ATV

Blog

  • BE-ja i përgjigjet Kurtit: Dialogu është i lidhur me integrimin e Kosovës në bllok

    BE-ja i përgjigjet Kurtit: Dialogu është i lidhur me integrimin e Kosovës në bllok

    Ideja që është dëgjuar në Kosovë nga kryeministri Albin Kurti dhe është përsëritur edhe nga zyrtarë të tjerë, që të ndahet procesi i integrimeve evropiane nga dialogu me Serbinë, konsiderohet në parim e palogjikshme dhe e pamundur nga shumë diplomatë në selinë e Bashkimit Evropian.

    Kurti kishte thënë se është në interesin e shtetit të Kosovës, të BE-së dhe SHBA-së që procesi i anëtarësimit të Kosovës në bllokun evropian të mos jetë i lidhur me dialogun Kosovë – Serbi për normalizim marrëdhëniesh. Këto deklarata Kurti i kishte bërë në konferencën “Plani i rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe integrimi më i shpejtë në BE”, që është mbajtur më 22 janar në Shkup të Maqedonisë Veriut.

    Disa prej diplomatëve të BE-së, me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, thonë se zgjidhja e problemeve apo çështjeve të hapura me fqinjët për secilin vend është në thelb të procesit të zgjerimit.

    “Bashkëpunimi rajonal, fqinjësia e mirë dhe gatishmëria për zgjidhjen e çështjeve të hapura me fqinjët nëpërmjet mjeteve politike dhe dialogut, qysh nga samiti i Zagrebit në vitin 2000 e deri me sot është vendosur si kusht në procesin e zgjerimit. Pa këtë kusht, zgjerimi nuk do të kishte kuptim, sepse BE-ja nuk dëshiron të ketë vende anëtare, të cilat kanë konflikte me fqinjët“, ka thënë një diplomat i BE-së duke rikujtuar se „normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është një prej çështjeve më të rëndësishme jo vetëm për këto dy vende, por për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

    Edhe zëdhënësi i BE-së për çështje të jashtme dhe të sigurisë, Peter Stano, ka thënë se raportet e mira fqinjësore dhe pajtimi janë gur themeltar i procesit të integrimit në BE.

    “Raportet e mira fqinjësore, pajtimi dhe normalizimi i raporteve janë gur themeltar i procesit të anëtarësimit në BE për secilin vend aspirues. Kjo, po ashtu, është pjesë ligjore e përfshirë në dokumentet relevante që lidhen me procesin e anëtarësimit të Kosovës, Serbisë dhe të gjitha vendeve tjera”, ka thënë në përgjigjen e tij Stano.

    “Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare kanë qenë të qarta si kristali – në deklaratat publike dhe direkt me partnerët, se rruga drejt BE-së për Kosovën dhe Serbin çon përmes dialogut për normalizimin e raporteve”, ka thënë ai duke rikujtuar disa konkluzione të Këshillit të BE-së që nga viti 2013, e deri te konkluzionet e fundit të Këshillit të çështjeve të përgjithshme nga 12 dhjetori i vitit të shkuar.

    Në ato konkluzione ishte shkruar se normalizimi i raporteve dhe implementimi i obligimeve nga dialogu janë kushte esenciale në rrugën evropiane të Kosovës dhe të Serbisë dhe të dyja rrezikojnë të humbin rastet e rëndësishme në mungesë të progresit.

    Sipas diplomatëve evropianë, dialogu është mjet për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa normalizimi është kusht për të dyja vendet për progresin e tyre në procesin e integrimeve evropiane. Prandaj, thonë këto burime, është e pamundur dhe do të ishte në kundërshtim me logjikën e procesit të zgjerimit sikur ky kusht të hiqet.

    Burimet e BE-së kanë thënë se edhe nga Serbia është dëgjuar disa herë se nuk mund “të mbetet peng i dialogut“, sepse Beogradi pretendon se i ka përmbushur të gjitha obligimet, kurse Kosova nuk i ka përmbushur dhe, sipas tyre, “Kosova mban përgjegjësi për mungesën e progresit në procesin e normalizimit të raporteve”.

    Por, ajo që është e kuptueshme, sipas diplomatëve e të BE-së, është që secili vend që aspiron anëtarësimin në BE të ketë rrugën e vet dhe të vlerësohet në bazë të meritave të veta individuale në përmbushjen e kritereve.

    “Kjo do të thotë se nëse Kosova i përmbush obligimet e saj e Serbia jo, atëherë Kosova nuk do të pengohet për të përparuar. Do të vlejë edhe e kundërta, që Serbia të mos jetë peng i dështimit të Kosovës në përmbushjen e obligimeve”, ka thënë një diplomat i BE-së.

    Burimet në BE rikujtojnë se zbatimi i obligimeve nga dialogu do të bëhet edhe pjesë formale e procesit të negociatave të anëtarësimit me Serbinë, duke e përfshirë edhe në kapitullin 35 të Kornizës negociuese të BE-së siç kanë kërkuar edhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

  • Abbott i del krah Kosovës për dinarin

    Abbott i del krah Kosovës për dinarin

    Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott ka shkruar në Facebook se është i lumtur kur sheh thirrje për zbatimin e Kushtetutës, qoftë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për tokat e Manastirit të Deçanit, qoftë nenin 11 të saj që lejon vetëm një valutë në vend, por kërkoi që të ketë komunikim me komunitetet e prekura.

    “Jam shumë i lumtur kur shoh thirrje që të zbatohet kushtetuta e Kosovës, qoftë vendimi i Gjykatës Kushtetuese për tokat e Manastirit të Deçanit, qoftë neni 11”, shkroi Abbott në Facebook.

    “Ajo që nevojitet është komunikimi më i mirë për komunitetet e prekura dhe zbatimi i inskenuar i masave për të lejuar njerëzit të rregullohen”, shtoi ai.

  • ​Shkup: 39 vjet burg ndaj të akuzuarve për aksidentin me autobus më 2019

    ​Shkup: 39 vjet burg ndaj të akuzuarve për aksidentin me autobus më 2019

    Gjykata Penale e Shkupit ka dënuar sot me gjithsej 39 vjet burg gjashtë personat e akuzuar për një aksident me autobus më 2019 në afërsi të Laskarcit të Gostivarit, si pasojë e të cilit patën vdekur 16 persona.

    Shoferi i autobusit, Manoil Trifunovski, është dënuar me 14 vjet burgim, ndërsa shefi i kompanisë së autobusit, Durmish Beluli, me katër vjet burg.

    Me gjashtë vjet burg është dënuar përgjegjësi për transport në këtë kompani, Remzi Miftari, ndërsa me nga pesë vjet burg janë dënuar punonjësit e qendrës teknike të kompanisë, Igor Gjorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarski.

    Aksidenti pati ndodhur në autostradën Shkup-Tetovë, kur një autobus që po udhëtonte për në Gostivar, pati dalë nga rruga dhe është rrokullisur në një hendek përgjatë autostradës.

    Në autobus kanë qenë rreth 50 persona, kryesisht punonjës të administratës dhe të tjerë që po ktheheshin në shtëpitë e tyre.

    Gjykata ka shqiptuar për të gjithë të pandehurit një dënim dytësor -ndalimin e kryerjes së veprimtarisë në kohëzgjatje prej pesë vjetësh.

    Ky aksident pati shkaktuar reagime të shumta në opinion, për shkak të zgjatjes së procedurës gjyqësore dhe “dyshimeve për ndikime politike me qëllim shpëtimin e personave të caktuar dhe hedhjen e fajësisë vetëm te shoferi i autobusit”.

    Procesi gjyqësor pati rrezikuar edhe kthimin në rigjykim, për shkak të emërimit të gjykatëses së rastit në Apel, por pas reagimit të palës mbrojtëse, familjarëve dhe opinionit gjykatësja është kthyer në detyrë për të marrë vendim për këtë rast. /REL

  • ​Shkëmbimi i pronës, IKD padit Kuvendin Komunal të Prishtinës

    ​Shkëmbimi i pronës, IKD padit Kuvendin Komunal të Prishtinës

    Instituti i Kosovës (IKD) ka dorëzuar sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Departamentin për Çështje Administrative padi për inicim të konfliktit administrativ kundër Kuvendit Komunal të Komunës së Prishtinës.

    Përmes padisë, IKD ka kërkuar nga gjykata anulimin e Vendimit të Kuvendit të Kryeqytetit – Komunës së Prishtinës të datës 26.12.2023, për këmbimin e pronës komunale, konkretisht parcelës kadastrale me sipërfaqe të përgjithshme 208.318 metra katrorë (Zona Kadastrale Çagllavicë), dhe kalimin e kësaj prone në pronësi të Rrahman Haradinit dhe Shaban Konxhelit, me pronën, konkretisht parcelat kadastrale me sipërfaqe 3.426 metra katrorë (Zona Kadastrale Zllatar), me pronar Rrahman Haradini dhe Shaban Konxheli dhe kalimin e kësaj prone në pronësi të Komunës së Prishtinës.

    Po ashtu, përmes kësaj padie, IKD ka kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të Vendimit të lartcekur të Kuvendit të Komunës së Prishtinës, deri në nxjerrjen e vendimit gjyqësor sipas kushteve të përcaktuara me Ligjin për Konfliktin Administrativ.

    IKD pretendon që në vendimin Kuvendit të Komunës së Prishtinës të datës 26.12.2023, nuk janë aplikuar drejt dispozitat ligjore, në procedurë që i ka paraprirë aktit, nuk është vepruar sipas rregullave të procedurës, nuk është vërtetuar drejt gjendja faktike, apo nëse nga faktet e vërtetuara është nxjerrë konkluzioni jo i drejtë në pikëpamje të gjendjes faktike, dhe se me aktin përfundimtar administrativ i nxjerrë sipas vlerësimit të lirë, organi i ka tejkaluar kufijtë e autorizimit ligjor ose akti i tillë nuk është nxjerrë në pajtim me qëllimin e këtij ligji.

    Ndryshe, IKD pati reaguar ndaj vendimit të Kuvendit Komunal të Prishtinës për këmbimin e pronës Komunale në Zonën Kadastrale në Çagllavicë me pronat e dy personave fizikë në Zonën Kadastrale Zllatar, të cilit vendim i ka paraprirë propozimi i kryetarit të Komunës së Prishtinës Përparim Rama.

  • ​Ndërron jetë 4-vjeçari nga përplasja e dy automjeteve në rrugën Shkodër-Velipojë

    ​Ndërron jetë 4-vjeçari nga përplasja e dy automjeteve në rrugën Shkodër-Velipojë

    Një aksident me pasojë vdekjen e një 4-vjeçari ka ndodhur sot në rrugën Shkodër Velipojë.

    Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:00, në vendin e quajtur “Pulaj-Plazh”, ku automjeti me drejtuese K. B., 22-vjeçe, është përplasur me automjetin me drejtues P. C., 38-vjeç.

    Nga përplasja e automjeteve ka humbur jetën një 4-vjeçar, ndërsa personat e tjerë të dëmtuar janë në kujdesin e mjekëve.

    “Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit”, njofton policia. /tch

  • ​Trajneri i Berlinit përleshet fizikisht me Sanen

    ​Trajneri i Berlinit përleshet fizikisht me Sanen

    Një skandal ka ndodhur në ndeshjen mes Union Berlinit dhe Bayernit. Trajneri i Unionit, Nenad Bjelica, ka goditur me shuplakë Leroy Sanén, derisa topi ishte jashtë vijave të fushës.

    Kur Union Berlin humbi 1-0 ndaj FC Bayern Munich, trajneri i Unionit Nenad Bjelica shkaktoi një skandal. Ai sulmoi yllin e Bayernit Leroy Sané dhe e goditi dy herë, përcjellë KosovaPress.

    Ylli i bavarezëve më pastaj ka folur për incidentin e ndodhur duke thënë se qëllimi i tij i vetëm ishte ta rikthente topin në lojë.

    “Unë në fakt thjesht doja ta ktheja topin shpejt për të nisur sulmin e radhës dhe më pas gjërat u bënë pak të egra dhe ai më kapi në fytyrë,” shpjegoi ai.

    “Me sa di unë, ai ishte paksa i nervozuar pas skenës në zonën tonë të penalltisë. Sido që të jetë, gjëja kryesore është që ne morëm tre pikët e rëndësishme”.

    Bjelica ndërkohë i kërkoi falje skuadrës së tij, por jo yllit të Bayernit. “Ai erdhi drejt meje për të më provokuar.”, ka thënë ai.

    Nenad Bjelica vs Leroy Sané pic.twitter.com/xYgkrcTDaO

    — Sir ALTINAY (@AItinay) January 24, 2024

  • Konjufca e fton në zyrë aktorin që e imitoi, realizojnë një video së bashku

    Konjufca e fton në zyrë aktorin që e imitoi, realizojnë një video së bashku

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, si duket e ka ftuar në zyre aktorin Agan Asllani, pas një imitimi fantastik që i bëri në serialin ‘Logjikonomia’.

    Në videon e shpërndarë nga shefi i stafit të Konjufcës, Ilir Kërçeli, shihet aktori Agan Asllani duke imituar kryekuvendarin, derisa në fund shfaqet edhe vet Konjufca.

    “Kur, ku, si dhe pse… liberalizimi”, thonë Asllani dhe Konjufca.

  • ​Aktakuzë ndaj pesë personave për mashtrim me subvencione

    ​Aktakuzë ndaj pesë personave për mashtrim me subvencione

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave, prej tyre katër zyrtarë, si inspektorë për kontroll në terren pranë AZHB-së për mashtrim me subvencione.

    Në një komunikatë për media thuhet se të dyshuarit, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, kanë prezantuar raporte të rrejshme tek organet kompetente, duke konstatuar se përfituesja e grantit, tani e pandehura M.D. “kinse” kishte plotësuar kriteret e kërkuara për subvencionimin e një granti për kultivimin e bletëve.

    E akuzuara M.D. në realitet nuk plotësonte kriteret e parapara ligjore, ngase nuk posedonte koshere të bletëve, ku si rezultat i veprimeve nga katër inspektorët, buxhetit të Kosovës i janë shkaktuar dëme 11 mijë e 753 euro.

    A.Ç., A.H., L.K. dhe K.Z., si persona zyrtar në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale mashtrimi në detyrë, ndërsa përfituesja e grantit, e pandehura M.D., e ka kryer veprën penale mashtrimi me subvencione.

    Prokurori i Shtetit i ka propozuar gjykatës kompetente që të pandehurit të shpallën fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, si dhe ka propozuar që të pandehurve t’iu ndalohet ushtrimi i funksionit në administratë publike apo funksioneve në shërbime publike, si dhe t’iu shqiptohet dënimi plotësues, duke urdhëruar që të kompensojnë dëmin e shkaktuar ndaj buxhetit të Kosovës deri në përmbushjen e vlerës së dëmit të shkaktuar si rezultat i veprave penale të tyre.

  • ​ASK: Deficit tregtar më i lartë për 6,3% në muajin dhjetor 2023 krahasuar me dhjetor 2022

    ​ASK: Deficit tregtar më i lartë për 6,3% në muajin dhjetor 2023 krahasuar me dhjetor 2022

    Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin dhjetor 2023.

    Të dhënat nga Tregtia e Jashtme të Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 6,3% në muajin dhjetor 2023, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2022, gjegjësisht në vlerë prej 477,7 milionë Euro, krahasuar me deficitin prej 449,5 milionë Euro në vitin 2022. Eksporti mbulon importin me 12,0%.

    Eksporti i mallrave në muajin dhjetor 2023 kishte vlerën 65,4 milionë Euro, ndërsa importi 543,1 milionë Euro, që është një rënie prej (-9,3%) për eksport, si dhe një rritje prej 4,1% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.

    Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 21,0% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 18,5% e përbëjnë artikuj të ndryshëm të prodhuar; 13,9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 13,4% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5,8% e përbëjnë makineria dhe pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.

    Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 13,6% e përbëjnë produktet minerale; 13,1% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 12,1% e përbëjnë mjetet e transportit; 11,5% e përbëjnë makineria dhe pajisjet mekanike dhe elektrike; 8,8% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, etj.

    Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së

    Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 18,7 milionë Euro, ose rreth 28,6% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-2,1%). Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (10,0%), Italia (4,2%), Holanda (2,1%), etj.

    Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 225,3 milionë Euro, ose 47,0% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 17,5%. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (14,8%), Greqia (5,6%), Italia (4,3%), etj.

    Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s

    Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 28,0 milionë Euro, ose 42,7% të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-5,9%). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (18,3%), Maqedonia e Veriut (12,5%), Serbia (5,8%), Mali i Zi (4,9%).

    Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 69,1 milionë Euro, ose 12,7% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-25,5%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (5,4%), Maqedonia e Veriut (4,4%), Serbia (1,8%).

    Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës

    Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 18,7 milionë Euro, ose 28,7%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: SHBA (13,2%) dhe Zvicra (8,9%).

    Importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 218,7 milionë Euro, ose 40,3%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (14,9%) dhe Kina (10,1%).

  • KQZ pranon kërkesat për verifikimin e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve në veri

    KQZ pranon kërkesat për verifikimin e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve në veri

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar kërkesat për verifikimin e nënshkrimeve të mbledhura në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Leposaviq dhe Zubin Potok, për largimin e kryetarëve.

    Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, derisa ka shtuar se në përputhje me legjislacionin në fuqi do të verifikohet lista e nënshkrimeve.

    “Mund t’ua konfirmoj se gjatë ditës së sotme kemi pranuar edhe kërkesat për verifikim të nënshkrimeve të mbledhura në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Leposaviq. Ndërkaq, siç kemi njoftuar, më parë kemi pranuar edhe kërkesën të njëjtë edhe nga Zubin Potoku. KQZ, në përputhje me legjislacionin në fuqi, do të verifikojë listën e nënshkrimeve, pra nëse nënshkruesit janë qytetarë me të drejtë vote në komunën përkatëse”, ka thënë ai.