Policia e Kosovës ka njoftuar se mbrëmë në orën 19:40 një burrë ka raportuar se i është vendosur një mjet i dyshimtë në veturën e tij të parkuar nga persona të panjohur.
Policia tha se në vendngjarje kanë dalë njësitë kompetente dhe kanë bërë tërheqjen e mjetit në mënyrë të sigurt.
Rasti është cilësuar nga policia si “vrasje e rëndë në tentativë”.
“Viktima mashkull kosovar ka raportuar se person/a të panjohur dyshohet se i kanë montuar diçka të dyshimtë në veturën e tij të parkuar. Njësitë relevante policore, zjarrfikësit, ndihma e shpejtë dhe prokurori kujdestar për krime të rënda kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku njësiti i EOD-së kanë bërë tërheqjen e mjetit të dyshimtë nga vetura, në mënyrë të sigurt dhe pa incidente. Rasti në procedurë hetimore”, thuhet në raportin 24 orësh.
Janë dokumente të cilat pasqyrojnë krimet që Serbia i kreu në Kosovë në fund të viteve të 90-ta. Pikërisht në 16 vjetorin e pavarësisë, ato u dorëzuan në Institutin e rifunksionalizuar për Krime Lufte.
Kryeministri Albin Kurti tha se nga sot secili mund të dorëzojë materiale të mbledhura mbi krimet gjatë luftës, e që Instituti do t’i arkivojë.
“Qëllimin e kemi të përbashkët për institucionalizimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e kujtesës kolektive. Dokumentimi i krimeve të luftës ndihmon në parandalimin e përsëritjes së tyre në të ardhmen. Na ndihmon të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë, më paqësore, e po ashtu shërben si një dëshmi e rëndësishme për brezat e ardhshëm të cilët do të vijnë pas nesh”, tha Kurti.
Dokumentet të cilat njëherësh janë të parat që dorëzohen në Institutit, për drejtorin Atdhe Hetemi, tregojnë faktin se paqja dhe drejtësia janë vlerat që mbron Kosova.
“Ceremonia e sotme e pranim-dorëzimit të dokumenteve të para nënkupton jo vetëm një hap të rëndësishëm në dokumentimin e krimeve të luftës, por edhe një zotim për të mos harruar kurrë viktimat dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë në bazë të së vërtetës, drejtësisë dhe paqes së qëndrueshme”, tha Hetemi.
Megjithatë, shumë dëshmi e fakte të krimeve të kryera nga shteti serb u tha se kanë humbur.
“Shumë dëshmi e fakte na kanë humbur duke u bartur nga njëri vend në tjetrin vend, duke i ndërruar zyrat, në pamundësi për t’i ruajtur. Por tash zyra jonë do të ofron tërë materialin që e ka për Institutin e Krimeve të Luftës, Gjykatës Speciale dhe gjithëve me rend. Edhe kolegët e mi, të gjithë të cilët kanë mbledhur materiale apeloj që të gjitha organizatat, të gjithë individët, të gjithë qytetarët që kanë fotografi, incizime, e materiale t’i deponojnë në këtë institut, sepse më mirë nuk ruhet dhe punohet askund”, tha kryetari i Këshillit të Familjeve të të Zhdukurve, Ahmet Grajqevci.
Teksa kryeministri Albin Kurti, përmendi padinë për gjenocid, në luftën në Kosovë mbi 10.000 civilë besohet se janë vrarë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur. Të pagjetur, mbeten mbi 1.600 persona – shumica prej të cilëve shqiptarë.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, përkujtoi veprimtarët që u angazhuan për pavarësinë e Kosovës. Gjatë seancës solemne të Kuvendit komunal, Rama kërkoi unitet siç tha ai për të ndërtuar një Kosovë me të ardhme evropiane.
“Sot nuk po shënojmë vetëm një përvjetor, por po e festojmë edhe një ngadhënjim të madh. Le t’i kujtojmë sot heronjtë e mëdhenj, të cilët me dekada të tëra, me gjithë shtypjen, represionin, burgosjet, keqtrajtimet dhe vrasjet, guxuan me ëndërruar. Le t’i kujtojmë studentët që marshuan në protestat e vitit 1968, ata të vitit 1981 dhe 1997. Udhëheqësit tanë kulturor dhe politik në krye me presidentin tonë historik, Ibrahim Rugova që e ngritën gjithmonë zërin kundër padrejtësive. Veprimtarët e lëvizjes ilegale që kurrë nuk e lanë shpresën me u fikë. Patjetër luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të frymëzuar nga komandanti legjendar Adem Jashari. Le të kujtojmë secilin dhe secilën që guxoi me besua”, tha Rama.
Në anën tjetër, kryesuesi i Asamblesë Komunale në Prishtinë, Pëllumb Bajçinovci, tha se 17 shkurti është një datë historike që u bë themel lirie, paqe dhe dashurie.
“Bashkoi zemrat e secilit në një të vetme, atë të popullit shqiptar…E veçanta e luftës tonë për liri nuk është vetëm arritja e objektivit të saj, por edhe mënyra si u lufta. Nën udhëheqjen e njerëzve vizionarë dhe të jashtëzakonshëm lëvizja jonë kombëtare u animua nga një grup i liderëve unik të cilët ringjallën shpirtin e Kosovës”, theksoi ai.
Krahas kësaj seance solemne, Komuna e Prishtinës në kuadër të aktiviteteve kulturore për nder të 16 vjetorit të Pavarësisë, edhe këtë vit mbajti një koncert nga ora 18:00 në bulevardin “Xhorxh Bush”.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Ashtu siç e do zakoni, deputetët u mblodhën në sallë për të mbajtur seancë solemne më rastin e 16 vjetorit të pavarësisë së Kosovës. E ftuara e veçantë në këtë seancë ishte Presidentja Vjosa Osmani më fjalimin e së cilës filloi seanca.
Para deputetëve e mysafirëve të shumtë, Osmani tha se 17 shkurti është e arritura më e madhe historike për vendin.
Edhe për kryetarin e Kuvendit, 17 shkurti është datë më ndryshe. Duke e quajtur ditë frymëzimi ai tha se për lindjen e Republikës u desh mund e sakrificë.
Krimet Serbe ndaj Kosovës nuk mbetën pa u përmendur nga Kryeministri, Albin Kurti. Para ambasadorëve të akredituar në vend Kurti tha Serbia po ndjek rrugën e konfrontimit me Kosovën.
Pas liderëve, radha për fjalime u takoi grupeve parlamentare.
Ani pse udhëheqësit aktual të institucioneve nuk i përmenden, krerët e dikurshëm të Kosovës u kujtuan nga bashkëpunëtorët e tyre. Partitë opozitare patën edhe mesazhe për kryeministrin duke thënë vendi nuk mund të bahet pa miq.
Pavarësia e Kosovës u shpall mu në këtë institucion më 17 shkurt 2008 në ora 15:39. Në mbledhjen e jashtëzakonshme të asaj dite morën pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Në sheshin që mban emrin e tij, jeta dhe vepra e komandantit Adem Jashari, u përjetësua në bronz në Mitrovicë, në 16 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
Gjatë përurimit, në mesin e qindra të pranishmëve ishin edhe familjarë të tij përfshirë vëllanë, Rifatin.
“Sot jemi këtu e kemi festen e 16-vjetorit të shtetit të Kosovës. Urime se pari Pavarësia të gjithëve dhe gjithë shqiptareve kudo qe gjenden brenda dhe jashtë Kosovës dhe urime edhe shtatorja, t’i gëzojmë së bashku”, tha Rifat Jashari.
I pari i Mitrovicës, Bedri Hamza, tha se themelet e shtetit qëndrojnë me aleatët, e që sipas tij askush nuk duhet t’i rrënojë ato.
“Familja e Shaban Jasharit ranë dëshmorë për Lirinë e Kosovës duke u përballur me policinë serbe. Më 5, 6 dhe 7 mars familja Jashari shënuan nismën më të lavdishëm Epopenë. Sakrifica e familjes Jashari vuri në lëvizje lirinë në dy drejtime në rrafshin ndërkombëtar dhe kryeqytetet e botës demokratike. Sado që ikin vitet emocionet e një ngjarje të tillë sikur ajo e 7 marsit jo që zbehen por bëhen edhe më të fuqishme për të cilën ishin bërë aq shumë. Janë shumë të panumërta ata që rreshtuan drejt vlerave perëndimore garantoi suksesin e veçante”, tha Hamza.
Shtatorja e heroit Adem Jashari u punua nga skulptori Sabri Behramaj.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Para 25 vjetësh në këtë oborr qetësia thyhej vetëm nga pushkët që shkrepeshin për çlirim. Jasharët e Prekazit, arritën qëllimin, andaj tash, tek kullat e tyre heshtja u prish nga qytetarët që erdhën për t’i nderuar, në përvjetorin e 16 të pavarësisë.
Para se të arrinin tek shtëpitë, vizitorët mes të cilëve ishin edhe krerët e shtetit, ndaleshin për homazhe tek varret e të rënëve për liri.
Kryeministri Kurti, Presidentja Osmani e kryeparlamentari Konjufca nuk folën gjë.
Por, kështu nuk veproi Memli Krasniqi, kryetari i Partisë Demokratike, i cili krahas nderimeve, kritikoi Qeverinë.
Kurorë lulesh tek varri i komandantit Adem Jashari, u vendosen edhe nga vizitorë që erdhën nga Shqipëria.
Megjithatë, qytetarët shprehën shqetësim për gjendjen e kullave.
Më 5 mars të vitit 1998 shtëpitë e Jasharëve u sulmuan nga Policia. Familja rezistoi, andaj luftimet vazhduan deri më 7 mars. Përgjatë tre ditëve, u vranë 55 njerëz.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Oborri i Qeverisë ishte vendtakimi i krerëve të shtetit këtë 17 shkurt.
Presidentja Vjosa Osmani se bashku me kryeministrin Albin Kurti dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca morën pjesë në ngritjen e flamurit para ndërtesës së Qeverisë.
Presidentja Osmani, tha se për këto 16 vjet, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm përpara, teksa kujtoi luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Dua t’iu urojë të gjithë qytetarë e Kosovës sepse gjithsecili prej tyre ka dhënë një kontribut të çmuar që sot ne ta gëzojmë shtetin tonë. Por në veçanti dua t’i kujtoj të gjithë ata që dhanë më të çmuarën qe ne sot të gëzojmë dhe të jetojmë të lirë”, tha Osmani.
Ndërkaq, për kryeparlamentarin Glauk Konjufca 17 shkurti është dita më e rëndësishme e shtetit të Kosovës.
“Sot është edhe ditë e festimit, por edhe reflektimit, falënderimit dhe mirënjohjeve…”, tha Konjufca.
Për nder të shënimit të 16-vjetorit të pavarësisë, krerët e shtetit bënë homazhe edhe te varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova dhe te ai i veprimtarit, Adem Demaçi.
Presidentja, kryeministri dhe kryeparlamentari me pas u nisen drejt Prekazit, për ta nderuar sakrificën e familjes së komandantit legjendar, Adem Jashari.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Në një konferencë të jashtëzakonshme në ditën e Pavarësisë së Kosovës gjermani Franco Foda është emëruar edhe zyrtarisht trajner i Kombëtares së Kosovës pasi ka nënshkruar një marrëveshje dy vjeçare me Federatën e Futbollit të Kosovës.
Duke shprehur kënaqësinë që është bërë trajner i Kosovës, 57 vjeçari I lindur në Mainz, fjala e parë që e tha në konferencë ishte në gjuhen shqipe dhe theksoi se Kosova është një skuadër shumë atraktive dhe se me pak ndryshime mund të arrihen suksese të mëdha.
“Personalisht skuadra më duket shumë interesante, shumë atraktive dhe me disa ndryshime të vogla do të kemi shumë sukses me këtë ekipi që e kemi.. I njoh disa futbollistë si: Rrahmanin e Napolit, Vedat Muriqin e Majorkës, Paqaradën, Alitin, kështu që i përcjellë rregullisht lojtarët”, tha Foda.
Më tutje, ai vijoi duke thënë se ka parë disa ndeshje të Dardanëve dhe se nga këto ndeshje ka mësuar se Kosova mund të luaj me disa module në të gjitha repartet dhe po ashtu tregoi që gjatë perudhës sa është selector do të zhvendoset për të jetuar në Prishtinë.
“Unë do të jetojë në Prishtinë sepse ka lojtarë që luajnë edhe në Superligën e Kosovës si Dellova i Ballkanit dhe Krasniqi i Llapit, por do të jem edhe jashtë vendit për t’i parë edhe lojtarët tjerë që janë të Kombëtares së Kosovës, por kryesisht në Prishtinë”, vijoi Foda.
Në konferencën për shtyp me rastin e prezantimit të përzgjedhësit te ri, Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi tha se Foda është trajner i rezultateve dhe se nën drejtimin e tij pret që Kosova të bëjë histori në garat ndërkombëtare dhe po ashtu tregoi se lojtari Elvis Rexhpebeqaj është duke u paisur me pasaportë të Kosovës.
“Franco Foda është trajner i rezultateve, gjithsesi edhe ne jemi si Kosovë tani më në këtë pjesë duam të kemi rezultate sepse e kemi parë zhvillimin tonë dhe uroj që këto rezultate t’i bëjmë me Franco Fodën dhe Franco Foda të jetë trajneri ynë i cili do të mbetet në histori të futbollit të Kosovës me kualifikimin e Kosovës në garat evropiane dhe ndërkombëtare në të cilat bëjmë pjesë…Kemi vendosur që ta nënshkruajmë një kontratë dy-vjeçare, sigurisht që në këto gara, në këtë dy-vjeçar, në garat e radhës që i kemi do ta realizojë programin e tij, por edhe kërkesat tona që i kemi”, tha Ademi.
Kujtojmë që Foda do te vjen me stafin e tij, kurse ndeshja e pare ku pritet të debutoj me Kosovën është ajo me Armenin me 26 mars.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Për dallim prej mbledhjeve të kaluara, salla të shtunën e 17 shkurtit ishte më festive. Me mbledhjen solemne të Qeverisë, nisi shënimi i 16-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Prejardhja e Republikës, është te lufta çlirimtare dhe lëvizjet shekullore te popullit tonë për liri tha kryeministri Albin Kurti.
“Republika e Kosovës, shteti ynë feston sot përvjetorin e vet të gjashtëmbëdhjetë. Sivjet shënojmë edhe dy përvjetorë të rëndësishëm, 26-vjetorin e epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe 25-vjetorin e çlirimit tonë nga okupimi i Serbisë. Përvjetorë të këtillë ofrojnë raste të përshtatshme për reflektime retrospektive, që rëndom mund të mos kemi kohë t’i bëjmë gjatë ditëve të tjera të vitit”, tha Kurti.
Kurti shtoi se Kosova është shtëpia e të gjithëve, pa dallim.
“Ashtu sikurse ditën kur u shpall, gjashtëmbëdhjetë vite më parë, ashtu edhe sot, si dhe çdo ditë më tej, Republika e Kosovës ishte, është dhe do të jetë shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj pa dallim. Andaj, sot ne festojmë, e urojmë e përgëzojmë, jo vetëm shqiptarët, por edhe komunitetet jo shumicë në Republikën tonë, serbët, boshnjakët, turqit, romët, ashkalinjtë, egjiptianët, goranët, por edhe malazezët, kroatët e të tjerët”, tha Kurti.
Teksa përmendi viktimat e luftës në Kosovë, shefi i ekzekutivit theksoi se për nder të tyre, duhet të vazhdohet rruga për ndërtimin e shtetit. Kurti falënderoi edhe partneret ndërkombëtar, për siç tha rrugëtimin e përbashkët për konsolidim të shtetit.
“Teksa festojmë ditëlindjen e shtetit tonë, edhe përkujtojmë secilën jetë njerëzore të dhënë, gjakun e derdhur, përpjekjet e vetëmohimin për të mirën e përbashkët të këtij vendi, për ruajtjen e jetës dhe për jetesën e mirë për të. Përkujtimi është i anasjelltë, sepse ne me rininë dhe popullsinë tonë ecim përpara, por njëkohësisht duke përkujtuar veprimtarinë e atyre që ishin para nesh, ne ia përkujtojmë vetes në kujtesën tonë kolektive rrugën e kësaj vepre që duhet mirëmbajtur dhe rrugën që nuk duhet lëshuar asnjëherë. Lavdia e tyre është e përjetshme e kujtimi ynë për ta është i pashlyeshëm”, tha Kurti.
Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008. Sipas listës së publikuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, mbi 100 vende të botës e kanë njohur shtetësinë.
Përgjatë këtyre viteve, Kosova është anëtarësuar edhe në disa organizata ndërkombëtare, përfshirë ato financiare dhe sportive.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: