ATV

Blog

  • ​Shqipëria feston sot Ditën e Çlirimit

    ​Shqipëria feston sot Ditën e Çlirimit

    Shqiptarët festojnë sot 29 Nëntorin – Ditën e Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë.

    Politika shqiptare e feston sërish e ndarë Ditën e Çlirimit të vendit, edhe pse 29 Nëntori është data zyrtare e kujtimit të kësaj dite.

    Të majtët respektojnë 28 Nëntorin si Ditën e Pavarësisë dhe 29 Nëntorin si Ditën e Çlirimit, ndërkohë që të djathtët i përkujtojnë të dy festat më 28 Nëntor.

    Me rastin e shënimit të 79-vjetorit të çlirimit, sot do të zhvillohen ceremoni përkujtimore në një atmosferë solemne në mbarë vendin, në respekt dhe mirënjohje të veprës të dëshmorëve. Autoritetet më të larta të shtetit, Presidenti i Republikës, përfaqësues të Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj dhe veteranë do të nderojnë dëshmorët e rënë për liri, duke bërë homazhe pranë Varrezave të Dëshmorëve.

    Ndërsa, kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Lulzim Basha, një ditë në herët, më 28 nëntor, ka bërë homazhe në Boletin dhe Prekaz në Kosovë.

    Debati për Festën e Çlirimit mbetet ende i ndezur në politikën shqiptare, ku e djathta ndjek të njëjtin model si gjatë mandatit të saj të parë qeverisës, kur ndryshoi datën e Çlirimit, nga 29 Nëntori më 28 Nëntor, pasi sipas saj, kjo e fundit ishte zgjedhur nga regjimi komunist duke falsifikuar historinë.

    Por 29 Nëntori e fitoi sërish statusin e Ditës së Çlirimit kur e majta erdhi në pushtet, në verën e vitit 1997, kur me një ligj të posaçëm u kthye në festë zyrtare.

  • Vazhdon edhe sot gjykimi ndaj Pjetër Shalës

    Vazhdon edhe sot gjykimi ndaj Pjetër Shalës

    Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shalës.

    Seanca ndaj Shalës pritet të nisë në ora 09:30 dhe të përfundojë në 16:00.

    Shala po akuzohet për krime lufte, ndalim arbitrar, trajtim mizor dhe për vrasje të paligjshme që dyshohet se u kryen midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që dyshohet se u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë.

  • Trendafilova sot në Prishtinë, PSD-ja organizon protestë kundër saj: Nuk është e mirëseardhur këtu

    Trendafilova sot në Prishtinë, PSD-ja organizon protestë kundër saj: Nuk është e mirëseardhur këtu

    Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), Gjykatësja Ekaterina Trendafilova, sot do të mbajë një takim me përfaqësues të shoqërisë civile në Prishtinë në kuadër të Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim.

    “Në këtë takim ajo do të flasë për zhvillimet aktuale në DHSK si dhe do t’u përgjigjet pyetjeve. Ky takim ndërveprues organizohet në kuadër të Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim të DHSK-së”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

    Specialja njofton se kjo vizitë ka të bëj me aktivitetet e Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim mbahet në Prishtinë.

    Kurse Partia Socialdemokrate sot mban protestë me rastin e vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.

    “UÇK nuk mund të gjykohet. Vizita e z. Trëndafilova në Kosovë është pikërisht për të rregulluar imazhin e kësaj gjykate të padrejtë. Gjykata Speciale është në krizë nga mungesa e thellë e legjitimitetit. PSD-ja është e vendosur që kjo përpjekje të mos arrijë qëllimin. Trendafilova nuk është e mirëseardhur këtu. Të bashkohemi të mërkurën me 29 nëntor, ta kundërshtojmë së bashku padrejtësinë që po mundohen t’na e interpretojnë si drejtësi”, njofton PSD.

    Ndryshe Policia e Kosovës gjatë vizitës në Kosovës, të kryetares së Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale Ekaterina Trendafilova, do të kujdeset për ofrimin e sigurisë, mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit në vendin tonë.

    “Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit ë lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) bazuar në itinerarin dhe agjendën si dhe do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, njofton Policia.

  • Festë për 111 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, pati edhe në Kosovë

    Festë për 111 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, pati edhe në Kosovë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Si rrallëherë në Kuvendin Komunal të Prishtinës pati atmosferë feste e shtrëngim duarsh. Debat nuk pati, por shënohej 28 Nëntori.

    “28 Nëntori për ne është shumë më shumë sesa një datë, sepse është një testament i gjallë i qëndrueshmërisë sonë, shpallje e pavarësisë e festë e lirisë. Ky është manifestimi i identitetit tonë”, tha kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

    Në seancë qe ftuar edhe një mysafir nderi. Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, tha se festa të tilla janë simbol i bashkimit të shqiptarëve.

    “Ne sot po shënojmë Pavarësinë e Shqipërisë, rikonfirmoj mbështetjen tonë të palëkundur për sovranitetin dhe prosperitetin e Kosovës tonë të dashur. Le të reflektojmë edhe për ruajtjen e lirisë së fituar. Qytetarët tanë në Kosovë, dijeni që Shqipëria qëndron me ju, jo vetëm sot por çdo ditë. Le të vazhdojë kjo marrëdhënie e vëllazërisë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës”, tha Malaj.

    Në kryeqytet përveç seancës solemne u mbajtën edhe aktivitete të tjera. Komuna e Prishtinës ka organizuar edhe Koncertin në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe shpalosjen e flamurit kombëtar.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Komunat ankohen, OSHP-ja po vonohet në trajtimin e ankesave

    Komunat ankohen, OSHP-ja po vonohet në trajtimin e ankesave

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Vonesa në marrjen e vendimeve nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, mund të ndikojë që disa prej komunave të mos e realizojnë në tërësi buxhetin e planifikuar për këtë vit.

    Komuna e Vushtrrisë, mund të jetë njëra prej tyre.

    “Procedurat në Komunën e Vushtrrisë janë në bazë të ligjit, por ankesat e operatorëve po na zvarrisin, dhe tash shtrohet pyetje nëse çdo gjë është në rregull, kush ma kompenson kohen mua. Tash unë qysh me e realizu buxhetin, në në pyetje rreth 500 mijë euro”, tha kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi.

    Me problemin e njëjtë ballafaqohet edhe Komuna e Lipjanit, kryetari i së cilës, vonesat në OSHP i sheh problem shumë serioz.

    “E kemi pas një projekt, në fakt i ka 6 muaj që është atje dhe ende nuk kemi vendimmarrje nga OSHP-ja dhe është pengesë e jashtëzakonshme, sepse buxheti ecë, viti përfundon dhe mjetet mund të na humbin”, tha kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti.

    Ndërkohë, Organi Shqyrtues i Prokurimit për vonesën në marrjen e vendimeve arsyetohet me mungesë të stafit.

    “OSHP-ja ju njofton se aktualisht posedon një volum të madh të lëndëve, të cilat janë në pritje të vendimmarrjes, si dhe Paneli shqyrtues (PSH) është duke punuar me intensitet maksimal për t’i pajisur me vendime të gjitha ankesat të cilat janë duke u trajtuar. Duhet theksuar faktin se kapacitetet njerëzore për draftim të vendimeve dhe marrje të vendimeve janë të pamjaftueshme, krahas një volumi kaq të madh të ankesave”, thuhet në arsyetimin e OSHP-së.

    Teksa aktualisht, ajo që njihet si “Gjykata e Tenderëve” është duke funksionuar me vetëm 3 anëtarë, numri i ankesave brenda këtij viti ka arritur në 950.

