ATV

Blog

  • Grabitet shtëpia e ish-kampionit të Formula 1 Alain Prost

    Grabitet shtëpia e ish-kampionit të Formula 1 Alain Prost

    Katër herë kampioni i botës në Formula 1, Alain Prost, është lënduar lehtë gjatë një grabitjeje në banesën e tij në Zvicër, ku autorët kanë hyrë me forcë dhe kanë kërcënuar familjarët e tij.

    Sipas raportimeve nga mediat zvicerane, ngjarja ka ndodhur të martën në mëngjes, ndërsa grabitësit kanë marrë sende me vlerë pasi kanë detyruar një anëtar të familjes të hapë kasafortën.

    Zyra e Prokurorit Publik në kantonin Vaud ka konfirmuar se ka nisur një hetim, duke theksuar se autorët ende nuk janë identifikuar apo arrestuar.

    Në deklaratat zyrtare të policisë thuhet se disa persona të maskuar hynë me forcë në shtëpi, kërcënuan banorët dhe shkaktuan një lëndim të lehtë në kokë te një prej tyre, në rrethana që ende po hetohen.

    Pas ngjarjes, autorët janë larguar me sende të vjedhura, ndërsa lista e plotë e tyre po përpilohet nga autoritetet.

    Sipas gazetës zvicerane Blick, Prost është larguar nga shtëpia e tij në Nyon pas incidentit dhe është tronditur dukshëm nga sulmi.

    Hetimet për këtë rast vazhdojnë, ndërsa autoritetet zvicerane po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve të grabitjes.

  • João Félix shpallet lojtari i sezonit në Ligën Profesionale Saudite

    João Félix shpallet lojtari i sezonit në Ligën Profesionale Saudite

    Sulmuesi i Al-Nassr FC, João Félix, është shpallur lojtari më i mirë i sezonit në Saudi Pro League, duke lënë pas emra të mëdhenj të futbollit botëror.

    Portugezi 26-vjeçar ka zhvilluar një sezon të jashtëzakonshëm, duke realizuar 20 gola dhe duke u renditur në vendin e pestë në listën e golashënuesve, ndërsa ka qenë lider absolut në asistime me 13 të tilla. Ai ka mposhtur në garë sulmuesin Julian Quiñones të Al-Qadisiyah FC.

    Ky ishte sezoni i parë i Félix me kampionët e ligës saudite, pasi klubi pagoi rreth 30 milionë euro për transferimin e tij nga Chelsea FC në verën e vitit 2025.

    Pavarësisht konkurrencës së fortë, ai arriti të lërë pas në garë edhe bashkëlojtarin e tij Cristiano Ronaldo, si dhe Rúben Neves dhe Ivan Toney.

    Në çmimet individuale të sezonit, portieri më i mirë u shpall Édouard Mendy i Al-Ahli Saudi FC, ndërsa trajneri i vitit u zgjodh Jorge Jesus.

  • Achraf Hakimi kërkon rrëzimin e aktakuzës në Apelin e Versajës

    Achraf Hakimi kërkon rrëzimin e aktakuzës në Apelin e Versajës

    Mbrojtësi i Paris Saint-Germain, Achraf Hakimi, është paraqitur dje (e premte) personalisht në Gjykatën e Apelit në Versajë, ku ka kërkuar rrëzimin e plotë të aktakuzës për përdhunim.

    Çështja ndaj reprezentuesit maroken, e cila është hapur që nga shkurti i vitit 2023, vazhdon të jetë në proces hetimor, ndërsa ekipi i tij ligjor i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat, duke pretenduar mungesë provash materiale dhe ADN-je, si dhe duke e cilësuar rastin si përpjekje për shantazh.

    Sipas mbrojtjes, Hakimi nuk ka kryer asnjë vepër penale dhe akuzat e ngritura nuk mbështeten në prova të mjaftueshme për ta çuar çështjen në gjykatë penale.

    Në qendër të vëmendjes ka qenë edhe dëshmia e mëparshme e shokut të tij të ngushtë, Kylian Mbappé, i cili thuhet se ka ofruar mbështetje për Hakimin gjatë hetimeve, duke përshkruar gjendjen e tij emocionale pas publikimit të akuzave.

    Mbappé ka deklaruar se Hakimi kishte reaguar me tronditje dhe emocione të forta, duke mohuar çdo sjellje të papërshtatshme dhe duke theksuar se nuk kishte vërejtur kurrë sjellje të pahijshme nga ana e tij ndaj grave.

    Rasti po zhvillohet në një moment të rëndësishëm për PSG-në, që ndodhet në prag të finales së UEFA Champions League Final kundër Arsenal FC.

    Pavarësisht presionit të madh mediatik dhe psikologjik, Hakimi mbetet pjesë e rregullt e formacionit të trajnerit Luis Enrique.

    Gjykata pritet të marrë vendim për apelin më 19 qershor. Në rast se refuzohet kërkesa, Hakimi mund të përballet me gjykim dhe dënim që mund të shkojë deri në 15 vjet burg.

  • Bruno Fernandes shpallet “Lojtari i Sezonit” në Premierligë

    Bruno Fernandes shpallet “Lojtari i Sezonit” në Premierligë

    Mesfushori i Manchester United FC, Bruno Fernandes, është shpallur “Lojtari i Sezonit” në Premier League pas paraqitjeve mbresëlënëse gjatë këtij edicioni.

    Reprezentuesi portugez ka qenë një nga figurat kryesore të Manchester Unitedit këtë sezon, duke ndihmuar skuadrën të sigurojë vendin e tretë në tabelë dhe kualifikimin në UEFA Champions League për sezonin e ardhshëm.

    Fernandes ka zhvilluar 34 ndeshje në kampionat, duke realizuar tetë gola dhe duke qenë organizatori kryesor i lojës sulmuese të skuadrës nga mesfusha.

    Njëkohësisht, ai ka arritur edhe një sukses të rëndësishëm individual, pasi ka barazuar rekordin e Ligës Premier për më së shumti asistime në një sezon të vetëm. Portugezi ka regjistruar 20 asistime, duke u barazuar me Kevin De Bruyne dhe Thierry Henry.

    Me një ndeshje të mbetur ndaj Brighton & Hove Albion FC, Fernandes ka mundësinë të vendosë një rekord të ri dhe ta mbyllë sezonin si asistuesi më i mirë i kampionatit.

    Portugezi triumfoi në një garë të fortë për këtë çmim, ku në mesin e kandidatëve ishin edhe Gabriel Magalhães, David Raya, Declan Rice, Erling Haaland, Antoine Semenyo, Igor Thiago dhe Morgan Gibbs-White.

  • Alexander Sorloth drejt largimit nga Atletico-Milani dhe Juventusi në garë për sulmuesin norvegjez

    Alexander Sorloth drejt largimit nga Atletico-Milani dhe Juventusi në garë për sulmuesin norvegjez

    Sulmuesi i Atlético Madrid, Alexander Sørloth, mund të jetë një nga emrat më të përfolur të afatit kalimtar veror, pasi interesimi për të po rritet nga klubet e mëdha evropiane.

    Sulmuesi norvegjez ka zhvilluar një sezon pozitiv në futbollin spanjoll, duke realizuar 20 gola, pavarësisht se nuk ka qenë gjithmonë titullar i rregullt në skuadrën e drejtuar nga Diego Simeone.

    Sipas gazetarit Nicolò Schira, Juventus FC dhe AC Milan kanë kërkuar informacione për mundësinë e transferimit të 30-vjeçarit gjatë verës.

    Juventusi po kërkon një qendërsulmues të ri për shkak të pasigurisë rreth së ardhmes së Dušan Vlahović, ndërsa në listën e dëshirave të klubit bardhezi përmenden edhe Loïs Openda dhe Jonathan David.

    Në anën tjetër, Milani synon të përforcojë repartin ofensiv me një sulmues të nivelit të lartë, pas problemeve të vazhdueshme në fazën e finalizimit gjatë këtij sezoni.

    Pavarësisht rolit jo të përhershëm si titullar, Sørloth ka qenë një armë e rëndësishme për Atletico Madridin, duke treguar efikasitet para portës dhe forcë të madhe fizike në repartin ofensiv.

    Përveç dy gjigantëve italianë, me sulmuesin norvegjez janë lidhur edhe Como 1907 dhe Everton FC.

  • Barcelona pret “dritën e gjelbër” për transferimin e Vedat Muriqit

    Barcelona pret “dritën e gjelbër” për transferimin e Vedat Muriqit

    Gjiganti katalunas Barcelona po e monitoron me shumë vëmendje situatën e MallorcaS në javën e fundit të La Liga, pasi rezultati final i sezonit mund të ndikojë drejtpërdrejt në çmimin e transferimit të Vedat Muriqi.

    Klubi katalunas besohet se është i interesuar seriozisht për sulmuesin kosovar, ndërsa drejtuesit e Barcelonës janë të vetëdijshëm se tarifa aktuale prej rreth 40 milionë eurosh mund të ulet ndjeshëm në rast se Mallorca bie nga elita e futbollit spanjoll.

    Sipas raportimeve, ekzistojnë klauzola të veçanta në kontratën e Muriqit që do ta reduktonin çmimin e largimit të tij, gjë që do ta bënte transferimin shumë më të arritshëm për klubin nga “Camp Nou”.

    Brenda klubit blaugranas, ky operacion konsiderohet si një mundësi ideale për të përforcuar repartin ofensiv me një sulmues me profil ndryshe, sidomos pas largimit të pritshëm të Robert Lewandowski.

    Barcelona e sheh Muriqin si një zgjidhje të rëndësishme për ndeshjet e vështira, falë dominimit në lojën ajrore, forcës fizike dhe eksperiencës së tij në futbollin spanjoll.

  • Xhiroja e 35-të e Albi Mall Superligës sjell derbi dhe përballje vendimtare

    Xhiroja e 35-të e Albi Mall Superligës sjell derbi dhe përballje vendimtare

    Albi Mall Superliga e Kosovës ka hyrë në fazën përfundimtare të sezonit, ndërsa këtë të diel zhvillohet xhiroja e 35-të, respektivisht e parafundit në elitën e futbollit kosovar.

    Edhe pse tashmë janë përcaktuar kampioni, dy skuadrat që bien nga liga dhe dy ekipet që kanë siguruar garat evropiane, vëmendja kryesore mbetet te lufta për t’iu shmangur barazhit.

    Skuadrat që po luftojnë për t’i ikur pozitës së tetë janë FC Prishtina, SC Gjilani, KF Dukagjini, KF Drenica dhe KF Llapi.

    Në Gjilan do të zhvillohet derbi lokal mes FC Drita dhe SC Gjilani, takim në të cilin kampionët e rinj të Kosovës do ta pranojnë edhe trofeun e kampionit.

    Një tjetër përballje interesante luhet në Suharekë, ku FC Ballkani pret FC Prishtina.

    Ndërkohë, KF Dukagjini luan në udhëtim te Prishtina e Re, KF Llapi pret FC Malisheva në stadiumin “Zahir Pajaziti”, ndërsa KF Drenica përballet me KF Ferizaj.

    Dy javët e fundit të kampionatit pritet të jenë vendimtare për skuadrat që synojnë mbijetesën në Superligë,teksa të gjitha ndeshjet e xhiros së 35-të zhvillohen të dielën me fillim nga ora 16:00.

  • Ferati i reagon Kurtit: Këto projekte që je duke i premtu, na veç i kemi realizu-thuajse të gjitha janë përfundu

    Ferati i reagon Kurtit: Këto projekte që je duke i premtu, na veç i kemi realizu-thuajse të gjitha janë përfundu

    Ilir Ferati, kryetar i Istogut, i ka reaguar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, pasi që ky i fundit i ka bërë disa premtime për qeverisjen e ardhshme si projekte për tu realizuar.

    Ferati, në postimin e tij, ka bërë me dije, se projektet e përmendura të Kurtit, ose kanë përfunduar ose janë në përfundim e sipër.

    ‘’Vrellë – Lugu i Butë është e përfundune, rruga për Mokne është përfundim pothuajse e sipër, Rakosh-Cërkolez, është në përfundim e sipër, rruga në Dobrushë, jemi kanë bashkë, s’di qysh e ki harru që janë të kryme’’, ka thënë mes tjerash.

    Postimi:

    MA KADALE ALBIN!

    Këto projekte që je duke i premtu, na veç i kemi realizu – thuajse të gjitha janë përfundu.

    Me kqyrë kapak kah Istogu i nderum në detyrë, me përcjellë çka është punu, pa juve hiç Istogu i përjeton të gjitha këto projekte.

    Ps: postimin edhe mundesh me e editu, por jo t’vertetën! STOP PROPAGANDËS

  • Produksioni del me me njoftim rreth fundit të serialit shumë të përfolur turk “Esref & Ruya”

    Produksioni del me me njoftim rreth fundit të serialit shumë të përfolur turk “Esref & Ruya”

    Produksioni i serialit turk “Eşref Rüya” ka dalë me një njoftim zyrtar, duke konfirmuar se rrugëtimi i këtij projekti televiziv po shkon drejt fundit.

    Përmes një postimi në faqen zyrtare, TİMSBİ Productions bëri të ditur se seriali, që ka mbajtur të mbërthyer publikun para ekranit të Kanal D, do të mbyllet shumë shpejt. Njoftimi, i titulluar “Vetëm edhe 3 episode deri në Finalen e Madhe”, paralajmëron se historia po përgatitet për përfundimin e saj përfundimtar.

    Në deklaratën e tyre, produksioni thekson se: “Disa histori nuk bëhen të paharrueshme sepse zgjasin shumë, por sepse prekin zemrën”. Sipas tyre, seriali do të përfundojë në një mënyrë që i përshtatet “shpirtit” të tij, duke lënë pas personazhe dhe momente që do të mbeten gjatë në kujtesën e shikuesve.

    Produksioni shfrytëzoi këtë moment për të shprehur mirënjohje për të gjithë ata që kontribuan në këtë “udhëtim të bukur” – nga aktorët dhe ekipi prapa kamerave, deri te audienca që e ka ndjekur me besnikëri gjatë gjithë transmetimit.

    Menjëherë pas publikimit të njoftimit, rrjetet sociale u mbushën me reagime nga fansat, të cilët shprehën keqardhje për këtë vendim. Shumë e konsideruan mbylljen të parakohshme, duke theksuar se historia kishte ende hapësirë për t’u zhvilluar më tej, sidomos rreth personazheve kryesore dhe marrëdhënieve mes tyre.

    Tashmë pritet që tri episodet e fundit të sjellin një mbyllje emocionale dhe vendimtare për publikun që e ka ndjekur serialin nga fillimi.

  • Osmani tregon për pyetjen që ia bëri presidenti Trump për Kosovën

    Osmani tregon për pyetjen që ia bëri presidenti Trump për Kosovën

    Kandidatja për presidente nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpalosur detaje nga një bisedë që ka zhvilluar me presidentin amerikan Donald Trump, duke theksuar rëndësinë e raporteve të ngushta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Në një deklaratë në Kanal10, Osmani tha se për Kosovën është jetike që presidenti i vendit të ketë afërsi dhe bashkëpunim të drejtpërdrejtë me ShBA-në, si aleat strategjik dhe ekzistencial.

    Ajo tregoi se në një takim me sekretarin Marco Rubio, është përmendur edhe një pyetje e dërguar nga Trump për Osmanin.

    Osmani tha se përgjigjja e saj ka qenë e fokusuar vetëm në interesin e Kosovës, duke përfshirë çështje si NATO, njohjet ndërkombëtare, investimet dhe mbrojtja e kufijve.

    “Për Kosovën është e rëndësishme që presidenti i saj, pavarësisht kush është, të këtë lloj afërsie me presidentin e ShBA-së, me aleatin tonë strategjik ekzistencial dhe për më tepër ta bëjë atë që e kam bërë unë, ta operacionalizojë tërë këtë relacion vetëm dhe vetëm në interes të Republikës së Kosovës. Unë kur jam ulur me sekretarin Rubio, fjalia e parë që ma ka thënë, ‘zonja presidente, unë sapo erdha nga Shtëpia e Bardhë dhe pyetja e presidentit Trump për ju është: çfarë mund të bëjmë ne për ju, zonja presidente’ dhe përgjigjja ime ka qenë, nga A deri në Zh vetëm për Republikën e Kosovës dhe asnjë kërkesë për vetëm time, nga çështja e anëtarësimit në NATO tek përmbyllja e procesit të njohjeve, tek investimet masive në sektorin e teknologjisë informative dhe në fushat e tjera, tek çështja e mbrojtjes së kufijve, dhe me këtë takim kam arritur që me nënshkrim të presidentit të ShBA-së, dhe me letrën që ma ka dërguar mua si presidente, që askush nuk guxon t’i prekë kufijtë e Kosovës dhe ShBA-ja është mbështetësi më i fuqishëm i sovranitetit dhe integritetit evropian të Kosovës”, tha ish-presidentja Vjosa Osmani.