ATV

Blog

  • Ligji për kontrollin e duhanit i miratuar, por nuk zbatohet

    Ligji për kontrollin e duhanit i miratuar, por nuk zbatohet

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Edhe pse është e ndalur me ligj, pirja e duhanit në ambiente të mbyllura po vazhdon.

    Ligji për kontrollin e Duhanit nuk po zbatohet, ani pse 8 muaj më parë, Qeveria e Kosovës formoi edhe Këshillin Ndërministror për Kontroll të Duhanit, këshill ky që kishte për qëllim mbrojtjen e shëndetit publik. Madje vetë kryeministri Albin Kurti kishte thënë se do te ketë ZERO tolerancë, për ata që nuk e respektojnë këtë ligj.

    Pavarësisht kësaj, duhani po pihet lirshëm në hapësira të mbyllura.

    Sipas qytetarëve, numri i inspektorëve duhet të rritet.

    Se numri i inspektorëve është i ulët e thonë edhe nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës. Sipas sekretarit të kësaj Shoqate, në shumë lokale të gastronomisë nuk respektohet Ligji i Duhanit.

    “Mua personalisht më ka thirrë në takim ministri Vitia para një muaji, që do të ketë më shumë aksione të respektimin e këtij ligji. Ka pasë si zakonisht inspektime dhe e kam ditë që nuk do të jetë e kënaqshme sepse nuk janë politika të mjaftueshme dhe ata duhet të fokusohen më shumë”, tha Arian Vranica nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës.

    ATV-ja ka provuar të marrë përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë, sa i përket numrit të gjobave të shqiptuara, si dhe për inspektimet në përgjithësi, mirëpo ajo gjatë të hënës nuk është përgjigjur.

    Ligji për kontrollin e duhanit ka hyrë në fuqi në maj të vitit 2013, i cili parasheh ndalimin e pirjes së duhanit në hapësira të mbyllura. Sipas Ligjit për kontrollin e duhanit, nëse tymoset në hapësirat e ndaluara me ligj, gjoba për subjektet afariste është nga njëmijë deri në tremijë euro, derisa për persona fizikë 30 deri në 50 euro.

  • Masat mbesin, marrëveshja obliguese, s’ka datë për takim të ri për dialog

    Masat mbesin, marrëveshja obliguese, s’ka datë për takim të ri për dialog

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Kosova duhet të bëjë hapa të mëtejmë shtensionues në veri, për ta bindur Bashkimin Evropian për heqjen e masave ndëshkuese.

    Bashkimi Evropian njoftoi se po përcjell nga afër zhvillimet në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, për të parë nëse kërkesat e saj nga viti i kaluar, në raport me deeskalimin e plotë po përmbushen.

    “Po ashtu, po punojmë me partnerët që t’u ndihmojmë atyre të ndërmarrin hapat e nevojshëm për deeskalim, për të zgjidhur problemet që kontribuuan në krizat e fundit. Dhe, kur të jenë ndërmarrë mjaftueshëm hapa pozitivë, BE-ja do të rishqyrtojë masat ndaj Kosovës dhe eventualisht t’i heqë ato”, tha zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.

    BE-ja nuk ka dyshim që marrëveshja bazë dhe shtojca mbesin detyrime ligjore për Kosovën dhe Serbinë, dhe kusht në procesin e anëtarësimit.

    “Nuk e komentojmë përmbajtjen e letrave të ndryshme që pranojmë. Nuk jam në dijeni që Serbia zyrtarisht të ketë ri-shpallur zotimet e saj që dalin nga Marrëveshja e Brukselit ose Shtojca e Ohrit. Kështu që kjo është marrëveshje ligjërisht obliguese dhe zbatimin e saj e kanë marrë përsipër të dyja palët”, tha Stano.

    Derisa në Serbi vazhdon pritja për formimin e Qeverisë së re, BE-ja ende nuk ka datë për një takim eventual të nivelit të lartë në dialog.

    “Puna në dialog vazhdon dhe fokusi i kësaj pune është në zbatimin e asaj që ishte dakorduar, vitin e kaluar, në Bruksel dhe në Ohër. Kjo është shumë e rëndësishme. E kemi parë që përparimi është i mundur, kur disa ditë më parë, Kosova dhe Serbia u pajtuan t’i njohin targat e automjeteve, pa regjimin e stikerëve. Kjo është dëshmi konkrete që përparimi është i mundur nëse ka mjaftueshëm vullnet të mirë. Shpresojmë që kjo të vazhdojë edhe pasi të formohet Qeveria e re e Serbisë”, tha Stano.

    Në nëntor të vitit të kaluar, BE-ja u prezantoi kryenegociatorëve një draft të ri të planit të sekuencimit të zbatimit të marrëveshjes bazë dhe shtojcës.

    Bashkimi Evropian ka përsëritur se shtetet anëtare dhe partnerët, duke veçuar SHBA-në, presin që Kosova dhe Serbia të mos humbasin kohë për zbatimin.

  • Policia ruan “Rajska Banjën”, MPB-ja ende nuk ka vendosur se për çfarë do ta shfrytëzojë

    Policia ruan “Rajska Banjën”, MPB-ja ende nuk ka vendosur se për çfarë do ta shfrytëzojë

    Përgatiti: Nora Luta

    Policia e Kosovës po vazhdon ta ruajë kompleksin turistik “Rajska Banja”, këtu në Banjskë të Zveçanit.

    Ekzekutivi kosovar ende nuk kanë vendosur se për çfarë do të përdoret ky objekt, i cili me vendim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, i kaloi Ministrisë së Punëve të Brendshme.

    Deri në dhjetor të vitit 2023, nga Agjencia Kosovare e Privatizimit thonë se e patën të vështirë qasjen në këtë pjesë.

    Me asistimin e Policisë, dryni u është vendosur edhe objekteve të tjera përcjellëse të kompleksit, i cili ndodhet afër Manastirit të Banjskës.

    Zëdhënësi Ylli Kaloshi i ka thënë ATV-së se kompleksi, i cili është në pronësi të Ndërmarrjes Shoqërore “Trepça-Standard”, është i ndërtuar pa bazë ligjore dhe se AKP-ja nuk ka arritur të kontaktojë përgjegjësit.

    “Këto ngastra kadastrale ndodhen në Zonën Kadastrale Banjskë, ku kanë qenë të ndërtuara hotel dhe restorant për punëtorët e ndërmarrjes, objekte këto të cilat janë rrënuar dhe në të njëjtin lokacion është ndërtuar një motel dhe rezort/pishinë pa ndonjë bazë ligjore. Pas dështimit të tentimeve të njëpasnjëshme të vendoset kontakt me palët të përfshira në ndërtimin e motelit apo resorit dhe pishinës, AKP-ja ka vendosur nën administrim këto prona dhe ato, me vendim të Bordit të Drejtorëve, janë dhënë në shfrytëzim për Ministrinë e Punëve të Brendshme, pas kërkesës që kjo Ministri ka parashtruar në Agjenci”, tha Kaloshi.

    Ndërtimi “Rajska Banja”, brenda të cilit ka burime uji të nxehtë dhe sulfuror, ishte financuar nga qeveria e Serbisë.

    Ndërkohë, në fshatin i cili tronditi vendin më 24 shtator të vitit të kaluar, janë parë pak lëvizje të banorëve të hënën e 8 janarit.

    Gjatë sulmit terrorist kishte mbetur i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, dhe dy zyrtarë tjerë policorë ishin plagosur.

  • Rreth 58% e fëmijëve të komuniteteve nuk e vazhdojnë shkollimin e mesëm të lartë

    Rreth 58% e fëmijëve të komuniteteve nuk e vazhdojnë shkollimin e mesëm të lartë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Ka më shumë se 8 vjet, që ndjesinë e bankave shkollore nuk e përjetojnë.

    E pikërisht këtë rrugë përmes së cilës dikur shkonin në shkollë, sot e përshkojnë për të shkuar në punë.

    Njëri 15 e tjetri 13 vjeç, shkollimin e përmbyllën qysh në klasë të 6-të.

    Ndonëse, dëshira për të vazhduar shkollimin është e madhe, kushtet ekonomike po ua pamundësojnë një gjë të tillë.

    Fatin e njëjtë e patën edhe bashkëmoshatarë të tjerë.

    Në strategjinë shtetërore për rininë për vitin 2024 – 2032, thuhet se rreth 58 për qind e fëmijëve nga komunitetet rom, ashkali e egjiptian nuk vijojnë fare shkollimin e mesëm të lartë. Ndërkaq, atë të mesëm të ulët e ndjekin vetëm 20 për qind prej tyre.

    Këto shifra për njohësit e arsimit janë shqetësuese. Salie Gajtani Osmankaq thotë se përveç kushteve ekonomike, edhe diskriminimi ka ndikuar që fëmijët e komunitetit ta braktisin shkollimin.

    “Braktisja e shkollimit te komunitetet, por edhe mosvijimi i arsimit të lartë bëhen për dy arsye: standardi ekonomik se detyrohen për me e mbajtë familjen. E element tjetër shumë shqetësuese është nga frika për diskriminim racor e bullizëm”, tha Salie Gajtani Osmankaq, njohëse e arsimit.

    Megjithatë, rreth 120 fëmijë që nuk vijuan mësimin fillor, shkrimin dhe leximin mund t’i mësojnë edhe në qendrën ditore për fëmijët me situatë rruge, në Prishtinë.

  • Sheshi “Xhorxh Bush” nuk do të hapet për qarkullim të mjeteve motorike

    Sheshi “Xhorxh Bush” nuk do të hapet për qarkullim të mjeteve motorike

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Pas mbylljes së aktivitetit të “tregut të fundvitit”, Komuna e Prishtinës planifikon që në muajt në vazhdim, në sheshin “Xhorxh Bush” të investojë.

    Pavarësisht se disa grupe të qytetarëve po kërkojnë hapjen e këtij sheshi, Drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Ilirik Musliu, thotë se kjo gjë nuk do të ndodhë.

    “Do të vazhdojmë me planin tonë meqë sipas analizave nuk del të jetë problematik…”, tha Musliu.

    Duke folur për transformimet që do t’i ketë sheshi, Musliu, përsëri nuk iu gjeti vend mjeteve motorike.

    “Do të bëhet si në vendet evropiane, por nuk do të lirohet për qarkullim….”, tha Musliu.

    Në kuadër të planit të mobilitetit, mbyllja e sheshit ishte temë diskutimi edhe në qeverisjet e kaluara.

    “Prishtina si i vetmi vend në rajon me planin e mobilitetit të kaluar në kuvendin komunal, natyrisht që ka menduar edhe për ketë pjesë infrastrukturore…”, tha asamblisti i AKR-së, Gëzim Mehmeti.

    Por, sipas këtij plani nuk parashihej mbyllje e tërësishme.

    “Sipas planit, është paraparë vetëm një pjesë e sheshit…”, tha Mehmeti.

    Sidoqoftë, qytetarët kanë mendime të ndryshme, sa i përket çështjes së rikthimit të rrugës në qarkullim apo jo.

    “Nuk pajtohem, sidoqoftë po presim se çfarë kanë në plan me këtë rrugë”, thotë Dibran Gashi, qytetar.

    “Gjithmonë është më mirë të ketë hapësirë më shumë për këmbësor, nuk mendoj që kjo rrugë nëse mbyllet shkakton problem në komunikacion”, tha Musa Aliu, qytetar.

    “Nuk kanë bërë edhe shumë mirë me mbylljen e rrugës, hapësirë e tepërt”, tha Brahim Brahimi, qytetar.

    Krahas kësaj, me qëllim të parandalimit të këtij projekti, të dielën, disa prej banorëve të kryeqytetit kanë paralajmëruar edhe protestë.

  • Të enjten nis intervistimi i kandidatëve për kryeshef të Trepçës

    Të enjten nis intervistimi i kandidatëve për kryeshef të Trepçës

    Përgatiti: Armand Hoti

    Enis Abdurrahmani vazhdon të jetë ushtrues detyre i kryeshefit të “Trepçës”, përkundër faktit se shkarkimi i tij, qe kusht i minatorëve për ta ndërprerë grevën dhjetëditore, të filluar në tetor të vitit që lamë pas.

    Afati për aplikim për pozitën e kryeshefit në konkursin e rihapur, përfundoi më 26 dhjetor. ATV-ja kupton se të enjten do intervistohen kandidatët që synojnë për këtë pozitë.

    Destan Kërleshi, nënkryetar i Sindikatës së Minatorëve të “Trepçës”, shpreson se konkursi do të rezultojë me emërimin e një kryeshefi të ri që do të ndikojë pozitivisht në performancën e ndërmarrjes.

    “Meqenëse, konkursi i parë u mbyll pa rezultate, shpresojmë që në këtë konkurs të zgjidhet një kandidat potencial që mund ta çojë ndërmarrjen përpara.

    Ndërmarrja “Trepça”, aktualisht është në një situatë shumë të rëndë edhe në aspektin e prodhimit si dhe të financave”, tha Kërleshi.

    Ndërprerjes së grevës i parapriu një marrëveshje mes Bordit të Përkohshëm Mbikëqyrës dhe minatorëve grevistë.

    Kërkesat e minatorëve ishin të qarta: realizimi i pagës mujore nga data 06 deri më datë 10, shkarkimi i kryeshefit, si dhe sigurimi shëndetësor dhe kushte më të mira të punës. Përmes një komunikate të lëshuar më 5 nëntor, Bordi i “Trepçës”, theksoi se kërkesat e minatorëve po trajtohen me prioritet.

    Kryesindikalisti Kërleshi tregon për hapat që deri më tani janë ndërmarrë në realizimin e kërkesave të minatorëve.

    “Sa i përket realizimit të pagave, në muajin nëntor kemi pasur vonesa, pagën e dhjetorin e kemi marrë para Vitit të Ri, falë subvencioneve të Qeverisë… Sigurim shëndetësor nuk ka, lëvizje ka, sipas një takimi që kemi pasur në fillim të dhjetorit ME-ja ka ndarë subvencione ku është përfshirë edhe sigurimi shëndetësor i punëtorëve, të paguhet borxhi ndaj kompanive që më herët kanë bërë sigurimin e punëtorëve”, tha Kërleshi.

    Enis Abdurrahmani është ushtrues detyre i kryeshefit të “Trepçës”, për më shumë se dy vjet. Në fund të shtatorit të vitit 2023, Bordi paraprak i ndërmarrjes mori vendim për shkarkimin e Enis Abdurrahmanin për shkak të performancës së dobët. Më pas Qeveria e shkarkoi atë bord, duke emëruar një bord tjetër të përkohshëm, i cili ktheu Abdurrahmanin në detyrë. Deri në tetor të vitit 2023, ndërmarrja “Trepça” me kryeshef Enis Abdurrahmanin, nuk kishte realizuar as gjysmën e shitjeve të planifikuara për tërë vitin.

  • Ditë zie në botën e futbollit, ndahet nga jeta Franz Beckenbauer

    Ditë zie në botën e futbollit, ndahet nga jeta Franz Beckenbauer

    Franz Beckenbauer ka vdekur në moshën 78-vjeçare dhe këtë lajm të hidhur e ka bërë të ditur familja e tij.

    Legjenda e futbollit gjerman ka vuajtur për një kohë të gjatë nga një sëmundje e pashërueshme, dhe ishte ajo që e mori nga kjo botë legjendën e këtij sporti.

    Fituesi i Kupës së Botës vdiq ditën e dielë, teksa tashmë kanë vërshuar edhe homazhet nga bota e futbollit, duke shprehur ngushëllimet.

    Beckenbauer, i mbiquajtur “Der Kaiser”, konsiderohet si një nga lojtarët më të mëdhenj të futbollit. Beckenbauer ka luajtur në total 621 ndeshje, ku ka shënuar 74 gola dhe ka asistuar 75 herë. Legjenda gjermane nuk është ndëshkuar asnjëherë me kartonin e kuq.

    Ndërsa me kombëtaren e Gjermandisë, ai ka luajtur 103 ndeshje, ku ka shënuar 14 gola dhe ka asistuar 10 herë./abcnews.al

  • KMDLNj: Nuk përkrahim mbylljen e rrugës “Xhorxh Bush” dhe rrugëve të tjera, komuna të marrë pëlqimin e banorëve

    KMDLNj: Nuk përkrahim mbylljen e rrugës “Xhorxh Bush” dhe rrugëve të tjera, komuna të marrë pëlqimin e banorëve

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar për paralajmërimin e Komunës së Prishtinës për mbylljen e rrugës deri te Sheshi i Flamurit, pra rrugën “Xhorxh Bush”.

    KMDLNJ-ja ka njoftuar se nuk e përkrah këtë vendim dhe se komuna duhet ta marrë pëlqimin e banorëve për këto veprime dhe jo ta dhunojnë vullnetin e tyre dhe lirinë e lëvizjes.

    “Kur komuna e Prishtinës filloi të mbyllë rrugë të caktuara duke eksperimentuar se në cilin segment ‘është ndotja më e madhe e ajrit për shkak të fluksit të veturave’, dhe shih rastësinë pikërisht rruga që pastaj u mbyllë doli të jetë më e ndotura, KMDLNj pati reaguar duke e cilësuar si shkelje e të drejtave të njeriut përkatësisht si kufizim të lirisë së lëvizjes. Edhe trafiku, në vend se të shkarkohet u shndërrua në lëmsh për shoferët dhe udhëtarët. Edhe bizneset janë dëmtuar me këtë mbyllje. Me një fjalë trafiku u shndërrua në kolaps”.

    “Tash, për ta formalizuar vdekjen klinike të trafikut, komuna e Prishtinës ka paralajmëruar mbyllje të rrugës deri te Sheshi i Flamurit. Për KMDLNj kjo nuk paraqet asnjë zgjidhje përveç vazhdimit të kaosit të trafikut urban. Rrugët e mbyllura Komuna e Prishtinës i ka shndërruar në hapësira korruptive të biznesit duke dëmtuar maksimalisht bizneset tjera.

    “KMDLNj-ë përkrahë protestën e qytetarëve për hapje të rrugës ‘Xhorxh Bush’ dhe kundërshton çdo mbyllje të rrugëve tjera. Komuna e Prishtinës duhet ta marrë pëlqimin e banorëve për këto veprime dhe jo ta dhunojë vullnetin e tyre dhe lirinë e lëvizjes”.

  • Vuçiq për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak: Pa ushtri nuk jeni asgjë, na shkelin si miza, si mushkonja

    Vuçiq për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak: Pa ushtri nuk jeni asgjë, na shkelin si miza, si mushkonja

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke komentuar kërkesën për rivendosjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, tha se fillimisht do të presë mendimin e kabinetit të tij për këtë çështje dhe se duhet të shihet se sa kohë do të zgjasë dhe nëse ushtarët do të shkonte në shtëpi në fundjavë.

    “Pa ushtri je askushi dhe asgjë, do të na shkelnin si miza, mushkonja,… Shikoni sa po investojnë Hungaria dhe Rumania… dhe do të kuptoni se si ka ndryshuar gjithçka në botë. ”, tha Vuçiq në një paraqitje të ftuar në TV Pink.

    Ai tha gjithashtu se ushtria serbe ka bërë përparime të mëdha dhe se kur ushtria është në një situatë të vështirë, kurrë nuk duhet ta thoni këtë “si dikush që pretendon të jetë i paanshëm”. “Ose do të kemi ushtri ose nuk do të kemi… Nëse doni NATO-n, atëherë nuk keni nevojë për ushtri, nuk ka problem, ka disa që nuk e kanë ushtrinë e tyre… Është një çështje e zgjedhjes politike”, shtoi ai.

  • “Oppenheimer”, fituesi i madh në Golden Globe Awards 2024

    “Oppenheimer”, fituesi i madh në Golden Globe Awards 2024

    “Oppenheimer” ishte fituesi i madh në Golden Globe Awards, duke marrë pesë çmime, përfshirë çmimin kryesor.

    Cillian Murphy dhe Robert Downey Jr u vlerësuan të dy për interpretimet e tyre në aktrim, ndërsa Christopher Nolan fitoi regjinë më të mirë.

    “Succession” shënoi më shumë fitore në kategoritë televizive pas sezonit të tij të katërt dhe të fundit të vlerësuar.

    Ndërkohë, “Barbie” fitoi çmimin inaugurues për arritjet në arkë, pasi fitoi 1.4 miliardë dollarë në mbarë botën.

    Pati dy fitore secila për “Anatomy of a Fall”, “The Holdovers” dhe “Poor Things”, dhe një për “Killers of the Flower Moon” të Martin Scorsese.

    Ylli i “Openheimer”, Murphy, nderoi “rigorozitetin, fokusin dhe përkushtimin” e Nolan në realizimin e filmit, i cili fitoi 954 milionë dollarë në arkë dhe fitoi filmin më të mirë dramë në ceremoni.

    Filmi biografik gjithashtu fitoi çmime për muzikën më të mirë dhe aktorin më të mirë dytësor për Downey Jr, i cili portretizoi zyrtarin e qeverisë amerikane Lewis Strauss.