ATV

Blog

  • Fillon gjykimi ndaj Gavrilo Milosavljeviqit, akuzohet për pjesëmarrje në masakrën e Dubravës

    Fillon gjykimi ndaj Gavrilo Milosavljeviqit, akuzohet për pjesëmarrje në masakrën e Dubravës

    Përgatiti: Nora Luta

    Lista me emrat e të vrarëve në burgun e Dubravës është e gjatë.

    Dhe secili nga 109 të burgosurit që u vranë gjatë një operacioni masiv të forcave serbe në maj të 1999-s, janë përfshirë në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, e cila e ngarkon për krime lufte 65-vjeçarin nga Istogu, Gavrilo Milosavleviç.

    Milosavleviç akuzohet se individualisht dhe në bashkëkryerje me forcat serbe, në cilësinë e zyrtarit, në këtë burg mori pjesë në këto vrasje dhe plagosjen e 108 personave të tjerë.

    Operacioni i forcave serbe kishte zgjatur nga 19 deri më 24 maj të 1999-s. Më 22 maj, në ditën e masakrës rreth 1 mijë të burgosur ishin urdhëruar të dalin te vendi i quajtur “Fusha e Sportit”.

    Sipas organit të akuzës, disa roje kishin shkuar edhe në qelinë ku ishte i vendosur Ukshin Hoti, fati i të cilit ende nuk dihet, duke e fajësuar atë për bombardimet e NATO-s.

    Për veprimet që akuzohet se i kreu para 23 vjetësh, Gavrilo Milosavleviç thotë se nuk ndihet fajtor.

    Mbrojtja e Milosavlevicit, i cili është në paraburgim që nga dhjetori i vitit të kaluar, ka kërkuar një masë alternative, duke shprehur gatishmëri edhe për pagesë për dorëzani.

    Kërkesa e Vasicit është kundërshtuar nga Prokuroria Speciale, e cila ngriti aktakuzë ndaj klientit të tij, në fund të muajit nëntor.

    PSRK-ja është duke hetuar edhe persona të tjerë të dyshuar për përfshirje në masakrën e Dubravës, gjatë së cilës u vranë 160 persona, e mbetën të plagosur më shumë se 300.

  • Fshati Koshare ende nuk ka qendër të mjekësisë familjare

    Fshati Koshare ende nuk ka qendër të mjekësisë familjare

    Përgatiti: Sara Shehu

    Ka mbi 3 mijë banorë, por fshati Koshare në Komunën e Ferizajt ende nuk ka Qendër të Mjekësisë Familjare.

    Planet për ndërtimin e qendrës kishin filluar qysh në vitin 2021, duke u renditur në projektet e Kornizës Afatmesme Buxhetore të Komunës për vitet 2022-2024.

    Megjithatë, drejtori i Shëndetësisë në Ferizaj, Kemajl Emini, thotë se ka arsye përse ndërtimi nuk filloi.

    “Ne kemi projekt për Koshare QMF në investime kapitale për vitin 2024, janë ndarë 50 mijë euro, vonesat në punime kanë qenë për shkak të stafit mjekësor s’ka pasë mjaftueshëm, është destinuar përmes kuvendit komunal edhe prona”, tha Emini.

    Mungesën e qendrës, më së shumti e vuajnë banorët të cilët duhet të udhëtojnë së paku 7 kilometra deri tek QFM-ja më e afërt.

    “Ky fshat ka më shumë se 500 shtëpi dhe mbi 3000 banorë e oshtë koxha problem se për çdo rast që kanë probleme me shëndet po duhet me shku n’qendër me marr e kjo po iu kushton edhe në rrugë shtrenjtë, komuna na ka thane se s’kanë financim edhe staf mjekësor”, tha kryetari i fshatit Koshare, Sadik Qerimi.

    Kritika për situatën në këtë fshat kanë edhe aktivistë të shoqërisë civile. Nëpërmes një përgjigje me shkrim, Mexhit Ramusa, i cili monitoron në vazhdimësi çështjen e investimeve të kujdesit parësor shëndetësor në këtë komunë, thotë se Komuna e Ferizajt, ndër vite, ka mungesë të investimeve, në zhvillimin dhe modernizimin e infrastrukturës shëndetësore.

    Situatë e njëjtë si në Koshare, është edhe në fshatin Rakaj.

  • Gjashtë vjet burgim për tre personat që sulmuan gazetarin Valon Syla

    Gjashtë vjet burgim për tre personat që sulmuan gazetarin Valon Syla

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Në seancë erdhi me vonesë, andaj vendimin e gjykatës ndaj personave që e kishin sulmuar fizikisht, Valon Syla e dëgjoi në këmbë e krejt në fund të sallës.

    Të akuzuarit, vëllezërit Kenan e Okan Hasani dhe Lum Dervishi, që nuk qenë prezent në shpalljen e aktgjykimit, për veprën penale “Lëndim i Lehtë Trupor”, u dënuan me nga dy vjet burgim, duke iu llogaritur koha që kanë qëndruar në paraburgim që nga muaji prill.

    “Lum Dervishi, Kenan Hasani dhe Okan Hasani dënohen me nga 2 vjet burgim efektiv…”, tha kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani.

    Për gazetarin Syla, që paraqitjen në gjykatë si viktimë e sulmit fizik nuk e ka për herë të parë, vendimi u konsiderua i drejtë.

    “Kosova pra ka shpresë, kur secili prej nesh e kryen detyrën e vet dhe e ka përnime”, tha Syla.

    Në seancën e 21 gushtit, tre tashmë të dënuarit, kishin refuzuar të ngrihen në këmbë, duke deklaruar se, sipas tyre, është jashtë rregullave fetare.
    Megjithatë, sipas Valon Sylës, ata kishin ofruar para në këmbim të faljes.
    “Kanë ardhë persona kështu që i kanë çu, demek t’i jepim kaq pare veç me i falë, po natyrisht që kom refuzu…”, tha Syla.

    Sipas dosjes së prokurorisë, më 11 prill rreth orës 23:00 tre personat, të ndikuar nga ideologjitë ekstreme radikale të islamit, kishin sulmuar gazetarin Valon Syla në afërsi të një lokali në lagjen “Bregu i Diellit”.

    Ngjarjes i kishin paraprirë disa postime satirike të gazetarit, lidhur me imamin e një xhamie në Prizren.

  • Gurthemeli iu vendos vitin e kaluar, çerdhja nuk është askund

    Gurthemeli iu vendos vitin e kaluar, çerdhja nuk është askund

    Përgatiti: Arton Hamiti

    I pari që hodhi beton në gurthemel ishte kryeministri Albin Kurti. Nga një lopatë material ndërtimor e hodhën edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

    Por, ka kaluar me shumë se një vit dhe ndërtimi i çerdhes pranë gjimnazit “Eqrem Çabej” në kryeqytet, as që ka filluar.

    Fajet që punimet nuk nisën as pas 400 ditësh nga vendosja e gurthemelit, sipas ministres Arbërie Nagavci, i ka Komuna e Prishtinës. Sipas Nagavcit, edhe pse bëri kërkesë për ndërtimin e çerdhes, Komuna nuk arriti ta sigurojë lejen e ndërtimit.

    Teksa Komuna e Prishtinës nuk ka kthyer përgjigje, televizioni mëson se në kohën e aplikimit për lejen ndërtimore, dokumentacioni nuk ka qenë i kompletuar.
    Ndryshe, çerdhja që planifikohet të ndërtohet në lagjen “Kolovica” kap vlerën e 743 mijë euro.

  • IML-ja ende pa raport zyrtar se çfarë u dogj dy javë më parë

    IML-ja ende pa raport zyrtar se çfarë u dogj dy javë më parë

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Dy javë nga djegia e zyrave, Instituti i Mjekësisë Ligjore ende nuk ka një raport final mbi atë se çfarë është djegur.

    Krejt çka dihet është se dëshmi nuk kishte, por vetëm dokumente të ndryshme.

    “Zjarri ka përfshirë zyrat ku janë dëmtuar dokumente, nuk ka pasur dëshmi nëpër zyra. Janë dëmtuar dokumente që lidhen me autopsinë, ekzaminime, dokumente personale, dokumente të administratës, d.m.th. krejt çka gjendet në zyrën e një mjeku ligjor”, tha u.d. i drejtorit të IML-së, Ditor Haliti.

