ATV

Blog

  • TikTok dhe ChatGPT, fajtorë për dështimin në “PISA”, sociologu jep alarmin

    TikTok dhe ChatGPT, fajtorë për dështimin në “PISA”, sociologu jep alarmin

    Sociologu Jeton Brajshori, në një prononcim për ATV-në, duke komentuar rezultatin e dobët të nxënësve të Kosovës në “PISA”, tha se një trend i tillë i rënies së rezultateve shihet të jetë prezentë edhe në gjithë Evropën.

    Ai përmend se rrjtet sociale, ndër ta TikTok-u dhe Intelegjenca Artificiale ChatGPT, janë ndër shkaktarët kryesor të rënies së interesimit të nxënësve për të mësuar.

    “Është e vërtetë që rezultatet kanë qenë shumë të dobëta, pra ato rezultate të cilat i kemi parë dje, mirëpo realisht në qoftë se i shohim në të gjitha vendet e Evropës, ka në përgjithësi në gjithë Evropën rënie të rezultateve, për arsye se shumica, edhe tek ne por edhe më gjerë, fëmijët sot nuk është që merren shumë me lexime, mirëpo më shumë kalojnë kohë në tiktok, pra merren me rrjete sociale dhe tanimë e kemi edhe ChatGPT-në, e cila është një formë e mirë e ndihmesës së nxënësve për të arritur diçka, të ketë pista të reja të hulumtimit, mirëpo edhe të keq përdoret dhe të përdoret vetëm për gjëra të tilla, atëherë e shohim në praktikë se rezultatet janë të dobëta”, tha Brajshori.

    Sipas tij, për të shënuar progres në këtë drejtim, duhet të zhvillohet më shumë mendimi kritik, duke filluar nga familja e pastaj të vazhdojë edhe nëpër shkolla.

    “Çka nënkuptojmë me analfabetizëm 80 për qind funksional, analfabetizëm funksional është kur personi di shkrim lexim mirë, por nuk di të mendojë. Nuk e kemi të zhvilluar mendimin kritik, gjë të cilën duhet ta fillojmë që nga familja, në shkollë dhe të vazhdojmë tutje t’i zgjerojmë njohuritë tona vetë”, tha Brajshori. /atvlive.tv

  • ​Hovenier kërkon adresimin e vrasjes së grave në nivel të shoqërisë

    ​Hovenier kërkon adresimin e vrasjes së grave në nivel të shoqërisë

    Ambasadori i ShBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka komentuar vrasjen e Liridona Ademajt, të orkestruar nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli.

    Ai tha se ky rast i femicidit në Kosovë tregon nevojën për adresimin e kësaj çështjeje në nivel të shoqërisë.

    Hovenier, në konferencën për Integritetin e Informacionit të organizuar nga NDI, theksoi nevojën që në Kosovë të ketë një demokraci të fortë dhe promovim të drejtave të njeriut.

    Përkitazi me këtë, ai shtoi kërkesën për pjesëmarrje të sigurt të grave në shoqëri. /KosovaPress

  • ​Shkyçet nga ujësjellësi Qendra Tregtare në Podujevë, kishte borxh 26 mijë euro

    ​Shkyçet nga ujësjellësi Qendra Tregtare në Podujevë, kishte borxh 26 mijë euro

    KRU Prishtina ka ndërmarrë sot një aksion për shkyçjen e borxhlinjve në disa komuna të Kosovës.

    Aksionet janë duke u zhvilluar në Podujevë, Shtime, Lipjan, Graçanicë, Fushë Kosovë dhe Prishtinë.

    Për shkak të borxhit të papaguar në shumën 26 mijë euro nga rrjeti i ujësjellësit është shkyçur Qendra Tregtare në Podujevë.

    “S’ka ujë pa paguar faturat”, ka thënë KRU Prishtina në një postim në Facebook.

  • Kurti: Të drejtat e njeriut janë thelbi dhe themeli i qytetërimit

    Kurti: Të drejtat e njeriut janë thelbi dhe themeli i qytetërimit

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, mori sot pjesë në Konferencën hapëse të Javës së të Drejtave të Njeriut, të organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR).

    Në njoftim thuhet se Kurti shprehu kënaqësinë që ishte për të tretin vit radhazi në konferencën hapëse të Javës së të Drejtave të Njeriut, që këtë vit shënon edicionin e dhjetë, ndërkaq i përgëzoi për përkushtimin e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë përgjatë kësaj dekade.

    Në fjalën e tij para të pranishmëve, Kurti tha se beson se të drejtat e njeriut, janë edhe thelbi edhe themeli i qytetërimit. Gjithçka bëhet aq e vështirë sa që e pamundur nëse nuk besojmë në të drejtat e njeriut dhe gjithçka bëhet aq e lehtë pothuajse, menjëherë e realizueshme atëherë kur besojmë në të drejtat e njeriut, shtoi më tej.

    Në frymë të partneritetit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe organizatave të shoqërisë civile, kryeministri Kurti bëri thirrje që të vazhdojmë të kemi diskutim të hapur për mënyrat e operacionalizimit të rekomandimeve të raporteve dhe analizave të këtyre organizatave për të drejtat e njeriut, e sidomos për aty ku konstatohen shkeljet e të drejtave të njeriut, të pakicave etnike, të komunitetit LGBTIQ+, të atyre që janë të varfër, të atyre të cilët për një arsye ose tjetër kanë ngelur të pashkolluar, të paarsimuar dhe të atyre që i kanë aftësitë e kufizuara apo nevojat e veçanta dhe të atyre të cilët konsiderojnë pse janë fatkeq në jetë meqenëse kanë pasur një aksident ose edhe kanë bërë një zgjedhje të gabuar në jetë që po ju kushton për tërë jetesën e mëtutjeshme.

    “Me të gjithë këta, solidaritet, bashkëpunim për barazi edhe për dinjitet. E uroj që këto platforma për diskutim sikurse edhe kjo konferencë të shërbejnë për shkëmbime të dobishme e frymëzim të ri”, tha Kurti në përfundim të fjalës së tij.

  • KQZ votoi regjistrimin e partisë politike “Srpska Demokratija”

    KQZ votoi regjistrimin e partisë politike “Srpska Demokratija”

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e sotme ka votuar për regjistrimin e partisë politike “Srpska Demokratija”, raporton ATV.

    Kush është “Srpska Demokratija”?

    Iniciativa qytetare “Srpski opstanak” (Mbijetesa serbe) është shndërruar në parti politike “Srpska Demokratija”.

    Kryetar i kësaj partie politike është zgjedhur Aleksandar Arsenijeviq.

    Në kryesinë e partisë “Srpska Demokratija”, përveç Arsenijeviqit, janë zgjedhur edhe Ivan Orloviq, Valentina Ćerkoviq, Marinko Angjelkoviq dhe Stefan Veljkoviq.

    Kjo parti është themeluar më 2 shtator 2021 dhe kishte konkurruar në zgjedhjet lokale të organizuara në Kosovë, të cilat u mbajtën me 17 tetor 2021, ku lideri i “Srpska Demokratija”, Aleksandar Arsenijeviq, ishte i vetmi kundërshtar politik nga komuniteti serb ndaj kandidatit të atëhershëm të “Srbska Lista”, Milan Radojeviq, për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut. /atvlive.tv

  • Ushqimet e pasura me zink për shëndet gjatë dimrit

    Ushqimet e pasura me zink për shëndet gjatë dimrit

    Është përsëri dimër, koha kur fillojmë të kërkojmë forcues të imunitetit për të shmangur simptomat e ftohjes.

    Shmangia e ftohjes së zakonshme (ose rinovirusi,në terma shkencorë) është në mendjen tonë edhe më shumë këtë vit me pandeminë e vazhdueshme.

    Por para së gjithash,pse zinku është kaq i dobishëm kur bëhet fjalë për shëndetin tonë?

    Sipas Departamentit Amerikan të Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS), zinku është i rëndësishëm në nivel qelizor për gjëra të tilla si shërimi i plagëve,sinteza e proteinave dhe natyrisht funksioni imunitar.

    Gjithashtu zinku ka treguar se ndihmon në zvogëlimin e ashpërsinë dhe kohëzgjatjen e simptomave të zakonshme të ftohjes.

    HHC rendit sasinë e rekomanduar ditore të zinkut: 8 miligramë për gratë mbi 19 vjeç, mund të merrni deri në 40 miligramë në ditë,pa ndonjë efekt të mundshëm anësor.

    Sigurisht që ju mund të merrni suplemente të zinkut për t’ju ndihmuar,por a e dini se ka shumë ushqime të pasura me zink, të cilat mund t’ju ndihmojë gjithashtu?

    Duke pasur këtë në mendje, AgroWeb.org ju rendit disa ushqime të shijshme nga ku mund të merrni zink.

    Ushqimet e larta në zink:
    -Mishi viçit (i pjekur): 7 mg (për 3 gr)

    -Gaforret: 6.5 mg (për 3 gr)

    -Karavidhet: 3.5 mg (për 3 gr)

    -Mishi i derrit: 2.9 mg (për 3 gr)

    -Fasule (të konservuara ose të gatuara): 2.9 mg (për 1/2 filxhan)

    -Drithëra: 2.8 mg (për racion)

    -Mishi i pulës: 2.4 mg (për 3 gr)

    -Farat e thata të kungullit: 2.2 mg (për gr)

    -Kos (me yndyrë të ulët): 1.7 mg (për 8 gr)

    -Shqeme të pjekura: 1.6 mg (për gr)

    -Qiqra të gatuara: 1.3 mg (për 1/2 filxhan)

    -Djathë kaçkavall: 1.2 mg (për gr)

    -Bollgur: 1,1 mg (për pako)

    E rëndësishme është të keni kujdes se sa ushqim të pasur me zink po konsumoni.

    Një studim i fundit paralajmëroi se “teprica e zinkut provokon një dëmtim të sistemit imunitar, të krahasueshëm me mungesën e zinkut”.

    Në fakt, marrja e tepërt e zinkut mund t’ju japë simptoma të ngjashme me gripin si dhimbje koke,të dridhura,kollë dhe ethe.

    Por mbajtja e niveleve të zinkut të ekuilibruara me ushqim,është mënyrë më e sigurt sesa ajo me suplemente, sepse shanset të keni ndonjë efekt anësor janë të pakta./AgroWeb.org

  • ​Manja për vrasjen e Liridonës: Naimi nuk meriton të quhet shqiptar

    ​Manja për vrasjen e Liridonës: Naimi nuk meriton të quhet shqiptar

    Ministri i Drejtësisë së Shqipërisë, Ulsi Manja deklaron se ndëshkimi meritor është përgjigja më e mirë për vrasjen e Liridona Ademajt. Sipas tij, vrasja e të rejës nga Prishtina është rasti i parë që ndodhë një krim i përmasave të tilla në vendet e rajonit. Manja në intervistën për KosovaPress teksa komenton inskenimin e vrasjes nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli, konsideron se i njëjti nuk meriton të quhet shqiptar. Ai flet edhe për rastet e dhunës mbi baza gjinore në Shqipëri dhe masat që janë duke ndërmarrë për të parandaluar raste të tilla.

    Ministri i Drejtësisë së Shqipëri ka ngushëlluar familjen dhe të afërmit e Liridona Ademaj, e cila u vra javën e kaluar në Prishtinë.

    “Thirrja ime në rastin konkret shkon për organet e drejtësisë. Ky rast do të duhet të trajtohet në mënyrë transparente në të gjithë dimensionin e saj kriminal që ka. Sepse është rasti i parë që në vendet tona të rajonit, aty ku jetojnë dhe banojnë shqiptarët që ndodhë një krim i përmasave të tilla. Ai meriton ndëshkim meritor por edhe rasti i Liridonës dhe i ndëshkimit meritor që do të duhet të marrë nga organet e drejtësisë do të duhet të jetë një rast përgjithësues për të mos ndodhur më në shoqëritë tona një krim i tillë i shëmtuar. Le të themi, ai nuk meriton për mendimin tim të quhet shqiptar. Tani i takon drejtësisë që të jap përgjigjen. Dhe përgjigjen duhet ta jap shpejt në mënyrë objektive, për të mos e lënë që rastit t’i vihet pluhuri i harresës. Një drejtësi që jepet shpejt, në kohë dhe në mënyrë objektive është përgjigja më e mirë që marrin monstrat e tilla”, deklaron ai për KosovaPress.

    Tutje, shton se nuk mjaftojnë vetëm 16 ditë të aktivizimit kundër dhunës mbi baza gjinore për të adresuar këto probleme.

    Ministri Ulsi Manja tregon se gjatë këtij viti, autoritetet gjyqësore në Shqipëri kanë lëshuar mbi dy mijë urdhra mbrojtjeje për gratë dhe vajzat.

    “Janë 2373 urdhra mbrojtje nëse nuk gaboj dhe më shqetëson ky numër i urdhrave të mbrojtjes që kanë dhënë gjykatat në Shqipëri. Por nga ana tjetër unë e konsideroj si një rritje të ndërgjegjësimit të viktimave të dhunës në familje. Fakti që nënat dhe gratë, motrat, denoncojnë dhunën në familje dhe drejtohen në gjykatë për të marrë një urdhër mbrojtje, është një fenomen që duhet përshëndetur. Unë do të dëshiroja që të mos ketë asnjë urdhër mbrojtje, por është një luftë e përditshme”, shton ministri Manja.

    Ai deklaron se roli i institucioneve në luftimin e këtyre rasteve është i pazëvendësueshëm, ku tregon se cilët janë hapat që po ndërmarrin në adresimin e këtyre çështjeve.

    “Shqipëria në këtë drejtim me ratifikimin e Konventës së Stambollit ka një kuadër të plot për adresimin e dhunës me baza gjinore dhe dhunës në familje. Jemi në fazat e miratimit të strategjisë së viktimave 2023-2030, të cilën do ta qojmë shumë shpejt në Kuvendin e Shqipërisë. Po ashtu, jemi në fazën e miratimit të Kodit të ri Penal, ku kemi paraparë masa të tjera shtesë penale për adresimin e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje”, përfundon Manja.

    Javën e kaluar në rrugën “Dalip Alshiqi” është vrarë 30-vjeçarja, Liridona Ademaj. Policia e Kosovës rastin e kishte raportuar si “grabitje me pasoja të vrasjes”, kurse dy ditë më vonë, policia kishte njoftuar për arrestimin e tre personave të dyshuar për rastin.

    Njëri nga ta ishte bashkëshorti i tashmë të ndjerës, Liridonës, Naim Murseli, kurse tjetri i identifikuar ishte Granit Plava – i cili dyshohet se kreu vrasjen “me porosi”.

    Granit Plava, i cili është edhe bashkëfshatarë me Naim Murselin, dyshohet se për kryerjen e vrasjes u pagua 30.000 euro nga Murseli, ku 15 mijë euro i kishte marrë para kryerjes së vrasjes, e 15 mijë të tjera do t’i merrte pas vrasjes së Liridonës. Policia arrestoi edhe një person të tretë si të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt, i cili është Kushtrim Kokalla – pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. /kp

  • Çka është ”Burnout” që po na lodhë mendjen dhe trupin?

    Çka është ”Burnout” që po na lodhë mendjen dhe trupin?

    Muajt e fundit të vitit konsiderohen se vijnë me një ndjejnë të lodhjes mendore dhe fizike e cila quhet ”Burnout”, ku një masë e konsiderueshme e njerëzve ballafaqohen me të.

    Mentorja e Zhvillimit Personal Arsë Kryeziu, muajin dhjetor e konsideroi më të lodhshmin dhe sipas saj si pasojë e motit tregojmë më pak kujdes për shëndetin.

    “…Dimri na thërret që të pushojmë, gjatë këtij muaji (dhjetor) na mungon aktiviteti dhe fundi i vitit na gjen me një lodhje ku na mungon vitamina D, që reflekton në ndryshimin e hormoneve…”, tha ajo.

    Sipas OBSH, “Burnout” konsiderohet të jetë një grumbullim i stresit që manifestohet në vendin e punës dhe se zakonisht shfaqet në muajin nëntor dhe dhjetor.

    Në lidhje me këtë, psikologia Antigona Qenaj tha se njerëzit janë të prirur të luftojnë me trupin e tyre duke mos i dhënë pushim vetes prej frikës se do të bien në depresion.

    “…Trupi i njeriut ka nevojë për pushim, por njerëzit akumulojnë stresin dhe nuk i japin vetës pushim sepse kanë frikë se do ballafaqohen me depresion…”, shtoi ajo.

    Vlen të ceket se “Burnout” duhet të trajtohet sepse në të kundërtën mund të përkeqësohet dukshëm shëndeti mendor dhe ai fizik, si dhe mund të shtohen konfliktet në familje dhe mund të përcillet një performancë e dobët në punë.

    Për të ndjekur diskutimin e plotë, mund të klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Agjencia e OKB-së: Gaza është bërë ‘një nga vendet më të rrezikshme’ në botë

    Agjencia e OKB-së: Gaza është bërë ‘një nga vendet më të rrezikshme’ në botë

    Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) tha të mërkurën se Rripi i Gazës është bërë “një nga vendet më të rrezikshme” në botë, mes sulmeve të vazhdueshme izraelite në enklavën e rrethuar palestineze.

    “I gjithë Rripi i Gazës është bërë një nga vendet më të rrezikshme në botë”, tha UNRWA në një deklaratë në X.

    UNRWA tha gjithashtu se “nuk ka ku të shkojë për strehim” në Gaza, duke shtuar se strehimoret e saj janë “mbushur” me palestinezë të zhvendosur.

    Të hënën, UNRWA tha se mbi 85% e popullsisë së Gazës janë aktualisht të zhvendosur – gati 1.9 milion nga 2.3 milion njerëz gjithsej – dhe se pothuajse 1.2 milion persona të zhvendosur brenda vendit janë strehuar në 156 pikat e saj.

    Izraeli rifilloi ofensivën e tij ushtarake në territorin palestinez të premten pas përfundimit të një pauze humanitare njëjavore me grupin palestinez Hamas.

    Të paktën 16,248 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 43,616 të tjerë janë plagosur në sulmet e pamëshirshme ajrore dhe tokësore në enklavë që nga 7 tetori pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi.

    Sipas shifrave zyrtare, numri i të vdekurve izraelitë në sulmin e Hamasit është 1200./AA/

  • Pse njerëzit gjatë dhjetorit bien në gjumin e arushës – ndjehen të lodhur e të rraskapitur?

    Pse njerëzit gjatë dhjetorit bien në gjumin e arushës – ndjehen të lodhur e të rraskapitur?

    Muaji i fundit me të cilin përmbyllim kapitullin e vitit është edhe stresues. Prandaj, mënyra se si arrijmë ta menaxhojmë stresin gjatë kësaj periudhe ka shumë rëndësi.

    Në emisionin “LIBERO”, psikologia Antigona Qenaj e konsideroi këtë kohë si një nga periudhat që mund të ballafaqohemi me depresion sezonal. Ajo tha se për shkak të ndryshimeve klimatike ne ndihemi pa energji dhe të lodhur për t’i realizuar planifikimet tona.

    “…Ka të bëjë me qëndrimet dhe mënyrën se si mendojmë ne gjatë kësaj periudhe, duke qenë se shkojmë drejt përfundimit të vitit gjërat të cilat nuk kemi arritur t’i përfundojmë na japin presion dhe stres dhe mundohemi t’i përfundojmë para vitit të ri…”, tha ajo.

    Vlen të theksohet se një mënyrë e mirë për ta shmangur stresin gjatë kësaj periudhe është vendosja e qëllimeve për të cilat duhet punuar çdo vit, muaj dhe ditë. Konsiderohet se është e nevojshme t’i jepni vetës kohë dhe hapësirë për t’i arritur qëllimet në formën e duhur.

    Për të ndjekur diskutimin e plotë, mund të klikoni në linkun e mëposhtëm: