ATV

Blog

  • Kush është Lupço Palevski, i dyshuari për vrasjen e 14-vjeçares në Shkup?

    Kush është Lupço Palevski, i dyshuari për vrasjen e 14-vjeçares në Shkup?

    I ekspozuar në media, aktiv në politikë dhe biznesmen i dyshuar, kështu mund të përshkruhet profili i Lupço Palevskit – Palço, i dyshuar për vrasjen e 14-vjeçares, Vanja Gjorçevska nga Shkupi dhe 74-vjeçarit, Pançe Zhezhovski nga Velesi.

    Palevski ishte aktiv në rrjetet sociale me podkastin e tij “Krsh”, si drejtues i lëvizjes “E treta”, një grupim politik me bindje pro-ruse ku ai përçonte mesazhe me nxitje nacionaliste.

    Mbrëmjen e 21 nëntorit, një ditë para rrëmbimit të 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski, ai kishte bërë një njoftim në rrjetin social Facebook se emisioni i radhës i paraparë për të dielën, do të shtyhej për të martën, më 23 nëntor.

    Ditën e rrëmbimit të Zhezhovskit ai nuk bëri asnjë postim, ndërsa pas rrëmbimit të 14-vjeçares në disa raste ka shkruar se fëmijërinë e kishte kaluar pranë shkollës “Pestaloci”, e njëjta ku mësonte Vanja Gjorçevska.

    Derisa vazhdonin kërkimet për Vanjën, në postimet e tij, i dyshuari për rrëmbimin dhe vrasjen e saj, përdorte gjuhë të urrejtjes dhe nacionalizëm ekstrem.

    Lupço Palevski dhe katër persona të tjerë, përfshirë dhe të atin e vajzës, pas një hetimi intensiv nga policia dhe prokuroria maqedonase, rezultuan të jenë autorët e rrëmbimit, ndërsa Palevski edhe ekzekutor i tyre.

    Një ditë para publikimit të hetimeve, Palevski ishte arratisur nga Maqedonia e Veriut, ndërsa më 5 dhjetor, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, njoftoi se ai ishte arrestuar në Turqi dhe se tashmë kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij, derisa të dyshuarit e tjerë tashmë ndodhen në paraburgim në Shkup.

    Lupço Palevski-Palço, ish-themelues i javores “Start”, përmes së cilës ai donte të ishte i pranishëm në media, kështu që përveç podkast-it të tij personal, i cili ka 2500 ndjekës, ai mori hapësirë edhe në portalin pro-rus “Infomax”, sipas hulumtimeve mbi ndikimin rus në Maqedoninë e Veriut.

    Palço për opinionin e gjerë njihet që nga viti 1998 kur u bë kryetar i degës së Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM) në Shkup, e cila tani drejtohet nga kryeministri Dimitar Kovaçevski.

    Ekspertët e kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë thonë se pikërisht kjo është periudha kur atij i jepet mundësia të afrohet me ish-drejtorin e policisë sekrete në atë periudhë, Zoran Verushevski./REL/

  • Rezultatet e PISA-s, Partia Socialdemokrate organizon aksion simbolik para MAShTI-t

    Rezultatet e PISA-s, Partia Socialdemokrate organizon aksion simbolik para MAShTI-t

    Partia Socialdemokrate ka njoftuar se sot në orën 15:00 do të mbajë një aksion simbolik në lidhje me dështimin në PISA.

    Aksioni do të mbahet pranë Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

    “Sot, nga ora 15:00, PSD do të mbajë një aksion simbolik në lidhje me dështimin e qeverisë në fushën e arsimit. Aksioni do të mbahet pranë Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë”, thuhet në njoftim.