    Shumica prej tyre edhe mund të kthehen, pasi siç thotë u.d. i drejtorit, Ditor Haliti, janë të ruajtura edhe në mënyrë elektronike.

    “Një pjesë e dokumentacionit ka fotografi, të cilat janë të ruajtura nëpër servera të ndryshëm, të cilat mund t’i nxjerrim përsëri, dhe sigurisht që mjekët një pjesë të dosjeve i kanë të ruajtura edhe nëpër USB apo kompjuterë privatë”, tha Haliti.

    Haliti thotë se ende nuk është vërtetuar nëse mustaqet e Adem Jasharit dhe gishti i Isa Boletinit, kanë qenë brenda zyrave në kohën kur u përfshinë nga zjarri.
    Raport zyrtar nuk ka as mbi shkaktarët e zjarrit, ndonëse dyshimet janë te rryma.

    Detaje shtesë nuk dhanë as nga prokuroria themelore.

    “Ju njoftojmë se rasti gjendet në fazën e grumbullimit të provave, andaj çdo informatë e dhënë në këtë fazë, do të mund ta cenojë integritetin e procedurës”, thuhet në përgjigjen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

    Ndryshe, kjo është hera e dytë që Instituti i Mjekësisë Ligjore përfshihet nga zjarri.

    Në mars të këtij viti, zjarr pati në dhomat ku ruhen provat e vdekjeve të dyshimta, vrasjeve apo rasteve të tjera që janë nën hetim.

  • Kolegji AAB, pjesë e fushatës “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës gjinore”

    Kolegji AAB, pjesë e fushatës “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës gjinore”

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Salla e konferencës mezi i zuri.

    Në kuadër të fushatës 16 ditë të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore, në kolegjin AAB u diskutua rreth rasteve të raportimeve të dhunës, për të cilat u tha se është rritur numri.

    “Siç jemi duke e parë në rastet e fundit, këtu në Kosovë dhe në regjion në gjithashtu kemi parë një ndikim negativ shkatërrues dhe afatgjatë mbi komunitetet ku dhuna po zhvillohet. Kemi parë një ngritje të raportimit të rasteve këtu në Kosovë deri 18 për qind, vitin e kaluar dhe para vitit të kaluar”, tha ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport.

    “Roli i profesionistëve ligjorë i juve si juristë të ardhshëm është vendimtar, pasi që do të jetë instanca e fundit e qasjes në drejtësi për viktimat. Ju ftoj ta luftoni ngacmimin seksual, se ballafaqoheni me të çdo ditë, sepse është një formë e dënueshme”, tha zv.ministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli.

    Duke folur për rëndësinë që kanë organet e rendit, nga rrejti i grave kërkuan trajtim më serioz, për raportimet e dhunës.

    VOX: Adelina Berisha nga RRGK
    “Kemi raste kur për shkak të punës së keqe të prokurorit janë vra gratë, për shkak që gjyqtarit fjala juaj ka një peshë të madhe se fjala juaj do të shpëtojë një jetë ose jo”, tha Adelina Berisha nga RRGK.

    Shumë studentë, profesorë e mysafirë specialë erdhën për të dëgjuar edhe rreth Konventës së Stambollit, pjesë e së cilës është Kosova.

    Ky diskutim, do të shërbej në ngritjen e studentëve për çështjen kaq të ndjeshme, do të ndikojë që punën e tyre nëpër institucione shtetërorë ta bëjnë si duhet në të ardhmen…”, tha Mentor Leci, dekan i Fakultetit Juridik.

    Në kuadër të fushatës ”16 ditët aktivizmit kundër dhunës me baza gjinore” janë organizuar rreth 80 aktivitete.

  • Lansohet masa e punësimit për gratë e mbijetuara nga dhuna

    Lansohet masa e punësimit për gratë e mbijetuara nga dhuna

    Gratë e mbijetuara nga dhuna do të ndihmohen me masa të veçanta për punësim.

    Nëpërmjet masës së punësimit të prezantuar nga Qeveria, 70 për qind e pagës së tyre për gjashtë muaj do të subvencionohet.

    “Ajo çfarë duhet të bëjnë është të drejtohen në Zyrën e Punësimit në komunën e tyre përkatëse. Pas regjistrimit, këshilltarët e punësimit do të sigurohen se ato ndërmjetësohen në biznese të regjistruara, të cilat ofrojnë pozitat të lira të punës”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    Pavarësimi ekonomik, sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, mund të ndikojë që të dhunuarat të mos heshtin më.

    “Sfida më e madhe e tyre është mungesa e një vendi të punës sikurse edhe e strehimit. Dhe sot lansohet masa për punësimin e të mbijetuarave të dhunës, ndërsa ne urojmë shumë shpejt që Gjykata Kushtetuese të japë vendimin edhe për Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme”, tha Haxhiu.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se identiteti i grave që aplikojnë, do të ruhet me konfidencialitet të plotë.

    “Përmes një procesi të mirë dizajnuar, që ka marrë kohë derisa e kemi gjetur atë mënyrën se si ta ruajmë edhe konfidencialitetin, por edhe identitetin e këtyre grave duke e ditur që biznese të caktuara, apo pjesëtarë të tjerë të shoqërisë nëse e kuptojnë që kemi të bëjmë me një grua, e cila është viktimë e dhunës në familje, mund të ketë pra edhe më tej raste ku mund të ketë keqtrajtim apo abuzim, apo sjellje ndoshta që nuk do të bëhej në një rast tjetër”, tha Murati.

    Lansimi i kësaj mase është bërë në kuadër të “16 Ditëve të Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”. /atvlive.tv

  • Mbahet takimi i parë i Institutit për Dokumentimin e Krimeve të Luftës

    Mbahet takimi i parë i Institutit për Dokumentimin e Krimeve të Luftës

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Tash e një muaj është emëruar drejtor ekzekutiv i Institutit për Krime Lufte. Në deklarimin e tij të parë, Atdhe Hetemi tha se ky Institut ka për mision mbledhjen, arkivimin, hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës.

    Hetemi, bashkë me kryeministrin Albin Kurti, pjesëtarë të organizatave joqeveritare e zyrtarë të tjerë, morën pjesë në takimin e parë zyrtar të hapur lidhur me Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës, që pritet të funksionalizohet shpejt.

    I pari i ekzekutivit i cili tha se puna e këtij Instituti nuk është fare e lehtë, por, sipas tij, krimet e luftës do të dokumentohen dhe adresohen.

    Sipas tij, 24 vjet pas luftës, Kosova ende nuk e di dëmin ekonomik, emocional dhe psikologjik që ia ka shkaktuar lufta.

    Diskutimin rreth institutit e mirëpresin edhe në Fondin për të Drejtën Humanitare, organizatë kjo e pavarur, e cila i dokumenton krimet e luftës tash e më shumë se 20 vjet.

    Dokumentimin e krimeve të luftës, Instituti i rithemeluar do ta bëjë nga aspekti historik, ushtarak, ekonomik, juridik, ekologjik, kulturor, mjekoligjor dhe sociologjik dhe do ta krijojë fondin arkivor, si dhe përgatitjen e të dhënave statistikore.

  • Nenad Rasiq: Interpol i lëshon fletarrest për Milan Radojiçiqin

    Nenad Rasiq: Interpol i lëshon fletarrest për Milan Radojiçiqin

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Ministri për Komunitete, Nenad Rasiq, njoftoi për mediat në vend se INTERPOL-i ka lëshuar urdhër arrest për Milan Radojiçiqin.

    Ai tha se njoftimi është lëshuar pas kërkesë së Kosovës, përmes UNMIK-ut.
    Por, Prokuroria, Policia, Ministria e Punëve të Brendshme, misioni i OKB-së në Kosovë dhe INTERPOL-i, zyrtarisht, nuk konfirmuan këtë informacion.

    Me arsyetimin se nuk komentojnë individët, Organizata Ndërkombëtare Policisë – INTERPOL sqaroi se nuk lëshon flet-arreste, por “njoftime të kuqe”.

    Deri në publikimin e kronikës, Milan Radojçiq nuk ishte në këtë listë publike të INTERPOL-it.

