ATV

Blog

  • “Albi Mall” hapet edhe në Gjilan, krijohen mbi 500 vende të reja pune

    “Albi Mall” hapet edhe në Gjilan, krijohen mbi 500 vende të reja pune

    Qendra më ikonike në Kosovë, Albi Mall ka zgjeruar aktivitetin e vet me moton “Vendi që jemi mësuar me të”, duke hapur sonte edhe një qendër po ashtu unike në Gjilan, e cila për blerësit dhe vizitorët e saj do të ofrojë brendet më të njohura vendore dhe ato ndërkombëtare.

    Me një hapësirë totale prej 70.000 metrash katrorë, përfshirë edhe “Albi Residence” në të njëjtën sipërfaqe, një projekt impresionues i cili do të ofrojë 170 apartamente për të plotësuar nevojat e banorëve, si dhe me një hapësirë ushqimore dhe argëtuese, mbi 1000 vende për parking, dhe do të sigurojë mbi 500 vende të reja të punës, “Albi Mall” do të mirëpresë familjet e Gjilanit dhe bashkërisht edhe qytetet e tjera.

    Përfaqësuesi i “Albi Group”, Albi Humolli tha se hapja e “Albi Mall” në Gjilan është një ngjarje e rëndësishme në sferën e biznesit dhe rritjen ekonomike të kësaj komune.

    Ai tha se me hapjen e “Albi Mall” do të krijohen mbi 500 vende të reja të punës.

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi u shpreh se “Albi Mall” është një dëshmi për fuqizimin e qytetit të Gjilanit si një qendër e rëndësishme rajonale, transmeton KP.

    Hapja e “Albi Mall” në Gjilanit, i cili do të jetë vendtakimi i përditshëm jo vetëm për qytetarët gjilanas, por edhe për gjithë Kosovën, është përcjellë me aktivitete dhe prezantim të brendeve dhe produkteve vendore e ndërkombëtare, ndërsa është përmbyllur me një koncert nga këngëtari i njohur Yll Limani.

    Albi Mall vazhdon të mbetet vendi kryesor i brendeve të ndryshme botërore me një reputacion të fortë si një destinacion i preferuar për blerjen, argëtimin dhe kalimin e kohës për qytetarët e Kosovës dhe vizitorët e huaj.

  • Charlie Sheen: Kam qenë ‘esëll’ për gjashtë vjet, ky moment më bëri të ndryshoj

    Charlie Sheen: Kam qenë ‘esëll’ për gjashtë vjet, ky moment më bëri të ndryshoj

    Charlie Sheen: Kam qenë ‘esëll’ për gjashtë vjet, ky moment më bëri të ndryshoj
    Charlie Sheen u mburr në një intervistë të fundit për revistën “People” se ka qenë i matur qe nga viti 2017.

    “Muajin tjetër do t’i mbush gjashtë vjeç që jam esëll. Tani kam një mënyrë jetese shumë të qëndrueshme. Jam baba beqar dhe gjithçka ka të bëjë rreth rritjes së djemve të mi binjakë 14-vjeçarë, Max dhe Bob,” tha ai.

    Përveç djemve të tij me ish-in e tij Brooke Mueller, aktori 58-vjeçar ka vajzat Sam, 19, dhe Loli, 18, me ish-bashkëshorten tjetër Denise Richards, dhe ishte një moment me një nga vajzat e tij që e shtyu atë që më në fund të ndryshojë në jetë.

    “Një mëngjes harrova që vajza ime kishte një takim ku i premtova se do ta çoja dhe nuk isha esëll. Kështu që mu desh të telefonoja shokun tim Tonin që të na merrte. E arritëm atje në kohë, por më theu zemrën sepse ajo ishte në ulësen e pasme dhe e dija që ajo po mendonte: ‘Pse nuk po vozit babi?’ Kështu që u ktheva në shtëpi dhe mendova për këtë për pjesën tjetër të ditës. Dhe të nesërmen në mëngjes sapo u ndala”, tregoi ai.

    Ishte një ndryshim që ai e arriti duke u fokusuar në qëllime të vogla.

    “Në fillim, mendova se do të përpiqesha të jem esëll për një muaj, vetëm për të parë nëse ndihesha më mirë dhe nëse ndërveprimet e mia me njerëzit më të afërt do të përmirësoheshin. Kështu ndodhi. Vendosa të provoja një muaj tjetër dhe më pas kam marrë vrullin”.

    “Tani zgjohem herët, rreth orës 4:30 ose 5 të mëngjesit, shikoj lajmet, ushtrohem, u përgjigjem e-maileve, pastaj zgjoj fëmijët dhe i ndihmoj me rutinën e tyre të mëngjesit”, shpjegoi ai.