    PDK: PISA është pasqyra e vërtetë e Qeverisë Kurti, Nagavci të jap dorëheqje

    LDK-ja i quan shqetësuese rezultatet e PISA-s: Qeveria s’ka kujdes as minimal për arsimin

  • Rumania shpall epidemi të fruthit

    Rumania shpall epidemi të fruthit

    Ministria e Shëndetësisë e Rumanisë ka shpallur epidemi të fruthit në nivel kombëtar pas rritjes alarmante të rasteve në të gjithë vendin.

    “Ministria shpall një epidemi kombëtare për të lehtësuar vaksinimin e fëmijëve mes 9 dhe 11 muajsh dhe të fëmijëve më të rritur që nuk janë vaksinuar ende”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë rumune të Shëndetësisë më 5 dhjetor.

    Ndër tjerash, aty shtohet se ishin afër 2.000 raste të reja në 29 nga 41 qarqet e Rumanisë.

    Rumania është përballur me rënie të vazhdueshme të numrit të fëmijëve të vaksinuar kundër fruthit, që është nxitur nga fushatat kundër vaksinimit të fëmijëve nëpër mediat sociale./REL/

  • Rukiqi: Mbi 26 mijë kosovarë janë shtuar listës së qytetarëve të varfër gjatë qeverisjes së Kurtit

    Rukiqi: Mbi 26 mijë kosovarë janë shtuar listës së qytetarëve të varfër gjatë qeverisjes së Kurtit

    Zyrtari i LDK-së, Berat Rukiqi, ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë Kurti për të ndarë 5 milionë euro në përkrahje të qytetarëve në nevojë për blerjen e druve për ngrohje gjatë dimrit.

    Rukiqi e ka quajtur Qeverinë Kurti si “OJQ” dhe ka thënë se Kurti nën presionin e skandaleve po i kthehet populizmit, duke marrë vendim për shpërndarje të ndihmave për dru.

    Ai tutje ka thënë se 26 mijë qytetarë ia në shtuar listës së qytetarëve të varfër gjatë qeverisjes së Kurtit dhe shton se qytetarët s’kanë nevojë për lëmoshë por për jetë të përballueshme dhe të dinjitetshme.

    Reagimi i plotë:

    Organizata Joqeveritare “Qeveria Kurti”

    Kryemashtruesi, nen presion nga skandalet, me deshtime ne çdo fushe qe i prek qytetaret e vendit dhe nen sanksione, i kthehet edhe njehere kartes te popullizmit.

    E ka shendrruar qeverisjen ne nivelin e nje organizate qe shperndan ndihma.

    Duhet te ja rikujtojme prape, qe me ndihma nuk ka zhvillim e as punesim. Mbi 26,000, eshte numri i qytetareve, qe i jane shtuar listes te te varferve, ne dy vite te qeverisjes te levizjes Vetevendosje.

    Qytetaret nuk kane nevoje per lemoshe. Kane nevoje per vende pune, si dhe jete te perballueshme dhe te dinjitetshme

  • LDK-ja i quan shqetësuese rezultatet e PISA-s: Qeveria s’ka kujdes as minimal për arsimin

    LDK-ja i quan shqetësuese rezultatet e PISA-s: Qeveria s’ka kujdes as minimal për arsimin

    Kryetarja e Forumit të Gruas së LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, i ka quajtur shqetësuese rezultatet e Testit PISA të bërë publike të martën, raporton Ekonomia Online. Ajo kritikoi Ministrinë e Arsimit për mënyrën se si ka bashkë-organizuar testimin e nxënësve për PISA.

    Lushaku-Sadriu shtoi se herëve të kaluara për rezultatet e dobëta të nxënësve të Kosovës në PISA, partia që tash është në pushtet ka kërkuar seanca të jashtëzakonshme. Sipas saj, derisa në shkollat e Kosovës ka mungesa elementare të kushteve për nxënësit, në buxhet ka suficit.

