ATV

Blog

  • Me këngë për Nënën Terezë, Ukraina merr pjesë në Eurovision 2024

    Me këngë për Nënën Terezë, Ukraina merr pjesë në Eurovision 2024

    Këngëtaret ukrainase Jerry Heil dhe Alyona Alyona do të përfaqësojnë këtë vit Ukraininën në Eurovision 2024.

    Është e vecantë se këto këngëtare në këtë festival të muzikës do të prezantohen me këngë që i kanë dedikuar Nënës Terezë dhe Marisë, nënës së Krishtit, këngë që edhe titullohet “Teresa & Maria”.

  • Demografi serb: Serbia aktualisht ka më pak foshnje, se gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore

    Demografi serb: Serbia aktualisht ka më pak foshnje, se gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore

    Demografi serb Goran Penev tha sot se nuk mund të ketë rritje të lindshmërisë (numrit të lindjeve) nëse të rinjtë dhe çiftet e martuara nuk kanë punë të sigurt dhe nëse jetojnë në një vend ku duhet të luftojnë për të drejtat elementare të njeriut në rrugë.

    Duke komentuar faktin se vetëm 60,813 foshnja kanë lindur në Serbi vitin e kaluar, Penev tha për agjencinë Beta se ky ishte numri më i ulët i lindjeve të gjalla që nga viti 1900.

    “Në 10-15 vitet e fundit numri i lindjeve të gjalla ka ardhur vazhdimisht në rënie. Vitin e kaluar kanë lindur më pak foshnja se kurrë që nga viti 1900. Më pak kanë lindur se edhe gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Ballkanike, Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, ose periudhën e pandemisë Covid 19”, tha Penev.

    Sipas tij, rënia e numrit të lindjeve të gjalla është një trend i zakonshëm për shkak të shkallës së ulët të riprodhimit dhe rritjes së moshës së popullsisë në moshë riprodhuese.

    “Përveç standardeve të ulëta riprodhuese, në rënien e numrit të lindjeve të gjalla ndikohet edhe nga migrimi, d.m.th largimi i të rinjve nga Serbia. Problemi i rënies së lindshmërisë është një tendencë afatgjatë dhe nuk mund të rregullohet nga shteti pak para për lindjen e fëmijës së parë, të dytë, të tretë apo të katërt”, tha demografi.

    Nëse lindja e fëmijëve rritej me ndarje financiare, shtoi ai, atëherë vendet shumë të zhvilluara nuk do ta kishin këtë problem.

    Gjendja e keqe ekonomike dhe sociale, tha ai, ndikon negativisht edhe në trendet demografike.

    “Nuk mund të presësh që një grua e re të lindë, nëse punon në punë të përkohshme me pagë të ulët dhe nëse nuk ka mundësi të zgjidhë çështjen e strehimit. Blerja e një apartamenti është bërë një mision i pamundur, dhe qiratë janë shumë e lartë, gjë që e bën të pamundur që të rinjtë të krijojnë familje dhe të kenë fëmijë”, shpjegoi Penev.

    Enti Republikan i Statistikave njoftoi dje se vitin e kaluar në Serbi kanë vdekur 97.098 persona dhe se 60.813 foshnja kanë lindur të gjalla.

    në periudhën janar-dhjetor Serbia 2023 ka pasur një rënie të numrit të lindjeve të gjalla për 1437 ose 2,3 për qind, si dhe rënie të numrit të vdekjeve për 13741 ose 12,4 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

  • ​Kurti: Procesi i integrimit në BE të jetë i ndarë nga ai i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë

    ​Kurti: Procesi i integrimit në BE të jetë i ndarë nga ai i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se marrëdhënia në mes Kosovës dhe Serbisë më shumë varet nga Serbia, por se kjo nuk duhet të ndikojë tek procesi i integrimeve në Bashkimin Evropian.

    Kurti theksoi së në krahasim me Serbinë, Kosova është kampionë në të gjitha aspektet.

    Ai shtoi se Bashkimi Evropian kërkon fqinjësi të mirë, por ajo mungon dhe se përgjegjësia për këtë gjë është tek Beogradi zyrtar.

    “Kosova ka interes jetik që procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë që pakrasimisht më shumë varet nga Serbia se sa nga Kosova, të jetë i ndarë prej procesit të integrimeve të Bashkimit Evropian. Dhe sa i përket sundimit të ligjit, luftimit korrupsionit, lirisë së mediave, të drejtave të njeriut, cilësisë së zgjedhjeve, Serbia është e pakrahasueshme me Kosovën. Kosova është kampione e Ballkanit. Po ashtu, rritjes ekonomike dhe rishpërndarjes sociale, ne jemi në ngritje e sipër, janë dyfishuar eksportet, investimet e huaja, janë rritur të hyrat tatimore për 2/3, andaj tash gjithë ky progres ekonomik dhe demokratik i Kosovës të ngelet peng nga Serbia, që orkestron dhe financon paramilitarë, që synojnë destabilizimin e Kosovës, siç e pamë në fund të shtatorit të vitit të kaluar, nuk është e drejtë. Unë e kuptoj që Bashkimi Evropian e dëshiron fqinjësinë e mirë dhe ne jemi për fqinjësi të mirë, por ajo nënkupton edhe njohje të ndërsjellët defakto. E kuptojmë rëndësinë e fqinjësisë së mirë, por kur mungon fqinjësia duhet të konstatohet përgjegjësi për këtë gjë, dhe nuk është te Prishtina zyrtare por tek Beogradi zyrtarë”, tha Kurti.

    Kurti ka komentuar edhe organizimin e peticioneve për shkarkimin e kryetarëve të komunave në veri.

    “Procesi i zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës tashmë ndodhet në rrugën e vet ligjore. Atje po bëhen peticione me mbledhje të nënshkrimeve, së pari duhet të mblidhen 20%, më pastaj mbahen votimet ku me 50% plus një shkaktohen zgjedhjet e reja dhe ndryshohen kryetarët. Unë jam i vetëdijshëm që në zgjedhjet para një viti në katër komunat në veri dalja ka qenë e ulët, por përveç katër këtyre katër kryetarëve që i kemi atje, dikush tjetër nuk ka legjitimitet. Për legjitimet më të madh nevojiten zgjedhje të reja, për zgjedhje të reja, duhet të ketë respektim të procedurave ligjore. Masat të cilat dëshirojnë me dhunë të destabilizojnë nuk mund të udhëheqin as me komunat, as me organet shtetërore. Mirëpres qytetetarët në veri të Kosovës, kryeministër i të cilëve jam unë, sepse nuk jam kryeministër vetëm i shqiptarëve, tashmë po i ndjekin procedurat ligjore, rregullat në mënyrë që vullneti i tyre për kryetarë të tjerë të marrë rrugën e drejtë”, shtoi Kurti.

  • Rasti i 53-milionëshit, Prokuroria kërkon dënim maksimal për Lekajn e Berishën

    Rasti i 53-milionëshit, Prokuroria kërkon dënim maksimal për Lekajn e Berishën

    Sot është dhënë fjala përfundimtare në rastin e 53-milionëshit, ku të akuzuar janë Pal Lekaj dhe Eset Berisha.

    Prokurori Special, Valdet Gashi, tha se mbetet në tërësi pranë të gjitha pikave të aktakuzës kundër të pandehurve dhe Prokuroria Speciale konfirmon me bindje të plotë se është provuar në tërësi gjendja faktike dhe se veprimet e të pandehurve manifestohen.

    Gashi, gjatë fjalës përfundimtare për këtë rast, ka thënë se të akuzuarit kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, me qëllim të shkaktimit të dëmit në buxhetin e shtetit.

    Prokurori Gashi ka vlerësuar se mohimi i të pandehurve për veprën penale është i pabazuar, pasi këtë e kanë bërë për t’iu shmangur përgjegjësisë penale pasi kanë qenë të vetëdijshëm për këtë vepër, teksa për të akuzuarit ka kërkuar dënim maksimal.

    Afera e pagesës së 53 milionë eurove shtesë në emër të vonesave për konsorciumin “Bechtel-Enka”, që ka ndërtuar autostradën “Arbën Xhaferi”, është një nga aferat më të diskutuara në Kosovë.

  • Podujevë: Kryeministri Kurti teston talentin e tij në basketboll

    Podujevë: Kryeministri Kurti teston talentin e tij në basketboll

    Kryeministri Albin Kurti sot ka qëndruar për vizitë te komuna që udhëhiqet nga bashkëpartiaku i tij, Shpejtim Bulliqi.

    Në Podujevë, Kurti përveç agjendës së tij, gjeti kohë edhe për pak sport, në një sallë basketbolli.

    Gjuajtja në kosh nuk i shkoi huq. Kurti si kryeministër u pa si rrallëherë duke luajtur basketboll, por kjo s’është e rrallë për homologun e tij nga Shqipëria, Edi Rama, i cili si një ish-basketbollist, shihet shpesh duke i testuar reflekset edhe tash si kryeministër.

    Gjatë kësaj vizite, Kurti ka marrë pjesë në lansimin e programit kombëtar “Sport në shkolla” e organizuar nga Federata e Sportit Shkollor të Republikës së Kosovës (FSSHRK), ngjarje në të cilën kanë marrë pjesë ministrat Hajrulla Çeku e Arbërie Nagavci e kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

    Kryeministri Kurti mori pjesë edhe në vendosjen e gurthemelin për ndërtimin e Qendrës Rezidenciale për persona të moshuar në Podujevë.

     

  • ​Ky është trajneri që mund ta zëvendësoj Klopin te Liverpooli

    ​Ky është trajneri që mund ta zëvendësoj Klopin te Liverpooli

    Trajneri italian Roberto De Zerbi është ndër kandidatët për të zëvendësuar Jurgen Kloppin në Liverpool nga sezoni i ardhshëm, tani që trajneri gjerman ka njoftuar se do të largohet nga “Anfield” në verë.

    Klopp zbuloi të premten në mëngjes se do të largohet nga Liverpool në fund të sezonit aktual dhe shumë e shohin trajnerin italian De Zerbi si një kandidat të mundshëm për të zëvendësuar teknikun gjerman në stolin e “Reds”.

    Kandidati tjetër i fortë për këtë rol është ish-mesfushori i Liverpool-it, Xabi Alonso, aktualisht në krye të liderëve të Bundesligës, Bayer Leverkusen, skuadra e vetme e pamposhtur në ligën e parë të Gjermanisë këtë sezon, përcjellë KosovaPress.

    Tifozët e Liverpoolit tashmë po debatojnë se kush do të ishte zëvendësuesi më i mirë për Klopp dhe De Zerbi është përmendur mbi 2000 herë në X, dikur Tëitter, që kur trajneri aktual i Reds njoftoi se do të largohej.

    De Zerbi, një ish- trajner i Sassuolos , erdhi në krye të Brightonit në shtator 2022 dhe ka fituar 32 ndeshje nga 68 në krye të “Pulëbardhave”.

  • Sofia Vergara flet për ndarjen: Nuk dua të bëhem nënë në këtë moshë

    Sofia Vergara flet për ndarjen: Nuk dua të bëhem nënë në këtë moshë

    Sofia Vergara u shpreh haptazi rreth divorcit me Joe Manganiello. Duke bërë një rrëfim personal në një intervistë, aktorja zbuloi se kishte arritur në një mospajtim me Joe për çështjen e krijimit të familjes.

    “Lidhja jonë përfundoi sepse ishim në dy stade të ndryshme të jetës,” u shpreh Vergara.

    “Ai, si një burrë më i ri, kishte dëshirën të bënte fëmijë ndërsa unë nuk isha e gatshme të ndërmarrë një rrugëtim të tillë në këtë pikë të jetës sime.”

    Vergara, tregoi se ka pritur me padurim kapitullin e ri të jetës pa përfshirjen e rritjes së një fëmije meqë siç tha ajo, është e vjetër për të rritur atë.

    “Kam një perspektivë tjetër ndaj rrethanave dhe ndjej se duhet të jem e sinqertë ndaj vetes dhe të mos ndjek rrugën e prindërimit në këtë fazë,” tha ajo, duke shtuar se respekton plotësisht njerëzit që zgjedhin të bëjnë fëmijë në çdo moshë, por për veten e saj, kjo nuk është më një mundësi që ajo dëshiron të ndjekë.

  • Justin Timberlake feston ditëlindjen me koncert falas në Irving Plaza të New York-ut

    Justin Timberlake feston ditëlindjen me koncert falas në Irving Plaza të New York-ut

    Justin Timberlake, ka njoftuar një performancë të jashtëzakonshme falas në Irving Plaza në qendër të New Yorkut, sipas lajmeve të fundit të dalë nga CBSNeës.

    Ky koncert, i cili do të zhvillohet në nder të ditëlindjes së artistit më 31 janar, premton të jetë një festë e madhe për të.

    Timberlake ka tërhequr vëmendjen me zbulimin e një video të për albumin e tij të ardhshëm me titull “Everything I Thought It Was”.

    Pasi tërhoqi vëmendjen me albumin e tij të mëparshëm në 2018 “Man of the Woods”, i cili pushtoi vendin e parë në renditjen prestigjioze të “Billboard Hot 200”, Timberlake duket se është gati të vazhdojë me të njëjtin hov dhe të jetë edhe më afër audiencës së tij./atvlive.tv/

  • Kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut: Kush është Talat Xhaferi, ish-komandanti i UÇK-së

    Kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut: Kush është Talat Xhaferi, ish-komandanti i UÇK-së

    Ditën e djeshme (25.01.2024) qeveria e Maqedonisë së Veriut e drejtuar nga Dimitar Kovaçevski ka dhënë dorëheqjen për ti hapur rrugën formimit të qeverisë teknike. Kjo është hera parë që në krye të Republikës së Maqedonisë së Veriut do të vendoset një shqiptar, Talat Xhaferi.

    Por kush është kryeministri shqiptar që do të qeverisë Maqedoninë e veriut?

    Talat Xhaferi ka lindur më 15 prill 1962 në Gostivar, Republika e Maqedonisë së Veriut. Në vitin 1981, regjistrohet në Akademinë Ushtarake e Forcave Tokësore – drejtimi i këmbësorisë, dhe mësimin e ndjek në Beograd dhe në Sarajevë. Prej vitit 1996 deri në vitin 1998 u përkushtohet studimeve pas universitare me specializim në detyrat komanduese dhe të shtabit në Akademinë Ushtarake Shkup, ndërsa në vitin 2013, fiton titullin magjistër, pas mbrojtjes së suksesshme të tezës në Fakultetin Filozofik pranë Universitetit në Shkup.

    Karrierën në forcat e armatosura e fillon në vitin 1985, fillimisht në Armatën Popullore të Jugosllavisë (APJ),Me pavarësimin e Maqedonisë, ai kthehet në vendlindje dhe inkuadrohet në Armatën e Maqedonisë, duke qenë oficer i lart dhe pas një periudhe zgjidhet komandant i njësiteve të këmbësorisë në kazermën e Tetovës.

    Më 28 prill të 2001, në konfliktin e armatosur në Maqedoni mes forcave maqedonase të sigurisë dhe UÇK-së, Xhaferri braktis radhët e Armatës së Maqedonisë dhe kaloi në radhët e UÇK-së.

    Ai në këtë periudhë u njoh me nofkën komandant Forina. Gjatë viteve të përfshirjes në politikë në radhët e BDI-së, duke u zgjedhur deputet, zëvendësministër i mbrojtjes në vitin 2008 dhe ministër i mbrojtjes në shkurt të 2013.

    Në një deklaratë për mediat , gjatë pranim dorëzimit të funksionit të ministrit të Mbrojtjes, Xhaferi deklaroi se qëllimi i tij do të jetë “forcat e armatosura të bëhen simboli i bashkëjetesës, i tolerancës dhe respektimit të dallimeve”.

    Në vitin 2016, për herën e pestë zgjidhet deputet në Kuvend, ndërsa në vitin 2017, zgjidhet Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Më 21 gusht 2020, pas mandatit të tij të gjashtë si deputet, përsëri e fiton besimin e shumicës të deputetëve të Kuvendit dhe zgjidhet Kryetar i dhomës ligjvënëse.

    Talat Xhaferi flet gjuhën shqipe, maqedonase, serbe, kroate dhe angleze.

    Në nëntor 2016 – Medalja Presidenciale e Meritave e ndarë nga Presidenti i Republikës së Kosovës për kontribut dhe veprimtari kombëtare.

  • Nga shkurti fillon vaksinimi i vajzave 12-vjeçare kundër kancerit të qafës së mitrës

    Nga shkurti fillon vaksinimi i vajzave 12-vjeçare kundër kancerit të qafës së mitrës

    Me rastin e fillimit të Javës së Ndërgjegjësimit kundër kancerit të qafës së mitrës, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) u kanë bërë thirrje të gjitha vajzave dhe grave të marrin vaksinën me qëllim të parandalimit dhe mbrojtjes kundër kësaj sëmundje malinje. Kjo vaksinë nga muaji shkurt do të hyjë në kalendarin e rregullt të vaksinave në Kosovë, e ku do të vaksinohen vajzat që nga mosha 12 -vjeçare.

    Në një tryezë diskutimi, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se testet e rregullta, duke përfshirë PAP testin dhe vaksinën kundër papilloma virusit, janë ndër intervenimet kryesore parandaluese të cilat duhet fuqizuar e shfrytëzuar krahas trajtimit cilësor shëndetësor të të prekurave.

    Vitia theksoi se janë drejt finalizimit të programit nacional për kontroll të kancerit, derisa shtoi se kanceri i qafës së mitrës do të ketë vëmendjen e merituar krahas kancerit të gjirit, atij kolorektal e të tjerëve me rrezik më të madh potencial.

    Ai shtoi se kanë siguruar rreth 15 mijë doza të vaksinës kundër papilloma virusit, derisa shtoi se që nga mesi i muajit shkurt do të fillojë vaksinimi i të gjitha vajzave të klasave të gjashta në gjithë vendin tonë, për çka u bëri thirrje prindërve t’i përgjigjen pozitivisht vaksinimit.

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se sëmundjet malinje e në veçanti kanceri i qafës së mitrës janë një sfidë e vërtetë për institucionet shëndetësore, shoqërinë tonë, shëndetin e grave dhe të gjithë atyre që preken nga këto sëmundje.

    Ai shtoi se në Kosovë kanceri i organeve gjenitale femërore paraqet kancerin e dytë më të shpeshtë në mesin e kancerit të femrave, dhe të katërtin nga shpeshtësia në mesin e të gjithë grupeve të kancerit.

    Po ashtu, edhe drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), Naser Ramadani tha se qëllimi i shënimit të javës botërore kundër kancerit të qafës së mitrës është sensibilizimi i qytetarëve, punëtorëve shëndetësorë dhe vendimmarrësve lidhur me këtë sëmundje, duke përfshirë edhe mënyrën e parandalimit.

    Ai shtoi se java botërore e kancerit të qafës së mitrës është një mundësi për të reflektuar mbi progresin e bërë deri më sot dhe për të rritur ndërgjegjësimin për sfidat që mbeten për të arritur në përfundimin e kancerit të qafës së mitrës.

    Java e Parandalimit të Kancerit të Qafës së Mitrës është një fushatë evropiane, e cila ka si qëllim të rrisë sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin për parandalimin dhe kapjen e hershme të kancerit të qafës së mitrës te gratë. Shoqata Evropiane e Kancerit të Qafës së Mitrës që nga viti 2002 ka nisur organizimin e kësaj fushate, ndërkaq prej vitit 2007, Java Evropiane e Parandalimit të Kancerit të Qafës së Mitrës organizohet çdo vit në javën e fundit të janarit.