    Ndryshe, Komuna e Vushtrrisë në 9-mujorin e parë për investime kapitale shpenzoi vetëm 16% të buxhetit, derisa Komuna e Lipjanit 31%.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Për festën e 28 Nëntorit nuk punojnë disa QMF në Prishtinë

    Për festën e 28 Nëntorit nuk punojnë disa QMF në Prishtinë

    Përgatiti: Sara Shehu

    Gjatë ditëve të javës kjo Qendër e Mjekësisë Familjare në lagjen Kalabria në Prishtinë, i hap dyert për pacientët nga ora 7:00 e mëngjesit. Por, këtë të martë ishte e mbyllur për shkak të Festës së 28 Nëntorit.

    Krejt çka mund të shihnin pacientët ishte ky lajmërim i vendosur në dyert e oborrit të qendrës.

    Me të njëjtin hall u përballën edhe banorët e lagjes së Muhaxherëve, pasi që QMF-ja 11 nuk punoi.

    “Shumë keq se ne kemi nevojë me marrë shërbime, jemi të sëmurë koha e bën të veten. Për gjithë këtë qytet është shumë pak me punu 6 qendra vetëm është shqetësuese”, thotë një banore.

    Ligji për festat zyrtare, megjithatë, lejon që punëtorët shëndetësorë të mos dalin në punë, por pacientëve kjo nuk u pëlqen.

    “Është absurde duhet me kanë hapur se sëmundja nuk vetë ka nevoja të ndryshme e posaçërisht njerëzit e moshuar, është dashur me kanë hapur”, tha Arsim Gashi, pacient.

    Në anën tjetër, drejtori i QKMF-së në Prishtinë, Bujar Gashi, përmes një përgjigje me shkrim ka thënë për ATV-në se gjatë 28 nëntorit vetëm 5 qendra kanë ofruar shërbime mjekësore për pacientët duke thënë se aq mjaftojnë.

    “Në Prishtinë për 28 Nëntorin, 24 orë punojnë Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, QMF 4, QMF 5, ndërsa QMF 1 dhe QMF 6 punojnë 12 orë. Në ditë feste aq është e mjaftueshme për shërbimet që kërkohen”, tha drejtori i QKMF-së në Prishtinë, Bujar Gashi.

    Ndryshe, Kujdesi Parësor në Prishtinë përpos QKMF-së, ka 17 Qendra të Mjekësisë Familjare dhe 15 Ambulanca të Mjekësisë Familjare.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • 260 kilometra për nder të Flamurit, Erzen Zymberaj arrin në Tiranë

    260 kilometra për nder të Flamurit, Erzen Zymberaj arrin në Tiranë

    Përgatiti: Lorik Gërbeshi

    Data 28 nëntor shënoi një nga sfidat personale për atletin profesionist, Erzen Zymberaj.

    Zymberaj mori vendim që për nder të kësaj dite të marrë rrugën e gjatë prej 260 kilometrash, nga Prishtina e deri në Tiranë.

    Qëllimin e tij, Erzen e arriti.

    Pas 24 orësh vrapim, mes sfidash e vështirësish, ai mbërriti në Tiranë, ku u prit nga dhjetëra qytetarë.

    Distanca e gjatë e rrugës që vendosi të ndërmarrë, iu desh që edhe përgatitjen fizike ta kishte të veçantë.

    Për një kohë të gjatë, ishte në përgatitje intensive, andaj edhe aktivitetet fizike i kishte rreth 20 orë brenda javës.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • 28 Nëntori shënohet në komunat shqiptare në Serbi

    28 Nëntori shënohet në komunat shqiptare në Serbi

    Përgatiti: Armand Hoti

    Krah atij të Serbisë, me rastin e 28 Nëntorit, në komunën e Preshevës dhe në atë të Bujanocit është vendosur flamuri kombëtar.

    Të martën, në komunat e udhëhequra nga shqiptarët në Serbi, megjithatë nuk pati ndonjë atmosferë feste.
    Në fakt, komunat nuk bënë organizime.

