ATV

Blog

  • Oda Ekonomike Amerikane i kërkon Qeverisë së Kosovës uljen e taksës doganore për kondicionerë, televizorë dhe telefona

    Oda Ekonomike Amerikane i kërkon Qeverisë së Kosovës uljen e taksës doganore për kondicionerë, televizorë dhe telefona

    Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës ulje të taksës doganore për kondicionerë, televizorë dhe telefona. Propozimi i OEK paraqitet si masë kundër inflacionit dhe informalitetit, duke theksuar se Kosova ka normat më të larta të taksës doganore në rajon për këto produkte.

    Oda Ekonomike Amerika i ka dorëzuar Qeverisë së Kosovës një propozim të detajuar për uljen e taksës doganore për disa produkte të rëndësishme.

    Propozimi kërkon ulje të tatimit doganor për kondicionerë, televizorë LCD dhe LED, si dhe smartfonë.

    Dokumenti, të cilin e ka parë gazeta Nacionale, thekson se Kosova aplikon norma doganare ndër më të lartat në rajon për disa kategori produktesh.

    Duke cituar Agjencinë së Statistikave të Kosovës (ASK), OEK vlerëson norma vjetore e inflacionit në qershor të vitit 2022, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, shënoi 14.1 për qind.

    Sipas dokumentit të propozuar, ky nivel është rreth pesë pikë përqindjeje mbi normat e inflacionit të regjistruara njëkohësisht në Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.

    Propozimi që i është dorëzuar Qeverisë thekson se Kosova ndryshe nga shtetet e tjera, nuk disponon mjet të politikës monetare për të luftuar inflacionin dhe se masa fiskale mbeten rruga e vetme e ndërhyrjes.

    Kondicionerët — efiçiencë energjetike si argument kryesor

    Në propozimin e saj, OEK argumenton se kondicionerët e tipit “inverter” paraqesin alternativën më efiçiente energjetike për ngrohjen e banesave gjatë dimrit.

    Sipas dokumentit, kondicionerët me cikël të kundërt janë “300–600% efiçientë”, që do të thotë se nga një njësi energjie elektrike prodhojnë tre deri në gjashtë njësi energji termike.

    Ndër të tjera thuhet se KESCO ka publikuar të dhëna sipas të cilave, për familjet që ngrohen me energji elektrike, shpenzimet e ngrohjes mund të arrijnë deri në 60–70 për qind të faturës totale të energjisë.

    Propozimi vlerëson se adoptimi masiv i kondicionerëve inverter do të reduktonte konsumin gjatë orëve të pikut, duke lehtësuar presionin mbi infrastrukturën energjetike të vendit.

    Në aspektin krahasues rajonal, sipas dokumentit, Serbia aplikon normën më të ulët doganore prej 5 për qind për kondicionerë, ndërkohë që Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina aplikojnë 15 për qind.

    Tutje, thuhet se norma standarde e Bashkimit Evropian për kondicionerë është vetëm 2.2 për qind, e cila është dukshëm nën normën aktuale prej 10 për qind që aplikohet në Kosovë.

    Rekomandimi i OEK është që Qeveria e Kosovës të ulë normën doganore për kondicionerë, duke e sjellë të paktën në nivelin e Serbisë, ose idealisht të BE-së, duke pasur parasysh aspiratat integruese të vendit.

    Televizorët — konsumi gjatë orëve të pikut

    Propozimi i OK trajton gjithashtu televizorët LCD dhe LED si kategori tjetër ku Kosova mund të ndërhyjë me ulje doganore.

    Dokumenti nënvizon se televizorët e rinj me teknologji LCD dhe LED janë dukshëm më efiçientë energjetikisht krahasuar me televizorët e vjetër me tub katodik (CRT), duke arritur eficiencë deri në dyfish.

    Të dhënat e Komisionit të Pavarur të Mediave tregojnë se rreth gjysma e qytetarëve të Kosovës shikojnë televizor më shumë se dy orë në ditë.

    Madje, sipas dokumentit,. 60 për qind e familjeve të reja, të përcaktuara si ato nën moshën 28 vjeç, kanë televizor në shtëpi.

    Kosova aktualisht aplikon normën doganore prej 10 për qind për televizorët LCD, ndërkohë që Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina e kanë në 5 për qind.

    Bashkimi Evropian, nga ana e tij, aplikon normën prej 14 për qind, e cila është më e lartë se normat e disa vendeve të rajonit, por ky fakt shpjegohet me strukturën e FTA-ve ekzistuese evropiane.

    Oda rekomandon ulje të normës doganore për televizorët LCD dhe LED, me qëllim që çmimet për konsumatorët kosovarë të barazohen me ato të konsumatorëve në vendet fqinje.

    Smartfonët — lufta kundër kontrabandës

    Sektori i smartfonëve paraqet, sipas dokumentit, rastin më urgjent dhe politikisht më të ndjeshëm për ndërhyrje.

    Sipas vlerësimeve të cituara në propozim, tregu i telefonave celularë në Kosovë vlerësohet të ketë një vëllim prej rreth 50 milionë eurove në vit.

    Mirëpo, shifrat zyrtare të importit për vitin 2020 tregojnë vetëm 7.5 milionë euro — me të ardhura doganore prej 750,000 eurove dhe të ardhura nga TVSH-ja prej 1.485 milionë eurove.

    Hendeku i madh midis vlerësimit të tregut dhe importit zyrtar dëshmon praninë e konsiderueshme të tregut informal, sipas dokumentit.

    Dogana dhe Policia e Kosovës kanë raportuar kontrabandën e telefonave prej më shumë se një dekade. Vetëm kohët e fundit, një aksion policor në gjashtë lokacione të Kosovës rezultoi me konfiskimin e mbi 200 smartfonëve.

    Propozimi argumenton se tregtarët formalë, që paguajnë detyrimet doganore, janë të penalizuar konkurrencialisht ndaj operatorëve informalë që ofrojnë çmime artificiarisht të ulëta.

    Për më tepër, konsumatorët ekspozohen ndaj rreziqeve serioze: shitësit informalë kanë dokumentuar raste të ndërrimit të baterive origjinale, kamerave dhe shitjes së modeleve kineze si produkte origjinale.

    Në krahasim rajonal, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut aplikojnë normë doganore 0 për qind për smartfonë, ndërkohë që Serbia dhe Bosnja e Hercegovina aplikojnë 5 për qind. Norma e BE-së është gjithashtu 0 për qind.

    Në fund të dokumentit theksohet nevoja e ndryshimit të Kodit Doganor të Kosovës.

    Në propozim theksohet se Kodi Doganor i Kosovës, Nr. 03/L-109, është në fuqi që nga viti 2008 dhe norma standarde prej 10 për qind nuk ka ndryshuar gjatë kësaj periudhe.

    Duke theksuar se legjislacioni tatimor ka pësuar ndryshime të shumta dhe thelbësore, propozimi tregon që sistemi doganor ka mbetur thuajse i pandryshueshëm.

    Dokumenti thekson se masat e propozuara janë relativisht të thjeshta nga pikëpamja e zbatimit dhe “mund të implementohen nëpërmjet Ministrisë së Financave me anë të një vendimi qeveritar”.

    Propozimi argumenton se ulja e doganave për smartfonë nuk do të çonte në humbje të konsiderueshme të të ardhurave, duke pasur parasysh se tregu informal tashmë nuk kontribuon në arkën e shtetit.

    Synimi i fundit i dokumentit është barazimi i kushteve të konsumatorëve kosovarë me ato të konsumatorëve në vendet fqinje, ndërkohë që Kosova mbetet, sipas shumicës së treguesve ekonomikë, vendi më i varfër i rajonit.

  • Ky është parashikimi i motit për sot dhe 4 ditët e ardhshme

    Ky është parashikimi i motit për sot dhe 4 ditët e ardhshme

    Gjatë kësaj jave moti do të jetë me intervale të gjata me diell dhe vranësirat, ndërsa në disa zona të izoluara parashihen riga shiu.

    Sipas të dhënave të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, kushtet konsiderohen të favorshme për kulturat pranverore dhe lagështia në tokë pritet të mbetet e mire për shumicën e bimëve.

    Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme:

    Të hënën –Mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 8 dhe 11°C, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 24 deri në 27°C. Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1-4 m/s.

    Të martën –Mot me diell dhe vranësira të pakta. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 9-13°C, ndërsa maksimalet 25-29°C. Era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi 1-5m/s.

    Të mërkurën do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara, ndërsa vranësira më të dendura priten përreth relievit malor. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 9 deri në 12°C, kurse maksimalet e ditës parashihen të lëvizin nga 25deri në 29°C. Era do të fryjë kryesisht nga verilindja me shpejtësi 1-6 m/s.

    Të enjten parashihet mot me diell dhe vranësira të dendura, të cilat gjatë ditës vende-vende mund të sjellin reshje shiu të përcjella me shkarkime elektrike. Temperaturat minimale do të jenë 9-12°C, ndërsa maksimalet 23-27°C. Era nga verilindja do të fryjë me shpejtësi 1-10 m/s.

    Të premten do të mbajë mot i vranët dhe me interval me diell. Vranësirat vende-vende mund të sjellin riga lokale shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 7 deri10°C, ndërsa maksimalet e ditës nga 22 deri në 26°C. Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1-6 m/s.

  • Dukagjini përmbys Prishtinën e Re në një duel dramatik

    Dukagjini përmbys Prishtinën e Re në një duel dramatik

    KF Dukagjini ka marrë një fitore të vështirë në udhëtim ndaj Prishtina e Re, në kuadër të xhiros së 35-të në Superligën e Kosovës.

    Skuadra nga Klina, e cila së fundmi triumfoi në Kupën e Kosovës, fitoi me rezultat 2-3 pas një përmbysjeje në pjesën e dytë.

    Dukagjini kaloi i pari në epërsi me golin e Pllanës në minutën e 13-të. Megjithatë, vendasit reaguan fuqishëm para pushimit, kur Mekic realizoi dy herë brenda katër minutash për të përmbysur rezultatin (40’, 45+4’).

    Në pjesën e dytë, KF Dukagjini dominoi lojën dhe arriti të rikthehej në rezultat. Fillimisht Altin Mërlaku realizoi një gol të bukur për 2-2 në minutën e 65-të.

    Vetëm dy minuta më vonë, Kushtrim Gashi shënoi golin e përmbysjes dhe të fitores për skuadrën nga Klina.

    Pas kësaj fitoreje, KF Dukagjini shkon në kuotën e 48 pikëve, ndërsa Prishtina e Re mbetet me 31 pikë.

  • Llapi fiton duelin dramatik ndaj Malishevës

    Llapi fiton duelin dramatik ndaj Malishevës

    KF Llapi ka shënuar fitore shumë të rëndësishme ndaj KF Malisheva në kuadër të xhiros së 35-të të Superligës së Kosovës.

    Skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina triumfoi me rezultat 3-2, duke bërë një hap të madh drejt sigurimit të mbijetesës dhe shmangies së barazhit.

    Mysafirët e nisën më mirë takimin dhe kaluan në epërsi në minutën e 20-të përmes Veliut, pas një aksioni të bukur.

    Megjithatë, reagimi i vendasve ishte i shpejtë. Talenti Arianit Hasani realizoi një gol të bukur për barazimin e rezultatit në minutën e 29-të.

    Vetëm gjashtë minuta më vonë, Ramadani u tregua i saktë nga pika e bardhë për ta përmbysur rezultatin në favor të KF Llapi.

    Pa përfunduar pjesa e parë, Arbnor Aliu realizoi edhe golin e tretë për vendasit në minutën e 41-të, duke i dhënë qetësi ekipit të tij.

    Në fund, KF Malisheva arriti vetëm ta ngushtojë epërsinë me golin e Mevlan Zekës në minutën e 87-të.

    Pas kësaj fitoreje, KF Llapi shkon në kuotën e 46 pikëve, ndërsa KF Malisheva mbetet në pozitën e tretë me 56 pikë.

  • Drenica triumfon ndaj Ferizajt dhe largohet nga zona e barazhit

    Drenica triumfon ndaj Ferizajt dhe largohet nga zona e barazhit

    KF Drenica ka bërë një hap shumë të rëndësishëm në luftën për mbijetesë, pasi ka mposhtur KF Ferizaj me rezultat 3-2 në shtëpi, në një duel dramatik.

    Drenica e nisi më mirë takimin dhe kaloi në epërsi në minutën e 25-të, kur Kreshnik Uka realizoi një gol të bukur.

    Megjithatë, mysafirët reaguan fuqishëm në pjesën e dytë duke përmbysur gjithçka brenda pak minutash. Fillimisht Dion Gërbovci barazoi shifrat në minutën e 53-të, ndërsa vetëm tre minuta më vonë Arfangun realizoi për 1-2.

    Vendasit nuk u dorëzuan dhe rikthyen baraspeshën përmes Igball Jasharit në minutën e 60-të.

    Kur gjithçka po shkonte drejt barazimit, në skenë doli sërish Kreshnik Uka, i cili realizoi golin e fitores në minutën e 90-të për t’ia siguruar tri pikët e mëdha KF Drenica.

  • Prishtina triumfon në Suharekë ndaj Ballkanit

    Prishtina triumfon në Suharekë ndaj Ballkanit

    FC Prishtina ka marrë tri pikë të mëdha në udhëtim ndaj FC Ballkani, në kuadër të xhiros së 35-të të Superligës së Kosovës.

    “Bardhëkaltërit” fituan me rezultat 1-2 në Suharekë, në një ndeshje mjaft të luftuar dhe të baraspeshuar. Leutrim Kryeziu kaloi mysafirët në epërsi në minutën e nëntë, duke u treguar i saktë nga pika e bardhë.

    Vendasit reaguan para përfundimit të pjesës së parë, kur Valentin Serebe realizoi për barazimin 1-1 në minutën e 44-t.

    Megjithatë, talenti Rin Ahmeti doli vendimtar për FC Prishtina, duke realizuar një gol të bukur në minutën e 70-të për t’ia siguruar ekipit të tij fitoren e rëndësishme.

    Pas kësaj fitoreje, FC Prishtina ngjitet në pozitën e katërt me 49 pikë, ndërsa FC Ballkani mbetet në vendin e dytë me 58 pikë.

  • Gjilani triumfon ndaj Dritës në derbin e Anamoravës

    Gjilani triumfon ndaj Dritës në derbin e Anamoravës

    SC Gjilani ka shënuar fitore të rëndësishme ndaj FC Drita në derbin e Anamoravës, në kuadër të xhiros së 35-të të Superligës së Kosovës.

    “Skifterët” zhvilluan një paraqitje mjaft të mirë, duke triumfuar me rezultat 0-2 në udhëtim. Besart Morina realizoi shumë herët, vetëm pas tre minutash lojë, për t’i dhënë epërsinë mysafirëve.

    Në pjesën e dytë, Robert Rrahmani vulosi fitoren me një supergol pas një kundërsulmi të shpejtë në minutën e 62-të.

    Pas kësaj fitoreje, SC Gjilani ngjitet në pozitën e gjashtë me 48 pikë, ndërsa FC Drita mbetet në krye me 66 pikë, pasi tashmë e ka siguruar titullin kampion.

  • Albion Rrahmani shënon sërish për Spartën e Pragës

    Sulmuesi kosovar, Albion Rrahmani, ka vazhduar formën e mirë me fanellën e Spartës së Pragës duke realizuar edhe një tjetër gol në elitën e futbollit çek.

    Ylli i Kosovës shënoi vetëm tre minuta pas fillimit të pjesës së dytë, duke ia rikthyer epërsinë skuadrës vendase.

    Pas një asistimi të Zelenyt, Rrahmani reagoi saktë brenda zonës dhe me një goditje precize mposhti portierin kundërshtar.

    Ky ishte goli i 11-të i sezonit për Rrahmanin në kampionatin çek, ndërsa sulmuesi ka kontribuar gjithashtu edhe me tri asistime.

  • Luka Modric flet për të ardhmen te Milani: Dua ta mbyll me një trofe

    Luka Modric flet për të ardhmen te Milani: Dua ta mbyll me një trofe

    Luka Modric ka folur për të ardhmen e tij te Milani, ndërsa kontrata aktuale po i afrohet fundit. Pavarësisht se ka mbushur 40 vjeç, mesfushori kroat vazhdon të mbetet një figurë e rëndësishme për trajnerin Massimiliano Allegri dhe synon ta përfundojë aventurën në “San Siro” me një trofe.

    Kontrata e Modricit skadon në fund të sezonit, edhe pse ai ka mundësinë për ta zgjatur edhe për një vit tjetër. Kjo ka bërë që së fundmi të shtohen spekulimet për të ardhmen e tij.

    Kroati iu bashkua Milanit si lojtar i lirë në verën e vitit 2025, pas një karriere të jashtëzakonshme me Real Madridin, dhe vazhdon të tregojë nivel të lartë edhe në fundin e karrierës së tij.

    Ndërsa shumë futbollistë të kësaj moshe mendojnë për pensionimin, Modric po i mban të hapura të gjitha opsionet, si për rinovimin me Milanin, ashtu edhe për një aventurë të re.

    Në një prononcim për Sportmediaset, veterani kroat u shpreh i lumtur në klub, por theksoi se fokusi i tij aktual mbetet fusha.

    “Çfarë mund të them është se jam shumë i lumtur te Milani, por gjëja më e rëndësishme tani është ndeshja ndaj Cagliarit të dielën dhe kualifikimi në Ligën e Kampionëve”.

    “Sa i përket pjesës tjetër, do të shohim. Kam një marrëdhënie shumë të mirë me klubin, drejtuesit dhe trajnerin”, deklaroi Modric.

    Ai shtoi se qëllimi i tij që nga dita e parë ka qenë të ndihmojë skuadrën të fitojë trofe.

    “Kur zgjodha Milanin, ishte për të ndihmuar dhe për të tentuar të fitojmë. Këtë vit kjo nuk ndodhi, por është e qartë se do të doja të fitoja një trofe me Milanin. E përsëris: tani po mendoj vetëm për ndeshjen e së dielës”, përfundoi kroati.

  • Kylian Mbappe barazon rekordin historik të Cristiano Ronaldos te Real Madridi

    Kylian Mbappe barazon rekordin historik të Cristiano Ronaldos te Real Madridi

    Kylian Mbappe po vazhdon të shkruajë histori me fanellën e Real Madridit. Sulmuesi francez ka arritur shifrën e jashtëzakonshme prej 86 golash në të gjitha garat gjatë dy sezoneve të tij të para me gjigantët spanjollë, duke barazuar rekordin historik të Cristiano Ronaldos.

    Mbappe realizoi 44 gola në sezonin 2024/25 dhe 42 gola në edicionin 2025/26, duke arritur totalin prej 86 golash në vetëm dy vite me madrilenët. I njëjti rekord ishte vendosur nga Cristiano Ronaldo në fillim të aventurës së tij te Real Madridi, me 33 gola në sezonin 2009/10 dhe 53 në sezonin 2010/11.

    Sezoni 2025/26 ishte veçanërisht mbresëlënës për francezin, i cili shënoi 42 gola në 44 paraqitje në të gjitha garat. Prej tyre, 25 gola erdhën në La Liga, 15 në Ligën e Kampionëve dhe dy në Copa del Rey.

    Gjatë karrierës së tij me klube, Mbappe ka kaluar shifrën e 42 golave vetëm në dy raste të tjera: me 44 gola te Paris Saint-Germain në sezonin 2023/24 dhe po ashtu 44 gola në sezonin e tij debutues me Real Madridin, 2024/25.

    Me ritmin që po tregon, francezi po konfirmohet si një nga figurat kryesore të epokës së re të Real Madridit dhe një kandidat serioz për të thyer edhe më shumë rekorde historike në “Santiago Bernabéu”.