ATV

Blog

  • ​Ekspertët: Kina po përdor balonat për të ushtruar ndikim mbi zgjedhjet në Tajvan

    ​Ekspertët: Kina po përdor balonat për të ushtruar ndikim mbi zgjedhjet në Tajvan

    Ministria tajvaneze e mbrojtjes tha se ndoqi lëvizjet e tre balonave të tjera të Kinës mbi ngushticën e Tajvanit të hënën, që janë pjesë e një numri në rritje të balonave kineze mbi ishullin e qeverisur që nga muaji i kaluar.

    Që nga dhjetori, ministria tajvaneze e mbrojtjes thotë se ka parë gati 20 balona kineze në lartësi të mëdha që kaluan vijën qendrore të ngushticës së Tajvanit, shumë prej të cilave kanë fluturuar mbi territorin e Tajvanit dhe tre prej tyre në javën e kaluar madje kanë kaluar mbi baza të rëndësishme ushtarake.

    Ministria tajvaneze e Mbrojtjes akuzoi të shtunën Pekinin për kërcënim të sigurisë së aviacionit civil dhe luftë psikologjike me balona përpara zgjedhjeve presidenciale të 13 janarit në ishullin e vetëqeverisur.
    E pyetur të hënën nëse balonat paraqesin një kërcënim për aviacionin civil ndërkombëtar, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Mao Ning tha për agjencinë e lajmeve Reuters se “Unë nuk jam në dijeni të detajeve që përmendët dhe kjo çështje nuk ka të bëjë me punët e jashtme të Kinës”.

    Disa ekspertë besojnë se balonat e Kinës janë pjesë e përpjekjeve të Pekinit për të ndikuar në zgjedhje.

    Michael Mazza, një drejtor i lartë në organizatën kërkimore me bazë në Virxhinia, “Project 2049 Institute”, thotë se balonat në lartësi të mëdha i shtohen avionëve ushtarakë dhe luftanijeve të Kinës rreth Tajvanit.

    “Mendoj se Kina po përpiqet të ndikojë në zgjedhje”, tha ai për Zërin e Amerikës përmes një emaili.

    “Dërgimi i tre balonave direkt mbi Tajvan është një paralajmërim. Kina po sinjalizon se është e gatshme të shkelë hapur kufijtë e Tajvanit”, shtoi zoti Mazza. “Me këtë veprim, ajo ka kaluar një prag, përshkallëzimi i mëtejshëm mund të përfshijë shfaqje më kërcënuese në hapësirën ajrore të Tajvanit. Mesazhi për popullin e Tajvanit është ky: gjërat mund të përkeqësohen, por ju mund të votoni për t’i përmirësuar ato.”

    William Lai i Partisë Demokratike Progresive, që mbështet pavarësinë e ishullit, është kandidati kryesor në garën, në të cilën po merr pjesë edhe Hou Yu-ih nga Partia Nacionaliste, cili ka qëndrime më miqësore ndaj Pekinit. Kjo parti, e cilia njihet edhe me emrin Kuomintang ose KMT, është partia kryesore opozitare e Tajvanit. Në garë merr pjesë edhe kandidati i Partisë Popullore të Tajvanit, Ko Wen-je.

    Brian Hart, një studiues në Projektin Fuqia e Kinës në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare me qendër në Uashington, tha për Zërin e Amerikës pas një diskutimi më 5 janar se gjatë vitit, Kina ka përdorur lloje të reja aktivitetesh, duke përfshirë përdorimin e shtuar të dronëve, për të rrethuar ishullin.

    “Ata po përdorin taktika të ndryshme për të kërcënuar Tajvanin dhe për të ushtruar trysni mbi administratën (e presidentes Tsai Ing-wen),” tha ai për Zërin e Amerikës. “Mendoj se do të shohim një vazhdim të këtyre aktiviteteve në përmasa të ndryshme. Nëse Lai fiton presidencën, ka shans që Pekini të intensifikojë këto veprime.”

    Balonat e Kinës ishin në qendër të vëmendjes ndërkombëtarë në shkurt të vitit të kaluar, kur Shtetet e Bashkaura rrëzuan njërën prej tyre pasi ajo hyri në hapësirën ajrore të Amerikës. Pekini mohon se përdor balona për spiunazh dhe thotë se ato janë thjesht balona meteorologjike që kanë devijuar nga linja e fluturimit.

    Raymond Kuo, drejtor i Iniciativës mbi Politikat për Tajvani në Korporatën RAND, tha se “fluturimet me balona janë në përputhje me strategjinë e shtrëngimit të zonës gri të Kinës ndaj Tajvanit”.

    “Balonat udhëtojnë në lartësi shumë të mëdha, duke e bërë të vështirë rrëzimin e tyre”, shkroi ai në një email. “Ato janë gjithashtu platforma relativisht të mira për mbledhjen e informacioneve të zbulimit, janë në gjendje të lëvizin ngadalë në një zonë dhe ndoshta të kapin informacione të detajuara.”

    Për Pekinin, thotë eksperti Kuo, balonat dëshmojnë se Kina mund të shkelë hapësirën ajrore tajvaneze sipas dëshirës dhe të sfidojë sovranitetin e ishullit, gjë që mund të jetë demoralizuese për popullsinë tajvaneze në zgjedhjet e ardhshme.

    Zoti Kuo tha se megjithatë ka dyshime mbi efektshmërinë e taktikave të Kinës, pasi Taipei mund t’i përdorë këto incidente për të thelluar marrëdhëniet në fushën e sigurisë me Shtetet dhe partnerët e tjerë aziatikë.

    Su Tzu-yun, një ekspert ushtarak në Institutin e Mbrojtjes Kombëtare dhe Sigurisë me bazë në Taipei, thotë se Tajvani ka treguar vetëpërmbajtje deri më tani, por në të ardhme mund të vendosë t’i rrëzojë ato.

    “Qeveria tajvaneze tani po dëshmon se është përgjegjëse për territorin e saj, ashtu siç e kërkon ligji ndërkombëtar”, tha ai. “Për më tepër, ajo u tregon qytetarëve tajvanezë se qeveria mund të zbulojë këtë lloj kërcënimi dhe të identifikojë nivelin e rreziqeve që paraqesin balonat për Tajvanin.”

    Zoti Su tha gjithashtu se veprimet e Taipeit janë një demonstrim i një reagimi të matur ndaj një kërcënimi.

    “Tajvani po demonstron artin e përcaktimit të nivelit të duhur të përgjigjes ndaj kërcënimeve”, tha ai. “Kjo nuk do të thotë se durimi i Tajvanit nuk ka fund. Kur balonat fillojnë të përbëjnë një kërcënim për Tajvanin, autoritetet do të duhet të marrin masa të vendosura për t’i rrëzuar ato.”

    Tajvani dhe Kina u ndanë në vitin 1949 pas një lufte civile. Ishulli i vetëqeverisur nuk ka qenë kurrë pjesë e Republikës Popullore të Kinës, por Pekini e sheh atë si një provincë të shkëputur, e ka deklaruar se do ta rimarrë me forcë, nëse do të jetë e nevojshme.

    Kina e konsideron Tajvanin e qeverisur në mënyrë demokratike si pjesë të teorritorit të saj dhe ka rritur presionin ushtarak në vitet e fundit në përpjekje për të detyruar ishullin të pranojë sovranitetin kinez.

    Qeveria e Tajvanit thotë se vetëm banorët e ishullit mund të vendosin për të ardhmen e tyre.

    Shtetet e Bashkuara ndjekin politikën e një Kine të vetme, dhe nuk e njohin zyrtarisht pavarësinë e Tajvanit dhe nuk kanë marrëdhënie diplomatike me ishullin.

    Megjithatë, ligji amerikan kërkon një mbrojtje të besueshme për Tajvanin dhe që Uashingtoni t’i trajtojë si çështje të rëndësisë së lartë të gjitha kërcënimet ndaj ishullit.

  • Përleshje masive në Prizren, ka të plagosur

    Përleshje masive në Prizren, ka të plagosur

    Një tentim-vrasje ka ndodhur në qytetin e Prizrenit.

    Pas një mosmarrëveshje në mes të pesë personave, njëri prej tyre ka shkrepur armën e zjarri ndaj viktimës i cili po trajtohet në spitalin e Prizrenit.

    Lidhur me rastin janë intervistuar katër të dyshuarit dhe me vendim të prokurorit, njëri prej tyre është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

    Si provë materiale është konfiskuar një pistoletë.

    Rasti është duke u hetuar.

  • Koreja e Jugut e miraton ligjin që e ndalon tregtinë e mishit të qenit

    Koreja e Jugut e miraton ligjin që e ndalon tregtinë e mishit të qenit

    Koreja e Jugut e ka kaluar një ligj të ri, i cili synon që deri në vitin 2027 ta ndalojë plotësisht prerjen dhe shitjen e qenve për mishin e tyre.

    Ky ligj ka për qëllim t’i japë fund traditës shekullore të ngrënies së mishit të qenit.

    Sipas ligjit të ri, ndalohet rritja apo therja e qenve për ngrënie, njëlloj siç nuk lejohet as shpërndarja apo shitja e mishit të tyre.

    Kushdo që shpallet fajtor për një vepër të tillë, mund të përfundojë në burg.

    Sondazhet e fundit kanë treguar se më shumë njerëz tani dëshirojnë që ai të ndalohet dhe shumica e jugkoreanëve nuk hanë më mish qeni.

    Megjithatë, sondazhet gjithashtu tregojnë se një në çdo tre jugkoreanë akoma e kundërshtojnë ndalimin e mishit të qenit, edhe pse nuk e hanë atë.

    Të martën, Parlamenti jugkorean e kaloi ligjin me 208 vota për dhe asnjë kundër.

    Qeveria e presidentit Yoon Suk Yeol e mbështet ndalimin e mishit të qenit, prandaj kalimi i ligjit ishte formalitet.

