësishëm për të ecur përpara dhe për të kërkuar zgjidhje e jo alibi, apo për të kërkuar të shkuarën në vend të së ardhmes”, vijoi më tej Rama./abcnews.al/

  • Lajçak në Bukuresht flet me OJQ për zgjerimin e BE-së dhe dialogun Kosovë-Serbi

    Lajçak në Bukuresht flet me OJQ për zgjerimin e BE-së dhe dialogun Kosovë-Serbi

    Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në një takim të organizuar nga organizata joqeveritare “Këshilli Europian për Marrëdhënie me Jashtë” në Bukuresht sot ka folur për zgjerimin e BE-së, si dhe procesin e dialogut.

    “Diskutime shumë interesante në zgjerimin e BE-së dhe dialogun për normalizim organizuar ECFR në Bukuresht sot. Kënaqësi të isha pjesë e tij”, ka shkruar Lajçak në X.

    Në Bukuresht, Lajçak është takuar edhe ministren e Jashtme rumune, Luminita Odobescu, me të cilën foli për dialogun Kosovë-Serbi.

    Odobescu tha se e mbështesin punën e Lajçakut në ndërmjetësimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Shumë e kënaqur që të takoj Përfaqësuesin Special sot në Bukuresht. Një shkëmbim i mirë në zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor. Ritheksova të Rumanisë mbështetjen e plotë për përpjekjet e tij për të përmirësuar dialogun e udhëhequr Beograd-Prishtinë, është esenciale për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar ajo në X.

    Rumania është një ndër pesë shtetet anëtare të Bashkimit Europian që s’e njeh Kosovën, por e cila ka thënë se e mbështet dialogun Kosovë-Serbi.

  • O’Brien: Shkaktimi i trazirave në veri nënkupton përballje me NATO-n

    O’Brien: Shkaktimi i trazirave në veri nënkupton përballje me NATO-n

    Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, i ka paralajmëruar të hënën Kosovën dhe Serbinë se shkaktimi i trazirave në veri të Kosovës nënkupton përballje me NATO-n.

    “Është e rëndësishme që të dyja palët ta kuptojnë se, nëse ndodh ndonjë trazirë në veri, kjo nënkupton përballje me NATO-n”, tha O’Brien për gazetarë.

    Ai tha se veriu i Kosovës duhet të jetë i qetë dhe i sigurt në mënyrë që Kosova dhe Serbia të shënojnë përparim politik në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.

    Gjendja në veriun e Kosovës, vendi i banuar me shumicë serbe, vazhdon të jetë e tensionuar prej fillimit të këtij viti, kur serbët lokalë i kundërshtuan kryetarët shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe, të cilët dolën nga zgjedhjet e bojkotuara nga serbët në prill.

    Më 24 shtator, gjendja u përshkallëzuan pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur i serbëve në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.

    Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar përfshirjen në të.

    Komentet e O’Brien vijnë në një kohë kur NATO-ja po mendon ta shtojë praninë e përhershme në Kosovë përmes misionit të vet paqeruajtës, KFOR.

    Ai shtoi se sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të bisedojë për rritjen e tensioneve në Ballkanin Perëndimor gjatë takimit dyditor të ministrave të Punëve të Jashtme të shteteve të NATO-s, këtë javë në Bruksel.

    Blinkeni, po ashtu, do t’i përfaqësojë Shtetet e Bashkuara në një takim të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Shkup, Maqedoni të Veriut.

    Për mundësinë e një shtimi më të përhershëm të pranisë së NATO-s në Kosovë, Stoltenberg foli edhe gjatë një vizite në Prishtinë më 20 nëntor.

    Aktualisht në Kosovë janë 4.687 trupa në kuadër të misionit paqeruajtës të KFOR-it.

    Javën e kaluar, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, premtoi se aleanca ushtarake perëndimore do të bëjë gjithçka për ta ruajtur paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    Stoltenberg i dërgoi një mesazh të posaçëm Serbisë dhe Kosovës që të avancojnë në procesin e normalizimit të raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

    “Ne ftojmë Beogradin dhe Prishtinën që të angazhohen në dialogun, e mbështetur nga BE-ja, në mirëbesim, dhe gjithashtu besojmë se propozimi i ri për Asociacionin e komunave me shumicë serbe mund të jetë një hap i rëndësishëm për dialogun dhe që ky proces të jetë më konstruktiv”, tha ai.

    Gjatë vizitës në Prishtinë më 20 nëntor, e cila ishte në kuadër të një turi ballkanik, Stoltenberg tha se shtimi i pranisë ushtarake në Kosovë me 1.000 trupa – që përbën vendosjen më të madhe në vitet e fundit të aleancës – tregon se sa seriozisht e merr aleanca dhunën që shpërtheu muajve të fundit në Kosovë.

    “Ne, vërtet, po investojmë në sigurinë e këtij rajoni, sepse siguria e njerëzve në këtë rajon, stabiliteti në këtë rajon, ka rëndësi për sigurinë tonë”, tha ai. /REL