    “Të dhënat janë tepër shqetësuese kur nxënësit e Kosovës tregojnë rezultat të dobët. Këto rezultate janë shqetësuese jo vetëm për ministrinë, për shkollat dhe përfitimet që i kanë nxënësit. Këtu shohim një dështim në mënyrën e bashkë-organizimit nga MAShTI të testit PISA. Ashtu siç janë bërë edhe testime të tjera që MASHTI ka dështuar si Ministri të adoptojë rrethanat ku nxënësit kosovarë do të tregonin performancë më të mirë. Kalueshmëria është tepër e dobët në testet tona kombëtare dhe këtu flasim për një dështim të vetë MASHTI-it në organizimin e testeve tona kombëtare çka flet që është krejt në diskrepancë me atë se sistemi arsimor për mënyrën se si realizohet mënyra e testimit”.

    “Duhet të shohim se çka bën MASHT sot. Arsimi s’është prioritet i kësaj Qeverie. VV ka bërë thirrje për seanca të jashtëzakonshme. Pikërisht është VV që nuk tregon as kujdesin minimal sa i përket arsimit. Ju e keni parë që dy vitet e fundit arsimi në Kosovë ka filluar në mënyrë krejt dramatike. Fillimisht, mandati i kësaj ministre ka filluar me shkelje kushtetuese aty kemi kërkuar shkarkimin e saj.

    “Paramendojeni qindra miliona rrinë në suficit ndërkohë që në shkollat tona nuk ka banka ashtu siç duhet, s’ka karrige. Nuk ka laboratorë, nuk ka mjete konkretizuese. Qysh të performojë më pas nxënësit mirë se një mësim e mësojnë vetëm nga aspekti teorik dhe jo praktik. Kjo kallëzon shumë sa kjo Qeveri e ka prioritet arsimin dhe sa kjo qeveri e merr seriozisht cilësinë në arsim”.

    Lushaku-Sadriu u pyet edhe për mbledhjen e strukturave të partisë për të kompletuar udhëheqësin e re, raporton EO.

    “Do të mbajmë mbledhjen e Këshillit të përgjithshëm të shtunën dhe aty pritet që të dalin të gjitha strukturat dhe të kompletohet i gjithë ekzekutivi i jonë partiak”.

  • PDK: PISA është pasqyra e vërtetë e Qeverisë Kurti, Nagavci të jap dorëheqje

    PDK: PISA është pasqyra e vërtetë e Qeverisë Kurti, Nagavci të jap dorëheqje

    Pas publikimit të rezultateve të Testit PISA, ku Kosova u rangua pothuajse në fund, Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se u konfirmua zyrtarisht se analfabetizmi qeveritar nuk arriti ta reformojë sistemin arsimor në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

    Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha në një konferencë për media tha se me Qeverinë Kurti në tri vitet e fundit, kriza në arsim vetëm sa është thelluar edhe më shumë.

    “Nuk mund të presim përmirësim të cilësisë në Arsim, kur Qeveria Kurti me veprimet e saj ka vendosur në pikëpyetje kredibilitetin e pothuajse secilit mësimdhënës në Kosovë. Në vend se, t’u ofrojë mbështetje për zhvillim, të aftësive dhe shkathtësive të reja të kohës, siç kishte premtuar, e për të cilat fëmijët tanë kanë kaq shumë nevojë. Çfarë na dëshmohet ne sot, është që nxënësit ngarkohen me libra e informata sasiore, por jo me zhvillim dhe përgatitje cilësore. Dhe kjo, i atribuohet kësaj Qeverie e cila pushtetin e ka marrë duke u thirrur në reformë, por me logjikën si kanë funksionuar këto tri vite, kanë dështuar jo vetëm ata, por ka dështuar edhe Kosova. PISA sot është pasqyra e vërtetë e qeverisjes së Albin Kurtit”, tha ajo.

    Hoxha theksoi se Ministria e Arsimit jo vetëm që nuk ka bërë reforma në sistemin arsimor, por edhe i ka penguar ato.

    “Po hyjmë në vitin e fundit të kësaj Qeverie, dhe 160 çerdhet e premtuara as afër nuk janë. As 10 sosh nuk janë ndërtuar. Nuk ka pasur asnjë reformë në Arsimin Fillor. Për më tepër, në vend që të bëjë reforma, zgjodhi që të luftoj nga njëra anë mësimdhënësit, e këtë vit nuk doli zot as obligimit kushtetutes dhe ligjor, që të siguroj falas librat për nxënësit e Kosovës. Po ashtu, besoj ju kujtohet lufta që ministrja Nagavci i kishte bërë kryetarit të Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati në reformën e tij për arsimin fillor, duke i tejkaluar kompetencat e saj dhe duke shkelur Kushtetutën e Kosovës. E sa për digjitalizim e inovacion, as që është diskutuar ndonjëherë nga kjo Qeveri dhe as nuk ka ndonjë lëvizje”, tha ajo.

    Ndërsa, anëtari i kryesisë së PDK-së, Muzafer Shala tha se pas të gjeturave shqetësuese të nxjerra nga PISA, Ministrja e Arsimit është dashur qysh sot të jap dorëheqje.

    “Qeveria e Kosovës urgjentisht duhet të bëjë prioritet adresimin e problemeve të cilat i ka evidentuar PISA”, shtoi ai.

    PDK i ka propozuar Qeverisë së Kosovës nëntë rekomandime, të cilat ata duhet të adresojnë urgjentisht.

    “Shkollat duhet të fokusohen në forcimin e kurrikulave të tyre të matematikës, leximit dhe shkencave, duke përfshirë më shumë mundësi mësimore praktike dhe të aplikuara. Mbështetja e studentëve me arritje të ulëta: Të ketë ndërhyrje të synuara dhe mbështetje për nxënësit me arritje të ulëta, të cilat ndihmojnë në ngritjen e nivelit të performancës së tyre. Ngushtimi i hendekut te performancës: Të bëhet përpjekje e vazhdueshme për të mbështetur ata me arritje të ulëta, duke ofruar gjithashtu sfida për ata me arritje të larta. MASHT duhet të zhvillojnë strategji për të mbështetur nxënësit me prejardhje të pafavorshme, duke siguruar që ata të kenë qasje në mjetet e konkretizimit dhe mbështetjen që u nevojitet për të pasur sukses”, janë disa nga rekomandimet e PDK-së për arsimin, të cilat i propozoi Shala.

  • Prishtinë: Sekuestrohet sasi e mallit të dyshuar si të falsifikuar dhe pa origjinë të prejardhjes

    Prishtinë: Sekuestrohet sasi e mallit të dyshuar si të falsifikuar dhe pa origjinë të prejardhjes

    Policia e Kosovës ka kryer disa kontrolle në subjektin biznesor të dyshuar në tri lokacione në Prishtinë.

    Kjo kontrollë u realizua pas dyshimeve se një subjekt biznesor, i cili operon në kryeqytet, bënte shitjen e produkteve të ndryshme me shumicë si suplemente të ndryshme, shampona, mjaltë për përdorime të ndryshme për potencë (kamagra etj,) të cilat produkte dyshohet se janë pa origjinë të prejardhjes, disa prej tyre edhe me ndërrim të afatit të skadencës së produkteve.

    “Sot me datë 05.12.2023 hetuesit nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike në bashkëveprim me Inspektoratin e Tregut nga Ministria e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, kanë ndërmarr veprime në teren lidhur me informatën e lartcekur”– thuhet në njoftimin zyrtar.

    Gjatë kontrollës është gjetur sasi e konsiderueshme e mallrave për të cilat pronari nuk ka mundur të prezantoj dokumentet e origjinës së këtij malli.

    Në këtë rast Dogana e Kosovës ka sekuestruar sasi të konsiderueshme të mallrave, të dyshuara si të kontrabanduara, ndërsa Inspektorati i tregut ka bërë bllombimin e depos deri në përfundim të rastit nga Dogana e Kosovës.

    Një nga personat e dyshuar është marrë nga policia , si person i dyshuar lidhur me dyshimet për veprat penale: “Kontrabandim i mallrave” dhe ‘’Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore’’. I njejti me vendim të prokurorit është liruar me procedurë të rregullt.

  • Hysni Gucati operohet për të 30-tën herë, vëllau i tij: Pjesa e trupit tënd ku u operove është plagë e lirisë

    Hysni Gucati operohet për të 30-tën herë, vëllau i tij: Pjesa e trupit tënd ku u operove është plagë e lirisë

    Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, është operuar sërish në këmbën në të cilën ishte plagosur gjatë luftës në Kosovë.

    Vëllai i tij, Fehmiu, i ka uruar shërim të shpejtë duke thënë që ky ishte operimi i 30-të i Gucatit në këtë plagë.

    “Pjesa e trupit tënd ku ti sot u operove për të 30-tën herë është plagë e lirisë që ne sot e gëzojmë”, ka shkruar Gucati për vëllanë e tij.

  • Ambasadori i Shqipërisë takohet me deputetë të Kuvendit të Kosovës

    Ambasadori i Shqipërisë takohet me deputetë të Kuvendit të Kosovës

    Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë ka pritur të mërkurën në takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.

    Pas takimit nuk pati deklarata për medie.

    Malaj është emëruar së fundmi ambasador i Shqipërisë në Prishtinë.

  • Rreth 21 mijë familje me asistencë sociale subvencionohen për blerjen e lëndëve djegëse

    Rreth 21 mijë familje me asistencë sociale subvencionohen për blerjen e lëndëve djegëse

    Rreth 21 mijë familje me 81 mijë anëtarë në asistencë sociale do të përfitojnë nga subvencionimi për blerjen e lëndës djegëse për ngrohje gjatë dimrit, me nga 120 euro në tërësi dhe me nga 30 euro shtesë për çdo anëtarë të familjes.

    Kjo masë është mbështetur nga pakoja energjetike emergjente e Bashkimit Evropian, ku Ministria e Financave, Punës dhe Transferve, ka pranuar mbështetje financiare në vlerë prej 75 milionë euro, e që 5 milionë prej tyre janë alokuar për subvencionimin e familjeve me asistencë sociale.

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se familjet të cilat do të përfitojnë nga ky subvencionim nuk kanë nevojë të aplikojnë, meqenëse Qendrat për Punë Sociale kanë familjet të cilat pranojnë mbështetjen sociale.

    Ai potencoi se Departamenti për Punë Sociale bën përllogaritje, që për secilën familje të ndahen nga 120 euro, që është shumë ekuivalente me dy metra kub lëndë djegëse me çmimin e tregut, derisa shtoi se do të ndahen edhe nga 30 euro shtesë për çdo anëtarë të familjes.

    “Kjo masë është e mbështetur nga Bashkimi Evropian, nga pakoja energjetike emergjente e Bashkimit Evropian. Ne kemi pranuar një mbështetje financiare në vlerë prej 75 milionë euro ku ato mjete, njëra nga masat është edhe kjo për mbështetjen e grupeve të cenueshme për sigurimin e lëndëve djegëse për sezonin e dimrit. Në tërësi janë 5 milionë euro të alokuara për këtë masë…Sa i përket mënyrës, se si do të bëhet përfitimi, nuk kanë nevojë për aplikim meqenëse pra qendrat për punë sociale tashmë kanë familjet të cilat pranojnë mbështetjen sociale. Departamenti për punë sociale do të bëjë përllogaritjen dhe përllogaritja bëhet në formën që për secilën familje, përfitim është 120 euro, që është ekuivalent me dy metër kub me çmimin e tregut, ndërkaq për çdo anëtarë të familjes dike filluar nga kryefamiljari është 30 euro shtesë. Që nënkupton që për një familje katër anëtarshe do të ketë 120 për familjen plus 120 të tjera pra nga 30 për secila. Anëtar që i bie nga 240 euro…Subvencionimi realizohet direkt në llogarinë bankare të familjes përfituese…21 mijë familje me 81 mijë anëtarë”, tha Murati.

    Ndërkaq, lidhur me masën 1.2, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se me këtë shumë Qeveria do të mundësojë subvencionimin e blerjes së lëndës djegësve për familjet me asistencën sociale, me qëllim tejkalimin sa më të lehtë të dimrit.

    Ai potencoi se si qeveri strategjinë për mbrojtjen dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve e ekzekutuan në dy drejtime. Këto u bënë, sipas tij duke iu përgjigjur nevojës për të lehtësuar vështirësitë e krizave dhe duke nxitur zgjidhje të qëndrueshme për familjet në nevojë përmes punësimit në tregun e punës.

    Derisa foli për arritjet, Kurti potencoi faktin për kujdesin ndaj nënave lehonë dhe fëmijëve, ku potencoi se deri më tani kanë përfituar mbi 49 mijë nëna dhe 387 mijë fëmijë.

    “Bashkë na u desh të ballafaqoheni me pandeminë, pasojat e agresionit rus në Ukrainë dhe një krizë të gjithmbarshme energjetike. Faktin që u rrethuam nga një ambient shpesh herë i vështirë e i rëndë vetëm sa intensifikoj përkushtimin tonë drejt kujdesit për qytetarët…Si qeveri strategjinë për mbrojtjen dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve, e veçanërisht atyre që patën e kanë më së shumti nevojë ekzekutuam në dy drejtime. Më njërën anë iu përgjigjëm nevojës për lehtësuar vështirësitë e krizave të lartpërmendura shkaktuan te ekonomitë familjare. Dhe në anën tjetër nxitëm zgjidhje të qëndrueshme për këto familje përmes punësimit në tregun e punës…Kemi filluar duke e rritur asistencën sociale nga 30 për qind mbi nivelin e rregullt të saj në vitin 2021. Më pas mbështetjen e vazhduam duke dyfishuar asistencën sociale katër herë brenda viteve 2021-2022. Mandej përkrahëm me 1.4 milion euro 19 kuzhina popullore. Dhe bashkëpunuam me organizatat jo qeveritare për ofrimin e mbi 36 mijë pakove dhe rreth 350 mijë shujtave për shtresat e cenueshme të shoqërisë”, potencoi Kurti.

    Shefi i Seksionit për Bashkëpunim në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Johannes Madsen Stenbaek tha se qëllimi i kësaj mbështetje është të përshpejtohet zhvillimi ekonomik, përmes investimit dhe financimit përmes granteve.

    Ai shtoi se presin bashkëpunim të mëtutjeshëm në sektorin e energjisë dhe reformat e zbatimit dhe investimeve, për të siguruar siç tha si një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

    “Ministria e Ekonomisë ka pranuar më shumë se mijëra aplikacione për pajisje ngrohëse dhe pajisje elektrike që përfshinë makinat për larje dhe frigoriferët dhe së fundi ka lansuar thirrjen për te lansuar bizneset me pajisje ngrohëse. Progres i madh tanimë është bërë në zbatimin e pakos sonë…Qëllimi është të përshpejtojmë zhvillimin ekonomik, përmes investimit, financimit përmes granteve si pjesë e 6 milionë euro, Kosova dhe rajoni do të përfitojë më tutje nga korniza e investimeve në Ballkanin Perëndimor…Ne mirëpresim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të shkëlqyeshëm në sektorin e energjisë dhe në reformat e zbatimit dhe investimeve për të siguruar një të ardhme të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe për të sjellë Kosovën më afër BE-së”, theksoi Stenbaek. /kp