ATV

Blog

  • VV premton dyfishim të buxhetit për arsim dhe bursa

    VV premton dyfishim të buxhetit për arsim dhe bursa

    Në kuadër të fushatës zgjedhore të Lëvizja Vetëvendosje, kryetari dhe kandidati për kryeministër Albin Kurti ka mbajtur tubim elektoral në Therandë ku është fokusuar në çështjet e sigurisë, mbrojtjes dhe arsimit.

    Para qytetarëve, Kurti tha se gjatë mandatit të kaluar është rritur më shumë se dyfish numri i pjesëtarëve të Forca e Sigurisë së Kosovës.

    Kurti premtoi se në rast të vazhdimit të mandatit qeverisës do të dyfishohen dhe numri i bursave.

    Në fund të tubimit, Kurti kërkoi mbështetjen e qytetarëve për zgjedhjet e 7 qershorit, duke u bërë thirrje që vota t’i jepet Lëvizjes Vetëvendosje për të vazhduar, siç tha ai, projektet e nisura dhe për të siguruar një mandat të ri qeverisës.

  • Në ditën e pestë të fushatës, PSD kundër qasjes militariste të Kurtit

    Në ditën e pestë të fushatës, PSD kundër qasjes militariste të Kurtit

    Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, në ditën e pestë të fushatës zgjedhore ka publikuar një video-mesazh në Facebook, ku ka kritikuar qëndrimet e kryeministrit Albin Kurti lidhur me sigurinë dhe orientimin politik të vendit.

    Duke iu referuar një deklarate të Kurtit, Molliqaj tha se kryeministri po pranon se socialdemokracia dhe militarizmi janë koncepte që nuk mund të bashkëjetojnë.

    Ai tha se Kosova ka nevojë për më shumë investime në shëndetësi, arsim, zhvillim ekonomik, mirëqenie sociale, çerdhe dhe banim, e jo për një diskurs të përhershëm të militarizimit.

    Në përfundim të mesazhit, kreu i PSD-së u bëri thirrje qytetarëve që të mbështesin Partinë Socialdemokrate.

  • PSA premton mbështetje për familjet, bursa dhe subvencione për bujqësinë

    PSA premton mbështetje për familjet, bursa dhe subvencione për bujqësinë

    Në ditën e pestë të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare në Kosovë, Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve (PSA), e cila garon me numrin 111, ka prezantuar pjesë të programit të saj politik përmes një videomesazhi të publikuar në Facebook nga bartësi i listës, Artan Asllani.

    Asllani tha se prioritet i PSA-së do të jetë përmirësimi i mirëqenies së qytetarëve, me theks të veçantë te familjet në nevojë, kategoritë sociale, arsimi, zhvillimi ekonomik dhe bujqësia.

    Ai premtoi gjithashtu mbështetje për bizneset ekzistuese dhe për ndërmarrjet e reja

    Duke folur për sektorin e bujqësisë, Asllani tha PSA synon të rikthejë vëmendjen tek ky sektor.

    Në përmbyllje të mesazhit të tij, kandidati për deputet nga PSA përsëriti thirrjen që qytetarët më 7 qershor të votojnë Partinë Socialdemokrate të Ashkalinjve me numrin 111.

  • PDK premton investime në çerdhe, arsim dhe shëndetësi

    PDK premton investime në çerdhe, arsim dhe shëndetësi

    Partia Demokratike e Kosovës ka vazhduar fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare, ndërsa kandidati për Kryeministër i Republikës së Kosovës Bedri Hamza e nisi ditën me një tubim me gratë aktiviste dhe mbështetëse të PDK-së, ku prezantoi prioritetet e tij programore dhe vizionin për qeverisje.

    “Do të investojmë në çerdhe, në arsim, në shëndetësi dhe në mbështetjen e bizneseve të grave. Do të krijojmë kushte që gratë të jenë më të pranishme në tregun e punës,” u shpreh Hamza, duke shtuar se fuqizimi i gruas nënkupton edhe fuqizimin e familjes dhe të shtetit.

    Ai kritikoi qeverisjen aktuale duke pretenduar mungesë investimesh dhe politikash që lehtësojnë jetën e grave, teksa tha se rritja e kostos së jetesës po ndikon drejtpërdrejt në familje.

    Sipas tij, shtesat sociale të aplikuara nga qeveria aktuale janë të përkohshme dhe nuk adresojnë, siç tha ai, zhvillim afatgjatë ekonomik.

    Gjatë ditës, ai ka shpërndarë edhe një video-incizim me mesazhin se qytetarët më 7 qershor zgjedhin mes “dy rrugëve”.

    Në ditën e pestë të fushatës, në tubimin e mbajtur në Malishevë mori pjesë edhe kryetari i Nismes, Fatmir Limaj, i cili bëri thirrje për mbështetje të PDK-së dhe listës zgjedhore me numër 125.

  • LDK premton 5 miliardë eurosh investime në infrastrukturë dhe forcim të aleancës strategjike me SHBA-në

    LDK premton 5 miliardë eurosh investime në infrastrukturë dhe forcim të aleancës strategjike me SHBA-në

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, së bashku me presidenten e gjashtë të Kosovës dhe kandidaten për një mandat të dytë presidencial, Vjosa Osmani, zhvilluan tubime në Rahovec, Prizren dhe Dragash.

    Në tubimin e mbajtur në Rahovec, Abdixhiku prezantoi zotimet kryesore të programit të LDK-së në fushën e shëndetësisë dhe arsimit.

    Nga ana tjetër, Vjosa Osmani tha se zgjedhjet e 7 qershorit janë të rëndësishme për ruajtjen e kursit euroatlantik.

    Në Prizren, Abdixhiku prezantoi planin e investimeve infrastrukturore.

    Kurse, Osmani në Prizren kritikoi përdorimin e fëmijëve në fushata politike.

    Në përmbyllje të aktiviteteve të ditës, Abdixhiku dhe Osmani mbajtën tubim edhe në Dragash, ku kërkuan mbështetjen e qytetarëve në zgjedhjet e 7 qershorit.

  • Ardian Gjini kritikon vonesat e projekteve dhe shpërndarjen e parave në kohë zgjedhje

    Ardian Gjini kritikon vonesat e projekteve dhe shpërndarjen e parave në kohë zgjedhje

    Në kuadër të ditës së pestë të fushatës zgjedhore, kandidati për kryeministër i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (Ardian Gjini, ka mbajtur një tubim në Gjilan, ku ka folur para mbështetësve të tij me kritika dhe ironi ndaj qeverisjes aktuale dhe projekteve infrastrukturore në vend.

    Në fjalimin e tij, Gjini ka komentuar edhe çështjen e pensioneve dhe ndihmave sociale, duke kritikuar shpërndarjen e parave në kohë fushatash.

    Në përfundim të tubimit, kandidati i AAK-së u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos i besojnë “mashtruesve” duke kërkuar mbështetje për programin e tij.

  • Serena Williams rikthehet në tenis pas gati tre vitesh, legjenda amerikane gati për një kapitull të ri

    Serena Williams rikthehet në tenis pas gati tre vitesh, legjenda amerikane gati për një kapitull të ri

    Pas gati tre vitesh larg fushave të tenisit, Serena Williams është gati të bëjë një rikthim që ka befasuar botën e sportit.

    Legjenda amerikane, fituese e 23 titujve Grand Slam, ka pranuar një ftesë speciale për të marrë pjesë në turneun e dysheve në “Queen’s Club” të Londrës, duke shënuar kështu rikthimin e saj në garat zyrtare në moshën 44-vjeçare.

    Williams nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje zyrtare që nga paraqitja e saj e fundit në “US Open” në vitin 2022, kur i dha fund një karriere të jashtëzakonshme që e vendosi mes emrave më të mëdhenj në historinë e tenisit.

    Ish-numri një i botës nuk e fshehu entuziazmin për rikthimin, duke theksuar se “Queen’s Club” është vendi ideal për të nisur këtë fazë të re të jetës së saj sportive. Fusha me bar ka qenë gjithmonë e veçantë për Serenën, pasi aty ka përjetuar disa nga momentet më të paharrueshme të karrierës së saj.

    Spekulimet për një rikthim të mundshëm kishin nisur prej muajsh. Ato u intensifikuan pasi Williams u rikthye në programin e testeve antidoping, ndërsa ish-trajneri i saj, Rick Macci, kishte zbuluar se amerikania po stërvitej me intensitet të lartë dhe po shqyrtonte seriozisht mundësinë e rikthimit në konkurrencë.

    Tani, pas një mungese të gjatë, një nga figurat më ikonike të sportit botëror është gati të rikthehet sërish në skenë, duke i dhënë një tjetër dimension turneut prestigjioz londinez që zhvillohet gjatë këtij muaji.

  • Talenti i Bayern Munich viziton FFK-në, Erblin Osmani nga afër me Kombëtaren e Kosovës

    Talenti i Bayern Munich viziton FFK-në, Erblin Osmani nga afër me Kombëtaren e Kosovës

    Një nga talentët më premtues të futbollit kosovar, Erblin Osmani, i cili është pjesë e akademisë së Bayern Munichut, ka vizituar Federatën e Futbollit të Kosovës gjatë qëndrimit të tij në vendlindje.

    Lajmin e ka bërë të ditur presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili e priti futbollistin e ri në selinë e federatës, duke vlerësuar rrugëtimin dhe potencialin e tij në një nga klubet më të mëdha të futbollit evropian.

    Gjatë vizitës në Kosovë, Osmani ka shfrytëzuar rastin për t’u njohur më nga afër me zhvillimet në futbollin kosovar. Ai ka ndjekur gjithashtu seancën stërvitore të Kombëtares së Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku ka parë nga afër punën e stafit teknik dhe atmosferën që mbretëron brenda grupit të Dardanëve.

    Sipas Ademit, vizita e Osmanit dëshmon lidhjen e vazhdueshme që futbollistët e rinj me prejardhje nga Kosova ruajnë me vendin e tyre, pavarësisht se po zhvillojnë karrierën në klube prestigjioze evropiane.

    Presidenti i FFK-së e cilësoi Osmanin si një nga përfaqësuesit e gjeneratës së re që po e promovon emrin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke shprehur besimin se ai ka potencial për të arritur nivele edhe më të larta në futboll.

    Vizita e tij në Kosovë vjen në një periudhë kur gjithnjë e më shumë talente të diasporës po mbajnë kontakte të afërta me futbollin kosovar, duke forcuar lidhjet me Kombëtaren dhe me vendin e origjinës.

  • Arsenali përgatit verën e madhe, tre përforcime në plan dhe ndryshime në sulm

    Arsenali përgatit verën e madhe, tre përforcime në plan dhe ndryshime në sulm

    Arsenali ka hyrë tashmë në fazën e planifikimit për afatin kalimtar të verës, ku pritet të bëjë disa lëvizje të rëndësishme për të forcuar skuadrën në sezonin e ardhshëm.

    Sipas gazetarit të njohur të transferimeve, Fabrizio Romano, klubi londinez synon të realizojë të paktën tre afrime kryesore gjatë verës në “Emirates Stadium”.

    Prioriteti kryesor i drejtuesve të Arsenalit mbetet transferimi i një krahu ofensiv të nivelit të lartë, ndërsa gjithashtu pritet të mbyllen edhe një mesfushor dhe një mbrojtës i djathtë, të cilët konsiderohen përforcime pothuajse të sigurta.

    Sa i përket repartit të sulmit qendror, situata do të analizohet veçmas gjatë afatit kalimtar, në varësi të largimeve të mundshme dhe zhvillimeve në skuadër.

    Këto plane janë në linjë me deklaratat e trajnerit Mikel Arteta, i cili pas humbjes në finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Paris Saint-Germain theksoi se Arsenali duhet të jetë më ambicioz, më i shpejtë dhe më i vendosur në tregun e transferimeve për të rivalizuar elitën evropiane.

    Për të financuar këto lëvizje, klubi pritet të gjenerojë të ardhura edhe nga disa shitje lojtarësh, ku Gabriel Martinelli, Leandro Trossard dhe Gabriel Jesus përmenden si emra potencialë për largim.

    Ndërkohë, të ardhurat e Arsenalit për këtë sezon parashikohet të arrijnë rreth 770 milionë euro, duke i dhënë klubit fuqi të madhe financiare për të vepruar shpejt në merkato dhe për të realizuar objektivat e planifikuara.

  • Ku do të mbahet hapja e “Prishtina 2030”? Rama dhe KOK me qëndrime të ndryshme

    Ku do të mbahet hapja e “Prishtina 2030”? Rama dhe KOK me qëndrime të ndryshme

    Vazhdojnë diskutimet rreth vendit ku do të mbahet ceremonia hapëse e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, një nga ngjarjet më të mëdha sportive që Kosova do të organizojë ndonjëherë.

    Ditët e fundit është përmendur mundësia që, për shkak të mungesës së një stadiumi nacional në kryeqytet, ceremonia hapëse të zhvendoset në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë. Megjithatë, kjo ide është kundërshtuar nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili insiston se hapja duhet të zhvillohet patjetër në kryeqytet.

    Në deklaratën e tij për KosovaPress, Rama theksoi se projekti mban emrin “Prishtina 2030” dhe se pjesa më e madhe e garave do të zhvillohet në Prishtinë, duke e bërë të natyrshme që edhe ceremonia hapëse të organizohet aty. Ai shtoi se ky është një projekt që kërkon bashkim dhe jo përçarje, duke apeluar që çështja të mos politizohet.

    Nga ana tjetër, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, sqaroi se vendimet për organizimin e Lojërave Mesdhetare nuk varen nga individë apo institucione të veçanta, por merren nga Komiteti Organizativ. Sipas tij, çdo propozim mund të shqyrtohet, por vendimi përfundimtar i takon këtij komiteti dhe më pas miratohet nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare.

    Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” pritet të jenë eventi më i madh sportiv i organizuar ndonjëherë në Kosovë, ndërsa çështja e infrastrukturës dhe ceremonisë hapëse mbetet ende e hapur deri në vendimet përfundimtare të organizatorëve.