ATV

Blog

  • ​Kërcënoi personin zyrtar në rrjetet sociale, arrestohet

    ​Kërcënoi personin zyrtar në rrjetet sociale, arrestohet

    Një person është arrestuar dje në Pejë nën dyshimin se i njëjti në rrjetet sociale i ka dërguar mesazhe me përmbajtje kërcënuese viktimës mashkull kosovar.

    Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

  • Gjashtë persona arrestohen në Lipjan, u rrahën mes vete

    Gjashtë persona arrestohen në Lipjan, u rrahën mes vete

    Gjashtë persona janë arrestuar në Lipjan, pasi të njëjtit pas një mosmarrëveshja janë rrahur mes vete, teksa njëri prej tyre ka pranuar tretman mjekësor.

    Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, njëri prej tyre ka pranuar tretman mjekësor.

    Rasti ka ndodhur gjatë pasdites së të enjtes.

    “Si provë materiale lidhur me rastin është konfiskuar një thikë (brisk), ndërsa të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit dy prej tyre janë dërguar në mbajtje ndërsa katër të tjerët janë liruar”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

  • Zveçani pajiset me veturë për transport të vaksinave dhe vizitave në shtëpi

    Zveçani pajiset me veturë për transport të vaksinave dhe vizitave në shtëpi

    Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se Komuna e Zveçanit tashmë është pajisur me veturë për transport të vaksinave dhe vizitave në shtëpi.

    Në njoftimin e MSh-së thuhet se mes tyre është nënshkruar marrëveshja për veturën e siguruar për zinxhirin e ftohtë dhe për realizimin e vizitave në shtëpi.

    “Në zbatim të Programit për vizitat në shtëpi dhe Planit të veprimi për vizitat në shtëpi, Ministria e Shëndetësisë dhe Komuna e Zveçanit nënshkruan marrëveshjen për veturën e siguruar për zinxhirin e ftohtë dhe për realizimin e vizitave në shtëpi”, ka njoftuar ministria e Shëndetësisë.

    Tutje në njoftim thuhet se ministria e Shëndetësisë për komunat në nivel vendi, përmes huamarrjes së Bankës Botërore ka siguruara 23 vetura në vlerë prej 782 mijë euro, me qëllim të lehtësimit të punës për realizimin e vizitave në shtëpi për shëndetin e nënës dhe fëmijës, kujdesin paliativ, si dhe në mënyrë të veçantë procesin e vaksinimit.

  • Miftaraj: Nëse Radoiçiqi udhëton jashtë Serbisë do të arrestohet e ekstradohet në Kosovë

    Miftaraj: Nëse Radoiçiqi udhëton jashtë Serbisë do të arrestohet e ekstradohet në Kosovë

    Drejtori i Instituti të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka thënë se nëse ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, ndaj të cilit INTERPOL-i ka lëshuar fletarrest ndërkombëtar në lidhje me sulmin e 214-shtatorit në Banjskë të Zveçanit, guxon të udhëtojë jashtë Serbisë, atëherë në parim ai do të arrestohet dhe do të nisin procedurat për ekstradimin e tij në Kosovë.

    “Tash nëse Radojçiq guxon e udhëton jashtë Serbisë, i njëjti në bazë të fletarrestit të lëshuar nga UNMIK-u në emër të Kosovës, në parim do të arrestohet në atë shtet, dhe do të fillojnë procedurat e ekstradimit në Kosovë”, ka shkruar Miftaraj në Facebook.

    Sipas tij fletarresti ndaj Radoiçiqit dhe 20 anëtarëve të grupit të uniformuar serb, që kryen sulmin terrorist në Banjskë, është i Republikës së Kosovës.

    “Fletarresti ndërkombëtar ndaj Radojçiqit dhe të tjerëve është iniciuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. Fletarresti i lëshuar është i Republikës së Kosovës. UNMIK-u vetëm e vendos në sistemin e INTERPOL-it, sikurse vendos dhjetëra fletarreste të tilla brenda vitit sipas kërkesave të autoriteteve gjyqësore të Republikës së Kosovës. Në lëshimin e këtij fletarresti s’ka dorë asnjë shtet tjetër përveç Republikës së Kosovës, sepse s’kanë as drejtë, as autoritet e as mundësi që të bëjnë një të tillë”, ka shkruar Miftaraj.

    Sipas tij, fletarresti i lëshuar s’ka lidhje e as nuk mund të ketë lidhje me ndonjë masë ndaj Serbisë nga BE-ja.

  • Bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë dhe kushtet për integrimet evropiane

    Bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë dhe kushtet për integrimet evropiane

    I dërguari evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha të enjten në Bruksel se ka përparim në procesin e zbatimit të disa marrëveshjeve të arritura në bisedime, duke nënvizuar se pa normalizimin e marrëdhënieve asnjëra palë nuk mund të përparojë në rrugën evropiane.

    Ai i bëri këto komente gjatë një debati mbi zgjerimin e bllokut evropian të organizatës joqeveritare “Miqtë e Evropës“, në të cilin u tha se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi është me rëndësi strategjike.

    “Pa këtë normalizim nuk mundemi as të ëndërrojmë të ardhmen evropiane. Kemi përparim kohëve të fundit në këtë drejtim. Së shpejti do ta mbyllim dosjen e energjisë, ka progres në çështjen e targave, në çështjen e personave të pagjetur, në çështjen e zgjedhjeve lokale në veri dhe në zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve”, tha Lajçak, duke iu referuar marrëveshjes së arritur me 27 shkurt në Bruksel dhe pajtimit me 18 mars në Ohër për rrugët e zbatimit të saj.

    Javën që vjen Bashkimi Evropian pritet të debatojë politikat e zgjerimit dhe në kuadër të diskutimeve pritet miratimi i përfundimeve që është paralajmëruar se do të përfshijnë kërkesën që Komisioni Evropian ta bëjë marrëveshjen e Ohrit pjesë të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në bllok, përkatësisht të kapitullit 35 të negociatave.

    Përfundimet pritet të miratohen nga ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare në një takim më 12 dhjetor dhe më pas nga Këshilli Evropian, në një takim të udhëheqësve që do të zhvillojë punimet me 14 dhe 15 dhjetor.

    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të mërkurën se ka mundësi që Marrëveshja e Ohrit të bëhet pjesë e negociatave për anëtarësim.

    Marrëveshja kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

    Por, presidenti serb Vuçiq, ritheksoi se për Serbinë është e papranueshme që Kosova “të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara”.

    “Jam takuar me francezët, gjermanët, italianët, të gjithë evropianët, amerikanët, për këtë gjë. Të gjithë e dinë këtë”, tha presidenti serb në një intervistë për revistën e përjashtme serbe, NIN. Sipas tij, nëse të gjitha pikat e marrëveshjes përfshihen në përfundimet e bllokut “dyert e BE-së për Serbinë do të mbyllen”.

    Që nga fillimi i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi në vitin 2011, perëndimi e ka theksuar se ky është kusht për integrimet evropiane.

    Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin fuqishëm bisedimet e lehtësuara nga BE-ja si e vetmja rrugë për të arritur një marrëdhënie paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    “Për këtë arsye, ne përsërisim thirrjet tona për qeveritë e Kosovës dhe Serbisë që të bëjnë përparim konkret në angazhimet që kanë marrë në kuadër të marrëveshjes së normalizimit dhe presim që të dyja vendet të zbatojnë plotësisht të gjitha detyrimet e tyre sipas Marrëveshjes Themelore dhe aneksit të zbatimit të saj”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të DASH-it në të cilën ritheksohet përkushtimi i Shteteve të Bashkuara për të mbështetur Serbinë, Kosovën dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për të përmbushur aspiratat e tyre për integrim evropian dhe anëtarësim në institucionet euroatlantike.

    Por marrëveshja e Ohrit nuk i uli tensionet ndërmjet palëve, të cilat u përkeqësuan në fund të shtatorit pas një sulmi mbi policinë e Kosovës nga një grup serbësh të armatosur, ku mbeti i vrarë një oficer policie.

    Në projektin e përfundimeve të takimit të vendeve anëtare të BE-së i kërkohet Serbisë vënia para drejtësisë e autorëve të sulmit të 24 shtatorit, përgjegjësinë për të cilin e mori përsipër Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Serbisë. Beogradi, e ka mohuar deri tani çdo lidhje me sulmin.

    Ministri për Komunitete dhe Kthim në qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, tha të enjten se emri i Milan Radoiçiqit është në listën e të kërkuarve nga Policia Ndërkombëtare (Interpol). Kërkesa sipas tij është bërë nëpërmjet Misionit të Kombeve të Bashkuara, meqë Kosova nuk është pjesë e Interpolit për shkak të kundërshtimit të pavarësisë së saj nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.

    Ngjarjet e 24 shtatorit u pasuan nga shtimi i pranisë së forcave paqeruajtëse në Kosovës, por edhe një shtim përpjekjesh perëndimore për t’i nxitur palët të përshpejtojnë normalizimin e marrëdhënieve, mes shqetësimeve se Rusia mund të përpiqet të nxisë konflikt në Ballkan, për të shmangur vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë.