    Zyrtarisht, “Njoftimi i kuq” është alarm për të arrestuar përkohësisht persona të kërkuar për ekstradim, dorëzim ose veprime të njëanshme ligjore.

    “Njoftimi i kuq” iu referohet personave të kërkuar nga një shtet ose nga tribunali ndërkombëtar, por jo nga INTERPOL-i dhe nuk është fletë-arrest tipik.
    Pasi tregoi se njoftimi i kuq ndryshe njihet si fletë-rreshtim i kuq, profesori Fatmir Çollaku, sqaroi se ai është një instrument nënkupton gatishmërinë për të arrestuar personin nëse ai haset në vendkalime apo shtete të ndryshme.

    “Për shembull fletë-rreshtimi i gjelbër, fletë-rreshtimet tjera, janë krejtësisht për faza tjera, në kuptimin e identifikimit të kryerësve të mundshëm të veprave penale për të cilët ekziston dyshimi i bazuar. Kurse në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me dyshim, sepse bëhet fjalë për fletë-rreshtimin e kuq, që veç janë konsumuar nivelet e dyshimit, sepse personi në fjalë, i dyshuari e ka marrë përsipër atë vepër dhe nuk ka më asgjë tjetër pos arrestimit të tij”, tha profesori Çollaku.

    Edhe pse vlerësoi se fletë-rreshtimi ia kufizon lirinë e lëvizjes Radojçiqit, profesori përmendi rolin e kufizuar të Kosovës për të sjellë atë para drejtësisë.

    “Çka mund të bëjë Kosova këtu? Asgjë nuk mund të bëjë Kosova, sepse në Serbi nuk ka ingirenca, Kosova nuk është anëtare e INTERPOL-it. Por, është një solidarizim, është një gatishmëri e institucioneve ndërkombëtare që të jenë në frekuenca dhe në favor të sundimit të ligjit dhe luftimit të kriminalitetit”, tha Çollaku.

    Milan Radojçiq mori përgjegjësinë për përgatitjen edhe udhëheqjen e sulmit terrorist-paramilitar më 24 Shtator, në Banjskë, në të cilin mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, heroi Afrim Bunjaku. Pas sulmit, Radojçiq u strehua në Serbi.

  • Danimarka miraton ligjin që ndalon djegien e Kuranit

    Danimarka miraton ligjin që ndalon djegien e Kuranit

    Parlamenti i Danimarkës e ka ndaluar “trajtimin joadekuat” të teksteve fetare – projektligj që në këtë shtet njihet si ligji për Kuranin.
    Shkelësit tani përballen me gjoba apo burgim prej dy vjetëve.
    Projektligji është miratuar me 94 vota për dhe 77 kundër.
    Dokumenti është miratuar pas një serie të djegieve të librit të shenjtë në Islam, veprime që kanë nxitur tensionet në shtetet myslimane.
    Danimarka dhe Suedia fqinje, kanë regjistruar së fundi disa protesta, për shkak të këtyre incidenteve, çka ka rritur shqetësimet për sigurinë në Skandinavi.
    Përgjatë debatit të së enjtes në parlament, shumë deputetë të opozitës janë deklaruar kundër projektligjit.
    “Historia do të na gjykojë ashpër për këtë gjë, dhe me arsye… në fund do të ketë rëndësi nëse kufizimet në liri të shprehjes janë të përcaktuara prej nesh, apo nëse janë të diktuara prej jashtë”, ka thënë Inger Stojberg, lidere e demokratëve të Danimarkës.

    Mirëpo, koalicioni qeveritar i qendrës së djathtë, i kryeministres Mette Frederiksen, ka thënë se kritikat ndaj fesë do të jenë ligjore, pasi ligji do të ketë vetëm ndikim margjinal.

    Në fund të gushtit, kur Qeveria i ka propozuar ndryshimet, ka thënë se dëshiron të dërgojë sinjal te bota.

    Edhe Qeveria në Stokholm ka thënë se është duke shqyrtuar projektligj të ngjashëm.

    Si Danimarka, ashtu edhe Suedia, i kanë shfuqizuar që një kohë ligjet për blasfeminë./REL