ATV

Blog

  • 116 të arrestuar në Shqipëri për lojërat e fatit

    116 të arrestuar në Shqipëri për lojërat e fatit

    Këto janë pamjet nga megaoperacioni i policisë i shtrirë në të gjithë vendin kundër lojërave të fatit i cili ka çuar në pranga 116 persona.

    Aksioni policisë është zhvilluar me dy faza, ku krahas sendeve të nevojshme për organizimin e lojërave të fatit janë sekuestruar dhe kanabis, armë zjarri dhe municione luftarak.

    Për operacionin reagoi dhe ministri i brendshëm, Taulant Balla i cili përmes një postimi përgëzoi punën e policisë.

    Sipas tij kjo ishte një goditje dhe për grupet kriminale, pasi për ministrin Balla organizimi i paligjshëm i lojërave të fatit ka qenë dhe mbetet një burim financimi për elementët kriminal.

  • KEK-u reagon ndaj KEDS-it dhe KESCO-s: Po fajësoni për përgjegjësitë e juaja

    KEK-u reagon ndaj KEDS-it dhe KESCO-s: Po fajësoni për përgjegjësitë e juaja

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), të enjten ka marrë me shqetësim lajmin për çështjet e adresuara nga Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim (KEDS) dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), përmes njoftimit në mjetet e informimit, në lidhje me obligimet kontraktuale ndërmjet palëve dhe KEK-ut.

    Lidhur me këtë çështje, KEK ka bërë me dije se kjo kompani sipas marrëveshjes për furnizim me shumicë krijon obligim kontraktual, përkatësisht të nominojë (deklarojë), siç thuhet vetëm njësitë gjeneruese që ka në dispozicion në baza ditore dhe atë një ditë para.

    “Tutje, për hirë të korrektësisë dhe qartësimit të opinionit, KEK rithekson se bazuar në kushtet e licencave të gjenerimit, obligimi i KEK-ut mbetet vetëm prodhimi i energjisë elektrike, ndërsa obligimi i KESCO është FURNIZIMI i konsumatorëve me energji elektrike. Andaj, konsiderojmë se adresimi i KESCO dhe KEDS përmes mjeteve të informimit përveç se nuk ka pasqyruar gjendjen reale, ka shkaktuar edhe huti në opinion”, thuhet në reagim.

    Më tej thuhet se, KEK-u në vazhdimësi dhe me përkushtim është duke bërë përpjekje për të përmbushur planin e prodhimit të cilin e ka deklaruar paraprakisht edhe pse në përditshmëri hasim në vështirësi të shumta për shkak të vjetërsisë së njësive gjeneruese.

    “Në rrethana të tilla vazhdimisht i mbajmë të informuar palët përkatëse për çdo ndryshim që identifikohet gjatë operimit me njësitë gjeneruese. Kjo për arsye se është në interesin e KEK-ut që përveç kontributit në sigurinë e furnizimit me energji elektrike, gjithashtu edhe në sigurimin e të hyrave nga shitja e energjisë elektrike për të përmbushur buxhetin e planifikuar”, thuhet në fund të reagimit.

    Ndërkaq, gjatë ditës KEDS dhe KESCO përmes një njoftimi për media kanë njoftuar se po importojnë energji elektrike mbi 1 milion euro në ditë.

    Në komunikatën e KEDS dhe KESCO, thuhet se gjatë këtyre ditëve, me ftohjen e temperaturave është rritur edhe konsumi i energjisë elektrike.

    “Fatkeqësisht, paralel me këtë ka ndodh edhe reduktimi i prodhimit vendor”, thuhet në njoftim.

    Më tej thuhet po ashtu se “Për ta mbuluar këtë gep, pra sasinë e munguar në mes të prodhimit dhe kërkesës, KEDS dhe KESCO po detyrohen të blejnë energji elektrike në vlerë mbi 1 milion euro në ditë. Në aspektin sasior të dy kompanitë bashkërisht po importojnë mbi 7500 megavat brenda 24 orëve ose deri në 400 megavat në orë”, thuhet në komunikatë.

    Po ashtu sipas KEDS dhe KESCO kjo po ndodh pasi kërkesa ka arritur në mbi 1100 megavat në orë, ndërsa prodhimi vendor nuk mund të tejkalojë më tepër se 700 megavat në orë.

    “Pra, po importohet në kohë piku mbi 35 për qind e energjisë elektrike që konsumohet nga konsumatorët”, thuhet në njoftim.

  • ​Dokumentimi i krimeve të luftës, Kurti tregon rrezikun që po i kanoset vendit

    ​Dokumentimi i krimeve të luftës, Kurti tregon rrezikun që po i kanoset vendit

    Është mbajtur takimi i parë zyrtar i Institutit për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. I njëjti u tha se qëllim primar do të ketë ballafaqimin me të kaluarën dhe verifikimin, dokumentimin, arkivimin dhe hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

    Kryeministri Albin Kurti, tha se paqja kërkon drejtësi dhe rehabilitim. Sipas tij, në Kosovë ende nuk ka ndodhur asnjëra dhe viktimat e luftës i meritojnë që të dyja.

    “Qëllimi i të gjithë neve është i përbashkët, krijimi i kujtesës kolektive e cila nuk do të na shërbejë vetëm neve, por të gjitha gjeneratave që do të vijnë pas nesh. Historia është e mbushur me mësime të dhimbshme, por mbase pjesa më e rëndësishme për t’u mbajtur në mend është se paqja kërkon drejtësi por edhe rehabilitim. Në Kosovë nuk ka ndodhur asnjëra dhe viktimat e luftës i meritojnë që të dyja”, tha Kurti.

    Në anën tjetër, drejtori i Institutit për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, tregoi objektivat kryesore për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

    Ai tha se ka arritur marrëveshje edhe me Agjencinë Shtetërore të Arkivave për thellim të bashkëpunimit dhe për arkivimin digjital.

    “(Instituti) Ka për mision mbledhjen, arkivimin, hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Instituti do të punojë në shërbim të paqes dje drejtësisë, andaj do të sigurohet që krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë të mos kalohen pa u dokumentuar. Kjo është detyra e institutit karshi viktimave dhe shoqërisë në përgjithësi. Për të realizuar këtë mision, Instituti do të bashkëpunojë ngushtë me institucione dhe organizata lokale dhe ndërkombëtare që kanë rol në dokumentin dhe hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës. Misioni është që të kontribuoj ndjeshëm në krijimin e një shoqërie të ndërgjegjshme që themelin e paqes e ka të bazuar mbi vlerat e drejtësisë dhe përgjegjësisë për krimet e kryera gjatë luftës. Një shoqëri të vendosur drejt një të ardhme të ndritur, pasi pasojat për krimet e luftës janë të njohura dhe përgjegjësitë për to janë dënuar në përputhje me ligjin. Kjo rrugë siguron fuqizimin e mëtejmë të Kosovës si shtet demokratik”, theksoi Hetemi.

    Megjithatë, kryeministri Albin Kurti tha se do të jetë e vështirë për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, pasi, sipas tij, njerëzit janë të lodhur, viktimat kanë humbur besimin në sistem dhe se gjeneratat po vdesin përditë dhe kështu po humbet kujtesa parësore e luftës.

    “Askush nuk duhet dhe nuk mund të pretendojë se lehtësisht mund të arrijmë të zgjidhim krejt problemet që janë shkaktuar që 24 vite. Do të jetë e vështirë, shumë e vështirë. Njerëzit janë të lodhur, viktimat kanë humbur besimin në sistem, gjeneratat po vdesin përditë dhe kështu po humbet kujtesa parësore e luftës. Ky është një rrezik i madh që na kanoset dhe të cilën nuk guxojmë të lejojmë të ndodh. Duhet të sigurohemi që të bëjmë më të mirën që mundemi që të adresojmë të gjithë atë çka ka ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë”, tha Kurti.

    Pas fjalimeve kryesore, ky takim vazhdoi i mbyllur për medie, ku të pranishëm ishin edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku dhe përfaqësues të tjerë.

    Kryeministri Albin Kurti së fundmi e ka emëruar drejtor të Institutit për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, Atdhe Hetemin.

  • ​Itali, prodhimi industrial bie 0.2% në muajin tetor

    ​Itali, prodhimi industrial bie 0.2% në muajin tetor

    Instituti Kombëtar Italian i Statistikave – Istat tha të enjten se indeksi i tij i prodhimit industrial i rregulluar sezonalisht ra me 0.2% në tetor dhe 1.1% në krahasim me tetorin e vitit 2022.

    Në tre mujorin gusht-tetor, niveli i prodhimit ra me 0.2% krahasuar me tremujorin e mëparshëm, shtoi agjencia e statistikave.

    Në 10 muajt e parë të vitit 2023, prodhimi industrial ra me 2.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, me një rënie prej 3.5% për mallrat e konsumit. /ANSA/.

  • ​Më shumë se 12,000 të vrarë në konfliktin sudanez

    ​Më shumë se 12,000 të vrarë në konfliktin sudanez

    Më shumë se 12,000 njerëz janë vrarë në Sudanin e shkatërruar nga lufta që nga prilli, tha të enjten zyra e OKB-së për çështjet humanitare.

    Vdekjet përfshijnë “1,300 njerëz që u vranë midis 28 tetorit dhe 24 nëntorit”, tha në një deklaratë Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA).

    Konflikti ka bërë që rreth 6.6 milionë sudanezë të largohen nga shtëpitë e tyre, me fëmijët që përfaqësojnë rreth gjysmën e njerëzve të zhvendosur në vend, tha zyra e OKB-së.

    “Sudani tani është vendi me numrin më të madh të njerëzve të zhvendosur dhe krizën më të madhe të zhvendosjes së fëmijëve në botë”, sipas OKB-së.