    “Ky ligj synon të ndihmojë në mbrojtjen e vlerave të të drejtave të kafshëve, të cilat nënkuptojnë respekt për jetën dhe një bashkëjetesë harmonike mes njerëzve dhe kafshëve”, thuhet në legjislacion.

    Ky ligj i ka zemëruar dhe nevrikosur shumë bujqit.

    “Kjo është një shkelje e qartë nga shteti, sepse ata po na e cenojnë lirinë e zgjedhjes së profesionit. Ne nuk mund të rrimë duarkryq”, tha Son Won Hak, bujk dhe lider i Shoqatës së Bujqve në Korenë e Jugut.

    Ai njoftoi se bujqit do të dërgojnë një peticion në Gjykatën Kushtetuese dhe do të protestojnë. Ata do të takohen të mërkurën për të biseduar për hapat e ardhshëm, shtoi ai./REL/

  • “Sulmet e mundshme nga Serbia”, Haziri: Kamuflim i krerëve për t’i mbuluar dështimet e brendshme

    “Sulmet e mundshme nga Serbia”, Haziri: Kamuflim i krerëve për t’i mbuluar dështimet e brendshme

    Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka thënë për Ekonomia Online se deklaratat e krerëve të shtetit për sulm të ri nga Serbia është farsë për t’i mbuluar dështimet e brendshme që i ka Kosova, ndonëse e quan vend destabilizues në Ballkan.

    Në këtë intervistë, Haziri ka deklaruar se zanafilla në rastin e Banjskës e ka bojkotin e zyrtarëve serbe dhe protestat e dhunshme.

    I dyti i LDK-së, Lutfi Haziri, ka vlerësuar se deklaratat e Osmanit dhe të Kurtit janë pjesë e një përpjekjeje për manipulim dhe për të shpërndarë vëmendjen e publikut nga problemet e tjera, me të cilat po përballet vendi.

    “Përderisa nuk kemi marrëdhënie të normalizuara me Serbinë si i vetmi problem i hapur që Kosova e ka dhe problemi më i madh në Ballkanin perëndimor gjithmonë është një kërcënim destabilizues si burim që vjen prej Serbisë. Rasti i fshatit Banjska në Leposaviq që ka sponsor si Serbia që jo vetëm që mbështesin akte të tilla por edhe strehojnë, por Kosova gjithmonë ka bërë dallimin më e përpjek për paqe”, ka thënë Haziri.

    “Kur harxhohen mjetet tjera, kryengritjet kanë qenë legjitime por edhe të flasësh pas 24 viteve pas fitores së luftës së madhe çlirimtare edhe të rezistencës paqësore që e kemi pas përmes NATO-s këtë rast, për luftë është më shumë më kamuflua probleme të brendshme, është mbi fatkeqësitë që ka Mitrovica si komunë amë me krejt regjionin e vet deri në kufi me Serbinë, kjo më së shumti frikëson njerëzit në mërgim, investitorët e edhe bizneset sepse kur përmend çdo ditë luftë sikur ajo që thuhet se ‘çka i lutesh zotit mundet edhe me ta dhanë’”, u shpreh tutje Haziri.

    Haziri ka thënë se sulmi terrorist në Banjskë, zanafillën e ka nga bojkoti i zyrtarëve serb dhe nga protestat e dhunshme në fillim vitin e kaluar. Ai thotë se fillimisht, bashkësia ndërkombëtare i legjitimoi këto protesta por që më vonë rezultuan në dhunë.

    “Rebelimi, kryengritja duke krijuar rrethana të reja, kontrolle mbi territorin, kanë kopjuar diçka nga e kaluara e shqiptarëve të Kosovës, sepse nëse e kujtojmë ata kanë filluar me rezistenca paqësore protesta bllokim rrugësh, rezistencë që bashkësia ndërkombëtare filloi me i ‘legjitimua’, për shkak të kërkesave politike, bojkoti, ne nuk jemi larguar me 3 shtator kur kemi bërë protestë në atë kohë, e këta nuk mundën me e mbajte më shumë se 6 muaj, sepse rezistencë nga janari deri në gusht degjeneroi në dhunë, sulmuan KFOR-in, njësinë hungareze e tjerat e filluan me u radaikalizu dhe në shtator ndodhi ataku terrorist të cilët u zënë në kurth sepse u parandalua u eliminuan, sepse ata që shpëtuan janë në ndjekje disa në burg, disa në varr, e disa në ndjekje”, theksoi Haziri.

    “Ata që janë në ndjekje, Serbia po i strehon ende, ata vonohen por shpëtim nuk kanë sepse drejtësia mund të vonohet por nuk shpëton, ‘kërthiza’ e krejt është bojkoti, koncepti i rezistencës paqësore ë cilën u munduan ta eliminojnë për të fituar simpati ndërkombëtare më shumë e edhe shpresat e popullit e kjo eskaloi apo u demoralizua ai sulm edhe ai sulm u parandalua, u eliminua si kërcenim”, u shpreh Haziri.

  • Miliarderi dhe Inteligjenca Artificiale: Këtu vendoset fati ynë

    Miliarderi dhe Inteligjenca Artificiale: Këtu vendoset fati ynë

    Kur njerëzit më të pasur në botë ishin faraonët e Egjiptit të lashtë, sulltani mesjetar Mansa Musa perandori i Malit, Cornelius Vanderbilt dhe John Jacob Astor e John D. Rockefeller, ishte e pamundur të kishte konfuzion, sepse asnjëri prej tyre nuk u kundërvihej atyre që ne sot i quajmë “fuqi të mëdha”, asnjëri prej tyre nuk i sfidoi rivalët e vet të biznesit në një luftë në Koloseum, dhe mbi të gjitha asnjëri prej tyre nuk do të ishte propozuar si një figurë referimi për populizmin që urren elitat. Me pak fjalë, dikur miliarderët ishin elita, dhe pikë.

    Kohë më të thjeshta, me të pasurit, të lumtur që thjesht janë të pasur. Ndoshta sepse teknologjia ka ndryshuar parametrat e pasurisë, ndoshta sepse me përjashtim të mundshëm të perandorit të Malit, askush në historinë njerëzore nuk ka qenë më i pasur se të pasurit e shekullit njëzet e një, ose ndoshta sepse thjesht herët a vonë ka ndodhur që njeriu më i pasur nga të gjithë të bëhej edhe më populisti.

    Elon Musk, amerikan i natyralizuar por me origjinë nga Afrika e Jugut, 52 vjeç, me vlerë 222 miliardë dollarë në dhjetor 2023 (Bloomberg Billionaires Index), ishte bërë i famshëm falë x.com, që më vonë u bë PayPal, faqja e shërbimeve financiare e blerë nga eBay në vitin 2002, për një shumë afër një miliardë e gjysmë dollarë.

    Musk, 21 vjet më parë, i befasoi vëzhguesit e Ëall Street-it, sepse ai thjesht kishte riinvestuar të gjitha paratë e mbledhura nga eBay – rreth 100 milionë dollarë – në bizneset e tij të tjera, në vend që të blinte shtëpi, jahte, makina të mëdha si kolegët e tij të “ekonomisë së re” digjitale të asaj kohe.

    Musku i asaj kohe ishte shumë i ndryshëm nga ai aktuali: më shumë “nerd” se sa mburravec, i veshur (jo shumë mirë) “casual” dhe larg pamjes “gjithçka e zezë” e viteve të fundit.

    Paratë e arkëtuara nga eBay kishin përfunduar në projekte më ambicioze: SpaceX për eksplorimin hapësinor, Tesla për të ndryshuar botën e automobilëve duke përmbysur motorrin e vjetër me karburant, pas dy shekujsh shërbim, kompania Boring për të gërrmuar tunele me anë të të cilëve të çlironte trafikun, Neuralink për të vendosur në tru mikroçipe, me të cilët të mund të shërojë mundësisht një seri të tmerrshme sëmundjesh, nga Alzheimeri tek paraliza, OpenAI për të ndryshuar botën me inteligjencën artificiale. Dhe në kohën e lirë, merrej me robotët e Optimus, me të cilët dëshiron të revoclucionarizojë përgjithmonë mënyrën e të punuarit dhe (druhet shumëkush), atë të të bërit luftë.

    Lëshonte raketa në hapësirë ​​edhe në emër të NASA-s, furnizues i të cilës ishte bërë. Ai lidhi internetin nëpërmjet satelitëve me Starlink-un e tij, vërtitej me Teslën e tij, duke hapur fabrika në mbarë botën dhe duke thyer një rekord pas tjetrit.

    Në vazhdën e famës së tij globale, ai bëri të famshme edhe nënën, Maye, një modele shtatëdhjetëvjeçare dhe zëdhënëse e Moncler.

    Por atëherë ndodhi jo tamam rënia – ai bëhet gjithnjë e më i pasur dhe më i fokusuar në media – por metamorfoza. Ose, siç mendojnë të tjerët, më e thjeshta: shfaqja e karakterit të vërtetë të novatorit miliarder.

    Walter Isaacson, në biografinë e Musk, shkruan: «Në kohën kur po mblidhja materiale për biografinë e Steve Jobs, ma shpjegoi partneri i tij Steve Wozniak, se cila ishte pyetja kryesore për t’i bërë: a ishte vërtet e nevojshme që ai të ishte kaq i keq, kaq i vrazhdë dhe mizor, kaq i varur nga situatat dramatike? Kur, pasi mblodha materialin, u ktheva tek Woz për t’i bërë përsëri pyetjen, ai u përgjigj se nëse do të kishte qenë në krye të Apple, do të kishte qenë më i mirë. Ai do t’i kishte trajtuar të gjithë si një familje e madhe dhe nuk do t’i kishte pushuar njerëzit nga puna. Më pas, ndaloi dhe shtoi: “Por nëse do të kisha drejtuar Apple, ne nuk do të kishim prodhuar kurrë Macintoshin.” Dhe kështu pyetja, në rastin e Musk, është: nëse ai do të kishte pasur një karakter më të qetë, a do të kishte qenë sërish njeriu që do të na kishte projektuar drejt Marsit dhe një të ardhmeje me makina elektrike?

