ATV

Blog

  • Përforcohet KFOR-i, Kroacia shton numrin e ushtarëve në Kosovë

    Përforcohet KFOR-i, Kroacia shton numrin e ushtarëve në Kosovë

    Një kontingjent i ri i ushtarëve kroatë përforcojnë misionin e KFOR-it në Kosovë, ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë.

    Siç është njoftuar, bëhet fjalë për Regjimentin e dytë të forcave ajrore kroate, që do t’i bashkohen misionit kroat në KFOR. Ata do të nisen nga kazerma “Knez Trpimir” nga Divulja.

    “Komandant i regjimentit të forcave është majori Elvis Mishiq, një kapiten i skuadrës së 395-të të helikopterëve, në kuadër të Forcave Ajrore të Kroacisë”, thuhet nga Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë.

    Para nisjes, Mishiq tha se pjesëtarët e regjimentit të aviacionit janë të përgatitur mirë dhe të gatshëm për t’i kryer të gjitha detyrat dhe se përfaqësojnë me profesionalizëm dhe nder Ushtrinë kroate dhe Kroacinë.

  • Dy objekte fetare në Gjilan cak i hajnave, vidhen paratë e mbledhura për bamirësi

    Dy objekte fetare në Gjilan cak i hajnave, vidhen paratë e mbledhura për bamirësi

    Në dy objekte fetare në Gjilan, të martën, janë vjedhur para që ishin mbledhur për bamirësi, ka njoftuar Policia në raportin 24-orësh.

    Në asnjërin rast, policia nuk ka treguar sasinë e parave të vjedhura, por ka thënë se po hetohen të dyja rastet.

    Sipas njoftimit, rasti i parë ka ndodhur më 14 janar në mesditë, kur një person ka raportuar se një i panjohur ka hapur me dhunë kasafortën dhe ka vjedhur paratë.

    Rasti tjetër ka ndodhur dje rreth orës 14:00.

  • AAK dhe NISMA po bëhen sërish bashkë në një koalicion parazgjedhor

    AAK dhe NISMA po bëhen sërish bashkë në një koalicion parazgjedhor

    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, dhe ai i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, pritet të nënshkruajnë sot koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e ardhshme nacionale.

    Siç merret vesh, koalicioni do të quhet “Fronti për Kosovën” dhe pritet të zyrtarizohet sot.
    Dy krerët e partive gjatë ditës pritet të dalin në një konferencë për media, për të kumtuar lajmin për bashkimin e tyre në një koalicion parazgjedhor.

    AAK-ja dhe Nisma kishin qenë në koalicion bashkë dhe në bashkëqeverisje edhe para disa viteve.

    Ndërkaq, në zgjedhjet që pasuan, po në vitin 2019, Nisma që në atë kohë ishte në koalicion me AKR-në, nuk arriti ta kalojë pragun, duke mbetur kështu jashtë Kuvendit./IndeksOnline/

  • Ukraina thotë se ka rrëzuar 19 dronë rusë

    Ukraina thotë se ka rrëzuar 19 dronë rusë

    Kievi tha më 17 janar se Rusia gjatë natës ka kryer sulme me 20 dronë të prodhimit iranian në jug të Ukrainës, duke shtuar se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë shkatërruar 19 prej tyre.

    Njoftimi vjen pasi autoritetet ukrainase thanë se 20 persona janë plagosur gjatë sulmeve ruse në qytetin lindor të Harkivit dhe në Odesa në Detin e Zi.

    Ukraina ka regjistruar rritje të viktimave në mesin e civilëve që nga dhjetori i vitit të kaluar, pasi Moska ka intensifikuar sulmet ajrore, paralajmëruan Kombet e Bashkuara.

    “Armiku nisi 20 sulme me dronë Shahed nga rajoni Primorsko-Akatarks i Rusisë dhe dy raketa kundërajrore S-300 nga rajoni rus i Belgorodit, afër Harkivit”, thanë Forcat Ajrore ukrainase përmes një postimi në rrjetet sociale.

    Forcat ajrore ukrainase thanë se shteti ka përdorur raketa dhe njësitë mobile të mbrojtjes ajrore në rajonet jugore, përfshirë në Dnipro.

    Ukraina po përballet me pushtimin e nisur nga Rusia në shkurtin e vitit 2022. Që nga nisja e luftës, Perëndimi e ka furnizuar Kievin me armë të ndryshme, në mënyrë që të përballet me forcat ruse, ndërkaq ndaj Moskës janë vendosur një sërë runde sanksionesh./REL/

  • Pas arrestimit për sulm ndaj kolegut, kirurgu në Spitalin e Gjilanit suspendohet nga puna me 50% të pagës

    Pas arrestimit për sulm ndaj kolegut, kirurgu në Spitalin e Gjilanit suspendohet nga puna me 50% të pagës

    Kirurgu Luan Mustafa, i cili dyshohet se ka sulmuar kolegun e tij, kirurgun Arbër Morina, është suspenduar nga puna per tre muaj me 50% të pagës.

    Lajmin për suspendim e Mustafës, e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” drejtori i përgjithshëm i Spitalit të Gjilanit, Arsim Emini.

    “Komisioni disiplinor, për shkak të ndjeshmërisë së rastit, ka marrë vendim për masë të përkohshme, suspendim nga puna për 3 muaj me 50% pagesë deri në vendimin e plotfuqishëm i cili do të merret pas shqyrtimit detal të rastit”, konfirmoi drejtori Emini.

    Ndryshe, Policia e Kosovës (PK) të martën ka arrestuar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë kirurgun Mustafa, nën dyshimin se sulmoi fizikisht kirurgun Arbër Morina.

    Lidhur me rastin, kirurgu Morina ka thënë për “Betimi për Drejtësi” se sulmi ndaj tij ka ndodhur në zyrën e tij në Spitalin e Gjilanit, disa minuta pas përfundimit të një ndërhyrjeje kirurgjike ndaj një pacienti.

  • Hoxhaj: Jusufi, Bardhoshi e Kadriu, tre ideologët dhe frymëzuesit e UÇK-së dhe lirisë sonë

    Hoxhaj: Jusufi, Bardhoshi e Kadriu, tre ideologët dhe frymëzuesit e UÇK-së dhe lirisë sonë

    Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kujtuar 42 vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës.

    Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka shkruar se mbi sakrificën e tyre u forcua lëvizja popullore për liri dhe më pas u krijua Ushtria Çlirimtare.

    “Kujtojmë sot sakrificën e heronjve, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, të vrarë tinëzisht në Gjermani 42 vite më parë nga shteti Jugosllav. Mbi sakrificën e tyre u forcua lëvizja popullore për liri dhe më pas u krijua Ushtria Çlirimtare. Kështu, Jusufi, Bardhoshi e Kadriu u shndërruan në tre ideologët dhe frymëzuesit e UÇK-së dhe lirisë sonë. Lavdi! 🇦🇱🇽🇰”, ka shkruar Hoxhaj.

  • ​Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq nis peticioni për shkarkimin e kryetarëve

    ​Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq nis peticioni për shkarkimin e kryetarëve

    Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq, nga sot qytetarët mund të nënshkruajnë peticionin për të shkarkuar kryetarët e komunave nga radhët e komunitetit shqiptar.

    Mbledhja e nënshkrimeve do të nisë në orën 09:00.

    Në Mitrovicë të Veriut, peticioni nis bëhet pasi asamblistët komunalë miratuan kërkesën e iniciatorit që mbledhja e nënshkrimeve të bëhet në sallën e sportit në këtë komunë në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

    Ndërkaq në Leposaviq, sipas njërit nga iniciatorët e peticionit, Vesellin Radoviq, është marrë leje që të shfrytëzohet hapësira para komunës për mbledhjen e nënshkrimeve.

    Sanja Kërtiniq, një nga nismëtaret e kërkesës për nisjen e peticionit në Mitrovicë të Veriut, përmes mediave njoftoi qytetarët që të marrin me vete dokumentet e nevojshme për nënshkrimin e peticionit.

    Radio Evropa e Lirë ka mësuar se drejtuesit e institucioneve paralele u kanë thënë punëtorëve që janë në pushime dimërore dhe nuk gjenden në Mitrovicë të Veriut, se mund ta nënshkruajnë peticionin deri më 21 janar.

    Javën e ardhshme, mbledhja e nënshkrimeve pritet të nisë edhe në Zveçan dhe Zubin Potok.

    Kryetarët në katër komunat në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – janë shqiptarë, pasi partitë dhe popullata serbe bojkotoi zgjedhjet lokale të vitit të kaluar.

    Nënshkrimet për largimin e tyre tani po mblidhen në bazë të Udhëzimit Administrativ të Qeverisë së Kosovës, i cili është miratuar në fillim të shtatorit 2023.

    Në mënyrë që peticioni të jetë i suksesshëm, kërkohet që të mblidhen të paktën 20 për qind e nënshkrimeve nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar.

    Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në Mitrovicën e Veriut duhet të mblidhen së paku 3.640 nënshkrime për shkarkimin e kryetarit të komunës, pasi në listën zgjedhore janë regjistruar 18.199 persona me të drejtë vote.

    Në komunën e Leposaviqit të drejtë vote kanë 13.441 persona, që do të thotë se të paktën 2.689 prej tyre duhet ta nënshkruajnë peticionin për shkarkimin e kryetarit.

    Në Zubin Potok peticionit duhet t’i përgjigjen së paku 1.347 votues, që është 20 për qind nga 6.732 të votuesve të regjistruar.

    E në Zveçan, që peticioni të jetë i suksesshëm duhet të nënshkruhet nga së paku 1.411 persona.

    Sipas Udhëzimit Administrativ për shkarkimin e udhëheqësit të komunës, një grup qytetarësh, pas marrjes së autorizimit për të shfrytëzuar një zonë publike apo vend për të nisur një peticion, kanë 30 ditë kohë për të mbledhur nënshkrimet për shkarkimin e kryetarit. Ky afat mund të zgjatet vetëm një herë deri në 15 ditë.

    Mirëpo, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, deklaroi javën e kaluar se qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit dhe Zubin Potokut kanë afat për të mbledhur nënshkrime deri më 22 dhjetor. Ai shtoi se afati për qytetarët e komunës së Zveçanit është më i gjatë për rreth pesë ditë, për shkak në KQZ është dorëzuar më vonë kërkesa për të ditur numrin e saktë të votuesve të regjistruar.

    Nëse KQZ-ja konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë aq sa kërkohet dhe i verifikon ato, më pas organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet të mbahet brenda 45 ditësh. Që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.

    Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

    Nisja e detyrës së kryetarëve shqiptarë në komunat në veri, nxiti tensione në fund të majit të kaluar, tensione që kulmuan në Zveçan, pasi protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

    Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar uljen e tensioneve dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës.

    Iniciativa për shkarkimin e Erden Atiqit, serbët përzgjedhin sallën e sporteve për organizimin e peticionit

  • Reshjet e borës shkaktojnë anulimin e fluturimeve në Gjermani

    Reshjet e borës shkaktojnë anulimin e fluturimeve në Gjermani

    Reshjet e dendura të borës dhe ato të shiut në mbarë Gjermaninë më 17 janar kanë shkaktuar anulimin e qindra fluturimeve dhe linjave të transportit me trena, si dhe mbylljen e shkollave.

    Në aeroportin e Frankfurtit – që është aeroporti më i madh në Gjermani – mbi 500 fluturime janë anuluar. Ndërkaq, në Munih mbi 250 fluturime që pritej të ateronin dhe të niseshin, po ashtu u anuluan.

    Aeroporti Saarbruecken në perëndim të Gjermanisë u mbyll, përderisa aeroportet në Dyseldorf dhe Koln, po ashtu janë prekur nga vonesat dhe anulimet e fluturimeve.

    Operatori kombëtar i trenave, Deutsche Bahn, ka anuluar disa udhëtime në distancë të gjatë dhe ka njoftuar se maksimumi i shpejtësisë së trenave të tij të shpejtë do të kufizohet deri në 200 kilometra në orë për shkak të motit ekstrem.

    Reshjet e shiut në mbarë Gjermaninë perëndimore dhe jugore po ashtu kanë shkaktuar ngrirjen e rrugëve, gjë që ka rezultuar me shumë aksidente rrugore mëngjesin e së mërkurës. Si masë parandaluese, shumë shkolla dhe çerdhe në vend janë mbyllur, ndërkaq disa kompani u kanë ofruar punonjësve të tyre mundësinë që të punojnë nga shtëpia./rel/

  • Katari dhe Franca dërgojnë ilaçe për pengjet në Gazë

    Katari dhe Franca dërgojnë ilaçe për pengjet në Gazë

    Një dërgesë me ilaçe për dhjetëra pengje që po mbahen nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – është nisur për në këtë territor, pasi Franca dhe Katari ndërmjetësuan marrëveshjen e parë mes Izraelit dhe grupit radikal që nga armëpushimi njëjavor, i cili përfundoi në nëntor.

    Dërgesa me ilaçe po dërgohet përmes Egjiptit dhe do t’i dorëzohet Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, i cili më pas do t’ia dorëzojë Hamasit. Katari tha se marrëveshja po ashtu përfshin dërgimin e ndihmës shtesë mjekësore dhe humanitare për palestinezët në enklavën e rrethuar.

    Marrëveshja vjen pas më shumë se 100 ditë që kur ka nisur lufta e cila ka nxitur tensione në mbarë Lindjen e Mesme, përderisa ditët e fundit ka pasur sulme dhe kundërsulme nga veriu i Irakut për në Detin e Kuq dhe nga jugu i Libanit për në Pakistan.

    Në Gazë, radikalët palestinezë ende po rezistojnë në territorin bregdetar që po përballet me një nga fushatat më vdekjeprurëse ushtarake në historinë moderne. Rreth 85 për qind e popullsisë së territorit prej 2.3 milionë banorësh janë larguar nga shtëpitë e tyre, dhe sipas Kombeve të Bashkuara, çereku i popullsisë është duke u përballur me uri.

    Izraeli është zotuar se do të shkatërrojë Hamasin dhe aftësitë e tij qeverisëse për t’u siguruar që grupi të mos e përsëris më sulmin e 7 tetorit, që nxiti luftën. Luftëtarët e Hamasit sulmuan jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe duke marrë afër 250 pengje.

    Izraeli po ashtu është zotuar se do të kthejë në shtëpi mbi 100 pengje që ende janë në Gazë, pasi shumica prej tyre u liruan në nëntor, gjatë këmbimit me palestinezët e burgosur në Izrael. Izraeli ka thënë se vetëm presioni ushtarak do të sjellë lirimin e më shumë pengjeve, por përderisa lufta vazhdon, pengjet janë në rrezik që të vriten nga sulmet izraelite apo gjatë operacioneve të shpëtimit.

    Hamasi ka thënë se nuk do të lirojë pengje derisa të arrihet një armëpushim i përhershëm, kërkesë që është refuzuar nga Izraeli dhe aleatja e tij kryesore, SHBA-ja.

    Që kur ka nisur lufta, gjatë ofensivës ajrore, detare dhe tokësore të Izraelit në Gazë janë vrarë 24.285 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e kontrolluar nga Hamasi. Kjo ministri nuk bën dallimin e civilëve dhe luftëtarëve të vrarë, por ka thënë se dy të tretat e të vrarëve ishin gra dhe fëmijë. Mbi 60.000 persona janë plagosur dhe vetëm më pak se gjysma e spitaleve në Gazë janë pjesërisht funksionale./REL/

  • ​Arrestohet një shtetas serb, tentoi t’u japë ryshfet policëve

    ​Arrestohet një shtetas serb, tentoi t’u japë ryshfet policëve

    Një shtetas i Serbisë është arrestuar nga Policia e Kosovës pasi i njëjti është munduar ta korruptojë një polic duke i dhënë bashkë me dokumente, një kartëmonedhë prej pesë eurosh.

    Në raportin 24-orësh të policisë, thuhet se njëjti është arrestuar nga policia dhe është dërguar në stacionin policor në Prizren

    “Me date 16.01.2023, rreth orës 16:30 një patrulle policore e Njësisë e së Rregullimit të Komunikacionit Rrugor, Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren, në fshatin Piranë të Prizrenit ka ndaluar një kamion me tabela të Serbisë për shkak të tejkalimit të shpejtësisë”, thuhet në komunikatën e PK-së.

    “Shoferi kamioni I. V. I lindur në vitin .1983 në Krushevac – Serbi, Shtetas Serb, pasi është ndaluar nga patrulla policore dhe i janë kërkuar dokumentet, ai bashke me dokumente jep edhe një kartëmonedhë prej pesë (5) eurove. I njëjti është prangosur nga policia dhe është dërguar në Stacionin Policor Prizren Veri”, vazhdon njoftimi.

    Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, me urdhër të prokurorit kujdestar, të njëjtit i është dhënë aktvendimi për ndalim për 48 orë.

    Kundër të njëjtit është dërguar kallëzim penal për veprën penale “Dhënia e ryshfetit”.