    Aktivitetet e vetme për nder të festës, u organizuan nga Këshilli Kombëtar Shqiptar në Serbi.

    Megjithatë, ata që i vendosën flamujt, pritet të ndëshkohen nga shtetit serb.

    Komuna e Preshevës është komuna me më së shumti shqiptarë në Serbi.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Veriu s’feston, 28 Nëntori ditë e zakontë në komunat veriore

    Veriu s’feston, 28 Nëntori ditë e zakontë në komunat veriore

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Institucionet publike pushuan sot për nder të Ditës së flamurit.

    Njësoj vepruan edhe katër komunat në veri të vendit që të martën ishin të mbyllura për palë.

    Ndonëse këto komuna për herë të parë udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë, asnjëra nga to nuk pati ndonjë organizim në nderim të kësaj feste.
    Madje, në disa nga to nuk u ngrit as flamuri kombëtar.

    Nga komuna e Leposaviqit, jo zyrtarisht i thanë ATV-së se flamuri kombëtar nuk është vendosur për të mos ngritur tensione. Gjendje e njëjtë ishte edhe në Mitrovicë të veriut.

    As në komunë e as përreth nuk u pa ndonjë flamur kombëtar.

    Në objekte zyrtare jo, por në ato të improvizuara, në të Zveçanit e Zubin Potokut, flamuri kombëtar valonte përkrah atij të Kosovës.

    Në fshatin Kelmend, fshat ky i banuar me shqiptarë, ku edhe është i vendosur objekti i improvizuar i komunës, flamuri kombëtar valonte gjithandej fshatit.

    Njësoj edhe në Qabër të Zubin Potoku, si fshat i banuar me shqiptarë.

    Kryetari i komunës që vjen nga ky fshat, përmes telefonit, tha se për shkak që shumica e qytetarëve vijnë nga komuniteti serb, nuk janë vendosur flamuj kombëtarë përtej fshatit.

    Kësisoj për dallim nga komunat e tjera, në komunat veriore nuk kishte festë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Elfija, gruaja nga Llausha që ushqeu ushtarët e UÇK-së

    Elfija, gruaja nga Llausha që ushqeu ushtarët e UÇK-së

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Mëngjeset e hershme gjatë viteve ‘98-‘99, Elifije Lanin e gjenin duke gatuar për Ushtrinë Çlirimtare. Bukët që dilnin nga duart e gruas nga Llausha, shuanin urinë e ushtarëve në vijë të frontit, por edhe të civilëve që strehoheshin në ato anë.

    “300 veta i kemi pasë nëpër shtëpi, plus thastë e letrës i kemi mushë edhe i kemi pru n’dugajë…”, rrëfen Elifja.

    Forca për të gatuar bukë sa nuk mund t’i numëronte, bashkë me kunatën, Elfija beson se i erdhi nga lart.

    “Ma ka pas dhënë zoti, NATËN – DITËN, çdoherë dilshin më të mira. Pite kemi gatu ma rrallë, por edhe gjella”, tregon ajo.

    Rruga pranë kuzhinës së improvizuar edhe një herë u mbush plot njerëz, pas 25 vjetësh, mirëpo kësaj radhe për ta përuruar pllakën përkujtimore, e cila për banorët vendas do të thotë shumë.

    Puna këtu nuk ndalej, madje, as kur serbët digjnin deri në themele. Banorët e Llaushës nisnin sërish nga fillimi gjithçka – me të njëjtin motiv.

    “Na erdhi urdhri me dalë prej shpijave, më çoi zoti, shtina kuleç, secilit që dilte nga shtepitë, nga një kulaç në xhep”, thotë Elifja

    Vendi ku gatuhej ushqimi, ndodhet skaj rrugës në lagjen Lani, në Llaushë, vetëm 6 kilometra larg qendrës së Skenderajt.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë: