ATV

Blog

  • Brenda një muaji, Policisë i dështuan dy tenderë për furnizim me uniforma

    Brenda një muaji, Policisë i dështuan dy tenderë për furnizim me uniforma

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Armët pritet t’i kenë të reja. Por, shumë pjesëtarë të Policisë edhe për një kohë, punën do ta bëjnë të veshur me uniforma të vjetruara.

    Tenderi për furnizim me uniforma për detyra taktike ka dështuar përsëri.
    Krahas tenderit që kap vlerën e rreth 3 milionë euro, Policisë se Kosovës i ka dështuar edhe tenderi me procedurë të negociuar për furnizim me uniforma operacionale.

    Dy këto aktivitete prokurimi kanë dështuar brenda 1 muaji, me arsyen e njëjtë.

    Derisa institucioni i Policisë nuk ka kthyer përgjigje as pas dy ditësh, nga sindikata thonë se ka vite që pjesa me e madhe e zyrtarëve policorë nuk kanë marrë uniforma.

    “Në fakt furnizimi i rregullt me uniforma për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, ka kohë që ka dalë prej rendi të shprehemi kështu. Saktësisht nuk mund ta dimë, por që nga pandemia kur edhe Organi Shqyrtues i Prokurimit kishte mbetur pa bord shumë tenderë sikur se edhe ata që kanë qenë për uniforma janë kthyer në piken zero”, tha kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri.

    Teksa apeloi që procedurat e prokurimit për Policinë e Kosovës të përshpejtohen, Imer Zeqiri tregoi për vështirësitë më të cilat përballen policët për shkak të mos furnizimit të rregullt me uniforma.

    “Kjo sjell shumë vështirësi në kryerjen e punës për një polic. Ka pasur raste kur me një këmishë e ka kaluar gjithë vitin. Ka pasur raste kur janë detyruar të blejnë personalisht pantallona të së njëjtës ngjyrë për tu dukur që janë uniformë e policisë”, tha Zeqiri.

    Ndryshe, si kërkesë e parë nga 14 sosh, që Sindikata e Policisë i adresoi Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla pak para viti të ri, ishte përmirësimi i kushteve të punës në përgjithësi, me theks të veçantë veshmbathjet, mjetet e punës dhe mjetet logjistike.

  • Infermierët kundërshtojnë rregulloren funksionale për shtesat funksionale

    Infermierët kundërshtojnë rregulloren funksionale për shtesat funksionale

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Një rregullore për shtesat funksionale në bazë të së cilës punonjësit shëndetësor, mjekët dhe infermierët marrin shtesa në paga, nuk po konsiderohet e drejtë dhe e barabartë për këto dy kategori.

    Infermierët po e kundërshtojnë, pasi sipas rregullores ata marrin shtesa vetëm për kujdestari. Ndërkaq mjekët përpos kujdestarisë marrin kompensim si dhe shtesë tregu për faktin që punojnë vetëm në institucion publik shumë kjo që arrinë deri në 200 euro.

    Por nga Oda e Mjekëve thonë se kjo është bërë pas vlerësimit se ka rrezik që Kosova të mbetet pa mjekë.

    Ndërkohë në listën e pagës në cilën e ka siguruar ATV në muajin dhjetor paga e një mjeku rezulton të arrijë mbi 3 mijë euro derisa për këtë Sejdiu ka shpjegim.

    Rregullorja për shtesat funksionale e cila hyri në fuqi më 6 shkurt të vitit të kaluar ka afat vetëm 1 vit.

  • Nis ndërtimi i qendrës për të moshuar në Podujevë

    Nis ndërtimi i qendrës për të moshuar në Podujevë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Me synimin që të rinjtë të jenë më aktivë dhe më të shëndetshëm të premten është lansuar programi kombëtar “Sport në Shkolla”, në komunën e Podujevës.

    “Jemi mbledhur këtu së bashku për të shënuar fillimin e programit ‘Sport në Shkolla’, nismë kjo e cila synon fuqizimin e nxënësve dhe të rinjve tanë përmes ndërlidhjes së arsimit me sportin dhe të sportit me shëndetin. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe federatat sportive kanë hartuar programin ‘Sport në Shkolla’ i cili ka për qëllim ndërtimin e një shoqërie aktive dhe të shëndetshme”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    Gjatë qëndrimit në këtë komunë, kryeministri Albin Kurti mori pjesë edhe në vënien e gurthemelit për ndërtimin e Qendrës Rezidenciale për persona të moshuar.

    “Do ta ketë edhe bujtinën andaj do të jetë moderne në çdo aspekt me kushte tejet të mira për ata të moshuar të cilët do ta gëzojnë pleqërinë e tyre këtu me këtë rast e falënderoj Halil Kastratin e falënderoj Komunën e Podujevës dhe falënderojë të gjithë këta veprimtarë e personalitete që janë këtu me neve në këtë përurim sot. Duhet të kujdesimi për të gjitha shtresat e popullsisë për të gjitha moshat në vendin tonë”, tha Kurti.
    Në këtë projekt, të investuar rreth dy milionë euro nga organizata humanitare “Jetimet e Ballkanit”, komuna e Podujevës ka kontribuar me vetëm rreth 530 mijë euro.

    Kjo është një shenjë që po tregojmë përveç investime që po i bëjmë në infrastrukture publike shkollore, është radha të mendojmë edhe për këtë kategorie të moshuarave. Këtu do të kenë mundësin qe te marrin shërbime përafërsisht 100 të moshuar brenda ditës”, tha kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

    Qendra do të ofrojë qëndrim ditor për të moshuar, kuzhinë humanitare për nevojtarë dhe bujtinë për studentë.

  • Shtyhet seanca fillestare për 12 policë e doganierëve që akuzohen për ryshfet

    Shtyhet seanca fillestare për 12 policë e doganierëve që akuzohen për ryshfet

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Salla mezi i zuri 12 zyrtarët policorë e 2 doganierë që po akuzohen për marrje ryshfeti në pikën kufitare Qafë Prush, gjatë viti 2021. Që në nisje, avokatët mbrojtës deklaruan se nuk i kishin pranuar shkresat e lëndës.

    Ndërsa të tjerë thanë se edhe në ato pak materiale të pranuara, nuk kishin qasje.

    Pas deklarimit të Prokurorit se do kujdesen që t’ua sigurojnë materialet e nevojshme, gjykatësi mori vendim për shtyrjen e seancës për një muaj.

    Zyrtarët policorë tashmë të suspenduar, Artan Thaqi, Agron Bejtullahu, Afrim Deda, Avdi Përolli, Benon Këpuska, Isa Ibrahimi, Kreshnik Arllati, Malë Berisha, Mehmet Manxhuka, Sami Hajdari, Shaqir Krasniqi dhe Uran Mati, si dhe dy doganierët Enis Turtulla dhe Senad Zherka, akuzohen se kryesisht përgjatë vitit 2021, në bashkëkryerje dhe me qëllim të përfitimit financiar, ua kanë mundësuar qytetarëve kalimin e pikës kufitare Qafë Prush, pa iu nënshtruar procedurave ligjore.

    ATV, ka siguruar aktakuzën, ku shpjegohet se si e kanë mundësuar kalimin në këmbim të shumave të parave prej 10 deri në 50 euro.

    “Me datë 15.10.2021 rreth orës 23:24, i akuzuari Artan Thaqi, në bashkëveprim me të akuzuarin Uran Mati, derisa ishin në detyrë në kabinë për kontrollin e pasaportave në pikë kalimin kufitar në qafë prush, me qëllim të mos veprojnë në pajtim me detyrën zyrtare, pranojnë shumën prej 10 euro nga dëshmitari ***** I cili udhëtonte me kolegët e tij me veturën xhip, i cili po transportonte mallra të ndryshme…”, thuhet në Aktakuzë.

    Policët e doganierët, akuzohen po ashtu se kishin mundësuar kalimin e qytetarëve edhe pa testin për COVID-19.

    “Më datë 18.10.2021 rreth orës 10:40, i akuzuari Artan Thaqi në bashkëveprim me të akuzuarit Shaqir Krasniqi dhe Uran Mati, der isa ishin në detyrë në kabinë për kontrollin e pasaportave në pikë kalimin kufitar në “qafë prush”, me qëllim që të mos veprojnë në pajtim me detyrën zyrtare , pranojnë ryshfet në shumë e papërcaktuar, nga qytetarët *****, me qëllim që të njëjtëve tu lejohet hyrja në territorin e republikës së Kosovës në mungesë të testit për covid”, thuhet më tej në Aktakuzë.

    Këto ishin në fakt vetëm 2 nga 85 pikat e aktit akuzues, që u ngrit në muajin dhjetor.

  • Zgjedhjet në veri, kryetarë të rinj e dy asamble të vjetra

    Zgjedhjet në veri, kryetarë të rinj e dy asamble të vjetra

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Erden Atiq mund të mos jetë edhe gjatë kryetar i Mitrovicës së Veriut, nëse nisma për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në komunat veriore funksionon. Megjithatë ai pas vete do të lë asamblenë me shumicë shqiptare.

    E në rast se vendin e tij e zë dikush nga komuniteti serb, sipas njohësve të politikes, qeverisja zor se do të mund të funksionojë.

    “Kryetarët e zgjedhur të cilët sipas të gjitha gjasave do të jenë të listës serbe duhet me gjete një gjuhë të përbashkët me partitë shqiptare të cilat e përbejnë shumicën e asamblesë komunale. Zgjidhja ideale kishte me qenë që asamblistët shqiptar të tregohen konstruktiv dhe të votojnë vendimet që shkojnë në të mirë të qytetarit çdo herë duke respektuar republikën e Kosovës”, tha analisti politik, Fitim Mulolli.

    Situatë e ngjashme është edhe në Zubin Potok. Andaj edhe vet kryetari aktual i kësaj komune Izmir Zeqiri, thotë se shkarkimi i tij nuk është zgjidhje për komunën.

    “Nuk bëhet zgjidhja në komunat e veriut me shkarkimin e kryetarëve sepse ne kemi edhe kuvendet që udhëhiqen kryesisht prej pakicave kështu që kur duan të shfaqin pakënaqësi do munden”, tha Zeqiri.

    Kësisoj mundësia që në këto dy komuna respektivisht Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok, të ketë edhe zgjedhje tjera është e madhe.

    “Do të ketë disa muaj deri kur do të duhej të miratohej buxheti për vitin 2025 dha ty mund të ndodh që të mos votohet buxheti, dhe mund të ketë ndonjë ngërç dhe të thirren zgjedhjet për asamble”, tha Mulolli.

    Për dallim nga Mitrovica e Veriut e Zubin Potoku, në Zveçan e Leposaviq pos për kryetarë, zgjedhje do të ketë edhe për asamble komunale.

  • IPK thotë se raporti për vrasjen e 18 vjeçarit podujevas u ndryshua në Prishtinë- inicion procedurë ndaj zyrtarit që e bëri

    IPK thotë se raporti për vrasjen e 18 vjeçarit podujevas u ndryshua në Prishtinë- inicion procedurë ndaj zyrtarit që e bëri

    Inspektorati Policor i Kosovës ka dalë me një komunikatë për media duke njoftuar për hetimin preliminar që kanë filluar për rastin e vrasjes së 18 vjeçarit nga Podujeva L.F, hetim ky I filluar sidomos pas shqetësimeve të ngritura në opinion pas mënyrës së si ishte raportuar ky incident në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

    Kryeshefi i IKP, siç njoftohet në komunikatë, ka caktuar një grup hetimor të cilët për pesë ditë janë angazhuar për grumbullim të informacioneve shtesë rreth veprimeve të policisë si dhe sigurimin e të gjitha shkresave për këtë rast.

    “Angazhimet e tyre kanë përfshirë edhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve, sigurimin dhe analizimin e video-incizimeve të marra nga vendi i ngjarjes në Podujevë, radiologun si dhe të gjitha shkresat e komunikimit në mes Stacionit Policor të Podujevës, Drejtorisë Rajonale në Prishtinë dhe Drejtorisë së Përgjithshme dhe kopjen e dosjes së kompletuar të dorëzuar në Prokurori”, thuhet në komunikatë.

    IPK për të sqaruar rastin dhe për t’iu përgjigjur shqetësimeve të opinionit ka treguar për të gjeturat e rastit. Inspektorati tregon se ka ndodhur një parregullsi për raportet që janë dërguar nga Stacioni Policor Podujevë në Qendrën Operative Komunikuese Rajonale në Prishtinë dhe në raportin e shpejt që kjo Qëndër ka përcjellë në Drejtorin e Përgjithshme të Policisë. IPK konstaton se këto raport s’kanë qenë të njëjta.

    IPK tregon se ka gjetur se dosja hetimore e rastit 2024-AF-0039 përmban raportin e shpejt të përpiluar nga Stacioni në Podujeve, raport që ka përshkrim të ngjarjes sipas fakteve dhe provave të gjetura në vendin e ngjarjes.

    Ndërkohë që thotë se Raporti i parë i publikuar nga Qendra Operative Koordinuese dhe Komunikuese së Drejtorisë së Përgjithshme përmban informacionin se viktima është therë me thikë është ndryshuaar nga zyrtari i Qendrës Operative Komunikues. IPK thotë se ky ndryshim është bërë bazuar në komunikimin që zyrtari i kësaj qendre ka pasur me Stacionin në Podujevë të cilët këto informacione, siç thotë IPK i kanë dhënë bazuar në informatat e para nga zyrtarët policorë që kanë dalë në vendin e ngjarjes ku është gjetur thika në afërsi të personit të lënduar.

    “IPK ka krahasuar dhe analizuar raportet e shpejta që janë dërguar nga Stacioni Policor Podujevë në Qendrën Operative Komunikuese Rajonale në Prishtinë dhe raportin e shpejtë të cilin kjo Qendër e ka përcjellë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Nga analiza dhe krahasimi rezulton se këto raporte nuk kanë përmbajtje të njëjtë. IPK ka gjetur se dosja hetimore e rastit 2024-AF-0039 përmban raportin e shpejt të përpiluar nga Stacioni Policor Podujevë, raport i cili ka përshkrimin e ngjarjes sipas fakteve dhe provave të gjetura në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftim.

    IPK thotë se edhe përkundër këtij ndryshimi të raportit që ka krijuar konfuzion në publik, pas analizimit të gjitha provave dhe dokumentacioneve, IPK vlerëson se ky lëshim s’ka ndikuar në integritetin e hetimit dhe kualifikimit fillesat, meqë dosja hetimore e dorëzuar në Prokurori brenda ditës së incidentit para se të dërgohet raporti I shpejtë në Drejtorinë e Përgjithshme dhe se e njëjta përmban të gjitha informacionet e sakta sipas video-incizimeve të vendit të ngjarjes, disa ditë para publikimit të videos në media.

    Megjithatë IPK njofton se duke vlerësuar ndjeshmërinë e rastit dhe paqartësitë që ka krijuar ky lëshim në publikimin e raportit 24 orësh, IPK ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj zyrtarit përgjegjës dhe do të procedohet në Drejtorinë përgjegjëse për hetime disiplinore brenda Policisë së Kosovës.

    Gjetjet e rastit të publikuara nga IPK:

    IPK njofton se nga shqyrtimi i dosjes së rastit, video incizimet e kamerave të sigurisë si dhe shkresat tjera të lëndës nga Stacioni Policor Podujevë, pasqyrohet se koha e reagimit të njësive policore dhe emergjencës së qytetit nga momenti i thirrjes deri në vendin e ngjarjes ka qenë i shpejtë (rreth 3 deri 4 minuta, nga pranimi i informatës deri në arritjen në vend të ngjarjes të njësisë policore, si dhe rreth 9 minuta i arritjes së ekipit të emergjencës mjekësore të qytetit).

    · Veprimet hetimore në teren, ruajtja e vendit të ngjarjes, trajtimi i viktimës, sigurimi i video incizimeve dhe njoftimi i njësive relevante dhe prokurorisë, është bërë në kohë dhe sipas Kodit të Procedurës Penale dhe procedurave parapara policore.

    · Arrestimi, intervistimi dërgimi në qendrën e mbajtjes, sigurimi i zyrtarit Qendrës për punë sociale, janë administruar sipas procedurës të paraparë me Kodin e Procedurës Penale dhe procedurat policore.

    · Përpilimi i dosjes së rastit nga zyrtarët e Stacionit Policor të Podujevës është i kompletuar dhe pa mangësi.

    · Nga analizimi dhe shqyrtimi i shkresave të lëndës që lidhen me aktivitetin hetimor të Sektorit Rajonal të Hetimeve (video incizimeve, raporteve për veprimet hetimore, raporteve forenzike, komunikimi me prokurorinë dhe shkresave tjera), IPK ka vlerësuar se të gjitha veprimet e lartcekura janë ndërmarrë sipas afateve procedurale dhe përmbajnë të gjitha elementet e kërkuara sipas Kodit të Procedurës Penale.

    · IPK ka verifikuar nëse në incidentin fillestar i cili ka ndodhur më 13.01.2024 tek lokali (berber) në mes të viktimës L. F dhe njërit nga të dyshuarit ka pasur prezent ndonjë zyrtar policor. Nga shqyrtimi i deklaratave të dëshmitarëve dhe dokumenteve, kuptohet se në ngjarjen e cila ka ndodhur në lokal në kohën kur ka ndodhur ngjarja nuk ka qenë prezent ndonjë zyrtar policor, por veç personave tjerë ka qenë një zyrtar i Shërbimit Korrektues, i cili është identifikuar nga dëshmitarët e intervistuar me autorizim të Prokurorit nga Njësia e Hetimeve Rajonale të policisë.

    · IPK ka krahasuar dhe analizuar raportet e shpejta që janë dërguar nga Stacioni Policor Podujevë në Qendrën Operative Komunikuese Rajonale në Prishtinë dhe raportin e shpejtë të cilin kjo Qendër e ka përcjellë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Nga analiza dhe krahasimi rezulton se këto raporte nuk kanë përmbajtje të njëjtë. IPK ka gjetur se dosja hetimore e rastit 2024-AF-0039 përmban raportin e shpejt të përpiluar nga Stacioni Policor Podujevë, raport i cili ka përshkrimin e ngjarjes sipas fakteve dhe provave të gjetura në vendin e ngjarjes.

    · Raporti i parë i publikuar nga Qendra Operative Koordinuese dhe Komunikues se DPP, (raporti i cili përmban informacionin se viktima është i therur me thikë), është ndryshuar nga zyrtari i Qendrës Operative Komunikuese Rajonale Prishtinë. Ky ndryshim është bërë bazuar në komunikimin që zyrtari i kësaj Qendre ka pasur me Stacionin Policor në Podujevë, të cilët këto informacione i kanë dhënë bazuar në informatat e para nga zyrtarët policorë që kanë dalë në vendin e ngjarjes ku është gjetur thika në afërsi të personit të lënduar.

    · I njëjti raport është dorëzuar në ditën e njëjtë në Prokurori së bashku me Kallëzimin penal, ndërsa raporti i ndryshuar nga zyrtari i Qendrës Operative Komunikuese Rajonale Prishtinë është përcjellë vetëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Prishtinë (dhe i njëjti raport është publikuar në raportin 24 orësh nga PK-ja më 15.01.2024).

    · Përkundër ndryshimit të këtij raporti i cili ka krijuar konfuzion në publik, pas analizimit të të gjithë dokumentacionit dhe intervistave të zhvilluara, IPK vlerëson se ky lëshim nuk ka ndikuar në integritetin e hetimit dhe kualifikimin fillestar të rastit, pasi që dosja hetimore është dorëzuar në prokurori brenda ditës së incidentit para se të dërgohet raporti i shpejtë në Drejtorinë e Përgjithshme dhe e njëjta përmban të gjitha informacionet e sakta sipas video-incizimeve të vendit të ngjarjes (disa ditë para publikimit të video-incizimit të incidentit në medie).

    · Megjithatë, duke vlerësuar ndjeshmërinë e rastit dhe paqartësitë që ka krijuar ky lëshim në publikimin e raportit 24 orësh, IPK ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj zyrtarit përgjegjës dhe do të procedohet në Drejtorinë përgjegjëse për hetime displinore brenda Policisë së Kosovës.

    · Krahas kësaj, IPK do të inicioj një inspektim për të analizuar dhe vlerësuar mënyrën e raportimit dhe komunikimit si dhe hartimin e raporteve të shpejta në të gjitha nivelet brenda Policisë së Kosovës. Realizimi i këtij inspektimi bëhet me qëllim për të nxjerrë në pah dobësitë eventuale të raportimit dhe komunikimit dhe për të dhënë rekomandime drejt përmirësimit së performances policore në këtë fushë.

  • Talat Xheferi e pranon mandatin për formimin e Qeverisë: Edhe si kryeministër do të punojë me përkushtim

    Talat Xheferi e pranon mandatin për formimin e Qeverisë: Edhe si kryeministër do të punojë me përkushtim

    Ish-kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka pranuar sot mandatin për formimin e Qeverisë teknike.

    Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se edhe nga pozita e kryeministrit do të vazhdoj të punojë me përkushtim.

    Ai ka bërë me dije se gjithmonë do ta ketë parasysh mirëqenien e qytetarëve.

    “Me krenari dhe nder të veçantë e pranova Mandatin për formimin e Qeverisë. Edhe nga pozita e Kryeministrit do të vazhdoj të punoj me përkushtim, me përgjegjësi dhe transparencë, duke i pasur gjithmonë parasysh mirëqenien, përparimin dhe përfitimet e qytetarëve dhe shtetit”, ka shkruar Xhaferi.

  • Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e këtij personi, ja për çfarë dyshohet

    Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e këtij personi, ja për çfarë dyshohet

    Policia e Kosovës përmes një njoftimi ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për gjetjen e një personi në Prishtinë, i cili dyshohet për veprën penale “Zjarrvënia”.

    Policia ka publikuar fotografinë e të njëjtit, i cili dyshohet se veprën e ka kryer me datë 24.08.2023, në rrugën “Vicianum” në Prishtinë.

    “Me qëllim të zbatimit efikas të procedurës, në hetimin që po zhvillohet për rastin “Zjarrvënie” të ndodhur më 24.08.2023, në rrugën “Vicianum” në Prishtinë, kërkojmë nga publiku i gjerë kontributin qytetar që me informacionet e tyre të ndihmojnë në drejtim të identifikimit të personit të dyshuar sipas tipareve fizike apo lokalizimin e vendndodhjes së të dyshuarit të shpallur në kërkim”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • ​Remitancat shënojnë rritje vjetore më 2023 prej 10 për qind

    ​Remitancat shënojnë rritje vjetore më 2023 prej 10 për qind

    Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka publikuar statistikat për institucionet tjera financiare për muajin dhjetor 2023, si dhe statistikat e remitancave për nëntor dhe ato preliminare për dhjetor 2023.

    Asetet e ndërmjetësve tjerë financiarë në fund të dhjetorit 2023 janë rritur për 14.2 milionë euro krahasuar me muajin paraprak duke arritur 513.5 milionë euro.

    Struktura e aseteve të sektorit mikrofinanciar dominohet nga kreditë, të cilat përbëjnë 70.4 % të gjithsej aseteve.

    Kreditë bruto të ndërmjetëseve tjerë financiarë në dhjetor 2023 arritën vlerën 361.6 milionë euro ose 7.1 milionë më shumë krahasuar me periudhën paraprake. Sipas sektorëve, kreditë ndaj ekonomive familjare dominojnë me 61% totalin e kredive të sektorit mikrofinanciar.

    Vlera e kredive të reja të emetuara nga ndërmjetësit tjerë financiarë në muajin dhjetor ishte 41.4 milionë.

    Sipas BQK-së, asetet e kompanive të sigurimit në fund të dhjetorit arritën vlerën 304.1 milionë euro ose 3.5 milionë më shumë krahasuar me muajin paraprak.

    Struktura e aseteve në sektorin e sigurimeve përbëhet nga bilanci me bankat komerciale që përbëjnë 45.8%, letrat me vlerë dhe asetet e tjera 29.4 % dhe risigurimet me pjesëmarrje 14.2 %.

    Asetet e fondeve pensionale në fund të dhjetorit janë rritur për 62.9 milionë euro krahasuar me muajin paraprak duke shënuar vlerën rreth 2.71 miliardë euro.

    Struktura e aseteve të sektorit pensional dominohet nga letrat me vlerë të kapitalit, që përbejnë 74.5% të gjithsej aseteve.

    Sipas vlerësimeve preliminare remitancat për dhjetor ishin rreth 129.1 milionë euro. Prurjet më të mëdha edhe gjatë këtij muaji kanë qenë përmes IFJB 49.9%, kanalet tjera 36.7%, ndërsa përmes bankave komerciale 13.3%.

    Remitancat deri në fund të dhjetorit 2023 arritën vlerën rreth 1,344.5 milionë euro, e cila paraqet rritje vjetore prej 10 për qind.

  • ​Stoltenberg e Spajiq: Siguria në Kosovë ka rëndësi strategjike për rajonin

    ​Stoltenberg e Spajiq: Siguria në Kosovë ka rëndësi strategjike për rajonin

    Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka përmendur Kosovën dhe Bosnjën, si dy pika ku potenciali për tensione akoma ekziston.

    Ai këto komente i bëri pasi priti në takim kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajiq në Bruksel.

    Ai ka thënë se NATO-ja është e gatshme të kryejë mandatin e saj në Kosovë për të garantuar stabilitet, ashtu sikurse në Bosnje e Hercegovinë.

    Në fjalën e tij, Stoltenberg ka falënderuar Malin e Zi për kontributin në frenimin e agresionit rus, teksa shtoi se Mali i Zi luan rol të rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor, rajon ky me rëndësi strategjike për NATO-n.

    Ai tha se shpërthimi i dhunës në Kosovë në vitin e kaluar është i papranueshëm, ku si pasojë e tensioneve NATO kishte dërguar 1000 trupa shtesë.

    “Mali i Zi është një aleat shumë i vlerësuar i NATO-s. Ju keni dislokuar trupa në grupet tona luftarake në Bullgari dhe Letoni, duke ndihmuar në frenimin e agresionit rus. Në Irak, Mali i Zi po kontribuon në ndërtimin e forcave më efektive dhe gjithëpërfshirëse të sigurisë, si pjesë e misionit të trajnimit të NATO-s.Mali i Zi gjithashtu luan një rol të rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor, një rajon me rëndësi strategjike për NATO-n, të cilin e vizitova vjeshtën e kaluar. Pra, kryeministër, mirëpres angazhimin tuaj të fortë për reformat dhe rrugën e Malit të Zi drejt integrimit të plotë euroatlantik. Kjo është edhe më e rëndësishme pasi stabiliteti në rajonin më të gjerë mbetet i brishtë. Shpërthimet e dhunës së vitit të kaluar në Kosovë ishin të papranueshme. Dhe NATO u përgjigj me shpejtësi, duke dislokuar 1000 trupa shtesë dhe mjete të blinduara të rënda. Ne jemi të përkushtuar të sigurojmë që KFOR-i të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij të OKB-së.”, tha kreu i NATO-s.

    Ai ka paralajmëruar se javën që vjen, Këshilli i Atlantikut të Veriut, trupi më i lartë politik i aleancës, do të vizitojë Bosnje – Hercegovinën, për të dëshmuar në këtë mënyrë edhe mbështetjen e parezervë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnje e Hercegovinës.

    Stoltenberg gjithashtu falënderoi kryeministrin malazez për mbështetjen e Malit të Zi ndaj Ukrainës në luftën e saj kundër Rusisë. Ai tha se duhet të ndihmohet Kievi edhe më tutje, pasi sipas tij, nëse Putin fiton në Ukrainë, ekzsiton rreziku që ai të përdorë përsëri forcën.

    “Lufta e Rusisë kundër Ukrainës po bën gati 2 vjet që nga nisja. Dhe unë mirëpres mbështetjen e Malit të Zi për Ukrainën, duke përfshirë edhe paketën e ndihmës gjithëpërfshirëse të NATO-s. Por aleatët e NATO-s dhe Bashkimi Evropian duhet të rriten dhe të ofrojnë edhe më shumë fonde për Ukrainën në këtë kohë kritike. Sepse nëse presidenti Putin fiton në Ukrainë, ekziston rreziku real që ai të përdorë sërish forcën”, tha ai.

    Në anën tjetër, kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, u zotua se vendi i tij do të luaj rol konstruktiv për paqen dhe stabilitetin e rajonit. Ai shtoi se me kreun e NATO-s biseduan për tema të mbrojtjes, mbështetjen ndaj Ukrainës, duke shtuar se tani ka ardhur momenti për ta mirëpritur Suedinë si anëtare të re të aleancës.

    “Si një aleat i besueshëm, Mali i Zi do të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv dhe të kontribuojë në Përmirësimin e bashkëpunimit rajonal dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin. Në takimin e sotëm nënvizova dhe prezantova në detaje vendimet e marra në dy muajt e fundit për avancimin e planit malazez të BE-së. Siç jemi të gjithë të vetëdijshëm, ka shumë sfida sigurie që vijnë nga fusha dhe drejtime të ndryshme strategjike. Sot, me Sekretarin e Përgjithshëm, pata mundësinë të diskutoja progresin e bërë në zbatimin e vendimeve që NATO ka marrë për t’iu përgjigjur zhvillimeve në dhe rreth zonës Euro-Atlantike. Ne patëm gjithashtu mundësinë për të shkëmbyer mendime mbi objektivat kryesore përpara Samitit të Uashingtonit. Ne rishikuam temat e mbrojtjes, mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën, zhvillimet në jug dhe pikat e nxehta aktuale, investimet në mbrojtje dhe forcimin e aleancës sonë. Ne të dy ramë dakord se është koha për të mirëpritur Suedinë sa më shpejt të jetë e mundur si anëtare e ardhshme e aleancës dhe jemi shumë të lumtur që dëgjojmë lajmet e mira që vijnë nga Turqia dhe Hungaria.

    Kurse i pyetur nga gazetarët për situatën e sigurisë në rajon pas ngjarjeve të fundit në Kosovë dhe në Bosnje e Hercegoginë, Stoltenberg tha se dialogu Kosovë-Serbi është e vetmja rrugë përpara për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme mes dy vendeve.

    “Paqja dhe stabiliteti në rajon kanë rëndësi për të gjithë NATO-n. Prandaj, u shqetësuam shumë kur pamë një optikë të dhunës dhe tensioneve gjatë vitit të kaluar me disa incidente shumë të rënda, veçanërisht në Kosovë. Dhe kjo çoi në vendimin e komandantëve tanë ushtarakë për të përforcuar KFOR-in, misionin paqeruajtës në Kosovë me 1000 trupa shtesë, sepse NATO duhet të jetë në gjendje të sigurojë që ne po e mbajmë mandatin tonë të OKB-së për të garantuar stabilitetin dhe lëvizjen e lirisë për të gjitha komunitetet në Kosovë. Dhe ky ishte mesazhi im kryesor edhe kur vizitova Kosovën dhe rajonin vjeshtën e kaluar, dhe ne vazhdimisht po vlerësojmë çdo nevojë për përshtatje të mëtejshme apo prani. Në Bosnje dhe Hercegovinë, mesazhi është se të gjitha palët duhet të përmbahen nga retorika nxitëse, dhe integriteti territorial dhe kufijtë e njohur ndërkombëtarë të Bosnjës dhe Hercegovinës duhet të respektohen. Ne kemi punuar ngushtë me Bashkimin Evropian, si në Bosnje dhe Hercegovinë, në fakt po punojmë së bashku në terren, por gjithashtu ne mbështesim me praninë tonë ushtarake në Kosovë dialogun e lehtësuar nga BE-ja, dhe dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është e vetmja rrugë përpara për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme”, tha ai.

    Ndërkaq, Spajiq tha se situata në Kosovë është qetësuar së fundit, por që sipas tij shteti malazez është i gatshëm të ndihmojë në ruajtjen e paqes, pasi sipas tij, është në interesin e Malit të Zi të ruhet paqja në Kosovë.

    “Sipas angazhimit tonë, ne jemi vërtet shumë të pranishëm në Kosovë. Ne jemi të gatshëm të forcojmë pozitën tonë në Kosovë, mendojmë se situata është qetësuar kohët e fundit, por siç e kemi diskutuar, jemi gjithmonë të gatshëm të ndihmojmë dhe është në interesin tonë të thellë kombëtar, siç thashë, të ruajmë paqen në Kosovë. E njëjta gjë vlen edhe për Bosnjën dhe Hercegovinën, angazhimet tona të palëkundura për integritetin territorial dhe paqen e Bosnjës janë me rëndësi të madhe për Malin e Zi, siç them unë, ne ndajmë kufirin e madh me Bosnjën dhe Hercegovinën. Ne kemi ofruar ndihmën tonë për sa i përket ekspertëve dhe trajnimeve për njerëzit në Bosnje, ndaj jemi patjetër të gatshëm të jemi aleat të besueshëm të NATO-s në çdo formë dhe mënyrë”, tha ai. /KP