ATV

Blog

  • Dështimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend – KDI fajëson pozitë e opozitë

    Dështimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend – KDI fajëson pozitë e opozitë

    Një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare po dështojnë shkak të përplasjes ndërmjet pozitës e opozitës. E kjo sipas monitoruesve të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), po shkon në dëm të qytetarëve.

    Arbër Thaçi, monitorues në KDI,në një intervistë për Ekonomia Online tha se sjelljet e deputetëve karshi obligimit ligjor i sheh të pritshme por të dëmshme. Ai kërkon që trajtimi i tyre të bëhet edhe duke i kundërshtuar ato marrëveshje.

    Ndërsa, shmangia nga ky obligim, marrë parasysh benefitet materiale që vijnë nga këto marrëveshje, Thaçi i quan mosushtrim të duhur të funksionit të deputetit.

    “Duke parë vullnetin politik brenda Kuvendit të Kosovës mendoj se kjo situatë paraqet një ngjarje të pritshme apo të parashikueshme në kuptim të qasjes së deputetëve kundrejt le të themi obligimit për të luajtur një rol më përfaqësues që ata bartin brenda Kuvendit të Kosovës. Ky zhvillim paraqet një hap të madh prapa meqenëse kemi të bëjmë me një obligim të tyre për t’i trajtuar marrëveshjet ndërkombëtare, trajtim i cili jo domosdoshmërisht nënkupton miratim të tyre, prandaj shmangia nga ky obligim veçanërisht kur kemi parasysh le të themi beneficionet materiale ose të ndryshme që vijnë nga një numër i këtyre marrëveshjeve paraqet një mosushtrim të funksionit të deputetëve”, u shpreh Thaçi.

    Më shqetësuese Thaçi e sheh normalizimin e praktikave të tilla nga ana e deputetëve, duke i parë si mjet të vetëm kundër pushtetit.

    “Pasojat lidhen drejtpërdrejt me fushën të cilën mbulojnë këto marrëveshje, le të themi në qoftë se një marrëveshje mbulon reformimin e sistemit hekurudhor, atëherë dhe beneficionet që lidhen me këto projekt, pasojat do të jenë të mëdha, domosdoshmërisht në kuptim të vonesës së nisjes së këtij projekti apo siç është rasti i marrëveshjes së Traktatit ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për shfrytëzimin e burgut ne Gjilan për të burgosurit danez në raste sikurse ky le të themi se kemi vonesë të fillimit të zbatimit të Traktatit në përmbajtje, mirëpo më shqetësues është fakti i normalizimit të praktikave të tilla ku sjelljet e papërgjegjshme janë shndërruar në një lloj mjeti politik në këtë luftën brenda kuvendit, janë shndërruar në mjete normale dhe të përdorshme nga ana e deputetëve”, u shpreh ai.

    Monitoruesi i ligjvënësve thotë se kritika nuk duhet të bie vetëm tek ekzekutivi. Fajtor sipas tij janë partitë politike e deputetët individualisht.

    “Qeveria do të duhej në njërën anë mbase i përfaqëson marrëveshjet si palë nënshkruese do duhej të bënte më tepër në dy kuptime. Shpjegimet më të mira të këtyre marrëveshjeve në disa prej rasteve kemi të bëjmë me një lloj amullie për përmbajtjen e marrëveshjes që është Traktati ndërmjet Kosovës-Danimarkës për shfrytëzimin e burgut për të burgosurit danez dhe së dyti edhe në rrethana kur deputetët t’i kenë kuptuar por vlerësojnë për arsye politike do duhej të nxiste më tepër dialog ndërmjet grupeve të ndryshme parlamentare dhe le të themi një lloj konsensusi për të mirat që këto marrëveshje përfaqësojnë”.

    “Mirëpo më duhet të theksoj se një pjesë e përgjegjësisë për mos-trajtimin e këtyre marrëveshjeve nuk bie te ekzekutivi por të partitë dhe deputetët infividualisht si bartës të vullnetit qytetar meqenëse ata do duhej të vlerësonin individualisht dhe objektivisht marrëveshjet, kësisoj duke vlerësuar të mirat apo të këqijat që këto marrëveshje bartin dhe përfaqësojnë do duhej të shprehnin vullnetin e tyre dhe jo t’i bojkotojnë në tërësi këtë proces”, u shpreh ai.

  • Nis restaurimi i ndërtesës së shkollës së parë shqipe në Pejë

    Nis restaurimi i ndërtesës së shkollës së parë shqipe në Pejë

    Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka njoftuar se po restaurohet edhe një monument i rëndësisë së veçantë, ndërtesa e shkollës së parë shqipe në Pejë.

    Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka njoftuar se po restaurohet edhe një monument i rëndësisë së veçantë, ndërtesa e shkollës së parë shqipe në Pejë, që ndodhet në Qendrën Historike të qytetit.

    Përmes një postimi në Facebook, ministri i këtij dikasteri ka thënë se ky monument është ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. XIX-të.

    Ai ka treguar vlerat që përmban ky monument.

    “Monumenti që është ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. XIX-të, në vete përmban përplot histori ndërsa përmes ndërhyrjeve do të ruaj vlerat e trashëgimisë kulturore që ka”, shkroi ai.

  • Digjet një veturë në Zveçan

    Digjet një veturë në Zveçan

    Në Zveçan është djegur një veturë me targa lokale.

    Policia njofton se ky rast është duke u hetuar.

    Njoftimi i plotë i policisë:

    ZJARRVËNIE/Rr. Nemanja, Zveçan 10.02.2024 – 00:10. Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se i është djegur vetura e tij me targa lokale. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse. Rasti nën hetime.

  • Arrestohet i dyshuari për sulm seksual në Mitrovicë

    Arrestohet i dyshuari për sulm seksual në Mitrovicë

    Një person, i cili ishte në kërkim nga Policia e Kosovës, është identifikuar dhe arrestuar të shtunën pasi që i njëjti dyshohet se ka sulmuar seksualisht një vajzë në Mitrovicë.

    Në raportin ditor është thënë se të dyshuarit i është bërë ekzaminimi psikiatrik.

    Ndërkohë, me vendim të prokurorit i njëjti është dërguar në mbajtje.

    “Pas hetimeve të zhvilluara më 10.02.2024 është identifikuar dhe arrestuar një mashkull kosovar si i dyshuar lidhur me rastin. I dyshuari pas ekzaminimit psikiatrik me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

  • Kupchan i jep të drejtë Kurtit për dinarin, por e kritikon për kontekstin

    Kupchan i jep të drejtë Kurtit për dinarin, por e kritikon për kontekstin

    Profesori në Universitetin Georgetown dhe ish-drejtori i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Charles Kupchan ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka të drejtë të shtrijë sovranitetin monetar, por ama në kontekstin aktual e ka quajtur “të padobishme, të panevojshme dhe provokuese”.

    “Mendoj që kryeministri Kurti ka çdo të drejtë politike dhe ligjore, që serbët në veri duhet të përdorin euron, ashtu si këtu në Shtetet e Bashkuara, ku ata që jetojnë në Floridë përdorin dollarin. Por në kontekst të një momenti delikat kur Serbia dhe Kosova, shpresojnë, po provojnë të mbështesin Marrëveshjen e Ohrit, unë mendoj që veprime të këtilla nuk janë të dobishme, por panevojshëm dhe provokuese“, tha ai për Tëvë1.

    Tutje Kupchan ka thënë se është optimist se një normalizim do të ndodhë mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Kam besim që në fund, Kosovën dhe Serbinë të pajtohen dhe normalizojnë marrëdhëniet. Në mendjen time është pyetje ‘kur’ do të ndodhë kjo, e jo ‘nëse’ do të ndodhë kjo. Mendoj që është një moment kur të dy, edhe Kurti, edhe Vuçiq, duhet të dëshmojnë kurajë politike, të bëjnë zgjidhje dhe lëshime të rënda, por në vend të kësaj çfarë po shohim është se po luajnë rolin e nacionalizmit, e që nuk është e dobishme”, thotë ai.

  • Avokatet kritikojnë institucionet për mungesë vizitash ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Avokatet kritikojnë institucionet për mungesë vizitash ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Institucionet e Republikës së Kosovës nuk po bëjnë mjaftueshëm në rastin e ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë. Kështu vlerësojnë avokatët në vend, teksa kërkojnë të ndihmohen duke krijuar departament me një grup juristësh, raporton Ekonomia Online.

    Ata kritikojnë edhe mungesën e vizitës nga krerët institucional në Hagë, teksa e quajnë “diastanim në raport me ta”.

    Avokati Burim Halili, ka thënë për Ekonomia Online se mungesa e vizitave të krerëve institucional në Hagë, shpërfaq distancim për çlirimtarët.

    “Fillimisht krerët e institucioneve tona është dashtë të krijojnë një departament prej një grupi juristësh vigjilent, njohës të fushës ndërkombëtare të krimeve të luftës dhe të njëjtit është dashtë të t’u ndihmojnë të bashkakuzuarve dhe anëtarët e familjeve tyre për të përzgjedhur avokatët më të mirë në Tribunalët ndërkombëtare që kanë treguar vetën edhe në rastet tjera të mëhershme”, u shpreh Halili, duke kërkuar nga institucionet që të jenë bashkërisht në këtë betejë ligjore.

    “… mendoj që nuk është në rregull të mos iu bëhen vizita nga krerët e institucioneve tona ish-krerëve të UÇK-së sepse tregon një distancim nga institucionet tona në raport me ta dhe këtu mendoj që duhet të kemi më shumë vizita nga krerët e institucioneve dhe të njëjtit t’ua japin besimin që në këtë betejë ligjore jemi bashkërisht për të mos u akuzuar nga institucionet dhe shtetet ndërkombëtare për ndërhyje ne drejtësi mund të rezervohen në deklarimet e tyre lidhur me pa ose fajësinë e tyre përveç deklarimeve që kanë të bëjnë më atë krerët që besojnë fuqishëm në pafajësinë e tyre dhe besojnë në një vendim të drejtë të ndërkombëtarëve në Hagë”, u shpreh Halili.

    Ndërsa avokati tjetër, Arbër Jashari, ka thënë për Ekonomia Online, se nuk mjaftojnë deklarimet nga ana e Ministrisë së Drejtësisë për pagesat e avokatëve.

    “Atje kemi të bëjmë me një gjykim që është i madh dhe maratonik dhe shumë i rëndësishëm që kërkon qasje profesionale, prandaj nuk mjafton të thuhet se ne do të paguajmë avokat ose të caktohen kuota, rregullore ose ligje të caktuara. Ligjet dhe direktivat ligjore dhe duhet t’i përshtaten situates reale. Secilit të pandehuri atje, pra krerët e UCK-së duhet t’u jepet mundësia që të mbrohen ashtu siç ata dëshirojnë dhe më ekipin që ai mendon se do të ja dal mbarë”, deklaroi Jashari.

    Duke folur për mbrojtjen që po i bën shteti ish-krerëve të UÇK-së, Jashari ka kërkuar që të lihen anash inatet politike dhe të jenë të bashkuar. Këtë e konsideron si borxh ndaj tyre.

    “Të gjithë ju kemi borxh atyre të cilët kanë luftuar. Më përpara populli jonë është solidarizuar në forma të ndryshme për t’u dal në ndihmë, ndërsa tani që e kemi shtetin tonë, është mirë që shteti të përkujdeset dhe t’u dal në ndihmë ashtu siç ata e meritojnë, pasi që bëhet fjalë për mbrojtjen e disa nga vlerave tona më sublime, duhet të harrohen emrat e përveçëm duhet të harrohen paragjykimet që mund t’i ketë pushteti aktual. Jemi duke folur për periudhën e viteve 1998-1999 e cila është periudha më e rëndësishme për shqiptaret dhe shteti jonë duhet të bëjë shumë më shumë”, ka thënë Jashari.

  • Pushimorja e dytë në Istog rrezikon shembjen e disa shtëpive përreth

    Pushimorja e dytë në Istog rrezikon shembjen e disa shtëpive përreth

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Me aq sa mundet, mundohet të bëjë zgjidhje.

    Një distancë fare e vogël ndan shtëpinë e Sefer Ademajt me këtë objekt gjysmë të rrënuar, i cili dy dekada më parë shërbente si pushimore për pensionistët prishtinas në Banjë të Istogut.

    “Pas lufte nuk u shfrytëzua asnjëherë, unë e kamë shtëpinë këtu menjëherë pe shihni edhe vet…”, tha Ademaj.

    Kishte raste kur tjegullat e objektit për shkak të erërave kishin përfunduar në oborrin e tij.

    Telashe ka edhe nga kundërmimi për shkak të mbeturinave të grumbulluara që nga paslufta e Ahmetaj i druan ndonjë epidemie.

    Të gjitha këto i kishte adresuar në shoqatën e pensionistëve që të ndërmarrin hapa konkret për objektin, por pa sukses.

    “Kemi dërgua njëherë kërkesë si familje, pastaj edhe më gjerë por asgjë…Sidomos gjatë stinës së verës bëhet katastrofë, këtu mund të ketë kafshë të ngordhura e gjithçka mbeturina…”, tha Ademaj.

    Ndërkaq, nga drejtoria për mirëqenie sociale në Prishtinë thuhet se në planet e tyre për rinovim kanë vetëm një pushimore në Istog, atë për të cilën ATV raportoi të premten.

    “Shoqata komunale e pensionistëve të Prishtinës e ka vetëm një objekt të saj në qytetin e Istogut, andaj kemi marrë përsipër ta rinovojmë në tërësi atë”, tha drejtoresha për Mirëqenie Sociale në Prishtinë, Adelina Sahiti.

    Muaj më parë, banorët e fshatit Banjë të Istogut kishin dërguar një peticion në shoqatën e pensionistëve.

    Aty ishin mbledhur nënshkrimet e banorëve së bashku me përshkrimin e rreziqeve që mund të vijnë nga objekti por kërkesat nuk u morën parasysh.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Enver Sekiraqa lirohet nga arresti shtëpiak

    Enver Sekiraqa lirohet nga arresti shtëpiak

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Pas më shumë se dy vjetësh në arrest shtëpiak i akuzuari për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza, Enver Sekiraqës, masa i është zëvendësuar me paraqitje në stacion policor një herë në javë.

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar propozimin e Avokates së tij, që Sekiraqa të mbrohet në liri, tha avokatja e tij për ATV-në.

    “Në seancën e fundit gjyqësore kam propozuar zëvendësim të masës së arrestit shtëpiak me atë të paraqitjes në stacion policor dhe gjykata e ka aprovuar propozimin tim dhe nga dje i njëjti mbrohet në liri nën masën e paraqitjes në stacion policor një herë në javë”, tha për ATV-në Kosovare Kelmendi, avokate e Enver Sekiraqës.

    Sipas një njoftimi të Gjykatës Themelore masa e paraqitjes në stacion policor për Sekiraqën do të zgjasë një muaj.

    Aktakuza ndaj Enver Sekiraqës ishte ngritur në prill të 2014-s për tri vepra penale, nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, e për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.
    Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e policit Rizad uke e dënuar me 30 vjet burgim.

    Mirëpo, Gjykata e Apelit në mars 2020, e ktheu rastin për të dytën herë në rigjykim.

    Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe më 17 maj 2016 më 37 vjet burgim.

    Polici Triumf Riza u vra më 30 gusht të 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Asnjë bankë serbe s’ka aplikuar për licencim në BQK

    Asnjë bankë serbe s’ka aplikuar për licencim në BQK

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Pavarësisht se kanë kaluar 10 ditë që nga hyrja në fuqi e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës më të cilën parashihet që pagesat në Kosovë të kryhet vetëm me euro, asnjë bankë serbe nuk ka aplikuar për licencim.

    Sipas rregullores që nga hyrja e saj në fuqi, bankat kanë kohë 30 ditë që bëjnë kërkesë për licencim. BQK-ja përmes një përgjigje për ATV-në nuk dha detaje nëse edhe bankat të cilat tashmë operojnë në Kosovë kanë aplikuar për këtë licencë.

    “Ju informojmë se që nga hyrja në fuqi e rregullores, Për Operacionet me Para Të Gatshme nuk ka aplikuar – s’ka bërë kërkesë për licencim asnjë bankë që vjen nga shteti serb. Procedurat dhe kriteret e licencimit janë të rregulluara me Rregulloren e BQK-së për Licencimin e Bankave dhe Degëve të Bankave të Huaja. Për çdo aplikues, procedurat dhe kriteret për licencim janë të sqaruara”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

    Ndërkaq sipas ekonomistëve bankat në Kosovë mund edhe të hezitojnë për të hapur filiale në komunat veriore për shkak të situatës së brishtë atje.

    Sipas tij afati për 30 ditësh edhe mund të shtyhet.

    Në rregullore të BQK-së për para të gatshme në nenin 36 parashihet se këmbimet valutore mund të kryhen në Republikën e Kosovës vetëm përmes institucioneve të licencuara nga BQK-ja që ofrojnë këtë shërbim.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Qeveritarët optimistë për autostradën deri në Gjilan

    Qeveritarët optimistë për autostradën deri në Gjilan

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Sikurse ky ekip i ATV-së, për ta shfrytëzuar autostradën Prishtinë – Gjilan, qytetarët duhet të presin edhe një kohë. E paraparë të përfundonte në vitin 2020, punët në terren, po shkojnë ngadalë.

    Ndonëse në vende të caktuara është kantier ndërtimi, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi është optimist që segmenti deri në Bresalc të finalizohet gjatë këtij viti.

    “Nga Banulla ku fillon autostrada e deri në Bresalc disa lote janë para përfundimit kanë mbet vetëm këto punët finale ne disa ka pak ma shume pune dhe jemi duke punu një urë, që është në pjesë të Zheovcit dhe na kanë mbet disa pjesë të gërmimit që duhet me i përfundua që me e hapë komplet trasenë dhe deri ka gjysma e vitit po shpresojmë qe deri kah gjysma e vitit ta përfundojmë komplet deri ne Bresalc”, tha Durmishi.

    Për projektin që në veçanti do t’iu shërbejë banorëve të Anamoravës dhe Luginës së Preshevës, foli edhe kryetari i Gjilanit. Alban Hyseni theksoi problemet.

    “Problemet me shpronësimin, rrëshqitjet e dheut për shkak të kualitetit jo të mirë të projekti. Kemi pas edhe zvarrite të punëve nga operatori për shkak të ngritjes së çmimeve që kanë sjellë problem. Unë besoj që brenda këtij viti autostrada e Gjilanit do të jetë temë e harruar”, tha Hyseni.

    Ndërkohë, ministria e Infrastrukturës pritet ta shpallë tenderin për ndërtimin e segmentit nga Bresalci deri të Dheu i Bardhë. Fillimisht janë paraparë 60 milionë euro.

    “Këto nuk mjaftojnë por planifikohet që autostrada në tërësinë e saj, pra deri te Dhe u Bardhe faza e ndërtimit te zgjasë 4 vite… kështu që një pjesë e buxhetit është e parapare ne vitin i cili nuk është ende në buxhet pra ne vitin 2024-25 dhe 2026-27 që të përfundojë në tërësi”, tha Durmishi.

    Gjatësia e autostradës nga Prishtina deri në Gjilan është 22 kilometra, teksa mbi 12 kilometra janë të asfaltuara dhe të përfunduara.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: