ATV

Blog

  • Parlamenti slloven mori vendim: Po bëhen ndryshime të mëdha në trafik, gjobat astronomike!

    Parlamenti slloven mori vendim: Po bëhen ndryshime të mëdha në trafik, gjobat astronomike!

    Parlamenti slloven miratoi Rezolutën për programin kombëtar të sigurisë rrugore për shtatë vitet e ardhshme, e cila përfshin kufizimin e shpejtësisë së lëvizjes në 30 km/h në disa rrugë rrugore dhe uljen e sasisë së lejuar të alkoolit në gjak në 0.0 për mijë.

    Masat e reja kanë për qëllim që deri në vitin 2030 jo më shumë se 50 persona të vdesin në rrugë dhe jo më shumë se 400 të lëndohen në aksidente.

    Rezoluta gjithashtu parashikon zhvillimin e infrastrukturës për të promovuar më tej përdorimin e sigurt të transportit publik, ecjes, çiklizmit dhe formave të tjera të lëvizshmërisë.

    Në të njëjtën kohë, është planifikuar zgjerimi i zonës me shpejtësinë maksimale të lejuar prej 30 kilometra në orë dhe zona e trafikut të moderuar, veçanërisht pranë shkollave, kopshteve, në kryqëzimet e trafikut publik të pasagjerëve dhe zonave të populluara.

    Ndër të tjera, rezoluta parashikon ashpërsimin e ligjit për shkelësit e trafikut dhe mundësinë e ngritjes së kërkesës për dëmshpërblim për shkak të aksidentit të rëndë trafiku për shkak të alkoolit ose drogës nga 13.560 euro në 130.000 euro.

  • NATO dhe BE zotohen për ruajtjen e stabilitetit në Ballkan

    NATO dhe BE zotohen për ruajtjen e stabilitetit në Ballkan

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, shprehu shqetësimin e tij për rritjen e tensioneve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    Por, sipas tij, aleanca do të bëjë gjithçka në mënyrë që të ruajë stabilitetin në rajon. Këtë deklaratë, shefi i NATO-os e bëri në Bruksel, para takimit të ministrave të jashtëm të 31 shteteve anëtare të NATO-s, ku do të diskutojnë ndër tjerash edhe lidhur me situatën e sigurisë në rajonin e Ballkanit.

    “Ajo që shohim atje është se tensionet po rriten. Po shoh rritje të tensioneve dhe retorikë nxitëse në Bosnjë-Hercegovinë. Kemi parë incidente të rënda dhune në Kosovë duke përfshirë sulmin ndaj paqeruajtësve të NATO-s. Janë lënduar 93 ushtarë të NATO-s, nga të cilët disa shumë rëndë. Gjithashtu kishim sulmin në Banjskë”, tha Stoltenberg, duke shtuar se “NATO do të bëjë atë që është e nevojshme për të siguruar stabilitetin në rajon”. “Kjo është e rëndësishme jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por për të tërë Evropën”, tha Stoltenberg.

    Gjermania dërgon trupa shtesë

    Nga ana e saj, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, diskutimet në nivel të ministrave të NATO-s rreth situatës në rajonin e Ballkanit, i cilësoi si tejet të rëndësishme. Ajo tha se “perspektiva e anëtarësimit të vendeve të rajonit në BE është e rëndësishme, sepse ky paraqet sigurim jetësor”. Lidhur me situatën në Ballkan, Baerbock përmendi se aktorët e jashtëm po tentojnë vazhdimisht të destabilizojnë rajonin dhe nganjëherë sipas saj, “paqja shpesh varet në fije të perit”.

    “Kjo vlen, jo vetëm për situatën në kufirin midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe për situatën në Bosnjë-Hercegovinë. NATO-ja, por edhe Bashkimi Evropian, janë një nga garantuesit për sigurinë e Ballkanit Perëndimor”, tha Baerbock, duke paralajmëruar se Gjermania do të dërgojë gjatë vitit të ardhshëm 150 ushtarë shtesë në kuadër të misionit të KFOR-it.

    Shefi i politikës së jashtme dhe të sigurisë i BE-së JosepBorrel, tha se situata, stabiliteti, përparimi dhe harmonizimi i politikës së jashtme të vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian është me rëndësi thelbësore.

    “Më lejoni të theksoj rëndësinë e bashkëpunimit mes BE-së dhe NATO-s në veri të Kosovës. Misioni ynë i EULEX-it është i pozicionuar dhe ka një bashkëpunim të fuqishëm me KFOR-in dhe po përballen me kohë të vështira. Ne do të vazhdojmë të sigurojmë qëndrueshmëri dhe të ofrojmë siguri në këtë pjesë të Kosovës dhe në kufirin me Serbinë”, tha Borrell, duke i bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të “rrisin vullnetin për marrëveshje për të hapur rrugën e tyre evropiane”.

    Diskutohet mundësia e shtimit të numrit të ushtarëve

    Sidoqoftë, Sekretari i Përgjithshëm i aleancës veriatlantike Jens Stoltenberg, tha se në takimin e ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, do të diskutohet qartë mundësia e shtimit të përhershëm të numrit të ushtarëve të KFOR-it në Kosovë. Këtë Stoltenberg e tha edhe para një jave gjatë vizitave në rajon. Ndërsa ky shtim i përhershëm i trupave vie pas dhunës së terroristëve serbë në veri të Kosovës me 24 shtator, ku nga një grup serbësh të armatosur u vra një polic i Kosovës dhe më pas tre sulmues.

    Agjencia e lajmeve Associated Press, shkruan se dhuna mes Kosovës dhe Serbisë ka shpërthyer dy herë në muajt e fundit dhe vendet perëndimore kanë frikë se Rusia mund të përpiqet të nxisë telashe në Ballkan për të larguar vëmendjen nga lufta në Ukrainë. NATO pas dhunës në veri të Kosovës dërgoi rreth një mijë trupa shtesë duke e ngritur numrin e trupave të saj në Kosovë në 4.500./ DW

  • Vdes një person në Prishtinë, bie nga ndërtesa në lagjen “Mati 1”

    Vdes një person në Prishtinë, bie nga ndërtesa në lagjen “Mati 1”

    Një person ka rënë nga një ndërtesë në Prishtinë, ku si pasojë ka gjetur vdekjen.

    Rastin e ka konfirmuar për Reporteri.net, zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti. E njëjta ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur sot në mëngjes rreth orës 09:30 në lagjen “Mati”.

    “Sot rreth 09:30, kemi pranuar informatën se në lagjen Mati në Prishtinë, një person ka rënë nga një ndërtesë.

    Viktimë në këtë rast është një person (mashkull), vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”, tha Ahmeti.

    “Aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorinë përkatëse janë duke punuar për të sqaruar të gjitha rrethanat që lidhen me rastin”, tha zëdhënësja e policisë.

  • Kurti takohet me ambasadorin gjerman, flasin për zhvillimet e fundit në vend

    Kurti takohet me ambasadorin gjerman, flasin për zhvillimet e fundit në vend

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde.

    Sipas një komunikate dërguar mediave nga Kryeministria, Kurti dhe Rohde folën për marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, temat aktuale dhe zhvillimet e fundit në vend.

    “Gjatë këtij takimi, kryeministri Kurti pranoi nga ambasadori gjerman Rohde një kopje të librit “Gjermania dhe Kosova: Historia e një partneriteti” nga autorët Enrico Seewald dhe Urs Unkauf, që përshkruan dhe shtjellon historikun e raporteve të shkëlqyeshme ndërmjet dy shteteve dhe popujve. Krahas falënderimit për librin, kryeministri e falënderoi ambasadorin Rohde për bashkëpunimin e afërt, dhe shtetin gjerman për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

  • Ky do të jetë centrali më i madh i energjisë diellore në botë

    Ky do të jetë centrali më i madh i energjisë diellore në botë

    Vendet në rajonin e Gjirit Persik po kalojnë ngadalë drejt burimeve të rinovueshme të energjisë. Por ata ende duan të eksportojnë naftën e tyre. Deri më tani, rezervat e lëndëve djegëse fosile, si nafta dhe gazi, konsideroheshin si garanci e pasurisë për shtetet në Gjirin Persik. Por shtetet e Gjirit tani kanë filluar të largohen nga karburantet fosile.

    Aktualisht po ndërtohen centrale të energjisë së rinovueshme në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar, të cilët janë ndër më të mëdhatë në botë. Katari, për shembull, ndërtoi një sistem diellor përpara Kampionatit Botëror 2022 që mbulon dhjetë për qind të nevojave të vendit për energji.

    Një qytet në shkretëtirë po ndërtohet në Arabinë Saudite që do të furnizohet ekskluzivisht me energji të rinovueshme. Neo, siç quhet ndryshe, thuhet se ka sistemin e vet diellor për hidrogjenin e gjelbër. Edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat do të organizojnë konferencën e OKB-së për klimën këtë vit, po ndërtojnë atë që thuhet të jetë centrali më i madh i energjisë diellore në botë.

    Projekte si këto synojnë të ndihmojnë në arritjen e qëllimeve tona klimatike. Arabia Saudite dëshiron të prodhojë 50 për qind të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme të energjisë deri në vitin 2030, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe duan të arrijnë 44 për qind të energjisë së rinovueshme deri në vitin 2050.

    Megjithatë, aktualisht Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite janë ndër 15 emetuesit më të mëdhenj të CO2, së bashku me shtetet e tjera të Gjirit – Bahreini, Omani, Kuvajti dhe Katari. Në krye të listës është Katari, i cili emeton 35.59 ton CO2 për person. Për krahasim: në Gjermani emetohen 8.09 tonë për person.

  • Nga një muaj paraburgim ndaj pesë të dyshuarve se vodhën dy herë në një market mbi 30 mijë euro

    Nga një muaj paraburgim ndaj pesë të dyshuarve se vodhën dy herë në një market mbi 30 mijë euro

    Gjykata Themelore në Gjilan ua ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh (secilit veç e veç), pesë të dyshuarve M. B., G. S., A. M., M. M. dhe Z. M., për “Vjedhje të rëndë” dhe “Grabitje”.

    Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për medie nga kjo Gjykatë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ata dyshohen se kanë vjedhur 28 mijë euro në një market në Viti më 1 qershor 2023.

    “Me datën 01.06.2023, rreth orës 02:00, në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, në Viti, marketin “B….”, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete të pandehurit kanë kryer vjedhje të rëndë në dëm të të dëmtuarit A. H., në atë mënyrë që me përgatitje paraprake dhe planifikim të veprimeve, të njëjtit kanë shkuar në marketin e lartcekur, ashtu që fillimisht të pandehurit M. B. dhe G. S. hapin me forcë dyert e marketit, depërtojnë në brendi dhe në zyre të marketit marrin shumë prej 28.000€, e më pas largohen në drejtim të parkingut ku ishin duke i pritur të pandehurit M.M., A.M. dhe Z.M., të cilët ishin duke e siguruar terrenin”, thuhet në njoftim.

    Të njëjtit dyshohen se më 5 tetor 2023, në marketin e njëjtë grabitën 2 mijë e 500 euro.

    “Po ashtu me datë 05.10.2023, rreth orës 23:00, në Viti pikërisht në marketin e njëjtë me qëllim që ti sjellin vetës dobi pasurore të kundërligjshme kryejnë grabitje në dëm të dëmtuarit A. H., në atë mënyrë që me përgatitje paraprake dhe duke i ndarë rolet, ashtu që të pandehurit M. B. dhe G. S., të maskuar e me përdorim të forcës apo kanosjes serioze duke mbajtur armë në dorë, ndaj të dëmtuarit H. H., ashtu që derisa i dëmtuari i kishte mbyllur dyert kryesore të marketit, të pandehuri i dalin para, në afërsi të marketit, në errësirë me ngjitës i’a mbyllin gojën të njëjtit… e më pas me forcë hapin dyert e marketit, depërtojnë në brendësi dhe aty marrin shumë prej 2500 €, e më pas dalin nga marketi dhe bëhen bashkë me të pandehurit M.M, A.M. dhe Z.M. të cilit ishin duke i pritur me veturë”, thuhet më tej.

    Më këto veprime, të pandehurit dyshohen se kanë kryer veprat penale “Vjedhje e rëndë” dhe “Grabitje”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    Në njoftim thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurve, duke i marrë për bazë të gjitha ato që u thanë më lart, masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.

    “Palët e pakënaqura kanë të drejtën e ankesës ndaj të këtij Aktvendimi, pas pranimit të të njëjtit në Gjykatën e Apelit”, thuhet në fund. /BetimipërDrejtësi

  • Çrregullimet e të ngrënit

    Çrregullimet e të ngrënit

    Çrregullimet e të ngrënit karakterizohen nga shqetësime të rënda dhe të vazhdueshme që shkaktohen nga mendimet dhe emocionet shqetësuese, sa që të gjitha këto, mund të ndikojnë në funksionin fizik, psikologjik dhe social.

    Çrregullimet e të ngrënit prekin deri në 5% të popullsisë, më së shpeshti zhvillohen në adoleshencë.

    Disa, veçanërisht anoreksia nervore dhe bulimia nervore janë më të zakonshme tek gratë, por të gjitha ato mund të ndodhin në çdo moshë dhe të prekin çdo gjini.

    Anoreksia është një çrregullim i sjelljes ndaj ushqimit, që prek kryesisht adoleshentët dhe femrat me moshë nga 15-25 vjeç. Në pjesën më të madhe të rasteve, personat që vuajnë nga anoreksia i përmbahen një regjimi ushqimor tepër të kufizuar, madje duke refuzuar çdo lloj ushqimi.

    Anoreksia është një sëmundje serioze që lidhet me një perceptim të çuditshëm të peshës dhe trupit. Në shumicën e rasteve, personat me anoreksi mendon se janë të trashë kur në realitet janë shumë të dobët
    Më së shpeshti kjo sëmundje fillon para ose gjatë pubertetit.

    Anoreksia ka pasoja serioze për shëndetin fizik dhe mendor të personit, duke përfshirë rrezikun për dëmtim të organeve, dobësi ekstreme, lodhje dhe probleme me zemrën.
    Në shumë raste, personat me anoreksi, përveç çrregullimeve të sjelljes ndaj ushqimit, paraqesin edhe probleme të tjera të fushës psikiatrike, të tilla si: çrregullimet e ankthit, çrregullimet obsesive (manitë), ose depresion.

    50-60% e anoreksikëve shërohen, 20-30% e tyre vuajnë për shumë vite nga kjo.

    Neuroza bulimike është një çregullim psikologjik i të ngrënit, që karakterizohet me intervale të të ngrënit të pakontrolluar.

    Faza e kënaqësisë është intervali kur një individ ha sasi shumë më të mëdha të ushqimit se shumica e njerëzve në situata të ngjashme.
    Zakonisht është rezultat i depresionit, stresit apo çështjes së vetëbesimit.

    Njerëzit që vuajnë nga bulimia nervore mund të kenë faktorë gjenetike apo stil jetese që i bënë të predispozuar të jenë mbipeshë.

    Ndryshe nga anoreksikët që e refuzojnë ushqimin, ai që është me bulimi i drejtohet ushqimit në situata kritike apo stresi. Pothuajse 50 % të rasteve me bulimi, vuajnë nga depresioni. Psikologët e shpjegojnë me paaftësinë e tyre për të kontrolluar impulset dhe dëshirat.

    Anoreksia dhe bulimia, shpesh janë “sinjale” të një depresioni apo neuroze të fshehur.

    Përqëndrohuni në vetëdijen emocionale sepse duhet të kuptoni emocionet tuaja në lidhje me ushqimin dhe trupin tuaj. Identifikimi i këtyre ndjenjave mund të ndihmojë në kontrollin e impulsit dhe në menaxhimin e tyre më efektiv.

    Konsultimi me një psikolog mund të jetë një hap i rëndësishëm për të kuptuar rrënjët e problemeve të shëndetit mendor që mund të lidhen me çrregullimet e të ngrënit

    Disa hulumtime sugjerojnë se stresi kronik dhe traumë emocionale kanë një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e çrregullimeve të të ngrënit. Trajtimi i këtyre çështjeve psikologjike mund të ketë një rol të rëndësishëm në trajtimin e tyre./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Këngëtarja rumune që mahniti me interpretimin “Mora Fjalë”, viziton Prekazin

    Këngëtarja rumune që mahniti me interpretimin “Mora Fjalë”, viziton Prekazin

    Andreea Vilcan, këngëtare nga Rumania, ka publikuar ‘coverin’ e një prej këngëve më të njohura, “Mora fjalë”.

    “Çka ndodhi në Kosovë uroj të mos ndodhë askund në botë. Kjo këngë flet për historinë e legjendarit Adem Jashari që sakrifikoi tërë familjen për liri. Sot ndërsa po këndoj këtë këngë, zemra ime qan për ngjarjet dhe vuajtjet që Kosova ka kaluar. Ju dua Kosova”, ka thënë ajo në hyrje të videos, duke njoftuar ndjekësit e saj me mesazhin e këngës.

    Vilcan kishte paralajmëruar po ashtu se më 28 nëntor do të vizitojë Kosovën.

    Ajo ishte dje në Prekaz teksa ka ndarë edhe pamje me ndjekësit.

  • ​Dështon mbledhja e Komisionit për Ekonomi

    ​Dështon mbledhja e Komisionit për Ekonomi

    Ka dështuar shqyrtimi i projektligjeve që ishin paraparë të mbahen të mërkurën në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.

    Shkak për këtë është bërë një kërkesë e mazhorancës që kjo mbledhje të shtyhet për një ditë tjetër

    Ferat Shala, kryetar i Komisionit, tha se shumica parlamentare taktikisht po ikë nga debatet për ligje të rëndësishme siç janë ai për Fondin Sovran dhe Ligji për Metrologji.

    “Kjo është një praktikë që shumica parlamentare po e përdor taktikisht për t’i ikur debatit për ligjin e Fondit Sovran dhe për ligjet e tjera të ndjeshme të cilat po e prekin ekonominë e vendit. Mungesa e debatit lë për të kuptuar se kemi të bëjmë me një ligj jo zhvillimor”, tha Shala.

  • Kosovarja synon rekord të ri në Guiness me flamurin gjigant kuqezi në origami

    Kosovarja synon rekord të ri në Guiness me flamurin gjigant kuqezi në origami

    Flamuri gjigant kuqezi, i punuar në detajin më të vogël nga Arbnora Fejza-Idrizi synon të hyjë në librin e rekordeve botërore Guiness.

    Me 120 mijë letra origami e shtrirë në 130 metra katror Arbnora, finalizoi për një muaj njërin ndër projektet më të rëndësishëm për jetën e saj.

    Derisa, dëshira e madhe e Arbnorës ishte që ky flamur të shtrihet në kryeqytetin e Kosovës.

    Kujtojmë se në të kaluarën, me artin e letrës origami, Arbnora Fejza-Idrizi ka hyrë në librin Guinness për herë të parë në vitin 2018 me lulen më të madhe në botë prej 8,7 metrash, derisa vazhdojë me rekorde edhe në vitin 2019 me vazon më të madhe prej letre, me një lartësi 2,73 metrash dhe gjerësi 2,38 metra, në të cilën paraqiti në miniaturë flamujt e shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Kurse për herë të tretë, pjesë e rekordit botëror me artin origami u bë në 2021 me flamurin shtetëror të Kosovës në përmasa prej 1 mijë e 216 metrash katrorë, ndërsa në muajin nëntor ajo në vendlindjen e saj synon një rekord tjetër me flamurin kombëtar shqipëtar./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme: