ATV

Blog

  • Trump mohon në gjykatë se ka abuzuar seķsualisht me shkrimtaren Carroll

    Trump mohon në gjykatë se ka abuzuar seķsualisht me shkrimtaren Carroll

    Ish-presidenti Donald Trump ka deklaruar në gjyqin kundër tij për shpifje ndaj autores E. Jean Carroll. Ai ka përsëritur dëshminë e tij paraprake që pretendimi i shkrimtares se Trump e ka dhunuar është vetëm një mashtrim.

    “100% po”, i ka thënë Trump avocates së tij, Alina Habba në gjykatën federal në Manhatan, kur është pyetur nëse komentet e tij në tetor të vitit 2022, për këtë rast, kanë qenë të sakta.

    Më herët gjatë së enjtes, avocatët e Carroll e kanë publikuar një incizim të seancave të kaluara, në të cilat Trump e ka quajtur ish-kolumnisten e revistës Elle, si “të sëmurë mendërisht”, dhe ka kërcënuar se do ta padisë atë.

    “Është akuzë e rreme, nuk ka ndodhur kurrë, nuk do të ndodhte kurrë”, ka thënë Trump gjatë dëshmisë.

    Caroll, 80-vjeçare, synon të fitojë një dëmshpërlim prej të pakën 10 milionë dollarëve, lidhur me mohimet e Trumpit, më 2019, se e ka dhunuar atë në mesin e viteve ’90 në zhveshtoren e një dyqani në Manhatan.

    Në majin e vitit të kaluar, një tjetër juri e ka urdhëruar Trumpin ta paguajë Carollin, 5 milionë dollarë, pasi ai e ka mohuar pretendimin për dhunim. Gjyqi ka zgjatur katër ditë dhe argumentet përmbyllëse pritet të bëhen publike të premten. /REL

  • Cilat janë tre frutat për mëngjesin perfekt?

    Cilat janë tre frutat për mëngjesin perfekt?

    Nëse mëngjesi është vërtet vakti më i rëndësishëm i ditës, është ende për debat, por shumë nutricionistë pajtohen se një mëngjes i ekuilibruar është mjaft i rëndësishëm dhe mund të vendosë bazat për një ditë të fortë përpara.

    Të mbushura me fibra dhe lëndë ushqyese të rëndësishme, frutat janë një shtesë e shkëlqyer për një mëngjes të ekuilibruar.

    Frutat duke përfshirë portokajt, limonët dhe mandarinat, janë burime të shkëlqyera të vitaminës C, fibrave, kaliumit dhe fitonutrientëve, kanë veti anti-inflamatore dhe detoksifikuese dhe mund të përmirësojnë shëndetin e zemrës.

    Ndërkohë, të mbushura me fibra, vitaminë C dhe antioksidantë, mollët janë një burim i shkëlqyeshëm i një flavanoidi të quajtur quercetin, i cili ka veti antivirale dhe anti-bakteriale dhe mund të forcojë sistemin imunitar. Një avantazh tjetër i mollëve është se ato janë kaq të lehta për t’u marrë në lëvizje, duke i bërë ato një zgjedhje ideale për ata prej nesh që janë shpesh në nxitim në mëngjes.

    Kivi mund të mos jetë aq i popullarizuar sa mollët dhe portokajt, por është një frut i mrekullueshëm për t’u ngrënë në mëngjes, ose në të vërtetë në çdo kohë të ditës. Për përfitimet shëndetësore: kivi është i lartë në vitaminë C, e cila mund të ndihmojë në rritjen e imunitetit. Është gjithashtu i lartë në fibra të cilat mund të rrisin ngopjen dhe mund të ndihmojnë gjithashtu me tretjen.

  • Humolli i VV-së: Albin Kurti nuk e ka respektu besimin e qytetarëve, ka vepru diçka tjetër nga ajo që ka thënë

    Humolli i VV-së: Albin Kurti nuk e ka respektu besimin e qytetarëve, ka vepru diçka tjetër nga ajo që ka thënë

    Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se kryeministri Albin Kurti nuk ka qenë në gjendje me e respektua besimin e qytetarëve.

    Ai thotë se Kurti u ka premtuar qytetarëve diçka, ndërsa ka vepruar diçka tjetër.

    “Në rend të parë, Albin Kurti nuk u kanë në gjendje me e respektu besimin e qytetarëve edhe mos respektimi i qytetarëve është një lloj ofendimi edhe është ofenduese me e madhe se sa me i thanë qytetarit diçka dhe ti me vepru diçka tjetër në raport me qytetarin. Ka thënë që do të ketë zhvillim, ka thënë se do të ketë qasje në raport me FSK-në, Policinë, do të ketë sigurime shëndetësore, ka thënë se do ta ndalim gjakderdhjen financiare, nuk e kanë ndalë. Tash kur e sheh te çerdhet, te zhvillimi i bujqësisë, tash kur analizohet programi politik – ekonomik që duhet me u ballafaqua Qeveria aktuale me programin, na sot përballemi me veç një segment edhe me atë që veç ka qenë kundër Asociacionit, Albin Kurti, sepse kur flasim për VV-në, flasim për Albin Kurtin dhe ky është tash dëmi më i madh që ne duhet me folë për Albin Kurtin e jo për VV-në”, tha Humolli.

    Ai tha se në kohën kur kishte hyrë në listën për deputet të VV-së, kishte bërë një marrëveshje me Albin Kurtin dhe Liburn Aliun.

    “Interesi kombëtar më ka shtu me i ndihmu VV-së. Marrëveshja që kam bërë me Albinin edhe Liburnin, kam hy në listë. Mos të ishte kjo marrëveshje, unë s’do të isha në listë, por do t’i kisha ndihmu me krejt rrethin shoqëror VV-së, për arsye se nuk e ka mbajtur fjalën AAK-ja, nuk e ka mbajtur fjalën PDK-ja, nuk e ka mbajtë fjalën LDK-ja nga qytetarëve”, tha Humolli. /atvlive.tv

  • Myftiu Naim Tërnava priti sot në një takim shefen e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh

    Myftiu Naim Tërnava priti sot në një takim shefen e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh

    Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, ka pritur sot në një takim shefen e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh.

    Sipas një njoftimi nga UNMIK-u, Ziadeh dhe Tërnava kanë biseduar lidhur me gjendjen aktuale të marrëdhënieve ndërfetare në Kosovë.

    “PSSP Ziadeh shprehu vlerësimin e saj për përkushtimin e kryemyftiut për të nxitur dialogun, për të mbrojtur tolerancën dhe për të promovuar bashkëjetesën”.
    “Ziadeh theksoi rëndësinë e udhëheqësve fetarë si kontribues kryesorë në përpjekjet për paqe. Duke e njohur pozicionin e tyre unik për të ndikuar në ndryshime pozitive, ajo përsëriti rolin thelbësor që Bashkësia Islame ka në konsolidimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe më gjerë”, thuhet në njoftimin e lëshuar pas takimit.

    UNMIK (Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë) ishte vendosur si Administratë e Përkohshme në Kosovë, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila u miratua në qershor 1999, pas sulmeve ajrore të NATO-s që i dhanë fund kontrollit të Beogradit mbi Kosovën.

    UNMIK-u vazhdon të qëndrojë ende në Kosovë megjithëse roli i tij është tashmë minimal.

    ShBA-ja dhe shtetet aleate të Kosovës kanë kërkuar disa herë që Misioni i UNMIK-ut duhet ta përfundojë edhe formalisht mandatin, pasi puna e tij ka përfunduar prej kohësh. Por, kjo është kundërshtuar nga Rusia dhe disa shtete të tjera, që e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës.

  • Humolli konfirmon tensionet brenda VV-së: Ka qenë reale largimi i 10 deputetëve

    Humolli konfirmon tensionet brenda VV-së: Ka qenë reale largimi i 10 deputetëve

    Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se largimi i 10 deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje ka qenë reale, po të mos ndodhte problemi në veri të Kosovës.

    “Ka qenë reale për arsye se po dua veç me e tregu një fakt që ne kur kemi diskutuar brenda një grupi të VV-së, ne kemi diskutuar për me e ndërtua një grup prej 10 vetave si opozitë brenda Vetëvendosjes, dmth me ba opozitë për me e shty programin e Vetëvendosjes me u realizu për shkak se e kemi parë që nuk ka opozitë që i bën presion”, tha Humolli.

    Ai tha se grupi i VV-së ka qenë një prej grupeve që nuk ka pasë unitet më së shumti në krahasim me grupet e partive të tjera politike.

    “Grupi i Vetëvendosjes ka qenë në fushatë prej grupeve që s’ka qenë unik, që s’ka pasë unitet më së shumti se sa krejt grupet e tjera politike. LDK-ja e ka pasë një unitet brenda strukturës, PDK-ja ka pasë një unitet, AAK ka pasë një unitet, kurse Vetëvendosja në fushatë ka hy si grupacion ose si formacion politik për një pikë të caktuar për me i çun ë opozitë partitë politike, të cilat nuk e kanë kryer misionin qysh ne kemi pretendu që ka pasur mundësi me i kry. Grupi i Vetëvendosjes ka zgjatë shumë për shkak të rrethanave edhe ndërkombëtare edhe të rrethanave problematike çfarë janë brenda Kosovës. Ka vazhdu me unitet për shkak të problemeve më të mëdha se sa do probleme që janë vlerësuar dytësore brenda grupit që nuk ka unitet të të menduarit. Tash në fazën për krijimin e unitetit të vepruarit të grupeve të cilat janë brenda Lëvizjes Vetëvendosje, ka dalë problemi i veriut, kanë dalë probleme tjera të cilat e kanë stopuar”, tha Humolli. /atvlive.tv

  • Nënshkruhet marrëveshje 25 milionëshe, pritet të sigurohet banim për familjet në nevojë

    Nënshkruhet marrëveshje 25 milionëshe, pritet të sigurohet banim për familjet në nevojë

    Ministri i Financave, Hekuran Murati dhe guvernatori i Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB), Carlo Monticelli kanë nënshkruar sot marrëveshje në vlerë prej 25 milionë euro për krijimin e një sistemi të banimit social.

    Projekti në fjalë ka fokus të veçantë familjet e cënueshme të shoqërisë të cilat kanë të ardhura të ulëta pa zgjidhje banimi.

    “Përmes marrëveshjes parashihet shndërrimi i ndërtesave ekzistuese në banesa të reja sociale dhe të përballueshme, renovimi i shtëpive të cilat janë në pronësi të familjeve me të ardhura të ulëta si dhe ndërtimi i banesave të reja kolektive sociale. Në ceremoninë e nënshkrimit, Ministri Murati shprehu se “projekti për banimin social do të garantojë akomodimin e dinjitetshëm dhe të përballueshëm për familjet e cënueshme”, thuhet në njoftim.

    Ndërsa, guvernatori Monticelli ka deklaruar se “kjo iniciativë do të ndihmojë në realizimin e objektivit të përgjithshëm të vendit për krijimin e banimit social gjithëpërfshirës për qytetarët e Kosovës”.

    Të dyja palët janë pajtuar që të thellojnë bashkëpunimin në mënyrë që qytetarët e Kosovës të kenë akomodim të përballueshëm, efiçient dhe të sigurtë.

  • “Dialogu dhe anëtarësimi nuk ndahen”, ndëshkimi për Banjskën “peng” i hetimit

    “Dialogu dhe anëtarësimi nuk ndahen”, ndëshkimi për Banjskën “peng” i hetimit

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Bashkimi Evropian është i palëkundur në qëndrimin se, për Kosovën dhe Serbinë, dialogu dhe anëtarësimi janë procese pashmangshëm dhe pandashëm të lidhura, nëpërmjet dokumenteve zyrtare, qëndrimeve politike dhe jo vetëm atyre.

    Qëndrimi i BE-së përbën përgjigje ndaj kërkesës së kryeministrit Albin Kurti për t’i ndarë këto procese.

    “Pa përparim në dialog nuk ka përparim në procesin e anëtarësimit në BE. Kjo është e shkruar në një numër dokumentesh, konkluzash të Këshillit, konkluzat e këshillit nga viti 2013, 2014 deri më 2022, në kornizën negociuese të Serbisë, në komunikimin për zgjerim këtë vit, raportet për Kosovën dhe Serbinë. Është shumë e qartë se çfarë pret BE-ja dhe shtetet anëtare, kur bëhet fjalë për anëtarësimin dhe dialogun. Në fakt është pjesë e procesit të njëjtë. Dialogu dhe anëtarësimi për Kosovën dhe Serbinë janë pashmangshëm dhe pandashëm të lidhura… Sigurisht nëse ka progres në njërën anë, do të reflektojë në procesin e anëtarësimit të partnerit në fjalë”, tha zëdhënësi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Peter Stano.

    Pa komentuar deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic, i cili mbrojti grupin terrorist-paramilitar të udhëhequr nga Milan Radojcic, BE-ja njoftoi se nuk mund të veprojë pa raportin përfundimtar hetimor nga institucionet e Kosovës.

    “Është e qartë që BE-ja pret bashkëpunim të pakushtëzuar nga të gjithë që mund të kontribuojnë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur, kush janë fajtorët, kush e organizoi, kush mori pjesë, etj. Pozicioni ynë është i qartë, por që të vihemi në lëvizje dhe të nxjerrim pasojat, duhet t’i shohim rezultatet përfundimtare dhe zyrtare të hetimit të kryer nga autoritetet kosovare”, tha Stano.

    Katër muaj nga sulmi, institucionet e Kosovës nuk kanë treguar nëse raporti përfundimtar është gati dhe se kur do t’ia përcjellë Bashkimit Evropian.

  • Dorëzohen në KQZ peticionet nga katër komunat veriore

    Dorëzohen në KQZ peticionet nga katër komunat veriore

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Pas përfundimit të afatit për mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkim të kryetarëve në komunat veriore, përfaqësues nga komuna e Leposaviqit, Zveçanit e Mitrovicës Veriore iu drejtuan të enjten Komisionit Qendror të zgjedhjeve.

    Ata dorëzuan peticionin me nënshkrime të qytetarëve, për verifikim nga ana e KQZ-së.

    Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, në një mbledhje të rregullt të këtij institucioni, konfirmoi se tashmë i kanë pranuar peticionet nga katër komunat veriore për shkarkimin e kryetarëve.

    “E konfirmoj që e kemi pranuar peticionin nga katër komunat. Ka numër të madh dhe nevojitet kohë zyrtarët me bë verifikimin e tyre”, tha Radoniqi.

    Verifikimi i nënshkrimeve nga ana e KQZ-së i hap rrugë votimit për shkarkimin e kryetarit, gjë e cila mund të bëhet vetëm nëse pro shkarkimit votojnë mbi 50 për qind e votuesve të regjistruar.

    “Atëherë konsiderohet që ky votim ishte i suksesshëm dhe do të organizohen zgjedhjet e parakohshme. Por nëse ky votim nuk përmbushet për shkak se nuk ka plotësuar 50% +1 të votave, konsiderohet se ky votim ka dështuar dhe nuk do të kenë të drejtën e organizimit të një peticioni edhe për 12 muaj”, tha ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

    Ndërkohë, ditë më parë KQZ-ja ka pranuar edhe peticionin për shkarkimin e kryetarit të Komunës së Zubin Potokut.

  • LDK- ja kritikon qeverinë, s’ka dije për ta menaxhuar situatën me rrymën

    LDK- ja kritikon qeverinë, s’ka dije për ta menaxhuar situatën me rrymën

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Duke folur për vlerën e faturave të rrymës, Lidhja Demokratike e Kosovës vlerësoi se Qeveria Kurti nuk ka vizion dhe kapacitet për ta menaxhuar situatën me energjinë elektrike.

    Visar Azemi konsideron se për shkak të paaftësisë së ekzekutivit, qytetarët po pranojnë fatura me çmime të papërballueshme.

    “Qytetarët e Kosovës sot vazhdojnë të paguajnë fatura me tarifa të papërballueshme në një kohë kur secili produkt tjetër elementar është shtrenjtuar. Mos të harrojmë se çmimi i energjisë elektrike është rritur dy herë gjatë qeverisjes së Albin Kurtit, i cili si opozitar, pikërisht këtyre qytetarëve u thoshte se çmimi i energjisë elektrike është shumë i shtrenjtë, përderisa qytetarët e Kosovës qëndronin mbi thëngjill”, tha Azemi.

    Teksa kritikoi ministren Artane Rizvanolli për vendimet e marra në fushën e energjetikes, Azemi shtoi se LDK-ja është e vetmja parti që ka program specifik për zgjidhjen e problemit me energjinë elektrike.

    “Në një moment kur Kosova e pati mundësinë për ta ulur varësinë nga thëngjilli, me projektin amerikan të gazit, ministrja e Ekonomisë, Artane Rzivanolli, bashkë me kryeministrin Kurti refuzuan këtë projekt duke u arsyetuar se çmimi dhe kostoja e lartë mund të bënin investime të tjera me një rrisk tjetër me kosto më të ulët e rrisk më të ulët… Kosova, që sipas kësaj qeverie, synon që deri në vitin 2031 të përmbushë 30 për qind të energjisë nga burimet e ripërtëritshme vazhdon të mos bëjë asgjë, vazhdon të mos ketë vizon dhe të jetë e paaftë në dinamikat që i kemi parë deri sot”, tha Azemi.

    Mes tjerash, anëtari i Lidhjes Demokratike tha se në kohën e krizës energjetike, Blloku A5 u la qëllimshëm jashtë funksionit që Martin Berishaj të tregtonte energji elektrike me shifra të larta.

  • Presidenti Pendarovski në Prishtinë, takohet me Kurtin e Osmanin

    Presidenti Pendarovski në Prishtinë, takohet me Kurtin e Osmanin

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Në Prishtinë qëndroi shkurt. Por, me t’u larguar tha se Maqedonia e Veriut i përkrah aspiratat e Kosovës për integrimin në institucionet euro-atlantike.

    Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, i cili erdhi për vizitë zyrtare fillimisht takoi homologen e tij, Vjosa Osmani. Ndonëse nuk pati deklarime për media, nëpërmjet një njoftimi u tha se mes tjerash u diskutua rreth sigurisë në rajon e më gjerë.

    “Takimi i sotëm me Presidentin Stevo Pendarovski ishte një mundësi e mirë për t’i diskutuar zhvillimet e fundit, çështjet e interesit të ndërsjellë, si dhe hapat për ta avancuar të ardhmen evropiane të vendeve tona”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

    Deklarim për media nuk pati as pas takimit që Pendarovski kishte me kryeministrin Albin Kurti. Megjithatë, nëpërmes një postimi të mysafirit nga Shkupi në rrjetet sociale u theksua se shteti fqinj jep kontribut aktiv në mbështetjen e paqes në Kosovë nëpërmjet KFOR-it.

    I mbështesim aspirimet euroatlantike të Kosovës. Si anëtare e NATO-s japim kontribut aktiv në mbështetjen e paqes në Kosovë, nëpërmjet pjesëmarrjes në misionin e KFOR-it”, tha Pendarovski.

    Ushtarët e Maqedonisë së Veriut që shërbejnë në kuadër të KFOR-it janë të stacionuar në rajonin e Pejës të cilët Pendarovski i ka vizituar.