ATV

Blog

  • Gemini nga Google: Gjithçka që dihet për modelin e ri të inteligjencës artificiale

    Gemini nga Google: Gjithçka që dihet për modelin e ri të inteligjencës artificiale

    Google ka fuqizuar “chatbot”-in e tij, Bard, me një model të gjeneratës së re të inteligjencës artificiale (IA), të quajtur Gemini, të cilin kompania e cilëson të aftë për të arsyetuar më mirë sesa ChatGPT dhe rivalët e tjerë.

    Gjiganti prapa motorit të kërkimit më të përdorur në botë synon të garojë në fushën e IA-së gjenerative me krijuesin e ChatGPT-së, OpenAI, teksa kjo kompani po merret me pasojat e një lufte të brendshme që çoi në shkarkimin dhe më pas rikthimin e shefit të saj ekzekutiv, Sam Altman.

    Google prej vitesh është angazhuar në krijimin e kapaciteteve të IA-së, por është zënë në befasi kur OpenAI e prezantoi në fund të vitit të kaluar ChatGPT-në, dhe i bëri bashkë forcat me Microsoft-in për t’ua ofruar aftësitë e tij përdoruesve në mbarë botën.

    “Ky është një moment i jashtëzakonshëm, ne vetëm sa kemi filluar ta prekim të mundurën”, ka thënë shefi ekzekutiv i Google-it, Sundar Pichai.

    “Kjo gjeneratë e re e modeleve përfaqëson një prej përpjekjeve më të mëdha në shkencë dhe inxhinieri që ne i kemi bërë si kompani”, është shprehur ai.

    Gemini është modeli i parë i IA-së që ka arritur rezultate më të mira se ekspertët njerëzorë në disa fusha të caktuara, përfshirë zgjidhjen e problemeve, matematikën, fizikën, historinë, drejtësinë, mjekësinë dhe etikën, ka deklaruar Eli Collins, zëvendësdrejtues i laboratorit DeepMind të Google-it.

    Gjatë një demonstrimi, Gemini ka njohur ato që i janë shfaqur, nga një person duke aktruar një skenë nga filmi “Matrix”, deri te një njeri duke vizatuar një rosë, e më pas duke e mbajtur në dorë një rosë prej gome.

    Gemini ka komentuar ato që i janë paraqitur, teksa ka bërë krahasime, ka nxjerrë konkluzione dhe ka ofruar sugjerime.

    Performanca e një versioni “Ultra” të Gemini-t “tejkalon” atë të modeleve të tjera të avancuara në 30 testime, ku janë matur kapacitetet si kuptimi i pamjeve dhe arsyetimi matematik, sipas Collins.

    Një version “Pro” i Gemini-t, i integruar në Bard, është krijuar për të kryer një varg detyrash. Një version “Nano” është bërë enkas për telefona të mençur mobilë, dhe për herë të parë do të jetë pjesë e telefonit më të avancuar të Google-it, Pixel 8.

    Google e nxori me nguti “chatbot”-in e tij Bard, më herët këtë vit, dhe vazhdoi përditësimin e tij, bazuar në komentet e përdoruesve, sipas zëvendësdrejtueses së Bard-it, Sissie Hsiao.

    “Gjithë ky novacion i shpejtë po na ofron drejt atij që ne e shohim si moment vërtet transformues”, ka thënë Hsiao.

    “Me Gemini-n, Bard po merr përditësimin e tij më të madh deri më tani”, ka shtuar ajo.

    “Bashkëpunëtor me inteligjencë artificiale”

    Bard do ta përdorë Gemini-n për kapacitete më të avancuara të arsyetimit, planifikimit dhe kuptimit, sipas një demonstrimi.

    Ai do të jetë në dispozicion në gjuhën angleze, në më shumë se 170 vende dhe territore, teksa gjuhë të tjera do të shtohen së shpejti, ka bërë të ditur Hsiao.

    Bard, i fuqizuar nga Gemini, do të zgjerohet për të qenë “multi-modal”, që do të thotë se do të mund të marrë komanda me zë, me pamje dhe me tekst, kanë thënë drejtuesit e Google-it.

    “Me Gemini-n, ne jemi një hap më afër vizionit tonë për t’ju sjellë bashkëpunëtorin më të mirë me inteligjencë artificiale në botë”, është shprehur Hsiao.

    Gemini rrit nivelin e performancës së Bard-it, qoftë në shkrimin e poezisë apo të kodit kompjuterik, qoftë në kërkim të gjërave për të blerë apo në projekte hulumtuese, sipas Hsiaos.

    Versioni “Ultra” i Gemini-t, i krijuar për të kryer detyra tejet komplekse, do të publikohet në fillim të vitit të ardhshëm, ka njoftuar Google.

    “Unë jam i mahnitur nga aftësitë e tij”, ka thënë Collins, duke folur për Gemini-n.

    “Ky është fillimi i një epoke të re për ne në Google, teksa po vazhdojmë të shtojmë dhe të avancojmë shpejt kapacitetet e modelit”, është shprehur ai.

    Në shtator, Google integroi Gmail-in, YouTube-in dhe mjete të tjera në “chatbot”-in e tij Bard, teksa gjigantët e teknologjisë po përpiqen t’i bindin përdoruesit se IA-ja gjenerative është e dobishme dhe jo e rrezikshme, apo diçka kalimtare.

    Këto kapacitete janë të ngjashme me ato të ofruara nga Microsoft-i, i cili ka injektuar shërbimet e IA-së në programet e tij të pakos Office 365 – që mund të aktivizohen pas një pagese shtesë – por jo edhe në motorin e tij të kërkimit, Bing.

    Qëndrueshmëria e “chatbot”-ëve me IA gjenerative, pasi të kapërcejë entuziazmi fillestar, mbetet të shihet.

    Integrimi i një “chatbot”-i të mbështetur nga OpenAI në motorin e kërkimit të Microsoft-it, më herët këtë vit, dështoi të ushtronte ndonjë ndikim në dominimin e Google-it në industrinë e kërkimit.

    Megjithatë, qeveritë dhe kompanitë teknologjike këmbëngulin se IA-ja gjenerative përbën kapitullin e ardhshëm të madh të teknologjisë, dhe kanë rritur shpenzimet për produkte, hulumtime dhe infrastrukturë të re.

  • A e dini pse britanikët e shoqërojnë çajin me qumësht?

    A e dini pse britanikët e shoqërojnë çajin me qumësht?

    Britania njihet për përdorimin e lartë të çajit dhe kjo pije është rrënjosur thellë në traditë dhe mënyrën e jetesës.

    Por ajo çka i bën edhe më të veçantë është shprehia e tyre për të shtuar qumësht në çaj ka filluar që në shekullin e 18-të.

    Në atë periudhë çaji ishte një pije e kushtueshme dhe duke qenë se gotat e disponueshme shpesh plaseshin nga nxehtësia e çajit, ata gjetën një zgjidhje!

    Fillimisht hidhnin qumështin në një filxhan dhe më pas shtonin çaj.

    Qumështi i ftohtë e ftoh çajin aq sa të mos thyhet gota dhe njëkohësisht pakëson hidhëtinë e tij.

    Duke qenë tepër i vlefshëm, familjet që nuk mund të përballonin sasi të mëdha të çajit shtonin një sasi më të madhe qumështi, ndërsa familjet e pasura prireshin të bënin të kundërtën.

    Nëse po mendoni të provoni këtë variant të çajit, duhet të dini se fillimisht hidhet qumështi në gotë e më pas çaji. Kështu shija do të jetë me e mirë për shkak se qumështi duke arritur temperaturën e çajit, shpërndan shijen në mënyrë të barabartë.

    Dhe nëse i shtoni çajit qumësht, ju do të ftohni çajin dhe mund ai të mos ketë shije aq të mirë.

  • Erdogan dhe Mitsotakis nënshkruajnë një marrëveshje

    Erdogan dhe Mitsotakis nënshkruajnë një marrëveshje

    Greqia dhe Turqia kanë nënshkruar sot një deklaratë të përbashkët për marrëdhënie të mira fqinjësore.

    Lëvizja vjen gjatë një vizite shumë të ndjekur të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, në Athinë.

    “Gjeografia dhe historia kanë diktuar që ne të jetojmë herë pas here në konfrontim. Por ndjej një përgjegjësi historike për të shfrytëzuar këtë mundësi për t’i sjellë dy shtetet krah për krah, ashtu siç janë kufijtë tanë”, tha kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, shkruan Reuters.

    Erdogan tha: “Nuk ka asnjë çështje mes nesh që është e pazgjidhshme. Përderisa fokusohemi te fotografia dhe nuk përfundojmë si ata që kalojnë detin dhe mbyten në lumë”.

  • Anulohet konkursi për Kryeshef të Trepçës

    Anulohet konkursi për Kryeshef të Trepçës

    Është anuluar konkursi për Kryeshef të Ndërmarrjes “Trepça”, për shkak të mungesës së, siç thuhet procesit konkurrues.

    Sipas vendimit të siguruar nga ATV, në konkurs nuk kanë aplikuar 4 veta të cilët i plotësojnë kushtet e konkurrimit, siç parashihet me Kodin e Etikës dhe Qeverisjes Korporative për Ndërmarrjet Publike. /atvlive.tv

  • Gjermania po e mendon rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak

    Gjermania po e mendon rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak

    Ministri Federal i Mbrojtjes, Boris Pistorius beson se një rikthim i shërbimit të detyrueshëm ushtarak është i mundur. Politikani socialdemokrat i tha së përjavshmes “Die Zeit” se heqja e tij kishte qenë gabim.

    Rivendosja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak vërtet që tani do të çonte në “probleme të mëdha kushtetuese dhe strukturore”. Megjithatë, diskutimi për këtë do të marrë vrull duke pasur parasysh situatën aktuale të politikës së sigurisë, tha ministri gjerman i Mbrojtjes.

    Pistorius theksoi se gjermanët në përgjithësi duhej të jenë gati për një ndryshim në mentalitet. Kohët e përfitimit nga paqja dhe të shpenzimeve të ulëta të mbrojtjes kanë mbaruar. Përkundrazi, tha Pistorius, tani duhet të jemi në gjendje të pengojmë përsëri një agresor të mundshëm – pavarësisht nëse u pëlqen apo jo kjo të gjithëve.

    Në këtë kontekst, ministri i Mbrojtjes përsëriti edhe formulimin e tij, që ka ngjallur polemika se Bundeswehr duhet të jetë i “aftë për luftë”.

    Debat për rekrutimin

    Shërbimi i detyrueshëm ushtarak ishte temë në konferencën e Bundeswehr-it pothuajse një muaj më parë. Shoqata e Bundeswehr-it e kishte përshkruar rifutjen si një “mënyrë të fundit” për rekrutimin e personelit. Por në përgjithësi duhet të ketë edhe kushte më tërheqëse. Përballë kërcënimeve të reja dhe komplekse, është e rëndësishme që të rekrutohet shpejt më shumë personel për trupat. Kohët e fundit, gjithnjë e më shumë janë ngritur dyshime nëse Bundeswehr-i do ta arrijë objektivin e tij të deklaruar për 203.000 burra dhe gra me uniformë deri në vitin 2031.

    Shërbimi i detyrueshëm ushtarak u pezullua në Gjermani në korrik 2011, pas 55 vjetësh, nën ministrin e atëhershëm të Mbrojtjes Karl-Theodor zu Guttenberg (CSU). Në praktikë kjo çoi në një eliminim të kryerjes shërbimit ushtarak dhe të shërbimit civil në komunitet. /DW

  • ​Shërbimi rus i sigurisë “kompromentoi bisedat private të politikanëve”

    ​Shërbimi rus i sigurisë “kompromentoi bisedat private të politikanëve”

    Shërbimi rus i sigurisë ka kompromentuar bisedat private të politikanëve të profilit të lartë dhe nëpunësve civilë teksa u përpoq të ndërhynte në proceset politike të Mbretërisë së Bashkuar, tha ministri i Ministrisë së Jashtme Leo Docherty.

    Që atëherë, Ministria e Jashtme ka thirrur ambasadorin rus, ndërsa dy anëtarë të grupit “Star Blizzard”, i cili besohet se kontrollohet nga njësia ‘Centre 18’ e FSB-së (Shërbimit Federal të Sigurimit), duke përfshirë një që mendohet se është oficer i inteligjencës në shërbimin rus të sigurisë, janë sanksionuar.

    Deputetët, Lordët, nëpunësit civilë, gazetarët dhe të tjerë janë shënjestruar në përpjekjet për të “ndërhyrë në politikën britanike”, u tha Docherty deputetëve.

    Grupi kishte “rrjedhur dhe përforcuar informacione në mënyrë selektive” që nga viti 2015 duke përdorur një teknikë të njohur si “mashtrime” për të vjedhur informacione nga një numër “i konsiderueshëm” parlamentarësh nga shumë parti politike.

    Një zyrtar i tha Sky News: “Rusia po synon procesin demokratik të Mbretërisë së Bashkuar”.

    Grupi “merr informacion për shtetin rus. Është një grup që mbështet ‘FSB Center 18’.

    “Ky informacion përdoret për të minuar Perëndimin në mënyra të ndryshme”, thanë ata. “Ky grup ka marrë një sasi të madhe të dhënash.

    “Është shumë e synuar – numri [i hakimeve të njohura] është ndoshta në qindra e jo mijëra.

    “Ne po i afrohemi një viti elektoral. Ne duam të marremi më shumë me këtë [kërcënim hakmarrjeje dhe rrjedhjeje] – në mënyrë që njerëzit të jenë më të vetëdijshëm.”

    Sulmet e cituara nga qeveria përfshijnë një hakim të vitit 2018 në Institutin për Qeverisje dhe rrjedhjen e dokumenteve tregtare SHBA-MB, të cilat Jeremy Corbyn i përdori në fushatën e tij për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2019.

    Sir Richard Dearlove, ish-kreu i MI6, ishte një tjetër objektiv i dukshëm i profilit të lartë.

    Ai tha se kishte kaluar nëpër “shumë gjëra më dramatike dhe më të këqija” sesa hakerimi dhe “nuk ishte veçanërisht i shqetësuar për këtë”, por “shkaktoi një sasi të madhe përçarjeje”.

    “Ne jemi në një gjendje lufte gri me rusët pa agresion dhe konflikt të hapur”, tha ai.

    “Ata do të bëjnë gjithçka për të minuar infrastrukturën kritike, sigurinë kombëtare dhe për të sulmuar cilindo nga institucionet tona që nuk janë pro-ruse.

  • Avokati serb thotë se Radoiçiqi nuk është objektivi kryesor i Interpolit

    Avokati serb thotë se Radoiçiqi nuk është objektivi kryesor i Interpolit

    Avokati Bozho Preleviq deklaroi se autoritetet në Beograd të udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq nuk duhet ta arrestojnë Milan Radoiçiqin sepse e dinë se ai vetë nuk e ka organizuar konfliktin në Banjskë më 24 shtator.

    Duke komentuar lëshimin e urdhër-arrestit të Interpolit kundër ish-nënkryetarit të Listës Serbe dhe bashkëpunëtorit më të afërt të Vuçiqit për çështjen e Kosovës, Preleviq tha për agjencinë Beta se Radoiçiq mund të jetë një dëshmitar i papërshtatshëm për qeverinë aktuale.

    Sipas tij, për Serbinë do të ishte problem të mos vepronte me urdhër të Interpolit në momentin “kur dihet se kush po e mbron Radoiçiqin në Serbi”.

    “Milan Radoiçiq mbrohet dhe ruhet nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Autoritetet në mënyrë të ngathët dhe të dëmshme për këtë vend u përpoqën të mbroheshin nga ngjarjet në Banjskë duke nisur procedurën kundër Radoiçiqit dhe duke e liruar menjëherë. Shtrohet pyetja se kush është përgjegjës për ngjarjet tragjike në Banjskë, sepse Radoiçiq sigurisht që nuk ka mundur të blejë një sasi të madhe armatimi, pajisje ushtarake, madje edhe një automjet luftarak. Radoiçiqit nuk i kishte shkuar në mendje se për hir të tij do të organizonte një rebelim në veri të Kosovës”, tha Preleviq.

    Ai ka theksuar se Radoiçiq nuk është objektivi kryesor i Interpolit.

    “Autoritetet në Serbi e dinë gjithashtu se Radoiçiq nuk është objektivi kryesor i Interpolit, por ai mund të tregojë objektivin e duhur”. Prandaj në Beograd nuk po bëhet asnjë hetim në lidhje me Banjskën. Nëse prokuroria do të bënte punën e saj, do të përfundonte dëmin kolosal që iu bë interesave serbe në Banjskë. Banjska është pika e kthesës pas së cilës nuk ka më rezistencë në veri të Kosovës”, vlerësoi Preleviq.

    Preleviq shtoi se urdhër-arresti i Interpolit ka edhe një konotacion politik.

    “Sipas Kushtetutës së Serbisë dhe Rezolutës 1244, është e vështirë të kuptohet bashkëpunimi i Serbisë përmes Interpolit me territorin e saj Kosovë, sepse mund të mbështesë njohjen eksplicite të pavarësisë së Kosovës. Në anën tjetër, të gjithë deputetët e Listës Serbe u betuan në parlamentin e Kosovës se do të respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, kështu që para Interpolit integriteti territorial i Serbisë ishte cenuar në mënyrë drastike nga përfaqësuesit e Listës Serbe. Nga pikëpamja politike, veprimi sipas kërkesës së Interpolit do të ishte pranim i shtetit të Serbisë se Kushtetuta e tij nuk vlen në këtë rast”, tha avokati.

    Preleviq beson se autoritetet në Beograd as nuk do ta arrestojnë dhe as nuk do ta dorëzojnë Radoiçiqin tek autoritetet kosovare dhe se Serbia do të përballet me pasoja të rënda për këtë.

    “Nuk mund të flitet për një vend me shtet ligjor në rast të mosrespektimit të urdhrave të Interpolit”. Nuk bëhet fjalë vetëm për arrestimin dhe ekstradimin e mundshëm të Radoiçiqit, por edhe pse procedura kundër tij nuk zhvillohet në Beograd. Një qëndrim i tillë i pushtetit aktual dërgon mesazh se është e mundur të krijohet një grup i armatosur në Serbi, për shkak të të cilit shumë njerëz do të vdesin dhe do të plagosen dhe se kjo nuk do të thotë asgjë për qeverinë. Mosveprimi i prokurorisë në rastin Banjsko tregon se nuk ka qenë ide e Radoiçiqit”, përfundoi Preleviq.

  • ​Basketbollisti i Pejës thyen këmbën

    ​Basketbollisti i Pejës thyen këmbën

    Basketbollisti i KB Pejës Tervell Beck e ka thyer këmbën dhe do të detyrohet që t’i nënshtrohet operacionit.

    Fillimisht ai kishte pësuar lëndim në Holandë në FIBA Europe Cup ndaj Den Boschit në nyjen e këmbës dhe ishte jashtë fushës këto javë, por pas testeve më të avancuara, rezultoi që ai e ka thyer këmbën.

    Klubi verdh e zi ka bërë të ditur se lojtarit do t’i duhen disa muaj për t’u rikuperuar.

  • Reagimi i Valon Sylës pas vendimit për tre sulmuesit e tij: Sot po e di që ka drejtësi

    Reagimi i Valon Sylës pas vendimit për tre sulmuesit e tij: Sot po e di që ka drejtësi

    Gjykata Themelore në Prishtinë të enjten ka dënuar me nga dy vjet burgim tre të akuzuarit për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla.

    Pas këtij vendimi të Gjykatës, ka reaguar gazetari Syla. Ai në një postim në Facebook, ka shkruar se Kosova ka shpresë, kur secili prej nesh e kryen detyrën e vet dhe ka qëllime të vërteta.

    “Shpesh herë kam pa raste dhe jam frikësu se jo kompetenca e institucioneve edhe neve si shoqëri kosovare dhe drejtësisë po e bënë Kosovën vend të pajetueshëm… jo për mua, dhe gjeneratën teme, sepse kemi jetu edhe në kohë ku ska pas drejtësi hiq, dhe je persekutu nga Jugosllavia e Serbia vetëm se je shqiptar, por e kam pas brengën për gjenerata ma të reja dhe me shumë ma pak përvojë.
    Por sot e di që ky vend ka drejtësi, kur e mbron secili prej nesh të drejtën e vet, kur nuk e tregton dhe e ka durimin e forcën ta pres vendimin e drejtësisë të Republikës“- ka shkruar ai.

    “Kosova pra ka shpresë, kur secili prej nesh e kryen detyrën e vet dhe e ka pernime”, ka shkruar Syla.
    Sipas vendimit të Gjykatës, tre të akuzuarve do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak. Ata janë dënuar për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.

    “Të akuzuarve iu është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak, ndërsa obligohen që secili veç e veç të paguajnë të gjitha shpenzimet e procedurës, në emër të paushallit gjyqësorë të paguajnë shumën prej dyqind (200) €, ndërsa shumën prej njëqind (100) € ta paguajnë për Fondin për Kompensimin të Viktimave të Krimit”, thuhet në komunikatën për media.

  • Inspektorati i kryeqytetit me aksion, kontrollon taksitë dhe autobusët që s’respektojnë itinerarin e tyre

    Inspektorati i kryeqytetit me aksion, kontrollon taksitë dhe autobusët që s’respektojnë itinerarin e tyre

    Inspektorati i Kryeqytetit ka ndërmarrë një aksion këtë të enjte për të kontrolluar taksitë e paautorizuar dhe autobusët që nuk respektojnë itinerarin e tyre.

    Kështu është bërë e ditur nga Inspektorati përmes një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook.

    Po ashtu, njoftimit i janë bashkëngjitur edhe disa fotografi ku shihet se aksioni është zhvilluar në afërsi të stacionit të autobusëve në Prishtinë.

    “Inspektorati i Kryeqytetit, përveç aktiviteteve të ndryshme ditore, sot ka vazhduar me aksionin e kontrolleve të taxive të paautorizuar dhe autobusëve që nuk respektojnë itinerarin e tyre dhe qarkullojnë edhe në brendi të kryeqytetit”, ka bërë të ditur Inspektorati.