ATV

Blog

  • Peticionet në Mitrovicë të Veriut dhe në Leposaviq nisi mbledhja e nënshkrimeve

    Peticionet në Mitrovicë të Veriut dhe në Leposaviq nisi mbledhja e nënshkrimeve

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Pesë ditë para mbylljes së afatit të rregullt, qytetarë në dy nga katër komunat me shumicë serbe në veri, nisën mbledhjen e nënshkrimeve, me synimin final largimin e kryetarëve të cilët fituan mandatet në zgjedhjet të cilat ky komunitet i bojkotoi.

    Referuar interesimit të lartë, në mëngjesin e së mërkurës, iniciuesit e peticionit për shkarkimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, shpresojnë që të arrijnë 20% apo 3640 nënshkrime të nevojshme nga lista e votuesve qysh të enjten.

    “Sot kemi pasur më shumë se një mijë njerëz deri tani, që kur kemi filluar vetëm dy orë më parë. Interesimi i qytetarëve është shumë i madh dhe ne presim që të mbyllim procesin e nënshkrimeve deri nesër. Ky është vlerësimi ynë. Më duhet të them se ne kemi pritur këtë moment gati një vit, sepse ne si qytetarë jemi të sigurt se kryetari aktual nuk i përmbush përgjegjësitë e tij, veçmas ndaj pakicave. Ne mendojmë se duhet të zgjedhim një të ri, ky nuk është përfaqësuesi ynë”, tha Sanja Krtinic, iniciatore e peticionit.

    Nisjen e mbledhjes së nënshkrimeve 25 ditë pasi morën dritën e gjelbër, e arsyetuan duke thënë se lejen nga Komuna, për përdorimin e hapësirës publike për këtë organizim, e morën vetëm të hënën.

    Ndonëse liderët e Listës Serbe u panë tek u prinin qytetarëve drejt sallës ku po mblidhen nënshkrimet, organizatorët mohojnë lidhjen me këtë parti.

    “Jo, nuk është (nismë e lidhur me politikën). Jemi vetëm tre qytetarë nga Mitrovica e Veriut. Unë kam punuar në një organizatë joqeveritare dhe shumë njerëz më kanë pyetur a është kjo organizatë prapa peticionit? A është Lista Serbe prapa peticionit? Më duhet të them jo, nuk janë. Jam unë dhe dy kolegët, shokët e mi”, tha Krtinic.

    Në një ambient të improvizuar procesi i njëjtë nisi edhe në Leposaviq.

    Iniciuesit e peticionit e as qytetarët nuk folën para kamerës.

    Prapa saj u shprehën optimistë se brenda afatit do t’i mbledhin nënshkrimet e nevojshme.

    Kryetari Lulzim Hetemi nuk foli për organizimin para zyrës së tij.

    Ndonëse afatet kanë nisur të rrjedhin më 22, përkatësisht 27 Dhjetor, në Zubin Potok dhe Zveçan, ende nuk ka nisur mbledhja e nënshkrimeve.

    Mbledhja e suksesshme e nënshkrimeve, në pajtim me rregullat, procedurat dhe afatet kohore, pasohet me procesin e votimit për shkarkimin e kryetarëve – për çka kërkohet 50% plus një votë.

  • Qindra punonjës shëndetësorë paditin ShSKUK-në për pagën e 13-të

    Qindra punonjës shëndetësorë paditin ShSKUK-në për pagën e 13-të

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Pagën e 13-të nuk e mori për tri vjet, ashtu siç e parashihte Kontrata kolektive që vlejti nga 2018 deri më 2021-ën. Andaj, Afërdita Xhelili, kryeteknike në mjekësinë nukleare në QKUK, vendosi ta ndjekë rrugën ligjore për të marrë atë që, sipas saj, i takon.

    Ajo ka paditur Shërbimin Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës për t’i marrë 3 paga të 13-ta.

    Njësoj si Xhelili kanë vepruar edhe afro 70 për qind e punonjësve shëndetësorë.

    Sipas nënkryetarit të sindikatës së QKUK-së, ata nuk patën zgjidhje tjetër.

    Megjithatë, Kryeziu druan se SHSKUK-ja si punëdhënëse do të mund t’i realizojë këto pagesa.

    ATV-ja ka pyetur SHSKUK-në se si do të veprojë lidhur me këtë çështje dhe nëse ka kërkuar mjete nga Qeveria për shlyerjen e këtyre obligimeve, por gjatë së mërkurës, televizioni nuk mori përgjigje.

    Të drejtën në pagën e 13-të, punëtorëve shëndetësorë ua ka njohur edhe Gjykata Supreme, nëpërmjet një mendimi të publikuar më 9 tetor të vitit të kaluar.

  • Shoqëria civile kritikon Qeverinë për mostransparencë

    Shoqëria civile kritikon Qeverinë për mostransparencë

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Një vendim që ishte marrë nga Qeveria më 19 tetor, për subvencionimin e energjisë për familjet e cenueshme, u publikua 2 muaj më vonë.

    Shkas për të u bë një storje e ATV-së, meqë vendimi si i tillë nuk figuronte askund në ueb-faqe.

    Njësoj veproi edhe në shumë raste të tjera, përfshirë edhe kur ndryshoi ligjin për skemat pensionale që pensionistëve t’u njihen kontributet.

    “Vendimi për përcaktimin e dokumenteve për ta njoftë këtë pension nuk i publikon, ndërkohë ne detyrohemi që përmes kërkesës për qasje në dokumente zyrtare të marrim një vendim që ish dashtë me qenë publik po atë ditë”, tha Naim Jakaj, hulumtues në IKD.

    Krahas vendimeve, sipas shoqërisë civile, ministritë kanë nxjerrë edhe dhjetëra udhëzime administrative, në bazë të të cilave edhe kanë punuar, pa i publikuar fare në Gazetën Zyrtare.

    “Dhjetëra udhëzime administrative të cilat janë miratuar gjatë qeverisë Kurti 2 nuk janë publikuar në faqen zyrtare, rrjedhimisht ato nuk kanë hyrë në fuqi. Kjo është në kundërshtim me kushtetutën me legjislacionin në fuqi”, tha Jakaj.

    Mospërgjigjet në kohë e po ashtu edhe mospublikimet nga ana e ministrive, por edhe vete Qeverisë e vështirësojnë edhe punën e mediave.

    “Kur është fjala për vendime të Qeverisë, aty hasim në vështirësi të shumta për të kuptuar cilat vendime në çfarë periudhe kohore janë marrë, sepse njoftimet përmes e-mailit janë shumë të shkurtra dhe nuk e tregojnë çfarë vendime janë marrë, dhe kjo e vështirëson punën e gazetarëve pasi lehtë mund të çojë në publikimin e informacioneve që nuk janë krejtësisht të sakta”, tha kryetari i Asociacionit të Gazetarëve në Kosovë, Xhemajl Rexha.

    Sipas Rexhës, sfidë për gazetarët mbetet edhe centralizimi i informacionit, meqë gjithçka kalon përmes zyrës së kryeministrit.

  • Nikola Sanduloviq rrëfehet për herë të parë pas lirimit

    Nikola Sanduloviq rrëfehet për herë të parë pas lirimit

    Nikola Sanduloviq, i cili kërkoi falje për krimet kundër shqiptarëve etnikë, ka folur për The Guardian për herë të parë pas lirimit nga paraburgimi.

    Lideri i opozitës serbe është liruar nga paraburgimi pasi vuajti atë që ai pretendon se ishte një provë e tmerrshme në të cilën shërbimet sekrete të Beogradit “më rrahën, torturuan, më poshtëruan dhe më kërcënuan se do të më vrisnin mua dhe familjen time”, thotë ai për “The Guardian“.

    Nikola Sanduloviq, lideri i Partisë Republikane Serbe, thotë se ai u mor nga shtëpia e tij 10 ditë më parë dhe iu nënshtrua abuzimit të dhunshëm për më shumë se gjashtë orë nga shërbimi inteligjent.

    Për pasojë, thonë avokatët e tij, ai mbetet i paralizuar në anën e majtë dhe po pëson dëmtime nervore.

    Duke folur për herë të parë që kur u lirua, Sandulović tha në një deklaratë të mërkurën: “Më rrëmbyen anëtarët e policisë sekrete serbe të cilët më rrahën, torturuan, më poshtëruan dhe më kërcënuan se do të më vrisnin mua dhe familjen time për më shumë se gjashtë orë duke më rrezikuar jo vetëm shëndetin, por edhe jetën”.

    E gjithë kjo për shkak të shprehjes sime politike dhe aktit të vendosjes së luleve mbi varrin e një vajze të vrarë shtatë vjeçare, e cila i përkiste familjes Jashari, shkruan gazeta britanike.

    Sandulović është akuzuar për shkelje të ligjeve që ndalojnë nxitjen e urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare.

    Akuzat u ngritën pasi ai kërkoi falje për krimet e kryera nga serbët kundër shqiptarëve etnikë gjatë luftës së Kosovës për pavarësi në vitin 1998 dhe 1999. Ai është kritikuar ashpër nga mediat pro-qeveritare ( serbe) për ripostimin e një videoje të një vizite që bëri në varrin e Ademit Jashari, themelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili u vra nga policia serbe në vitin 1998 së bashku me 57 anëtarë të familjes së tij.

    Sanduloviq tha se pas sulmit të supozuar, shërbimi sekret e mori atë në shtëpi. Menjëherë pas, tha ai, ka mbërritur policia me urdhër për ta çuar në burg. Në vend të kësaj, tha ai, ai u dërgua në qendrën e urgjencës pasi “gjendja e tij ishte kritike”.

    Duke dhënë një rrëfim të dorës së parë të incidentit, i cili ka ngjallur frikë të reja për demokracinë në Serbi, politikani opozitar tha se më pas u transferua në një spital burgu dhe u dënua në të njëjtën kohë me “paraburgimin e padrejtë prej 30 ditësh”, të cilin ai tha. vënë në rrezik jetën e tij.

    Agjencia e Inteligjencës së Sigurisë (BIA) e ka pranuar marrjen në pyetje të Sandulović-it, por, në një deklaratë për Financial Times, tha se ai “nuk i ishte nënshtruar ndonjë përdorimi të paligjshëm të forcës fizike ose shkeljes së lirisë dhe të drejtave”.

    BIA vetëm donte të “zbardhte kontekstin e veprimeve të paligjshme të Sandulović-it, të cilat prokurori kompetent i klasifikoi si vepër penale… duke nxitur urrejtje dhe intolerancë kombëtare, racore dhe fetare”. Shërbimi mohoi raportet se agjentët e tij e kishin rrahur atë, duke thënë se akuzat kishin për qëllim destabilizimin e vendit.

    Qeverisë serbe i është drejtuar për koment.

    Lirimi i Sanduloviç vjen pasi partitë opozitare në Serbi u nxitën nga një diskutim në Parlamentin Evropian në Strasburg mbi akuzat se zgjedhjet e fundit ishin manipuluar në favor të SNS të presidentit Aleksandar Vuçiç, një akuzë që Vuçiq e mohon.

    Marinika Tepić e koalicionit të opozitës Serbia kundër dhunës (SPN) tha të martën: “Ne e kemi arritur objektivin tonë dhe sot Evropa dhe e gjithë bota e dinë se ne i kapëm hajdutët në flagrancë”.

  • Osmani pret në zyre Maqedoncin dhe Jasharin: Ushtria e Kosovës po fuqizohet dita-ditës

    Osmani pret në zyre Maqedoncin dhe Jasharin: Ushtria e Kosovës po fuqizohet dita-ditës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedoncin dhe Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jasharin.

    Osmani ka thënë se Ushtria e Kosovës po fuqizohet dita-ditës, si partnere e besueshme e ushtrive aleate në NATO.

    “Ushtria e Kosovës po fuqizohet dita-ditës, si partnere e besueshme e ushtrive aleate në NATO. Sot përgëzova Ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe Komandantin e FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari për angazhimin e institucioneve tona të mbrojtjes në misionin e shenjtë që kanë”, ka shkruar Osmani.

  • Shtohet numri i qytetarëve me grip sezonal

    Shtohet numri i qytetarëve me grip sezonal

    Rastet me grip sezonal ende mbeten të larta bazuar në të dhënat nga testimet e kryera. Sipas një përgjigje të Institutit Kombëtare të Shëndetit Publik për ATV-në, nga përditësimi i fundit i të dhënave, nga fillimi i javës janë testuar edhe 176 mostra të dyshimta për influenzën A prej të cilave, 35 raste kanë rezultuar pozitive.

    Nga IKShPK-ja kanë thënë se virusi prek kryesisht personat me imunitet të dobët, të moshuarit dhe fëmijët.

    Ndërkaq, sipas të dhënave, në javën e parë të këtij muaji, janë raportuar afro 6 mijë raste të gripit.

    Derisa në mesin e 326 mostrave nga pacientët, si raste të dyshimta për COVID-19, 63 prej tyre kanë rezultuar pozitive.

  • BQK ndalon ri-qarkullimin e kartëmonedhës ekzistuese në vlerë 500 euro

    BQK ndalon ri-qarkullimin e kartëmonedhës ekzistuese në vlerë 500 euro

    Nga data 1 shkurt 2024 institucionet financiare bankare dhe jo-bankare obligohen të ndalojnë ri-qarkullimin e kartëmonedhës ekzistuese në vlerë prej 500 euro, sipas rregullores së re të BQK-së për Operacionet me Paratë e Gatshme.

    Rregullorja në fjalë përcakton procedurat e trajtimit dhe tërheqjes nga qarkullimi të kartëmonedhave dhe monedhave euro dhe të valutave të tjera të dyshuara si të falsifikuara, kriteret për këmbimin e kartëmonedhave dhe monedhave euro të dëmtuara.

    Ajo po ashtu rregullon standardet minimale për kontrollin e përshtatshmërisë dhe ri-qarkullimin e kartëmonedhave dhe monedhave euro, paketimin e kartëmonedhave dhe monedhave euro për depozitim në Bankën Qendrore të Kosovës.

    Rregullorja e re përcakton edhe kushtet për transaksionet e pagesave me para të gatshme, rregullat dhe detyrimet për importin dhe eksportin e kartëmonedhave dhe monedhave euro dhe valutave të tjera prej dhe në Republikën e Kosovës, si dhe procedurat dhe detyrimet për ofruesit e shërbimeve të depozitimit apo tërheqjes së parave të gatshme përmes makinerive që përdoren nga klienti.

    Sipas kësaj rregulloreje, me qëllim të parandalimit të futjes së parave të falsifikuara, personat fizik dhe personat juridik që nuk ushtrojnë veprimtari financiare, janë të obliguar që të bëjnë deklarimin e monedhave nëse bartin më shumë se 100 copë/njësi pavarësisht nga shuma.

    Asnjë person fizik apo juridik nuk mund të ofrojë shërbime të depozitimit apo të tërheqjes së parave të gatshme përmes ndonjë lokacioni me shërbim fizik apo përmes ndonjë pajisje apo makine që përdoret nga klienti, në emër të ofrimit të shërbimeve financiare pa posedim të licencës dhe autorizimit nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, thuhet në njoftim.

    Po ashtu, asnjë person fizik apo juridik nuk mund të importojë dhe pajiset me makina teknike-elektronike për shërbime të tërheqjes dhe depozitimit të parave nëse nuk është i licencuar si institucion financiar për ofrim të aktiviteteve bankare, apo institucion financiar jo-bankar me shërbime të licencuara për para elektronike dhe shërbimet e pagesave.

    BQK thekson se importi dhe eksporti i kartëmonedhave dhe monedhave euro dhe valutave të tjera në Republikën e Kosovës është e drejte ekskluzive e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

    Po ashtu, importi dhe eksporti i kartëmonedhave dhe monedhave euro dhe valutave të tjera në Kosovë mund të bëhet vetëm për dhe nga institucionet financiare bankare dhe jo-bankare të licencuara nga Banka Qendrore e Kosovës për ushtrimin e aktiviteteve financiare bankare.

  • Rregullorja e re e “Prishtina Parking”, 1862 qytetarë do të rimbursohen

    Rregullorja e re e “Prishtina Parking”, 1862 qytetarë do të rimbursohen

    Parking Prishtina ka njoftuar qytetarët se ata që janë në parapagim do të rimbursohen përgjatë procesit të regjistrimit të veturave të para pranë kësaj ndërrmarje.

    Kjo ka ndodhur si rezultat i hyrjes në fuqi të rregullores së re, ku 1,862 qytetarë do të rimbursohen.

    Njoftimi i plotë:

    Si rezultat i hyrjes në fuqi të rregullores së re, Prishtina Parking do të rimbursoj 1862 qytetarë të cilët janë në parapagim në vlerë prej 44130 euro.

    Qytetarët që janë në parapagim do të rimbursohen përgjatë procesit të regjistrimit të veturave të para pranë ndërmarrjes Prishtina Parking.

  • Kina regjistron sërish rënie të numrit të popullsisë

    Kina regjistron sërish rënie të numrit të popullsisë

    Popullsia e Kinës është zvogëluar për të dytin vit me radhë, duke rritur shqetësimet në vendin me ekonominë e dytë më të madhe në botë.

    Të dhënat e publikuara të mërkurën kanë treguar që Kina ka pasur 1.409 miliard banorë deri në fund të vitit 2023 – 2.08 milionë më pak sesa më 2022.

    Shifrat e fundit janë dyfish më të mëdha sesa në vitin paraprak, të cilat patën shënuar rënien e parë në 60 vjetët e fundit.

    Mirëpo, ekspertët kanë thënë se një rënie e tillë ka qenë e pritshme për shkak të zgjerimit të klasit urban dhe zvogëlimit të numrit të lindjeve.

    Të mërkurën, Pekini ka thënë se shkalla e lindshmërisë ka rënë në 6.39 për 1.000 banorë dhe trendi është në linjë me vendet tjera të avancuara të Azisë Lindore, Japoninë dhe Korenë e Jugut.

    Një arsye tjetër për rënie të numrit të popullsisë ka qenë edhe politika që një familje të ketë vetëm një fëmijë – e cila ka datuar prej viteve 1980 – për të kontrolluar mbipopullimin në atë kohë.

    Qeveria e ka pezulluar atë politikë më 2015, me qëllim të shmangies së trendit të rënies së numrit të popullsisë, dhe ka prezantuar masa tjera për nxitje të natalitetit.

    Më 2021, autoritetet i kanë relaksuar edhe më shumë masat, duke ua mundësuar çifteve që t’i kenë deri në tre fëmijë.

    Të dhënat e fundit kanë rritur shqetësimet për ekonominë kineze, pasi ky vend e ka fuqinë punëtore si motorin kryesor për qarkullim financiar.

    Ndonëse dikur ka qenë vendi më së shumti popullsi në botë, tani është India vendi që e mban primatin.

    Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, më 2022, India ka 1.425 miliard banorë./REL/

  • Lëndime në sy, probleme me frymëmarrje – kjo është gjendja shëndetësore e minatorëve që u lënduan nga acidi

    Lëndime në sy, probleme me frymëmarrje – kjo është gjendja shëndetësore e minatorëve që u lënduan nga acidi

    Të paktën shtatë minatorë kanë mbetur të lënduar si pasojë e derdhjes së acidit në Minierën e Trepçës. Të lënduarit janë transportuar me urgjencë drejt Emergjencës së Spitalit Rajonal në Mitrovicë, ku kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, raporton Gazeta Sinjali.

    Zëdhënësja e Spitalit, Nita Mustafa, ka dhënë detaje për gjendjen shëndetësore të shtatë të lënduarve, teksa e njëjta ka bërë të ditur se ndërkohë edhe disa minatorë tjerë kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

    “Shtatë minatorë janë sjellë në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Mitrovicë, pasi të njëjtit kanë pësu lëndime si pasojë e derdhjes së acidit. Pesë nga ta janë ende në trajtim në Emergjencë, ndërsa dy janë pranu në Repartin e Oftamologjisë për trajtim të mëtutjeshëm.

    Ata që janë pranu në Repartin e Oftamologjisë, kanë lëndime në sy dhe janë në gjendje goxha të rëndë, rreth problemeve me sy, tjerët  kanë dhimbje gjoksi, problem me frymëmarrje, djegie të fytit për shkak të atij acidit që është derdhë në Minierë”, tha Mustafa.