ATV

Blog

  • Kurti: Do ta intensifikojmë fushatën informuese për dinarin

    Kurti: Do ta intensifikojmë fushatën informuese për dinarin

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka folur për vendimin e BQK-së për ndalimin e përdorimit të dinarit.

    Ai tha se BQK-ja është institucion i pavarur dhe ajo e ka marrë vendimin, teksa sipas tij, qeveria do ta intensifikojë fushatën informuese për të gjithë ata që kanë nevojë ta ridëgjojnë që dinari në Kosovë s’ndalohet por nuk lejohet si mjet pagese.

    “Ashtu sic janë konvertuar targat në RKS, edhe më shpejt edhe më kollaj mund të bëhet konvertimi i dinarit në euro. Besoj që alarmimi që vjen me idenë e përhapjes së panikut vjen nga Beogradi. Ajo cka bëjmë ne është informimi i drejt. E kemi një periudhë tranzitore në kuptimin që s’duam t’i ndëshkojmë ata që kanë ende dinarë, por duam të institucionalizojmë financat në Kosovë”, tha Kurti.

    Më tej, Kurti tha se ndonëse do të intensifikohet fushata informuese, konvertimi i dinaërve duhet të bëhet në Euro.

    “BQK-ja i ka shkruar letër Bankës Kombëtare të Serbisë dhe besoj që ata duhet t’i kthejnë përgjigje”, tha ai.

  • ​Haradinaj: Anëtarësimi i Kosovës në NATO forcon paqen e sigurinë në rajon

    ​Haradinaj: Anëtarësimi i Kosovës në NATO forcon paqen e sigurinë në rajon

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, deklaroi se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të forconte paqen dhe sigurinë në vend dhe rajon.

    Ai këto komente i bëri sot në ceremoninë e ndërrimit të komandës së Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe që vepron në kuadër të KFOR-it italian në Kosovë.

    Haradinaj ka thënë se Italia ka dhënë kontribut të madh për paqen dhe sigurinë në Kosovë.

    “Italia është një nga kontribuuesit më të mëdhenj të paqes dhe sigurisë në kuadër të misionit të KFOR-it në Kosovë, duke luajtur rol edhe në shumë procese të rëndësishme për vendin. Partneriteti mes dy vendeve tona i krijuar prej vitesh, duhet të thellohet e zgjerohet në procese të rëndësishme që kemi përpara, siç është anëtarësimi i Kosovës në NATO, akt ky që do e forconte paqen dhe sigurinë në vend dhe rajon dhe në këtë synim, roli i KFOR-it është i jashtëzakonshëm”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka falënderuar gjeneral Ruggerio Capodivento për angazhimin profesional dhe miqësor gjatë shërbimit të tij në Kosovë, teksa i uroi mirëseardhje kolonelit Rosati, me urimet më të mira për sukses në detyrën e re.

  • Konjufca për ish-aktivistët: Janë dëshmorë të përpjekjes së vazhdueshme të popullit të Kosovës që shteti të jetë i barabartë

    Konjufca për ish-aktivistët: Janë dëshmorë të përpjekjes së vazhdueshme të popullit të Kosovës që shteti të jetë i barabartë

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se Arben Xheladini dhe Mon Balaj, janë dëshmorë të përpjekjes së vazhdueshme të popullit të Kosovës që shteti të jetë i barabartë, raporton Ekonomia Online. 

    Kështu tha Konjufca gjatë homazhe të dy ish-aktivistëve të vrarë 17-vite më parë nga policia ndërkombëtare e UNMIK-ut.

    Ai ka shtuar se edhe me rënien e Enver Zymberit dhe të Afrim Bunjakut po tregohet se përpjekja po vazhdon edhe pas pavarësisë që shtetin të jetë i kompletuar dhe i barabartë me gjithë shtet e botës.

    “Pas vitit 1999 kemi pas dëshmor siç janë Arben Xheladini dhe Mon Balaj, këta janë dëshmorë të përpjekjes së vazhdueshme të popullit të Kosovës që shteti me qenë i barabarte dhe ne me qenë qytetarë të një shteti të dinjitetshëm. Kjo është arsyeja pse ranë Moni dhe Arbeni por pastaj me rënien e Enver Zymberit dhe të Afrim Bunjakut tash së fundi po tregohet se përpjekja po vazhdon edhe pas pavarësisë për popullin tonë edhe pas vitit 2008 sepse është një përpjekje për shtetin tonë për të qenë i kompletuar me qenë në mesin e shteteve të barabarta të gjithë botës”.

