ATV

Blog

  • Blinken për 16-vjetorin e Pavarësisë: Urime mikut, partnerit dhe aleatit tonë

    Blinken për 16-vjetorin e Pavarësisë: Urime mikut, partnerit dhe aleatit tonë

    Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka uruar Republikën e Kosovës në 16-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, duke thënë se e ardhmja e Kosovës është në Evropë dhe në institucionet euroatlantike.

    Ai ka theksuar se e ardhmja e Kosovës është në Evropë dhe në institucionet euroatlantike.

    “Shtetet e Bashkuara besojnë se e ardhmja e Kosovës është në Evropë dhe në institucionet euroatlantike. Ne mbështesim aspiratat e përcaktuara në deklaratën tuaj të pavarësisë dhe kushtetutës për të ‘kontribuuar në stabilitetin e rajonit dhe të gjithë Evropës duke krijuar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi’. Ne mirëpresim mbështetjen e palëkundur të Kosovës për Ukrainën kundër luftës brutale dhe të padrejtë të Rusisë dhe jemi mirënjohës për ndihmën bujare të Kosovës për gazetarët dhe të tjerët që kërkuan strehim në vendin tuaj. Mezi pres të thellojmë partneritetin tonë në forcimin e demokracisë dhe krijimin e kushteve që Kosova dhe të gjithë qytetarët e saj të lulëzojnë në një botë më të sigurt, më stabile dhe më të begatë”, ka thënë ai.

    Blinken ka shtuar se Shtetet e Bashkuara inkurajojnë Kosovën që të zbatojë zotimet e saj dhe të ecë përpara përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, në rrugën drejt njohjes së ndërsjellë eventuale.

    “Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përgëzoj popullin e Kosovës kur ju festoni përvjetorin e gjashtëmbëdhjetë si shtet sovran dhe i pavarur. Shtetet e Bashkuara vlerësojnë partneritetin tonë të qëndrueshëm, të rrënjosur në mirëkuptimin reciprok, vlerat e përbashkëta dhe miqësinë mes njerëzve tanë. Ndërsa vazhdoni të bëni përparim në forcimin e institucioneve demokratike dhe promovimin e sundimit të ligjit, ne do të vazhdojmë të mbështesim një Kosovë multietnike që avancon një rajon më të sigurt, më të sigurt dhe më të begatë. Shtetet e Bashkuara inkurajojnë Kosovën që të zbatojë zotimet e saj dhe të ecë përpara përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, në rrugën drejt njohjes së ndërsjellë eventuale”, thuhet në urimin e Blinken.

    Për fund, Bliken ka uruar Kosovën, me një vit të qetë dhe të begatë.

    “Urime sërish mikut, partnerit dhe aleatit tonë përvjetorin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Paçi një vit të qetë dhe të begatë”.

  • Kryekuvendarja shqiptare uron Pavarësinë: Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, rruga e vetme drejt paqes

    Kryekuvendarja shqiptare uron Pavarësinë: Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, rruga e vetme drejt paqes

    Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla ka uruar Kosovën në Ditën e Pavarësisë.

    Nikolla u shpreh se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE është rruga e vetme drejt paqes.

    “Shqipëria mbështet integrimin e Kosovës në NATO, anëtarësimin në Këshillin e Europës dhe në Kartën e Adriatikut, A5. Me mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së, aleatëve strategjik të kombit shqiptar, e ardhmja evropiane e Kosovës është e sigurt. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE, është rruga e vetme drejt paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon”.

    “Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, është një ngjarje historike jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë kombin shqiptar”, u shpreh ajo.

    “Liria dhe pavarësia e Kosovës janë rezultat i luftës dhe përpjekjeve të popullit të Kosovës, të mbështetura nga aleatët strategjikë të shqiptarëve, SHBA, BE dhe NATO”.

    Më tutje ajo tha se prioritet i Shqipërisë mbetet Kosova.

    “Kosova është një prioritet kombëtar i Shqipërisë. Kuvendi, institucionet e vendit dhe gjithë qytetarët janë në krah të popullit dhe institucioneve të Kosovës në përballimin e sfidave të zhvillimit dhe integrimeve euroatlantike, të cilat arrihen në koordinim dhe me mbështetjen e aleatëve të mëdhenj, SHBA dhe BE”, u shpreh Nikolla.

  • Laura Fazliu në çerekfinale të Grand Slamit të xhudos

    Laura Fazliu në çerekfinale të Grand Slamit të xhudos

    Laura Fazliu është kualifikuar në çerekfinale në Grand Slamin e xhudos në Baku të Azerbajxhanit.

    Në kategorinë deri në 63 kilogramë, xhudistja kosovare ka arritur në çerekfinale në Grand Slam Baku, ajo mposhti me Ippon, hudhi Wazaari dhe zuri në mbajtje për 10 sekonda garuesen gjermane, Agatha Schmidt.

    Në çerekfinale Fazliu ndeshet me garuesen nga Austria, Lubjana Piovesana.

  • Xhaferi uron 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

    Xhaferi uron 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

    Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi ka uruar 16-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

    “I gëzofsh edhe shumë ditëlindje tjera në paqe, e lirë, e pavarur, e prosperuar dhe shembullore, në fqinjësi, në rajon dhe në botë! Urime qytetarëve dhe institucioneve kosovarë, me dëshirë që çdo gjeneratë e ardhshme ta ruajë me përkushtimin më të madh amanetin e të gjithëve që flijuan më të shtrenjtën për të, bashkë dhe të fortë”, ka shkruar kryeministri Xhaferi në Facebook.

    Kryeministri Rama uron Pavarësinë e Kosovës

  • Kryeministri Rama uron Pavarësinë e Kosovës

    Kryeministri Rama uron Pavarësinë e Kosovës

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka uruar 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

    “Gëzuar Pavarësinë Kosovë”, ka shkruar Rama në Facebook me një foto nga parakalimi i ushtrisë së Kosovës.

    Edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka uruar 16 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, duke thënë se vendi ynë si shtet i pavarur, është një faktor pozitiv, paqedashës dhe i rëndësishëm për sigurinë në rajonin tone.

    Kosovën për 16-vjetorin e Pavarësisë e ka uruar edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

    Xhaferi uron 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

  • Pamja e “Newborn” për 16-vjetorin e Pavarësisë, ky është mesazhi sivjet

    Pamja e “Newborn” për 16-vjetorin e Pavarësisë, ky është mesazhi sivjet

    Obelisku “NEWBORN” ka marrë pamje të re për 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

    Mesazhi sivjet lidhet me liberalizimin e vizave. Në secilën shkronjë, paraqitet nga një shtet ku tash qytetarët mund të udhëtojnë pa viza.

    “Dikur qielli i rrethuar me gjemba, më në fund u hap. Shijone!”, ka shkruar autori i obeliskut, Fisnik Ismaili.

  • Rohde uron Pavarësinë e Kosovës: Gjermania vazhdon të mbetet partner i fortë në rrugën drejt integrimit euroatlantik

    Rohde uron Pavarësinë e Kosovës: Gjermania vazhdon të mbetet partner i fortë në rrugën drejt integrimit euroatlantik

    Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka uruar qytetarët e Kosovës për nder të Ditës së Pavarësisë.

    Në një postim në X, Rohde thotë se Gjermania do të vazhdojë të jetë një mikë e ngushtë dhe partnere e fortë në rrugën tuaj drejt integrimit euroatlantik.

    “Të dashur qytetarë të Kosovës, me rastin e ditës së Pavarësisë, unë dhe kolegët e mi të ambasadës ju urojmë Ditën e Pavarësisë.

    Me liberalizimin e bërë realitet më 1 janar, Kosova ka nisur me hapa të mirë këtë vit.

    Jini të sigurt se Gjermania do të vazhdojë të jetë një mike e ngushtë dhe partnere e fortë në rrugën tuaj drejt integrimit euroatlantik!

    Urime edhe një herë!”, thotë Rohde në videon e postuar.

  • Rama para varrit të ish-presidentit Rugova: Arkitekti i Republikës së Kosovës

    Rama para varrit të ish-presidentit Rugova: Arkitekti i Republikës së Kosovës

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, me bashkëpunëtorë ka bërë homazhe pranë varrit të ish-presidentit Ibrahim Rugova në 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

    I pari i Kryeqytetit tha për Ekonomia Online se ish-presidenti Rugova ishte arkitekti i Pavarësisë.

    “Jemi këtu për 16 vjetorin e pavarësisë së Kosovës për të bërë homazhe tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugovës, arkitektit të Kosovës për me nderu figurën e tij, për me nderu të gjithë ata që kane dhënë jetën e tyre, që kanë marr pjesë ne transformimin e këtij vendi në shtet të pavarur, në një shtet demokratik”, u shpreh Rama.

  • Von Cramon: Shpallja e Pavarësisë, testament i përpjekjeve të palodhshme të presidentit Rugova

    Von Cramon: Shpallja e Pavarësisë, testament i përpjekjeve të palodhshme të presidentit Rugova

    Eurodeputetja Vioa von Cramon, njëherësh raportuese për Kosovën në PE, ka uruar 16 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

    Në urimin e saj, ajo ka veçuar përpjekjet e presidentit Ibrahim Rugova në rrugën drejt arritjes së mëvetësisë.

    “Më 17 shkurt, kujtoj edhe presidentin e ndjerë Rugova dhe lidershipin e tij vizionar. Deklarata e pavarësisë në 2008 është testament i përpjekjeve të palodhshme të Rugovës dhe shpirt e qëndrueshëm të popullit të Kosovës”.

    “Vizioni i tij për një Kosovë demokratike dhe përfshirëse, për një Kosovë multietnike, ku të gjithë qytetarët jetojnë të lirë nga frika dhe diskriminimi, shtruan themelet për kombin që festojmë sot”, tha von Cramon, mes tjerash.

  • Krerët institucionalë urojnë 16-vjetorin e Pavarësisë: Republikën e ndërtuam me ndihmën e aleatëve

    Krerët institucionalë urojnë 16-vjetorin e Pavarësisë: Republikën e ndërtuam me ndihmën e aleatëve

    Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca kanë uruar 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

    Ndërsa vlerësuan përpjekjet rezistente për një Kosovë të pavarur, krerët shtetëror u shprehën falënderues edhe ndaj aleatëve ndërkombëtarë “që ndihmuan në ndërtimin e shtëpisë sonë të përbashkët – Republikë e Kosovës”.

    “Sot shënojmë të arriturën më të madhe historike të popullit tonë, shënojmë ditën kur shteti ynë u shpall i pavarur, sovran, i lirë e demokratik dhe këto 16 vite të shtetit tonë Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm përpara dhe të vendosur natyrisht për të treguar para botës jo vetëm që e ka merituar lirinë dhe pavarësinë e saj por është edhe kontribuuese e paqes, stabilitetit dhe sigurisë edhe përtej kufirit të saj. Dua t’i kujtoj të gjithë ata që dhanë më të shtrenjtën e tyre që ne sot jetojmë të lirë, të gjithë dëshmorët e kombit të gjithë martirët e republikës sonë. Në këtë ditë sërish e kujtojmë vizionin e arkitektin e pavarësisë, presidentin Ibrahim Rugova dhe sakrificën e pashembullt, trimërinë dhe guximin e familjes Jashari dhe gjithë ushtarëve të UÇK-së në krye me kryekomandantin legjendar Adem Jashari”, ka thënë Osmani gjatë ngritjes së flamurit.

    Kryeministri Albin Kurti, shprehu mirënjohje të veçantë për partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë, për të cilët tha se do t’u jenë përgjithmonë falënderues.

    “U jemi falënderues të gjithë atyre që kanë kontribuar në luftën tonë çlirimtare dhe në procesin tonë të pavarësisë. Mirënjohje e veçantë partnerëve dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë për rrugëtimin tonë të përbashkët të konsolidimit të shtetit dhe të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës sonë. Gjithnjë dhe përgjithmonë u jemi falënderues”, tha Kurti.

    Urime ka pasur edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili ka falënderuar ushtarët që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, “veprimtarët politikë e miqtë ndërkombëtarët që dhanë gjithçka për Pavarësinë e Kosovë”.