    Sudani është përfshirë nga luftimet midis ushtrisë, të udhëhequr nga gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, kreu i Këshillit Sovran qeverisës të vendit, dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë paraushtarake që nga prilli.

    Disa marrëveshje armëpushimi të ndërmjetësuara nga ndërmjetësit sauditë dhe amerikanë nuk kanë arritur t’i japin fund dhunës./AA/

  • Hill: Modeli i Vishegradit i duhet Ballkanit Perëndimor

    Hill: Modeli i Vishegradit i duhet Ballkanit Perëndimor

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, në forumin BE-Ballkan Perëndimor të organizuar sot në Bruksel ka folur për procesin e zgjerimit dhe për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.

    Hill ka folur për problemet që shtetet e rajonit kanë mes vete, dhe ka thënë se shembulli që mund të kryejë punë për këto vende që të ecin drejt BE-së është modeli i vendeve të asaj që njihej si Vishegrad, e ku bëjnë pjesë Republika Çeke, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia.

    Ambasadori amerikan ka thënë se këto shtete kishin vendosur t’i linin dallimet anash dhe të ecnin bashkë drejt integrimit.

    “Çfarë bënë këto vende. Bënë diçka historike. Duke mos thënë na merni neve të parët, s’duhet të jemi në një garë të tillë, se duhet të tregojmë disa korniza bashkëpunimi dhe do të ecim bashkë përpara”, ka thënë Hill, duke thënë se ky bashkëpunim duhet të vendoset dhe se s’vjen në mënyrë natyrale.

  • Tomislav Radovanoviq emërohet ushtrues detyre i drejtorit të BIA-s serbe

    Tomislav Radovanoviq emërohet ushtrues detyre i drejtorit të BIA-s serbe

    omislav Radovanoviq, ish-shefi i Shërbimit për Metodat Speciale Hetimore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, u emërua ushtrues detyre i drejtorit të BIA-s (shërbimi informativ serb), raportojnë mediat serbe.

    Ish-drejtori i BIA-s, Aleksandar Vulin, ka dhënë dorëheqje nga ajo pozitë.

  • Flet nëna e Vanjës: Nuk mund ta kuptoj pse vajza ime e bukur është në varr

    Flet nëna e Vanjës: Nuk mund ta kuptoj pse vajza ime e bukur është në varr

    Nëna e Vanja Gjorçevskës, e vrarë në atarin e fshatit Brazda, Zorica pas vrasjes së vajzës për herë të parë ka dhënë deklaratë për gazetën serbe “Republika”.

    “Është e pakuptueshme për mua pse vajza ime e vogël e bukur është në varr. Kam një sëmundje kronike, por po mbahem. Për mua është e rëndësishme vetëm të zbuloj të vërtetën. Vajza tjetër është e sëmurë, të gjithë shpresojmë të jetë mirë. Nuk di asgjë, e gjithë kjo për mua me duket si joreale. Ne ishim të divorcuar prej pesë vitesh dhe nuk e di se çfarë po bënte ai dhe me kë. Ne kishim marrëdhënie të mira për shkak të fëmijëve, nuk ishim të grindur për kujdestarinë, edukimin. Ai mund t’i shihte vajzat kur të donte ose kur të donin fëmijët. Nuk më interesonte jeta e tij. Jeta ime ishin fëmijët dhe puna ime. Ai ishte lënë i qetë , për të më lënë mua të qetë”, ka thënë nëna e Vanja Gjorçevskës, Zorica.

  • Bastisen dy objekte banimi të personit të dyshuar për ‘trafikim me narkotikë’ në nivel ndërkombëtar

    Bastisen dy objekte banimi të personit të dyshuar për ‘trafikim me narkotikë’ në nivel ndërkombëtar

    Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, me shtetin e Gjermanisë dhe atë të Shqipërisë, kanë realizuar një operacion policor në rajonin e Pejës.

    Në këtë operacion policor kanë qenë të angazhuara njësite të ndryshme policore, të cilat kanë kryer kontrolle në dy lokacione, banesë dhe shtëpi banimi të personit të dyshuar (P. D.), i cili me datën 22/11/2023 ishte arrestuar nga Policia e Republikës së Shqipërisë si i dyshuar për vepra penale të trafikimit me narkotikë në nivel ndërkombëtar.

    Gjatë këtij operacioni policor janë sekuestruar prova materiale që ndërlidhen me veprën penale të potencuar, ku të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

  • Kurti: Krimet e luftës do të dokumentohen dhe adresohen

    Kurti: Krimet e luftës do të dokumentohen dhe adresohen

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se paqja kërkon drejtësi dhe rehabilitim për krimet e luftës.

    Në takimin e parë zyrtar të Institutit për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, Kurti nënvizoi se krimet e luftës do të dokumentohen dhe adresohen.

    Këtë gjë e tha edhe drejtori i Institutit, Atdhe Hetemi, i cili premtoi ballafaqimin me të kaluarën dhe sigurimin që krimet e luftës mos të kalojnë pa u dokumentuar.