    Bëhet fjalë, në psikologji, për një shembull klasik të arsyetimit: domethënë, përpjekja për të maskuar motivet e vërteta (shiko fabulën e Dhelprës dhe rrushit). Fillimisht Jobs dhe më pas Musk, ishin/janë njerëz me karakter të pamundur? Eshtë çmimi i gjenialitetit të tyre.

    Po a është vërtet kështu?

    Tipari i spikatur i klubit të shkëlqyer dhe të populluar të tifozëve të Elon Musk është se vërejnë cilësitë e tij – që janë të pamohueshme. Të gjitha të tjerat? Fillimi i jetës së re të Musk, i cili nga “njeriu më i pasur” u bë edhe më i famshmi, është për shkak të blerjes së Tëitter, më 27 tetor 2022, për 44 miliardë dollarë. Lëvizje brilante? Gabim në vlerësim? Sigurisht, 14 muaj më vonë, Tëitter (të cilin e riemëroi X humbet para, Musk është bërë idhulli i republikanëve amerikanë që janë kundër sistemit, fshikullues i George Sorosit, kritik i ashpër i të majtës progresiste, i aktivistëve Lgbt, i shoqatës hebraike amerikane me më shumë ndikim, të cilën e akuzon se e ka armiqësuar me reklamuesit më të mëdhenj të Tëitter/X.

    Sepse Musk-ut, i cili një herë e një kohë lëvdohej se nuk bënte reklama në kompanitë e tij, dhe që nuk kishte përdorur asnjëherë për Teslan një zyrë shtypi, për shkak se për marrëdhëniet publike kujdesej vetë nëpërmjet mediave sociale dhe intervistave të posaçme, tani e gjen veten duke drejtuar një biznes, i cili mbështetej mbi publicitetin.

    Për nga temperamenti dhe ndoshta edhe nga të qenit pak arrogant, Musk nuk është i zoti në të ardhurat nga reklamat. Madje bëri goxha bujë ajo “fuck ju” që u tha në një konferencë ish-reklamuesve të mëdhenj – si Disney – të cilët po bojkotojnë menaxhimin e ri të Twitter/X, i parë nga shumë njerëz si shumë i butë ndaj dezinformatave dhe trollëve të krahut të djathtë.

    Atëherë ishte e pashmangshme që ata që nuk e donin, do të fillonin t’i përmendnin babanë e sertë dhe minierat e smeraldit në Afrikën e Jugut të aparteidit, gjyshin e tij antisemit, klauzolën kontraktuale që e tregon atë si bashkëthemelues të Tesla-s, edhe pse ai erdhi më vonë në kompaninë që në fund e bëri të tijën, premtimet e dështuara në Neuralink që po përpiqet të ngrihet, dhe atë projekt të dështuar në trenat me shpejtësi shumë të lartë, që sipas shumë njerëzve ishte thjesht një dredhi për të bllokuar projektet e shtetit të Kalifornisë në të njëjtën fushë.

    Sigurisht, Musk mbetet shumë i mirë në organizimin e ngjarjeve mediatike, të tilla si inaugurimi i Cybertruck, një kamion elektrik anti-mitraloz.

    Eshtë e vështirë të mos argumentosh që Musk e sheh veten si Steve Jobs i ri – ai gjithashtu ndan me të biografin zyrtar, Walter Isaacson – dhe ndonëse shumëkujt i kujton Pt Barnum, talenti i tij është i padiskutueshëm: ai luan provokuesin e borgjezisë – Bürgerschreck do ta kishin quajtur në Vjenën e një shekulli më parë – dhe çdo instrument cirku është i mirë për t’u angazhuar.

    Ai sfidoi Mark Zuckerbergun e Facebook-ut (i cili peshon 70 kg në krahasim me 134 të Musk) në një duel-lufte të çuditshëm në Koloseum duke përfshirë fatkeqësisht edhe politikën italiane, ai pozon si superhero à la Tony Stark (miliarderi teknologjik i filmave Marvel i cili shndërrohet në Iron Man).

    Musk i përket asaj rryme mendimi që fatkeqësisht është shumë e përhapur në Silicon Valley e quajtur transhumanizëm, pra aspirata për ta bërë homo sapiensin një specie shumëplanetare duke na dërguar në Mars me raketa Space X dhe me mikroçipe Neuralink brenda kafkës, për të drejtuar Teslën në planetin e kuq, ndoshta duke i dorëzuar timonin një roboti të drejtuar nga inteligjenca artificiale.

    Gjithçka shumë bukur, por kur promovoi nga llogaria e tij në Twitter një postim që akuzonte hebrenjtë se ushqejnë “urrejtje dialektike” për të bardhët, iu desh që për një herë të kërkojë falje (për Sorosin, hebre, vazhdon të thotë gjëra të rënda).

    Ish bashkëshortja, këngëtarja Grimes me të cilën ka tre fëmijë me emra të ndërlikuar (X Æ A-Xii, Exa Dark Sideræl dhe Techno Mechanicus) thotë se një pjesë e problemeve të Musk burojnë nga Sindroma Asperger – një formë autizmi. “Nëse dikush vuan nga depresioni apo nga kriza të ankthit, të gjithë tregojnë dhembshuri. Nëse dikush ka Asperger, njerëzit thonë thjesht që është një hajvan”.

  • Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Gjatë ditës së sotme në vendin tonë parashihet të mbajë mot kryesisht me vranësira dhe reshje bore.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme do ta mbajë Mitrovica me -5 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Gjilani me 5 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme do të jetë me kushte të njëjta atmosferike. Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë Ferizaj me -7 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale përsëri Gjakova me 3 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot të vranët dhe në shumicën e zonave me reshje të shiut. Temperaturën minimale do e ketë Kukësi me -2 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Tirana dhe Fieri me nga 13 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë mund ta ndiqni në videon e mëposhtme:

  • ​Si ta gjeni një punë më të mirë në vitin 2024?

    ​Si ta gjeni një punë më të mirë në vitin 2024?

    Nëse gjithë viti i kaluar ju ka shkuar ters për shkak të punës, ka shumë gjasë që këtë fillmvit ta keni nisur duke menduar për një punë të re. Sipas një ankete të dhjetorit të CNBC|SurveyMonkey për fuqinë punëtore thekson se 7776 punëtorëve amerikanë, 36% e të anketuarve kanë menduar seriozisht të lënë punën e tyre në tre muajt e fundit.

    Të anketuarit në sondazh thonë se faktorët më të rëndësishëm për lumturinë e tyre në punë janë puna kualitative (33%), paga e mirë (23%) dhe kontrolli se si e bëjnë punën e tyre (16%).

    Ekspertët thonë se tremujori i parë i vitit është një kohë e mirë për të kërkuar një pozicion të ri që mund të përmbushë disa nga këto dëshira. Bizneset zakonisht e nisin vitin me buxhete të rifreskuara që i lejojnë ata të zgjerojnë ekipet, të nisin iniciativa të reja dhe të punësojnë anëtarë të ri në kompani.

    Por me kaq shumë njerëz që vlerësojnë vendimet e tyre të Vitit të Ri dhe mendojnë për një pozitë të re ose ndryshim karriere, ju duhet të ndërmerrni hapat e duhur për ta arritur punën e re.

    Nëse po përshpejtoni kërkimin tuaj të punës këtë muaj, këtu janë disa mënyra për të filluar:

    Rifreskoni CV-në tuaj dhe mos kini frikë të përdorni ndihmësit e IA

    Nëse keni qenë në të njëjtin pozicion për disa vite, ekziston mundësia që rezymeja juaj të mos jetë përditësuar që kur keni marrë rolin pozitën tuaj aktuale. Rekrutuesit dhe menaxherët e punësimit mund të shpenzojnë vetëm disa sekonda për të analizuar CV-në tuaj, por kjo e bën edhe më të rëndësishme që të keni një të tillë që lexohet lehtë dhe tregon se i përmbushni kualifikimet e tyre me një shikim.

    Ju mund të përdorni mjetet e AI për t’ju ndihmuar. Shumë ekspertë rekomandojnë përdorimin e ChatGPT si mjetin ideal për t’ju ndihmuar. Ai mund t’ju ndihmojë me formatin, pikat dhe madje edhe me përfshirjen e fjalëve dhe frazave nga një listë e caktuar pune në seksionin tuaj të përvojës. Vetëm kini kujdes – mjetet e inteligjencës artificiale dihet se “halucinojnë” informacionin, tha ekspertja e karrierës së TopResume Amanda Augustine për CNBC Make It në shtator, kështu që sigurohuni që të jeni një korrektues i kujdesshëm.

    Përditësoni LinkedIn-in tuaj, duke theksuar aftësitë dhe promovimet

    Shumica dërrmuese e rekrutuesve përdorin LinkedIn si një mjet shtesë verifikimi për kandidatët për punë. Pra, të kesh një profil të përditësuar mund të rrisë shanset për të gjetur një punë të re që ju përshtatet juve dhe dëshirave tuaja. Sigurohuni që seksioni juaj i aftësive të jetë i plotësuar – me të paktën pesë aftësi – dhe mos harroni të përfshini çdo promovim që keni arritur në punë.

    Përditësimi i rregullt i profilit tuaj në LinkedIn madje mund të jetë një ide e mirë nëse nuk po aplikoni në mënyrë aktive për punë të reja, por jeni në fazat e hershme të shqyrtimit të ndërrimit të vendit të punës. Mbajtja aktuale e informacionit tuaj mund të ndihmojë rekrutuesit që po kërkojnë kandidatë të rinj t’ju gjejnë juve.

    Thjesht mos përdorni shenjën “i hapur për të punuar” në profilin tuaj, tha ish-rekrutimi i Google Nolan Church, tani CEO i tregut të talenteve Continuum. Duket pak dëshpëruese.

    Mos humbisni kohë në një letër motivuese nëse nuk kërkohet

    Sipas ish-rekrutuesit të Disney dhe ekzekutivit të burimeve njerëzore, Simon Taylor, letrat motivuese janë “krejtësisht opsionale për pozitat që zakonisht kërkojnë diploma universiteti dhe bëhen më pak të rëndësishme për ata që kanë arritur në karrierën e tyre”. Shumica e punëdhënësve thjesht nuk po kërkojnë të lexojnë 600 fjalë të tjera se pse e dëshironi punën.

    Thënë kështu, nëse një aplikim kërkon një letër motivuese dhe ju vendosni ta dërgoni një të tillë, ia vlen koha juaj dhe e tyre. “Letrat e motivimit janë të vlefshme vetëm nëse janë të personalizuara”, thotë Taylor. Pra, sigurohuni që të përfshini jo vetëm pozitën për të cilin po aplikoni, por edhe atë që ju bën ju dhe përvojën tuaj një person që përshtatet shumë me pozitën.

    Lini pak kohë për kërkime

    Sigurohuni që të shqyrtoni përgjigjet tuaja për pyetjet e zakonshme – si “Më trego për veten” – dhe mbani shënim disa për t’i shtuar listës suaj të pyetjeve që mund t’i bëni çdo punëdhënësi të mundshëm.

    Është gjithashtu një kohë e mirë për të kontrolluar dollapin tuaj. Me rritjen e punës në distancë dhe orareve hibride, shumë njerëz nuk i kushtojnë shumë rëndësi veshjes Për intervista, ju ende duhet të visheni në mënyrë të përshtatshme. Nëse jeni ende në dyshim, pyesni një rekrutues se çfarë do të presë punëdhënësi juaj i ardhshëm./AkademiPune

  • 16 vjet nga koalicioni i parë PDK-LDK

    16 vjet nga koalicioni i parë PDK-LDK

    Më 9 janar 2008 është formuar koalicioni qeveritar mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës me kryeministër Hashim Thaçin.

    Qeveria përbehej nga kryeministri, dy zëvendëskryeministra dhe 17 ministra. Qeveria është formuar pas zgjedhjeve të 17 nëntorit 2007, ku Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka fituar 34% të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 23% të votave, Aleanca Kosova e Re (AKR) 12% dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD) kanë fituar nga 10%, Partia Reformiste (ORA) 4% dhe Partia e Drejtësisë (PD) 2%.

    Të trembëdhjetë partitë minoritare kanë fituar gjithsej 5% të votave. Qeveria ishte fokusuar në pavarësi dhe kushtetutë, kurse paritë politikë kanë respektuar përkushtimin e tyre për të mbetur të bashkuara në periudhën mes deklaratës së pavarësisë dhe futjes në fuqi të kushtetutës. Vëmendja e tyre ka filluar të zhvendoset kur në muajin prill Qeveria prezantoi strategjinë për 2008-2011.

    Partitë politikë opozitare kishin qëndrime më kritike ndaj qeverisë. Qeveria kishte themeluar një komision për monitorimin e implementimit të ligjeve, i cili udhëhiqej nga zëvendëskryeministri. Në prill kryeministri ka prezantuar para Kuvendit raportin për 100 ditët e Qeverisë dhe programin e Qeverisë për 2008-2011, kurse në korrik të 2008, Qeveria ka filluar të lëshojë pasaportat e Kosovës.

    Në shtator, presidenti dhe kryeministri ishin pajtuar për të caktuar dhjetë përfaqësuesit e parë diplomatikë në disa prej vendeve që e kanë njohur deklaratën e pavarësisë së Kosovës.

    Sipas raportit të progresit për vitin 2008, qeverisja lokale ishte forcuar deri diku. Në qershor ishte futur në fuqi legjislacioni i ri për kufijtë administrativ komunal, vetëqeverisjen lokale dhe financat lokale qeveritare dhe decentralizimin. Përparimi i reformës për vetëqeverisje dhe rritja e kapacitetit administrativ për të lehtësuar decentralizimin ishin prioritetet kryesore në Partneritetin Evropian për Kosovën.

    Sidoqoftë, fokusi i qeverisë në çështjet që kanë të bëjnë me pavarësinë e ka mbajtur atë larg prej adresimit të çështjeve tjera. Qeveria ishte ballafaquar me disa vështirësi në prezantimin dhe koordinimin e prioriteteve të saj strategjike. Kuvendi, përfshirë anëtarët e koalicionit qeverisës, kanë kundërshtuar programin e qeverisë 2008-2011. Në disa zona me shumicë serbe, Qeveria kishte autoritet të kufizuar në polici, gjykata, dogana, transport, kufij dhe trashëgiminë serbe.

    Komunat në veri të Kosovës patën filluar të implementojnë legjislacionin serb për qeverisje lokale. Një numër i qytetarëve të Kosovës mbështeten në shërbimet e tyre si, dokumentet e udhëtimit, edukimin. Në qershor, Qeveria ka vendosur të zgjerojë mandatin e kryetarëve në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok, Shtërpcë, duke konfirmuar vendimin e mëparshëm të UNMIK-ut për të mos i validizuar rezultatet e zgjedhjeve lokale serbe, të mbajtura në maj të vitit 2008 në Kosovë.

    Rikonfigurimi i ngadalshëm i UNMIK-ut ka çuar në disa paqartësi në disa fusha si te kompetencat e qeverisë (gllabërimi i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit). Efektiviteti i pjesëmarrjes se qeverisë në forume regjionale dhe ndërkombëtare është i kufizuar nga fakti që legjitimiteti i saj është i kontestuar nga vendet që nuk e kanë njohur. Deklarimet për ndërhyrje politike në përzgjedhjen dhe caktimin e një numri për pozitat e rëndësishme (bordet e ndërmarrjeve publike) kanë ndikuar në kredibilitetin e qeverisë, thuhej në raport. Me tej në raport theksohet se lajmërimet e parakohshme për regjistrimin e popullatës dhe dorëzimi i parakohshëm në Kuvend i shqyrtimit të buxhetit të mesit të vitit, bie ndesh me dispozitat e kushtetutës.

    Megjithatë, më 17 shkurt 2008, ligjvënësit e Kosovës do të kryenin një akt historik me një rëndësi të madhe jetike për fatet e vendit; nënshkruan dhe miratuan solemnisht Deklaratën e Pavarësisë. Kjo datë shënon padyshim një nga ditët më me vlerë në historinë e shtetit.

  • Ditëlindja e 17-të e iPhone

    Ditëlindja e 17-të e iPhone

    Steve Jobs e kishte zbuluar për publikun celularin iPhone, 17 vjet më parë, saktësisht më 9 janar 2007.

    Në fazën e botës së Mac, Jobs kishte shfaqur për herë të parë pajisjen e parë iPhone, që ishte pajisja e parë me ekran me prekje dhe me internet.

    Një punonjës i Apple e ndau përvojën e tij me publikun kur ishte shfaqur iPhone i parë. Ai tha: “Kur e preka ekranin për herën e parë, e kam ditur se kjo teknologji do të bëjë shumë bujë”.

    iPhone ndoshta nuk e ndryshoi botën e teknologjisë por ai sigurisht se ndryshoi jetën e njerëzve. Me një prekje përmes gishtërinjve, përdoruesit tani mund të kenë qasje në internet shumë lehtë. Përveç se ata mund të thërrasin dhe të shkruajnë mesazhe, celulari iPhone tashmë mund të përdoret si një kompjuter.

    Lansimi i ‘App Store’ gjithashtu kishte krijuar një rrugë për ndërtuesit e aplikacioneve. Një total prej $25 miliardë ishin shkuar për krijuesit e aplikacioneve,

    Pajisja e Apple nuk pati një rrugëtim të lehtë. Gjatë demonstrimit të parë të Jobs, iPhone kishte pasur probleme, ndër të cilat ishin humbja e lidhjes së internetit. Lansimi i iPhone-it të parë ishte i suksesshëm por kishte shumë sfida përderisa çdo vit kalonte. Apple ia ka dalë të jetë më e mira edhe ndaj rivalit më të madh Samsung.

    iPhone 4 gjithashtu kishte probleme me sinjal telefonik, që bëri që Apple të humbë disa klientë. Por, Jobs vazhdimisht kishte thënë se “celularët e mençur nuk janë perfekt dhe as Apple nuk është”.

    Tani iPhone ka evoluar në një pajisje më të hollë dhe më fleksibile. Edhe pse Apple ka avancuar shumë me pajisjet iPhone, trashëgimia që Jobs kishte lënë vazhdoi nga Apple duke e ndjekur konceptin origjinal të celularit.

  • Nga sot rinis punën Gjykata Speciale, pritet vendimi për Pjetër Shalën

    Nga sot rinis punën Gjykata Speciale, pritet vendimi për Pjetër Shalën

    Pas tri jave pushimi, në Dhomat e Specializuara në Hagë sot palët do të kthehen në sallat e gjykimit, për të rinisur punën e tyre.

    Sipas kalendarit të kësaj Gjykate, nga e marta e deri të premten, para trupit gjykues do të paraqitet Pjetër Shala, derisa javën tjetër gjykimi do të vazhdojë edhe për ish-krerët e UÇK-së Hashim Thaci, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin.

    Këtë muaj, trupi gjykues do të mund të vendos rreth çështjes së Pjetër Shalës, i cili akuzohet për krimet lufte.

    Dhomat e Specializuara, kanë nisur pushimin dimëror më 18 dhjetor, derisa pas vdekjes së njërit nga avokatët e Kadri Veselit, mbrojtja kishte kërkuar kohë disa javë, për të zëvendësuar avokatin.