    Udhëheqësit më të lartë evropianë i kërkuan më 26 tetor Kosovës të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, ndërsa Serbisë që të njohë de-facto shtetësinë e Kosovës.

    Ata u thanë të dyja palëve se në mungesë të përparimit për normalizimin e marrëdhënieve, rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në radhë të parë integrimet evropiane.

    Serbia i ka shpallur këto integrime synim të saj, por ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, në radhë të parë për shkak të mbështetjes së pretendimeve serbe ndaj Kosovës nga ana e Kremlinit.

    Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha të enjten në Bruksel se Bashkimi Evropian duhet të dëshmojë se kësaj radhe mundësia për integrim është reale, ndërsa nënvizoi se Serbia po bën shumë në procesin e reformave sikur edhe në ndihmën e saj për Ukrainën.

    “Serbia po bën shumë për Ukrainën, por ju lutem të mos e bëni të madhe këtë, sepse nuk do të ishte në interes të të gjithëve në Serbi“, tha ambasadori Hill, pa dhënë më shumë hollësi për çfarë ndihme bëhet fjalë. /voa

  • Një i arrestuar në Pejë, Policia i konfiskohen 51 qese me marihuanë

    Një i arrestuar në Pejë, Policia i konfiskohen 51 qese me marihuanë

    Një person është arrestuar në Pejë, pasi që gjatë kontrollit në trup i janë gjetur dhe konfiskuar 11 qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, ndërsa gjatë kontrollit në shtëpi i janë gjetur 41 qese të vogla najloni me të njëjtën substancë, gjithësej në peshë 46.1 gram.

    Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • LDK mban konferencë për media

    LDK mban konferencë për media

    Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) sot do të mbajë konferencë për media.

    Sipas një komunikate për media, konferenca do të mbahet në ora 11:00 në selinë qendrore të LDK-së.

    “Nesër (e premte), më datë 8 dhjetor 2023, në orën 11:00, Lidhja Demokratike e Kosovës mban konferencë për medie. Konferenca mbahet në selinë qendrore të LDK-së. “, thuhet në komunikatë.

  • Haliti: Nuk është kompetencë e Presidentes t’i ftojë partitë në takim për draft-statutin e Asociacionit

    Haliti: Nuk është kompetencë e Presidentes t’i ftojë partitë në takim për draft-statutin e Asociacionit

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, të mërkurën ka thënë se do t’i ftojë për takim partitë opozitare që të diskutojë në lidhje me draft-statusin e Asociacionit.

    Ajo tha se me subjektet do të diskutoj në lidhje me komentet dhe vlerësimet sa i përket këtij drafti dhe se të gjitha ato komente të inkorporohen në përmirësimin e këtij drafti.

    Mirëpo sipas një deputeti të PDK-së, nuk i takon Presidentes ta bëjë një ftesë të tillë.

    Xhavit Haliti për Front Online ka thënë që çështja e draft-statutit të Asociacionit duhet të diskutohet në Parlament.

    Ai thotë që vendimet duhet të merren nga institucionet, e jo nga liderët.

    “Mendoj që nuk është kompetencë e Presidentes për të diskutuar për këtë çështje, mendoj që këto çështje duhet të diskutohen në parlament, të diskutohen në komisione përkatëse dhe s’ka nevojë askush që njëri tjetrin me marr me të mirë. Është obligim kushtetues që të diskutohet secili variant në mënyrë transparente dhe të merren vendime jo nga liderët, por nga institucionet”, deklaroi ai

    Para një jave, Bashkimi Evropian u ka dorëzuar partive politike opozitare zyrtarisht draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Atë propozim e ka parë edhe deputeti Xhavit Haliti.

    Ai për Front Online ka thënë që duhet të veprohet për interesin e përgjithshëm, dhe se takimi i paralajmëruar nga Presidentja, nuk mund të merren vendime për hatër të saj.

    “Draftin e kam pa, jam dakord që të veprohet në përputhje me kërkesat që janë permanente që Asociacioni të mos ketë kompetenca ekzekutive, të tjerat diskutohen gjatë dialogut dhe vendoset kur pjekën kushtet. Unë nuk besoj që ka me ju tregu diçka më shumë se sa e dinë të gjithë ata, dhe nuk e besoj që pse po i fton Presidentja në takim, mund të merren vendime për hatër të presidentes. Këto çështje janë çështje të interesit të përgjithshëm, dhe në përputhje me atë, duhet të veprojë qeveria, parlamenti dhe Presidentja si noterë mund t’i nënshkruaj materialet që i takojnë asaj”, deklaroi ai

    Deputeti u pyet nëse ka vend për kritika në draft-statutin e Asociacionit.

