ATV

Anulohen disa fluturime, disa të tjera drejtohen për ne Tiranë

Written by

in

Përgatiti: Pranvera Krasniqi

Përkundër investimeve 33 milionëshe të vitit 2021 në zgjerimin e pistës dhe mirëmbajtjen së saj, një borë e lehtë dimri anuloi disa aterrime në Aeroportin e Prishtinës.

Disa avionë që ishin paraparë të ateronin në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’ gjatë fundjavës, u divertuan për në Tiranë.

Asllan Ishpiraj, mërgimtar nga Belgjika, thotë se sa herë që festat e fundvitit vendos t’i kalojë në vendlindje, përballet me të njëjtin problem.

“Nuk po përgatiten për stinën e dimrit, mandej po i detyrojnë udhëtarët të marrin rrugë të tjera apo t’i dështojnë fare e t’i shtyjnë. Duhet të pastrohet pista”, tha Ishpiraj.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Zekirja Shabani, thotë se pavarësisht motit, aeroporti duhet t’i ketë standardet që fluturimet të mos anulohen.

“Sa shumë investime janë bërë në të e prapë të anulohen fluturime e të divertohen, nuk është gjë e mirë…”, tha Shabani.

Duke shpresuar që të mos ketë anulime të tjera, njohësi i çështjeve të emergjencave, Tahir Ahmeti thotë se kësaj radhe ndryshimet klimatike mund të kenë ardhur befas, andaj pista mbeti e papërgatitur.

“Ndryshimi i motit mund të ndikojë në shumë aspekte, një ndër ta edhe në transportin ajror që vjen deri te anulimi fluturimeve, e që mund të ndodhë papritur”, tha Ahmeti.

Për dallim nga ditët e fundjavës, të hënën në Aeroportin e Prishtinës fluksi i qytetarëve ishte më i ulët, së bashku me numrin e fluturimeve të planifikuara.

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *