ATV

Blog

  • Vazhdon ‘telenovela’ e Kylian Mbappes, mohohet një marrëveshje e francezit me Real Madridin

    Vazhdon ‘telenovela’ e Kylian Mbappes, mohohet një marrëveshje e francezit me Real Madridin

    Gjatë natës së mbrëmshme, gazeta franceze ‘FootMercato’ raportoi se Kylian Mbappe kishte arritur një marrëveshje me Real Madridin, me francezin që do t’i bashkohej skuadrës madrilene në verë në transferim me parametra zero.

    E pas këtyre raporteve, kanë reaguar burime të afërta të kampit të francezit, ku kanë hedhur poshtë këto pretendime.

    Siç raporton gazetari i famshëm francez i ‘RMC Sport’, Fabrice Hawkins, cituar edhe nga Fabrizio Romano, lojtari nuk ka arritur marrëveshje me asnjë klub dhe se nuk ka pasur asnjë diskutim mbi të ardhmen e tij.

    Deklarata e Kylian Mbappé për kampin:

    “Nuk ka asnjë marrëveshje për të ardhmen e Kylian. Nuk ka pasur asnjë diskutim për të ardhmen e tij. Asnjë lloj ndikimi nuk mund të diktojë kohën e diskutimeve, reflektimeve, vendimeve të Kylian”, thuhet ndër të tjerash në njoftim.

  • Numri i palestinezëve të vdekur nga sulmet izraelite në Gaza rritet në mbi 23,000

    Numri i palestinezëve të vdekur nga sulmet izraelite në Gaza rritet në mbi 23,000

    Gjithsej 23,084 palestinezë janë vrarë dhe 58,926 janë plagosur në sulmet izraelite në Gaza që nga 7 tetori, tha në një deklaratë ministria e shëndetësisë e Gazës.

    Ministria, e cila drejtohet nga Hamasi, tha se 249 palestinezë u vranë dhe 510 u plagosën në 24 orët e mëparshme, raporton Reuters.

    Nuk ka qenë e mundur që gazetarët të verifikojnë në mënyrë të pavarur shifrat e viktimave të dhëna gjatë konfliktit.

  • Hekurudha Durrës-Prishtinë, Shqipëria konfirmon angazhimin e të dy qeverive

    Hekurudha Durrës-Prishtinë, Shqipëria konfirmon angazhimin e të dy qeverive

    Zëvendëskryeministrja shqiptare, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku solli në vëmendje projektin hekurudhor që lidh Durrësin me Prishtinën, duke e cilësuar atë si projekt kombëtar, për të cilin konfirmoi edhe angazhimin e të dy qeveritë.

    “Nuk harrojmë projektin që lidh Durrësin me Prishtinën, jo vetëm si një transport komercial të rëndësishëm, që do të lidhë portin e Durrësit me portin e thatë të Prishtinës, por edhe si një transport alternativ që do të lidh udhëtarët e shumtë midis dy vendeve”, tha Balluku në konferencën vjetore të mbajtur për shtyp.

    Sipas saj, ky është një projekt që do të mbështetet nga dy qeveritë, pasi quhet një projekt kombëtar, që lidh shqiptarët mes tyre.

    “Nuk bën pjesë në korridoret e transportit evropian, si rasti i segmenteve Vorë- Hani i Hotit apo Durrës-Pogradec, megjithatë dy qeveritë janë të angazhuara dhe besoj se me përfundimin e studimit të fizibilitetit, që tashmë ka marrë rrugë, ne do të jemi të gatshëm të hapim garën ndërkombëtare, të kombinuar midis dy vendeve tona dhe për të nisur menjëherë ndërtimin e kësaj hekurudhe që është një ëndërr e madhe e mbetur pa realizuar”, deklaroi Balluku.

  • Tromp: Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve do të zgjasë edhe 3-4 vjet

    Tromp: Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve do të zgjasë edhe 3-4 vjet

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Hagë do të zgjasë së paku tri deri në katër vjet, thotë Nevenka Tromp, hulumtuese e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi.

    Për shtatë vjet e gjysmë, ajo shton se janë paditur vetëm gjashtë persona dhe se vetëm një rast është finalizuar. Ajo thotë se gjatë vitit të kaluar u bë e qartë se Dhomat e Specializuara nuk po punojnë në aktakuza të reja dhe se këtë vit pritet përfundimi i gjykimit të Pjetër Shalës.

    Në një intervistë për KosovaPress, Nevenka Tromp komenton edhe vendimin e Apelit për rastin e Salih Mustafës, për çka konsideron se gjykata ka prezantuar një praktikë të rëndë të dënimit.

    Dhomat e Specializuara në Hagë kanë filluar zyrtarisht punën në maj 2015. Për shtatë vjet e gjysmë, Tromp thotë se është shqiptuar vetëm një aktgjykim.

    “Në shtatë vjet e gjysmë, nga gjashtë të paditur që u gjykuan në tri gjykime të ndryshme, vetëm një është finalizuar plotësisht. Gjykimi i dytë, që përfshin individin Pjetër Shala, me siguri do të finalizohet. Pra, në tetë vjetët e punës së Tribunalit, të Dhomave të Specializuara të Kosovës do të kemi dy aktgjykime. Sa i përket katër individëve, në të ashtuquajturin gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, këta katër individë po gjykohen. Hapja e këtyre gjykimeve ishte në prill të vitit 2023 dhe nëse mund të gjykoni se sa i shpejtë ka qenë rasti i Salih Mustafës, dhe sa i shpejtë ishte (rasti i) Pjetër Shalës, atëherë mund të presim që gjykimi i Hashim Thaçit dhe të tjerëve të zgjasë së paku edhe tri deri në katër vjet”, deklaron Tromp.

    Nevenka Tromp, e cila shkroi librin “Gjykimi i papërfunduar i Millosheviqit”, shton se Dhomat e Specializuara nuk po punojnë me aktakuza të reja.

    Gruaja, e cila punoi për shumë vjet në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavi, teksa flet për drejtësinë e këtij institucioni, thotë se po bën histori juridike interesante.

    Tromp konsideron se dënimi për Salih Mustafën është praktikë e rëndë që gjykata e ka prezantuar.

    Krahas kësaj, Tromp thotë se në rasti i Mustafës konsiderohet si “drejtësi e ashpër” dhe se dënimi maksimal për krime lufte është 15 vjet.

    Ligjëruesja pranë Universitetit të Amsterdamit flet edhe për kohëzgjatjen e gjykimit, për çka konsideron se bazuar në kohën për të cilën po bëhen hetimet, gjykimet duhet të përfundojnë në kohë më të shpejtë.

    Tromp pret që gjatë këtij viti të përfundojë rasti i Pjetër Shalës.

    Me 3 gusht 2015, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Ligjin për Gjykatën Speciale, me seli në Hagë. Në këtë institucion, që funksionon me ligje të Kosovës, shërbejnë prokurorë e gjykatës të huaj.

    Kjo gjykatë heton krimet e pretenduara të luftës në Kosovë, për një periudhë kohore nga janari 1998 deri në dhjetor 2000.

    Në Gjykatën Speciale deri tani janë gjashtë persona të akuzuar për krime të pretenduara të luftës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Pjetër Shala e Salih Mustafa. Për këtë të fundit, Apeli ka vendosur dënimin prej 22 vjetësh.

  • Të shtëna me armë zjarri në Fushë Kosovë, i dyshuari ikë

    Të shtëna me armë zjarri në Fushë Kosovë, i dyshuari ikë

    Në orët e para të mëngjesit të sotëm, janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri të pompa e derivateve “Kastrati” në Fushë Kosovë, raporton Gazeta Sinjali.

    Siç mëson Sinjali, për motive akoma të panjohura, dikush po dyshohet se ka gjuajtur me armë dhe më pas ka ikur me një veturë të tipit Golf.

    Të njëjtat burime thonë se viktima e rastit, një 23-vjeçar ka dhënë deklaratë para zyrtarëve policorë, ku ka rrëfyer atë që ka ndodhur.

    Ndërkohë në vendin e ngjarjes, një njësi policore ka sekuestruar gëzhojat dhe ka kryer ekzaminimet e nevojshme.

    Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore për identifikimin e të dyshuarit dhe kapjen e tij.

  • Stano pas vendimit për targat: Përparimi është i mundshëm, s’ka kohë për të humbur

    Stano pas vendimit për targat: Përparimi është i mundshëm, s’ka kohë për të humbur

    Bashkimi Evropian (BE) thotë se ka shpresë që këtë vit Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë marrëveshjet e arritur deri tani në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku, duke ngulur këmbë se ato janë të detyrueshme dhe se duhet të zbatohen në tërësi nga të dyja palët.

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha të hënën në Bruksel se fillimi i zbatimit të marrëveshjes për targat këtë javë mes dy vendeve tregon se “kur ka vullnet nga palët, atëherë edhe përparimi është i mundur”.

    Kosova dhe Serbia njohën edhe zyrtarisht targat e njëra-tjetrës, duke mos e zbatuar nga 1 janari regjimin e letrave ngjitëse që mbulonin simbolet shtetërore në targa kur automjetet lëviznin në territoret e tyre përkatëse.

    “Puna në dialog vazhdon dhe fokusi është në implementim të asaj që është arritur pajtim në Bruksel dhe më pas në Ohër vitin e kaluar. E pamë në rastin e njohjes së targave të veturave se progresi është i mundur. Palët u pajtuan për zbatimin e vendimit për targat”, tha Stano.

    Ai theksoi se BE-ja do të punojë për t’u ndihmuar palëve t’i zbatojnë ato për çfarë janë zotuar dhe e përsëriti se ato janë të detyrueshme për palët.

    Blloku prej 27 vendesh e ndërmjetëson prej vitit 2011 dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Vitin e kaluar, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe Aneksin për zbatimin e saj. Pavarësisht trysnisë ndërkombëtare që palët ta zbatojnë marrëveshjen, blloku evropian ka thënë se ajo nuk po zbatohet.

    Në pyetjen se çfarë mjetesh ka BE-ja për ta bindur Serbisë që të zbatojë marrëveshjen, pasi ajo është shprehur se nuk do t’i zbatojë disa pjesë të saj, Stano tha të hënën se Serbia ka zgjedhur si orientim integrimin në BE dhe në rast të dështimit në zbatimin e detyrimeve, do t’i rrezikohej ky proces.

    “E dimë se ka edhe çështje tjera që Serbia duhet t’i përmbushë në procesin e integrimeve e jo vetëm Kosovën. Por, një më shumë do ta bëjë rrugëtimin edhe më të vështirë”, tha ai.

    Marrëveshja për normalizim, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.

    Shtetet e Bashkuara kanë thënë vazhdimisht që dialogu për normalizimin e raporteve duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

    Komuniteti ndërkombëtar vazhdimisht i ka kërkuar Kosovës që të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që do të duhej t’i jepte vendimmarrje më të madhe serbëve në Kosovë.

    Një draft-statut për Asociacionin iu prezantua Kosovës dhe Serbisë në tetor nga përfaqësuesit e BE-së, Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë dhe Italisë. Megjithatë, së fundmi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ai dhe disa ministra të tij do të shkruajnë draft-statutin për Asociacionin.

    Në lidhje me masave ndëshkuese që BE-ja i ndërmori ndaj Kosovës viti e kaluar, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit kur kryetarët shqiptarë u vendosën në zyrtarët e tyre në katër komunat me shumicë serbe pas zgjedhjeve të kundërshtuara dhe bojkotuara nga serbët lokalë, Stano tha se ato do të hiqen “kur të vlerësohet se janë ndërmarrë hapat e duhur për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës”.

    Ai theksoi se blloku është duke e vëzhguar situatën në terren dhe duke punuar bashkë me partnerët për të parë nëse janë ndërmarrë masat e duhura.(REL)

  • Haradinaj: S’mbahet mend një vit më me shumë dështime se 2023, Qeveria me pafytyrësinë e saj po përpiqet t’i paraqes si suksese

    Haradinaj: S’mbahet mend një vit më me shumë dështime se 2023, Qeveria me pafytyrësinë e saj po përpiqet t’i paraqes si suksese

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj e ka quajtur të humbur vitin 2023. Sipas tij gjatë këtij viti ka pasur dështime në çdo segment të jetës e të politikës, raporton EO.

    Në një shkrim në Facebook, kreu i AAK-së ka thënë se ka pasur regres sa i përket pozicionit ndërkombëtar të Kosovës, sanksione e ndëshkime nga aleatët strategjikë.

    “Nuk mbahet mend që Kosova ta ketë pasur një vit më të humbur se sa vitin 2023! Me dështime në çdo segment të jetës e të politikës. Regres ne pozicionin ndërkombëtar të Kosovës; sanksione e ndëshkime nga aleatët strategjikë; asnjë njohje, asnjë investim i huaj; disfatizëm në raport me Serbinë e rrezikim i pavarësisë së vitit 2008; rritje enorme e çmimeve në artikujt elementarë, në energji, në tatime, në artikuj bazë ushqimor; dështim në investime e në zhvillim ekonomik; në arsim e në shëndetësi; me pagat më të ulëta në rajon; me afera të pazbardhura korruptive me rezervat shtetërore e tregtimin e energjisë; me luftë të paskrupullt ndaj gjyqësorit, me largimin masiv të rinisë nga vendi, e kështu me radhë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

    Ndërsa tha se Qeveria e Kosovës, me pafytyrësinë e saj po mundohet që të gjitha këto dështime, t’i paraqes si suksese.

    “Natyrisht edhe me pafytyrësinë e qeverisë që të gjitha këto dështime t’i paraqes si suksese. Të gjitha këto dështime nuk mund të kalojnë pa ndëshkim. Prandaj sot, më shumë se kurrë kërkohet unitet e mobilizim që të ndalet rënia e shoqërisë dhe e shtetit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

  • Bujqit gjermanë i bllokojnë rrugët për të protestuar kundër ndaljes së subvencioneve

    Bujqit gjermanë i bllokojnë rrugët për të protestuar kundër ndaljes së subvencioneve

    Bujqit gjermanë e filluan një javë protestash gjithëkombëtare duke i bllokuar rrugët me traktorë të hënën, për t’i kundërshtuar planet e Qeverisë për ndaljen graduale të subvencioneve bujqësore.

    Kolona të traktorëve dhe kamionëve, disa prej të cilët me afishe të vendosura përpara me mbishkrimin: “Pa bujq nuk ka ushqim, e as të ardhme”, u vendosën nëpër rrugët gjermane në temperatura minus zero.

    Në Berlin, dhjetëra traktorë të vendosur në rresht pamundësuan hyrjen në rrugën që dërgon drejt portës Brandenburg.

    Policia tha se u bllokuan rrugët dhe hyrjet në autostrada në shumë pjesë të Gjermanisë, duke shkaktuar komunikacion në trafik gjatë orës së pikut të mëngjesit.

    Bujqit gjermanë marrin pjesë në një protestë kundër ndaljes së subvencioneve për tatimet në automjete në Berlin, Gjermani, 7 janar 2024.

    Bujqit gjermanë marrin pjesë në një protestë kundër ndaljes së subvencioneve për tatimet në automjete në Berlin, Gjermani, 7 janar 2024.

    Bujqit janë zotuar se do ta bllokojnë komunikacionin kryesor dhe rrugët logjistike për një javë, duke thënë se heqja e lehtësimeve tatimore do t’i detyrojë bujqit ta braktisin punën e tyre.

    Joachim Rukwied, kryetar i Shoqatës së Bujqve të Gjermanisë (DBV), u kërkoi qytetarëve mbështetje.

    “Ne nuk duam ta humbim përkrahjen dhe solidaritetin që e kemi marrë nga një pjesë e madhe e popullit. Por, ne nuk do ta pranojmë rritjen e planifikuar të tatimit për sektorin e bujqësisë”, tha ai për revistën Stern të hënën.

    Kritikat e bujqve e nxitën javën e kaluar koalicionin e kancelarit Olaf Scholz – i cili është për ngut ta finalizojë draftin për buxhetin e vitit 2024 pasi ishte vonuar nga një vendim gjykate – të bëjë ndryshime të papritura, përfshirë ndryshimin e planeve për heqjen e subvencioneve për bujqësinë.

    Në vend se t’i japë fund papritmas uljes tatimore për naftën e përdorur në bujqësi, Qeveria planifikon që subvencionet të ulën për 40% këtë vit, për 30% më 2025, dhe do të hiqen plotësisht më 2026.

    Qeveria gjithashtu hoqi dorë nga planet për t’i dhënë fund trajtimit të privilegjuar për tatimet në automjete për bujqësinë dhe pylltarinë.

    Por, DBV-ja tha se këto ndryshime nuk mjafton dhe se protestat do të mbahen këtë javë. /REL/

  • Eksperti nga Brukseli: Tani është momenti që Spanja dhe katër shtet tjera ta njohin Kosovën

    Eksperti nga Brukseli: Tani është momenti që Spanja dhe katër shtet tjera ta njohin Kosovën

    Eksperti Toby Vogel nga Këshilli për Politikë dhe Demokraci (DPC), ka thënë se tani është një moment i shkëlqyer që pesë vendet e BE-së të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë.

    Vogel në një postim në “X” ka shkruar se BE-ja duhet të heq gjithashtu edhe masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat u vendosën vitin e kaluar.

  • Bora dhe stuhia krijojnë probleme në Kroaci: Disa aksidente në autostradën Zagreb – Beograd

    Bora dhe stuhia krijojnë probleme në Kroaci: Disa aksidente në autostradën Zagreb – Beograd

    Reshjet e borës që përfshinë Ballkanin krijuan probleme të mëdha në Kroaci, veçanërisht në autostradën Zagreb – Beograd, ku shërbimet dimërore po përpiqen që nga mëngjesi i hershëm të krijojnë kushte pak a shumë normale për vozitje.

    Mirëpo, për shkak të kushteve të rënda atmosferike, në autostrada janë shënuar disa aksidente trafiku.

    Siç raportojnë mediat kroate, aksidentet janë regjistruar në autostradën Zagreb – Beograd, ku në aksidente janë përfshirë edhe vetura e kamionë.

    Sipas raportit të agjencive shtetërore kroate, disa pjesë të autostradës A1 Zagreb-Ploçe-Karamatiçi ishin mbyllur për trafik mëngjesin e sotëm për shkak të erërave të fuqishme.

    Të dyja këto autostrada frekuentohen edhe nga mërgimtarët nga Kosova të cilët në këtë periudhë po kthehen në vendet ku jetojnë në Perëndim.

    Kushte të ngjashme të motit janë regjistruar edhe në Bosnje dhe Hercegovinë, ku trafiku në shumë seksione është i vështirë për shkak të borës.