    Haliti tha se duhet të plotësohen dëshirat e të dyja palëve.

    “Sigurisht ka në disa çështje por unë jam ithtar i asaj që në marrëveshje në këto raste nuk mund të plotësohen këto dëshira vetëm e njërës palë, por duhet të ketë një harmonizim të çështjeve”, deklaroi ai.

    Deri më tani ende nuk ka ndonjë qëndrim zyrtar nga partitë opozitare për draft statutin e Asociacionit që e kanë pranuar tash e një javë.

    Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë treguar që sot pas mbledhjes së partisë do të dalin pikërisht për këtë çështje të flasin para mediave.

  • Isa Mustafa i reagon Armend Mujës: Deputetët e VV-së edhe dhitë i humbin

    Isa Mustafa i reagon Armend Mujës: Deputetët e VV-së edhe dhitë i humbin

    Ish-kryeministri i vendit, Isa Mustafa, i përgjigjet deputetit të LVV-së, Armend Muja, i cili tha se në kohën sa Mustafa ishte kryeministër kishte shkuar në Veri “rrugëve të dhive”, e jo rrugëve kah shkohet.

    Sipas Mujës, tani me Qeverinë Kurti, atje është rikthyer normaliteti dhe nuk është siç ka qenë në qeveritë e kaluara.

    Ish-kryeministri dhe ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, tha se roli deputetit Muja është të “sqarojë se mbi çfarë baze u inkorporua Rezoluta 1244 më Statutin e tyre të Zajednicës”.

    Mustafa tha se “Armend Muja ka dhënë betimin solemn në Kuvend, si deputet, ta mbrojë Kushtetutën e jo Rezolutën 1244”.

    Ndërsa, sa i përket “rrugëve të dhive”, Mustafa u shpreh se për “dhitë në ato male kujdesen çobantë e jo deputetët e VV-së (sepse edhe dhive ua kishin humbur farën)”.

    “Armendi qenka marrë me rrugët e dhive, por roli i tij si deputet është të sqarojë se mbi çfarë baze u inkorporua Rezoluta 1244 më Statutin e tyre të Zajednicës, mbi çfarë baze u territoralizua autonomia serbe në kufijtë e komunave me shumicë serbe, dhe, si mundet një pjesë e një vendi sovran të trajtohet me arbitrazh (ndërkombëtar) kur ka Kushtetutë dhe ligje. Armend Muja ka dhënë betimin solemn në Kuvend, si deputet, ta mbrojë Kushtetutën e jo Rezolutën 1244, sepse edhe pa te e mbrojnë Rusia dhe Kina me veto në KS. Për dhitë në ato male kujdesen qobantë e jo deputetët e VV-së (sepse edhe dhive ua kishin humbur farën)”, tha Mustafa në një përgjigje për Gazetën Express.

    Sipas deputetit Armend Muja, Qeveria Kurti e ka rikthyer normalitetin në veri të vendit. Ai tha se tash atje ka siguri dhe shteti ynë e ka marrë atë pjesë të territorit që ka qenë “jashtë kontrollit”.

    Deputeti Muja, deklaroi në T7 se dallimi me qeveritë e kaluara sa i përket veriut, tashmë është si “nata me ditë”.

    Muja deklaroi se në kohën sa kryeministër ka qenë Isa Mustafa, kishte shkuar në atë zonë “rrugëve të dhive”.

    “A të kujtohet Isa Mustafa, në vitin 2016 e pati përuru një urë edhe tash kryeministri i vendit nuk shkojke më përmes rrugëve kah shkohet, po pati shku disa rrugëve në atë pjesë Rahovë, Boletin, menzi e patën çu fshatarët, dmth Rrugëve të Dhisë i thojshin ata fshatarët. Edhe s’kanë mujt me qarkullu atje, ky është dallimi”, tha Muja.

  • Tre të arrestuar për prostitucion në Lipjan

    Tre të arrestuar për prostitucion në Lipjan

    Një femër dhe dy meshkuj janë arrestuar dje në Lipjan, nën dyshimin se të njëjtit në bashkëveprim kanë kryer veprën penale mundësim apo detyrim në prostitucion.

    Me vendim të prokurorit të njëjtit janë dërguar në mbajtje.