    Sheen së fundmi ishte i ftuar në serinë e re “Bookie” të regjisorit Chuck Lorre. Për të kujtuar, 12 vjet më parë regjisori i serisë “Two and a Half Men” pati një përleshje publike me aktorin për tiradën e ashpër të Charlie kundër Chuck, e cila rezultoi në shkarkimin e tij nga CBS.

    Ishte një moment që aktori pendohet thellë, siç ka treguar edhe në intervistat e mëparshme.

    “Kishte 55 mënyra të ndryshme se si mund ta kisha trajtuar atë situatë, dhe zgjodha numrin 56. Dhe kështu mendoj se ngritja për mua pas rënies duhet të fillojë me mua që të marr përgjegjësinë për të gjithë atë. Dhe kjo ishte fëmijërore. Mendoj se ishte për shkak të drogës”, zbuloi ai.

  • Zgjedhjet në veri, kryetarë të rinj, asamble të vjetra

    Zgjedhjet në veri, kryetarë të rinj, asamble të vjetra

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Në zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat veriore u zgjodhën kryetarë të rinj.

    Derisa në Zveçan e Leposaviq, pos për kryetarë, u votua edhe për asamblistë, në Mitrovicë të Veriut e Zubin Potok përbërja në asambletë komunale mbeti nga zgjedhjet e 2021-tës.

    Meqë në nivel lokal votohet ndarazi për kryetarë dhe asamble komunale, një peticion eventual i suksesshëm për shkarkim të kryetarëve nuk do t’i prekte asamblistët.

    Asambleja komunale do të vazhdonte të ishte e njëjta, përderisa është e rregullt në seanca. Një situatë hipotetike me kryetarë nga komuniteti serb e asamble me shumicë shqiptare, sipas politologut Fidan Ukaj, nuk do të mund të sjellë stabilitet politik në veri.

    Kësisoj thuhet se ekziston mundësia që pas zgjedhjeve eventuale për kryetarë, rishtazi t’u jepet mundësia qytetarëve t’i zgjedhin edhe asambletë.

  • Samiti BE – Ballkani Perëndimor: Kosovës e Serbisë pritet t’u bëhet thirrje për normalizim

    Samiti BE – Ballkani Perëndimor: Kosovës e Serbisë pritet t’u bëhet thirrje për normalizim

    Përgatiti: Entela Sahiti

    Normalizimi i raporteve Kosovë – Serbi, do të jetë një ndër temat kryesore, në samitin e përbashkët të liderëve të Bashkimit Evropian, me përfaqësuesit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kosova do të përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani, ndërsa Serbia nga kryeministrja Ana Bërnabiq.

    “Bashkimi Evropian vazhdon t’i mbështetë përpjekjet e përfaqësuesit të lartë dhe përfaqësuesit të posaçëm për dialog mes Beogradit dhe Prishtinës dhe çështje të tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor. Presim angazhim konstruktiv nga të dyja palët”, ka njoftuar zyra e BE-së për Media.

    Në këtë samit, që punimet do t’i zhvillojë më 13 dhjetor, pritet të miratohet edhe një deklaratë e përbashkët, me të cilën do të konfirmohet, nga njëra anë, orientimi strategjik i rajonit për integrim në BE dhe, në anën tjetër, edhe përkushtimi i BE-së në këtë drejtim.

    Aty, po ashtu, përsëritet edhe ftesa për t’i ulur tensionet në veri të Kosovës.
    Veç Kosovës dhe Serbisë, Bashkimi Evropian do të ketë porosi edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, që t’i zgjidhin të gjitha mospajtimet e tyre dhe çështjet e hapura.

    Teksti i draftit është përpiluar nga Bashkimi Evropian dhe pritet që atë ta mbështesin edhe liderët e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

    BE-ja në këtë samit do të shprehë edhe përkushtimin për t’i ndihmuar vendet e rajonit në përballje me pasojat e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, si në aspektin e energjisë, ashtu edhe në përballje me kërcënimet hibride që vijnë nga Rusia.

  • Mbi 20 komuna nuk i falin 100 euro nga tatimi në pronë

    Mbi 20 komuna nuk i falin 100 euro nga tatimi në pronë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Tetë dhjetori ishte afati i fundit dhënë komunave për t’u përcaktuar nëse do të falin 100 euro nga tatimi në pronë për qytetarët. Megjithatë, mbi 20 komuna vendosën që të mos e përfillin Ligjin për faljen e Tatimit në Pronë.

    Në mesin e tyre është edhe komuna e Prizrenit. Madje, këtë ligj vetë kryetari i Prizrenit e kishte kontestuar në Gjykatën Kushtetuese. E, sipas nënkryetarit të Prizrenit, 100 euro nga tatimi në pronë Komunës, i sjell dëm prej 3 milionë euro.

    Por, qytetarët nuk pajtohen.

    Në anën tjetër, nga Asociacioni i Komunave të Kosovës vendimin për mosfalje të 100 eurove e kanë arsyetuar pikërisht me dëmin financiar që u shkaktohet komunave.

    Komuna e fundit që vendosi t’ua falë qytetarëve 100 euro nga tatimi në pronë ishte Podujeva. Ndërkaq, një ditë më parë Prishtina vendosi që t’ua falë qytetarëve vetëm nga 75 euro.

    Deri në fund të muajit tetor, komunat kanë mbledhur mbi 95 për qind të të hyrave nga tatimi në pronë. Rrjedhimisht qytetarët do të kompensohen nga viti i ardhshëm.

  • LDK-ja me akuza drejt Qeverisë dhe Vitisë për gjendjen në shëndetësi

    LDK-ja me akuza drejt Qeverisë dhe Vitisë për gjendjen në shëndetësi

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Vendi po përballet me një pandemi të re, atë të paaftësisë së Ministrisë së Shëndetësisë që t’u japë përgjigje problemeve në këtë sektor, konstatoi Lidhja Demokratike e Kosovës.

    Në një konferencë të mbajtur për media, ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, njëherazi deputet i kësaj partie, tha se Ligjin për Shëndetësi dhe atë për Sigurimet Shëndetësore, ministri Arben Vitia i largoi prej strategjisë.

    “Ky ministër e ka larguar nga strategjia ligjin për shëndetësi dhe ligjin për sigurimet shëndetësore. Kam informacione të sakta të konfirmuara që ky ligj është bartur për vitin e ardhshëm, ashtu siç është bartur që tri vite me radhë. Domethënë prioritetet dhe premtimet që erdhën qeveria në pushtet tani po kalojnë në bartje në vitet e ardhshme”, tha Zemaj.

    Zemaj akuzoi qeverinë edhe për dorëheqjet e mjekëve. E në mungesë të stafit dhe mosangazhimit të Ministrisë, sipas Zemajt, gjendja në shëndetësi po përkeqësohet çdo ditë e më shumë.

    “Më shumë se 200 mjekë po na ikin çdo vit, e për ikjen e tyre nuk ka asnjë reagim nga qeveria, nuk kemi asnjë investim kapital, kemi ankesa të njëjta nga të gjitha odat e profesionistëve shëndetësorë”, tha Zemaj.

    Ndryshe, sipas raportit për investime kapitale, për periudhën janar-shtator, Ministria e Shëndetësisë ka shpenzuar vetëm tetë për qind të buxhetit.

  • Kush është Princi nga Peja, i kërkuar nga Interpol- i

    Kush është Princi nga Peja, i kërkuar nga Interpol- i

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Disa objekte banimi në Pejë, pronë e një bosi të drogës në Evropë, ishin cak i hetuesve policorë të enjten. Princ Dobroshi u arrestua në nëntor në Shqipëri, meqë kërkohej edhe nga INTERPOL-i.

    59-vjeçari, që dyshohet për trafikim me narkotikë edhe në vendet e Bashkimit Evropian, pritet të ekstradohet në Gjermani, brenda vitit.

    “Është arrestuar me datë 22 nëntor në Tiranë. Lajmi është mbajtur sekret, masa e sigurisë me ekstradim brenda 40 ditësh, është zhvilluar po ashtu në situatë të tillë”, tha gazetari nga Shqipëria, Sokol Dema.

    Ndonëse, operacioni është zhvilluar në heshtje, Policisë së Shqipërisë thuhet se i ka ndihmuar shumë Polica e Kosovës.

    “Për gjetjen e tij në Tiranë, besohet se ka ndihmuar Policia e Kosovës…”, tha Dema.

    Në fakt, historia kriminale e Princ Dobroshit kishte filluar qysh më herët.
    Në vitin 1988, si 24 vjeç, kishte migruar nga Peja në Gjermani, duke nisur kështu biznesin e kazinove, për t’u arrestuar vetëm 5 vjet më vonë për trafikim droge.

    Më pastaj, në vitin 1994, u dënua me 14 vjet burgim në Norvegji. Gjatë vuajtjes së dënimit u arratis dhe sipas mediave atje bëri operacion plastik, i cili nuk i shërbeu shumë, meqenëse u kap sërish, dhe pas përfundimit të dënimit, në vitin 2005 u soll sërish në Kosovë.

  • Kërkesat për shkarkimin e kryetarëve në veri, duke u shqyrtuar

    Kërkesat për shkarkimin e kryetarëve në veri, duke u shqyrtuar

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut është duke e shqyrtuar kërkesën e banorëve serbë për shkarkimin e kryetarit të Komunës.