    “Prandaj 10 shkurti e ka rëndësinë e vetë kjo është arsyeja pse kemi dalë edhe me familjarë të Arbenit dhe të Monit edhe me aktivistët që ishin me mijëra atë ditë të 10 shkurtit 2007 në këtë shtet për me e shpreh vullnetin tonë që Kosovës i duhet Vetëvendosja si zgjidhje për statusin e vetë e jo kompromiset me Serbinë. Kjo ka qenë qasje dhe mendoj se kjo e ka vlerën e vet edhe sot e kësaj dite. Lavdi Arbenit, Lavdi Monit dhe lavdi të gjithë te rënëve për sovranitetin e Kosovës”, ka thënë ai.

    Më 10 shkurt 2007, dy aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje Arben Xheladini dhe Mon Balaj mbetën të vdekur pasi u qëlluan me plumba gome nga policët rumunë të misionit të UNMIK-ut derisa po protestonin kundër negociatave të Kosovës me Serbinë dhe Pakos së Ahtisarit.

  • ​Inspekcioni i Prishtinës paralajmëron ndryshim të metodës së gjobitjes për taksistët ilegal

    ​Inspekcioni i Prishtinës paralajmëron ndryshim të metodës së gjobitjes për taksistët ilegal

    Inspekcioni i Komunës së Prishtinës gjatë vitit 2023, për mos respektim të rregullave, ka shqiptuar rreth një mijë gjoba në vlerë rreth 150 mijë euro. Numri më i madh i gjobave kanë përfshirë segmentin e komunikacionit, taksitë ilegal, si dhe gastronomia. Kurse, paralajmërohet se do t ketë vazhdimisht aksione në rrënimin e objekteve pa leje.

    Drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit në këtë komunë, Florian Dushi, ka thënë për KosovaPress, gjatë vitit që lamë pas ka pasur shumë aksione në rrënimin e objekteve në hapësirat publike dhe se ky fillimvit ka që numri i objekteve pa leje të ketë rënë dukshëm.

    Dushi theksoi se gjatë muajve në vazhdim, në listë të pritjes, janë edhe disa nga objekte pa leje që priten të rrënohen.

    “Nëse e shohim në vlerë totale të gjobave të shqiptuara si vlerë totale, është një vlerë rreth 150, 000 euro gjoba të shqiptuara në kryeqytetet që sjellë në një numër rreth 1000 gjoba në të gjitha fushat. .. Mund t’iu them që aksioneve për lirimin e hapësirave publike këtë vit nuk kemi pasur, por planifikojmë t’i kemi disa, nën asistimin e policisë, ndërsa rrënimet për shkak të kushteve atmosferike nuk kemi pas mundësi që këto ditë të kemi por ka në listë të pritjes disa objekte të cilat presin të rrënohen ose ndërhyhet në ato. .. Në anën tjetër, ne presim që të kemi në vazhdimësi aksione të tilla edhe pse mund t’iu them që si rezultat i angazhimit tonë mbi të gjitha si rezultat i vetëdijes, numri i objekteve pa leje ka rënë dukshëm, nuk ka më tutje ndërtim të objekteve kolektive që fillojnë pa leje sepse kompanitë po kujdesen për imazhin e tyre, po respektojnë kushtet e vendosura”, tha Dushi.

    Ndërkaq, sa i përket çështjes për taksitë ilegalë, Dushi tha se situata me taksitë nuk është edhe aq e lehtë. Ai tha se taksive ilegale nuk po ua ndalin punën e tyre as gjobat e shqiptuara.

    Sipas tij, në vazhdimësi pritet që të ndërrojë metoda e gjobitjes, së pari të rritet çmimi i gjobës e pastaj të bëhet edhe konfiskimi i tabelave ose i veturës me të cilën ata punojnë.

    “Megjithatë është një angazhim permanent i inspektoratit por edhe një insistim i atyre, përkundër faktit që ne i gjobisim, ata vazhdojnë të rikthehen në komunikacion, prandaj ne jemi në pritje, sipas informacioneve që kemi është duke u shqyrtuar ligji për transportin publik. Prandaj ne shohim një shpresë për shkak se aty parashihen masa më të rënda ndëshkuese të cila konsiderojmë do të bëjnë që të mendojnë që të kyçën dhe të funksionojnë ilegalisht në kryeqytet, sepse duket përfitimet e tyre janë përtej gjobave dhe shpesh herë kemi vërejt që ata paguajnë gjobat, vijnë marrin tabelat e konfiskuara dhe menjëherë të njëjtën ditë rastisim për të dytën herë në komunikacion. Nëse rritjen gjobat dhe masa të tjera ndëshkuese, sikur që bie fjala t’i konfiskohen tabelat për një kohë më të gjatë ose edhe vet mjeti me të cilin operojnë, atëherë në këtë formë do të evitojmë mundësin që ata të jenë më shpesh në komunikacion”, u shpreh Dushi.

    Dushi shtoi se problemi i vazhdueshëm me të cilën po hasin si institucion, janë barnatoret të cilat nuk po respektojnë orarin e kujdestarisë.

    Ai tha se ka raste kur shumë barnatore punojnë në ditë te festave, si dhe pas përfundimit të orarit të përcaktuar ato vazhdojnë të jenë të hapura.

    “Për befasinë time kemi pasur shumë problem me barnatore, duke konsideruar se është një nivel tjetër dhe ata do të jenë persona që do të respektojnë më tepër orarin e përcaktuar. .. Kur kemi filluar aplikimin, kemi vërejtur që në shumë raste nuk është respektuar rregullorja, kemi gjetur që pas orës 21:00, kanë vazhduar edhe ato që nuk kanë qenë kujdestare të punojnë, ka pas raste që gjatë ditëve të festave të punojnë edhe ato që është dashur të jenë të mbyllura, por gjitha këto i kemi inspektuar dhe mund t’iu them që gjobat janë shqiptuar edhe për barnatore”, potencoi Dushi.

  • 10 ditë pas emërimit, Kuvendi i RMV-së shkarkon dy ministra shqiptarë

    10 ditë pas emërimit, Kuvendi i RMV-së shkarkon dy ministra shqiptarë

    Kuvendi i Maqedonisë së Veriut i ka shkarkuar të premten në mesnatë dy ministra të Qeverisë teknike nga radhët e Aleancës për Shqiptarët (ASH) pasi kishin mbështetur propozimin e kësaj partie që në zgjedhjet e majit t’i bashkoheshin bllokut opozitar shqiptar – Lidhja Evropiane për Ndryshim.

    Shkarkimi i ministrit të Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti dhe i ministrit të Administratës dhe Shoqërisë Informatike, Azir Aliu, ka rezultuar me tensione e polemika të shumta mes partive në pushtet dhe opozitë.

    Në arsyetimin e kërkesës për shkarkimin e tyre, kryeministri Talat Xhaferi ka thënë se “nuk ka vërejtje për punën dhe profesionalizmin e ministrave Mexhiti dhe Aliu, por pas bashkimit të tyre me Arben Taravarin, duhet të largohen, pasi në Qeveri nuk mund të jenë dy subjekte opozitare”.

    Qeveria teknike, që ka mandat 100 ditë për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, e ka në përbërjen e saj edhe opozitën maqedonase të udhëhequr nga VMRO DPMNE-ja.

    Ministri i shkarkuar, Fatmir Mexhiti akuzoi partitë në pushtet se “shkarkimi i tij është iniciuar për interesa politike” dhe se pas kësaj, sipas tij, qëndron partia Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).

    Shkarkimi i ministrave vjen dhjetë ditë pas formimit të Qeverisë teknike, më 28 janar.

    Në vend të tyre, të hënën, më 12 shkurt, pritet të emërohen Ilir Demiri si ministër i Shëndetësisë dhe Naim Bajrami si ministër i Administratës dhe Shoqërisë Informatike.

    Seanca ishte thirrur nga kryeministri Talat Xhaferi, pasi një komision partiak i Aleancës për Shqiptarët (ASH), që është pjesë e Qeverisë teknike, propozoi shkarkimin e dy ministrave të saj.

    Vendimi është marrë pasi dy ministrat dolën publikisht në mbështetje të kryetarit të ASH-së, Arben Taravari për të kaluar në opozitë.

    Por, kjo kishte nxitur reagim te një pjesë e partisë që udhëhiqet nga ish-kryetari i saj, Ziadin Sela, kryetar aktual i Kuvendit të kësaj partie.

    Ai për të shtunën, më 10 shkurt, ka thirrur Kuvendin për të konstatuar përgjegjësinë, por edhe fillimin e procedurës për shkarkim të Taravarit nga partia.

    Por, Taravari ka thënë se Sela nuk e ka mbështetjen e kuvendarëve, pasi shumë prej tyre i kanë dhënë mbështetje qëndrimit të tij për të bërë koalicion me opozitën.

    Përçarja në ASH është reflektuar edhe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

    Seanca ka nisur me tre orë vonesë pasi partitë në pushtet nuk arrinin të siguronin numrin e nevojshëm të deputetëve për nisjen e saj, që u dëshmua edhe me votimin, i cili rezultoi me shumicë të thjeshtë prej 62 deputetësh. /rel

  • Kurti dhe krerë të tjerë të partisë bëjnë homazhe tek varri i ish-aktivistëve, Mon Balaj e Arben Xheladini

    Kurti dhe krerë të tjerë të partisë bëjnë homazhe tek varri i ish-aktivistëve, Mon Balaj e Arben Xheladini

    Më 10 shkurt të këtij viti janë bërë 17 vjet prej vrasjes së ish-aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mon Balaj e Arben Xheladini.

    Me këtë rast kryeministri Albin Kurti, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, e krerë të tjerë të VV-së ka bërë homazhe tek të pllaka përkujtimore e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet.

    Balaj e Xheladini u vranë në protestën e 10 shkurtit të vitit 2007 ku bashkë me mijëra qytetarë të tjerë protestonin kundër Pakos së Ahtisarit, ndërsa partia që sot është në pushtet, VV-ja, do të organizojë disa aktivitete.

    Më pas, në ora 13:30 do të bëhen homazhe te varri i Arben Xheladinit në Prishtinë, kurse në ora 14:45 homazhe do të bëhen edhe te varri i Mon Balajt në Podujevë.

    Mon Balaj e Arben Xheladini u vranë në protestën e 10 shkurtit të vitit 2007 nga policia rumune e UNMIK-ut.

  • Kurti tregon se a pati tentim-atentat ndaj tij gjatë vizitës në Shkup

    Kurti tregon se a pati tentim-atentat ndaj tij gjatë vizitës në Shkup

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ka parë forca të shumta policore në Shkup gjatë mbledhjes që pati me partitë simotra të socialistëve, pas raportimeve se ka pasur një tentim-atentat ndaj tij.

    “Kam mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilat i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar. Sa erdha nga Shkupi, nuk jam ndier i rrezikuar, por kam parë që kishte shumë forca policore që u kujdesen për këtë mbledhje që e mbajtëm, e ku mysafiri special ishte përfaqësuesi i SPD-së gjermane, Lars Klingbeil”, ka thënë Kurti.

  • Mark Zuckerberg, me histori të gjatë të kërkimfaljeve publike

    Mark Zuckerberg, me histori të gjatë të kërkimfaljeve publike

    Mark Zuckerbergu, shef ekzekutiv i gjigantit teknologjik “Meta”, ka mbajtur një seancë dëgjimore të Senatit amerikan në lidhje me shpërthimet e Facebook-ut , për t’iu drejtuar prindërve të fëmijëve të shfrytëzuar, ngacmuar ose të shtyrë për të lënduar veten përmes mediave sociale.

    “Më vjen keq për gjithçka që keni kaluar, askush nuk duhet të kalojë nëpër vuajtjet që ju dhe familjet tuaja keni kaluar” ka thënë Zuckerbergu.

    Më pas ai ktheu vëmendjen kah korporata, duke vënë në dukje investimet e vazhdueshme të “Metas” për të mbrojtur fëmijët.

    Zuckerbergu tashmë ka histori të gjatë të kërkimfaljeve publike, të bëra shpesh në rast të ndonjë krize ose kur përdoruesit e Facebookut janë ngritur kundër ndryshimeve të paparalajmëruara të rrjetit social. Kjo qëndron në kontrast me shumicën e bashkëmoshatarëve të tij, që janë pjesë e teknologjisë, të cilët në përgjithësi preferojnë të mos flasin publikisht përpos prezantimeve të produkteve të menaxhuara me kujdes.

    Pavarësisht nëse publiku i pranon apo jo faljet e tij, ka pak dyshim se Zuckerbergu i sheh të rëndësishme kërkimfaljet.

    Shpërthimi i parë i privatësisë së Facebookut përfshinte një shërbim të quajtur “Beacon”, platformë e lansuar në vitin 2007. Me synimin për të futur një epokë të re të reklamave “sociale”, “Beaconi” gjurmoi blerjet dhe aktivitetet e përdoruesve në uebfaqe të tjera dhe më pas i publikoi ato në kryefaqen e miqve pa kërkuar leje nga përdoruesit. Pas një reagimi të madh nga përdoruesit, Zuckerbergu ka shkruar në një postim duke pranuar “gabimet e shumta” gjatë krijimit të veçorisë. Ai ka thënë se edhe më të mëdha kanë qenë gabimet në mënyrën se si janë trajtuar gabimet paraprake. Shërbimi “Beacon” nuk zgjati shumë.

    Në vitet e hershme të Facebookut, Zuckerbergu 19-vjeçar u tall me rreth 4000 studentë, të cilët i ishin bashkuar shërbimit të tij të sapokrijuar, duke u mburrur me miqtë nëpër mesazhe për sasinë e madhe të informacionit personal që kishte mbledhur falë besimit të gabuar të përdoruesve të tij. Zuckerbergu i shau duke i quajtur “budallenj”. Kur “Silicon Alley Insider” publikoi këto mesazhe në vitin 2010, Zuckerbergu kërkoi falje gjatë një interviste me “Neë Yorker”, duke thënë se i vinte “absolutisht” keq për këto komente.

    Në vitin 2011, Komisioni Federal i Tregtisë (FTC) i kërkoi Facebookut që të bënte mbikëqyrje më të rreptë të privatësisë pasi zbuloi se kompania bëri publike informacione private pa paralajmërim, nuk arriti të ndalte ndarjen e të dhënave me aplikacione tjera dhe se u ndanë informacione personale me reklamues pa dëshirën e përdoruesve. Në të njëjtën ditë, Zuckerbergu postoi një ese me 1,418 fjalë të titulluar “Përkushtimi ynë ndaj komunitetit të Facebookut”, ku nuk u mor shumë me akuzat e FTC-së dhe i përshkroi gabimet njësoj sikur për shërbimin “Beacon”, pra si “mori gabimesh”.

    Zuckerbergu ka treguar interes për realitetin virtual prej kohësh. Në vitin 2017, ai dhe një punonjëse e Facebookut luajtën një turne në Porto Riko, menjëherë pas uraganit Maria. Dyshja u shfaqën në pamjet 3-D të dëmeve. Videoja mori aq shumë ankesa sa Zuckerbergut iu desh të postonte një kërkimfalje të shkurtër, për të shpjeguar se përpjekjet e Facebookut për të treguar rimëkëmbjet nga fatkeqësitë nuk ishin të qarta dhe u kërkoi falje kujtdo që ishte ofenduar.

    Në vitin 2018, u përhap lajmi se Facebooku kishte lejuar aplikacione të fshinin sasi të mëdha të dhënash nga llogaritë e përdoruesve dhe ato të miqve të tyre pa mbikëqyrje.

    Ndërkohë që u përfshinë qindra aplikacione, vëmendja u përqendrua shpejt te një aplikacion që vidhte të dhëna nga 87 milionë përdorues të Facebookut dhe ia përcillte një firme në Mbretërinë e Bashkuar të quajtur “Cambridge Analytica”, e cila kishte lidhje me strategun politik të presidentit të atëhershëm amerikan Donald Trump, Steve Bannon. Këto të dhëna thuhet se kishin në objektiv votuesit gjatë fushatës presidenciale të 2016-s në SHBA që rezultoi në fitoren e Trumpit.

    Zuckerbergu fillimisht kërkoi falje për skandalin, duke thënë se Facebooku ka “përgjegjësi” në mbrojtjen e të dhënave të përdoruesve dhe se nëse dështon, atëherë nuk meritojnë të kenë mundësinë për t’u shërbyer njerëzve.

  • Xabi Alonso: Është kënaqësi të punosh me lojtarë si Xhaka

    Xabi Alonso: Është kënaqësi të punosh me lojtarë si Xhaka

    Bayer Leverkusen do të presë Bayern Munich sonte, në sfidën e javës së 21-të në Bundesliga, në një ndeshje që vlen më shumë se 90 minuta.

    Për kryesuesit e kampionatit gjerman kjo do të jetë një provë e rëndësishme drejt misionit, titull.

    Në prag të kësaj sfide, trajneri Xabi Alonso theksoi se skuadra e tij është gati dhe ai beson te një rezultat pozitiv.

    “Të shtunën ne kemi mundësinë të përjetojmë një atmosferë unike në stadium. Është një moment i veçantë për të gjithë ne dhe po e shijojmë këtë moment. Ndaj Bayern-it nuk duhet të mendojmë për klasifikimin, sepse do ndikonte për keq. Na duhet një ndeshje perfekte sepse kemi përballë një kundërshtar shumë të fortë, të gjithë e dimë këtë. Titulli? Unë dua që skuadra të luajë lojën e saj, besojmë te një rezultat pozitiv, por personalisht nuk mendoj se kjo sfidë vendos titullin sepse ka ende ndeshje përpara. Patjetër që është një ndeshje shumë e rëndësishme, por jo totalisht vendimtare”, tha fillimisht spanjolli.

  • Halimi thotë se gjuha e deputetëve të VV-së përballë KPM-së ngjasonte me komitetet e Enver Hoxhës

    Halimi thotë se gjuha e deputetëve të VV-së përballë KPM-së ngjasonte me komitetet e Enver Hoxhës

    Zyrtarja e lartë e LDK-së, Sibel Halimi, ka kritikuar qasjen e deputetëve të Vetëvendosjes përballë anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave.

    Halimi ka thënë se ajo çfarë ka ndodhur në atë Komision ngjanë me komitetet e Enver Hoxhës dhe shton se e gjithë ajo ka ndodhur në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

    Anëtarja e Kryesisë së LDK-së ka thënë se Vetëvendosje denigron integritetin e secilit dhe sipas saj kjo është mënyra e tyre e vetme për të kapur gjithçka.

    Reagimi i plotë:

    Deri në fund të mandatit të këtij pushteti, rezultati i vetëm i arritshëm do të jetë, kapja e të gjitha institucioneve të pavarura. E fatkeqësisht askujt nuk po i bëhet vonë, se si ky vend është duke rrëshqit komplet drejt një diktature, pasojat e së cilës ende s’i kemi ballafaquar e do t’i shohim më vonë, kur edhe mendimi do të jetë i kontrolluar!

    Veprimet e pushtetit janë më shumë se ndërhyrje politike, janë veprime diktatoriale.

    Gjuha e qasja e deputetëve të partisë në pushtet drejtuar anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave i ngjasonte komiteteve të Enver Hoxhës. E gjithë kjo dramë ndodhë si për ironi, në shtëpinë e demokracisë, në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

    Hiç më pak se katër orë, një mbledhje e thirrur si e jashtëzakonshme nga disa deputetë të LVV-së nga Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, është alarm që duhet të zgjojë vetëdijen e të gjithëve për tendencën e rrezikshme të partisë në pushtet që nëpërmjet fyerjes e atakimit të dinjitetit të individëve të disiplinojë dhe kontrollojë çdo lëvizje që nuk i përshtatet diktatit të tyre.

    Ky pushtet denigron integritetin e gjithësecilit, kjo është mënyra e vetme për të kap gjithçka, mbase të vetmen gjë që dinë ta bëjnë e erdhën në pushtet dhe tani po e mirëmbajnë atë!