ATV

Blog

  • Apeli vërteton vendimin e themelores, për pagat e gjyqtarëve e të prokurorëve

    Apeli vërteton vendimin e themelores, për pagat e gjyqtarëve e të prokurorëve

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, që kishte anuluar vendimin për uljen e pagave të gjyqtarëve e prokurorëve, ishte ankuar ekzekutivi.

    Mirëpo, ankesën e Qeverisë e ka vlerësuar si të pabazuar Gjykata e Apelit, duke i dhënë kështu të drejtë vendimit të gjykatës së shkallës së parë.

    “Sipas vlerësimit të kolegjit, në asnjë dispozitë ligjore nuk përcaktohet se në cilën formë duhet të ngrihen pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, mirëpo përcaktohet me ligj se ato pavarësisht arsyes së rritjes nuk mund të zvogëlohen, ashtu siç edhe është arsyetuar në aktgjykimin e ankimuar”, thuhet në vlerësimin e Gjykatës së Apelit.

    Vendimin e shkallës së dytë e mirëpresin monitoruesit e fushës së drejtësisë.

    Aktualisht, sipas ligjit të Pagave, gjyqtarët dhe prokurorët i marrin pagat me shtesën tranzitore. Mirëpo, procesimi i pagës për këtë kategori nuk do të jetë e njëjtë, pasi që nga shkurti, ata do të paguhen vetëm 50 % të shtesës tranzitore.

    Ulja e pagës në këtë mënyrë po kundërshtohet.

    Sipas vendimit të Gjykatës Themelore, është kontestuar se vendimi për uljen e pagave nuk është nxjerrë mbi bazën e ndonjë situate të jashtëzakonshme ose vështirësie financiare.

  • Mentaliteti “qytetarë-katundarë”, një ndër arsyet kryesore se përse Prizreni prin me shkurorëzime

    Mentaliteti “qytetarë-katundarë”, një ndër arsyet kryesore se përse Prizreni prin me shkurorëzime

    Avokatja Emira Gavazi Gashi, në emisionin A LIVE në ATV, arsyen se përse Prizreni prin me numrin më të madh të shkurorëzimeve me 209 raste, e ndërlidhi me dallimet që bëhen qytetar-katundar.

    Ajo tha se ky mentalitet është jashtëzakonisht vrasës për një femër.

    “Prizreni është i rrethuar më shumë fshatra dhe lidhshmëria në anën e sociologut janë shumë të mëdha. Pastaj një botë kuptim i mentaliteti që ‘ti qytetar, ti katundar’ është jashtëzakonisht vrasëse për një femër. Ne nuk mund të quhemi këtu që të gjithë jemi qytetarë. Vet vij nga fshati Zhur dhe jam krenare dhe gjithmonë e them se unë jam fshatare, jam rritë aty. I mbaj me vlera ato çfarë mi ka dhënë fshati im. Nuk toleroj të diskriminohem në aspekt të saj”, tha avokatja Emira Gavazi Gashi.

    Mentalitetin e dallimeve rural-urban që mund të ndikojë në numrin e lartë të shkurorëzimeve e mbështeti edhe sociologu Jeton Brajshori. /atvlive.tv

  • Presidentja Osmani në Turqi takohet me Erdoganin, e falënderon për angazhimin në sigurinë e rajonit

    Presidentja Osmani në Turqi takohet me Erdoganin, e falënderon për angazhimin në sigurinë e rajonit

    Presidentja Vjosa Osmani ka udhëtuar drejt Turqisë ku është takuar me homologun e saj turk, Reccep Tayyip Erdogan.

    Ajo përmes një postimi në X tha se e ka falënderuar atë për mbështetjen dhe angazhimin e Turqisë në sigurinë e rajonit.

    “Sot në Stamboll takova Presidentin Erdogan. Në dritën e zhvillimeve të fundit të sigurisë, shpreha mirënjohjen tonë për mbështetjen dhe angazhimin e Turqisë për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë. Ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë të forcojmë bashkëpunimin mes vendeve tona”.

  • Kufizimi i komunikimeve të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Tromp: Shkelje e të drejtave të njeriut

    Kufizimi i komunikimeve të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Tromp: Shkelje e të drejtave të njeriut

    Mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit janë ankuar se këta të tre nuk kanë komunikuar me familjarët e tyre edhe pas vendimit të ri të Speciales ku u lejohen bisedat telefonike. Një gjë e tillë po kundërshtohet nga Gjykata Speciale, ku për KosovaPress thuhet se këto telefonata janë të mundshme dhe nëse duan të akuzuarit mund të kërkojnë një gjë të tillë. Nevenka Tromp, e cila punoi për shumë vjet në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavi deklaron se kufizimi i të drejtës për komunikim duhet të jetë shumë i bazuar. Sipas saj, me vendimin për kufizim “janë braktisur të drejtat e njeriut”.

    Ditë më parë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, mbrojtësit e ish-krerëve të UÇK-së u ankuan para trupit gjykues se kërkesat e tyre për telefonata po refuzohen.

    Nga Gjykata Speciale i kanë thënë KosovaPress-it se telefonatat me familjarë kanë qenë të mundshme.

    “Çështja e telefonatave me familjet e tre të akuzuarve u diskutua në seancën e djeshme ku u shpjegua se, ndryshe nga sa pretenduan disa, telefonatat me familjarë kanë qenë të mundshme. Sipas transkriptit, kryetari i trupit gjykues shpjegoi se, ‘sa i takon telefonatave nga familja ato mund të kryhen, por do të monitorohen derisa urdhri i ri të zbatohet plotësisht’. Ai theksoi, ‘pyeta dje, dhe Administratorja tha thjesht të bëhet kërkesa dhe për aq kohë sa është adekuate ata mund ta lejojnë atë’. Më pas gjatë seancës, kryetari i trupit gjykues tha se, ‘sa i përket z. Selimi, ai ka kërkuar në mënyrë të rregullt telefonata me familjen e tij dhe se, që kur hyri në fuqi urdhri i përkohshëm, ai ka pasur 11 telefonata të tilla. Pra, ato po pranohen. Sa i përket z. Thaçi dhe z. Veseli, nuk ka pasur absolutisht asnjë kërkesë për telefonata familjare prej tyre. Dhe ju të gjithë jeni ngritur dhe keni thënë se keni bërë kërkesa, dhe kjo është — ju duhet të dini nëse kjo është e vërtetë apo jo. Ne nuk kemi nevojë të ulemi në sallën e gjyqit dhe të marrim informacion nga ju se diçka nuk ka ndodhur kur në fakt ka ndodhur, ose anasjelltas. Është fare e qartë se ata nuk i kanë kërkuar – në asnjë mënyrë, Administratores – telefonatë familjare. Nëse duan, ata mund ta bëjnë këtë. Do të monitorohet derisa të zbatohet plotësisht, gjë që duhet të bëhet së shpejti. Por është pak shqetësuese që ky lloj informacioni, që është i gabuar, është thjesht i gabuar, të dalë në sallën e gjyqit, në procesverba’”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Speciale.

    Ligjëruesja në Universitetin e Amsterdamit, Nevenka Tromp deklaron se Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut është shumë e zëshme për të drejtën e komunikimit normal familjar.

    “Po. Pra, shkelja e kësaj të drejte njerëzore. Dhe kjo e drejtë njerëzore ndoshta do të ishte gjë e mirë të thuhej… Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut është shumë e zëshme dhe shumë e qartë kur bëhet fjalë për sigurimin e komunikimit, dhe të drejtën për të komunikuar dhe të drejtën për të pasur komunikim normal familjar dhe privat, dhe çdo kufizim i kësaj duhet të jetë shumë i bazuar. Dhe nëse kjo tani bëhet në bazë të disa kërcënimeve të ardhshme dhe të mundshme të një dëshmitari nuk është mjaft e mirë. Sepse asnjë shkelje e qartë nuk është përcaktuar nga trupi gjykues dhe megjithatë të paraburgosurve u janë mohuar të drejtat që konsiderohen dhe mbrohen nga konventa evropiane për të drejtat e njeriut. Pra, kjo gjykatë mund të gjendej në një vështirësi të madhe se sa lehtë e braktisën këtë të drejtë për të akuzuarit dhe për çfarë? Ajo që në fakt e ka tejkaluar atë, ajo që ka mbizotëruar janë disa çështje të mundshme të dëshmitarëve, të cilat nuk janë përcaktuar në rrugë, janë vetëm disa insinuata, sigurisht etj. Pra, kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me tre nga këta të pandehurit, por këto çështje do të kenë të bëjnë me gjithë komunitetin ligjor dhe komunitetin e aktivistëve të të drejtave të njeriut, sepse ne nuk duam që këto të drejta të braktisen dhe aq lehtë sa duket, ato janë braktisur me këtë vendim të fundit”, deklaron ajo për KosovaPress.

    Autorja e librit “Gjykimi i papërfunduar i Millosheviqit” i konsideron zhvillime interesante ato të ditëve të fundit, kur paraprakisht trupi gjykues urdhëroi kufizimin e përkohshëm të kontakteve për Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin. Me këtë vendim, ish-krerëve të UÇK-së u lejoheshin vizitat vetëm për ekipin e mbrojtjes.

    “Ajo që shohim këtu, është se, për shembull, në nivelin e një mase që trupi gjykues solli këtë vendim, është se përveç vizitave private dhe vizitave konsullore që të dyja nuk janë të privilegjuara, d.m.th., ju e dini, këto nuk bien nën komunikimin e privilegjuar siç ka çdo i pandehur me avokatët e tij/saj. Ky është një kufizim i vizitave të tjera jo të privilegjuara në pesë në një muaj. Dhe interesant është se ajo që u përmend si arsye, jo se prokuroria kishte të drejtë, dhe se këta të akuzuar, këta tre të akuzuar bënë diçka të gabuar, por në thelb thanë se prokuroria kërkoi edhe vizita monitoruese nga monitoruesit shqipfolës dhe ata thanë se ne nuk kemi, e dini, regjistër, dhe qendra e paraburgimit nuk mund të sigurojë personel për një punë kaq intensive. Në fakt po themi se pesë [vizitat] në muaj janë të menaxhueshme. Vendim kaq interesant sepse nuk ka të bëjë me atë nëse të pandehurit kanë të drejtë të kenë më shumë vizita, por në thelb thotë, për shkak të burimeve të kufizuara, ne duhet ta kufizojmë atë në pesë [vizita], gjë që është përsëri shumë e diskutueshme kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut dhe trajtimin e të akuzuarit, siç sigurohet dhe të parashihet në Kontekstin Evropian të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, përgjithësisht”, përfundoi ajo.

    Së fundmi, trupi gjykues ka marrë vendim në lidhje me komunikimet dhe vizitat e krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit. Gjykata ka refuzuar kërkesën e prokurorisë për kufizimin e vizitave dhe komunikimet, megjithatë vizitat personale do t’i nënshtrohen miratimit paraprak të sekretarit.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

    Ish-krerët e UÇK-së po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. /kp

  • PSRK-ja kërkon masa edukative ndaj të miturit nga Peja që dyshohet se planifikoi vrasjen e shokëve të klasës

    PSRK-ja kërkon masa edukative ndaj të miturit nga Peja që dyshohet se planifikoi vrasjen e shokëve të klasës

    Prokuroria Speciale njoftoi se pas përfundimit të procedurës përgatitore ndaj të miturit B.M, ka ngritur Propozim shqiptimin e masës institucionale edukative, Dërgimi në Institucionin Edukativo-korrektues.

    Sipas një komunikate të Prokurorisë Speciale dërguar mediave thuhet se i mituri B.M dyshohet për veprën penale ‘’Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’.

    Ndryshe, i mituri B.M u arrestua nga Policia e Kosovës të shtunën më 7 tetor 2023, nën dyshimin se planifikonte vrasjen e nxënësve në klasën e tij.

  • ​Ngrihet aktakuzë ndaj një zyrtari të Agjencisë për Regjistrim Civil për falsifikim të dokumentit zyrtar

    ​Ngrihet aktakuzë ndaj një zyrtari të Agjencisë për Regjistrim Civil për falsifikim të dokumentit zyrtar

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Prokurori i Shtetit, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet D.B., për shkak të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe falsifikim të dokumentit zyrtar.

    Sipas aktakuzës, nga data 15 tetor 2021-18 maj 2023, në zyrat e Agjencisë për Regjistrim Civil (ARC) në Prishtinë, i pandehuri në cilësinë e zyrtarit administrativ pranë kësaj agjencie, përgjegjës për aplikim dhe shpërndarjen e dokumenteve personale, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, një personi me inicialet M.D., shtetas i Shqipërisë, i kërkuar nga Interpoli për narkotikë, i ka sjellë dobi të kundërligjshme duke i ndihmuar që ta kompletojë dokumentacionin personal në emër dhe me të dhënat e të dëmtuarit A.N., duke e pajisur me letërnjoftimin dhe pasaportën e Kosovës me të dhënat e të dëmtuarit A.N., siç ka vepruar edhe me 7 persona të tjerë, duke i keqpërdorur të dhënat personale të të dëmtuarve, në të cilat i pandehuri kishte qasje.

    Prokurori i Shtetit i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale që i vihen në barrë. Gjithashtu ka propozuar që të njëjtit t’i shqiptohet dënimi plotësues – ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbime publike.

  • Për herë të katërt në librin “Guinness”, Arbnora Idrizi: Jam krenare që flamuri kombëtar ka hyrë në rekordin si projekti më i madh në botë

    Për herë të katërt në librin “Guinness”, Arbnora Idrizi: Jam krenare që flamuri kombëtar ka hyrë në rekordin si projekti më i madh në botë

    Aktivistja nga qyteti i Skenderajt, Arbnora Idrizi ka arritur të futet në Librin e Rekodeve ‘Guinness’ për të katërtën herë.

    Ajo ka vendosur një rekord të ri në librin e rekordeve Guinness, përmes punimit të Flamurit Kombëtar prej 120 mijë letrave origami të cilën e punoi më 28 nëntor për nder të Ditës së Flamurit, shkruan Sinjali.

    Në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin A LIVE në ATV, aktivistja Arbnora Idrizi tha se për të ka qenë një emocion i jashtëzakonshmë, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për flamurin kombëtar që tani ka hyrë në rekordet e ‘Guinness’ si projekti më i madh në botë.

    “Me thanë të drejtën, mbrëmë isha në një emision në një televizion në Shqipëri, dhe në ato momente me erdhi e-maili që nga Guinness -i që tashmë “je përzgjedhur fituese e Guinness-it”. Ka qenë një emocion i pa përshkruar në atë çast sa që nuk e kam pritur që do të vijë një lajm aq i mirë. Kështu që është një ndjenjë e jashtëzakonshme se një punë e madhe, punë gjigande ku ndoshta bëhet përgatitje me vite, po shpërblehet dhe po certifikohet nga zyrtarët Guinness, sidomos flamuri kombëtar ku ne të gjithë jemi rritur me dashurinë ndaj këtij flamuri dhe kam dashur që ky projekt të jetë më i madhi në botë dhe të jetë më i veçantë. Jam shumë e lumtur për këtë arritje”, tha Idrizi.

    Ajo tregoi se për dallim nga projektet e mëparshme, për realizimin e këtij projekti ka pasur mbështetje nga institucionet.

    “Kam pasur një mbështetje nga Ministria e Kulturës në Prishtinë, ku kisha dashtë me i falënderua shumë se kësaj radhe më kanë mbështetë pak më mirë edhe pse, për me e realizu një projekt të jashtëzakonshëm, patjetër që është një kosto mjaft e lartë dhe mezi e arrin me e finalizua projektin, mirëpo ka qenë një mbështetje pak më e mirë. Kam pasur mbështetje edhe nga disa sponsorë, nga komuna kam siguruar vetëm hapësirën publike ku kam bërë kërkesë për arsye se në Kosovë ka qenë e pamundur të gjendet një hapësirë e tillë, 1300 metra katrorë”, tha Idrizi.

    Për realizimin e projektit të flamurit kombëtar, ajo tregon se janë realizuar 1.2 milionë palosje të letrës.

    Arti ‘Origami’ nuk e praktikojnë shumë në Kosovë dhe jam e vetmja që e kam praktiku dhe e kam zhvillu deri te rekordet botërore. Është një teknikë mjaft e veshtarë për tu realizuar. Në fillim duket shumë e thjeshtë, mirëpo ato palosje, teknikat e punës janë mjaft delikate. Përmes letrës, ti mundesh me realizua diçka të bukur dhe të jashtëzakonshme, siç kam realizu edhe unë projektin e jashtëzakonshëm, flamurin kombëtar me 1 milion e 200 mijë palosje letër, 1300 metra katrorë, ku me thënë të drejtën ka qenë e jashtëzakonshme. Pa dyshim ka qenë shumë e vështirë sepse së pari, në aplikimin e rekordit botëror, ti duhet me e paraqit projektin tuaj, ku, çfarë po synon dhe a pranohet te zyrtarët pjesa e letrës dhe projekti. Pastaj, përgatitja e letrës, ngjyrosja e letrës ku është bërë në fabrikën ‘EuroPrint” në Prishtinë,, ku kisha dashtë me i falënderua për arsye se ka qenë shumë e vështirë të sigurohet një letër e tillë. Me qenes e në rekordin botëror, ti duhet me e pasë një letër origami, rezistente, e butë dhe që palohet lehtë. Kështu që një muaj është dashur përgatitje për letrën për flamur, ku më kanë ndihmuar edhe nxënësit e Medresesë “Alaudin” në Prishtinë 50 mijë pjesë, ndërsa 70 mijë copa i kam punuar vetë me disa familjarë të mi”, tregoi Idrizi. /atvlive.tv

  • Serbët e veriut kërkojnë zgjedhje, gazetari i ATV-së zbulon zhvillimet e fundit

    Serbët e veriut kërkojnë zgjedhje, gazetari i ATV-së zbulon zhvillimet e fundit

    Gazetari i ATV-së, Arton Hamiti, gjatë ditës së sotme ka realizuar një kronikë që në fokus ka kërkesën e banorëve serbë për të nisur procedurat për shkarkimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut.
    Në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin A LIVE në ATV, ai tregoi kronologjinë e veprimeve të banorëve serbë për inicimin e procedurave për shkarkimin e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës.

    “Banorët serbë nuk kanë iniciuar procedura për shkarkimin e vetëm kryetarit të Mitrovicës së Veriut, por nga ajo çfarë kemi marrë vesh, kjo iniciativë ka filluar edhe në tri komunat e tjera të veriut. Paraprakisht ne zhvilluam një bisedë me kryetarin e Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut, i cili e konfirmoi se dje një grup prej re personash, qytetarë serbë kanë deponuar një kërkesë për të iniciuar procedurën për shkarkimin e kryetarit, kërkesë kjo e cila është duke u shqyrtuar nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut. Kryetari i Kuvendit Komunal tha se aktualisht kjo kërkesë është duke u shqyrtuar dhe më pas, brenda afatit kohor që parashihet, do të dërgohet në Ministrinë e Administrimit dhe Pushteti Lokal. Mirëpo, sipas kryetarit të Kuvendit Komunal, ka disa parregullsi në procedurat se si është dorëzuar kjo kërkesë, ky grup i serbëve prej tre personave nuk e ka njoftuar paraprakisht kryesuesin e Kuvendit Komunal se do të iniciojë një procedurë, mirëpo vetëm e ka bërë kërkesën për inicim të procedurës”, tregoi gazetari Hamiti.

    Ai shpjegoi se aktivizimi i serbëve për të gjetur një rrugë për t’u mbajtur zgjedhje në veri, ka filluar qysh para tre ditësh dhe vjen tre muaj pas pasi udhëzimi administrativ i Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal është hartuar.

    Ky udhëzim është hartuar specifikisht për të nisur procedurat që zgjedhjet në katër komunat veriore të mbahen.

    Ndërkohë, ky grup i serbëve, para tri ditëve ka tentuar që kërkesën e njëjtë ta deponojë këtu në Komunën e Mitrovicës së Veriut dhe në Komunat e tjera veriore, mirë siç kanë pretenduar ata iniciativa ishte refuzuar nga autoritetet lokale, andaj ata e kanë ndjekur një rrugë tjetër dhe këto kërkesa i kanë dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Por, pas një dite nga dorëzimi i kërkesave, KQZ-ja iu ka kthyer atyre përgjigje dhe iu ka thënë se adresa e duhur janë Kuvendet Komunale të komunave përkatëse.

    Gazetari Hamiti, në këtë lidhje direkte zbulon edhe bisedën që kishte me kryetarin e Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.

    “Ne kemi biseduar edhe me kryetarin e Zubin Potokut, Izmir Zeqiri dhe ai e sheh këtë si një lojë mbase politike, siç ka deklaruar, pasi që nëse me të vërtetë ka vullnet për tu mbajtur zgjedhjet dhe qytetarët serbë të këtyre komunave dëshirojnë të mbajnë zgjedhje, nuk do të bënin gabime procedurale, por siç ka pretenduar ai, do të ishin pak më serioz. Ai ka thënë se prapa këtyre grupeve të serbëve të cilët kanë dorëzuar këto kërkesa qëndron Lista Serbe, ndërkohë ai e ka thënë që rruga më e mirë do të ishte një marrëveshje politike mes akterëve kryesor e mbase edhe një dorëheqje vullnetare pas marrëveshjes politike të kryetarëve, pasi kjo procedurë e shkarkimit përmes udhëzimit administrativ mund të marrë kohë”, tregon gazetari Hamiti.

    Kujtojmë që me 23 prill janë mbajtur zgjedhjet lokale në katër komunat veriore dhe ato prodhuan katër kryetarë shqiptarë, mirëpo kjo nuk ishte mirëpritur aspak nga banorët serbë në këto komuna ku pasi kryetarët shqiptarë kishin tentuar të futen në objektet e komunave, ata ishin ngritur në një revoltë, kishin protestuar, ku pra të gjithë i anë parasysh imazhet e fundit të majit, ku ka pasur edhe pjesëtarë të KFOR-it të lënduar. /atvlive.tv

  • Komuna e Podujevës merr vendim, falë tatimin në pronë

    Komuna e Podujevës merr vendim, falë tatimin në pronë

    Komuna e Podujevës ka marrë vendim për faljen e tatimit në pronë në vlerë prej 100 euro për vitin 2023 për të gjithë qytetarët.

    Kështu ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi.

    Bulliqi ka thënë se për të gjithë qytetarët të cilët tashmë e kanë paguar tatimin, vlera e falur iu llogaritet paradhënie për vitin 2024.

    “Për qytetarët të cilët tashmë e kanë paguar tatimin, vlera e falur iu llogaritet paradhënie për vitin 2024. I falënderoj asamblistët për votimin e urime qytetarëve”, ka shkruar Bulliqi në Facebook.

  • Ambasada e ShBA-së në Bagdad goditet nga disa raketa

    Ambasada e ShBA-së në Bagdad goditet nga disa raketa

    Ambasada e SHBA-së në Bagdad u sulmua nga disa raketa të premten në mëngjes që shkaktuan dëme të vogla materiale, por pa viktima, thanë zyrtarët amerikanë dhe irakianë.

    Shpërthimet u dëgjuan pranë ambasadës në kryeqytetin e Irakut rreth orës 4:15 të mëngjesit të së premtes.

    Një zëdhënës i ambasadës konfirmoi më pas se Ambasada e SHBA u sulmua nga dy raketa, duke shtuar: “Vlerësimet janë duke vazhduar, por nuk ka viktima të raportuara në kompleksin e Ambasadës”.

    Sulmi i së premtes përfshinte 14 raketa, disa prej të cilave goditën pranë njërës prej portave të ambasadës, ndërsa të tjerat ranë në lumë, sipas një zyrtari irakian të sigurisë.

    Sulmi u konfirmua nga një zyrtar ushtarak amerikan, i cili tha se sulmi me shumë raketa ishte nisur ndaj forcave të SHBA-së dhe koalicionit në Zonën e Gjelbër të fortifikuar rëndë të Bagdadit, e cila strehon ndërtesat dhe ambasadat e qeverisë irakiane.