    Por, kërkesa e dorëzuar të enjten, sipas kryetarit të asamblesë komunale në Mitrovicë të Veriut, Nexhat Uglanin, nuk është në përputhje me udhëzimin administrativ të hartuar nga Qeveria e Kosovës.

    Madje, Uglanin shtoi se iniciativa për ta shkarkuar Erden Atiqin nga posti i kryetarit, është e dirigjuar nga Lista Serbe.

    Se prapa dëshirës për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë qëndron partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e thotë edhe kryetari i Zubin Potokut.

    Izmir Zeqiri më shumë preferon një marrëveshje politike, sesa shkarkimin përmes peticionit.

    Sipas Udhëzimit Administrativ, kryesuesi i kuvendit komunal jo më vonë se pesë ditë, duhet ta shqyrtojë kërkesën dhe ta regjistrojë grupin nismëtar si palë e autorizuar.

  • KEK-u nuk shpall konkurs për kryeshef, vazhdon me ushtrues detyre

    KEK-u nuk shpall konkurs për kryeshef, vazhdon me ushtrues detyre

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Korporata Energjetike e Kosovës është duke funksionuar me ushtrues detyre të kryeshefit ekzekutiv, që nga muaji Prill.

    Pak ditë pas arrestimit, Bordi i Drejtorëve i kësaj ndërmarrjeje publike e suspendoi Nagip Krasniqin dhe e caktoi ushtrues detyre të kryeshefit, Përparim Kabashin.

    Derisa suspendimi mbetet në fuqi, në Shtator Gjykata ia ndryshoi Krasniqit masën e sigurisë nga paraburgimi në ndalim afrimi objektit apo punonjësve të KEK-ut.

    Gati tetë muaj nga arrestimi, Prokuroria nuk ka ngritur aktakuzë.

    “Hetimet kundër të pandehurit N.K. janë duke vazhduar në mënyrë intensive. Andaj, duke pasur parasysh se në këtë fazë nuk mund të japim të dhëna të tjera, kërkojmë mirëkuptim nga ju”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Në Gusht, Bordi i Drejtorëve i KEK-ut kishte njoftuar se nuk do ta shkarkojë Krasniqin e as nuk do të shpallë konkurs për kryeshef të ri, “pa një vendim nga organet e drejtësisë, apo pa krijimin e rrethanave të cilat Bordi do t’i konsiderojë të domosdoshme për të sjellë një vendim meritor”. Bordi nuk ka dalë me qëndrim të ri.

    Në heshtje lidhur me këtë çështje është Ministria e Ekonomisë, e cila ka në mandat mbikëqyrjen e ndërmarrjeve publike.

    Nagip Krasniqi ishte arrestuar më 19 Prill nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ushtrim të ndikimit dhe konfliktit të interesit.

  • Hetimet për krimet e luftës, 53 të akuzuar për masakrën e Mejës

    Hetimet për krimet e luftës, 53 të akuzuar për masakrën e Mejës

    Përgatiti: Nora Luta

    370 civilë kishin mbetur të vrarë gjatë një operacioni të ushtrisë dhe paramilitarëve serbë, gjatë 27 dhe 29 prillit të vitit 1999, në Mejë dhe rajonin Reka e Keqe të Gjakovës.

    Hetimet e Prokurorisë Speciale dëshmojnë se përveç vrasjeve, sulmi përfshinte djegien e shtëpive, keqtrajtim dhe dëbim të dhunshëm për në Shqipëri.

    Provat dhe dokumentacionet e grumbulluara rezultuan me ngritjen e aktakuzës ndaj 53 personave, 16 nga ta me përgjegjësi komanduese në ushtrinë jugosllave dhe policinë e shtetit serb.

    Në llupën e Prokurorisë Speciale janë edhe 88 persona, të dyshuar për pjesëmarrje në masakrën e Dubravës, ku ndaj një personi tashmë ka nisur gjykimi në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

    Legjislacioni që është në fuqi, përfshirë atë për gjykimin në mungesë, sipas Prokurorisë Speciale, paraqet sfidë në trajtimin e rasteve të krimeve të luftës.

    Megjithatë, theksojnë se hetimet për zbardhjen e këtyre rasteve janë duke u zhvilluar pa dallim etnie.

    Hetimet për krimet e luftës nga përfundimi i saj i nisi misioni i UNMIK-ut, për t’i vazhduar EULEX-i, i cili ua kaloi vendorëve kompetencat përfundimisht në vitin 2019.

    Që atëherë janë ngritur gjithsej 33 aktakuza ndaj 89 personave.