ATV

Blog

  • Mbyllen katër komuna paralele serbe në Dragash, Krasniqi: Objekte të tilla nuk kanë vend në Kosovë

    Mbyllen katër komuna paralele serbe në Dragash, Krasniqi: Objekte të tilla nuk kanë vend në Kosovë

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dhe ai i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë njoftuar se sot në Vranisht të Dragashit janë mbyllur katër komuna paralele që kanë operuar ilegalisht për shumë vite.

    Krasniqi tha se këto komuna kanë qenë përgjegjëse edhe për komunën e Prizrenit, Suharekës dhe Rahovecit.

    “Aktiviteti ilegal i strukturave paralele të Serbisë ka fund. Këto objekte nuk mund të ekzistojnë, funksionaliteti i tyre është në kundërshtim me ligjin”.

    “Kosova ka komuna që janë përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve të të gjithë qytetarëve. Ky objekt sikurse edhe objektet tjera që kanë vepruar në Kosovë janë jashtë juridiksionit të Kosovës dhe si të tilla nuk kanë vend në Kosovë”, tha Krasniqi.

    Ndërsa, Sveçla u shpreh se kriminaliteti do të luftohet në çdo cep të Kosovës, kurse sipas tij, në Kosovë s’ka vend për Serbinë, përveç ambasadës së saj në Prishtinë.

    “Ashtu siç edhe jemi zotuar, në çdo cep të Kosovës do të luftohet kriminaliteti, ilegaliteti dhe cfarëdo shkelje e ligjit”.

    “Në Kosovë do të ketë organe legjitime që do t’iu shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim. Nuk ka vend për Serbinë përveç ambasadës së saj në Prishtinë”, tha Sveçla.

  • Ngrihet aktakuzë ndaj 4 personave për posedim e shitblerje të narkotikëve në Prizren

    Ngrihet aktakuzë ndaj 4 personave për posedim e shitblerje të narkotikëve në Prizren

    Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj personave me inicialet E.Sh., Z.K., F.Sh., dhe V.Z., për shkak se kanë kryer veprat penale për posedim dhe shitblerje të substancave narkotike.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri E.Sh., më 5 gusht 2023 rreth orës 21:40, në Prizren, në lokalin me inicialet “L.B”, pa autorizim blen ose posedon me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofron për shitje substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, dhe, të njëjtën e shpërndan te të tjerët.

    Gjatë kontrollit, në trupin e tij janë gjetur 16 qese plastike me substancë të dyshuar kokainë, ndërsa në lokal janë gjetur 70 qese plastike me kokainë në peshë neto 29.46 gramë dhe një dozë e substancës së njëjtë në peshë 0.31 gramë ia kishte shpërndarë dhe dorëzuar të pandehurit Z.K.

    Gjatë kontrollit të shtëpisë së tij në Hoqë e Qytetit, në dhomën e fjetjes është gjetur një peshore digjitale për matjen e substancës narkotike dhe 4.050 euro që dyshohet se janë fituara nga shitja e substancave narkotike.

    Me këtë, i njëjti ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

    Po ashtu, i pandehuri E.Sh., më 5 gusht 2023 në lokalin “L.B”, lejon dhe toleron përdorimin e narkotikëve në atë mënyrë që të pandehurve F.Sh., Z.K. dhe V.Z., në cilësinë e konsumatorëve, u lejon përdorimin e marihuanës dhe kokainës, me çka kryen veprën penale “Lehtësimi i sigurimit apo përdorimit të narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge”.

    Të pandehurit F.Sh., Z.K., dhe V.Z., më 5 gusht 2023 rreth orës 21:40, derisa kanë qenë në cilësinë e konsumatorëve në lokalin “L.B” në Prizren, pa autorizim kanë poseduar narkotikë në atë mënyrë që gjatë kontrollit nga ana e policisë, tek i pandehuri F.Sh. ka gjetur gjysmë joint (cigare e përdorur marihuanë) e dyshuar për lëndë narkotike marihuanë, me peshë prej 0.12 gram.

    Tek i pandehuri Z.K., policia ka gjetur katër foli alumini, me sasi të dyshuar narkotikë marihuanë, me peshë neto 1.6 gram dhe një qese plastike me substancë narkotike kokainë, me peshë 0.31 gram.

    Ndërsa, tek i pandehuri V.Z., policia me rastin e kontrollit ka gjetur mbetje të substancës narkotike të dyshuar për marihuanë, me peshë 0.26 gram, një peshore digjitale dhe një mulli së bashku me një paketim rizlla, mjete këto për përgatitjen e substancës narkotike për konsumim.

    Me këto veprime, të njëjtit kanë kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

    Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor katër të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

  • BE denoncon Alabamën për ekzekutimin e të burgosurit me azot: Torturë, metodë brutale

    BE denoncon Alabamën për ekzekutimin e të burgosurit me azot: Torturë, metodë brutale

    Ekzekutimi i parë në botë me azot në Alabama është brutal, ka thënë shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Turk.

    “Më vjen thellësisht keq për ekzekutimin e Kenneth Eugene Smith në Alabama, pavarësisht shqetësimeve serioze se kjo metodë e paprovuar e azotit mund të përbëjë torturë ose trajtim mizor, çnjerëzor ose poshtërues,” tha Volker Turk.

    Bashkimi Europian denoncon ekzekutimin me azot në SHBA, tha në një deklaratë zëdhënësi i Komisionit Europian.

    “Bashkimi Europian shpreh keqardhjen e tij të thellë për ekzekutimin e Kenneth Eugene Smith në Alabama dhe denoncon metodën veçanërisht brutale të ekzekutimit, e cila është edhe më e dhimbshme nga fakti se i burgosuri ishte tashmë subjekt i një tentative ekzekutimi në nëntor 2022, thuhet në njoftimin e Komisionit.

    BE theksoi gjithashtu është kundër dënimit me vdekje në çdo rrethanë.

  • ​BERZH investoi 1.63 miliardë euro në Ballkanin Perëndimor më 2023, prej tyre 81 milionë në Kosovë

    ​BERZH investoi 1.63 miliardë euro në Ballkanin Perëndimor më 2023, prej tyre 81 milionë në Kosovë

    Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) nënvizoi angazhimin e saj të fortë në rajonin e Ballkanit Perëndimor në vitin 2023 me investime rekord prej më shumë se 1.63 miliardë euro në 100 projekte. Kjo pason një total prej 1.28 miliardë eurosh në 2022.

    BERZH ka financuar në Kosovë 81 milionë euro përmes 16 projekteve, ku pjesa më e madhe i drejtohet sektorit privat dhe pothuajse gjysma e totalit të financimit për projektet e gjelbra.

    BERZH nënshkroi projekte me vlerë 51 milionë euro për institucionet financiare, kryesisht për financimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilat përfshinin një instrument inovativ të Garancisë për Rritje me vlerë 20 milionë euro.

    Një pjesë e konsiderueshme e mjeteve është zotuar për të adresuar nevojat e sektorit publik në Kosovë, me 20 milionë euro për ndërtimin e një impianti të ri për trajtimin e ujërave të zeza në qytetin e Ferizajt, për parandalimin e ndotjes dhe uljen e emetimeve të gazrave serrë.

    Në Shqipëri, BERZH investoi 146 milionë euro financime të reja nëpërmjet 23 projekteve, me theks të veçantë në sektorin privat dhe energjinë e rinovueshme. Ndërsa në Bosnje dhe Hercegovinë, BERZH nënshkroi një total prej 218 milionë euro investime të reja nëpërmjet 15 projekteve në 2023.

    BERZH financoi 80 milionë euro në Mal të Zi dhe mobilizoi 25 milionë euro për të mbështetur investimet publike dhe private, për të cilat financat e gjelbra përbënin 79 për qind.

    Në Maqedoninë e Veriut, BERZH investoi 259 milionë euro përmes 17 projekteve në vitin 2023, shumica e të cilave ishin në ekonominë e gjelbër. Përtej investimeve, BERZH ndihmoi Maqedoninë e Veriut të hartojë dhe lansojë Platformën e Investimeve të Tranzicionit të Drejtë Energjisë në COP28, një moment historik për vendin historikisht të varur nga qymyri, për të ndihmuar në heqjen e qymyrit dhe instalimin e 1.7 GW energji të rinovuar deri në vitin 2030.

    Serbia mori financim rekord prej 846 milionë euro, duke e bërë atë tregun e pestë më të madh të BERZH-it vitin e kaluar. Energjia ishte në qendër të vëmendjes, me një paketë financiare prej 300 milionë eurosh.

    Ndryshe, deri më sot, BERZH ka investuar më shumë se 18 miliardë euro në Ballkanin Perëndimor, shumica e të cilave ka mbështetur sektorin privat. Ballkani Perëndimor është një rajon prioritar për BERZH-in, ku mbetet investitori më i madh institucional.

  • “Burgosi” gruan dhe fëmijët e mitur në shtëpi, zbardhet dëshmia e 35-vjeçarit

    “Burgosi” gruan dhe fëmijët e mitur në shtëpi, zbardhet dëshmia e 35-vjeçarit

    35-vjeçari Jetnor Zhaboli, ka deklaruar se e “burgosi” gruan dhe fëmijët e tij, 5 dhe 9 vjeç, në shtëpi për t’i mbrojtur.

    Sipas gazetares Dorjana Bezat, Zhaboli ka dëshmuar se ka dëgjuar bashkëshorten e tij duke folur me persona të tjerë, kështu që ka instaluar kamera në çdo cep të shtëpisë, të cilat i kishte lidhur me aparatin celular, për t’i mbrojtur ata.

    35-vjeçari gjithashtu kishte instaluar pajisje për bllokimin e valëve dhe madje ndërpriste edhe energjinë elektrike. Sipas informacioneve, Zhaboli gjithashtu terrorizonte fëmijët.

    Sa herë që ai largohej, ju ndalonte komunikimin me persona të tjerë, si dhe ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike, në mënyrë të vazhdueshme, ndaj bashkëshortes./TCh/

  • Përdoret aparatura e re në QKUK, kryhen dy operacione për herë të parë në Kosovë

    Përdoret aparatura e re në QKUK, kryhen dy operacione për herë të parë në Kosovë

    Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar se që nga dita e djeshme është lëshuar për përdorim aparatura e re Nuss-Procedurë, e cila realizohet me Vats (intervenim kirurgjik në gjoks).

    Në njoftimin e publikuar nga ShSKUK, thuhet se përmes kësaj aparature për herë të parë në Kosovë janë realizuar dy operacione, duke i kursyer buxhetit të shtetit mijëra euro.

    “Për procedurën Nuss, pacientët deri ditën e djeshme, janë referuar për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore. Aparatura e re moderne, e lëshuar në punë ditën e djeshme, i plotëson të gjitha kushtet për intervenime kirurgjike në gjok”, thuhet tutje në komunikatë.

    Me këtë rast, QKUK, e falenderon Dr. Xhevdet Ademaj, i cili punon dhe vepron jashtë vendit, e që ka ndihmuar të realizohen këto operacione. /kp

  • Kryeministri i Malit të Zi: Jemi të gatshëm të forcojmë pozicionin tonë në Kosovë

    Kryeministri i Malit të Zi: Jemi të gatshëm të forcojmë pozicionin tonë në Kosovë

    Mali i zi është i gatshëm që ta forcojë pozitën në Kosovë. Kështu ka thënë sot kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq gjatë një konferencë të përbashkët, pas takimit që pati me me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

    Spajiq u pyet për mundësinë e forcimit të pranisë së Malit të Zi në misionet në rajon dhe në krahun lindor të Aleancës dhe tha se stabiliteti i Ballkanit është i një rëndësie më të madhe për Malin e Zi.
    Duke folur për prezencën në Kosovë, Spajiq thotë se tashmë Mali i zi është shumë i pranishëm në Kosovë.

    “Ne jemi të gatshëm të forcojmë pozitën tonë në Kosovë. Mendojmë se situata është qetësuar kohëve të fundit, por siç diskutuam, jemi gjithmonë të gatshëm të ndihmojmë dhe është në interesin tonë të thellë kombëtar që të ruajmë paqen në Kosovë. E njëjta gjë vlen edhe për Bosnjë dhe Hercegovinën. Angazhimi ynë i palëkundur për integritetin territorial dhe paqen e Bosnje dhe Hercegovinës është i një rëndësie të madhe për Malin e Zi. Ne ndajmë një kufi të madh me Bosnjën dhe Hercegovinën, kështu që ne jemi patjetër të gatshëm të jemi një aleat i besueshëm në NATO në çdo formë”, tha ai.

    “Së bashku arritëm në përfundimin se Mali i Zi kontribuon në mënyrë aktive në detyrat kyçe të NATO-s dhe të mbrojtjes kolektive në përgjithësi. Ne konfirmuam praninë tonë në Lindje, në Letoni, Bullgari, Irak dhe Kosovë. Rikonfirmova gjithashtu angazhimin tonë të vendosur për të vazhduar mbështetjen e Ukrainës për aq kohë sa është e nevojshme në luftën e saj për sovranitet dhe zbatimin e reformave të rëndësishme si për rrugën drejt BE-së ashtu edhe për NATO-n”, tha kryeministri malazez.

    Ballkani Perëndimor, forcimi i NATO-s, dhe përgatitjet për samitin e Uashingtonit, kanë qenë temat kryesore të këtij takimi.

    “Situata në rajonin e Ballkanit Perëndimor mbetet e brishtë. Dhuna që ka shpërthyer në Kosovë ishte e papranueshme. Kjo ka bërë që NATO-ja menjëherë të angazhojë forca shtesë në Kosovë“, ka thënë Stoltemberg.

    Ai ka paralajmëruar se javën që vjen, Këshilli i Atlantikut të Veriut, trupi më i lartë politik i aleancës, do të vizitojë Bosnje – Hercegovinën, për të dëshmuar në këtë mënyrë edhe mbështetjen e parezervë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnje e Hercegovinës.

    Stoltenberg e ka falënderuar Malin e Zi për kontributin në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, por edhe për rolin konstruktiv për paqe dhe stabilitet në rajonin e Ballkanit.

  • Gjendet pa shenja jete një 54-vjeçare në Prizren

    Gjendet pa shenja jete një 54-vjeçare në Prizren

    Një 54-vjeçare është gjetur pa shenja jete sot në Prizren.

    Lajmin e ka konfirmuar, Shaqir Bytyçi, zëdhënës i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit.

    “Më datë 26.01.2024 rreth orës 05:20 është raportuar se në shtëpinë e saj, në rrugën ‘Tefik Çanga’ në Prizren, është gjet pa shenja jete një grua 54-vjeçare. Policia ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe intervistimin e dëshmitarëve. Me urdhër të prokurorit kujdestar trupi i pa jetë dërgohet për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, ka thënë ai.

    Tutje, Bytyçi ka deklaruar se rasti hapet rast “Hetim i vdekjes”.

  • Sveçla pret në takim lamtumirës Abbott-in, diskutojnë për sulmin në Banjskë

    Sveçla pret në takim lamtumirës Abbott-in, diskutojnë për sulmin në Banjskë

    Ambasadori në largim i Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott, ka mbajtur takim lamtumirës me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçlën.

    Abbott ka thënë se me Sveçlën kanë diskutuar për një sërë çështjesh të sigurisë si dhe për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

    “Ne diskutuam për bashkëpunimin e fortë Britani e Madhe – Kosovë për një sërë çështjesh të sigurisë, si dhe ndikimin e sulmit në Banjskë. Britania e Madhe mbështet përpjekjet e Kosovës për të hetuar sulmin dhe bën thirrje që autorët të sillen para drejtësisë”, ka shkruar Abbott.

    Në lidhje me agresionin e Serbisë në Banjskë, zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi tha se Kosova i ka dërguar raport prej 48 faqesh Bashkimit Evropian.

  • ​GJND urdhëron Izraelin të marrë masa për të parandaluar akte të gjenocidit në Gazë

    ​GJND urdhëron Izraelin të marrë masa për të parandaluar akte të gjenocidit në Gazë

    Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka urdhëruar të premten Izraelin që t’i marrë të gjitha masat për të parandaluar akte të gjenocidit në Gazë.

    Gjykata ka thënë të premten se ka juridiksion për të vendosur për masa urgjente, të kërkuara nga Afrika e Jugut, në rastin kundër Izraelit, në luftën e tij kundër Hamasit në Gazë.

    Hamasi, grup palestinez që udhëheq Rripin e Gazës, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, shkruan REL, transmeton KosovaPress.

    Gjykata ka thënë se Izraeli duhet të sigurohet që forcat e tij nuk kryejnë gjenocid dhe marrin masa për të përmirësuar situatën humanitare në Gazë.

    Sipas saj, Izraeli duhet t’i raportojë gjykatës brenda një muaji për të treguar se çfarë po bën për të zbatuar urdhrin.

    Gjykata ka thënë se nuk do të refuzojë rastin, siç ka kërkuar Izraeli.

    Në mesin e masave të kërkuara prej Afrikës së Jugut, përfshihet ndalja e menjëhershme e operacionit ushtarake të Izraelit në Gazë, si pasojë e të cilit janë vrarë më shumë se 25.000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

    Kryetarja e trupit gjykues, Joan Donoghue, ka thënë se gjykata është “thellësisht e shqetësuar” nga vazhdimi i humbjes së jetëve dhe vuajtjeve të njerëzve.

    Kryetarja e trupit gjykues, Joan Donoghue.

    Kryetarja e trupit gjykues, Joan Donoghue.

    Kërkesa për ndëshkim të Izraelit është bërë prej Afrikës së Jugut në dhjetor të vitit 2023.

    Afrika e Jugut dhe Izraeli janë pjesë e Konventës së OKB-së për Gjenocid.

    Për një vendim të gjykatës për supozimet e Afrikës së Jugut për kryerjen e gjenocidit nga ana e Izraelit pritet të kalojnë vite.

    Izraeli i ka konsideruar akuzat ndaj tij si të “pabaza”.

    Johanesburgu beson se Izraeli është duke vepruar në kundërshtim me Konventën e OKB-së për Gjenocid, të vitit 1948, e cila është hartuar pas Luftë së Dytë Botërore dhe Holokaustit.

    Izraeli i ka shpallur luftë Hamasit më 7 tetor 2023, pak pasi grupi ka kryer sulme vdekjeprurëse në tokën e tij, duke i lënë rreth 1.200 njerëz të vrarë dhe duke marrë mbi 240 pengje.

    Disa janë liruar ndërkohë.

    Kombet e Bashkuara dhe agjenci ndërkombëtare për ndihmë, vlerësojnë se luftimet kanë shkaktuar katastrofë humanitare në Gazë, pasi një çerek i këtij territori, me 2.3 milionë banorë, po përballet me uri.