ATV

Blog

  • Kuvendi sot mban seancë plenare, këto janë pikat e rendit të ditës

    Kuvendi sot mban seancë plenare, këto janë pikat e rendit të ditës

    Sot do të vazhdojë seanca plenare me pikat e papërfunduara.

    Në rend të ditës do të jenë 30 pikat e papërfunduara të seancave të datës 8 dhe 14 shkurt.

    Seanca pritet të nisë në orën 11:00.

    Rendi i ditës:

    Vazhdimi i Seancës plenare

    Rendi i ditës

    I. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 8 dhe 14 shkurt 2024:

    22. Shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës,
    23. Votimi në lexim të dytë i Projekt Kodit doganor dhe të akcizave, nr. 08/L-247,
    24. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-211 për Verëra,
    25. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-243 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L–037 për metrologji,
    26. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-186 për rregullat e trafikut rrugor,
    27. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,
    28. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore,
    29. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-262 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre me Ligjin nr.05/L-031 për procedurën e përgjithshme administrative faza e dytë,
    30. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-265 për regjistrin e pronarëve përfitues,
    31. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-264 për rininë,
    32. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-268 për shpronësimin e pronës së paluajtshme,
    33. Shqyrtimi i parë Projektligjit nr.08/L-272 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-010 për Noterinë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.08/L-149,
    34. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-266 për gjendjen civile,
    35. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-267 për letërnjoftimin,
    36. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-269 për kontrollin e kufirit shtetëror,
    37. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-274 për Shërbimet Private të Sigurisë,
    38. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-282 për statusin, qëndrimin e përkohshëm dhe kalimin transit të forcave të huaja të armatosura në territorin e Republikës së Kosovës,
    39. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-286 për shtetësinë e Kosovës,
    40. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-287 për Këshillin e Sigurisë së Kosovës,
    41. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-275 për rrugët,
    42. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-278 për faturat e kulturave bujqësore dhe fletëmagazinave,
    43. Votimi i Programit Kombëtar të Shkencës 2023/2028,
    44. Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
    45. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2022,
    46. Shqyrtimi i Raportit vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2022,
    47. Shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për vitin 2022,
    48. Shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.02/L-65 Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes,
    49. Shqyrtimi i Rekomandimeve nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.2003/5 për farërat,
    50. Shqyrtimi i Rekomandimeve nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.04/L-114 për pasurimin e miellit,
    51. Shqyrtimi i Rekomandimeve për Raportin e auditimit të performancës “Të hyrat nga qiraja në Agjencinë Kosovare të Privatizimit për periudhën 2012 – 2021”.

  • Ganimete Musliu e kalon me sukses operimin në zemër

    Ganimete Musliu e kalon me sukses operimin në zemër

    Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka kaluar me sukses operimin në zemër, të cilit iu nënshtrua në Gjermani.

    Lajmin e ka bërë të ditur miku i saj, Besnik Miftaraj, i cili i ka uruar shërim të shpejtë.

    “Ndërhyrja kaloj me sukses dhe tash të uroj shërim sa më të shpejt mikesha ime, Ganimete Musliu!”, ka shkruar Besnik Miftaraj.

    Kujtojmë se Ganimete Musliu njoftoi për operacionin që duhet të krynte para dy ditësh.

    Njoftimi i plotë i saj:

    Të nderuar qytetarë

    Të dashur miq

    Ju që më keni qëndruar pranë në momente shumë të lumtura dhe në momente shumë të rënda,

    ju njoftoj se, pas një vizite të mjeku në QKUK, rreth dy vite më parë u diagnostikova me një problem në zemër.

    Gjatë gjithë kohës jam trajtuar në Kosovë dhe dua të falënderoj të gjithë mjekët që punojnë në reaprtin e Kardiologjisë dhe Kardiokirurgjisë në QKUK dhe në Spitalin Amerikan që u kujdesën për mua.

    E falënderoja po ashtu çdo institucion dhe çdo individ që ishte pranë meje dhe më ofroi mbështetje.

    Mbështetja e tyre më ka bërë jashtëzakonisht mirënjohëse, por edhe krenare për çdo hap që kam bërë sepse në një moment shumë delikat të jetës sime më kanë dëshmuar se jam e bekuar me miq të vërtetë.

    Tani, me rekomandim të mjekëve kosovarë, më duhet t’i nënshtrohem një ndërhyrjeje kirurgjikale, e cila (për fat të keq) do të kryhet jashtë vendit, pasi që mjekëve në Kosovë, përkundër kompetencës së shkëlqyer profesionale, ende nuk u janë krijuar kushtet që ata i meritojnë.

    Sistemit shëndetësor të Kosovës realisht i mungojnë shumë gjëra përveç mjekëve, kështu që shpresoj që kjo gjendje të përmirësohet dhe askush të mos detyrohet t’i nënshtrohet procedurave të shërimit jashtë vendit.

    Mëqe me duhet të tërhiqem përkohësisht nga puna ime e përditshme, dua t’ju falënderoj të gjithëve padallim, që më keni shkruar, jeni lutur për mua dhe më keni uruar gjithë të mirat.

    Paçi edhe ju shendetin dhe të gjitha të mirat në jetë.

    Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja.

  • Rashiq thotë se protestat për dinarin kanë qenë artificiale

    Rashiq thotë se protestat për dinarin kanë qenë artificiale

    Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se protestat për dinarin kanë qenë artificiale.

    Ai thotë që persona të manipuluar që financohen nga institucione të ndryshme, po përdoren për të njëjtën gjë.

    “Sa i përket protestave, janë protesta mbi të gjitha artificiale. A e dini pse? Sepse çdo herë deri më tash, manipulime me ata persona të cilët në këtë rast, me të drejtë kanë qenë pjesëmarrës të protestës, është diçka standarde, por një biografi ose një eksperiencë që e kemi pasur deri më tash ka qenë gjithmonë ata persona, të cilët kanë qenë në një formë të financuar nga ana e institucioneve të ndryshme, kanë qenë të përdorur për të njëjtën gjë. Kjo do të thotë, kur e shohim protestën e djeshme ose të para disa ditëve, ndoshta është protesta që do të kisha thënë unë, te protestat e rralla të cilat me të vërtetë e kanë pasur një qëllim, bile protestë e cila është e bazuar, kisha me thanë unë”, tha Rashiq.

    Sipas tij, protestat po keqpërdoren nga struktura destruktive, të cilat, çdo veprim të Kosovës po e kontestojnë në formë etnie.

    “Protestat keqpërdoren si çdo herë, sikur që një prej vërejtjeve të mia personale është pse e kemi mundësuar një strukturë të tillë sikur që e dimë që kemi disa struktura që janë destruktive dhe pavarësisht se çka bënë Qeveria e Kosovës ose institucionet e pavarura të Kosovës, kjo kontestohet në formë etnie, në formë institucionale, në formë politike që në shumicën e rasteve nuk ka nevojë që të bëhet një gjë e tillë”, tha Rashiq. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë mund ta shikoni në videon më poshtë:

  • Rashiq: Nuk kam ndonjë kundërshtim me veprimin e BQK-së, brengosem për mungesën e një afati për rrugë alternative

    Rashiq: Nuk kam ndonjë kundërshtim me veprimin e BQK-së, brengosem për mungesën e një afati për rrugë alternative

    Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se nuk ka asnjë kundërshtim me dokumentin e BQK-së si të tillë, mirëpo ai thotë se brenga e vetme e tij është se mos krijimi i një afati apo mundësie që të sensibilizohet opinioni për të hapë rrugë alternative.

    “Sa i përket një veprimi të tillë nga BQK, askush dhe unë personalisht, pasi që nuk kam pasur informacione sepse kam qenë atë janë vë Uashington dhe kur erdha, ose kur lexova që një gjë e tillë ka ndodhur, prej momentit kur edha, shkova së pari te guvernatori Ahmet Ismaili dhe për herë të parë e kam pasur atë dokument, dhe unë e analizova, e lexova, takova edhe kryeministrin pastaj, dhe atë si dokument, askush nga ne nuk mund ta kundërshtoj si të tillë. Por, ne e kemi një brengë shumë të madhe e cila është sa i përket afatit ose mos krijimin e mundësisë të afatit për një përgatitje ose një fushatë senzibilizuese , e cila do të mundësonte që ata persona që i përmenda do ta kishin pasur një shansë korrekte që ta marrin informacionin së pari dhe së dyti të hapin rrugë alternative, ku do të thotë a është hapja e një xhirollogarie në NLB apo diku tjetër ose çdo veprim që do të kishin mundur ta kenë”, tha Rashiq. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë mund ta shikoni në videon më poshtë:

  • Diskutim sekret për tentim atentatin ndaj Kurtit

    Diskutim sekret për tentim atentatin ndaj Kurtit

    Përgatiti: Haris Ademi

    Asgjë çka u fol brenda sallës në Komisionin për Mbikëqyrje të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, nuk u bë e ditur jashtë saj. Krejt çka u tha për takimin e së mërkurës me kryespiunin Petrit Ajeti, është vetëm se u diskutua për raportimet mbi tentim-atentatin ndaj kryeministrit Albin Kurti, sa ky ishte në Maqedoni të Veriut, më 10 shkurt.

    Pavarësisht se ishte temë e ditës, kryesuesi Sali Zyba nga Vetëvendosja, interesimin e gazetarëve për këtë temë e quajti të vonë.

    “Është temë e konsumuar, nuk mund të jap detaje…”, tha Zyba.

    Edhe pse tashmë kanë kaluar 11 ditë që nga raportimi i televizionit publik për këtë situatë, Prokuroria Speciale nuk ka kthyer përgjigje për ATV-në nëse ka hapur rast për hetim.

    Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se organet e drejtësisë do të duhej të ishin transparente lidhur me rrezikimin potencial të sigurisë së Kurtit.

    “Publiku ka interes për sigurinë e kryeministrit, presidentit, nuk mund të mbahen konfidenciale. Duhet të tregohet nëse vërtet ka pasur atentat, apo ka qenë lajm i rremë”, tha Miftaraj.

    Ditën kur u raportua, vetë kryeministri e la si pezull mundësinë e atentatit ndaj tij.

    Ndërkaq, këtë e mohoi vetë shteti maqedonas-verior, duke thënë se masat e sigurisë për vizitën e Kurtit kanë qenë sipas rregullave të paracaktuara dhe vlerësimeve të sigurisë.

  • Gati një muaj prej kur i pranoi, KQZ-ja s’e ka përfunduar verifikimin e peticioneve

    Gati një muaj prej kur i pranoi, KQZ-ja s’e ka përfunduar verifikimin e peticioneve

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Gati një muaj ka kaluar prej se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar peticionet për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat veriore.

    Megjithatë, ende nuk dihet nëse është bërë verifikimi i të gjitha nënshkrimeve.

    Madje, KQZ-ja nuk tregoi se edhe sa mund të vonohet ky proces. Detaje, me arsyetimin se kjo i takon KQZ-së, nuk dha as ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ndonëse mohoi të ketë zvarritje në proces.

    “Besoj që kjo është njëfarë kalkulimi matematikor dhe është aty dhe besoj që ata shumë shpejt do të hapin procesin për nivelin tjetër, por nuk po zvarritet”, tha Krasniqi.

    Sipas udhëzimit administrativ, peticioni i hap rrugë votimit për shkarkimin e kryetarëve në të cilin nevojiten 50 për qind plus një e votuesve të regjistruar.
    E në rast se nisma për shkarkimin e kryetarëve ka sukses, presidentja duhet që jo më larg se 45 ditë nga shkarkimi i kryetarëve, t’i shpallë zgjedhjet e reja.

  • Sistemi i rimbursimit të depozitave mund të realizohet deri më 2025

    Sistemi i rimbursimit të depozitave mund të realizohet deri më 2025

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Shishe të tilla mbase pas një viti do të ketë më pak nëpër rrugë.

    E gjithë kjo falë të ashtuquajturit Sistemit për Rimbursimit të Depozitave.

    Sipas këtij sistemi, qytetarët do mund t’i kthejnë për riciklim shishet e plastikës, qelqit dhe kanaçet e aluminit.

    Fatmir Matoshi, ish-ministër i Infrastrukturës, në kohën e të cilit kishte filluar projekti tha se pas hapjes së thirrjes për Administrator krijohen mekanizma të mbikëqyrjes e më pas krijohen edhe grupet punuese.

    Sipas Matoshit, është e rëndësishme që qytetarët të informohen se nuk do të fitojnë para nga sistemi por çmimi i produktit do të rritet dhe ata do të rimbursohen për vlerën që paguajnë.

    Sistemit më së shumti i janë gëzuar ambientalistët, sipas të cilëve pritet të ketë reduktim të dukshëm të mbeturinave në ambient.

    Sistemin e Rimbursimit të Depozitave tash e shumë vjet e praktikojnë shumë vende në Evropë.

  • Rihapet konkursi për teatër të operës dhe baletit

    Rihapet konkursi për teatër të operës dhe baletit

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Në mungesë të kushteve, Opera e Kosovës ka nisur provat para shfaqjes së operës së parë kosovare “Goca e Kaçanikut”, në një sallë private në periferi të Prishtinës.

    Ndonëse, gurthemeli për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit u vendos para 14 vjetësh, Ministria e Kulturës ende nuk arriti as ta zgjedhë projektin ideor të ndërtesës.

    Sidoqoftë, pas dështimit të parë, MKRS-ja e ka rihapur thirrjen për projektimin e këtij objekti të shumëkërkuar.

    Teksa për projektin ideor janë paraparë 2.5 milionë euro, sipas Ministrisë së Kulturës, ndërtimi parashihet të kushtojë 50 milionë euro. Rihapja e konkursit u mirëprit nga komuniteti artistik.

    Megjithatë, mungesa e Teatrit të Operës dhe Baletit po konsiderohet fatkeqësi.

    Pavarësisht se Komuna e Prishtinës ndau tokën për ndërtim, ajo është lënë jashtë procedurave.

    “Kryeqyteti Prishtina nuk ka qenë I përfshirë, pavarësisht se do të duhej domosdoshmërisht të përfshihet në këto procedura”, tha Arbër Sadiki, drejtor i Urbanizmit në Prishtinë.

    Tenderi për përzgjedhjen e projektit ideor ishte anuluar, pas vendimit final të Organit Shqyrtues të Prokurimit. OSHP-ja kishte konstatuar se kompanitë garuese kishin shfaqur identitetin e tyre gjatë aplikimit, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik.

  • I arrestuari nga Serbia, Hasan Dakaj, vizitohet nga familja për herë të parë

    I arrestuari nga Serbia, Hasan Dakaj, vizitohet nga familja për herë të parë

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Kjo veturë nuk ka lëvizur nga vendi nga 5 janari. Pronari i saj, Hasan Dakaj, po në këtë datë u ndalua posa nga hyri nga Kosova në Serbi dhe u arrestua nga policia serbe, nën dyshime për krime lufte.

    Gjatë kësaj kohe sa qëndron në paraburgim kontakti mes familjes dhe ish-ushtarit të UÇK-së ishte minimal.

    “Ditën e parë e ka thirrë gruan e tij në telefon 1 minutë, edhe i ka thënë që “gjithçka po bëjnë me trupin tim…”, tha Gëzim Dakaj, vëlla i Hasan Dakajt.

    Por, tani pas pak më shumë se gjashtë javësh, këtë të mërkurë familja e takoi për herë të parë.

    “Sot kanë shku vëllai, gruaja e tij dhe djali. Më herët më shkrujtën që ka përfundu takimi, tash janë duke u kthy…”, tha Dakaj.

    Derisa familja është rrugës për t’u kthyer në Kosovë pas takimit, avokatët po punojnë në lirimin e tij.

    “Rruga drejt lirimit të tij, është e vështirë. Ai po mbahet pa të drejtë dhe pa fakte…”, tha Xhevdet Smakiqi, avokat i Hasan Dakajt.

    Përderisa 45-vjeçari mbahet në burgun e sigurisë së lartë në Serbi, sipas vëllait të tij, institucionet kosovare nuk u kanë ofruar mbështetje.

    “Përveç shkrimeve në Facebook dhe vizitës së Jetish Jasharit, nuk kanë bërë institucionet asgjë. Ka gruan, djalin më të madh 13 vjeç dhe një fëmijë që ende nuk flet…”, tha Gëzim Dakaj.

    Ndërkaq, banorët e Fshatit Krishë të Prizrenit në të cilin jeton Dakaj, për ta mbështetur familjen kanë mbledhur afro 20 mijë euro.

  • Gjykimi ndaj kryeparlamentarit Glauk Konjufca

    Gjykimi ndaj kryeparlamentarit Glauk Konjufca

    Përgatiti: Nora Luta

    Pak minuta pas orës dhjetë, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, arrin në sallën e gjykimit, në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Konjufca po ballafaqohet me akuzat e Prokurorisë për hedhje të gazit lotsjellës, në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, të mbajtur në gusht të vitit 2016.

    Por, kryeparlamentari nuk e ka shfrytëzuar të drejtën e mbrojtjes për t’u përgjigjur para gjykatës, duke vendosur të mbrohet në heshtje.

    Paraprakisht, gjatë kësaj seance dëshminë lidhur me ngjarjet e asaj date e dha deputeti Pal Lekaj. Megjithatë, as Lekajt nuk i kujtohet se kush hodhi gaz, e madje as të jetë ndërprerë ndonjë mbledhje e kryesisë.

    Gjatës seancës, gjithashtu, janë administruar provat, përfshirë edhe provë procesverbali i mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, që u propozua nga Prokuroria.

    Në fund të javës, është planifikuar fjala përfundimtare, në këtë rast vepra penale e të cilit, sipas Prokurorisë, është kryer në vitin 2016.

    Konjufca akuzohet se sa ishte deputet hodhi gaz lotsjellës në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, në kundërshtim të ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.